Aktualitet

Opinion nga Lorenc Vangjeli: A është diktator Edi Rama?

Për kundërshtarët e tij nuk ka asnjë dyshim. Edi Rama është diktator. Për përkrahësit e tij është ndryshe. Pavarësisht se bërtet më shumë se kritikët në studio televizive, pavarësisht se zgjedh të shohë nga poshtë plagën e mesme të gazetarit që nga lart i ul poshtë pantallonat apo pavarësisht se ndjek me sy të shqyer nga habia teatrale gishtin me akuzë që i tund vendosmërisht mbretëresha e kronikës së zezë; pavarësisht se flet për Bethovenin te Fevziu dhe nuk lë piano pa thyer dhe pavarësisht se i ofron biberon dhe jo debat kundërshtarit të tij, pavarësisht se e ka kthyer në ligj vullnetin e tij, pra, pavarësisht të gjitha këtyre, njerëzit e tij e tij e quajnë lider të fortë.

Dy skajet jo fort të largëta mes të qenit diktator dhe autoritar mund të ndriçohen më shumë nëse hidhet dritë mbi mënyrën se si Edi Rama nisi karrierën politike, si erdhi në pushtet dhe si e vazhdoi rrugën e tij drejt pushtetit. Varësisht zgjidhjes së kësaj dileme, diktator si fatkeqësi, apo autoritar si rrjedhojë, mund të llogariten hapat për ta përmbysur kundërshtarët në 25 prill apo për ta lartësuar përkrahësit e tij në të njëjtën ditë. Që në krye të herës, kur fjala mori lirinë e fjalës, ai ishte një nga mjeshtrit e rrallë të përdorimit të gjuhës në publik.

zurpoi vëmendjen e publikut të mësuar deri atëherë me gjuhën e drunjtë të komunistëve të rrjedhur nga mosha dhe që kishte nisur të gëlltiste gjuhën me gjemba urrejtjeje të të rinjve që po vinin.

Rama e përdori pushtetin e fjalës për të arritur në pushtetin e politikës në Shqipëri, një pushtet që rast pas rasti, ka magjinë e padiskutueshme për ta bërë orator edhe një memec fatkeq. Ministria e Kulturës që i dha Fatos Nanoja ishte shumë pak për ambicien e tij. Në të njëjtën zyrë ai priti dhe përcolli dy kryeministrat e tjerë socialistë, Majkon e Metën.

Për Majkon u thoshte me tallje miqve se e kishte mik të ngushtë, kurse Meta i bëri atë që seriozisht asnjë mik i ngushtë nuk do të ishte në gjendje ta bënte për tjetrin. Meta ishte shkëndija e duhur për ta ngjitur në qiellin e duhur Ramën si fishekzjarrin më shkëlqyes të socialistëve, gjithmonë të aftë të mbyteshin në një pikë ujë dhe të pandërgjegjshëm për pushtetin absolut që u jepte jo vetë pushteti që kishin, por numrat që i kishin sjellë në pushtet dhe alternativa arkaike që kishin mundur me zgjedhje e kallashnikovë.

Në atë kohë Rama e përmbuzte turmën e disiplinuar socialiste, e cila, nga ana e saj, e quante atë të ardhur, të huaj dhe e shihte si emigrant të përkohshëm në shtëpinë e saj, por ai shpejt mësoi si ta përdorë atë.

Portofoli i ministrit ishte vetëm trampolina që e çoi në krye të kryeqytetit kaotik shqiptar që po dilte nga vitet ‘90 i futur në kaos total. Duheshin fare pak gjëra normale për t’u dukur ndryshe nga të tjerët. Edi Rama, në diferencë me të tjerët, ishte më i qartë dhe dinte ku do të shkonte.

Pak nga parku Rinia me kioska, pak me fasadat dhe zgjerimin e disa akseve rrugore në Tiranë, ai kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër se forma, ngjyrat dhe shkëlqimi, njëlloj si indianëve të dikurshëm pasqyrat, u pëlqenin shqiptarëve më shumë se vetë përmbajtja.

Slogani për kthimin në identitet, nuk rrekej të harronte se sa e shëmtuar ishte Tirana nën grinë e shpëlarë të komunizmit, por sa të tmerrshëm e kishte bërë qytetin anarkia e viteve të para të demokracisë.

