Aktualitet

95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, rikonstruktohet shkolla që mban emrin e tij

95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, simbolit të rezistencës kundër komunizmit, e gjen shkollën 9-vjeçare në Tiranë, që mban emrin e tij, duke u bërë gati për të mikpritur nxënësit për vitin e ri shkollor.

Bashkia e Tiranës po kryen rikonstruksionin e saj, i cili përfshin mjediset e brendshme, nyjet sanitare dhe ndriçimin. Punimet u inspektuan nga nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti, e cila gjithashtu mori pjesë edhe në një koncert të përgatitur nga nxënësit dhe stafi i shkollës për 95-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, i cili konsiderohet si pasuri kulturore e njerëzore e vendit tonë.

“Sot është 95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, një figurë e shquar e popullit shqiptar për sakrificën e madhe gjatë regjimit komunist, dhe mënyra më e mirë për ta kujtuar është ardhja në këtë shkollë, në një institucion të dijes, e cila është një nga shkollat më të mira të bashkisë së Tiranës dhe jemi krenarë që mban emrin e At Zef Pllumbit”, – tha nënkryetarja Anisa Ruseti.

Më tej, ajo theksoi se kjo është njëra nga shkollat ku bashkia e Tiranës po ndërhyn, duke u përgatitur për të pritur vitin e ri shkollor. “Sikundër gjatë gjithë periudhës së verës, e gjithë bashkia e Tiranës ka qenë e fokusuar në ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese, sot kemi ardhur të bëjmë inspektimin e punimeve që po zhvillohen tek shkolla “At Zef Pllumi”, duke qenë se është një rikonstruksion total i kësaj shkolle, për të mirëpritur të gjithë fëmijët”, tha Ruseti.

Në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtje e mirë e procesit të ri mësimor dhe për të shmangur mbipopullimin në klasa, Ruseti u bëri thirrje prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla afër banesës. “Ky është një moment për t’u bërë apel të gjithë prindërve që janë duke regjistruar fëmijët në shkolla, të fokusohen e t’i regjistrojnë ata në shkollat që i kanë sa më pranë vendbanimit. Kjo do të shmangë orët e gjata në trafik, por edhe do të sigurojë që të gjitha shkollat e Tiranës të kenë të njëjtin standard, duke qenë se bashkia e Tiranës investon me të njëjtën vëmendje në infrastrukturë”, tha ajo.

Shkolla “At Zef Pllumi” ka 29 klasa dhe një kapacitet prej rreth 830 nxënës, duke përfshirë edhe parashkollorin. /atsh

95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, rikonstruktohet shkolla që mban emrin e tij Read More »

Vlorë/ Fëmijët solidarizohen me efektivët e Policisë Rrugore

Bashkëpunimi i Policisë me komunitetin si dhe rritja e besimit të qytetarëve ndaj forcave të rendit mbetet një faktor thelbësor në mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë në vend.

Duke shprehur mirënjohjen për forcat e policisë, një grup fëmijësh në qytetin e Vlorës u kanë dhuruar sot shishe me ujë shërbimeve të Policisë Rrugore.

Fëmijët kanë bërë gjestin human nën shoqërinë e prindërve të tyre, ndërsa falënderuan efektivët e policisë për mundin dhe sakrificën në këto ditë të nxehta vere.

Ndërtimi i partneriteteve të qëndrueshme mes policisë dhe komunitetit mbetet një prioritet i Policisë shqiptare. Duke qenë më afër komunitetit, më profesionale dhe më komunikuese me të, Policia përcjell besueshmëri, ndaj dhe policimi në komunitet vlerësohet si mjaft i rëndësishëm./atsh

Vlorë/ Fëmijët solidarizohen me efektivët e Policisë Rrugore Read More »

Hapësira çlodhëse për invalidët dhe pensionistët në Urën Vajgurore

Invalidët dhe pensionistët në bashkinë e Urës Vajgurore tashmë kanë një ambient dedikuar për t’u çlodhur.

Kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj thotë se për disa shtresa të rëndësishme sociale, bashkia ka çelur një ambient të dedikuar, ku jo vetëm mund ta përdorin për lojëra të ndryshme, por edhe si bar-kafe, ku përfitojnë produktet me çmime të reduktuara.

