Aktualitet

Debati me sekretarin e OMONIA-s: Beleri u zgjodh me votat e opozitës shqiptare, Greqia nuk duhet të ndërhyjë

Analisti Neritan Sejamini deklaroi në emisionin ‘Të Paekspozuarit” se Fredi Beleri u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës me votat e opozitës shqiptare, PD dhe Partia e Lirisë, ndaj dhe çështja ndaj tij nuk mund të trajtohet si etnike. Ndërsa sekretari i organizatës OMONIA, Marin Suli tha se Beleri është shtetas shqiptar dhe ai ka edhe shtetësi greke dhe shteti grek thotë se një shtet që do të vijë në BE po shkel të drejtat e shtetasit të vet dhe të shtetasit tim.

Pjesë nga debati:

Neritan Sejamini: Këtu ka një pikë shumë të rëndësishme. Jam dakord për pasojat që mund të ketë për aktet korruptive që janë marrë nga kryetari në ikje i bashkisë, sepse, nëse z. Beleri do të ishte kryetar bashkie, do të hapte letrat, do të ketë shumë akte. Por unë kurrsesi kundër trajtimit të kësaj si çështje etnike.

Marin Suli: Unë nuk e trajtova si etnike fare.

Neritan Sejamini: Z. Beleri është zgjedhur me votat e opozitës shqiptare. Po të mos ishin votat e PD-së dhe të Partisë së Lirisë, z. Beleri as nuk do t’i ishte afruar pushtetit. Pra ai ka fituar si kandidat i tyre dhe ato janë më të rëndësishme se votat e Omonias. Dhe ky të trejtohet si kandidat i komunitetit grek dhe si përfaqësues i komunitetit grek, kjo nuk ka ku të rrijë. Vetë z, Jorgo Goro është grek etnik, kryetari i bashkisë së Zarës është etnik grek. Ne nuk kemi çështje etnike këtu, nuk është një çështje ku duhet të ndërhyjë Greqia, sepse është kryetari i zgjedhur me votat e opozitës shqiptare.

Marin Suli: Nuk ke pse të kesh merak. Z. Beleri pasi është shtetas shqiptar dhe ka kandiduar për një nga bashkitë e Shqipërisë, ai ka edhe shtetësi greke dhe shteti grek thotë se një shtet që do të vijë në BE po shkel të drejtat e shtetasit të vet dhe të shtetasit tim.

Neritan Sejamini: Nuk janë shkelur të drejtat etnike të shtetasit Beleri. I janë shkelur të drejtat si çdo shqiptari tjetër.

Marin Suli: Janë shkelur të drejtat e shtetasit shqiptar Beleri të 4 mijë shtetasve himarjotë që e kanë zgjedhur dhe i është shkelur e drejta edhe një shtetasi grek.

Neritan Sejamini: E drejta që i është shkelur atij është e drejta për t’u zgjedhur e Kushtetutës shqiptare dhe ai e merr si shqiptar.

Debati me sekretarin e OMONIA-s: Beleri u zgjodh me votat e opozitës shqiptare, Greqia nuk duhet të ndërhyjë Read More »

Berisha në ‘arrest shtëpie’, Ilir Meta tregon nëse ka komunikuar me ish-kryeministrin

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se i ka shprehur solidaritetin ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie

Në një konferencë me gazetaret, Meta thotë arrestimi i Sali Berishës është një përndjekje politike për të goditur opozitarizmin.

Përgjegjës bën Edi Ramën, që sipas tij ka kapur drejtësinë dhe bën presione.

“I kam shprehur soliditetin tim të plotë. Kemi të bëjmë me një përndjekje politike dhe me një përpjekje për të minuar opozitarizmin në vendin tonë. Të gjitha këto diktohen nga Edi Rama përmes kapjes së drejtësisë dhe përmes gjithë presioneve që ai ushtron në këtë drejtim”.

Sa i takon reformës zgjedhore, Meta u shpreh: Ne jemi shumë të qartë sa i takon reformës zgjedhore. Rama nuk ka interes për reformë, sepse nuk ka interes për zgjedhje të lira. Ne mbetemi të hapur për zgjedhje të lira, për garantimin e të drejtë së votës.

Berisha në ‘arrest shtëpie’, Ilir Meta tregon nëse ka komunikuar me ish-kryeministrin Read More »

Largimi masiv i mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria, DW sjell rrëfimet e të rinjve që ikin drejt Gjermanisë

Media gjermane DW i ka kushtuar një dokumentar largimit masiv të mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Ajo ka marrë rrëfimet e disa të rinjve në Tiranë që po ndjekin kurset intensive të gjuhës gjermane dhe më pas të emigrojnë.

“Në Shqipëri është përhapur fjala se sektori gjerman i shëndetësisë dhe kujdesit ka mungesë aftësish. Shumë punonjës të kualifikuar të kujdesit shëndetësor kanë vendosur të largohen për në Gjermani. Në Tiranë, 22- vjeçarja Alketa Kaja po kryen një kurs special të gjuhës gjermane për kujdesin shëndetësor dhe infermierinë për t’u përgatitur për jetën e saj të re. Një klinikë gjermane i ka ofruar një punë dhe po paguan tarifat e kursit”, thuhet në dokumentarin e DW.

