Aktualitet

Hajdari: Djegia e shkollës në Shkodër, traumë kombëtare dhe dhunë anti-shqiptare

Deputetja Rudina Hajdari ka dënuar djegien e shkollës mbrëmë në Shkodër.

Ajo ka vendosur që pagën mujore t’a dhurojë për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj.

“Të dashur demokratë, djegia e shkollave në Shkodrën e kulturës dhe traditave ishte një traumë kombëtare dhe dhunë anti-shqiptare”, është shprehur ajo, duke iu drejtuar demokratëve.

“Për këto arsye vendosa sot që pagën (rrogën) mujore t’a dhuroj për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj dje në këtë qytet nga ata që nuk janë as demokratë dhe as socialistë por thjesht servila të kryetarit dhe shpresojnë që në të ardhmen të shpërblehen me parimin: “Kush djeg dhe shkatërron më shumë bëhet drejtor ose doganier”, ka theksuar Hajdari

“Le të jetë paga ime fillimi i një fushate ndërgjegjësimi nga çdo shqiptar që kërkon një Shqipëri si Europa”, ka shtuar ajo.atsh

Hajdari: Djegia e shkollës në Shkodër, traumë kombëtare dhe dhunë anti-shqiptare Read More »

Reagon Jozefina Topalli: Një demokrat nuk djeg as mandate e as shkolla

Ish-nënkryetarja e Kuvendit dhe e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, një nga figurat më të spikatura të kësaj partie, reagoi sot pas ngjarjes në Shkodër, ku pati zjarr në një klasë të një shkolle që do të shërbejë si KZAZ për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës. E kundërta është historia e këtij qyteti. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 3 dekada”, tha Topalli.

“Një demokrat nuk djeg as mandate, as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov as ka frikë nga zgjedhjet. Demokratët nuk kanë patur frikë në ‘97 kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat”, vijoi Topalli.“Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e demokracisë. Partia Demokratike lindi si ëndërr e lirisë dhe e së drejtës me votu.

Ai që mendon se do pengojë të drejtën e votës nuk është demokrat. Shqiptaret duan paqe. 3 milion shqiptarë nuk mund të mbeten gjatë peng të 4-5 vetëve”, tha Topalli. /atsh

Reagon Jozefina Topalli: Një demokrat nuk djeg as mandate e as shkolla Read More »

Zjarri në Shkodër, Lleshaj: Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë mandatin

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagoi sot ndaj raportimeve për zjarr në një shkollë në Shkodër.

“Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”, theksoi Lleshaj.

“Përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD për të djegur një shkollë në Shkodër. Ftoj qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës”, tha Ministri i Brendshëm. /atsh

Zjarri në Shkodër, Lleshaj: Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë mandatin Read More »

Braçe: Partia Socialiste nuk ka fituar kurrë duke blerë vota

“Partia Socialiste nuk ka fituar kurrë duke blerë vota”, është shprehur zv/kryeministri Erion Braçe.

“Kurrë! Sepse nuk blihen 1 milion vota! Sepse nuk blihen as 100 mijë vota! Kush është marrë me zgjedhjet, unë kam 23 vite që merrem me to, e di fare mirë këtë! Ndaj dua të them dy gjëra për dy kategori gojëtarësh të zëshëm këto kohë”, ka thënë Braçe.

E para, ka theksuar ai, “për kategorinë që përfaqësohet nga “Gagaçi Mendor” e që tipizon të gjithë këta gjahtarët urrejtjes të socialistëve që çdo darkë janë në TV e çdo mëngjes janë në gazetat e TV-vë: Të hetohet gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet e 2016-tës e zgjedhjet e 2017-tës! Madje të ishte hetuar në kushtet e flagrancës, mu siç ligji thotë”.

“Nuk ka ndodhur! Të hetohet tani, e gjithë “masakra” që thoni ju e që nuk ekziston. Të hetohet tani, i gjithë krimi i dhunshëm i disa bandave të krimit politik në Dibër e ardhur aty që është i dokumentuar! Mbi bazë të provave e fakteve, vetëm mbi bazë të tyre e jo mbi bazë të analizës së fjalëve që “Gagaçi Mendor”, me vështirësinë e gagaçit i deformon, tjetërson duke i kthyer në shpifje banale që ulërasin për të vrarë të vërtetën!”, ka shtuar Braçe.

“E dyta, për kategorinë e shantazhuesve, bërë të gjithë bashkë, nga prokurorët politikë të partisë, partive deri tek “Gojë Pushka” që do na vrasë e presë të premten në darkë. Së pari, për këta dy prokurorët që kanë ndërtuar këtë strategji shpëtimi për vete e shantazhi për socialistët: Nuk shantazhohet Partia Socialiste! Është aq e madhe dhe e fortë, sa nuk ua merr mendja! Ka një arsye, fuqia që ka prej njerëzve të zakonshëm, fuqia prej popullit”, është shprehur Braçe.

Pikërisht se është kështu, ka theksuar Braçe, “kur kjo parti vendos nuk kthehet pas. Ka vendosur për Reformën në Drejtësi dhe do shkojë deri në fund, drejtësi e barabartë tani! Nuk ka kohë tjetër, as për ne e as për ju!”

