Ish kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar mbrëmë në emisionin ‘Opinion’, ku ndër të tjera ka folur edhe për masakrën e Selenicës, ku mbetën të vrarë 8 vetë. Berisha tha se ka dashur t’i shkruajë një letër bashkëshortes së kryeministrit, Linda Ramës.
Por sapo nisi nisi të flasë për bashkëshorten e Ramës, analistët nuk e kanë lejuar, duke i thënë se nuk duhet të merret me gratë.
Debati në studio:
Sali Berisha: Po ju them haptaz këtu, kam dashur t’i shkruaj Linda Ramës, por thashë po merret për ashtu, se Rama më ka hedhur njëher në gjyq (I referohet padisë që i ka bërë kryeministri Rama në vitin 2009 për shpifje), një shënim me i thënë: Zonjë e nderuar…
Lorenc Vangjeli: Zoti Berisha mos u merrni me gratë të lutem!
Sali Berisha: Tani nuk merrem me gratë, të nderuara thashë…
Lorenc Vangjeli: Mos u merrni me gratë!
Sali Berisha: E kuptoj respektin tuaj, thashë të nderuara dhe po them prapë të nderuara, por nëqoftëse burri i shtëpisë nuk gjen shpirt dhe zemër për të ngushëlluar një familje që rreshton 8 viktima, gjë më të paimagjinueshme nuk ka. Vetëm për kaq do ta do ta tërhiqin zvarrë në çdo komb të qytetëruar, përveç se në Shqipëri.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i është përgjigjur nga Kuvendi Lulzim Bashës, për vetingun në politikë.
Ai e ka cilësuar Bashën një jurist mediokër, pasi politikanët në fakt hetohen nga Prokuroria.
“Hetimin tim, tëndin, të Metës, Ramës e kujtdo tjetër mund ta bëjë vetëm SPAK e BKH.
Jurist mediokër që duhet ti kërkojmë edhe diplomën, akuzove Kuvendin se nuk po publikohet propozimi yt po aq mediokër sa edhe nisma që përfaqëson.
O jurist, o Lulzim, ka një nen rregullorja, është neni 77 për shqyrtimin e nismave, e ke depozituar të premten, seanca e parë është sot.
Juristit Lulzim i qenka mohuar e drejta e propozimit? O Jurist, o Lulzim, nisma për rishikimin e Kushtetutës, kryetari e njofton Kuvendin në seancën plenare dhe iu shpërnda deputetëve teksti i projektligjit.
Në orën 10:03 u njohëm me propozimin në tavolinat përballë karrigeve bosh, të juristit Lulzim dhe deputeteve part time.
Nisma jote është që politikë të autohetojë vetveten, ndërkohë që mes SPAK e BKH e bëjnë organet e pavarur të drejtësisë”, tha Balla.
“Të hetohen që të gjithë politikanëtLulzim .Veitngun nuk mund ta bëjnë disa kukulla të zgjedhur nga politika.
Vitingun e politikanëve do të bëjë reforma në drejtësi.SPAK-u dhe BKH apo FBI e re shqiptare do të asistohet në dy vitet e para nga ndërkombëtarët dhe do të hetojë politikanët e korruptuarLulzim.
Basha përbetohej mbi bustin e AzemHajdarit se do ta pastronte politikën nga lidhja me krimin, harron se mbi të rëndojnë akuza më të rënda”, vijoi Balla.
Përmes një postimi në Facebook, Zylfie Haklaj ka reaguar pas deklaratave të partneres së Izet Haxhisë, e cila e akuzoi se është mashtruar duke tradhtuar Izetin. Zylfie Haklaj thotë se nuk ka ndërmend t’ju kthejë përgjigje “grave me dy burra”, por nuk ngurron t’i japë një përgjigje gjithë akuzave që ka bërë ndaj saj Sali Berisha.
Ajo shkruan:
Qenet le te lehin karvani shkon perpara.