Për kontrast nga ana tjetër DW prezanton edhe infermierët në zonat e thella malore të Shqipërisë së veriut, të cilët janë të detyruar të udhëtojnë për orë të tëra në këmbë drejt pacientëve që kanë nevojë.

“Vetëm 50% e punonjësve të kujdesit shëndetësor të trajnuar në Shqipëri mbeten në vend. Njëri prej tyre është Kastriot Qehaja. Edhe pse puna e tij është e mundimshme dhe e paguar dobët, ai nuk dëshiron të largohet nga vendi i tij. Dikush duhet të kujdeset për të moshuarit, fëmijët e të cilëve kanë shkuar për të punuar në Evropën Perëndimore”, tregon DW.

Në dhjetë vitet e fundit mijëra mjekë e infermierë janë larguar nga Shqipëria drejt Gjermanisë për shkak të kushteve të këqija të punës, rrogave të ulëta dhe pamundësisë për të bërë karrierë. Shihni më poshtë dokumentarin e plotë e DW.

Largimi masiv i mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria, DW sjell rrëfimet e të rinjve që ikin drejt Gjermanisë Read More »

Një tjetër festë zyrtare i shtohet Shqipërisë

Qeveria shton ne listën e festave kombëtare, Ditën e Alfabetit, 22 nëntorin. Vendimi u bë me dije nga ministri për Europen dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, këtë të mërkurë.

Shpallja e Ditës së Alfabetit si festë kombëtare zyrtare u njoftua nga kryemnistri Rama gjatë samitit të Diasporës në nëntor 2023.

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministri Hasani njoftoi në deklaratën për media, se Këshilli i Ministrave do t’i propozojë Kuvendit shpalljen e kësaj feste zyrtare.

“Do të miratohet një ndryshim për ligjin për festa kombëtare dhe ditët përkujtimore. Këshilli i Ministrave po propozon Kuvendit shtimin e ditës së alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është ditë me simbolikë të veçantë.

22 Nëntori specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, që janë të shpërndarë në të gjitha vendet e Ballkanit dhe i bashkon gjuha”, tha ministri i Jashtëm Igli Hasani.

Një tjetër festë zyrtare i shtohet Shqipërisë Read More »

Kush është ministrja e re e emëruara nga Rama

Adea Pirdeni pritet të drejtojë Ministrinë për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983. Ajo ka përfunduar studimet në drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, prej të cilit zotëron edhe një diplomë të studimeve Master në të Drejtë Publike. Në vitin 2014 ka fituar titullin Magister Juris (MJur) me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit dhe prej vitit 2016 mban titullin “Doktor në Shkencat Juridike” nga Fakulteti i Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës.

Ajo ka kryer vizita studimore në kuadër të programeve të shkëmbimit pranë Universitetit Humboldt Berlin (Gjermani) dhe pranë Universitetit të Kansasit (ShBA). Që prej vitit 2008, Znj. Pirdeni angazhohet si lektore me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Kushtetuese të Avancuar, të Drejtës së BE dhe të Drejtës Administrative.

Fushat kryesore kërkimore të saj janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes dhe të drejtave të njeriut, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi, për hartimin dhe implementimin e së cilës ajo ka kontribuuar si Eksperte e Sekretariatit Teknik pranë Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Në vazhdën e eksperiencave profesionale, Znj. Pirdeni ka shërbyer ndër vite si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës së Avokatisë së Shqipërisë dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.

Pirdeni ka një bagazh të gjerë angazhimi si eksperte ligjore në një numër projektesh të zbatuara nga institute dhe organizata vendase, si dhe partnerë ndërkombëtarë, me fokus në asistimin në përmirësimin e performancës dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve qendrore të administratës publike, forcimin e kapacitetit për hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit në Shqipëri dhe vendet fqinje në rajon, mbështetje për përgatitjen e përafrimit të legjislacionit për Kapitullin 23 të Acquis-së së BE në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë dhe monitorimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Prej Shtatorit 2020, Adea Pirdeni shërben si zëvendësministre e Drejtësisë e Shqipërisë, duke mbuluar në portofolin e saj kryesisht çështje të integrimit evropian si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 mbi “Gjyqësorin & të Drejtat e Njeriut”, antikorrupsionit dhe kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë.

Kush është ministrja e re e emëruara nga Rama Read More »

Ku janë anëtarat e PD-së? Basha: Një pjesë janë larguar, një pjesë kanë vdekur

Deputeti Lulzim Basha i pyetur mbi numrin e rënë në anëtarëve të grupimit që ai drejton. Basha ka deklaruar se sipas zgjedhjeve të 2021, PD-ja ka 60 mijë anëtarë. Ndërkohë që ka shtuar se disa prej tyre janë larguar nga Shqipëria, ndërsa disa të tjerë dhe kanë humbur jetën.

