Aktualitet

PS-LSI, sipas Bujar Kapexhiut

Karikaturisti Bujar Kapexhiu shquhet për ironinë e hollë në punime e tij. Këtë herë Kapexhiu ka zgjedhur në karikaturën e radhës të trajtojë marrëdhëniet mes PS dhe LSI, konkretisht mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetares së LSI, Monika Kryemadhi. Karikaturat kanë aftësinë që të përshkruajnë realitetin e mijëra fjalëve vetëm me pak imazhe humoristike.

PS-LSI, sipas Bujar Kapexhiut Read More »

Komisioni – Emrat e deputetëve që do të hetojnë Tahirin

Komisioni hetimor për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri duket është “plotësuar” edhe me emrat e deputetëve socialistë. Pas emrave të deputetëve të PD dhe LSI, “News24” ka siguruar edhe emrat e anëtarëve të PS.

Mësohet se pjesë e këtij Komisioni do të jenë deputetët Pjerin Ndreu, Paulin Stërkaj, Klotilda Ferhati, Bashkim Fino, dhe Xhemal Qefalia.

Kryetar i këtij Komisioni do të jetë deputeti demokrat Edi Paloka, ndërsa nënkryetare socialistja Ermonela Felaj.

Anëtarët e tjerë të PD-së në Komisionin hetimor për Tahirin do të jenë si vijon: Enkelejd Alibeaj, Myslym Murrizi, Flamur Noka.

Po ashtu mësohet se nga LSI-ja anëtar do të jetë deputeti Endrit Brahimllari.

Komisioni – Emrat e deputetëve që do të hetojnë Tahirin Read More »

Banka e Shqipërisë hedh në treg 20 lekëshin e ri, ja ndryshimi

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë njofton se duke filluar nga data 30 mars 2018, do të hidhet në qarkullim monedha metalike shqiptare me vlerë nominale 20 Lekë.

Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 20 Lekë, është miratuar me vendimin nr. 120, datë 09.11.2016, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”.

Monedha e re metalike, me vlerë nominale 20 Lekë, emetim i vitit 2016, ka të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me monedhën metalike me vlerë nominale 20 Lekë, emetim i vitit 2012.

Po ashtu Këshilli miratoi Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017.

Raporti vjetor përbën një detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar, mediat dhe publikun. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin mbi vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionalë, monetarë, operacionale dhe zhvillimorë.

Image

Në raport, ndër të tjera, pasqyrohen:

zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;

politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë;

zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;

aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;

aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, statistikor, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut;

administrimi i burimeve njerëzore;

veprimtaria e kontrollit të brendshëm;

objektivat afatmesme të institucionit.

Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi shpërndarjen e fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017, si dhe rialokimin e disa rezervave të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë hedh në treg 20 lekëshin e ri, ja ndryshimi Read More »

Ish-drejtori i policisë në kërkim, ja vendimi që ka marrë gjykata sot

Ndërsa vazhdon të jetë në kërkim, Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar ditën e sotme kërkesën e prokurorisë për të zgjatur hetimet për Jaeld Çelën.

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës është shpallur në kërkim, pasi u arratis sapo ndaj tij u lëshua një urdhër-arresti.

Çela akuzohet për lejimin e mbjelljes dhe përfshirjen në trafikun e kanabisit në zonën e Vlorës dhe bashkëpunim me Habilajt.

Gjatë seancës së sotme, prokuroria kërkoi zgjatjen me 3 muaj të hetimeve ndaj Çelës. Ndërsa avokati i tij u shpreh se nuk ishte në dijeni të provave dhe nuk ishte njohur me faktet.

Bashkë me Çelën në kërkim janë edhe 3 ish-drejtues policie.

Ish-drejtori i policisë në kërkim, ja vendimi që ka marrë gjykata sot Read More »

Ja sa do të jenë çmimet e reja të referencës për taksën e shtëpive

Qeveria miraton çmimet e reja të referencës për të gjithë vendin. Mbi bazën e çmimeve të reja të referencës do të aplikohet taksa mbi ndërtesat, e cila hyn në fuqi në 1 prill.

Sipas metodës së miratuar në 7 mars, të gjithë personat që kanë në pronësi një shtëpi, garazh të mbyllur apo ambient tjetër do të paguajnë taksë mbi ndërtesën 0.05%, e cila do të llogaritet mbi vlerën hartën e vlerës.

Grupet që taksohen
Taksapagues është çdo individ, person fizik ose juridik, vendës ose i huaj, pronar apo përdorues i pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave. Detyrimin për pagimin e taksës mbi pasurinë e paluajtshme “ndërtesë” e kanë, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente të pronësisë, personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës, zhvilluesit, të cilët nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse të lëshuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.

Vlera e pasurisë
Vlerë e pasurisë është vlera aktuale e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore e njohur me dokumente ligjore, ose vlera e përcaktuar me një nga metodat e përshkruara në këtë metodologji. Vlera e pasurisë është baza e taksueshme mbi të cilën aplikohet shkalla e taksës së pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore. Vlera e pasurisë llogaritet si shumëzim i çmimit për metër katror me sipërfaqen e ndërtesës/njësisë pronësore. Ndërsa “veprimtari ekonomike”, konsiderohet çdo veprimtari e kryer nga prodhuesit, tregtarët, personat që furnizojnë mallra dhe shërbime, përfshirë veprimtaritë nxjerrëse, industriale, tregtare, të shërbimit, bujqësore dhe veprimtaritë profesionale. Veprimtari ekonomike konsiderohet gjithashtu, shfrytëzimi i pasurisë së trupëzuar ose të patrupëzuar, me qëllim realizimin e të ardhurave me karakter të vazhdueshëm.