Atëherë askush nuk e kishte idenë për ligje urbanistike dhe për nevojën e një qyteti për t’u zgjeruar që po kafshohej barbarisht dhe po rrethohej edhe më barbarisht që nga periferia e Kamzës, te këmbët e Dajtit, në kodrat e Farkës, në fushën e Yrshekut, Kasharit e kudo gjetkë.

Madje, edhe brenda vetë Tiranës, e cila periferinë e dikurshme, me ritmet e rritjes po e kthente në pothuaj qendër. Ishte fare e lehtë që Rama të bënte diferencën me zyrtarët e fjetur shqiptarë dhe me një pjesë të madhe të ministrave që asokohe, si në të gjitha kohët në vijim, i ngjanin njëri-tjetrit si teshtima teshtimës.

Në bashki Rama zbuloi në praktikë se që të quheshe i rëndësishëm në Tiranë varej nga ajo që kishe në dorë dhe jo nga çfarë dije me kokë. Në ishullin e tij pranë Xhamisë së Ethem Beut, ai ngriti paralelisht strukturat më moderne të drejtimit me njerëz që e trajtonin si idhull oriental.

Ai u rrit paralelisht me ta, duke qenë gjithashtu i qartë se vetëm pushteti qendror të lë në dorë hallkën e parë të të gjitha interesave që kishin nisur të shtonin zerot pas. Mbas një duzine me vite në krye të Tiranës, grabitjen e dashurisë për bashkinë e Tiranës Rama e përjetoi si një humbje fatale, por pikërisht ky ishte gabimi fatal i Sali Berishës: duke i hequr fitoren Ramës, ai projektoi humbjen e tij vetjake.

Duke i dhuruar Bashës një prikë të pamerituar, Berisha la peng pushtetin e tij. Pa atë gur që i rëndonte zemrën si të gjitha dashurive që nuk u jepet fund në kohën e duhur, Rama u përqendrua në luftën për pushtetin në të gjithë Shqipërinë.

Dhe në 2013-n, mbasi kishte provuar gjithë sagën e 2009-s e në vijim, bojkotin, protestat, urinë në bulevard, ai kuptoi se e majta mund të vinte në pushtet me dy mënyra të thjeshta: duke u sjellë normalisht dhe duke u bashkuar.

Bashkë me Ilir Metën ai u konfirmua në zyrën e kryeministrit dhe dukej se vetëm marrëzia mund ta ndante dashurinë e rigjetur mes dy njerëzve që kishin pasur trajektore të ndryshme në jetë, por të takuar shumë shpesh si miq në krah dhe si armiq përballë.

Dy burrat që kontrollinin gjithçka në Shqipëri ishin në stinët e para të pushtetit si mishërim i aksiomës fatale që urrejtjet e thella shpesh kthehen në dashuri pa arsye. Si në rastin e pengut me pengmarrësin,

Por në rastin e tyre, ata ishin njëkohësisht pengje dhe pengmarrës të njëri-tjetrit. Pa kuptuar as njëri dhe as tjetri se me pushtet të ndarë me njëri-tjetrin kishin pushtet me të fortë përballë kundërshtarëve të tyre.

Atëherë kur dukej se do të kishin një udhë të gjatë e paralele në pushtet, pa mbyllur vitin e parë në paqe, u krisën egër me njëri-tjetrin për të nisur një ndeshje nervash, me ulje-ngritje, me cikël betejash të vazhdueshme dhe paqe të përkohshme, e cila ishte në fakt prologu i betejës më të egër dhe më të zgjatur mes tyre.

Njëlloj si në mallkimin e hershëm që i sheh shqiptarët si armiqtë më të egër të shqiptarëve, vetëm socialistët ishin të aftë të mundnin socialistët në një vend me mazhorancë natyrale të majtë.

Kryetari i PD-së ishte absolutisht i vetmi njeri i aftë në Tiranë që mund të bënte të pamundurën, për të humbur në zgjedhjet e 2017-s. Me gjysmën e ministrive në dispozicion, me disa nga institucionet më të rëndësishme të vendit nën PD-në, me gati gjysmën e bashkive blu dhe me përçarjen e egër mes së majtës, ai humbi edhe më thellë sesa kishte bërë Sali Berisha përballë unifikimit të së majtës katër vite më herët.

