Arsim

Në vjeshtë fillon puna në kantierin për universitetet

Në vjeshtë qeveria do të hapë të gjitha ofertat publike për të bërë kontrata me sipërmarrje të ndryshme dhe për të filluar punën në kantierin për universitetet.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra, ku zhvilloi një takim me studentët e Universitetit “Eqerem Çabej” në kuadër të Paktit për Universitetin.

Kryeministri iu referua kërkesës së rektorit të këtij universiteti për marrjen e ambienteve të Shtëpisë së Ushtarakëve.

“Ne po bëjmë me të gjitha universitetet në këtë fazë inventarizimin e nevojave në bazë të projekteve. Ne jemi dakord për Shtëpinë e Ushtarakëve, por duhet një projekt konkret se çfarë do të bëhet dhe sa kushton”, tha Rama.

Po ashtu ai ftoi universitetet të bëjnë projekte konkrete për çdo nevojë që ata kanë, si për laboratorë, auditorë, konvikte etj.

Rama kërkoi që Universiteti i Gjirokastrës të ketë në fundin e sezonit një dosje të nevojave me projekte konkrete.

“Është projekti që nxjerr financimin, jo nevoja dhe mbi atë bazë ne do të mbledhim të gjitha dosjet nga universitetet dhe do të bëjmë dosjen e madhe kombëtare të Rilindjes së Universitetit. Le të jetë pjesa tjetër e mandatit tonë pjesa e kantierit për universitetet”, tha Rama. /atsh

Në vjeshtë fillon puna në kantierin për universitetet Read More »

Shahini: 90 mijë studentë përfitojnë nga përgjysmimi i tarifave

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaroi të premten se pas përfundimit të takimeve me trupën pedagogjike dhe studentët e të gjithë universiteteve, drafti “Pakti për Universitetin” do të marrë formën e një kontrate sociale.

Në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, Shahini tha se protesta e dhjetorit solli nevojën e trajtimit të të gjitha problematikave me të cilat hasen studentët. Ministrja garantoi studentët se do të sigurohet infrastruktura e nevojshme mësimore si dhe do të rritet cilësia në mësimdhënie.

“Pakti për Universitetin do të plotësohet në të gjitha takimet, derisa të arrijmë me një draft më të mirë, ku marrim përsipër të garantojmë infrastrukturën e nevojshme mësimore si dhe cilësinë në mësimdhënie ku garant do të bëheni edhe ju si studentë. Një nga kërkesat e artikuluara në dhjetor ishte ajo për ndihmë financiare. Përgjysmimi i tarifave dhe bursave të ofruara. 2 miliardë lekë të reja do të reflektohet në buxhetin e 2019 dhe prek 90 mijë studentë në të gjithë Shqipërinë. Janë përgjysmuar të gjitha tarifat për studentët, janë ndarë bursa për ekslentët si dhe janë përfshirë të gjithë studentë që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, duke u dhënë shans për një jetesë më të mirë”, – tha Shahini.

Më tej, ministrja vlerësoi se pjesa më e vështirë nuk ka lidhje me financimin, por me cilësinë në arsim.

“Pjesa më e vështirë nuk është financimi por pjesa e vështirë fillon tani. Bashkarisht duket të sigurojmë cilësi më të madhe në mësimdhënie. Grupi i punës që është themeluar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave ka zhvilluar diskutim me studentë dhe pedagoge për të bërë nxjerrë në pah problematikat infrastrukturore, po kështu për të plotësuar mbi problematikat që keni trajtuar edhe në shkresat që universiteti juaj na keni dërguar”, -sqaroi ndër të tjera ministrja./atsh

Shahini: 90 mijë studentë përfitojnë nga përgjysmimi i tarifave Read More »

Vijon konkursi “Infermierë Për Shqipërinë”

Pas publikimit të listës së kandidatëve, në disa qytete po zhvillohet sot konkursi “Infermierë Për Shqipërinë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bën të ditur se pas testimit për qarqet e veriut, aktualisht po zhvillohet konkursi për infermierë i qarqeve Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë, Berat dhe Gjirokastër.

Manastirliu shton se “Infermierë Për Shqipërinë”, është platformë transparente e punësimit mbi bazë meritë të infermierëve dhe profesionistëve të shkencave mjekësore teknike në sistemin shëndetësor publik.

