Aktualitet

Etnografi dhe folkor – Dhjetë nga Miro Tërbaçet e këngës labe

Nga MSc. Albert Habazaj, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit

Sfida e polifonisë femërore.

Sikurse çdo lab, të gjithë tërbaçiotët e pëlqejnë dhe e duan këngën labe dhe sidomos këngën tërbaçiote, ndërkohë, kur Tërbaçi është i vetmi fshat në Labëri, që, siç thonë, ka 36 melodi. Si asnjë fshat tjetër në Labëri. Të gjithë tërbaçiotët këndojnë. Dhe këndojnë bukur. Kanë dhe një valle të rëndë, të fuqishme, të sertë, të bukur e të rreptë, burrërore, të madhërishme, trimërore, si gjëmim vetëtimash, me një strukturë si malet hijerëndë mbi krye. Në përgjithësi – si kudo në Lumin e Vlorës, Kurvelesh e Labëri. Në imtësi-ndryshe nga të tjerët. Në vijën melodike dhe interpretim magjik. Tërbaçi ka bërë shumë për bijtë e bijat e tij. Kur kemi patur nevojë e na është dashur, e kemi përdorur me ballin lart emrin e tij për ta nderuar me emrin dhe veprimin tonë në jetë. Kujtesa jonë historike i ka në kurorën e nderit të parët tanë të lartë: Lulo Habazin, “malin në mes të detit/ që i ktheu gjoksin dovletit” osman, Miro Tërbaçen me histori e këngë, “tërbaçiotja vajzë që ormisi pashanë,se tërbeçtë haraçehasmit nuk i dhanë”. U përulet me nderim të gjithë atyre bijve dhe bijave, që në rrjedhat e kohës ia mbajtën ballin të pastër, të pa ulur e më nder. Në kohë me diell e me furtunë. Në luftë për liri, emancipim e përparim. Edhe në kulturë. Edhe në folkor. Pikërisht ky motiv i lartë atdhetar dhe artistik, mblodhi bashkë (kësaj radhe) dhjetë gra, nëna e gjyshe, dhjetë vajza tërbaçiote të përkushtuara, të zonja me zë thëllëze e dinjitoze. Paska ngelur ende një atavizëm apo është ngulur ndër një pjesë tonën dhe një ves: Ne duam të jemi të gjithë në qoshe (pavarësisht e meritojmë e jo pak herë edhe pa e merituar).

