Arsim

Vlorë, nxënësit e shkollës Industriale praktika mësimore pranë Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve

Nxënësit e Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë me drejtim studimi Hidraulik, do të ndjekin praktikat mësimore në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve të këtij qyteti.

Kjo do të bëhet e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimin mes drejtorit të Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili dhe drejtorit të Shkollës Industriale “Pavarësia”, Gentian Boçi.

Nxënësit do të ndjekin praktikat në UK Vlorë dhe do marrin pjesë në proceset e riparimit të defekteve, por edhe zhvillimit të investimeve.

Drejtori Xhelili shprehu angazhimin e tij për punësimin pranë Ujësjellës Kanalizime Vlorë, të nxënësve që kanë përfunduar ose do të përfundojnë në vijim, studimet në drejtimet mekanik dhe hidraulik. /atsh

Vlorë, nxënësit e shkollës Industriale praktika mësimore pranë Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Read More »

Nis puna për restaurimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kryen një vizitë inspektimi në ndërtesën e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë.

Kjo vizitë u bë në kuadër të mbikëqyrjes së punimeve restauruese, në bazë të projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, mbas rënies së disa tërmeteve në qarkun e Korçës, që shkaktuan dëme në këtë monument të kategorisë I.

Punimet kanë filluar sipas parashikimeve me rrethimin e kantierit, ngritjen e skelerive, vendosjen e banerit dhe tabelës informuese.

Në vazhdim të punimeve dhe pas bërjes së sondazheve të parashikuara në projektin e restaurimit, punimet vijojnë dhe konsistojnë në ndërrimin dhe riparimin e suvatimeve të brendshme, ndërsa njëkohësisht kryhet edhe çmontimi i çatisë ekzistuese, për të lehtësuar punimet dhe më pas për t’u restauruar. /atsh

Nis puna për restaurimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë Read More »

Sot pushim edhe për nxënësit e shkollave profesionale, në Tiranë, Durrës, Elbasan

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, njofton se ndonëse infrastruktura shkollore është plotësisht gati për të vazhduar normalisht mësimin, për nxënësit e zonave të prekura nga tërmeti i dy ditëve më parë, në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, sikurse u komunikua edhe nga ana e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, 23 shtatori është ditë pushimi edhe për nxënësit e shkollave profesionale.

“Duke marrë në konsideratë efektet psikologjike është vendosur që nxënësit e zonave të lartpërmendura bashkë me prindërit e tyre, të cilët punojnë në administratën publike, të jenë të lirë për të qëndruar pranë njëri-tjetrit”- citon njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë/atsh

Sot pushim edhe për nxënësit e shkollave profesionale, në Tiranë, Durrës, Elbasan Read More »

Nesër ditë pushimi për shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

Dita e nesërme për nxënësit e shkollave të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit do të jetë ditë pushimi.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në një konferencë për shtyp.

Pushim do ta kenë po ashtu edhe “prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjeçare të cilët punojnë në administratë shtetërore. Situata në terren paraqitet drejt normalizimit, por në mënyrë që familjet e prekura të kalojnë ankthin e djeshëm, u pa e arsyeshme që nxënësit e zonave të prekura bashkë me prindërit e tyre që punojnë në administratën publike, ta kalojnë ditën e nesërme të lirë dhe të qëndrojnë me njëri-tjetrin”, – nënvizoi Shahini.

Ministrja Shahini u shpreh se “nga takimet e shumta që kemi patur me qytetarë të prekur, jo vetëm ne stafi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por edhe kolegët e mi ministra, deputetët, stafet e bashkive, duket se qytetarët nuk janë plotësisht gati emocionalisht që të vijojnë ditën e zakonshme të punës dhe të shkollës nesër”.

Sipas saj, është plotësisht e mirëkuptueshme që një fatkeqësi natyrore si ajo e djeshmja të shkaktojë ankth dhe stres tek familjet e prekura.