Dy ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi listat mbi rezultatet e verifikimit të kandidatëve që kanë aplikuar dhe janë kualifikuar për të marrë pjesë në testimin që po zhvillohet për profesione të shkencave të mjekësisë, sipas profileve dhe rretheve.

Ndërkaq një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije përfundimin e konkursit për infermierët e qarqeve Tiranë, Shkodër, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Dibër, me rezultatet që u shpallën në kohë reale. /atsh

Vijon konkursi “Infermierë Për Shqipërinë” Read More »

Bursa në akademitë ushtarake, shpenzimet e shkollimit falas

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka njoftoi sot se Forcat e Armatosura të Shqipërisë ofrojnë falas dhe për më tepër në akademitë ushtarake më prestigjioze të NATO-s, jo vetëm tarifat, por gjithë shpenzimet që lidhen me shkollimin.

Bëhet fjalë për 3 bursa në akademitë ushtarake në Modena, Livorno dhe Pozzuoli dhe afati i aplikimit përfundon më 7 shkurt.

“Qendra e Personel Rekrutimit do të rekrutojë kandidatë për studime në akademitë ushtarake të Italisë për vitin akademik 2019-2020, 3 (tre) të drejta studimi si më poshtë vijon: në Akademinë Ushtarake Modena, 1 (një) kuotë në degën “Karabinieri”; në Akademinë Ushtarake Detare, Livorno, 1 (një) kuotë në degën “Xhenio detare”; në Akademinë Ushtarake të Forcës Ajrore, Pozzuoli, 1 (një) kuotë në degën “Pilot”. Afati kohor për dorëzimin e dokumentacionit pranë Qendrës së Personel Rekrutimit është deri në 07 shkurt 2019”, tha Xhaçka. /atsh

Bursa në akademitë ushtarake, shpenzimet e shkollimit falas Read More »

Rektori i Vlorës: 4164 studentë përfitojnë nga reduktimi i tarifës

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë, Roland Zisi, theksoi sot se “4164 studentë të këtij universiteti përfitojnë nga reduktimi i tarifës, ndërsa 154 janë studentët që përjashtohen nga tarifa e studimit dhe që përfitojnë bursë”.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, rektori Zisi shprehet se “janë 77 studentë që përjashtohen nga tarifa e studimit, si dhe po 77 studentë që përfitojnë bursë, 42 prej tyre janë në vitin e dytë dhe të tretë dhe 32 prej tyre vijnë nga lista e ardhura nga qendra e shërbimeve arsimore, pra nga shkolla e mesme”.

“I gjithë pakti fokusohet në tre aspekte kryesore së pari gjithë vëmendja e shoqërisë, e politikës dhe qeverisë në veçanti kthehet në universitet me fokus të veçantë studentin. Pakti për Universitetin realizon tre gjëra. e para reduktim apo përgjysmim të kufirit maksimal të tarifës së studimit, së dyti, shkolla ndan bursa pra zgjeron gamën dhe kategoritë që përfitojnë bursa dhe e treta përjashton nga tarifa disa kategori studentësh”, tha Zisi.

Rektori i Universitetit të Vlorës shprehet se “së pari, për ciklin e parë të studimeve reduktimi i kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit, domethënë kufiri maksimal i studimit paguhet nga studenti në masën 50%, ndërsa pjesa tjetër do të rimbursohet nga shteti në institucionet e arsimit të lartë. Së dyti, për studentët nga viti I-III të ciklit të parë të studimeve përjashtohen nga tarifa vjetore studentët e ekselencës, ata që kanë mesataren 9.00 deri në 10.00. E treta, përjashtohen studentët e vitit të parë që vijnë nga arsimi i mesëm dhe janë regjistruar në vitin e parë në programet e studimit të Universitetit “Ismail Qemali”, ata që kanë mesataren 9.00 deri në 10.00″, nënvizoi Zisi.

Së katërti, shtoi rektori, përfitojnë bursë studentët e vitit të parë të regjistruar në çdo program studimi që kanë mesatare nga arsimi i mesëm 9.00 deri në 10.00.

Sipas tij, nëse studentët e mbajnë këtë mesatare ata e përfitojnë bursën edhe vitin pasardhës.

“Çdo ditë sekretaritë mësimore, kryesekretaret, specialistët e informimit të studentëve pranë fakulteteve, gjithë rektorati, gjithë përgjegjësit e departamenteve janë në funksion për të sqaruar, shpjeguar dhe mbushur boshllëqet e studentëve në lidhje me informimin”, tha Zisi.