Une grave me dy burra nuk do tju kethej pergjigje, por Sali Berishes do ti them qe sado qe te perpiqet te na largoje nga e vertea, nuk do ja arrish dot qellimit. Jemi te vendosur ti shkojme deri ne fund. Nuk do te merrem me mbetjet e tua. Rrjedha e lumit eshte qarte, e kethjellet, kuptohet qe lumi ka zigezaket dhe llumet e veta qe do te menjanohen gjate rrugetimit, por eshte i destinuar te shkoje ne destinacionin e caktuar”.
Ngjarja e rëndë e ndodhur së fundmi dhe që ka tronditur komunitetin e gazetarisë në vend është bërë shkak edhe për përplasje në mes gazetarëve. Të ndarë dhe me qasje të ndryshme kundrejt mënyrës se si bëhet gazetari, në qarqet e medias ka patur shkëmbime të forta replikash dhe akuzash.
I tillë ishte edhe statusi i gazetarit Adriatik Doçi, i njohur për linjën e ashpër dhe pakompromis përkundrejt Mentor Kikisë, i njohur si partizan i gazetarisë “kënetë”, megjithëse kontribuon fuqishëm në pastrimin e mjedisit natyror..
Statusi i Adriatik Doçit:
Zotëri, të kërkosh punë për një anëtar të familjeje të shkolluar, gjithnjë vetëm në rrugë të ligjshme, pa pranuar kurrë të japësh edhe 1 qindarkë në këmbim, nuk është gjobëvënie, por është një e drejtë themelore se sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pas asaj juristes mendjelehtë, e cila ishte lehtësuar se plumbat e mafies kishin qenë (sipas saj) jo për Klodiana Lalën, por për vëllain e saj, në skenë doli edhe njëfarë Mentor Kikia, i cili me një stil kapsllëku rrekej të përligjte sulmin e mafias mbi gazetarët, me pretendimin se disa gazetarë qenkërkan gjobëvënës, të cilët dëmtojnë gazetarët e ndershëm.
Ndërsa nga ana tjetër, të përdorësh pozitën për të zënë dashnore, të vjedhësh lajmet ekskluzive tek Top Channel dhe t’i botosh më parë tek portali i xhepit, të të shkarkojnë me ceremoni dhe më pas të ankohesh tek televizionet e tjera, kjo është poshtërsi dhe abuzim me punën e kolegëve.
Çështja e gazetarëve gjobëvënës është shumë e thjeshtë, por e komplikojnë ata që flasin “qesim” dhe që nuk kanë b… të flasin me emra konkretë, kush janë ata që kanë vënë gjobë dhe kujt i kanë vënë.
Është shumë e thjeshtë sepse një gazetar që paguan kredi, nuk ka shtëpi të dytë, nuk ka makinë luksoze, nuk luan bixhoz, nuk bën udhëtime luksoze, nuk ka llogari të majme etj., pra një gazetar i varfër, nuk mund të jetë kurrsesi gjobëvënës.
Nejse Kiki, se ndoshta të kanë dhënë ndonjë sufllaqe ndonjë drejtor apo drejtoreshë e korruptuar…
Statusi i Kikisë
Për Klodiana Lalën dhe ata që abuzojnë me lirinë e fjalës
Rasti i sulmit me armë në shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala duhet të zbardhet me urgjencë.
Sepse, ne duhet të dimë nëse ai sulm i adresohej asaj pesonalisht, për shkak të profesionit, pra për shkak të asaj që ajo ka shkruar apo ka folur?
Sepse, ne duhet të dimë nëse ka shkuar deri këtu reagimi i njerëzve të fortë, të politikës dhe krimit, që nuk lejojnë tu preket as imazhi publik? Apo për të mësuar që ka shkuar deri këtu kërcënimi ndaj punëtorëve të medias?
Sepse, nëse kjo është e vërtetë, atëherë jemi në një situatë të rëndë dhe alarmante dhe autorët duhet të dalin para drejtësisë në “mënyrë shembullore”, sa më shpejt.
