Aktualitet

Shqipëria, ndër gjashtë vendet më të bukura për t’u vizituar në shtator

Shqipëria dhe plazhet e saj janë përzgjedhur mes gjashtë destinacioneve turistike botërore, ndër to Gjermania, Bullgaria, Norvegjia dhe Kina, të cilat duhet të vizitohen gjatë muajit shtator.

Agjencia çeke e udhëtimeve “Kiwi.com” shkruan se nga të gjitha vendet e preferuara për pushime deri më sot, me bregdetin dhe plazhet e saj mahnitëse, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar.

Moti është ende shumë i mirë, por megjithatë sezoni turistik thuajse ka përfunduar. Por çfarë u ofron vizitorëve muaji shtator?

Fëmijët pothuajse në të gjitha vendet tashmë janë rikthyer në shkollë dhe çmimet ndërkohë janë ulur. Për këtë arsye, shtatori është muaji kur mund t’u gëzoheni pushimeve paksa të vonuara verore. Ne kemi disa ide që mund t’ju frymëzojnë për të zgjatur edhe pak sezonin e pushimeve verore.

Plazhet e Shqipërisë

Jeni në kërkim të pushimeve diku në bregdet, ku numri i pushuesve nuk është më edhe aq i lartë, ndërkohë që moti është ende i mirë? Greqia? Ende plot e përplot me turistë. Kroacia? Sigurisht, por një vend gjithnjë e më i zhurmshëm. Spanja? Praktike, por e eksploruar së tepërmi. Shqipëria? Epo… sigurisht, përse jo?

Deri më sot, nga të gjitha vendet e preferuara turistike, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar. Në pjesën jugore, Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare dhe plazhe, që, në shumicën e tyre, janë vërtet mahnitës. Në atë që tashmë njihet si Riviera Shqiptare ju do të gjeni plazhet e Gjipesë dhe Jalit, rreth 13 kilometra larg njëri-tjetrit, dhe që të dy të fshehur në gjire magjepsës shkëmborë.

Jugu i Shqipërisë ofron edhe dhjetëra opsione të tjera. Plazhi i Dhërmiut, që shtrihet pranë fshatit me të njëjtin emër, është vendi që duhet ta vizitoni patjetër nëse ju mundon dilema e përjetshme e përzgjedhjes mes plazhit me rërë dhe atij me gurë. Në mënyrë të pazakontë, ky plazh i ofron të dyja. Kepi i Rodonit është një gadishull mahnitës i rrethuar nga plazhe dhe me një kështjellë mbi të; ky vend mund të arrihet lehtësisht nga kryeqyteti i vendit, Tirana. Po kështu, nëse ju pëlqen historia, në Parkun Kombëtar të Butrintit mund të vizitoni rrënojat romake rrethuar nga një peizazh i mrekullueshëm.

Atëherë, të vizitoni Shqipërinë? Përse jo?/atsh

Shqipëria, ndër gjashtë vendet më të bukura për t’u vizituar në shtator Read More »

Asgjësohet një shtimje topi nga viti 97’, rrezik real për banorët e Kaninës në Vlorë

Xhenierët e Forcave të Armatosura kanë eleminuar një rrezik real për banorët e Kaninës në Vlorë duke asgjësuar një shtimje topi 75 mm.

Ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka ka theksuar se shtimja e topit ishte aty që prej vitit të mbrapshtë 1997 dhe gjendej vetëm 10 m nga rruga kryesore.

Xhaçka ka shtuar se skuadrës së EOD iu desh ta asgjësonte në vend shtimjen pasi u vlerësua si e rrezikshme për t’u transportuar.

“Xhenierët e FA eliminuan një rrezik real për banorët e Kaninës në Vlorë. Një shtimje topi 75 mm prej vitit të mbrapshtë 1997, gjendej vetëm 10 m nga rruga kryesore. Skuadrës së EOD iu desh ta asgjësonte në vend shtimjen pasi u vlerësua si e rrezikshme për t’u transportuar. Krenari për EOD shqiptare”, tha Xhaçka./atsh

Asgjësohet një shtimje topi nga viti 97’, rrezik real për banorët e Kaninës në Vlorë Read More »

Vijon transformimi në Belsh, nga një gropë e zymtë në destinacion të ri turistik

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “po vijon puna për transformimin rrënjësor të Belshit nga një gropë e zymtë, në mes të një mrekullie natyrore të harruar, ku komuniteti jetonte në izolim e braktisje të plotë, në një destinacion të ri turistik”.