“Duke marrë këtë parasysh dhe duke dëgjuar me shumë respekt sugjerimet e disa psikologëve që na kanë shkruar edhe dje edhe sot kemi vendosur që dita e nesërme për të gjithë nxënësit e Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit të jetë ditë pushimi”, – sqaroi Shahini.

Ministrja u shpreh se “ne si ministri e Arsimit na takon më shumë se të gjitha institucionet e tjera mirinformimi i nxënësve mbi fatkeqësitë natyrore, si dhe përgatitjet që duhet të bëjmë për tu shmangur lëndimeve që mund të vijnë nga fatkeqësitë tona”.

“Ne në kurrikulat tona i trajtojmë këto tema, por duhet ti mëshojmë më fort kësaj pike, sepse nga ajo që pamë pjesa kryesore e lëndimeve trupore që kanë pësuar qytetarët dje ishin lëndime të shkaktuara nga paniku”, – tha Shahini.

Shahini theksoi se vetëm në 2 shkolla kanë pësuar dëmtime serioze, e ndërsa në 98 të tjera ka pasur plasaritje të fasadave, por tashmë gjithçka është në kontroll.

“Kam qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me të gjithë drejtuesit e të gjithë shkollave dhe që dje nuk kemi nxënës dhe mësues të lënduar. E përqendruam inspektimin në zonat më të prekura nga tërmeti, sot kemi vetëm 2 shkolla që janë raportuar në gjendje jo të sigurta, një në Qendër Bërxull që do sillen në shkollën Qendër, një tjetër në periferi të Tiranës. Në total janë 98 shkolla që kanë pësuar dëmtime si plasaritje fasadash, pjesa më e madhe është pastruar”, – tha Shahini./atsh

Nesër ditë pushimi për shkollat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan Read More »

12 vende të lira në Shërbimin e Jashtëm për ekselentët

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, ka shpallur 12 pozicione të lira pune në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mbetet e përkushtuar për të përqafuar të gjithë ekselentët e Shqipërisë dhe për t’u dhënë mundësi atyre që të përfaqësojnë denjësisht vendin e tyre nëpër botë”, thekson ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, duke e konsideruar “edhe një lajm tjetër i mirë për diplomacinë shqiptare”.

“Kjo shpallje është pjesë e përpjekjes së Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të përfshirë ekselentët në trupën diplomatike shqiptare. Një prej angazhimeve kryesore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet zhvillimi i një strukture diplomatike që mbështetet në energjitë rinore dhe cilësitë profesionale. Ndër të tjera, kjo shpallje vjen edhe si rrjedhojë e reformave të ndërmarra për të konsoliduar sistemin diplomatik të karrierës. Ndryshimet e ndërmarra deri më tani, kanë krijuar një hapësirë shumë më të madhe për ekselentët, profesionistët dhe personat me aftësi cilësisht të dalluara në përgjithësi”, deklaron Cakaj.

Kjo gjeneratë e re diplomatësh, thekson ai, do të ushtrohet në trajnime të veçanta e do të trajtohet me një kujdes të posaçëm për t’u bërë një gjeneratë elitë e diplomacisë shqiptare në perspektivë afatgjatë.

Ministri në Detyrë nënvizon se “procesi i përzgjedhjes së diplomatëve të ardhshëm dhe shërbyesve civilë të rinj do të jetë i mbështetur tërësisht mbi merita profesionale dhe vlerësime objektive. Shumë shpejt Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të shpallë edhe më tepër vende të lira për diplomatët e ardhshëm për të ndërtuar një shërbim të shkëlqyer diplomatik”.

“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mbetet e përkushtuar për të përqafuar të gjithë ekselentët e Shqipërisë dhe për t’u dhënë mundësi atyre që të përfaqësojnë denjësisht vendin e tyre nëpër botë”, deklaron Cakaj./atsh

12 vende të lira në Shërbimin e Jashtëm për ekselentët Read More »

Një mijë mësues ndihmës për nxënësit me nevoja të veçanta

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaron se 1000 mësuesit ndihmës për nxënësit me nevoja të veçanta, libra falas për 220.000 nxënës, kurrikulat e reja dhe librat shumë më të mirë janë disa nga rezultatet e politikave arsimore, çka sipas saj, kanë përmirësuar cilësinë dhe kanë përfshirë nxënësit vulnerabël në shkolla.