Sespe, edhe nëse ai sulm ka arsye të tjera, duhet të zbardhet, sa më parë, për ti siguruar jetën atyre njerëzve që u paralajmëruan atë natë në mënyrë ”simbolike”, e për të davaritur panikun e krijuar mes tyre.
Ky nuk është rasti. Ngjarja ta do që sot të ngrejmë të gjithë zërin kundër asaj që ndodhi. Dhe unë e bashkoj të gjithë britmën time me ata që bërtasin për të siguruar lirinë e medias, lirinë e punës tonë për të informuar dhe denoncuar paudhësitë dhe maskarallëqet e pafundme në këtë vend. Ky pra, nuk është rasti, për të thënë gjëra të tjera, por unë mendoj se duhen thënë. Pikërisht në shërbim të asaj lirie që ne e kërkojmë me forcë, jo për vete, por si frymë dhe gjak për demokracionë tonë.
A e abuzojmë ne gazetarët lirinë tonë, apo, a abuzojmë ne me të tjerët, në emër të profesionit tonë? Të flasësh “qesim”, por guximshëm, nuk është gazetari investigative. Kjo dëmton imazhin tonë, profesionin e misionin tonë, dhe u shërben edhe më shumë atyre që duhen denoncuar, jo me fjalë të guximshme, por me fakte të forta. U shërben atyre që kërkojnë heshtjen tonë. U shërben, të na zhvlerësojnë dhe konsiderojnë si koshere që gumëzhin, pa pickuar.
Portalet e mediat online mbushen çdo ditë me lajme të tilla. Me saktë me shkrime ku nuk dallohet ku mbaron lajmi e ku fillon qëndrimi i autorit. Akoma më keq, çdo kush i jep të drejtë vetes të thotë çdo gjë, të sulmojë e shajë gjithkënd, dhe kjo në emër të gazetarisë, lirisë së medias. Padyshim, media duhet të jetë e lirë, pa asnjë kufizim. Por jo e lirë të llapë, të shajë e denigrojë, shpesh edhe njerëz krejt pa faj. Duhet të jetë e lirë të denoncojë, të informojë e investigojë.
Në emër të gazetarisë, edhe një syresh ndër ne, shkruan në median e tij dhe nëpër portale, duke sharë e shpifur ndaj një familjeje. Duke mos i lënë kusur, gruas e burrit, fëmijëve dhe farefisit, themeleve të shtëpisë dhe katundit të origjinës. Duke i nxjerrë në pazar deri edhe dhëmbët e dhëmballët të mbushura e të pambushura, recetën e ilaçeve të stomakut, zemrës e qetësuesit e gjumit. Kjo shitet si denoncim i korrupsionit. Në fakt është një përndjekje kriminale që bëhet, sepse gruaja-drejtoreshë arsimi, nuk i futi në punë si mësuese bashkëshorten gazetarit. Dhe gazetarit mos ia kthe fjalën, se ai të bën gjëmën. Dikush tjetër shkruan natë e ditë për dyqane e supermarkete që shesin ushqime të rrezikshme. Pa asnjë fakt, asnjë provë, pa asnjë emër artikulli. Vetëm duke abuzuar me ndjeshmërinë e njerëzve për sigurinë ushqimore e vetëm për të vënë gjoba ndaj tregtarëve. Nëse këta soj gazetarësh i rrahin nesër në ndonjë qoshe, a duhet vallë të protestojmë për cënimin e lirisë së medias?
Respektimi i lirisë është padyshim i dyanshëm. Ne e kërkojmë lirinë, jo për veten tonë, por në emër të demokracisë, për të përmbushur një mision, që nuk është në shërbimin tonë, por në shërbim të demokracisë dhe shoqërisë. Të jesh gazetar nuk është një privilegj. Eshtë një detyrë, madje e vështirë, për ti shërbyer shoqërisë.
Përgjigjja ‘100 milionëshe’ vjen sot nga Bledi Mane, i cili i përplas në sy të vërtetën Berishës, ashtu siç bën në të gjitha shkrimet e tij në rrjetet sociale. Mane i risjell në kujtesë Berishës se punon në administratë publike dhe ka filluar punë që kur ai ishte në pushtet dhe Rama në opozitë.