Rama tha se tashmë në Belsh “jo vetëm rriten vizitat e çdo fundjave nga Tirana e gjetkë, por kanë nisur flukset e turistëve të huaj dhe përshtatjet e shtëpive, deri dje krejt të vetmuara, në bujtina të vogla e plot shije”.

Me një pamje të veçantë, florë dhe faunë të larmishme, liqeni i Belshit është një nga më të mëdhenjtë prej atyre të Dumresë me sipërfaqe rreth 26,8 hektarësh.

Edhe pse në përfundim të punimeve, liqeni i Belshit po kthehet në një destinacion turistik jo vetëm për banorët e zonës, por për qytetarët nga i gjithë vendi.

Pjesë e një projekti modern, i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financimin e qeverisë shqiptare synon ta transformojë në një zonë në shërbim të komunitetit.

Punimet parashikojnë: rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit; që përfshin ndërtimin e trotuareve, instalimin e sistemit të ndriçimit, gjelbërim dhe sinjalistikën rrugore, ndërtimi i pedonales dhe korsisë së biçikletave buzë liqenit, ndërtimi i vendeve të parkimit, hapësira rekreative.

Qyteza buzë liqenit mirëpret vizitorë duke kombinuar natyrën e rrallë, me kulinari karakteristike dhe bio të zonës, si dhe shëtitjet pranë pedonales./

Vijon transformimi në Belsh, nga një gropë e zymtë në destinacion të ri turistik Read More »

Vlorë, 12 breshka detare trajtohen në vit në qendrën e rehabilitimit në Radhimë

Raportimi i rasteve të prezencës së breshkave detare në ujërat e vendit tonë është rritur gjithmonë e më shumë gjatë viteve të fundit.

Njëkohësisht është rritur edhe numri i rasteve të breshkave të dëmtuara apo të rënies në rrjetat e peshkatarëve.

“Vetëm pranë qendrës së ndihmës së parë për Breshkat Detare në Radhimë, trajtohen mesatarisht 12 breshka detare në vit. Me mbështetjen e projektit ACAP dhe asistencën e WWF Italy janë ndërmarrë disa aksione për të rritur kapacitetet e administratës për trajtimin e kësaj specie”, bën të ditur Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë.

Sipas ADZM, Vlorë, një nga këto aksione është trajnimi i stafeve për kontrollin dhe evidentimin e plazheve të përshtatshme për folenizimin.

Po ashtu edhe trajnimi i veterinerëve, peshkatarëve dhe stafit të AdZM-ve dhe qendrës së trajtimit për të rritur gamën e trajtimeve, që mund të realizohen pranë qendrës.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe përmirësimit të infrastrukturës dhe pajisjeve në dispozicion të qendrës.

Kjo qendër veç destinacionit rehabilitues të gjallesave ujore të dëmtuara në habitatin e tyre, përbën edhe një kuriozitet për vizitorët e specieve detare.

Foleja e parë e breshkave detare në Shqipëri u konfirmua zyrtarisht gjatë zbatimit të projektit në 2018-n. /atsh

Vlorë, 12 breshka detare trajtohen në vit në qendrën e rehabilitimit në Radhimë Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot do të nisë me kthjellime dhe zhvillime vranësirash. Reshjet e shiut do të jenë të përkohshme në mesditë e pasdite parashikohet të përfshijnë kryesisht zonat malore në veri të vendit. Në afat të shkurtër këto reshje do të marrin karakter shtrëngatash me rrufe.

Era do të fryjë me drejtim Veriperëndim-Juglindje e lehtë, ndërsa përgjatë bregdetit përkohësisht mesatare, duke sjellë valëzim të forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 22/36 re diell
Kukës 18/33 re diell shi rrufe
Lezhë 24/34 re diell
Dibër 16/31 re diell shi rrufe
Durrës 23/35 re diell
Tiranë 23/38 re diell
Elbasan 22/38 re diell
Berat 19/38 re diell
Vlorë 22/35 re diell
Korçë 17/31 re diell
Gjirokastër 17/38 re diell
Sarandë 22/36 re diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Veliera turistike “Sea Cloud” për të tretën herë në Durrës

Veliera “Sea Cloud” me 61 turistë të huaj në bord ka mbërritur sot paradite në portin e Durrësit.

