Aktualitet

Raporti i MEPJ: Shqipëria i ka përmbushur kushtet për integrimin në BE

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka publikuar ditën e sotme raportin për vitin 2017 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në raportin e plot të MEPJ-së thuhet se Shqipëria në tërësi ka përmbushur kushtet. Mes të tjerash në dokumentin në fjalë thuhet se ka vijuar procesi i përafrimit të legjislacionit tonë me BE, ndërsa reforma në drejtësi është një nga reformat më të thella të ndërmarra.

Gjithashtu nënvizohet fakti se vettingu ngelet një nga pikat kyçe për hapjen e negociatave, ku shpesh herë është folur për në pranverë do të ketë diçka konkrete.

Raporti i MEPJ: Shqipëria i ka përmbushur kushtet për integrimin në BE Read More »

Shqiptari Ermal Meta fiton festivalin e Sanremos në Itali

Festivali i Sanremos në Itali që u zhvillua këtë të shtunë (deri në orën 01.25 të së dielës) ka njohur një zë brilant, atë të shqiptarit Ermal Meta, i cili bashkë me kengëtarin italian Fabrizio Moro u futën si një nga tre këngët më të mira të këtij edicioni në Sanremo.

Kënga e tyre ishte “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë). Në finale ishin edhe Analissa dhe grupi “Stato Sociale”, por pas votimit final për këngën fituese ndër tre finalistët, festivalin e Sanremos e fitoi Ermal Meta dhe Fabrizio Moro.
VIDEO E KENGES FITUESE

 

VIDEO/MOMENTI I SHPALLJES SË FITUESIT TË ÇMIMIT TË PARË

 

Image

Këngëtari shqiptar Ermal Meta bashkë me Fabrizio Moron kanë dalë në konferencë për mediat pasi morën çmimin e parë të festivalit të Sanremos.

Më duket e pabesueshme, pasi ishim të bindur që do të arrinim të 3-të.

Kisha 3 vite që punoja për diçka të tillë.

Jam shumë i lumtur, jo vetëm sepse morëm çmimin e parë, por për mesazhin që jep kjo këngë’, është shprehur Ermal Meta.

Duke komentuar pezullimin dhe më pas rikthimin në festival, këngëtari shqiptar është shprehur se ‘gjithçka shkoi në vendin e vet’.

Mesazhi i këngës së shqiptarit që fitoi Sanremon dhe u kthye hit

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro, me këngën e tyre “Non mi avete fatto niente”, kanë triumfuar në Festivalin e Sanremo-s në Itali. Në komentin e parë pas marrjes së çmimit, Ermal Meta tha se ja dedikonte këtë fitoren precedentit të tij dhe  “atyre që më mbështetën, kur shumë të tjerë mendonin se nuk do ja dilja”.

Përveç çmimit të parë, Ermal Meta dhe Moro, fituan dhe çmimin “Tim Music” në Sanremo 2018. Ky çmim jepet për këngën që është dëgjuar më shumë në rrjetet sociale dhe youtube. Në vetëm dy ditë kënga e tyre arriti në 4 milionë klikime duke u bërë një hit i padiskutueshëm në Itali, por jo vetëm.

Kritika e Sanremos e vlerësoi këngën për zërin e këngëtarëve, muzikën, por edhe mesazhin.

Teksti është revoltë për botën e goditur nga terrorizmi. Titulli “Nuk më keni bërë asgjë” ka marrë spunto nga masakra e Parisit, në vitin 2015, në lokalin “Bataklan” ku gjatë një sulmi terrorist u vranë 89 të rinj dhe banda e rrokut që këndonte në lokal. Një ditë më pas, në homazhet para lokalit ishte bashkë me lulet ishte vendosur një mbishkrim i të afërmeve të viktimave: “Nuk më keni bërë asgjë”. Ky mesazh i fortë i përcjellë me zëri brilant të këngëtarëve dhe muzikën e përkryer bëri që kënga të vlerësohej si më përfaqësuesja e Sanremo 2018.

Pas shumë polemikave këtë edicion të festivalit, Meta dhe Moro kanë arritur të lënë gjithçka pas krahëve dhe me performancat e tyre të jashtëzakonshme fituan zemrat e italianëve duke i bërë më të votuarit në këtë festival.

“Non mi avete fatto niente” u pezullua përkohësisht për dyshim të thyerjes së rregullores së Festivalit, por pas vlerësimeve, “Rai” doli në përfundimin që kënga të vazhdonte garën, nga e cila dy këngëtarët u larguan si triumfues.

Shqiptari Ermal Meta fiton festivalin e Sanremos në Itali Read More »

Zbardhet Pakti me Greqinë, Shqipëria merr blloqet “Joni 1” e “Joni 2”

Top Channel citon “burime diplomatike në Athinë, se marrëveshja e re e detit parashikon ndarjen e hapësirës detare me parimin e vijës së mesit.