Vijon të thellohet përplasja e madhe, e cila mund të quhet dhe ‘përplasja e shekullit’, mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe gazetarit Bledi Mane. Ishte Berisha, i njohur për urrejtjen e tij ndaj gazetarëve, që nxori vrerë një ditë më parë ndaj Manes, duke e etiketuar atë si trafikant dhe si gazetar që nxjerr ‘vrerin e Ramës’.
Berisha u përpoq të sulmonte gazetarin, që kurrë nuk ka ngurruar të thotë publikisht të vërtetat dhe krimet e familjes së ish-kryeministrit, duke thënë se ai është emëruar si kryeinspektor në shtet, por duket se ka dështuar.
Përgjigjja ‘100 milionëshe’ vjen sot nga Bledi Mane, i cili i përplas në sy të vërtetën Berishës, ashtu siç bën në të gjitha shkrimet e tij në rrjetet sociale. Mane i risjell në kujtesë Berishës se punon në administratë publike dhe ka filluar punë që kur ai ishte në pushtet dhe Rama në opozite
Dikush le ti thotë Saliut se unë kam 10 vjet që punoj në administratën publike. Kam filluar punë kur Saliu ishte në pushtet dhe Rama në opozitë. Të punuarit në shtet nuk më pengon të jem një gazetar kurajoz e i pakompromis, përkundrazi më bën më të përgjegjshëm. Vazhdo më kërcëno, më intimido por më lexo Sali, më lexo se të çliroj e të iluminoj!”, shkruan Mane.
Televizioni Klan ëstë në luftë të vazhdueshme me Top Channel për të marrë sa më shumë audiencë dhe në prag të nisjes së sezonit të ri televiziv duket se, janë shfaqur dhe ato detaje që fshihen. Blendi Fevziu hoqi dorë nga largimi pasi mori rritje të pagës, por ka ende disa gjëra që nuk shkojnë mesa duket.
Së fundmi, pikërisht në kohën kur merkatua e medieve televizive është në kulm të saj, Ermal Mamaqi, që deri dje është konsideruar si më i përkëdheluri në Tv Klan, ka provokuar rëndshëm me anë të një fotomontazhi në rrjetet sociale. Me një ironi që për hir të së vërtetës është mjaft e goditur, ai ka inflirtuar në një faqe në Instagram një montazh ku personazhi i njohur në emisionin e Arian Çanit si i “varfri më i famshëm”, Ard Daullxhiu, shfaqet duke dhënë edicionin kryesor të lajmeve në TV Klan.
Duket se në këtë sezon “shitje-blerjesh” mes televizioneve kryesore në vend, Ermal Mamaqi, po ndihet i kërcënuar. Tashmë është konfirmuar se ish bashkëpunëtori dhe miku i tij Julian Deda do të ketë hapësirën e tij në këtë TV dhe sipas burimeve të sigurta, ajo do të spostojë emisionin e Mamaqit. Nga ana tjetër në këtë TV po mbërrijnë edhe shumë ish-kolegë të tjerë të “Portokallisë” si Bes Kallaku dhe “Duçka”, ndaj Mamaqi në fakt ka përse të ndihet i kërcënuar.
Por loja është më e thellë dhe më e rëndë dhe në gjithë këtë që po ndodh, nuk ka si të mos jetë i përfshirë edhe Blendi Fevziu si strumbullar i çdo gjëje që ndikon te pronari Aleksandër Frangaj. Por edhe Ardit Gjebrea. Fevziu pasi “hoqi qafe” Andi Bejten detyroi Frangajn ti rrisë rrogën duke përdorur në mënyrë brilante Ben Blushin, tani ja ka vënë syrin Ermal Mamaqit.