Ajo ka lundruar gjatë natës së kaluar nga Saranda drejt Durrësit dhe në mbrëmje do të vijojë drejt Dubrovnikut (Kroaci).

Nga të dhënat e agjencisë së lundrimit “Intermed Shiping ” mësohet se veliera “Sea Cloud” që nga fillimi i këtij sezoni turistik vjen për të tretën herë në port.

Veliera që vjen në Durrës prej 8 vitesh u ankorua në kalatën 5 të portit më të madh të vendit. 55 nga turistët vijnë nga SHBA, ndërsa të tjerët nga Kanadaja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Hollanda.

Veliera po zhvillon një tur 10-ditor në brigjet e Jonit dhe Adriatikut, duke u ndalur në disa porte të Greqisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë.

Veliera “Sea Cloud” me një personel prej 58 vetësh ka një gjatësi 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas./atsh

Veliera turistike “Sea Cloud” për të tretën herë në Durrës Read More »

109-vjetori i lindjes së humanistes Nënë Tereza

Sot shënohet 109 vjetori i lindjes së humanistes dhe nobelistes shqiptare Nënë Tereza.

Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u bë më njeriu më popullor në botë për shkak të manifestimit të ndjenjës së humanizmit. Ajo kaloi 45-vjet në shërbim të plotë të varfërve, të të sëmurëve, jetimëve duke ofruar dhe kërkuar ndihma për ta në mbarë botën.

Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Në moshën 18 vjeçare, e nxitur nga dëshira për t’u bërë misionare, Gonxhia u largua nga shtëpia atërore për të hyrë në Institutin e Motrave të Loretos.
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë.

Më 10 shtator 1946, gjatë shtegtimit me tren nga Kalkuta, në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, motër Tereza, profesoreshë gjeografie në shkollën e mesme të vajzave, ndjen thirrjen në thirrje. Del nga mjediset e qeta të Institutit drejt e në rrugë të madhe, ku e thërret zëri i Krishtit. Bëhet e varfër, në mes të varfërve, si Zoti, të cilit ia kushtoi gjithë jetën. Më 17 gusht 1948 vesh për herë të parë sarin e bardhë me vija blu të grave të varfëra indiane. E veshur me këtë rrobe të përvuajtur, me këmbët mbathur me sandalet, më pas simbol i shtegtimeve të saj në lagjet më të varfra të mbarë botës, ajo nisi t’i kërkonte të varfërit më të varfër nëpër të gjitha skutat e Planetit.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Shqiptarja trupvogël ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.

“Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, do të shprehej Nënë Tereza.

Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes./atsh

109-vjetori i lindjes së humanistes Nënë Tereza Read More »

Si te fitojme nënshtetësinë zvicerane ! Ja rregullat e nevojshme.

Rregullat për të fituar nënshtetësinë zvicerane janë ashpërsuar nga 1 janari i vitit të kaluar (2018). Ka pasur raste të shumta që për arsye të ndryshme të huajve u është mohuar marrja e nënshtetësisë, duke filluar nga refuzimi për të shtrënguar duart apo njohja e mangët e gjuhës dhe integrimi i pamjaftueshëm. Albinfo.ch ju informon për kriteret që duhen përmbushur për të fituar nënshtetësinë.

Rregullat më strikte

Ata që duan të bëhen shtetas të Zvicrës po përballen me kërkesa më strikte që nga janari i vitit 2018.

Ligji i ri federal për nënshtetësinë është në mesin e një numri të ndryshimeve ligjore që kanë hyrë në fuqi vitin e kaluar. Sipas tij, vetëm imigrantët që kanë leje qëndrimi C kanë mundësinë të aplikojnë për t`u bërë shtetas zviceranë.

Kriteret më strikte janë ato që kanë të bëjnë me gjuhën: Kandidatët duhet të demonstrojnë aftësinë e tyre në njërën prej gjuhëve kombëtare në Zvicër në një test shkrimi. Para miratimit të ligjit të përmendur, nuk ka pasur konsistencë në testin e gjuhës, në veçanti në disa kantone të regjionit me gjuhë frënge që bazoheshin vetëm në aftësitë e të folurit, njofton albinfo.ch.

Ligji i ri zyrtarizon kërkesat për gjuhë, me kandidatët që duhet të demonstrojnë nivelin A2 të shkrimit dhe B1 në të folur, sipas Kornizës së përbashkët evropiane për gjuhët.

