Aktualitet

“Gabimi”, ndalohet i pafajshmi dhe lihet i lirë fajtori

“Fiks Fare” denoncoi këtë të mërkurë sesi nga një “gabim” i Policisë Kufitare, një qytetari i është ndaluar e drejta të dalë jashtë shtetit. Durim Muslia, nga Puka, është ankuar në “Fiks Fare” se Policia Kufitare ka falsifikuar dokumentet në emrin e tij, duke mos e lejuar për të dalë jashtë shtetit dhe duke favorizuar personin që ka bërë shkeljen.

Në dhjetor të vitit 2017 ka dashur të shkojë në Itali për pushime. Kur ka shkuar në pikën e kalimit kufitar, ai nuk është lejuar nga policia shqiptare të kalonte kufirin, pasi rezultonte se në vitin 2015 ishte deportuar nga Maqedonia me dokumente false.

Ai ka shpjeguar se nuk ka qenë asnjëherë në Maqedoni, por kjo nuk e ka bindur policinë. Pas refuzimit, ai i është drejtuar Departamentit të Kufirit me shkresë zyrtare për të sqaruar këtë situatë. Ata i kanë thënë se nga verifikimi rezulton se ka qenë pikërisht ai, personi që është deportuar nga Maqedonia.

Por vet qytetari thotë se nuk ka qenë asnjëherë në Maqedoni, e madje për datat kur pretendohet se ai ka qenë në Maqedoni rezulton se ka qenë në punë, kjo e vërtetuar me plan shërbimi dhe me vërtetim nga puna. Gjithsesi ende nuk ka gjetur një zgjidhje, ndaj i është drejtuar emisionit “Fiks Fare”.

Sipas përgjigjes që ka marrë qytetari, rezulton se historia ka nisur më 14 qershor të vitit 2015 në pikën kufitare të Tushemishtit, kur policia maqedonase ka njoftuar policinë shqiptare se ka kapur një shqiptar me pasaportë false dhe leje drejtimi mjeti false, në emër të qytetarit Gentjan Cakani.

Policia maqedonase ka intervistuar të ndaluarin, i cili ka deklaruar se quhet Durim Hysni Muslia, i lindur më 19 janar 1984 në Pukë dhe banues në Durrës. Policia shqiptare pretendon se ka verifikuar në sistemin “TIMS” dhe ka konkluduar se personi i ndaluar në Maqedoni kishte ngjashmëri me shtetasin Durim Gjin Muslia, i lindur më 20 mars 1987.

Disa ditë më vonë, më 25 qershor të vitit 2015, në orën 19:00 është deportuar shqiptari i ndaluar, i cili ka kryer dënimin me 8 ditë burgim në Maqedoni. Madje, ditën e deportimit, policia maqedonase ka sjellë dhe një fotokopje të fotografisë së personit të deportuar.

Ndërsa policia shqiptare ka verifikuar të dhënat në sistemin “TIMS” dhe ka intervistuar të deportuarin. Nga verifikimet, sipas policisë ka rezultuar se personi i deportuar është Durim Gjin Muslia, pra personi që është ankuar në “Fiks Fare”, dhe jo Durim Hysni Muslia, siç e kishte identifikuar pala maqedonase.

Prandaj, Departamenti i Kufirit dhe Migracionit ka deklaruar se nuk mund të procedojë më tutje për të ndrequr këtë gabim.

Pas kësaj përgjigjeje nga policia, “Fiks Fare” nisi verifikimin në çdo institucion për të vërtetuar nëse Durim Musliaj, që ankohet, është i njëjti person që është deportuar, siç pretendon policia shqiptare, apo është një tjetër person.

Fillimisht, qytetari dhe “Fiksi” shkuan në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit, në Korçë. Drejtoria e Policisë së Korçës i thotë qytetarit se nuk mund t’ia zgjidhin çështjen, pasi duhet t’i drejtohet gjykatës. Qytetari shkon edhe në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, por i thonë se nuk mund të bëjnë asgjë, pavarësisht se ai jep edhe shenjat e gishtave për të vërtetuar se nuk ka qenë ai që është deportuar nga Maqedonia.