Në ngushticën mes dy vendeve, që është 1.8 milje detare, 0.6 milje i takojnë Shqipërisë, 0.6 milje Greqisë dhe 0.6 milje janë ujëra ndërkombëtare. Në pjesët e tjera aplikohet vija e mesit, duke llogaritur edhe një hapësirë për lundrim ndërkombëtar, distanca këto të bazuara në Konventën Ndërkombëtare të Detit.

Përsa i përket zgjatimit të sovranitetit grek me 12 milje, sikundër tha edhe ministri i Jashtem grek, Nikos Kotzias, ajo do të bëhet nga të dy vendet njëkohësisht.

Në marrëveshjen mes dy vendeve, të përfunduar në Kretë, por të detajuar përfundimisht në Korçë sqarohet se llogaritja e 12 miljeve do të bëhet nga ishulli i fundit i banuar në 1913, periudhë që mes dy vendeve është caktuar një vijë e përafërt kufitare.

12 miljet greke do të aplikohen nga ishulli i Otonos dhe Mandraqi dhe jo nga fari i fundit në Veri, si në marrëveshjen e 2009. Marrëveshja do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare të detit për përdorimin e fareve, sipas të cilës faret dhe shkëmbinjtë, ose ishujt ku ata janë ndërtuar, i jepen për administrim vendit që i ka ndërtuar.

Statusi territorial i këtyre fareve dhe i ujërave që i rrethojnë ata, nuk referon pikë nisjeje të 12 miljeve, ose vijës së mesit, siç ishte vendosur në marrëveshjen e 2009, me shkëmbin Bakreta në Ngushticën e Ksamilit, duke i dhënë Greqisë 3/4 e hapësirës detare. Pala greke thotë se me mënyrën e re të matjes dhe pikat referuese të vendosura nga Bushati dhe Kotzias në Kretë, Shqiperia rivendos sovranitetin në atë pjesë detare që humbi me marrëveshjen e 2009.

Mes dy vendeve do të ripërcaktohet zona ekskluzive ekonomike. Shqipëria do ta zgjerojë atë në drejtim të perëndimit drejt kuadrateve “Joni 1” dhe “Joni 2”, të cilat në bazë të marrëveshjes së 2009 i merrte Greqia.

Studimet gjeologjike të kryera që në vitet 1960 prej gjeologëve rusë dhe shqiptarë, por edhe kërkimet e kryera në vitet 2013- 2015 prej kompanive norvegjeze, konfirmojnë se atje gjendet naftë dhe gaz, si vazhdim i fushës naftëmbajtëse Patos-Marinëz-Vlore.

Burimet thanë se Greqia dëshiron një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes, pasi dëshiron aplikimin e precedentit të përcaktimit detar me Shqipërinë ta përdorë si bazë në fazën përfundimtare të negociatave për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Izraelin, Qipron, Libinë dhe Egjiptin.

Ky precedent mund të përdoret politikisht prej saj në një negociim të mundshëm për kufirin detar me Turqinë për vendosjen e sovranitetit grek në Egje.

Siç dihet, Greqia ka kontrollin e ishujve në pothuaj gjithë Egjeun të bazuar në Traktatin e Lozanës, çka kohët e fundit kontestohet prej Presidentit turk Erdogan.

Pikërisht “frika” që Athina ka prej influencës së Presidentit turk në politikën shqiptare, e bën këtë marrëveshje edhe më emergjente, theksojnë burimet e Top Channel në Athinë.

Kjo marrëveshje referon një koordinatë për nisjen e punës për kufirin tokësor. Greqia dhe Shqipëria nuk kanë ende një vijë kufitare të përcaktuar vetë, që prej vitit 1914, kur vija ekzistuese u vendos nga fuqitë e mëdha”.

Zbardhet Pakti me Greqinë, Shqipëria merr blloqet “Joni 1” e “Joni 2” Read More »

Patatja mbetet për derrat

Kultivimi në masë i patates në fushën e Korçës është shoqëruar me bllokimin e tregut të shitjeve për fermerët. Tonelata të tëra me këtë kulturë kanë mbetur stok në magazinat e prodhuesve në Njësinë Administrative Pojan. Fermerët për vite të tëra kanë qenë të orientuar drejt mbjelljes së patates pavarësisht se vazhdimisht përballen me vështirësi për tregëtimin e saj.

Situata këtë vit është rënduar edhe më tepër pasi pavarësisht çmimit ata nuk po arrijnë ta shesin dhe puna e tyre po përfundon në ushqim për bagëtitë. Shkak për këtë situatë duket se është konkurrenca pasi importi nga vendet e tjera shoqërohet me çmime më të ulëta

Fermerët së bashku kanë apeluar për zgjidhjen e kësaj situate pasi sipas tyre kanë vetëm një muaj kohë për të tregëtuar pataten, në të kundërt ajo do të kalbet dhe du tu duhet ta hedhin.