Dhe si të mos mjaftonte ajo, me teknologjinë e shpëlarjes së asaj gjësë me atë gjënë, gjithë vjeshtën e 2017-s dhe më tej e kaloi në një seri betejash “fake”, me synimet e gabuara dhe njerëzit e gabuar, që duke dashur të vriste Edi Ramën, e bënte më të fortë. Deri në aktin final të marrëzisë kur dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet për pushtetin lokal.

Duke i lënë vetes vetëm pushtetin për listat e mundshme të deputetëve në 2021-shin dhe firmën për listën e makinave që mund të parkohen në oborrin e PD-së. I dyzuar dhe i pavendosur, i pabesueshëm edhe kur shumë shpesh ka shumë të drejtë, Basha hyn verbërisht në betejat që ia zgjedh Rama dhe me armët që vetë Edi ia imponon.

Njëlloj si ato vajzat që kanë provuar shtatzëninë me njeriun e gabuar, ai i shmanget edhe përqafimit politik me njerëzit e duhur, nga frika se mos e pëson sërish.

Në epilog të 2020-ës Edi Rama është përballë murit që deri më tani askush nuk e ka kaluar në Shqipëri: mandatin e tij të tretë. Dy mandate e kanë lodhur dhe dy mandata fatale, si tërmeti dhe pandemia që pothuaj e gjunjëzuan vendin, i kanë dhënë shumë peshë shpinës së tij me hernie pushteti.

Sheh me dëshpërim majtas dhe djathtas vetes dhe gjen vetëm njerëz që i binden si dikur idhujtarët e tij rioshë në bashki. Ata ndodhen aty thelbësisht vetëm për shkak të tij dhe që po për shkak të tij e kanë ambicien shumë më të madhe sesa mundësitë e tyre.

Të mësuar të marrin pa dhënë, të fitojnë duke iu shmangur betejave, të mësuar t’i përulen eprorit për të kërkuar më pas vetëm vartës të përulur, ata janë inercia me mandate politike që i ngatërrohen Ramës nëpër këmbë, pa kuptuar se politika është art që e luan talenti dhe jo prokurim i drejtpërdrejtë që e firmos dikush.

Deri në prillin e fushatës së ardhshme mund të ndodhë gjithçka. Por paradhënia është thënë, kartat janë shkartisur dhe letrat nën mëngë po nisin të dalin jashtë. Rama po i tërheq të gjithë edhe një herë në një ndeshje personale. Ku do të diskutohet për gjithçka dhe asgjë.

Do të jetë betejë me batuta me kundërshtarë që më shumë se kokën e tij, do të hanë kokën e njëri-tjetrit. Pa kohezion, me paranoja reciproke dhe me të bërtitura, me Saliun, Salianjin, por pa Klevisin, shenjat janë se PD-ja do ta tresë shansin e tyre përballë një Rame që dhe kësaj here do t’i shmanget llogaridhënies programore. Me fytyrën mbuluar me maskën e pandemisë dhe të dridhurave të tërmetit, nuk do të lërë kohë për të folur mbi qeverisjen e tij me koncesion.

Nën daullet e luftës askush nuk do të kujtohet të flasë për shumë nga njerëzit e tij që, duke qeverisur në emër të të varfërve, janë bërë shumë më të pasur sot. Për hir të një instrumenti të drejtë demokracie, por të përdorur në mënyrën më të keqe të mundshme, disa mijëra demokratë të skualifikuar nga gara për listën e deputetëve, pjesa më e fortë dhe thelbi natyral i PD-së, do të jenë shumë më pranë Edi Ramës se Lulzim Bashës.

Dhe ata do të bëjnë diferencën në një garë milimetrike në të cilën Edi Rama i ka kundër të gjithë, deri edhe anonimatin ulëritës të pjesës më të madhe apolitike të kabinetit të tij, por ka për aleat, gabimet fatale të kundërsharëve.

Për të qenë rasti i parë që e bën për herë të tretë, jo për meritë vetjake dhe jo se e meriton, por sepse kundërshtarët e tij ia lanë në derë e në dorë. Më pas nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në katër vjet, sa kohë që në Shqipëri, çudia më jetëgjatë e ka jetën me të shkurtër se tre 24-orësha bashkë.

Rama do të rrijë minimalisht në pushtet po aq kohë sa Skënderbeu, siç kanë qejf ta thërrasin njerëzit e tij, ka qenë në luftë me osmanët. Me gjithë pushtetin e grumbulluar në një dorë, pa dashur t’ia dijë as ai vetë se pushteti më i fortë në demokraci, është ai që ndahet dhe ekuilibrohet dhe pavarësisht se kundërshtarët e tij gjithmonë e më të shumtë nuk do të kenë asnjë dyshim se Edi Rama është diktator, e vërteta e tyre nuk do të ketë asnjë vlerë.