Me që policia shqiptare është e bindur se qytetari që ankohet është ai që është deportuar, “Fiks Fare” shkoi edhe në Maqedoni. Bashkë me qytetarin, “Fiksi” kaloi në pikën kufitare të Tushemishtit, ndërkohë që policia nuk e ndalon, pavarësisht se ka një urdhër refuzimi.

Më pas, “Fiksi” shkoi në Ohër dhe takoi drejtorin e Burgut në këtë qytet, Haxhi Rizvani. Ai shikon dosjen e personit Durim Muslia, që është dënuar në Maqedoni, dhe vërteton se nuk është i njëjti person që ka probleme me policinë shqiptare.

Duke qenë se këtë dosje nuk mund ta japë pa leje nga gjykata, bashkë me drejtorin, “Fiksi” shkoi te qytetari. Gjatë prezantimit, gazetari i “Fiksit” e pyeti drejtorin nëse ishte apo jo ky person, ai që ka vuajtur dënimin, por drejtori i Burgut deklaroi se nuk është i njëjti person.

“Fiks Fare” arriti të sigurojë një foto të personit të dënuar në Maqedoni. Pas fotos u bënë verifikime edhe në Gjendjen Civile, ku rezulton se në Shqipëri nuk ekziston vetëm Durim Gjin Muslia, por edhe Durim Hysni Muslija. Pra ndryshojnë atësia, datëlindja dhe mbiemri me një shkronjë, e duke ballafaquar foton që disponon burgu maqedonas me sistemin “TIMS” në Shqipëri, rezulton se personi i deportuar është Durim Hysni Muslija dhe jo Durim Gjin Muslia.

Për këtë arsye, në kthim nga Maqedonia, gazetarët e “Fiksit” biseduan edhe me oficerin e policisë shqiptare. Ky i fundit deklaroi se problemi mund të zgjidhet vetëm kur të gjendet personi, i cili ka dhënë të dhënat e personit që ankohet në “Fiks Fare”. Mbi këtë rast, “Fiks Fare” pyeti edhe Ministrinë e Brendshme, por nuk mori një përgjigje prej saj sesi ka ndodhur ky “gabim”, e nëse ka qenë me dashje, apo nga ndonjë ngatërresë e punonjësit të policisë.

“Gabimi”, ndalohet i pafajshmi dhe lihet i lirë fajtori Read More »

Zv/kryeministrja Mesi sulmon drejtorin e Emergjencave Premçi

Përmbytjet e javëve të fundit në Shkodër kanë shfaqur në publik dhe përplasjen e ashpër brenda institucioneve të mazhorancës. Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi dhe zëvendëskryeministrja, Senida Mesi kanë kundërshtuar njeri-tjetrin lidhur me situatën alarmante që është në këtë qark, si pasojë e përmbytjeve.

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi ka bërë thirrje që në mbledhjet e Komisionit të Emergjencave në Shkodër të jetë edhe prokurori i rrethit. Ai deklaroi se Prokuroria duhet të hetojë punimet që janë kryer në disa rrugë të kësaj zone. Sipas tij, cilësia e dobët e punimeve kryesisht në rrugën e Velipojës ka sjellë dhe situatën alarmante të përmbytjeve.

Prençi deklaroi se rrezikohen që argjinaturat të çahen për shkak të nivelit të lartë të ujit dhe se ato duhet të monitoroheshin 24 orë. “Është e pafalshme që të ndërtohet një rrugë si ajo e Velipojës pa marrë parasysh përmbytjet e vitit 2010. Punimet duhet të ndalen urgjentisht dhe prokuroria të nisë një hetim për punimet në rrugën e Velipojës. Punimet të fillojnë pasi prokuroria të përfundojë hetimet për rrugën e Velipojës. Investimi në rrugën e re të Velipojës është skandaloz. Të thirret në këtë tryeze edhe Benet Beci.”
– tha Prençi.

Drejtori i Emergjencave deklaroi se në disa zona të prekura në Shkodër duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Por edhe pse përfaqësuesi i qeverisë për emergjenca e cilëson situatën si alarmante, i njëjti vlerësim nuk është bërë nga ana e Qeverisë. Konkretisht Zëvendëskryeministrja, Senida Mesi deklaroi sot se nuk është nevoja që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Ajo ka sulmuar direkt dhe drejtorin e institucionit qeveritar Shemsi Premçi.