Patatja mbetet për derrat Read More »

“Ross” zbarkon në Vlorë, anija ushtarake e SHBA në brigjet shqiptare

Anija e flotës ushtarake amerikane, “Ross” ka mbërritur në Gjirin e Vlorës në kuadër të një nisme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë si dhe përkushtimin e të dy vendeve për stabilitetin në rajon.

Anija do të qëndrojë tre ditë për një program të bashkëpunimit ushtarak dypalësh.

Në ceremoninë e mbërritjes ishin të pranishëm zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ambasadori amerikan Donald Lu, si dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura shqiptare.

Anija “Ross” ka në bord një ekuipazh prej 350 vetë dhe ka qenë pjesë e dhjetëra operacioneve ushtarake, ku më i fundit i tyre në Siri.

Pas Shqipërisë, anija do t’i drejtohet Spanjës dhe më pas SHBA.

“Ross” zbarkon në Vlorë, anija ushtarake e SHBA në brigjet shqiptare Read More »

Vetting për ish-punonjësit e policisë, Hodaj: Janë 3 faza procesi

Vettingu në Polici për 13 mijë punonjës, ka bërë jehonë edhe në mediet e huaja, aty ku theksohet se përmes këtij procesi që pritet të zgjatë deri në 15 muaj, do të jetë jetë një pastrim nga “mollët e kalbura”.

Ky proces do të kalojë në 3 faza ku punonjësit nga grada më e lartë deri ata me nivel zbatues, do të kalojnë në 3 komisione. Vetting do të ketë edhe për ish-punonjësit e policisë, mjafton që ata të mos kenë qenë të përjashtuar. Për të rinjtë që do të futen rishtas në polici, do të duhet që në krye të herës të dorëzojnë dokumentet për pastërtinë e figurës dhe deklaratën e pasurisë.

Po ashtu do të jenë pjesë e një vlerësimi periodik një herë në 3 vjet. Projektligji i jep mundësinë policëve që të mos i nënshtrohen procesit të Vettingut. Brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji ata mund të japin dorëheqjen me shkrim duke mos iu nënshtruar Vettingut.

Ndërsa ata që i nënshtrohen Vettingut dhe nuk e kalojnë, do të përjashtohen nga policia dhe do të ndiqen penalisht. Të gjithë ata që nuk do të mund të kalojnë Vettingun, kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës nëse nuk janë dakord me këtë vendim.

Vetting për ish-punonjësit e policisë, Hodaj: Janë 3 faza procesi Read More »

Llalla tërhiqet nga e drejta për të qenë gjyqtar

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka kërkuar që të mos jetë subjekt i ligjit të Vettingut. Përmes një kërkese drejtuar organeve të Vettingut, Llalla njofton se dorëhiqet nga sistemi i drejtësisë. Kësisoj, Llalla tërhiqet nga e drejta për të qenë gjyqtar i Apelit.

Tërheqja nga sistemi i drejtësisë bën që procesi i Vettingut ndaj Llallës të ndërpritet, por për këtë çështje do vendosë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nëse Llalla do i shpëtojë apo jo Vettingut për pasurinë dhe integritetin profesional. Llalla bën pjesë në listën prej 56 personave që po kalon në filtrin e Vettingut.

Adriatik Llalla është akuzuar publikisht pak kohë më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë si Prokurori që refuzoi të hetojë politikanët e korruptuar. Akuza në drejtim të Llallës ka pasur edhe nga maxhoranca për “kyçjen” e disa dosjeve të krimit dhe korrupsionit në vend.

Mandati i tij si Kryeprokuror përfundoi në datën 7 dhjetor 2017, ndërsa në 18 dhjetor Kuvendi zgjodhi si pasuese të Llallës, por me mandat të përkohshëm, ish-prokuroren e Shkodrës, Arta Marku.

Llalla tërhiqet nga e drejta për të qenë gjyqtar Read More »

Xhafaj i pakënaqur me policinë e Vlorës: Disa ngjarja ende pa autorë

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ishte në Vlorë ku shprehu shqetësimin se disa ngjarje kriminale janë ende pa autorë.

Xhafaj ka thënë gjithashtu se prioritet mbtet lufta ndaj krimit të organizuar dhe grupeve kriminale. Ministri Xhafaj shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu dhe Drejtori Vendor Gentian Sheha.

“Konstatojmë me keqardhje se disa ngjarje kriminale në Vlorë kanë mbetur ende pa autor. Kjo është shqetësuese. Nuk jemi të kënaqur me punen e drejtorisë vendore në Vlorë. Besoj se drejtori i Përgjithshëm do të marrë masat e duhura. Në Vlorë ka disa ngjarje kriminale dhe vrasje të pazbuluara çka nuk ndodh ne qarqet e tjera, ka thënë Xhafaj në analizën e punës së Drejtorive Vendore të Policisë Vlorë dhe Fier.

Xhafaj i pakënaqur me policinë e Vlorës: Disa ngjarja ende pa autorë Read More »