Sepse do të gabojnë në një pikë thelbësore. Kryeministrat në Shqipëri kanë pushtet të pakontrolluar. Pushtetin mbi çdo hallkë të shoqërisë ua ofron tradita e njëshit e ngulitur në Shqipëri, pushteti mbi forcën politike ata që drejtojnë dhe vetë Kushtetuta që fsheh një gënjeshtër të madhe fatale: formalisht ajo e bën Shqipërinë republikë parlamentare, në fakt ka vizatuar një republikë tipike presidenciale nën emrin e kryeministrit.

Të tre këto faktorë bashkë e bëjnë kryeministrin në pushtet autoritar në ekstrem, pa qenë fare nevoja të jetë diktator. I tillë ishte Sali Berisha dje, me asnjë gram më pak pushtet sesa ka Edi Rama sot.

I tillë do të ishte edhe Jezu Krishti, nëse Biri i Shenjtë vendos të qeverisë ndonjë ditë shqiptarët, çdonjëri prej të cilëve, i lindur në Tropojë apo banues në Sarandë, i ardhur në Tiranë apo denbabaden me shtëpi qerpiçi e carac në oborr, ka bindjen e patundur se është më i lartë se çdo mbret dhe më i shenjtë se çdo shenjt.

Lorenc Vangjeli / Java News

Opinion nga Lorenc Vangjeli: A është diktator Edi Rama? Read More »

Gjoni: Pse shqiptarët i pëlqejnë batutat?

Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit, thotë se batutat e shefit të qeverisë me mediat janë një cilësi që pëlqehet masivisht nga shqiptarët.

Gjoni komentoi sot shfaqjen e kryeministrit Edi Rama në emisionin e të enjtes në Opinion ku u debatua për aferën e inceneratorëve.

Fakteve për aferën, Rama më së shumti iu përgjigj me batuta. Por përse Rama po përdor batuta?

“Përdorimi i batutave është forma e propagandës që tregon se je në rrezik të madh komunikimi. Rrezikon që të dalë një informacion që nuk duhet.

Batuta në komunikimin politik është dritë e kuqe e ndezur. Tregon se ai që e përdor është në fazë rreziku. Por në Shqipëri, batuta të bën hero, preferohet, pëlqehet,” tha Gjoni.

“Ne jemi votues që na kënaq më shumë një batutë sesa një program politik. Nga emisioni njerëzit mund të kenë kuptuar pak gjëra, por u kanë mbetur në mendje batuta si ajo që nuk ka hajdutë mbi dy metra.

Batuta stimulon dhe provokon emocione. Nga mendimi, ajo çon te reagimi. Te ata që kërkojnë argumentin, reagimi është negativ. Por të tjerët kënaqen me batutat.

Frika ime është që njerëzit e preferojnë dhe ngopen me batutën. Pas kësaj batute fshihen të tjera probleme. Unë shqetësohem kur kryeministri përdor batuta dhe atë lloj gjuhe pasi tregon se gjërat nuk janë mirë,” tha Gjoni.

Gjoni: Pse shqiptarët i pëlqejnë batutat? Read More »

Të dielën ndryshon ora.Cfarë do të vendosë qeveria shqiptare?

Këtë fundjavë është e diela e fundit e muajit tetor dhe do të bëhet ndryshimi i orës në vendin tonë. Ora 03.00 do të bëhet 02.00. Një gjë e tillë prej vitesh ndodh dy herë në vit, në javën e fundit të tetorit, dhe javën e fundit të marsit. Mes 24 dhe 25 tetorit do të rikthehet ora diellore pasi që nga fundi i marsit jemi në orën ligjore që aplikohet për të kursyer energji.

Llogaritja dimërore e kohës fillon fundjavën e fundit të tetorit dhe zgjat deri në fundjavën e fundit në mars kur fillon llogaritja verore e kohës, përmes orës legale.

Në Shqipëri, deri disa vite më parë, ndryshimi i orës dy herë në vit, shpallej vetëm me vendim qeverie. Nga viti 2009, kjo nuk është aplikuar më nga qeveria shqiptare, pasi në atë kohë u bë dhe stabilizimi i ndërrimit periodik të orës, të dielën e fundit të marsit dhe tetorit.