“Nuk dua te merrem me deklarata emotive. Gjendja po vlerësohet, inxhinierët e firmave janë në terren. Nëse rruga ka problematika ato do rishihen dhe do zgjidhen. Situata është e tillë që po e menaxhojmë. Te gjitha strukturat janë në terren. KESH ka akorduar 10 mln lekë të reja për këto banore si ndihme për nevojat që kanë”,– tha zv/kryeministrja, Mesi.

Në replikat e institucioneve bie në sy jo shqetësimi për banorët, por halli i sherreve mes qeveritarëve. Premçi sulmoi publikisht kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, i cili drejton institucionin që është përgjegjës për ndërtimin e rrugëve ku kanë ndodhur përmbytjet. Në vend të marrjes së masave për përmbytjet, qeveria dhe konkretisht zv/kryeministrja nuk merret me banorët, por me drejtorin e emergjencave civile.

Përmbytja në Shkodër veç problemeve të zakonshme me emergjencat po nxjerr dhe themelet dhe problemet reale të qeverisjes. Por pyetur në zyrat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit në lidhje me çfarë ka thënë Shemsi Premçi, thonë se rruga e Velipojës nuk ka asnjë lidhje me përmbytjet në Shkodër.

Nuk dihet nëse do ti qëndrojë akuzës së tij drejtori i Emergjencave, Premçi apo ka marrë ndonjë kërcënim nga kryeministrit dhe do ta ndryshojë qëndrimin e tij shprehur live në media.

 

Zv/kryeministrja Mesi sulmon drejtorin e Emergjencave Premçi Read More »

Kosovë, arrestime deputetësh në sallën e Kuvendit

Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Prishtinës dha urdhër për arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes, që hodhën pak më parë gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, kur pritet të miratohet demarkacioni.

Pas urdhrit, Policia e Kosovës ka filluar të arrestojë deputetët në sallën e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka bërë të ditur se edhe Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që të përjashtohen pesë deputetët, Xhelal Sfeçla, Fitore Pacolli, Drita Millaku, Salih Zyba, Librun Aliu. Këta pesë deputetë gjuajtën dy herë radhazi me gaz lotsjellës, kur pritej që marrëveshja e demarkacionit të dilte për votim. Seanca u ndërpre dy herë.

Kosovë, arrestime deputetësh në sallën e Kuvendit Read More »

Presidenti Meta: Të hapen sa më parë negociatat e anëtarësimit me BE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Komitetin e Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Këshillit të BE-së, të përbërë nga ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Presidenti Meta theksoi se politika e jashtme dhe e sigurisë së Shqipërisë është plotësisht e harmonizuar me Bashkimin Evropian, dhe se e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin operacional dhe strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në përballjen me sfidat dhe rreziqet e sigurisë.

Ai vuri në dukje rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dy dhe shumë palësh, duke çmuar se ky është një kontribut i drejtpërdrejtë për të ardhmen evropiane të vendit dhe të të gjithë rajonit.

Kreu i Shtetit ripërsëriti kërkesën unanime në emër të të gjithë aktorëve institucionalë dhe politikë në vend drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke siguruar për vazhdimin e reformave në 5 prioritetet kyçe.

Presidenti Meta: Të hapen sa më parë negociatat e anëtarësimit me BE Read More »

Thaçi: Dhuna e patolerueshme, pamje e tmerrshme për Kosovën në botë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj veprimeve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët hodhën dy herë gaz lotsjellës në momentin kur po tentohej të votohejMarrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka thënë se dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe është pamje e tmerrshme për Kosovën në botë.

“Dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe pamje e tmerrshme për Kosovën në botë.

I ftoj deputetët që të vazhdojnë me punën e tyre, pavarësisht taktikave të rrezikshme të kundërshtarëve të liberalizimit të vizave. Demarkacioni duhet të kaloj sot.

Kjo është ajo që e presin qytetarët e vendit, pa dallim partie apo etnie. Votimi i demarkacionit nënkupton lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mjaft kemi humbur tre vjet me kauza të rrejshme, që po mbajnë Kosovën dhe qytetarët të izoluar.

Tani është momenti i së vërtetës dhe i veprimit. Vendimi i deputetëve pro ratifikimit të marrëveshjes është vullnet i qytetarëve që duan t’i përqafojnë vlerat evropiane.

