Arsim

Leximi mbron trurin nga çmenduria

Leximi dhe shkrimi mbrojnë shëndetin e trurit pasi njerëzit që nuk mund ta bëjnë këtë kanë gati tre herë rrezik për t’u çmendur, sipas një studimi të Jennifer Manly, nga universiteti ”Columbia Vagelos College”, botuar në revistën ”Neurology”.

Studimi përfshiu rreth 1 000 individë me një moshë mesatare 77 vjeç, përfshirë 237 analfabetë.

Në fillim të studimit, 35% e analfabetëve rezultuan se kishin shenja çmendurie ndaj 18% të atyre që dinin të lexonin dhe të shkruanin.

Pas rreth katër vitesh, numri i analfabetëve me çmenduri u rrit në 48% ndaj 27% të atyre që dinin të lexonin dhe shkruanin.

Ekspertët kanë vlerësuar se analfabetët kanë një rrezik pothuajse tre herë më shumë për t’u çmendur se të tjerët, me kushte të barabarta siç janë mosha, seksi, statusi socio-ekonomik dhe shëndeti kardiovaskular.

“Të jesh në gjendje të lexosh dhe të shkruash lejon njerëzit të ndërmarrin më shumë aktivitete që përfshijnë burime mendore, të tilla si leximi i gazetës ose ndihmesa ndaj nipërve dhe mbesave me detyrat e shtëpisë”, tha Manly.

”Puna jonë siguron prova të reja që leximi dhe shkrimi mund të jenë faktorë të rëndësishëm në mbajtjen e shëndetit të trurit”, përfundoi ajo./atsh

Leximi mbron trurin nga çmenduria Read More »

Shahini, të diplomuarve për Drejtësi: Punësim për ekselentët dhe praktikë 3-mujore për pjesën tjetër

/Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të fakultetit të Drejtësisë nga ku tha se më të mirët do të punësohen në administratën shtetërore me një kontratë 1-vjeçare.

“Si politikëbërës ne jemi plotësisht të vetëdijshëm që gjenerata juaj po diplomohet në një situatë paqartësish dhe sfidash jo vetëm ekonomike por dhe të tjera. Ndaj jam e lumtur që sivjet ne kemi arritur të ndërmarrim disa masa që unë shpresoj sinqerisht që do arrijnë t’iu ndihmojnë dhe juve që të kyçeni më lart në tregun e punës pas diplomimit. Siç tha dhe dekani, me nismat që kemi ndërmarrë sivjet, portali “Punë të mbarë”, të diplomuarit ekselentë që kanë mesataren 9-10 do ta gjejnë veten në sistemim e administratës publike me një kontratë një vjeçare e cila nëse rezulton e suksesshme vazhdon më tutje në shërbimin civil”, -tha Shahini. Më tej, ajo theksoi se është menduar edhe për pjesën tjetër që nuk hyjnë tek ekselentët.

“Por jo të gjithë kanë mesatare 9 ose 10 e për të gjithë të tjerët ne kemi siguruar një numër shumë me të lartë të praktikave të punës që është një mënyrë tjetër për të hyrë në tregun e punës. 3 muaj praktikë pa pagesë dhe nëse kjo rezulton e suksesshme vazhdon një kontratë në administratën publike. Por nuk është vetëm administrata e vetmja rrugë për të gjetur punësim. Ne jemi në përpjekje të vazhdueshme me sektorin privat që të rrisim numrin e pozicioneve që janë në dispozicion për të sapo diplomuarit”, -tha ministrja. /atsh

Shahini, të diplomuarve për Drejtësi: Punësim për ekselentët dhe praktikë 3-mujore për pjesën tjetër Read More »

Gjuha arbëreshe për fëmijët e shkollës “San Costantino Albanese”

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko tha sot se gjuha arbëreshe do t’u mësohet fëmijëve që frekuentojnë shkollën fillore “San Costantino Albanese”, falë një projekti të “Istituto Comprensivo Nicola Sole di Senise“ në Itali.

Si pjesë e këtij projekti, do zhvillohet një orë mësimore në javë për t’u mësuar fëmijëve të lexojnë dhe shkruajnë gjuhën e të parëve të tyre.