“E nisëm javën me një lajm të mirë për disa shtresa të rëndësishme sociale që janë në fokus të bashkisë sonë, duke hapur një ambient të dedikuar, ku jo vetëm mund ta përdorin për lojëra të ndryshme, por edhe si bar-kafe, ku përfitojnë produktet me çmime të reduktuara”, – thotë Memaj. /atsh

Hapësira çlodhëse për invalidët dhe pensionistët në Urën Vajgurore Read More »

“Komisariati Dixhital”, Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo abuzim

Policia e Shtetit ftoi sërish sot qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje apo abuzim përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”.

““Komisariati Dixhital” – Policia në dorën e qytetarit. Shkarko aplikacionin falas e denonco çdo shkelje e abuzim”, i drejtohet policia qytetarëve.

“Komisariati Dixhital” është një instrument për t’i dhënë mundësi qytetarëve të denoncojnë në çdo moment shkeljen e ligjit dhe atyre që shkelin ligjin.

Përmes këtij aplikacioni, qytetari ka mundësi jo vetëm të denoncojë, por edhe të mbikëqyrë veprimin e policisë mbi denoncimin e tij, si dhe të shikojë e ndjekë jo vetëm raportimin e tij, por edhe të qytetarëve të tjerë.

Komisariati Dixhital është i disponueshëm falas në App Store për përdoruesit e iOS.
Gjithashtu është i disponueshëm falas dhe në Google Play, për përdoruesit e Android./atsh

“Komisariati Dixhital”, Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo abuzim Read More »

SHËNDETËSI – Rrezet X zbulojnë gënjeshtrat e kremrave të lëkurës

Ne menduam se i njihnim, por nuk është rasti: kremrat dhe locionet që përhapim çdo ditë në lëkurë kanë një strukturë molekulare që është shumë e ndryshme nga ajo e hipotezuar deri më tani. Natyra e tyre e vërtetë demaskohet nga rrezet X dhe rrezet neutron nga studiuesit në King’s College London dhe Universiteti i Manchester.

Rezultatet, të paraqitura në konferencën e Shoqatës Amerikane të Kimisë (Acs), do t’i ndihmojnë prodhuesit të zhvillojnë formulime gjithnjë e më efektive dhe më të sigurta.

Grupi studiues u përpoq të bënte një hetim të drejtpërdrejtë, duke rrezatuar mostra të produktit me rreze X dhe rreze neutroni për të kuptuar se si shpërndaheshin përbërësit e etiketuar siç duhet. Për të lehtësuar studimin, u përdor një krem ​​shumë i thjeshtë, i përgatitur me vetëm pesë përbërës.

Çuditërisht, rezultatet e analizave treguan se përbërësit e njohur si ‘surfactants’ (të cilët kanë një veprim thithës dhe tretës) nuk grumbullohen ashtu siç pritej tek ‘bashkëpraktorët’ për të formuar lamela të mbivendosura.

“Stabiliteti afatgjatë dhe vetitë terapeutike të një kremi përcaktohen nga struktura themelore e tij,” shpjegon studiuesi Delaram Ahmadi.

“Nëse do të mund të kuptonim mikrostrukturën kimike të kremës duke e lidhur atë me strukturën e lëkurës, atëherë do të mund të rregullojmë më mirë pengesën e kompromentuar të lëkurës’’, përfundoi ai. /atsh

SHËNDETËSI – Rrezet X zbulojnë gënjeshtrat e kremrave të lëkurës Read More »

Qendra historike, 68 ndërtesave iu rikthehet hijeshia e shtëpive vlonjate

Vijojnë me ritme të shpejta punimet në Qendrën Historike të Vlorës. Çdo ditë që kalon shikon ndryshimet pozitive, ku 68 objektet që gjendet në këtë zonë po marrin ‘shkëlqimin’ e strukturës bazë të shtëpive të Vlorës, mes tyre edhe godina të një rëndësie të veçantë, duke e bërë këtë qytet të rëndësishëm dhe me vlera të veçanta, jo vetëm për bregdetin e saj, por edhe për Qendrën Historike.

Tashmë po shkojnë drejt përfundimit punimet në Rrugën “Justin Godard” dhe atë të “Hebrenjve”, ku ndërhyrjet kanë qenë në disa fronte: në infrastrukturën rrugore, unifikimin e fasadave dhe nxjerrjen në dritë të hijeshisë së ndërtesave historike, të kësaj zone, të cilat janë mbuluar prej ndërtimeve pa kriter të disa dhjetëvjeçarëve.

Së bashku me partnerë si AADF dhe Bashkia e Vlorës, po punohet për restaurimet e fundit duke i dhënë një tjetër pamje qytetit dhe vlerë të shtuar për zhvillimin e turizmit, biznesit dhe duke rritur të ardhurat ekonomike të zonës.