Në lidhje me rikonstruksionin dhe investimet për godinat dhe konviktet, rektori shprehet se edhe kjo çështje gjen zgjidhje.

“Qeveria ka kërkuar nga universitetet dhe ne kemi dërguar sot në MAS dhe në Ministrinë e Financave nevojat tona infrastrukturore dhe kemi kërkuar mbështetjen nga qeveria për ngritjen e godinës së Infermierisë, që është e menjëhershme”, tha Zisi.

Ai sqaron se para se të fillonin protestat në muajin nëntor qeveria me një VKM të posaçme i ka dhënë Universitetit “Ismail Qemali” 6 mijë metra katrorë tokë për të ngritur këtë godinë.

“Projekti për ngritjen e këtij fakulteti është gati, është tenderuar dhe pritet të fillojë puna”, tha Zisi.

Po ashtu, shton ai, ne kemi kërkuar mbështetje financiare për infrastrukturë laboratorike për të riformuar dhe mbështetur sistemet e ngrohjes.

Rektori Zisi bën të ditur gjithashtu se në Universitetin “Ismail Qemali”, nuk ka pasur ndërprerje të mësimit kjo është e faktuar me regjistrat e mësimit, me korrektësinë e pedagogëve që kanë shkuar në mësim. Universiteti nuk ka humbur asnjë orë mësimi dhe për pasojë nuk do të shtyjë as provimet dhe as procesin mësimor”. /atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/336941340245527/?t=0

Rektori i Vlorës: 4164 studentë përfitojnë nga reduktimi i tarifës Read More »

Aktivitet kushtuar Ismail Qemali në kuadër të 100 vjetorit të vdekjes!

Pallatin e Kulturës ” Labëria” sot u ndez nga kënga polifonike,poezia dhe vallja për Ismail Qemalin.

Interpretime nga nxënës të shkollave të mesme të qytetit të Vlorës ,kushtuar jetës dhe veprës së Ismail Qemali, në kuadër të 100 vjetorit të vdekjes.

Inkuadruar në axhendën e veprimtarive të Bashkisë, ky aktivitet, u realizua përmes bashkëpunimit të QKAV, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe DAR, Vlorë.

Një veprimtari mbresëlënëse e për tu marrë shembull ku nxënësit jo vetëm interpretuan krijimtari nga autorët vlonjatë kushtuar Ismail Qemalit por edhe kënduan polifoni, këngë të kënduara nga gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre.

Këngë të njohura si:“Prapa më vjen historia” e “Në Vlorë foli Prefekti”, kënduar nga nxënësit e shkollave ” Ali Demi” Dhe ” Pavarësi”.-orikuminews

Aktivitet kushtuar Ismail Qemali në kuadër të 100 vjetorit të vdekjes! Read More »

Kush përfiton nga përgjysmimi i tarifave për master

Kostoja për studentë që studiojnë në universitetet e vendit , në varësi të programit dhe Institucionit të Arsimit të Lartë, luhatet nga më e ulëta 55,000 lekë në Universitetin e Durrësit deri në 470,000 lekë më e larta në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Kontributi i buxhetit të shtetit tek kjo kosto luhatet nga 54% në Institucionit të Arsimit të Lartë me kosto më të ulët, në 91% në koston më të lartë. Si rezultat, deri më sot studenti paguante 25,000 lekë për programin me koston më të ulët deri në 45,000 lekë për programin me koston më të lartë.

Por tashmë, Qeveria ka marrë një sërë vendimesh duke i dhënë zgjidhje kërkesave të ngritura nga studentët për përgjysmimin e tarifave në nivelin e studimeve master për disa kategori, të cilat janë të publikuara edhe në Paktin për Universitetin.

Kështu, për studentët e nivelit të studimeve master, Qeveria ka përgjysmuar tarifat deri në 50% për ato studentët me notë mesatare mbi 9 në hyrje, për studentët nga familje në ndihmë ekonomike, të verbrit, studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimët dhe për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës.

Përfitues janë studentët që vijnë nga familjet e të cilëve trajtohen/përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë bazë të qeverisjes vendore, si dhe studentëve deri në moshën 25 vjeç, që kanë vetëm njërin nga prindërit, pasi prindi tjetër është ndarë nga jeta, me të ardhura vjetore të familjes të pamjaftueshme për përballimin e kostos së studimeve dhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç.