“Autoritetet e pushtetit vendor në emër të të gjithë qytetarëve, kanë shprehur falënderimet për Drejtorin Arsimor Francesco D’Amato për promovimin, së bashku me mësuesit Nicolina Larocca dhe Angelina Salerno për këtë nismë të rëndësishme për komunitetin me prejardhje shqiptare”, tha ai. /atsh

Gjuha arbëreshe për fëmijët e shkollës “San Costantino Albanese” Read More »

Historia frymëzuese e tre gjimnazisteve shqiptare – Fituan çmimin e parë në garën ndërkombëtare të tekonologjisë

“Njerëz të Padukshëm” solli sot historinë frymëzuese të tre vajzave gjimnaziste që me aplikacionin e tyre GjejZâ, që u vjen në ndihmë grave dhe vajzave të dhunuara, përfaqësuan Shqipërinë në konkursin Technovation Challenge në Silicon Valley, San Francisco ku u u shpallën edhe fituese.

Dea Rrozhani, Jonada Shukarasi dhe Arla Hoxha, pjesë e grupit ” D3c0ders” krijuan GjejZâ, një aplikacion që ndihmon gratë shqiptare me qasje në burimet e nevojshme për t’i ndihmuar ato të kapërcejnë pasojat e dhunës me bazë gjinore.

“Në divizionin tonë ishin 6 skuadra nga 173 që ishin në gjysmë finale dhe për ne ishte diçka e madhe të ishim atje dhe sidomos për Shqipërinë, e cila ka katër vjet që merr pjesë në Technovation Challenge dhe kjo ishte hera e parë që një skuadër kalonte në finale”, shprehet Dea Rrozhani.

Jonada Shukarasi tregon se “kur tha emrin decorders që ne kishim fituar çmimin e parë nuk na besohej dhe pastaj pamë njëra tjetrën dhe filluam të qanim”.

“Shumë e madhe, por që vjen edhe me shumë përgjegjësi se në fund të fundit ne nuk përfaqësonim vetëm veten, projektin tonë , por jemi duke përfaqësuar një vend. Duke parë lajmet dhe sesa prezent ishte problemi i dhunës me bazë gjinore, zgjodhëm që gjithë këtë kohë, që ne harxhojmë para kompjuterit, në celularët tanë ta kanalizonim në diçka që është në të mirë të komunitetit dhe ndërtuam GjejZâ”, thekson Rrozhani.

Sipas saj, ky është i pari aplikacion i llojit në Shqipëri, ai ndërthur organizata joqeveritare shërbimet që ofron qeveria dhe specialistët, të gjithë në një aplikacion, vetëm një prekje larg.

“Ka mbi 30 organizata joqeveritare në Shqipëri që ofrojnë shërbime per gra në situata të tilla si dhe 31 koordinatorë bashkie. Por arsyeja pse gratë nuk i përdorin këto shërbime që u ofrohen sepse u mungon informimi”, shprehet Jonada duke shtuar se GjejZâ e ka një domethënie gjej zë, gjej zërin tënd.

Së shpejti, shton ajo, GjejZâ do të jetë i disponueshëm në google playstore dhe në apple appstore.

“Sidomos ne në këtë moshë në adoleshencë kemi një perspektivë shumë të ndryshme të problemeve të sotme nga çfarë kanë të rriturit , ndaj është shumë e rëndësishme që ne të angazhohemi për ti zgjidhur problemet që shohim në komunitet”, thotë Dea.

Jonada sqaron se “nuk është kurrë herët për të filluar , madje pavarësisht se ne jemi shumë të vogla , pjesa më e madhe e problemeve me të cilat përballet shoqëria janë shumë të prekshme dhe shumë të afërt për ne prandaj nuk mund të qëndrojmë indiferent”.

D3C0ders janë një ekip i dedikuar për nxitjen e ndryshimeve pozitive sociale përmes zhvillimit teknologjik dhe programimit. Përmes seminareve të zhvillimit të aftësive, burimeve të bollshme dhe stafit të angazhuar të siguruar nga Këndi Amerikan në Tiranë, D3C0ders ishin në gjendje të vinin dijet e tyre së bashku dhe të hynin në Sfidën Technovation të këtij viti./atsh

Historia frymëzuese e tre gjimnazisteve shqiptare – Fituan çmimin e parë në garën ndërkombëtare të tekonologjisë Read More »

Gjuha shqipe dhe ajo arbëreshe të mësohet në shkollat shtetërore italiane

Presidenti Ilir Meta inkurojoi sot deputetët italinë për të dhënë mbështetjen e tyre për aplikimin e plotë të ligjit italian për minorancat kulturore, me qëllim që gjuha shqipe dhe ajo arbëreshe të mësohen në zonat ku këto komunitete jetojnë.