Rikualifikimi i qendrës historike synohet të jetë një nga rrugët më historike dhe turistike të Shqipërisë.

Në kompleksin muzeal të rrugës “Justin Godard” “strehohen” godina tejet të rëndësishme si; shtëpia e qëndistares së Flamurit Marigo Posio, godina e ish-klubit Labëria (sot Muzeu Etnografik) apo edhe rruga e Hebrenjve, ku pritet të ndërtohet dhe një muze enkas për ata./atsh

Qendra historike, 68 ndërtesave iu rikthehet hijeshia e shtëpive vlonjate Read More »

Meta: At Zef Pllumi, simbol i humanizmit dhe sakrificës së paharruar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka cilësuar sot At Zef Pllumi si simbol të humanizmit dhe sakrificës së paharruar në emër të vlerave hyjnore.

Duke e përkujtuar në 95-vjetorin e lindjes së tij, Meta është shprehur se ne përkujtojmë sot me nderim e respekt të thellë veprën e jashtëzakonshme dhe porositë e tij të urta për një Shqipëri më të drejtë dhe më humane, ku respektohen të drejtat e liritë themelore të njeriut.

“Në 95-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, udhëheqësit të ndritur shpirtëror, simbolit të humanizmit dhe sakrificës së paharruar në emër të vlerave hyjnore, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, ne përkujtojmë sot me nderim e respekt të thellë veprën e jashtëzakonshme dhe porositë e tij të urta për një Shqipëri më të drejtë dhe më humane, ku respektohen të drejtat e liritë themelore të njeriut”, ka theksuar Meta.

“Me një kontribut të çmuar për ringritjen e Kishës Katolike në Shqipëri, At Zef Pllumi ishte dhe do të mbetet shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë për dijen dhe demokracinë, i cili si klerik por dhe si qytetar i angazhuar, nxiti dhe frymëzoi mbarë shoqërinë tonë, në veçanti të rinjtë, për të ndjekur rrugën e duhur përmes dijes, demokracisë dhe drejtësisë, drejt vlerave perëndimore të mohuara për 45-vite”, ka nënvizuar Meta.

“Rrno vetëm për me tregue”, veprat dhe dëshmitë e tij të tjera rrënqethëse për krimet dhe monstruozitetin e regjimit komunist, mbeten gjithmonë aktuale si udhërrëfyes, jo vetëm për të njohur me transparencë të kaluarën tonë dhe për të mos ta harruar kurrë atë, por edhe për të na ndihmuar për të luftuar çdo të keqe dhe formë despotike që na largon nga Europa e Bashkuar dhe synon ta kthejë Shqipërinë 30 vite pas”, është shprehur Meta./atsh

Meta: At Zef Pllumi, simbol i humanizmit dhe sakrificës së paharruar Read More »

“Smile Albania” në Karavasta/ Fuqizimi i të rinjve për tregun e punës

Turizmi, sipërmarrja, strategjitë e punësimit dhe fuqizimi i të rinjve për tregun e punës ishin në qendër të aktivitetit të zhvilluar në Karavasta nga SMILE Albania me mbështetjen e DIMAK Albania.

Ky aktivitet pati pjesëmarrje të lartë të të rinjve, ku gjithashtu pati diskutime dhe ushtrime konkrete, të cilat japin një perspektivë të re mbi mundësitë që gjenden në Shqipëri.

1 nga 14

Në Karavasta, SMILE Albania me mbështetjen e DIMAK Albania, zhvilloi me sukses një aktivitet me të rinjtë shqiptarë! Fokusi qëndronte në temat: turizmi, sipërmarrja, strategjitë e punësimit dhe fuqizimin e të rinjve për tregun e punës. Ky aktivitet u shoqërua me një pjesëmarrje të lartë, së bashku me diskutime dhe ushtrime konkrete, të cilat japin një perspektivë të re mbi mundësitë që gjenden në Shqipëri.

Projekti “Smile Albania” është një projekt që shoqëron të gjithë sezonin turistik, është një projekt të cilin Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit e fokuson në paraqitjet e bukurisë së natyrës shqiptare, por edhe në mikpritjen e turistëve që vijnë në vendin tonë.

Përveç informimit turistik, aktivistët e rinj që angazhohen janë pjesë e një ndërgjegjësimi për mjedisin e plazheve e përreth, zona që përballen me presionin e aktivitetit turistik dhe rritjes së pranisë njerëzore./atsh

“Smile Albania” në Karavasta/ Fuqizimi i të rinjve për tregun e punës Read More »