Kantonet do të mund të rrisin kriteret edhe më shumë nëse ato duan. Qeveria e kantonit të Thurgaut kishte vendosur në nëntor që aplikuesit për shtetësi të kishin nivelin B2 në të folur. Testet gjuhësore do të kryhen në shkolla të akredituara, sipas “Le Matin”, transmeton Albinfo.ch.

Kostoja për një aplikim do të jetë maksimumi prej 250 frangash.

Kandidatët që gjuhë të nënës e kanë njërën gjuhë kombëtare të Zvicrës, apo që kanë studiuar për pesë vjet në njërën nga këto gjuhë, nuk kanë nevojë të hyjnë në teste.

Një ndryshim ka ndodhur edhe në Ligjin për Mirëqenien Sociale. Deri tani aplikuesit që kishin marrë benefitet nga Mirëqenia Sociale ishin të përjashtuar nga mundësia për aplikim për shtetësi. Me të renë zgjerohet mundësia për ata që kanë marrë ndihma sociale në tri vjet para aplikimit. Bëhet përjashtim nëse këto benefite paguhen prapa në të plotë.

S’ka pasaportë zvicerane, pa shtrëngim të duarve

Një çift i huaj mysliman me vendbanim në Lozanë të Zvicrës, i cili kishte refuzuar shtrëngimin e dorës gjatë bisedimeve për natyralizim, definitivisht nuk do të pajiset me pasaportë zvicerane. Çifti mysliman aplikoi për nënshtetësinë zvicerane vitin e kaluar. Megjithatë, gjatë bisedave me komisionin e natyralizimit, nuk ka dashur të shtrëngojë duart me anëtarët e gjinisë tjetër.

Kjo ishte njëra nga arsyet përse qyteti vendosi që në gusht 2018 se çifti nuk i plotësonte kërkesat për natyralizim. Sipas udhëhehqësisë komunale, qëndrimi i dy personave e ka shkelur respektin për barazinë kushtetuese.

Refuzimi i shtrëngimit të duarve në Therwil BL, në pranverën e vitit 2016, ishte temë debati nëpër media të ndryshme.

Burri e merr nënshtetësinë, gruaja jo

Por, ka raste që të huajt, për arsye të tjera nuk kanë marrë nënshtetësinë zvicerane. Një shtetas italian, 46-vjeçar, i cili ka lindur në Zvicër, më në fund ka marrë nënshtetësinë zvicerane nga Komuna e Nyonit, pasi fillimisht i ishte refuzuar nga një komision i natyralizimit, por gruaja e tij portugeze, banore për një periudhë të gjatë në Zvicër, nuk e ka marrë. Ky rast kishte bërë bujë vitin e kaluar kur Salvatore dhe Antonia Scanio dhe tre fëmijët e tyre, të cilët kanë jetuar në Nyon për një dekadë dhe në Zvicër për më shumë kohë, u gjykuan se nuk kishin përmbushur kërkesat për nënshtetësinë zvicerane.

Ai i plotësoi kërkesat e ligjit kantonal. Por, jo edhe gruaja e tij, sipas autoriteteve. Sipas shtypit, Antonia Scanio, e cila ka jetuar në Zvicër që nga mosha 18-vjeçare, nuk u është përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë me gjeografinë, historinë dhe institucionet e Zvicrës, duke përfshirë edhe pamundësinë e emërtimit të tre lumenjve, burimi i të cilëve është në Zvicër.

Pyetjet ishin të nxjerra nga një broshurë, e cila kandidatëve për shtetësi u është dhënë për t’u përgatitur për intervistën.

Salvatore ka thënë se gruaja e tij i dinte përgjigjet, por u ngatërrua për shkak të qëndrimit “sarkastik dhe përbuzës” të panelit të intervistës.

Shënimet nga intervista tregojnë se të dy, burri dhe gruaja i plotësuan kriteret vendimtare për integrimin dhe aftësitë gjuhësore.

Vetëm me C!

Me ligjin e ri vetëm imigrantët që kanë leje qëndrimi C do të kenë mundësinë të aplikojnë.

Kusht, njohja e avancuar e gjuhës

Ligji i ri zyrtarizon kërkesat për gjuhë, me kandidatët që duhet të demonstrojnë nivelin A2 të shkrimit dhe B1 në të folur./albinfo

Si te fitojme nënshtetësinë zvicerane ! Ja rregullat e nevojshme. Read More »