prezantimi-i-pare-teatri-petro-marko-vlore

Duke pirë kafe me Pesën, Shpresa Kapo Çelaj, kushërirën dhe shoqen time, nga klasa e parë në të tetën, na shpreh merakun dhe shqetësimin, se kush kemi qenë dhe kush jemi?! Pse ramë në këtë gjendje, që, të paktën, të shkakton keqardhje? Kur Pesa merr vesh që vjen në Vlorë nga Greqia për pushime Nazua, më thotë të takohemi dhe të flasim të tre ç’duhet të bëjmë. Nazo Dautaj (Diana Ribaj) ka qenë marrësja kryesore e grupit të Tërbaçit. Shoqe klase me ne, angazhuar me këngën polifonike tërbaçiote, qysh në klasë të tretë dhe s’iu nda deri sa iku në mërgim. Vigane e famshme e këngës labe. Amazonë e pashoqe, e paarritshme, e papërsëritshme në zë. E madhe. Shoqe tjetër s’kish. Por…u largua. Erdhi për fat, sa për të ndezur zjarrin (hë për hë) dhe ta mbajnë ndezur bijat që janë në Atdhe, sipas mundësisë, në Tërbaç e në Vlorë. Nazua shfaqet në horizontin folkorik si kryeshqiponjë e malit të Çikës për këngën burimore tërbaçiote, në përsosmëri realizimi, e ngjizur me këngën si një harmonikë qiellore. Takohemi të tre dhe diskutuam edhe për hallet e dertet e këngës së Tërbaçit. Në këtë bisedë folëm për ringritjen apo formatimin e një grupi polifonik femëror. Se kush nuk ka ngritur grupe sot …e u shua Tërbaçi ynë, ai çikë Tërbaç, që kujt s’i ka dhënë emër. Dhe sot…u katandis kështu…, si trasta në degë. Tallen. E shpërdorojnë dhe, së pari ata, që ai u dha atë emër të lartë. Ja kështu mori udhë ideja e këtij grupi të veçantë. (Nuk do ta trajtojmë më tepër këtë çështje, sepse kohë më parë kemi publikuar shkrimin “Polifonia femërore-Grupi i Vajzve të Tërbaçit”). Në këtë grup, të quajtur Grupi i Vajzave të Tërbaçit, bëjnë pjesë 10 këngëtare tërbaçiote, që, mbas shumë provash, konsoliduan profilin e këngës grarishte të vendlindjes, duke ruajtur origjinalitetin e folkorit përkatës lokal. Ato janë, përkatësisht: Shpresa Kapo Çelaj (ditëlindja 1960, me shkollë të lartë), Liliana Rrapi Kapo (dtl. 1961, sh.l.), Hava Çelaj Muça (dtl. 1960, sh.l), Baftie Dauti Xhelili (dtl. 1963, sh.l.), Evgjeni Habili Seferi (dtl. 1964, me shkollë të mesme), Lavdie Goxho Xhaka (dtl. 1958, sh.m.), Vitore Shiroka Veraj (dtl. 1961, sh.m.), Antoneta Goxho Mehmetaj (dtl.1970, sh.m.), Liri Gaçe Shkurtaj (dtl. 1960, sh.m) dhe Madelona Mëzyraj Skëndaj (dtl. 1983, sh.m.). Polifona femërore është një prurje që sot i mungon Labërisë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë ruajtja e traditës foklorike e këto gra e vajza tërbaçiote, që janë për t’u përgëzuar, na paraqesin një pamje tjetër këngës tërbaçiote, botën lirike. Kënga e Tërbaçit është njohur sidomos për ngjyrat e fuqishme epike, për stilin recitativ e madhështor, për gjëmimin me breshëri artistike deri në përsosmërinë e epikës historike, sidomos me marrësat e paarritshëm Sinan I. Hoxha dhe Syrja N. Hodo.

grupi-i-vajzave-te-terbacit-prezantimi-i-pare-me-publikun-vlonjat-nga-skena-e-teatrit-petro-marko-vlore-26-11-2016

Ndërsa këto vajza, veshur me kostumet, që dikur vishnin nëpër dasma, gëzime e ceremoni festive gjyshet, nënat, hallat tona na shfaqen me lirikat e trëndelinta, sidomos në këngët dy vargjëshe, ku dallon tingulli lirik, aq i ëmbël e i shtrirë i labëreshës tërbaçiote. Tek grupi i vajzave të Tërbaçit evidentohet dukshëm dhe merr kështu një shkëlqim brilant karakteri sinkretik i foklorit për ta transmentuar brez pas brezi edhe me veshjen karakteristike të fshatit. Këngën e vlerësojnë si ushqim të shpirtit dhe, si të tillë, e ruajnë të pastër duke e çuar më tej. Këto dhjetë Miro Tërbaçe janë hedhur në krahë të Eposit folkorit, sikur të ishin shqiponjat e malit të Çikës.

Kostumet tradicionale të femrës tërbaçiote.

Dikur, (botimet enciklopedikedhe ato historike lokale përmendin shekullin XVII), sipas traditës së vendit, gratë e Tërbaçit “kanë mbajtur fustan të gjatë të bardhë ose kafe, deri te qafat e këmbëve. Për nuset fustan i kuq>, vajzat zakonisht të bardhë. Mbanin pallto leshi pa ose me mënga, që i thoshin xhoke, futë leshi, shami të ngjyera në bojë të kuqe, të verdhë për të rejat dhe me ngjyrë kafe ose të zezë për të moshuarat. Çorape leshi të gjata deri afër gjurit, të qëndisura me ngjyra të ndryshme, opinga prej lëkure ose këpucë me xhufka në majë, jelekët i qëndisnin me gajtane me ar, dhe i mbërthenin me folla prej argjendi ose bronxhi. Në vesh mbanin vathë të mëdhenj prej argjendi, ndërsa vajzat mbanin nga një fill dhe një rruazë…

Nga fundi i shekullit XVIII, veshja për gratë ndryshoi, dhe në vend të fustaneve të gjatë u përdorën çitjane ose tumane [ndikim i kulturës fetare islame, importuar e diktuar nga pushtesit osmanë. Shën. im, A.H]. Nga fillimi i shekullit XX filloi të përdorej veshja më e moderuar, sidomos nga burrat”[1]. Xhokja ishte veshja e sipërme dhe e trashë prej shajaku për gra e për burra, pa mëngë ose me gjysma mëngësh a me mëngë të gjata të hedhura prapa, që shkonte deri në brez dhe që kishte zakonisht një pjesë me thekë prapa, e cila hidhej mbi kokë. Përdoreshin xhokë e bardhë (e zezë) dhe xhokë me thekë (me xhufka).