Në kuadër të vizitës në rajonin e Puljas në Itali, Meta zhvilloi një takim tepër të frytshëm me eurodeputetin Mario Furore, senatoren Gisella Naturale dhe deputetët italianë Giorgio Lovecchio, Rosa Menga, Marialuisa Faro, Antonio Tassi dhe Carla Giuliano.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Kazalvekios, Noe Andreano, Meta dhe përfaqësuesit e forcave të ndryshme politike në parlamentin italian, ndanë ide të vyera për forcimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë.

Presidenti theksoi se një urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet popujve tanë, janë komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali.

“Është me rëndësi që trashëgimia e jashtëzakonshme kulturore arbëreshe, kjo pasuri e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë, të mbrohet dhe promovohet. Gjuha arbëreshe që flitet prej shekujsh brez pas brezi duhet të vazhdojë të jetojë, ndaj ne do ta mirëprisnim aplikimin e duhur të ligjit italian për minorancat kulturore, me qëllim që ajo të mësohet në shkollat shtetërore italiane në të gjitha krahinat ku jetojnë arbëreshët. Me rëndësi është gjithashtu që edhe fëmijët e komunitetit më të ri shqiptar në Itali të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën shqipe në institucionet arsimore italiane”, – theksoi Presidenti Meta./atsh

Gjuha shqipe dhe ajo arbëreshe të mësohet në shkollat shtetërore italiane Read More »

Vlorë, festohet 95-vjetori i themelimit të shkollës “Tregtare”

Shkolla “Tregtare” në Vlorë, festoi sot 95-vjetorin e themelimit të saj. Kanë marrë pjesë në këtë përvjetor jubilar, drejtues dhe ish-drejtues, mësues dhe ish-mësues, nxënës dhe ish-nxënës të kësaj shkolle.

Në lapidarin që përkujton dëshmorët dhe heronjtë e “Tregtares”, janë vendosur kurora me lule.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, e cilësoi si një shkollë që ka bërë historinë e qytetit.

Leli e ka paralelizuar këtë shkollë me një universitet të famshëm, për shkak se nga bankat e saj kanë dalë personalitete të rralla që kanë bërë historinë e këtij vendi.

Sipas kryebashkiakut Leli, shkolla “Tregtare” sot, është një institucion që ecën me hapin e zhvillimit turistik dhe ekonomik të qytetit./atsh

Vlorë, festohet 95-vjetori i themelimit të shkollës “Tregtare” Read More »

Dy mësuese nga Shqipëria nisin mësimet në gjuhën shqipe në Ukrainë

Mësuesit nga Shqipëria fillojnë për herë të parë mësimin e gjuhës shqipe për shqiptarët e Ukrainës në Karakurt. Janë dy mësueset Afërdita Skura dhe Ermelinda Delialliasi të cilat kanë nisur mësimin e gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko tha se për herë të parë mësimi i gjuhës shqipe këtu po realizohet falë projektit të veçantë të Agjencisë Kombëtare të Diasporës.

“Ky program synon evidentimi e njohurive të gjuhës shqipe në komunitetet shqiptare të Diasporës dhe krijimin e një programi të posaçëm për secilin komunitet sipas shkallës së njohjes së gjuhës shqipe”, theksoi Majko.

Projekti në Ukrainë, do të shtrihet edhe në qytezat Gamovka, Divnyns’ke dhe Tyushki. Mësimi plotësues i gjuhës shqipe do të realizohet me tekstet shkollore të dërguara nga Qendra e Botimeve për Diasporën. /atsh

Dy mësuese nga Shqipëria nisin mësimet në gjuhën shqipe në Ukrainë Read More »

Ligji për Rininë/ Shahini: Për herë të parë një ligj që mbron dhe promovon të drejtat e të rinjve

Ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, besa Shahini ka folur për projektligjin për rininë duke thënë se “projektligji për Rininë, siguron pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje dhe mbështetjen financiare të programeve, projekteve dhe infrastrukturës rinore”.

Ligji për rininë, për herë të parë implementohet në Shqipëri për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e të rinjve. I konsultuar për një procesi të gjatë në 12 qarqet, ligji u miratua dje në Parlament.

Ku ligj mundëson krijimin e strukturave konsultative në nivel qendror dhe vendor dhe garanton pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje.

Gjithashtu, “Ligji për Rininë” siguron financimin e programeve, projekteve dhe infrastrukturës rinore duke fuqizuar të rinjtë dhe nxitur aktivizimin rinor nëpërmjet punës dhe hapësirave rinore të sigurta. /atsh

Ligji për Rininë/ Shahini: Për herë të parë një ligj që mbron dhe promovon të drejtat e të rinjve Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com