“Drejtësi e barabartë tani, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve të korruptuar, por edhe ndaj prokurorëve të korruptuar e partiakë, plotë të tjerëve që kurrë nuk ishin të barabartë para ligjit, siç Kushtetuta thotë. Për t’i dhënë fund ciklit të krizave që po e mbajnë peng këtë vend për shkak të pandëshkueshmërisë, mungesës së Drejtësisë së njëjtë për të gjithë. Së dyti për “Gojë Pushkën”, ne nuk vrasim, por edhe s’lëmë kënd të na vrasë!”, ka nënvizuar Braçe./atsh

Braçe: Partia Socialiste nuk ka fituar kurrë duke blerë vota Read More »

BSH: Nivel rekord i shpenzimeve nga turistët e huaj, 348 milionë euro në tremujorin parë të 2019-ës

Turistët dhe vizitorët e shumë që vijnë në Shqipëri për turizëm, punë e biznes, apo dhe për turizëm shëndetësor, historik etj., po sjellin gjithnjë e më shumë valutë në vend.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet e të huajve në vendin tonë arritën në 348 milionë euro vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, konkretisht në periudhën janar-mars, duke shënuar një nivel rekord të pas viteve ’90.

Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet e të huajve kanë shënuar rritje prej 5,1%, ndërsa në krahasim me 2013-n, pothuajse janë dyfishuar.

Zgjerimi i paketave turistike dhe ofrimi i më shumë mundësive kanë zgjatur kohën e qëndrimit të turistëve të huaj në vendin tonë, madje kanë shtuar dhe fluksin e tyre nga vende të ndryshme të botës.

Tur operatorët shprehen se, në zonat bregdetare të vendit ku është fluksi më i madh i të huajve, kryesisht polakë, çekë, nordikë, gjermanë, janë rezervuar prenotimet deri në muajin tetor.

Ndërkohë që fluksi i tyre në vendin tonë sa vjen e po rritet. /atsh

BSH: Nivel rekord i shpenzimeve nga turistët e huaj, 348 milionë euro në tremujorin parë të 2019-ës Read More »

Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave

“Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, me synim muajin tetor”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama duke e cilësuar këtë “lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave”.

Rama tha se “pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes, që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës, për të bllokuar negociatat me sharje, kërcënime, molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston”.

“Le t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë. Të gjithë bashkë në 30 qershor”, u shpreh Rama. /atsh

Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave Read More »

Bonusi i bebeve- Përfitojnë edhe fëmijët e qytetarëve shqiptarë të lindur jashtë vendit

Jo vetëm fëmijët e lindur në Shqipëri, por edhe fëmijët e qytetarëve shqiptarë që lindin jashtë vendit dhe regjistrohen në vendin tonë, e përfitojnë bonusin e bebes nga 40,000-120,000 lekë.

Lajmi u bë i ditur sot nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Në 5 muajt e parë të vitit 1 946 fëmijë të lindur jashtë vendit kanë përfituar bonusin e bebes”, shprehet Manastirliu.

Me bonusin e bebes të akorduar nga Qeveria shqiptare, prindërit për fëmijën e parë përfitojnë 40 000 lekë, 80 000 mijë lekë për beben e dytë si dhe 120 000 për fëmijën e tretë.

Kur bebet janë binjakë ata do të përfitojnë nga 80 000 mijë lekë të dy, ndërsa kur janë trinjakë do të përftojnë nga 120 000 secili./atsh

Bonusi i bebeve- Përfitojnë edhe fëmijët e qytetarëve shqiptarë të lindur jashtë vendit Read More »

Sheshi “Skëndërbej” vlerësohet me çmimin e parë si Hapësira më e mirë Europiane në Spanjë

Pas vlerësimit që mori në bienalen e Çikagos, çmimit prestigjioz europian për “Hapësirën Publike Urbane 2018” në Barcelonë dhe çmimit të dytë për Arkitekturën Bashkëkohore 2019 që u akordua nga Bashkimi Europian, sheshi “Skënderbej” vijon të tërheqë vëmendjen e profesionistëve ndërkombëtarë të arkitekturës, si një nga hapësirat që ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

Së fundi, sheshi “Skënderbej” është përzgjedhur si fitues i Çmimit Europian për Ndërhyrje në Trashëgiminë Arkitekturore (European Award for Architectural Heritage Intervention AADIPA), në një garë aspak të lehtë, ku konkurruan 239 projekte nga vende të ndryshme të botës. Juria e cilësoi projektin e sheshit “Skënderbej” si një reflektim i kompleksitetit dhe historisë së Shqipërisë.

Çmimi prestigjioz u dha nga Shoqata e Arkitektëve të Katalonjës dhe Shoqata e Arkitektëve për Mbrojtjen dhe Ndërhyrjen në Trashëgiminë Arkitekturore, mbështetur nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Katalonjës dhe Këshillit Bashkiak të Barcelonës.

Sheshi “Skëndërbej” konkurroi në kategorinë “Hapësirat e Jashtme” dhe nga dhjetë veprat e përzgjedhura, në finale shkuan 4 finalistë:

– Sheshi “Skënderbej” nga studio 51N4E, Anri Sala, iRI dhe Plant en Houtgoed (Tiranë, Shqipëri)

– Qendra e Vizitorëve në Villers Abbey nga Binario Architects (Villers-la-Ville, Belgjikë)

– Hyrja e Kështjellës Jorba nga Carles Enrich Studio (Barcelona, Spanjë)

– Parku Zollverein nga Planergruppe GmbH Oberhausen (Essen, Gjermani)

Juria vendosi si projekt fitues sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e veçantë që ka luajtur liria e autorëve në realizimin e projektit për sfidën e të punuarit në një shesh shumë kompleks dhe simbolik, për shkak të kontekstit historik dhe politik që ai mbart, si dhe thjeshtësisë së shprehur përmes një topografie plot sqimë, që ringre në të njëjtën shkallë vlerat e kompleksit historik arkitekturor rrethues, në harmoni me ndërtesat përreth, duke krijuar një thyerje në përbërjen e aksit urban ekzistues, çka gjeneron një model të ri të hapësirës urbane. /atsh

Sheshi “Skëndërbej” vlerësohet me çmimin e parë si Hapësira më e mirë Europiane në Spanjë Read More »