Flamuri simbol përfaqësues i nacionalitetit alban-epirot i Principatës së Kastriotëve
Nga Agron Luka
Shqiponjë mali zeshkane e Zeusit – jo shkabonjë kuqaloshe e lagunave detare! Diskutim për botimin: “Harta e 1456, e Vërteta për Flamurin e Skënderbeut”, nga dr. M. Zeqo.
I.
E pakta, qysh nga Homeri poeti i verbër i dy gadishujve fqinjë i Anatolisë dhe i Evropës (Helladik – Illyrik) njihej e bëhej diferencimi i llojeve të ndryshme të shqiponajve: “Zeusi i urti i Dodonës së Epirit, që vren të gjitha shartet, e ka më për zemër e do megjith shpirt, shkabën, mbretin e shpendve, ndër shpezë ma ugurmirën lajmëtaren t’murrmen gjahtare që e quajnë zeshkane, me krahë të hapur cep më cep… kur e panë të gjith u ngazëllyen”. (Iliada, botimi shqip., 1979, K. XXIV, sintezë vargjesh f 436-437; po aty, f 103, 134, 210, 241 etj)
“Po qe se fisin tim ti don ta njohësh, dëgjo: Pushtetin atij, Zeusi me shqiponjë dhe skepter ia dhuron”. (Iliada, cit. K. VI, f 103; shih fig. 1)
Në këtë modë vazhdimësie e autoktonie ndër autorët antikë, i pari Hekateu (shek V-VI p.e.r.) dhe ndër të fundit Lukiani (shek II), pastaj edhe burimet arkeologjike e vërtetojnë se: Tre Gerionët siamezë baritorë mitologjikë të Epirit (të mijv. I-II p.e.r.) kishin në heraldikë shqiponjën e zezë, pastaj Pirrua i Epirit, etj. (F. Arriani, “Alexandri Anabasis”, Lib. II, 5, 16, ku citon Hekateun; Lukiani, “Vepra të Zgjedhura”, bot. 1979, “Toksaridi ose Miqësia”, f 413, vërteton pikturat e Gerionit dhe sjell legjendën epirote si, simboli i miqësisë dhe barazisë njerëzore; shih nga ne, “Heraldika e Tregerionëve të Epirit…”,
Ndër shkabonjat e një vlerësimi pak më poshtë, Homeri veçonte: “Si shkabonjë kuqloshe kur bie me hov mbi turma fluturakësh, mbi pata e kurilla e mjellma qafëqesqine, që për të kullotur në breg të lumit dalin, ashtu Hektori drejt një anije akeje me kiç të kaltër ia behu”. (Iliada, cit. K. XV, f 276) Dhe këtu nuk po ndalemi tek zgërbonjat qafëgjata që shqyejnë kërma coftina, të cilat anarkia e lumpenit po i zhduk si specie edhe ato nga vendi ynë…
II.
Edhe në kohën e Diktaturës edhe mbas Demokracisë i kam ndjekur studimet e botimet në temën e shqiponjës dhe flamurit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kur u krijuan mundësitë, kemi botuar edhe ne një dyzinë studime me ilustrime e me objekte, sado që “dekanët” më kanë lënë në hije…
Nuk është hera e parë që dr. prof. M. Zeqo, në ngut dhe në entuziazmin e “zbuluesit të parë të shqiponjës biqefale origjinale, të Kastriotëve” etj, nuk ja qëllon në shenjë …
(M. Zeqo, gaz. Koha Jonë, 18 janar 1998; Më përpara tij, K. Biçoku, gaz. Albania, 29 nëntor 1997; Po ky në librin, “Bibliografia e Skënderbeut përballë shpifieve”, bot. 2005 e akuzon edhe për plagjiaturë.)
Në realitet, M. Zeqo e K. Biçoku ishin grindur “për pesë pare spec”, sepse as njëri e as tjetri, nuk kishin zbuluar asgjë. Në atë minigrafikë të frontespicit të librit të M. Barletit, simbas specialistëve italianë, kishim të bënim me një punim në dru të formë shtampave të shtëpive botuese, ku ky ilustrim në kopertina ishte përdorur edhe në botime të tjera, pra “nuk na qenkësh përzgjedhur nga vetë syri i dëshmitarit Barlet” etj, hamendësime.