Por gjërat po ndryshojnë. Bashkimi Europian ka njoftuar se ka vendosur të heqë dorë nga ndryshimi i detyrueshëm dy herë në vit i akrepave të orës.

Për ta aplikuar këtë, BE u ka dhënë vendeve anëtare kohë deri në vitin 2021 për të vendosur nëse duan të qëndrojnë me orën verore apo atë dimërore.

Zvicra dhe shumë shtete europiane nga e shtuna, 24 tetor deri të dielën 25, kanë vendosur që akrepat të kthehen nga ora 3 e mëngjesit në 2 e mëngjesit.
Disa shtete të tjera kanë njoftuar po ashtu se këtë fund tetori do të bëjnë ndryshime të orës duke bërë që këtë fundjavë të flemë një orë më shumë.

Qeveria shqiptare nuk ka marrë një vendim mbi këtë çështje dhe as ka hedhur për diskutim publik këtë temë që i prek të gjithë.

Ndërsa BE ia la çdo vendi anëtar të saj që të vendosë cilën orë do të mbajë gjithë vitin, atë legale që vjen pas pak ditësh apo atë diellore që ndodh në mars.

Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë.

Por si dhe kur nisi e gjitha kjo? Rregulli i ndryshimit të orës është vendosur që në shekullin e tetëmbëdhjetë, ku i pari ka qenë Benjamin Franklin i cili hodhi teorinë se me realizimin e tij, do të kursehej shumë energji.

Ndërsa një shekull më vonë (në vitin 1907), teoria e tij u mor nga britaniku Uillett Uilliam, i cili e paraqiti atë në Dhomën e Komuneve e cila i dha dritën e gjelbër projektit “British Summer Time”, i cili përfshinte lëvizjen e akrepave të orës përpara gjatë verës.

Shumë vende e pasuan Britaninë e Madhe në këtë hap, veçanërisht në kohë lufte, kur ruajtja e energjisë ishte me të vërtetë një prioritet.

Ndërsa miratimi përfundimtar i kësaj mase për të gjitha vendet, konsiston në vitin 1966, i cili përkoi me krizën e energjisë.

Që prej vitit 1981 u vendos ligji që përfshin të gjithë Europën, që në të gjitha shtetet e saj, në këtë ditë, akrepat e orës të lëvizin 60 minuta përpara, çka do të thotë një orë gjumë më pak, ose një orë gjumë më shumë, në varësi të muajit kur ndyshon.

Norma europiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ajo shkon një orë pas.

Vitet e fundit, në Evropë janë shpeshtuar debatet se sa me të vërtetë sjell dobi llogaritja verore dhe dimërore e kohës. Megjithatë, disa astronomë janë kundër zhvendosjes së akrepave dhe “zgjatjes” artificiale të ditës, pasi vlerësojnë se natyra nuk duhet “munduar”, madje edhe nëse arsyetohet me llogaritje ekonomike.

Mjekja psikiatre: Efektet që shkakton direkt te njerëzit

Ndryshimi i orës do të na bëjë të flemë një orë më shumë, por sipas mjekëve lëvizja e akrepave reflektohet negativisht në sjelljen tonë.

Mjekja psikiatre Arjana Rreli shpjegon se shkurtimi apo zgjatimi i ditës dhe çrregullimi i gjumit sjell nervozizëm, lodhje dhe shpërqendrim.

Ndaj, mos u habisni nëse për disa ditë nga e diela e ndryshimit të orës, mund të mos jeni shumë në formë. Ndryshimi reflektohet edhe më shumë tek tipat e rregullt ose siç i quajmë zakonisht, ata striktë.

Në fakt, jo vetëm ndryshimi i orës, por edhe zona kohore ndikon në sjelljen e njerëzve.

Të paktën kështu mendohet në Spanjë, ku ligjvënësit po diskutojnë që ta ndryshojnë orën ligjore për shkak se kjo mund të përmirësojë gjumin dhe përqendrimin në punë.

