Aktualitet

Rijetëzimi i qendrës historike të Vlorës, pol i rëndësishëm turistik

Qendra Historike e Vlorës po rijetëzohet duke u shndërruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktivë dhe tërheqës kulturor.

Ky projekt ka bërë bashkë qeverinë shqiptare Ministria e Kulturës,Fondacionin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim The_AADF, Bashkinë Vlorë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Sheshi para bashkisë po shtrohet me pllaka guri, ndërsa në rrugën “Justin Godart” rikonstruksioni i infrastrukturës nëntokësore është drejt përfundimit.

Hapi i radhës është shtrimi i trupit dhe trotuarëve me pllaka guri. “Justin Godart” do të jetë e dedikuar për këmbësorët dhe e pajisur me ndriçim, gjelbërim dhe mobilim urban.

Ndërkohë paralelisht është punuar për restaurimin e godinave historike në zonën B, unifikimin e fasadave për të nxjerrë në pah historinë dhe bukurinë e tyre.

Trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në Lagjen Partizani në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjëve”, klubi “Laberia” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qënë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka patur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apolloni./atsh

Rijetëzimi i qendrës historike të Vlorës, pol i rëndësishëm turistik Read More »

Vlorë – Rritet me rreth 35% numri i vizitorëve në monumente dhe parqe arkeologjike

Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në Vlorë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë sezonit turistik të këtij viti.

Në raport me vitet paraardhëse dhe kryesisht me vitin 2018 shihet qartë që këto monumente dhe parqe arkeologjike që administrohen nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, kanë patur një numër më të madh vizitorësh.

Sipas DRKK Vlorë, është rritur me rreth 35% numri i vizitorëve për periudhën janar – qershor 2018/2019.

Vizitorët kanë shfaqur interes për 8 objektet e vizitueshme me biletë nën juridiksionin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë si Kalaja e Porto Palermos, Kalaja e Kaninës, Kalaja e Himarës, Kisha e manastirit të Shën Kollit Mesopotam, Manastiri i 40 shenjtorëve , Parku Amantia, Parku i Orikut dhe i Finiqit.

Vlora është e vendosur në një pozicion mjaft të përshtatshëm në qendër të gjirit me të njëjtin emër. Një numër i madh sitesh arkeologjike dhe monumentesh përfaqësojnë periudhat e ndryshme të historisë së Vlorës. Qyteti bregdetar përmendet pothuajse në të gjithë itineraret e kohës perandorake romake, si dhe një skenë e përshtatshme për ata që vinin nga Hydrunti (Otranto) apo Brindisi, por në radhë të parë si stacion në rrugën nga Apolonia për në Butrint, ku sipas burimeve historike në antikitetin e vonë u kthye në qendër peshkopale dhe njëkohësisht ishte një nga tetë qendrat më të rëndësishme të provincës së Epirit të Ri.

Trashëgimia kulturore e historia e jashtëzakonshme, së bashku me peizazhin e mrekullueshëm të gjirit të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth tij e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik./atsh

Vlorë – Rritet me rreth 35% numri i vizitorëve në monumente dhe parqe arkeologjike Read More »

Eurostat: Shqipëria destinacioni i parë i turistëve grekë

Gjatë vitit 2017, shtetasit grekë, vendi i të cilëve është anëtar i Bashkimit Europain, patën si destinacion të parë turistik Shqipërinë, doli nga të dhënat e agjencisë europiane të statistikave, Eurostat, sipas faqes zyrtare të kësaj të fundit, ec.europa.eu.

Sipas Eurostat-it, në raportin me titull ”A është vendi juaj popullor për turistët”, raport që i referohet të dhënave të vitit 2017, Shqipëria rezulton destinacioni kryesor i turistëve grekë me 2,1% të netëve të shpenzuara.

Ndërkohë, vendi i dytë i destinacionit të tyre ishte Gjermania me 1% dhe më pas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1%.

Ardhja e turistëve grekë në Shqipëri lidhet me faktin se në këtë vend anëtar të BE-së jetojnë rreth 40% e emigrantëve shqiptarë.

Por, grekët që vijnë me pushime në Shqipëri shpenzojnë shumë pak, rreth 27 euro në ditë, ndërkohë që rrinë rreth 11 netë./atsh

Eurostat: Shqipëria destinacioni i parë i turistëve grekë Read More »

Eksportet në Shqipëri, potencial zhvillimi ekonomik dhe prezantim në tregjet ndërkombëtare

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, zhvilloi një vizitë në mjediset e një kompanie, prodhimet e së cilës gjenden sot në shumë tregje europiane.

Gjatë vizitës, ministrja Denaj theksoi se “eksportet në Shqipëri përbëjnë një potencial shumë të madh zhvillimi ekonomik, rritje punësimi, por edhe prezantim shumë i mirë i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Mbështetja ndaj sipërmarrësve shqiptarë për t’i bërë produktet shqiptare gjerësisht të njohura, por dhe për të nxitur investimet e reja në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë në produkte do të jetë në fokus të qeverisë shqiptare”.