Simbas një interpretimi të hershëm të prindit tim bazuar në botimet italiane të Homerit, të cilin e kishim ribotuar edhe ne, hidhej mendimi se aty ishin dy shqiponja që përplaseshin dhe që ilustronin një episod pëshkrim, nga Odiseja e Homerit. (Odiseja, përkth 1976, K. II, vargj. 194-231, f 21; shih, nga ne “Beteja, shkapetia e dy shqiponjave…”, gaz. SOT, 31 mars 2011, f 18 )
Në gjetjet e monedhave të fondit epirot, nga të cilat ndonjë e kemi edhe ne, ka nga këto episode të Homerit, ku shqiponja e zezë e Zeusit ka kapur një kaproll, një lepur, një gjarpër/shlligë helmuese etj.
Qysh në kohën e At. Fan Nolit, iu atribua arbitrarisht Faik Konicës një lloj “zbulim-rizbulimi i përshkrimit të flamurit kombëtar” dhe “natyrisht” shqipetarologjia pastaj e kopjoi pa u menduar dy herë! Në fakt, kur kishim të bënim me shek XV-XVI pra me një kohë jo fort të largët, ky përshkrim i takonte vetë meshtarit M. Barleti, pa përmendur faktin se, atë përshkrim e riprodhonte edhe F. Bardhi më 1636, madje del e vërtetuar se ai e ka lexuar Barletin e Beçikemin edhe në origjinal, siç edhe simbas ribotimit të Filip Loniçerus, “Chronicorvm Turchicorvm”, 1558. (Frang Bardhi, “Skënderbeu, Apollogji”, 1957, f 40, ku krahas Barletit e Beçikemit, përmend edhe Loniçerin, Shën 140, gabimisht e identifikon me Johan Loniçerus.)
Së fundi, duhet nënvizuar se në Shkodër ka patur lexues dhe kopje të Barletit në shek XIX, ku vlen të përmendet se, At Shjefën Gjeçovi, ka ngjyrosur një grafikë të Gjergj Kastriotit me flamur. Për këtë kishte lajmëruar edhe At Gj. Fishtën dhe kjo sadokudo ka më përparësi se sa improvizimi i një flamuri me një piktor bashkëkohor, nga Konica.
Kështu edhe gjurma e rindërtimi i Vulës së Madhe Zyrtare të Gj. K. Skënderbeut, i takon meritës së zbuluesit të parë, studiuesit sllovak Pavel Jozef Shafarik, më 1853, pastaj i vjen rradha të tjerëve dhe veçanërisht prof. Dh. Pilika. Të dy këta autorë “shqipetarologjia e enverologjisë” mbas tërbimllëkut vetëizolacionist e kishte tendencën tua zhdukte “namin e nishanin”! (shih botimin e Vulës së Skënderbeut, Zëri i Popullit, 25 nëndor 1962.
Edhe shqiponja e kuqe, e shoqëruar nga minishqiponja më të vogla, e cila qe sinjalizuar së pari nga At Zef Pllumi, në kishën e Shën Ndout në Rodon, ka qenë e zbehtë tek njëra kokë, si pasojë kryesisht e vandalizmave antikulturë. Ndër të parët që e kanë ngritur ruajtjen dhe restaurimin me urgjencë, siç më kumtojnë, kanë qenë prof. A. Shkreli dhe prof. A. Plasari, kurse restaurimi i afreskut i takon të ndjerit Gazmend Muka. Një ndër botimet e para me sa di qe bërë te revista SPEKTER.
Ne patëm konstatuar e ndarë shprehjen e Barletit “Shqiponjat e Flamurët”, ku shqiponjat ishin ata që mbanin shqiponja në heshta – shtiza, kurse flamurët (flambular) janë si kuptimi i sotëm, flamurmbajtës që morën edhe kuptimin bajraktarë. (shih fig. 8. Skanuar nga F. Loniçerus, “Chronicorvm Turcicorvm”, 1578; shih Hist. Skënderbeut, f 93 etj)
Nga sa thamë del se, ish “Dekanët e Vetëshpallur të Shqipetarologjisë në kohën e Enverologjisë”, duhet të kishin treguar më shumë modesti, sepse besoj se edhe tashti në Demokraci, nuk u takona atyre, për të caktuar podiumet e “Zbuluesve të Parë” dhe të përcaktuesve si shkencë të “Skënderbegologjisë”, “Migjenianologjisë”, “Mjedologjisë” … etj.
III.