Spanja ka zonën kohore të Europës Qendrore, të njëjtë me tonën. Edhe pse normalisht këtij shteti i takonte të ishte në një zonë tjetër kohore, me atë të Britanisë së Madhe apo Portugalisë, kjo u vendos nga diktatori Franko rreth 70 vjet më parë, për të qenë me të njëjtët akrepa, si aleatët e tij nazistë. /noa.al/

Të dielën ndryshon ora.Cfarë do të vendosë qeveria shqiptare? Read More »

Pasagjeri shqiptar pëson arrest kardiak në aeroport

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Malpensas, Milano.

Një pasagjer i cili po bëhej gati të fluturonte me linjën Milano-Tiranë, ka pësuar arrest kardiak.

Për pasojë e kësaj ngjarjeje është shtyrë edhe fluturimi.

Avioni ishte parashikuar për t’u nisur nga Milano në Tiranë në orën 20.00.

Pas ngjarjes fluturimi është anuluar.

/NOA.al

Pasagjeri shqiptar pëson arrest kardiak në aeroport Read More »

Naftëtarët duhet të dalin nga greva që të bisedojmë për të mos i lënë vetëm në këtë hall që as e ka shkaktuar qeveria, as zgjidhet me presion e me ultimatume!

Sot është dita e 24-ët e grevës së naftëtarëve të Ballshit. Teksa ata nuk kanë ndërmed të largohen pa marrë përgjgje për zgjidhje, ka reaguar sërish kreu i qeverisë.

Kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter:

“Naftëtarët duhet të dalin nga greva që të bisedojmë për të mos i lënë vetëm në këtë hall që as e ka shkaktuar qeveria, as zgjidhet me presion e me ultimatume!”

“Ne nuk kemi shkop magjik, po kemi gjithë vullnetin të lehtësojmë situatën. Me logjikë dhe solidaritet si një familje”, shkroi Rama, lidhur me grevën e naftëtarëve.

/NOA.al

Naftëtarët duhet të dalin nga greva që të bisedojmë për të mos i lënë vetëm në këtë hall që as e ka shkaktuar qeveria, as zgjidhet me presion e me ultimatume! Read More »

UT merr vendimin për studentët/ Cfarë ndodh në rast se dikush preket nga Covid

Në një kohë kur nuk ka një protokoll të qartë nga Ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë, Universiteti i Tiranës ka marrë disa vendime të rëndësishme sa i takon rifillimit të mësimit në datën 2 Nëntor.

Mësohet se Universiteti i Tiranës ka vendosur që në 4 javët e para në Nëntorit, vitet e para do bëjnë mësim ne auditoreë.

Ndërkohë që për vitet më të larta do të ketë një alternim midis studimit online dhe atij fizik në auditorë.

Për zgjedhjen e mësimit do të flitet me pedagogë të lëndës, dhe do të vendoset për mënyrën sesi ai do të kryhet.

UT ka miratuar po ashtu dhe rregulloren anticovid, ku në rast se një student rezulton me COVID19, i gjithë grupi vazhdon mësimin për 14 ditë online.

Ndërkohë që në vendimin e UT-së thuhet se administrata duhet të kujdeset që të gjithë studentët të jenë të pajisur me masa anticovid, si maska dhe dezinfektantë, si dhe të ruajnë distancën fizike.

/NOA.al

UT merr vendimin për studentët/ Cfarë ndodh në rast se dikush preket nga Covid Read More »

‘I kujtojmë këtij mashtruesi të pështirë se marrëveshja u nënshkrua në Tiranë në 27 prill 2009’

Presidenca i është përgjigjur kryeministrit Rama, pas akuzave të këtij të fundit se Ilir Meta dhe Sali Berisha ia dhanë Greqisë detin në vitin 2009 dhe se ishte PS ajo që e rrëzoi në Gjykatën Kushtetuese.

“Asnjë surprizë nga Mister 1 Prilli, i cili vërtetoi edhe njëherë sot, para të gjithë shqiptarëve, se është një mashtrues ordiner, i cili gënjen pa hapur gojën, lëre më kur flet”, thuhet në njoftimin e Presidencës nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi.

“Mister 1 Prilli pretendoi sot se Ilir Meta ka qenë një nga hartuesit e marrëveshjes për delimitimin e hapësirës detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese”.

“I kujtojmë këtij mashtruesi të pështirë se marrëveshja u nënshkrua në Tiranë në 27 prill 2009”.

“O TYÇ GËNJESHTAR: Në 27 prill 2009, Ilir Meta ka qenë në opozitë. Mashtrimi është vesi i tij! Vesi del me shpirtin”, shkruan Tedi Blushi, zëdhënës i Presidentit Meta”.