Leva që po përdoret në këtë operacion është vetë Ardit Gjebrea, i cili njihet brenda këtij TV-je si babaxhan që beson çdo gjë që i thonë. Gjebrea thonë të njëjtat burime për të sfumuar sa më shumë Mamaqin, ka planifikuar që të lëshojë një hapësirë në emisionin e tij të të dielës pikërisht, për Bes Sallakun dhe Duçkën…
E gjithë kjo e ka trembur dhe e ka tërbuar Mamaqin, i cili ka nisur që të marrë masat. Por deri më tani as emisionin e tij nuk ka mundur që ta mbajë pa u spostuar nga orari dhe dita, kur janë mësuar ta shohin shikuesit e tij. Në gjigantin e superfryrë që vazhdon të fryhet, duket se ka plasur lufta…Të shohim se çfarë viktimash, do të ketë pas shpërthimit!/Syri
Studiuesi i historisë, publicisti, opinionisti Artan Lame ndërsa na sjell një shkrim të tij në vitin 2011 ku i referohet Migjenit, vjen me një kritikë të fortë për të gjithë shqiptarët. Sipas tij shqiptarët vijojnë të notojnë në të njëjtën llum e ndryësi me përshkrimet e Migjenit duke i veçuar ata si të paaftrë për të ndryshuar.
Nga Artan Lame / Si sot 80 vjet të shkuara vdiq Millosh Gjergj Nikolla. Po e kujtoj duke risjelle një shkrim të botuar në gazetën Shqip më 31.08.2011.
Po të mos ishte Migjeni. Më të shumtit prej nesh sot, kur ulemi të shkruajmë për varfëri e për mjerim, na pëlqen t’i zbukurojmë shkrimet tona me nga një thënie a frazë të Migjenit. Ndonjëherë, kur ja kemi ngenë të thellohemi, na bën përshtypje dhe e vëmë edhe në dukje se sa të vërteta mbeten edhe sot e gjithë ditën shkrimet e përshkrimet e Migjenit. Në fakt, kjo nuk është ndonjë meritë e Migjenit, por e jona, e shqiptarëve në përgjithësi, që vazhdojnë të notojnë në të njëjtin llum e ndyrësi, të cilën e përshkruante dikur Migjeni. Kështu që nuk ishte Migjeni profeti – shkrimet e të cilit mbeten të vlefshëm edhe sot – përkundër, jemi ne të paaftë të ndryshojmë, duke e lënë këtë vend të vuajë të njëjtat sëmundje dhe duke i bërë kështu të kurdovlefshme vargjet e Migjenit. Nëse ne do ishim francezë a hollandezë, do ja kishim dalë ta ndryshonim fatin e vëndit dhe kështu vargjet e Migjenit do mbeteshin në muze të historisë.
Shkodranët nuk e duan Migjenin. Nuk them për njerëzinë e thjeshtë – ata që heqin e vuajnë për të bukën e gojës dhe për të mbyllur ditën e punës, se këta s’ia kanë ngenë të merren me filozofira e me shkrime – as të sotmit e ca më pak me ata të para një shekulli. Më e holla punë intelektuale që bëjnë këta, është t’u përgjigjen thirrjeve të partive për mitingje dhe të thërresin sa më fort, me shpresë që t’i shohë kryemitingashi. Ndaj, s’e kam fjalën për ata për të cilët shkruante Migjeni, se këta të mjerë, sikur ta dinë se sa u ka kënduar e u ka qarë hallin poeti, do ta shpallnin kryetar partie, meqë tjetër kategori nderimi nuk dijnë.
Migjenin nuk e duan as ata që kanë shkollë, e që i mbajnë për të dijshëm e për elitë të qytetit. As e kanë dashur në të gjallë, e ca më pak e duan sot. Në të gjallë nuk e donin sepse e shihnin si rrezik për veten e tyre, ndërsa sot nuk e duan se janë edhe më injorantë të padijshëm sesa njerëzia e thjeshtë. Njerëzit e thjeshtë, lënda e parë e shkrimeve të Migjenit, nuk i quaj dot injorantë, por thjesht të pakultivuar që jeta dhe hallet nuk u ofruan luksin e diturisë, ndërsa elita është vërtet injorante se, megjithë që u shkollua e u përkëdhel nga fati, mbeti po aq injorante dhe pazot të lartohet moralisht.