Sipas saj, eksportet në zërin e ushqimeve dhe pijeve u rriten me 17.8% gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2019, krahasuar me një vit më parë.

“Ky ritëm rritje është i qëndrueshëm nga një vit në tjetrin dhe i atribuohet gjithashtu përmirësimit të kushteve dhe rritjes së cilësisë së prodhimit nga bizneset shqiptare, duke i bërë ato konkurruese në tregjet europiane dhe ato ndërkombëtare”, tha Denaj./atsh

Eksportet në Shqipëri, potencial zhvillimi ekonomik dhe prezantim në tregjet ndërkombëtare Read More »

Basha: Asnjë hap pas në betejën tonë për demokracinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi të mërkurën se jemi të vendosur për të vazhduar pa asnjë hap pas, betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes me Kolegjin e Kryetarëve duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëse ka një vendim në lidhje me lënien e zyrave nga kryebashkiakët, Basha theksoi se “dua të falënderoj nga zemra edhe njëherë mbi 85% të shqiptarëve që refuzuan diktaturën më 30 qershor”.

Në lidhje me pyetjen nëse u vendos një datë për protestë, Basha tha se është vendosur thirrja e një proteste kombëtare për ditën e hënë.

“Një protestë për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për Kushtetutën, për lirinë, fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane”, tha Basha./atsh

Basha: Asnjë hap pas në betejën tonë për demokracinë Read More »

Nuk është e lehtë të inatosesh me njeriun e duhur, jo çdokush e ka këtë fuqi

Kryeministri Edi Rama duke sjellë në vëmendje një thënie të filozofit, mendimtarit dhe shkencëtarit Aristoteli, përcjell mesazhin se nuk është e lehtë të inatosesh me njeriun e duhur, në masën e duhur dhe në kohën e duhur, jo çdokush e ka këtë fuqi.

“Çdokush mund të inatoset – kjo është kollaj, por të inatosesh edhe me njeriun e duhur, edhe në masën e duhur, edhe në kohën e duhur, edhe në mënyrën e duhur, kjo jo, kjo nuk është e lehtë dhe jo çdokush e ka këtë fuqi”, citon Kryeministri Aristotelin.

Rama zgjodhi sot fjalë të babait të filozofisë, Aristotelit, për të përcjellë mesazhin e tij. Disa ditë më parë ai ka përcjellë mesazhe nga shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë si Migjeni dhe Kadare. /atsh

Nuk është e lehtë të inatosesh me njeriun e duhur, jo çdokush e ka këtë fuqi Read More »

Hapja e ambasadës shqiptare në Australi, Cakaj: Do të ofrojë deri në 5 mijë praktika konsullore në vit

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj e cilësoi një lajm fantastik për diplomacinë shqiptare hapjen e ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë, miratuar sot nga qeveria shqiptare.

“Ky vendim është në shërbim të zbatimit të strategjisë të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për të zgjeruar rrjetin e ndërveprimit politik ndërkombëtar dhe rritur numrin e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë në përgjithësi”, tha Cakaj.

“Rëndësia e këtij vendimi duhet parë edhe në një rrafsh më të përgjithshëm politik dhe diplomatik. Mbulimi i marrëdhënieve diplomatike të Republikës të Shqipërisë me Australinë dhe me disa prej vendeve të Azisë dhe Paqësorit është mbuluar krejtësisht nga Ambasada e Shqipërisë në Pekin”, theksoi Cakaj.

Sipas tij, në këtë kuptim, kapaciteti veprues i Shqipërisë në këtë hapësirë gjeopolitike ka qenë më i ulët sesa vetë rëndësia gjeostrategjike e saj.

“Për më shumë, hapja e Ambasadës në Kanberra do të mundëson intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Australisë. Tutje, kjo Ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët (dhe jo vetëm) në Australi (dhe jo vetëm)”, tha ministri Cakaj.

Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofrojë afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik.

“Pra, gjykuar nga rëndësia politike, strategjike, diplomatike e konsullore, hapja e Ambasadës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë është një veprim me peshë të patjetërsueshme! Shumë shpejt me veprime të ngjashme në hapësira të tjera për ta bërë Shqipërinë më të pranishme nëpër botë”, tha Cakaj. /atsh

Hapja e ambasadës shqiptare në Australi, Cakaj: Do të ofrojë deri në 5 mijë praktika konsullore në vit Read More »

Miratohen procedurat për shitjen e parë të produkteve të peshkimit

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin që përcakton rregullat për shitjen e parë të produkteve të peshkimit.

Të gjitha produktet e peshkimit shiten për herë të parë në një treg të shitjes me shumicë. Përjashtohen nga detyrimi i përcaktuar në këtë pikë sasitë e vogla të produkteve të shitura direkt nga anija për konsumatorin, me kusht që ato të mos kalojnë vlerën prej 5 000 (pesë mijë) lekësh në ditë.