Shahini zhvilloi po ashtu edhe një bashkëbisedim me nxënësit e klasës së dhjetë në shkollën “Qemal Stafa”, me qëllim njohjen nga afër me pritshmëritë e tyre nga shkolla e mesme, si dhe marrjen e sugjerimeve për përmirësimin e punës së Ministrisë së Arsimit.

Sipas saj, në dy vitet e fundit janë 34.000 nxënës më pak në arsimin parauniversitar në Bosnjë-Hercegovinë, 32.000 më pak në Serbi apo 25.000 më pak në Kosovë.

“Të thuhet se rënia e numrit të nxënësve në Shqipëri është një dukuri që ndodh vetëm këtu, është populizëm i pastër dhe shpërqëndrim nga përpjekja e përbashkët për arsim më të mirë”, – thotë Shahini./atsh

Një mijë mësues ndihmës për nxënësit me nevoja të veçanta Read More »

Kryeministri Rama uron nisjen e vitit të ri shkollor

Kryeministri Edi Rama uroi sot nisjen e vitit të ri shkollor, me fotografitë e 10 nxënësve që shkëlqejnë me shembullin e tyre.

“Dhe me këta 10 yje që shkëlqejnë me shembullin e tyre në çdo lëndë mësimi, ju uroj të 455 mijë nxënësve nga klasa e parë në të dymbëdhjetën, mësuesve e prindërve të tyre në të gjithë Shqipërinë, një Vit të Ri Shkollor sa më të mbarë”, u shpreh kryeministri.

Këtë të hënë, hapin dyert të gjitha shkollat në vend, duke nisur nga ato të klasës së parë e deri në klasën e 12-të. /atsh

Kryeministri Rama uron nisjen e vitit të ri shkollor Read More »

U rindërtuan 200 shkolla në gjithë vendin, Rama: Hoqëm trupën mësimore nga kthetrat e politikës

“Përveç infrastrukturës arsimore që po transformohet në gjithë vendin numërohen rreth 200 shkolla që janë rindërtuar me standarde optimale apo janë ndërtuar nga e para”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama i pranishëm në përurimin e shkollës “Servete Maçi” në Tiranë.

Rama tha se këtij grupi do t’i shtohen edhe shkolla të tjera siç është grupi i 17 shkollave të reja të bashkisë së Tiranës që do të realizohen përmes një projekti të mbështetur financiarisht nga qeveria.

“Ne kemi një ambicie të re për të pasur shkolla, që duke qenë se ndërtohen nga themelet dhe nuk kushtëzojnë funksionalitetin të jenë një model i ri i shkollës së kësaj kohe të re që jetojmë”, tha Rama.

Por, sipas tij, “kur infrastruktura është aty dhe kur kushtet dhe logjistika janë aty, ajo që ka ende më shumë rëndësi është përmbajtja e procesit mësimor dhe e marrëdhënieve mes nxënësve dhe shkollës”.

Në këtë aspekt, Rama tha se nuk është aspak e ekzagjeruar të vlerësohet progresi që është bërë.

“Kemi një sistem mësimor goxha më cilësor e më miqësor për nxënësit në aspektin e ngarkesës dhe të organizimit të brendshëm. Kemi një trupë mësimore përfundimisht të mbrojtur nga sulmet e jashtme të politikës, nga kthetrat e interesave politike apo edhe nga imponimet e deridjeshme të korrupsionit dhe ryshfetit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “sigurisht që jo gjithçka është flori, pasi ka edhe brenda gjithë këtij procesi elementë ende për t’u adresuar, por mund ta them me plot gojë se nëse shohim sistemin e funksionimit të sotëm dhe bëjmë krahasime me më parë, e shohim ndryshimin”. /atsh

U rindërtuan 200 shkolla në gjithë vendin, Rama: Hoqëm trupën mësimore nga kthetrat e politikës Read More »