Kështu pra siç thashë, shkodranët nuk e donin Migjenin. Të parët e mbi të gjithë, nuk e donin priftat. Kleri shqiptar, e veçan ai katolik, i kish bërë shërbime të paçmuara shqiptarizmës, ruajtjes së gjuhës shqipe e dëshmimit të traditës malësore. Të gjitha këto, i shërbyen fort ëndrrës rilindase të formimit të kombit por, në vitet ‘30 kjo ëndërr ishte realizuar. Shqipëria ishte krijuar, tani duheshin krijuar shqiptarët, siç thoshin përfaqësonjësit e neoshqiptarizmës. Këtu kleri ngeci dhe nuk bëri dot përpara. Konservator për vetë natyrën e vet, kleri vazhdoi të himnizonte shqiptarin trim e kreshnik, të pamposhtur e krenar, që vigjëlonte i ngrysur në malet e paafrueshme; të mbrujtur me kanune e me zakone burrash.
Mirëpo Migjeni e shqeu gjithë këtë fasadë false, të dalë mode dhe të panevojshme në shekullin e ri, duke ju përplasur dhe vënë përpara syve një realitet të turpshëm. Realitetin e malësorit që lyp misër, që shtrin dorën për bukë, të malësores që është gati të shesë trupin, të murgeshës që ofshan, të qytetit që i bishtnon modernizimit, të fëmijës që vuan për bukë ndërsa don të vazhdojë shkollën, të tregëtarit që bën adetet e fesë por mbetet i pashpirt, e gjithë ç’ka tjetër që ende na zukat në kujtesë nga vargjet e tij.
Migjeni me këtë grisje të maskave të kohës së vet, na shpëtoi fytyrën morale përgjithmonë. Nëse ai nuk do kishte shkruar, neve sot do të kishim vetëm poetët që u këndonin Zanave të Malit, ndërsa ndërsa varrezat mbusheshin me fëmijë të vdekur urie. Dhe kur të uleshim të analizonim këtë kundërshti, do të akuzonim paraardhësit se qenë të pashpirt e të pamoral që u këndonin zanave e maleve, ndërsa fëmija s’kishin tullumba e vajzat shisnin nderin.
Migjeni është gati i vetëm midis morisë së shkrimtarëve që denoncuan mjerimin. Ishin edhe një grusht djemsh të dijshëm, përfaqësues të neoshqiptarizmës, por ata qenë më shumë filozofë se sa poetë dhe morali ka nevojë edhe për poezi, pa le pastaj po të jetë “me nji grusht t’fuqishëm”. Sikur të mos qe Migjeni, ne nuk do kishim përfaqësues të brezit të madh të denoncuesve të realitetit; do të qe sikur Franca të mos kishte patur Balzakun apo Anglia të mos kishte Dikensin. Ne e patëm por s’e duam.
Kaq për shkodranët e atëhershëm.
Por edhe shkodranët e sotëm nuk e duan Migjenin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që gati druhen t’i zënë emrin me gojë; që më tepër se një here kanë dashur t’i heqin emrin nga Teatri; që i kanë thyer bustin, e i kanë harruar varrin midis plehrave të qytetit; që i kanë zhdukur çdo shenjë të ekzistencës së tij në qytetin e Madh të Veriut, shtëpi, dhomë, muze, e gjithshka tjetër.
Sërisht janë edhe priftat, që nuk e duan e s’mund t’ia falin atë ç’ka i bëri ai klerit të kohës kur qe gjallë. Në fakt, Migjeni duhej të konsiderohej si aleat i klerit në përpjekjen e kahershme për drejtësi sociale e barazi shoqërore, por kjo nuk ndodhi as në gjallje të tij e aq më pak sot. Kisha katolike në momente të vështira të shekullit XX, përgjithësisht ja ka dalë të rreshtohet në anën e të dobtëve, duke ju rikthyer vokacionit të shekujve të parë të ekzistencës së vet; por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur gati askurrë në Shqipëri. Kleri shqiptar ka nxjerë plot martirë të fesë si Gjon Gazulli, por ndoshta askurrë martirë të njerëzve, si Romero i Salvadorit.