Operatori i produkteve të peshkimit në tregun e shitjes me shumicë është një subjekt fizik ose juridik, i pajisur me NIPT tregtar. Për qëllime regjistrimi në tregun e shitjes me shumicë, secili operator identifikohet me numrin e tij të NIPT-it, emrin tregtar dhe kodin e identifikimit të prodhuesit, i cili është një kod unik, i lëshuar nga struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut.

Nga fillimi i negociatave të shitblerjes dhe deri në përfundim të tyre, kontrolli zyrtar i produkteve të peshkimit, për garantimin e plotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore në treg kryhet nga inspektori i AKU-së, me profesion veteriner. Produktet e peshkimit mund të shiten vetëm pasi është kryer kontrolli zyrtar i lartpërmendur.

I nënshtrohen kontrollit zyrtar, sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë ushqimore, produktet e peshkimit, pavarësisht nga origjina e tyre. Këtij kontrolli i nënshtrohen edhe produktet e peshkimit të destinuara për përpunim dhe/ose konservim.

Gjatë kontrolleve zyrtare, produktet, të cilat rezultojnë të papërshtatshme për konsum njerëzor, shkatërrohen (groposen) ose mund të përdoren për qëllime të ndryshme, jo për konsum njerëzor. Drejtuesi i tregut ka për detyrë të shkatërrojë produktet e lartpërmendura në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kostot e shkatërrimit janë në ngarkim të prodhuesit/ pronarit të produkteve të peshkimit.

Shitësi është i detyruar të sigurojë zhvendosjen, transportin e produkteve të peshkimit dhe çdo operacion të kërkuar nga inspektori i AKU-së, që është i nevojshëm për kryerjen e kontrollit zyrtar.

Transporti i produkteve jashtë tregut me shumicë bëhet me automjete që plotësojnë kërkesat e përcaktuara nga dispozitat e sigurisë ushqimore, ato rregullatore dhe administrative në fuqi në lidhje me këtë çështje, të verifikuara nga inspektori i AKU-së.

Në tregun e shitjes me shumicë zbatohet plani i autokontrollit të bazuar mbi HACCP-në (Hazard Analysis and Critical Control Points), me qëllim që të garantojë sigurinë ushqimore të produkteve të peshkimit.

Funksionimi i tregut të shitjes me shumicë do të bëhet mbi bazën e një rregulloreje të miratuar nga ministri përgjegjës për peshkimin.

Shitja me shumicë e produkteve të peshkimit kryhet nëpërmjet ankandit publik me zë, elektronik ose telematik.

Fleta e ankandit përmban kodin e identifikimit të prodhuesit, NIPT-in, origjinën e mallit, numrin e arkave dhe peshën neto, listën e secilës shitjeje (duke specifikuar llojin e specieve, cilësinë, peshën dhe çmimin). Fleta e ankandit nuk zëvendëson faturën tatimore të shitjes.

Pasi arkat janë peshuar dhe vendosur në treg, prodhuesit nuk mund të marrin, për vete ose për të tjerë, sasi të produktit. Prodhuesi ka të drejtë të tërheqë nga tregu produktet e peshkimit akoma të pashitura, pa paguar për këtë asnjë lloj tarife.

Tërheqja nga tregu i produkteve të peshkimit mund të ndalohet nga inspektori i AKU-së për arsye higjieno-sanitare dhe të sigurisë ushqimore.

Ndalohet çfarëdolloj tjetër tregtimi i produkteve të peshkimit në perimetrin e zonës së tregut, sipas përcaktimit të bërë në rregulloren e funksionimit të tregut. Në treg funksionon shërbimi i verifikimit të peshës. Blerësi ka të drejtën të verifikojë peshën e mallit të blerë, me kushtin që ky verifikim të kryhet përpara se malli të dalë nga tregu. Nëse malli nuk rezulton në përputhje me cilësinë dhe sasinë e kontraktuar, blerësi ka të drejtën të anulojë blerjen.

Në treg grumbullohen të dhëna për sasitë dhe çmimet e shitjes së produkteve të kontraktuara, sipas kreut XII, të ligjit nr. 64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe vendimit nr. 256, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për grumbullimin, menaxhimin e përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe mbështetjen për këshillimin shkencor për Strategjinë Kombëtare të Peshkimit”.

Dokumenti bazë për grumbullimin e të dhënave është fleta e ankandit, e cila duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:

a) Llojet dhe cilësinë;
b) Sasinë;
c) Origjinën;
ç) Blerësin.
Produktet e përziera (p.sh. fritura) lejohen vetëm nëse produkti është në të vërtetë i ofruar në treg si i tillë, edhe pse mbetet detyrimi për specifikimin e llojeve.

Të dhënat personale u nënshtrohen rregullave në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa të dhënat e tjera, si për çmimet ashtu edhe për llojet, cilësitë dhe sasitë, janë objekt publikimi.

Një herë në muaj, struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut me shumicë dërgon të dhënat e grumbulluara sipas pikave 1-3, të kreut IV, të këtij vendimi, të muajit paraardhës, pranë ministrisë. /atsh

Miratohen procedurat për shitjen e parë të produkteve të peshkimit Read More »