Reagimi vjen pasi Rama akuzoi sot rivalët e tij politikë për detin.

“Ne duam një marrëveshje të drejtë sepse marrëveshja e mëprashme ka qenë e padrejtë për Shqipërinë. Të tjerat janë skandale mendore, shprehje e ligësisë që furnizon injorancën me qëllim dhe në funksion vetëm të pushtetit të ca mediokërve që duan me çdo kusht plaçkë në Shqipëri”, u shpreh më herët kryeministri Edi Rama.

/NOA.al

‘I kujtojmë këtij mashtruesi të pështirë se marrëveshja u nënshkrua në Tiranë në 27 prill 2009’ Read More »

‘Ramës dhe qeverisë së tij i ka ardhur fundi’

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion.

Basha tha se SPAK duke mos-vepruar ndaj abuzimeve me koncesionet po inkurajon “vjedhjet dhe abuzimet e tjera me fondet publike”, po favorizon hajdutët.

Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, Basha u bëri thirrje të gjithë sipërmarrësit që synojnë, apo po hyjnë në marrëdhënie kontraktuale me qeverinë “të kenë kujdes”.

“Zotërinj të SPAK, kur ju nuk hetoni, por mbroni, të korruptuarit, ju inkurajoni vijimin e plaçkitjes së shqiptarëve,” – u shpreh Basha.

Kohën e mbetur para zgjedhjeve, Basha e quajti se është “asgjë për një kryeministër të mbaruar”.

“Mbi 100 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës, asnjë masë ekonomike, asnjë masë shëndetësore. Afera qindra miliona euroshe nuk mund të bëhej pa aprovimin e Edi Ramës”.

“Nuk do të censurohej informimi i qytetarëve, nuk do të pengohej hetimi i drejtësisë nëse pas kësaj afere nuk do të qëndronte Edi Rama”.

Buxheti i 2021, – sipas Bashës – është i pavlefshëm.

“Akti i fundit i një qeverie pa legjitimitet. Kushdo që e sheh veten në këtë Buxhet, duhet ta ndjejë veten fajtor”.

“Çdo qindarkë që kjo bandë e babëzitur ka grabitur do t’i merret e do t’u rikthehet shqiptarëve. I bëj thirrje çdokujt që ka ndërmend të hyjë në një marrëdhënie kontraktuale me shtetin në katër muajt e fundit të pushtetit, të ketë kujdes”.

“Zotërinj të SPAK, kur ju nuk hetoni, por mbroni, të korruptuarit, ju inkurajoni vijimin e plaçkitjes së shqiptarëve. Edi Rama është i mbaruar. Opozita do fitojë thellë zgjedhjet dhe do ti kthejë shpresën shqiptarëve”-tha Basha.

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se ka informacione nga brenda ambienteve të inceneratorit të Fierit, ku siç tha ai, situata i përngjan një gjendjeje mafioze.

Basha deklaroi se edhe në buxhetin e vitit 2021, inceneratori i Tiranës do të marrë 11 milionë euro.

“Policia dhe Prokuroria japin informacione të hollësishme për çdo krim ordiner; për aferën e inceneratorëve asnjë informacion”.

“Mos hetimi i SPAK, inkurajon hajdutët të vjedhin më shumë. Buxheti i 2021, inceneratorit të Tiranës i rritet pagesa nga 7 në 11 milion euro. Basha: Gjendja inceneratorit të Elbasanit i ngjan një burgu mafioz. Në ditët e tij të fundit planifikon të marrë 148 milionë dollarë nga xhepat e shqiptarëve. Kjo aferë përball çdo shqiptar me nje bandë që vjedh në kohën e pandemisë. Mbi 100 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës, asnjë masë ekonomike, asnjë masë shëndetësore”.

Gjatë konferencës LIVE të kryedemokratit Lulzim Basha, nga Prokuroria e Posaçme dolën Enkelejd Alibeaj dhe Çlirim Gjata, të cilët në emër të PD, kallëzuan kryeministrin Edi Rama, ministrin Arben Ahmetaj, ish-ministrin Lefter Koka, për “shpërdorim detyre”, “krijim të grupit të strukturuar kriminal” dhe marrjen e masës së sigurimit “pezullim i menjëhershëm nga detyra”.

‘Ramës dhe qeverisë së tij i ka ardhur fundi’ Read More »