Zoti më ndjeftë se ndoshta e rëndova dorën pak si shumë mbi kurriz të priftave, kur më shumë se ata, përgjegjësi për këtë harresë ka vargani grotesk që i thonë vetes “zotnit e sotëm të Shkodrës”. Këta, të dal nga hiçi e të bërë zotnij veç prej lekut a prej karriges, as mund të pritet të duan dikë që ju zbulon rrënjët. Për fat, “sikur”-i i vënë në krye të këtij shkrimi, nuk mund të ngjasë, pasi ne e patëm Migjenin. E duam a s’e duam, ai është aty për të treguar me gisht pisllëkun e kohëve.
Artistja shqiptare Ledi Shabani “turpëron” gazetarin italian që e akuzon për braktisje të “Vlorës”. Ajo rrëfen për “Shekullin” se si reagojnë emigrantët shqiptarë para skulpturës kur zbresin nga trageti. Si dhe zbulon disa nga “sekretet” e projekteve të ardhshme
Anila Dedaj
Shqiptarët sapo zbresin nga trageti, drejtohen për të fotografuar anijen më të veçantë të portit të Barit. Afrohen, bëhen kuriozë dhe sapo lexojnë “Vlora” marrin një pamje melankolike. Pastaj lumturohen, pasi kjo është memoria, aty është shqiponja edhe një pjesë e historisë. Bëhet fjalë për “Anijen e shpresës”, skulpturën e artistes Ledi Shabani, që kujton zanafillën e emigrimit për shumë shqiptarë. Edhe pse italianët, ashtu si edhe mediet e vendit fqinjë e kanë mirëpritur duke e cilësuar si “anijen e mirënjohjes”, dikush padrejtësisht e quan monumentin si “të braktisur” apo “të ndryshkur”. Gazetari Daniele Leuzzi, i cili shkoi në “Borderline 24”, me sa duket i painformuar, rrezikon të mbetet i turpëruar pasi artistja shqiptare i argumenton se “Vlora” është e përbërë me materialet më cilësore dhe ajo që ai ka quajtur abandonim, është në fakt “efekti skenik”. Në këtë intervistë për “Shekullin” Shabani shpreh qëndrimin e saj si dhe zbulon dëshirën që “Vlora” të mbërrijë në portin e Durrësit dhe atë të Brindisit.
Mediet italianet kanë shkruar rreth “ndryshkjes” së monumentit “Anija e shpresës”, çfarë po ndodh në realitet me veprën tuaj 20 ditë pas inaugurimit?
Një gazetar i një medie online, fatkeqësisht i painformuar për materialet që janë përdorur për këtë vepër, ka quajtur çelikun e oksiduar, metal. Ndërsa gurin e bardhë të qytetit, Tranin e ka përmendur si mermer. Pra është bërë një artikull i rremë, rreth të cilit kam sqaruar situatën që të përgënjeshtrohej.
Mund të na e shpjegoni se çfarë mesazhi përcillet me një efekt të tillë skenik?
Korten Çeliku që unë kam përdorur është një nga materialet më të përdorura nga arkitektët bashkëkohorë për efektin e saj ekspresiv dhe për kromatizimin karakteristik. Pra, duket si diçka antike, e vjetër falë efektit “të ndryshkut” që reflekton. Dallohet për rezistencën e lartë dhe po ashtu për cilësitë e veçanta estetike të dhëna nga oksidimi i kontrolluar. Ngjyra ndryshon, në fakt, në rrjedhën e oksidimit nga një ngjyrë portokalli fillestare në një ngjyrë të kuqe-kafe. Kalimi i kohës nuk e shkatërron materialin, por përkundrazi jep atë aspekt “të jetuar” që kërkojnë arkitektët dhe projektuesit. Shumë vepra arti janë të realizuara nga artistë, arkitektë, në të gjithë botën dhe po ashtu i shikojmë në pavijone të ekspozitave të EXPO-së kudo nëpër botë.