“Nuk e pranoj premisën e pyetjes suaj, në 2021 kanë marrë pjesë 40 mijë anëtarë, në zgjedhjet e korrikut, 18 mijë anëtarë të PD. Bëhet fjalë në votimin për kryetarin e Partisë Demokratike. 18 mijë kanë marrë pjesë, por në zgjedhjet e 2021, 40 mijë kanë marrë pjesë. E keni të gabuar premisën. PD me regjistrin e 2021, me regjistrin e zgjedhjeve të vitit 2021, arriti të konfirmojë afro 60 mijë anëtarë funksionalë. Një pjesë e tyre janë larguar, një pjesë kanë humbur jetën. Numri total i konfirmuar para zgjedhjeve të 25 prillit, është afro 60 mijë. Ta lëmë me kaq. Askush në Partinë Demokratike nuk përjashtohet se mendon ndryshe nga kryetari. Unë nuk e konsideroj butësi dhe as dobësi, por pjekuri politike. Problemi nuk qëndron këtu, por te agjenda politike e Partisë Demokratike. Nuk bëhet fjalë për agjendë dosido,” tha Basha.

Ku janë anëtarat e PD-së? Basha: Një pjesë janë larguar, një pjesë kanë vdekur Read More »

Edi Rama krijon ministri të re në krye të së cilës ka propozuar si drejtues emrin e Blendi Gonxhe

Kryeministri Edi Rama ka krijuar një ministri të re, atë të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në krye të së cilës ka propozuar si drejtues emrin e Blendi Gonxhe.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një postimi në rrjetin social X, ku shprehet se ka vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës.

Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.

Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës.

Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane.

Edi Rama krijon ministri të re në krye të së cilës ka propozuar si drejtues emrin e Blendi Gonxhe Read More »

Berisha: Të shkërmoqim ëndrrën e Edi Ramës të Shqipërisë pa opozitë. Të rinjtë do të marrin në dorë fatin e Shqipërisë

Nga ballkoni i shtëpisë së tij, ku është në arrest shtëpie, Berisha përshëndeti qindra të pranishmit që ishin mbledhur në shi për të protestuar.

Berisha: Ju dëgjoj shpesh me të drejtë të flisni për të huajt që na përkrahin, nuk na përkrahin.Do të ju tregoj një gjë shumë të veçantë dhe mos e harroni kurrë.

Në 2 korrik të vitit 1990, të rinjtë, më të varfrit e kryeqytetit, në tërësi punëtorë, u vërsulën si luanë mbi muret e ambasadave, hynë në oborr të tyre, pra defakto shemb murin e Berlinit në Tiranë.

Një diplomat gjerman që bëri gjithçka për suksesin e tyre, që bëri gjithçka që shqiptarët të ndiqnin shembullin e tyre, dhe diktatura të kishte menjëherë fatin e diktaturave të tjera komuniste, shkruan se; unë nuk kisha mbështetje as te kolegët e mi në Tiranë dhe as te qeveritarët e mi në Bon. Dhe mbeta pothuajse i vetmuar.

Pra ju tregova këtë shembull se ne për tu mbështetur, duhet të sakrifikojmë shumë, duhet të tregojmë se jemi ne që vendosim për liritë tona.

Se jemi ne që nuk lejojmë kurrë një Shqipëri pa opozitë.

Se jemi ne që nuk pranojmë kurrë një diktaturë bande.

Se jemi ne që do të votojmë me çdo çmim të lirë dhe do të shikoni ju miqtë e mi, se si prozhektorët nga të katër anët do të vërshojnë mbi ne.

Ndaj dhe ne të bëhemi kështu, shpresa e vërtetë e shqiptarëve, drita e vërtetë e shqiptarëve, por të bëhemi gjithashtu një frymëzim për të gjithë ata që vuajnë në diktaturat të cilat duan gjithnjë një vend pa opozitë.

Të shkërmoqim, të rrënojmë ëndrrën e Edi Ramës të Shqipërisë pa opozitë.

Edi Rama nuk e toleron opozitën, Edi Rama nuk e toleron kritikat, Edi Rama nuk e toleron mendimin ndryshe.

Sot ai e ka katandisur partinë e krimit në një parti identike, mos më keq, se dikur Partia e Punës së Shqipërisë.

Miqtë e mi, ato seli mbjellin, krim, drogë, vjedhje, janë selitë e krimit.

Ndaj dhe thirrja ime për të rinjtë e këtij vendi, shkëputuni nga orbita e indiferencës sepse ajo orbitë po ju largon ju çdo ditë nga Shqipëria dhe Shqipëria çdo ditë vajton, lëngon, përlotet për të rinjtë e saj që nuk i ka më.

Le të themi ne tani; mjaft më, të rinjtë do të marrin në dorë fatin e shoqërisë shqiptare, fatin e Shqipërisë.

Të përballemi në një betejë, në të cilën ju garantoj se përballë nesh kemi kalbësira, dhe vetëm kalbësira.

Berisha: Të shkërmoqim ëndrrën e Edi Ramës të Shqipërisë pa opozitë. Të rinjtë do të marrin në dorë fatin e Shqipërisë Read More »