Këto gra të përkushtuara, me sedër të shëndoshë për shpirtin e vëndlindjes, vendosën me forcat e tyre të përgatiteshin seriozisht për këtë mision. Pasi u konsolidua grupi dhe mori formën e plotë, të pakthyeshme e të patjetërsueshme, menduan, diskutuan, pyetën dhe projektuan udhëtimin e tyre polifonik. Duke filluar nga kostumet, me vështirësi ekonomike, kursyen nga të ardhurat familjare, me sakrifica arritën të realizonin modelin e tyre të veçantë kostumografik. Kostumi i sotëm folkorik i Grupit të Vajzave të Tërbaçit përbëhet nga: 1. Fundi, i shkëputur nga polka, punuar me material atllas me pala, (pëlhurë e mëndafshtë, e lëmuar dhe me shkëlqim nga njëra anë) me ngjyrë të kuqe, i gjatë deri në fund të këmbëve; 2. Polka, me ngjyrë mente, pak a shumë si modeli i vjetër, me jakë si jakë marinari; (emri i kësaj veshjeje nuk ka të bëjë me vallen me ritëm të gjallë e të shpejtë, që kërcehet me masën prej dy kohësh dhe muzikën për këtë valle); 3. Jeleku, me material shajak i zi (që zëvendësoi xhoken), me qëndisje e stolisur me ornamente dekorative zbukuruese, mbërthyer me kapse; 4. Shamia, me material mëndafsh i hollë, një mente e lehtë, e dashur, jo e rëndë, e ëmbël.

Është respektuar tradita, duke futur ngjyrën e kuqe, kombinuar me ngjyrën e zezë, nga që janë ngjyrat simolike të kombit shqiptar, (si pjesëz e së tërës edhe të Tërbaçit). Në këtë rrafsh, është ruajtur paradigma folkorike novatore e Kujtim Micit, (sinonimit të folkorit, kulturës dhe arsimit në Tërbaç). Njëra nga këngët më të njohura të Krijuesit tonë ka dhe këto vargje sintezë të lirikës elegjiake, me të cilat nëna tërbaçiote i këndon me vaj e ligjërime djalit të rënë për liri: “Unë shaminë e zezë/ e preva shqiponjë./Ja qepa flamurit/ shokëve t’ua dërgojë…”. Kujtim Mici, për mendimin tonë, është konsekuent në vijën kombëtare të vargut vigan. Realizimi material i kostumeve ka si bazë nisje dhe plotësimi metaforën “Shqipëri, nuse bregdeti”, që është lajtmotivi poetik i këngëve të Krijuesit të fuqishëm artistikisht dhe vizionar. Fustani i kuq dhe i gjatë i nuses këngëtare, sot është rezonim i harmonishëm i traditës së njohur, së paku, qysh nga shek. XVII me risitë bashkëkohore, aq të hijshme, tërë dritë e shkëlqim dhe pa teprime.

Pasi kërkuam modelet ndër këngëtaret e vjetra të fshatit tonë e gërmuam në kujtesën tonë folkorike, përzgjodhëm variantin e duhur për të nisur udhëtimin e gjatë folkorik. Pas shumë këshillimesh, kostumet u punuan tek “Moda fashion” e zj. Linda Fejzaj në Vlorë. Sipas stilistes vlonjate Linda Fejzaj, me përvojë 20 vjeçare, (e cila ndihet krenare për origjinën e të parëve të saj nga Vranishti i njohur për histori e kulturë), kostumi femëror etno-folk i fshatit Tërbac, vjen i moderuar në shekullin e XXI, duke u mbështetur mbi origjinalin si dhe për të ruajtur origjinalitetin e tij. Kostumi femëror etnofolk i Tërbaçit është i përbërë nga:

1) Fundi akllas, mëndafshi i kuq, i gjatë deri tek kyçi i këmbës, organizuar me kufopjeta në bel, me qemerin 4 cm, dhe zinxhirin e fshehtë pas, ku përveç tij, janë edhe mbërthimi me folla ngjyrë argjendi;

2) Këmisha krem, ngjyrë mente, me hapje (tape) deri poshtë gjoksit, jakë ushtarake, mëngë të gjata me kapak, mbërthimin me kopsa në ngjyrën e copës, (pesë kopsa: tre në tape, dhe nga një tek mëngët). E veçanta vazhdon të ekzistojë edhe tek ky element, në pjesën e përparme në anë të tapës – shoqërohet nga dy tegela milimetrikë, të cilën e shohim edhe në pjesën e pasme;

3) Jeleku, përbërë nga stof 100% lesh, i zi, me gjatësi deri tek beli, qëndisur me fije ari përgjatë gjithë gjatësisë, shoqëruar përreth harkut të qafës, harkut të kavadures (krahut), si dhe në gjerësinë, ku konturohet fundi i jelekut, duke u mbyllur nga dy folla ngjyrë argjendi në bel, ku puthiten me qemerin e fundit;

4) Shamia e kokës, e zgjedhur ngjyrë mente, e njëjtë me këmishën, e një përbërje “chiffon”, (byrynxhyku, pëlhurë e bërë me fill të hollë mëndafshi), në formë trekëndëshe, shoqëruar me një kordon syzatori, ku identifikohen perlat e së njëjtës ngjyrë që qarkojnë gjithë gjatësitë – kaluar mbi flokë, shoqëruar nga pas veshëve, ndërsa dy cepat vijnë përpara;

5) Vathët prej floriri kokërr, që identintifikohen;

6) Këpuce lëkure me xhufka të kuqe, me mente në majë.

Po kush është zj. Linda Fejzaj?

Me që ky kostum etno-folk u soll në kohë në ”Linda Fashion design” nga e palodhura, e përkushtuara sfidante kombëtarisht në fushën e kostumografisë, zonja Linda Fejzaj, i takon nga ne mirënjohje qyetare ndaj punës korrekte në harmonizimin e bukur të traditës me kohën që jetëojmë. Me këtë synim paraqesim një abstrakt prezantimi respektor: Linda Fejzaj ka mbaruar studimet në Fashion Design…Më pas, ka studiuar për 8 vite kulturën etnografike, duke menduar  për më tej, për të mos lënë në harresë kulturën etnografike, por për ta sjellë atë të moderuar,  duke u  kujdesur me përgatitjen e veshjeve Etno-folk të trevave të ndryshme. Ka një përgatitje të admirueshme në fushën e modës, si pjesë e sfilatave të shumta, dhe për më tepër stilistja e sfilatës më të madhe në Shqipëri ”100 modele në 100 vite Pavarësi” – një sipërmarrje dhe sfidë, ku në skenë u ngjitën 100 modele të mbështetura mbi tabanin popullor, të gërshetuara me stilin modern, shumë herë edhe estravagant. Përgatitja e disa grupeve popullore të zonave të ndryshme dhe qyteteve të ndryshme, për më tepër, edhe personave apo grupeve në diasporë, i japin sigurinë për synimin që ka marrë përsipër të realizojë, për ruajtjen e pastër dhe çuarjen më tej të traditës, kësaj pasurie të mirë e përparimtare materiale popullore, angazhim ky i përgjithmonshëm i saj. Linda ka logon e saj, brenda dhe jashtë Shqipërie, me të drejtë të plotë ndërkombëtare. Ajo është marrë dhe specializuar për etnografi, pasi, siç shprehet me pasion, ka studiuar goxha gjatë në këtë fushë. Linda është gjithashtu poete dhe ndihet shpirti krijues i saj në punë, shfaqet edhe në modelin tonë të veshjes etnofolk, që u soll më e moderuar, sepse egzistonte hapësira për të respektuar detajet, duke e përmirësuar atë. Tek realizuesja krijuese besuam emrin që gëzon në qytet dhe fjalët e garancisë, se nuk huazon kurrë për realizimin e veshjes karakteristike, thjesht mbështetet mbi këto veshje, por t’i prurë më të moderuara; për të qënë më në kohë, siç janë limitet e gjatësisë apo aksesorët mbi jelek dhe këmishë.