Ledi, kjo skulpturë për ju është një mënyrë për të lidhur më shumë dy vende si Italia dhe Shqipëria. Si është pritur nga qytetarët e Barit?
Duke pasur parasysh rëndësinë aktuale të temës së emigracionit që tani përfshin gjithë Evropën dhe duke pasur historinë e jashtëzakonshme të Vlorës, ajo menjëherë ngjall interesin dhe miratimin e institucioneve, kompanive dhe profesionistëve që pranuan dhe u bashkuan në kauzën financimin e projektit. Po ashtu qytetarët e Barit na përgëzuan për këtë projekt.
Po shqiptarët çfarë reagimi kanë pasur?
Gjithashtu dhe nga shtetasit shqiptarë u mirëprit kjo vepër që u kujton atyre fenomenin e migracionit. Disa prej tyre zbresin nga trageti dhe afrohen për të bërë një fotografi, si dhe shprehin kureshtje e duan të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Por sapo lexojnë “Vlora”, kujtojnë historinë e së kaluarës. E shikojnë me një pamje të trishtuar, por në të njëjtën kohë lumturohen duke menduar që nga atje filloi udhëtimi për shumë nga ne. Për ne që jetojmë këtu, Italia është bërë si një vendi i dytë “nënë” pavarësisht se familjet tona janë në Shqipëri. E njëjta gjë për Italinë, Shqipëria është rajoni tjetër përtej Adriatikut.
Brenda një kohe të shkurtër po flitet për ty si autorja e skulpturës së “mirënjohjes”?
Kënaqësi e madhe dhe dëshirë për ta ndarë këtë vepër me botën, për të kujtuar për ata që harrojnë lehtë çfarë ndodhi në gusht të vitit 1991. I gjithë qyteti i Barit u mobilizua, duke ndihmuar rreth 20 000 njerëz që vinin nga ana tjetër e detit.
Për ata që ende nuk e kanë dëgjuar mund të thuash diçka më tepër rreth krijimit të kësaj skulpture. Si lindi ideja dhe sa kohë u desh për realizimin e saj?
Nga skica deri në punën përfundimtare, u deshën 3 muaj punë. Zgjedhja e materialeve është studiuar në detaje, duke marrë në konsideratë qëndrueshmërinë e gjatë dhe pastaj zonën ku është vendosur puna. Për erën, diellin dhe ndryshimet e motit, lidha menjëherë idenë e përdorimit të dy materialeve shumë rezistente si guri i Tranit dhe çeliku Korten. Ky projekt, që ishte në parim ideja ime, u mirëprit nga shoqata artistike “Noi che l’arte” dhe autoriteti i portit që e pëlqeu dhe ra dakord. Ideja vjen si rezultat i qëndrimit tim të gjatë në qytetin e Barit, në të cilin, pas viteve të studimit, punës dhe përvojës midis Italisë dhe Shqipërisë, si artiste e ndjeva nevojën të dhuroja veprën që përmbante një mesazh të “Shpresës”.
Nëse do të riktheheshe në kohë do ta realizoje njësoj?
Patjetër që po. Shpresoj që një kopje e atillë të jetë e mundur e të pozicionohet gjithashtu në Durrës, Brindizi etj. Jam shumë e sigurt që do të bënte efektin e vet edhe në këto porte.
Jeni shprehur se mesazhet sociale janë në fokus të punës suaj, cilat janë projektet e ardhshme?
“In cantiere” (Në kantier), kam projekte shumë interesante. Natyrisht disa prej tyre përmbajnë një mesazh të fortë dhe me siguri nevojitet kohë studimi dhe në të njëjtën kohë duhet të kenë vëmendjen e njerëzve të duhur. Projekti i ardhshëm do të doja të kujtonte Kalabrinë. Kjo të mbetet midis nesh. Me siguri projekti do të zbulohet në kohën e duhur./shekulli