Po ashtu, janë përfitues edhe studentët të cilët deri në moshën 25 vjeç, që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë; Studentët deri në moshën 25 vjeç, që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore.

Një kategori tjetër janë edhe studentët, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, të konfirmuar nga ministria/institucioni përgjegjës.

Nga vendimet e qeverisë për uljen e tarifave, përfitojnë dhe studentë e ish- të përndjekurve politikë, romët dhe egjiptianët.

Pakti për Universitet fut në kategorinë e uljes së tarifave edhe studentët romë dhe ballkano-egjiptianë, të konfirmuar si të tillë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale; Studentët, fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist, ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.

Përfitues janë dhe studentët që fillojnë vitin e parë të ciklit të dytë të studimeve në Institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në Institucionet publike të Arsimit të Lartë me notën mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë); Studentët që rezultojnë me notën mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë), të regjistruar në vitin pas të parit dhe që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike, të parashikuara për vitin akademik paraardhës.

Studentët, sipas kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e mësipërme, do të paguajnë tarifën vjetore të studimeve në masën 50%, pas paraqitjes së dokumentacionit vërtetues për statusin e tyre ligjor, me vendim të Bordit të Administrimit të Institucionit publik të Arsimit të Lartë. /atsh

Kush përfiton nga përgjysmimi i tarifave për master Read More »

Portal transparence për shpenzimet dhe ankesat në Arsimin e Lartë

Për të adresuar problematikën e ngritur nga studentët dhe stafet pedagogjike, lidhur me transparencën me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe institucionet e Arsimit të Lartë dhe publikimin e të gjitha shpenzimeve online, qeveria miratoi vendimin “Për garantimin e transparencës në Institucionet publike të Arsimit të Lartë”.

“Ky vendim ka për qëllim garantimin e transparencës në Institucionet publike të Arsimit të Lartë. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të bëjë publike të dhëna e informacione në kuadër të programit të transparencës dhe të trajtimit të ankesave ndaj Institucioneve të Arsimit të Lartë, përmbajtja e të cilave do të publikohet në portalin e transparencës dhe të trajtimit të ankesave”, thuhet në Paktin për Universitetin.

Në këtë portal, do të publikohen online të ardhurat dhe shpenzimet e universiteteve, vendimet e bordit, të senatit dhe organeve të tjera dhe zyrës pranë MASR për transparencën dhe adresimin e ankesave.

Aktualisht institucionet publike të Arsimit të Lartë gëzojnë të drejtën: për të caktuar rregullat e brendshme të financimit, të shpërndarjes dhe përdorimit të të ardhurave, sipas veprimtarisë dhe nevojave të institucionit; për të përcaktuar tarifat e studimit në përputhje me këtë ligj;për të përfituar fonde nga shteti dhe organizma të tjerë; për të krijuar të ardhura të ligjshme nga veprimtaritë e mësimdhënies, nga veprimtaritë kërkimore-shkencore, nga të drejtat intelektuale, nga markat dhe patentat, nga shërbimet, nga veprimtaritë artistike e sportive, si dhe nga veprimtari të tjera ekonomike, të cilat përdoren në përputhje me legjislacionin në fuqi; për të administruar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme që institucionet zotërojnë ligjërisht, në përputhje me misionin e tyre.

Po ashtu IAL-të i hartojnë vetë buxhetet e tyre, duke filluar nga niveli i çdo departamenti, në nivel fakulteti e më pas buxhetet konsolidohen në nivel IAL-je, ndërsa buxheti miratohet paraprakisht nga Senati Akademik dhe më pas i kalohet për aprovim final Bordit të Administrimit.

Buxheti i miratuar administrohet nga Administratori i IAL-së, në përputhje me zërat e aprovuar dhe sipas ligjeve për shpenzimet publike.

Studentët, por edhe një pjesë e madhe e stafeve pedagogjike, kanë informacion të limituar mbi buxhetin, si në nivelin e hartimit dhe aprovimit të tij, si edhe të shpenzimeve që kryhen nga çdo Institucion i Arsimit të Lartë./atsh

Portal transparence për shpenzimet dhe ankesat në Arsimin e Lartë Read More »