Prezantimi i Vajzave të këngës.

Pas organizimit në fillimgushtin 2016, mbas orarit të punës çdo mbasdite apo paraditeve të shtuna e të diela, grumbulloheshin e bënin prova në mjediset e Shkollës së Mesme Industriale “Pavarësia” në Skelë, falë dashamirësisë së drejtorit të palodhur e të respektuar Gent Boçi (se s’kishte hapësira të tjera për to Vlora…) vajzat bënin prova me kërkesë të lartë llogarie, me disiplinë artistike, e cila, në këto raste, vlerësohet më e rreptë se disiplina ushtarake. Prova e parë e Grupit të Vajzave të Tërbaçit, veshur me kostumin folkorik tradicional të polifonisë femërore të fshatit u bë më 22. 11. 2016. Kjo ngjarje entusiazmuese në këto kohë të paqarta gëzoi banorët dhe dashamirësit e shumtë të këngës karakteristike të Tërbaçit, duke uruar njëri-tjetrit që ta gëzojmë këtë thesar të fshatit tonë me ballin te Çika. Grupi i Vajzave të Tërbaçit prezantohet për herë të parë përpara publikut vlonjat dhe dashamirësve të polifonisë sonë, me rastin e festive të Nëntorit, më 26 nëntor në Teatrin “Petro Marko”, Vlorë, kur nderohet bashkorigjinasi ynë i ditur e i thjeshtë, i devotshëm si gjithë Tërbaçiotët, Mevlan Balili, sepse Labëria i nderon bijtë e saj, kur ata ia shpërblejnë me vepra të mira e të dobishme. Dekoratën e lartë “Mirënjohja e Labërisë” ia dorëzoi ai që qe dhe propozuesi kryesor i vlerësimit, prof. dr. Bujar Leskaj. Substancialisht, në përshëndetjen time u shpreha: “Labëria, me mal, me lumë, me det është një fortesë me dritë dhe dinjitet. Sot është Dita e Falënderimeve. Dita e të katër të vlerësuarëve:-Mirënjohje kolektive për fshatin Vajzë të Ali Asllanit e Perlat Rexhepit, respekt individual për të paharruarin arkitekt Pulo Nezho Dukati (pas vdekjes), si dhe për të respektuarit biznesmen Vullnet Sina Armeni dhe ing. Mevlan Muço Delo Balil Tërbaçi. Tërbaçi është një beden i labërisë. Mirënjohja më e madhe, kryemirënjohja për ne është për Shoqatën Kombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”. Mirënjohje Labërisë, se Labëria është nderi ynë! Vajzat u paraqitën me dy njësi folkorike: me këngën “Himni i Tërbaçit”, me marrëse Liliana Rrapi Kapo, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Vera dhe ia mbushin shtatë të tjerat, si dhe me “Elegji për Dragoin e këngës”, marrëse Baftie Dauti Xhelilaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Shpresa Kapo Çelaj dhe mban këngën me iso grupi. Kënga e dytë u paraqit edhe si nderim për Krijuesin Kujtim Mici, edhe si mesazh mosdorëzimi e besimi, që grupi do të vijojë me dinjitet udhën që ai u projektoi. Të gjithë shprehën fjalët më të mira për interpretimin dinjitoz të vajzave tërbaçiote dhe emocionet e fuqishme pozitive që i falën publikut. Kënga e tyre është e ndier dhe e vërtetë. Vajzat përgatiten me një repertor të pasur folkorik, kryesisht lirik burimor. Ato kanë plane të bukura. Kanë dhe tre valle grash, me dy variante: me tri hapa ose tri këmbë, si i thonë ato dhe me një këmbë. Natyrshëm e çiltërsisht na burojnë vargjet: Vallja kurorë dafine/ për dhjetë shqiponja mali/, dhjetë tufa trëndelile/, lum Tërbaç, kush ia fali! Dëshira jonë dhe fjalët e zemrës janë: Suksese në udhëtimin e gjatë folkoristik, në gjurmët e pashlyeshme të viganit të paharruar, Dragoit të këngës labe, Kujtim Mici! Siç uron nga Amerika e largët, i dashuri i këngës sonë Pelivan Barjamaj, dëshirojmë dhe ne, të këtushmit: Zëri i Miro Tërbaçeve të këngës qoftë trashëgimi dhe dhuratë për brezat!