Mos lejoni që të sfidoheni nga askush, sidomos jo nga ata që duan ta mbajnë Kosovën larg vlerave evropiane dhe të izoluar.” shkruan Thaçi në facebook.

Thaçi: Dhuna e patolerueshme, pamje e tmerrshme për Kosovën në botë Read More »

Studiuesit ngrenë alarmin – Zbulohen prezencat e errëta gjatë gjumit

E pranojmë të gjithë, është e vështirë të gjesh dike që nuk ka përjetuar gjëra të çuditshme përveç ëndrrave. Disa kanë parë veten në ajër, disa janë zgjuar poshtë krevatit, e disa kanë dalë somnambul në mes të rrugës…Si qëndron e vërteta? BrightSide ka bërë një përmbledhje të këtyre eksperiencave të frikshme aq sa ka pasur raste që nga frika dhe ankthi gjatë këtyre përjetimeve, disave iu është ndalur zemra së rrahuri.

1- Paraliza e gjumit. Si ndihesh: Zgjohesh gjatë natës dhe nuk mund të lëvizësh. Përjeton halucinacione të frikshme dhe një ndjenjë se dikush tjetër ndodhet në dhomë. Në antikitet, ky fenomen lidhej me ligësitë e shpirtrave të këqij. Pse ndodh: Zakonisht, kur flemë gjumë muskujt paralizohen edhe pse truri është i zgjuar. Përafërsisht 7% e popullsisë kanë përjetuar paralizë gjumi së paku një herë në jetë. Ata thonë kjo gjë ka më shumë gjasa të ndodhë kur fle me shpinë.

2- Halucinacione. Kur je në prag të fjetjes por në të vërtetë je ende zgjuar, sheh pamje të çuditshme. Shpesh janë të lidhura me pamje të frikshme dhe krijesa të fantazuara. Pse ndodh kjo: Kjo është një nga disa lloje të halucinacionit që mund të kenë edhe njerëzit e shëndoshë mendërisht. Fëmijët e përjetojnë më shpesh dhe për këtë ata kanë frikë të flenë. Halucinacione të tilla mund të jenë për shkak të stresit ose thjesht një imagjinatë e mirë. Pamjet e frikshme shfaqen gjithashtu edhe kur je në shtrat në gjendje të dehur.

3- Të flasësh në gjumë. Zakonisht, personi që vuan nga somniloquy (një term për të folurit në gjumë) nuk ka asnjë ide për këtë. Ky fenomen nuk është i rrezikshëm psikologjikisht, edhe pse mund të nxjerrë të gjitha sekretet. Burrat dhe fëmijët janë më të prirur për këtë ndodhi dhe arsyeja është stresi. Psikika e personit po përpiqet të rezistojë atë që ai ose ajo nuk pajtohet me realitetin.

4- Shkëputesh nga ëndrra por prap je në ëndërr. Sheh një ëndërr, pastaj zgjohesh por kupton se gjëra të çuditshme vazhdojnë të ndodhin, rezulton se je përsëri në ëndërr. Ky përjetim u shfaq edhe në filmin Incepsion, pas suksesit të filmit shumë njerëz thanë se e kishin përjetuar këtë fenomen. Esotericistët besojnë se nëse përjeton një gjë të tillë tregon predispozitën qe ke ndaj praktikave shpirtërore, shkenca zyrtare nuk mund të shpjegojë pse ndodh kjo.

5- Të ecësh në gjumë. Kjo është e kundërta e paralizës së gjumit vetëdija është në gjumë, por paraliza e muskujve nuk ndodh. Njerëzit mund të ecin, të pastrojnë vendin ose të largohen nga shtëpia, e cila shpesh është shumë e rrezikshme. Në mëngjes, ata nuk kujtojnë asgjë. Somnambulizmi ndodh në rreth 4.6-10.3% të popullsisë, me fëmijë të prekur më shpesh. Shkaku është ende i panjohur, siç janë edhe metodat e trajtimit.