Këto ditë te gaz. DITA, 12 mars 2018, prof. dr. M. Zeqo, në kuadrin e lëvrimit të “Skënderbegologjisë” dhe si njëri ndër autoritetet tona, sapo ka botuar studimin diskutues, “Harta e 1456, e vërteta për flamurin e Skënderbeut”. (www.bulevardionline.com>Dossier)
Zbulim – Rizbulimin, gati si sensasion, dr. Zeqo ia dedikon “mikut të tij z. Shyqri Nimani”, i cili ia kish prurë një botim album qysh në vitin 1996, për ta vlerësuar, por nga pavëmendësia i kishte shpëtuar!
Në këtë rishqyrtim dr. Zeqo, në valën e entuziazmit, hedh edhe disa nga dyshime diskutimet e tija, ku tentohet të përmbysen të gjitha sa dijmë deri më sot, vihet në dyshim e diskutim vetë Marin Barleti dhe me të edhe e gjith tradita vijuese!
Në të vërtetën përpjekjet për ta illustruar = ndryshuar Skënderbeun dhe simbolet e tij, me një bojë të ndriçuar, të argjendë, të artë, më të ndryshme nga e zeza pagane e shqiponjës, duke e rrëfyer e kunguar, duke ia falur gjyha/mëkatet, zanafillojnë heret, ndonjë interpretim i tillë sapo doli edhe së fundmi në një ekspozitë dhe do thoshim këtu hyn edhe kjo tentativë për këtë flamur të artë me shqiponjë të kuqe! Por, e arta dihet se përdorej për mbretër e perandorë dhe Gj. K. Skënderbeut, kjo kandidaturë iu njoh nga Papa piu II, por sa duket “Kurora si Mbret i albanëve dhe epirotëve” për Skënderbeun dhe festja e kardinalit për Pal Ëngjëllin i mbetë në anijen që nuk u nis dot nga Ankona…
Vetë dr. Zeqo, ka sjellur një shembull për ngjyrosjen e stemave heraldike të Gj. K. Skënderbeut, me një botim të një Steme Heraldike, që e kishte sjellë prof. Lucia Nadin, kur punonte në Tiranë. (L. Nadin, “Venezia e Albania: Tracce di Antichi Legami”, Venezia Mestre 1995, f 8; shih fig. 9)
Këtë broshurë dhe pothuajse të gjitha punimet e saja profesoresha e nderuar m’i ka dhuruar edhe mua. Këtë Stemë Heraldike, të gjetur në Arkivat e Venecias, unë e kam interpretuar si hipotezë, si një stemë e kombinuar, në parapregatije e lidhur me premtimet e mëdha që i bëheshin heroit tonë si: Mbret i Albanisë, Epirit, Maqedonisë, Thrakës dhe i gjith Romës së Re, kur projektohej Kryqëzata. Edje në disa raste të tjera, kam shfaqur edhe unë mendimet e mija diskutuese. (shih L. Nadin, “Capo Rodoni nella storia”)
(Në parantesë këtu na duhet të kujtojmë edhe përpjekjen qesharake të Kuvendit të Shqipërisë, kur nga demokrratët, në ballinë të sallës u vendos “si koreografi e Bashkim Zahaj, një shqiponjë dykrenare jeshile”, bashkë me gradistët me pelerine të kuqe dhe me përkrenare me sqap të lyer me deodorantë…)
Dhe të vijmë te konkretia. Harta pergamenë gjendet edhe në internet: Petrus Roselli,
Portola Chat of the Mediterranean Sea (Majorca, 1456) publications.newberry.org.>modul_01 Gjithashtu gjendet në shitje në library: Petrus Roselli – Bell Library: Maps and… Htt://www.lib.umn.edu>PORTO ROS
Rezulton se kjo hartë ka qenë e njohur sidomos në gjysmën e dytë të shek XX, por ka qenë e pa njohur në botën e mbuluar me burkën enverhoxhiste në “vendin e shqiponjave”…
Ja diskutimet, vërejtjet dhe mendimet e mija modeste:
a) Ka një studim autoritar e ndoshta deri më sot themelor, mbi daljen dhe vendosjen në det të Principatës së Kastriotëve, qysh nga koha e vasalitetit të Gjon Kastriotit/Hamzait I e deri te Gjergj Kastrioti. Ky autor Alen Dyselie, pa qenë nevoja të futemi në hipoteza e improvizime, shkruan qartë: “Ka mundësi që Skënderbeu, aty nga viti 1450, në një kohë kur Aleanca e re me Alfonsin e V e lejon që të mbajë një qëndrim më të fortë ndaj Venedikut, duhet ta ketë marrë Rodonin dhe rrethin e tij, megjith Kepin e Laçit… Mund të përfundohet se, Skënderbeu aty rreth dekadës së fundit të jetës e zotëronte bregdetin adriatik nga Kepi i Rodonit e deri te Gryka e Ishmit… Pa dyshim kantieret detare të Ishmit ekzistonin me kohë… Princi Skënderbeu pajton njëherësh karpentierë raguzanë të punojnë në kantieret e Ishmit, mundet në Shufadajë edhe në Kepin e Rodonit… Kemi vënë në dukje se zotërimi i Forcomës së Rodonit i dha rast Skënderbeut, pas vitit 1450, të bënte që të ndjehej fuqia e tij në det, ç’ka nënkupton qartë ekzistencën e një flote albane, qoftë edhe në fillimet e saj”…
(“Dalja në det e Principatës së Kastriotëve prej fundit të shek XIV – deri në vdekjen e Skënderbeut”, bot. Konf. II. Stud. Alb, I, 1969, f 121-160)
Përshkrimi i gjith asaj zone, nga Dyselje, me organizimet me Komuna tregëtare etj, nuk lë asnnjë dyshim mbi aktivitetet e lulëzuara tregëtare të kohës dhe me pozitën strategjike ushtarake. Kështu bëhet e kuptueshme plotësisht pse ky hartografi italiani Petrus Roselli, me banim në Spanjë etj, ka shënuar në Hartën Portulane edhe Albaninë… Ka edhe dokumente të tjera që anije të rëndësishme edhe nga flota papale janë akoruar aty.
b) Simbas kërkimit në internet, më duket se del që ka diskutime edhe për ndonjë mbivendosie të mëvonshme mbi Pergamenën origjinale. Dhe natyrisht e sigurisht kjo mbetet për t’u parë nga specialistët kompetentë, sepse nuk besoj se dr. Zeqo duhet ta ketë shterruar këtë çëshjte me 100% garanci.
c) Unë e nxora Hartën Portulane nga interneti. Dakort se me pamjen e parë, duket që i gjith flamuri është në një fushë të artë, kurse shqiponja biqefale që pikturohet thjeshtë si një skelet është me ngjyrë të kuqe. Por, gjatë operimeve në kompjuter me zmadhim ose zvogëlim me zum, ngjyra e kuqe (me 50% dritë e 50% contrast), ka edhe një tendencë të shkojë edhe si e kuqe e mbyllur në të zezë. Me çfarë garantohemi ne se piktori z. Shyqri Nimani ka punuar direkt me Pergamenën origjinale e me ngjyrat e saj origjinale? Po të vihet re në traditën e hartave të shek XV e më pas edhe të shek XVI e XIII, një shumicë e flamujve portulanë dhe atyre të vetë anije janë me ngjyrë të kuqe.
d) Flamuri, në zmadhim, rezulton se është me prerje me thakë kuadrate në njerën anë, siç janë aty edhe flamujt e tjerë të natyrës marinare, dhe këtë specifikë dr. Zeqo nuk e ka analizuar, madje as e ka vënë re fare!
e) Për ne, rezulton e qartë se është një flamur portulan, flamur detar i portit në Adriatik, i Krujës, i gjith zonës, i vetë princit Kastriot dhe qytetarëve merkantilistë/tregëtarë. Kështu, besoj se nuk është domosdoshmërisht kusht që flamujtë shtetërorë, të mbretërive, qytet shteteve apo principatave të jenë identikë me ata portulanë dhe me flamujtë e anijeve. Mbetet për t’u deshifruar qartë çfarë shkruhet në pjesën e territorit tonë.
f) Mbetet e hapur mundësia që ky flamur të jetë me ndonjë licencë edhe më i hershëm qysh nga Mbretëria e Albanisë më 1271. (?)
g) Ky flamur portulan me këtë formë shqiponjë të kuqe nuk rezulton deri më sot që të ketë ndonjë lloj lidhje heraldike, me atë të gjetur në afresket e Kishës së Shën Andout në Rodon (ish Kisha e Zojës Nunciatë ose Shën Nastasia, siç e shkruan Dyselje), sepse ky i fundit është subjekt fetar.
Mbeten për t’u studiuar me hollësi të gjitha Hartat Portulane dhe të tjera në pergamenë të cila shkojnë edhe deri te viti 1296 e më poshtë. Në njerën prej tyre kemi edhe këtë shqiponjë të kuqe të Namanjave serbë.
Flamuri simbol përfaqësues i nacionalitetit alban-epirot i Principatës së Kastriotëve Read More »