Etnografi dhe folkor – Dhjetë nga Miro Tërbaçet e këngës labe Read More »

Deputeti që po i bën “gropën” Ramës për Rrugën e Kombit: Qeveria të kërkojë falje që…

Ka bere nje deklarate te forte kryetari i komisionit të Ekonomisë, njeherazi deputeti socialist Erion Braçe ndaj qeverisë. Ai kërkoi që banorët e zonës të mund të përjashtohen nga tarifa, pasi sipas tij ajo nuk është autostradë, por një rrugë urbane.

“Por po flasim për ekonomi. Do vazhdoj të insistoj të bëjë këtë pyetje sa të marr një përgjgije. Nga ajo që ju thoni me plot të drejtë, mua më është dukur një rrugë urbane që i krijon mundësi një qarku të tërë të udhëtojë më shpejt në pjesë të tjera të vendit. Po nga pikëpamja e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve me qëllim turizmin, nuk më rezulton. Ajo që natyrisht në krahun tjetër ishte qëllim i dytë, elementi social i ndikimit të drejt për drejt në uljen e varfërisë së asaj zone, nuk më rezulton. Dhe ngjarjet e fundit, se këtu do dal te pyetjet e tjera, më bën të mendoj që varfëria e qarkut të Kukësit nuk është ulur. Rruga nuk ka çuar ekonominë në Kukës, siç u premtua dhe me kosto të madhe të vjedhjes brenda. Për shkak të këtij shqetësimi që ësht ëvarfëria e atyre banorëve në Kukës, nuk kam asnjë lloj ndjesie sa para do paguaj në rrugën e Kombit Lulzim Basha, Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Edi Rama etj. Më i intereson vetëm ajo kategori që u adresuat ju, u bë solidariteti i një Shqipërie të tërë për ta bërë atë rrugë, po që nuk përfitoi atë që duhej të përfitonte si qëllim, që u tha, ndikimi në varfëri. Ajo që ju duhet të kishit bërë shumë kohë më parë. Komunikonit me njerëzit, me deputetët, me mediat, dhe thënë të gjitha këto sikur të kërkonit ndjesë për këtë nuk do ishte gjë e madhe, jo thjesht ju si ministër i ekonomisë dhe financave po gjithë qeverisë?”, tha Braçe.

Banorët duhet të përjashtohen nga pagesa e tarifës tha Braçe, duke kërkuar edhe përjashtimin e shërbimit urban, me qëllim që të mos ndikojë në çmimin e biletës.

“Banorët duhen të përjashtohen nga pagesa e asaj tarifës, që do të thotë që banorët e zonës për shkak të mugnesës së një rruge dytësore, që agai i ka ndërtuar në këtë vend nuk janë shoqëruar fare me rrugë dytësore, po për shkak se në këtë zonë fshatrat janë ndarë në mes dhe nuk ka as mbikalime as nënkalime, dhe banorët e zonës për të shkuar në shtëpinë e tyre duhet të hynë të dalin qoftë për 2-3 km duhen përjashtuar nga tarifa. Doja të dija nëse ju po i mëshoni kësaj pike apo jo. Shërbimi urban është i përjashtuar apo jo, me qëllim që mos të ndikojë në çmimin e biletës së udhëtimit të banorëve të qarkut të Kukësit?”, tha Braçe.

Në përgjigje të tij, Ahmetaj tha se kryeministri ka kërkuar fillimin e negociatave intensive me konçesionarin për dimensionin social, dhe sipas tij parashikohet që këto negociata të mbarojnë brenda një muaji. Ndërsa për transportin publik, Ahmetaj tha se ka vende që nuk i përjashtojnë autobusët.

Ahmetaj bëri të ditur se paratë e kompensimit nuk do i kalojnë bashkisë së Kukësit, por ministrisë së Infrastrutkurës dhe Energjisë. Ai tha se e ka autoriteti kontraktor, në këtë rast qeveria, për ta përdorur për zonën.