6- Sindroma e ndjenjës se koka po shpërthen. Ndjesi se koka po shpërthen, edhe dëgjon një zhurmë të madhe si helikopter. Mund të shoqërohet edhe me drita të forta të bardha. Fenomeni nuk është i rrezikshëm, por i tmerron njerëzit. Disa mendojnë se kanë pësuar goditje në tru. Kjo ndodh për një arsye, rritet aktiviteti nervor në fushat e trurit përgjegjës për përpunimin e zërit. Pas ndodh kjo, nuk të flihet më. Nuk ka mjekim për këtë.

7- Apnea. Apnea e gjumit është një ndalesë e papritur e frymëmarrjes në ëndërr. Personi zgjohet si rezultat i kësaj. Cilësia e gjumit zvogëlohet, truri përjeton uri ndaj oksigjenit dhe është shumë e vështirë të flesh. Presioni arterial gjithashtu luhatet gjatë një sulmi, i cili mund të shkaktojë probleme në zemër. Pse ndodh: Gjatë gjumit, muskujt e faringut çlodhen, gjë që nganjëherë çon në bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes. Trashja, pirja e duhanit dhe mosha e vjetër rrisin rrezikun. Mund të mbani në dhomë shkopinj me aroma të ndryshme.

8- Përsëritje e ëndrrave. Ndoshta të gjithë kanë pasur ëndrra të çuditshme të përsëritura, të cilat vazhdimisht riprodhojnë të njëjtën skenë. Pse ndodh? Psikologët besojnë se truri ynë përdor ëndrra të tilla për t’i kushtuar vëmendje diçkaje që nuk e kemi vërejtur në jetën tonë të përditshme. Këto tregime do të kthehen derisa situata të zgjidhet.

9-Fjetja është e ngjashme me vdekjen, rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja ngadalësohen, tensioni i muskujve zvogëlohet. Truri “merr frikën”, e percepton këtë si një vdekje të vërtetë, dhe kontrollon nëse personi është i gjallë, duke dërguar impulse tek muskujt.

10- Ky është një fenomen neuropsikologjik gjatë së cilës një person, gjysmë në gjumë dhe gjysmë i zgjuar, e sheh veten jashtë trupit të tij. Për mistikët dhe okultistët, kjo konfirmon ekzistencën e shpirtit. Fenomeni është shumë vështirë për t’u studiuar. Ndërsa shkencëtarët e dinë se ekziston iluzioni për të dalë nga trupi, nuk është e qartë se si funksionon dhe pse lind. Është gjithashtu e paqartë se si të merren me këtë.

11-Ndonjëherë nuk mund të gjejmë një zgjidhje për një problem për një kohë të gjatë, dhe kështu ne vazhdimisht mendojmë për të. Dhe pastaj, në një ëndërr, truri na jep një çelës. Tani pjesa më e rëndësishme është ta mbani mend atë. Dmitri Mendeleev, një kimist rus, ishte i fiksuar me krijimin e një tabele periodike të elementeve dhe pastaj e pa atë në një ëndërr. Diçka e ngjashme ka ndodhur me kimistin August Kekule kur ai ëndërronte për një formulë për benzinën. Ndonjëherë e pandërgjegjshmja jonë tashmë e di përgjigjen, megjithëse ende nuk ka arritur vetëdijen. Gjatë gjumit, nënndërgjegjja është më aktive dhe mund të ofrojë njohuri.

Studiuesit ngrenë alarmin – Zbulohen prezencat e errëta gjatë gjumit Read More »

Veliaj thyen rekordin, pema e 100 mijtë u mboll nga myftiu i Tiranës

Në ditën botërore të pyjeve, Bashkia e Tiranës mbolli pemën e njëqindmijtë madje e kaloi këtë shifër me 800 peme më shumë të cilat u mbollën në zonën e Bathores.

“Kemi pasur një fushatë me energji fantastike për Tiranën, e cila nisi thuajse si një lojë, duke mbjellë një pemë këtu e një atje, por siç gur-gur bëhet mur, edhe pemë-pemë bëhen 100 mijë pemë. Sot e kemi kaluar me disa dhjetëra pemë qëllimin tonë për 100 mijë pemët. Falenderoj të madh, e të vogël: patëm donatorë që dhuruan nga 3 mijë pemë, por edhe fëmijë që dhuruan një pemë për ditëlindjen e tyre”, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se përveç shtimit të gjelbërimit në Tiranë tanimë u ndryshua dhe mentaliteti për t’i bërë punët bashkë. Veliaj tha se aksioni i mbjelljes se pemëve do të vazhdojë edhe përtej ditës botërore të pyjeve duke e shtyrë fushatën edhe me një muaj tjetër

“Duke qenë se kemi mbi 100 subjekte dhe mbi 1 mijë individë që janë ende në listë pritje për të dhuruar pemë, po mendojmë ta shtyjmë me disa ditë afatin dhe fushatën e mbjelljeve. Kështu, nesër pasi të bëjmë një bilanc të 100 mijë pemëve, do të deklarojmë datën e fushatës së re”, tha Veliaj.