Përcaktimi i çmimit vlerësues
Përcaktimi i vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore bazohet mbi prioritetet e vlerësimit, duke ndjekur një radhë të caktuar. Baza e vlerësimit mbështetet te vetëdeklarimi, si një detyrim për çdo taksapagues, për të vijuar më tej edhe me metodat alternative, nëse vetëdeklarimi nuk bëhet, nuk është i saktë apo nuk disponohen të dhëna të plota për një vlerësim të drejtë të pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që duhet të taksohet. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, për efekt të përcaktimit të bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme (ndërtesë) ndjekin këtë radhë vlerësimi:

Vetëdeklarimi
Çdo taksapagues duhet të vetëdeklarojë të dhënat për pasurinë e tij të paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore, që ka në pronësi apo në përdorim. Vetëdeklarimi bëhet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore apo çdo institucioni të autorizuar nga qeveria apo njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të marrë dhe për të përpunuar informacionin e vetëdeklarimit të taksapaguesit, për qëllim të zbatimit të legjislacionit përkatës të taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Në rast se vlera e vetëdeklaruar nga taksapaguesi rezulton e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmim e vlerësuar, të përcaktuar me këtë metodologji, si vlerë e bazës së taksës do të merret vlera më e lartë.

Ja sa do të jenë çmimet e reja të referencës për taksën e shtëpive Read More »

Rritet niveli i ujit në Shkodër, sipërfaqja e përmbytur shkon në 2620 ha

Ka shkuar në 2620 ha sipërfaqja e përmbytur në Shkodër. Ministria e Mbrojtjes thotë se në Njësia Administrative Bushat ka pasur 370 ha tokë të përmbytur, ndërsa në Bërdicë 280 ha.

Në Njësinë Administrative Dajç sipërfaqja e përmbytur është 785 ha.

Ndërsa më e madhe kjo sipërfaqe është në zonën e Anës së Malit, e cila shkon 1150 ha tokë pasi niveli i ujit është rritur.

Ministria e Mbrojtjes thotë se në fshatin Obot kalimi është bërë i mundur vetëm me varka. Ndërsa bashkia Shkodër vazhdon me anë të 2 mjeteve autobotë furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm.

Deri me tani, nuk prezence uji brenda ne banesa ne zonat e prekura.

Rritet niveli i ujit në Shkodër, sipërfaqja e përmbytur shkon në 2620 ha Read More »

Naftëtarët e ARMO protestë në Tiranë, kërkojnë pagat

Naftëtarët e ARMO kanë nisur një protestë para Ministrisë së ekonomisë në Tiranë. Ata kërkojnë pagat e prapambetura dhe nisjan e punës në fabikë.

Kjo nuk është protësta e tyre parë por siç duket kërkësat e tyrë kanë rënë në veshin e shurdhër edhe të qeverisë por edhe të biznesit që menaxhon kompaninë.

Naftëtarët e ARMO protestë në Tiranë, kërkojnë pagat Read More »

Më të varfrit në rajon: 80% e shqiptarëve rrojnë me më pak se 10 USD në ditë

Rreth 80 për qind e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 10 dollarë në ditë. Sipas portalit Our World in Data, i cili ka përpunuar të dhënat e Bankës Botërore, për shpërndarjen e popullsisë sipas pragjeve të ndryshme të varfërisë, vetëm 20.44 për qind e popullsisë jetonin me mbi 10 dollarë në ditë, pjesa tjetër, 79.56 për qind jetonte me më pak se 10 dollarë në ditë.  Të dhënat e Bankës Botërore, të vlefshme për të gjitha shtetet e botës, janë për vitin 2013.

Krahasuar me rajonin Shqipëria ka përqindjen më të ulët të popullsisë që e kalojnë pragun prej 10 dollarësh në ditë. Më pas renditet Kosova me 25.15 për qind të popullsisë që jeton me më shumë se dhjetë dollarë në ditë, Maqedonia me 38.98 për qind, Serbia me më shumë se gjysmën e popullsisë 58.25 për qind, Mali i Zi me thuajse tre të pestat e popullsisë, apo 60 për qind, që e kalonin pragun prej 10 dollarësh, dhe Bosnja me katër të pestat e popullsisë.

Shqipëria ka gjithashtu edhe përqindjen më të lartë të popullsisë që jeton me pragun 3-10 dollarë në ditë, me 73.22 për qind të popullsisë. Në Kosovë, përqindja e popullsisë që jeton në këtë prag është 71.3. Përqindjen më të ulët e ka Bosnja me 19.2 për qind.

Për sa i përket përqindjes së popullsisë që jetojnë me më pak se 1.25 dollarë në ditë, përqindjen më të ulët e ka Mali i Zi, ku sipas të dhënave të Bankës Botërore, të cilat janë analizuar prej Our World in Data, është 0. Më pas renditet Bosnja me 0.03 për qind, Serbia me 0.06 për qind, Shqipëria me 0.18 për qind të popullsisë që jeton me më pak se 1.25 dollarë, Kosova me 0.2 për qind dhe me përqindjen më të lartë renditet Maqedonia me 3 për qind të popullsisë që jeton me më pak se 1.25 dollarë në ditë.

Më të varfrit në rajon: 80% e shqiptarëve rrojnë me më pak se 10 USD në ditë Read More »