Pema e 100 mijtë u mboll nga myftiu i Tiranës, Ylli Gurra me rastin e ditëlindjes se tij. E me rastin e 95-vjetorit të Komunitetit Mysliman Shqiptar xhamitë e Tiranes kanë dhuruar 95 pemë.

Veliaj thyen rekordin, pema e 100 mijtë u mboll nga myftiu i Tiranës Read More »

Skandali i vjedhjes së të dhënave në Facebook përfshin edhe Shqipërinë

Vjedhja e të dhënave të përdoruesve të Facebook për fushatat elektorale të partive politike është kryer dhe në Shqipëri. Partneri kryesor i kompanisë britanike, “Cambridge Analytica” që përpunon të dhënat e votuesve online, rezulton se ka akses edhe te adresat dhe llogaritë private të qytetarëve shqiptarë në Facebook.

Kompania SCL (Strategic Communication Laboratories) me qendër në Britani të Madhe konsiderohet se partneri kryesor që mbledh informacionet në mënyrë të paligjshme nga përdoruesit e Facebook. Më pas këto të dhëna private u jepen kompanive të lobimit dhe kompanive që merren me strategjinë e fushave elektorale të partive apo bizneseve.

SLC në profilin e saj, në faqen zyrtare në internet, thotë se mes shumë vendeve ku ka akses të të dhënave operon dhe në Shqipëri. Një konfirmim i tillë nga vet kompanitë do të thotë se informacione pritave të gjithë përdoruesve të Facebook në Shqipëri u janë shitur partive politike në Shqipëri për fushata elektorale. Ende nuk ka të dhëna se cila parti politike kanë pasur kontrata me SCL ose partnerë të tjerë të Cambridge Analytica.

Për të kuptuar përmasat e skandalit që ka ndodhur, mjafton të kujtojmë se këto në Britaninë e madhe dhe SHBA ka nisur një hetim për keqpërdorimin e informacioneve që qytetarët kanë deklaruar në Facebook. Nga hetimet rezulton se kompania “Cambridge Analytica” ka vjedhur të dhënat e 50 milionë qytetarëve për ti përdorur për zgjedhjet e fundit në SHBA.

“Cambridge Analytica” besohet se i përdori të dhënat e mbi 50 milionë përdoruesve të “Facebook”-ut për të krijuar njoftime dhe reklama të individualizuara, duke shënjestruar votuesit amerikanë me mesazhe të caktuara. Të dhënat u analizuan pjesërisht me atë që njihet si “modeli psikologjik i personalitetit” në bazë të 5 tipareve, apo ndryshe “OCEAN V”.

Falë asaj çfarë përftohet mund të shënjestrohen për shembull votuesit besimtarë me rreth 30% mesazhe të fokusuara te feja, 20% mesazhe mbi të drejtat e armëve dhe 30% mesazhe me përmbajtje ekonomike; ndërkohë që pjesëtarëve të shoqatës së armëve “NRA” u dërgohen më së shumti në “Facebook” mesazhe që lidhen me të drejtën e armëmbajtjes.

E njëjta gjë rezulton të jetë përdorur dhe në Shqipëri nga partitë ose kompanitë e marketingut. Kompania SCL në Shqipëri në shumë aktivitete që kanë të bëjnë me tregjet online në Shqipëri prezantohet si lideri global i transmetimit të të dhënave. Ajo ofron shërbime në të gjithë sektorët globalë tregtarë, socialë, politikë dhe të mbrojtjes dhe identifikohet si degë ose përfaqësuese direkte e kompanisë që sot është nën hetim Cambridge Analytica.

Skandali i vjedhjes së të dhënave në Facebook përfshin edhe Shqipërinë Read More »