Deputeti që po i bën “gropën” Ramës për Rrugën e Kombit: Qeveria të kërkojë falje që… Read More »

Mesi : Takime pune në Qarkun e Vlorës (Foto)

Nga dita e punës në Qarkun e Vlorës, me Prefektin Z. Flamur Mamaj, Kryetarin e Bashkisë Vlorë Z. Dritan Leli dhe deputetët Znj. Vilma Bello, Z. Vullnet Sinaj, Z. Fate Velaj dhe Z. Edmond Leka, për t’u njohur më nga afër me sfidat dhe problematikat që paraqet kjo zonë.

  1. Gjatë takimit me drejtuesit e drejtorive rajonale dhe drejtorive të Bashkisë Vlorë, nënvizova rëndësinë e qendërzimit të shërbimit tek qytetari dhe sipërmarrësi.

  2. Në takimin me qytetarë të ndryshëm gjatë vizitës inspektuese në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, theksova përgjegjësinë tonë maksimale në ofrimin e shërbimeve me qëndër qytetarin e bashkohore, si  dhe  tolerancën ZERO ndaj çdo forme të korrupsionit nga ana e punonjësit publik.

  3. Rëndësia e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për qeverinë shqiptare dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit tonë, ishte tema kryesore e një forumi të hapur me studentë të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali” së bashku me Koordinatorin e Përhershëm të OKB-së në Shqipëri️ dhe Përfaqësuesin e Përhershëm të PNUD Z. Brian J. Williams.

  4. Në përfundim të vizitës në Vlorë, shumë e kënaqur gjithashtu që inspektova nga afër një prej investimeve më të fundit në zonën e Kaninës, atë të një thertoreje, e cila pritet të hapet në fund të muajit Prill duke siguruar punësim për banorët e zonës dhe duke garantuar gjithashtu standardet më bashkohore evropiane  në cilësi dhe kontroll. Nga Senida Mesi

Fotografia e Senida MesiFotografia e Senida MesiFotografia e Senida MesiFotografia e Senida Mesi

Mesi : Takime pune në Qarkun e Vlorës (Foto) Read More »

Bulizmi në rrjetet sociale !

Bulizmi është një fenomen që na prek të gjithëve.

Si përdorues të rrjeteve sociale, zotërues të një llogarie në platforma si Facebook, Instagram apo Tëitter gjithkush nga ne shpërndan infromacion, ndan mendime, poston foto, etj. Një fenomen vërtet shqetësues, në nivel botëror jo vetëm në Shqipëri, është ai dhunës, apo ngacmimit në rrjetet sociale që është një formë e re bulizmi.

Cyberbulling, ose bulizimi në rrjetet sociale është një fenomen që rrezikon këdo, më së shumti adoleshentë dhe të rinj, por dhe personazhe të njohur, që në jo pak raste vuajnë një histeri komentesh të liga, dashakeqe, turpëruese e deri në mallime.

Bulizmi ishte sot tema kryesore e emisionit “Rudina” dhe për të folur për këtë ishin të ftuar gazetarja Iva Tiço, psikologu Edmond Dragoti, drejtuesja e shoqatës “Barazi në Vendimmarrje” Edlira Çepani dhe gazetarja Gerta Gixhari.

“Bulizmi është një fenomen historik. Gjatë gjithë ekzistencës, krahas dhunës, agresivitetit dhe elementëve të kësaj natyre ka ekzistuar edhe diskriminimi i cili ka qenë pjesë e komunikimit në mjediset njerëzore. Ai mund të zbutet ose të ulet, por është shumë e vështirë të zhduket për sa kohë njerëzit kanë shfaqje të dhunës dhe agresivitetit në marrëdhëniet e tyre të përditshme. Sot në kushtet e teknologjisë së informacionit është përhapur shumë bulizmi kibernetik për të dhunuar individë të caktuar për të ulur statusin e tyre. Ky është mekanizëm që e përdorin shpesh njerëzit. Krahas komunikimit në rrjetet sociale ka edhe bulizëm kibernetik. Në rastin e bulizmit ajo që rekomandojnë psikologët zakonisht është përballja ose kundërvënia ndaj tij që ushtron bulizëm, kjo është e nevojshme për të ç’armatosur tjetrin dhe për t’i treguar se nuk je inferior ndaj tij dhe se ke personalitet.

Një kundërvënie e tipit: “Unë nuk shqetësohem për të” është shumë e rëndësishme në këto raste sepse budisti i jep kënaqësi vetes ose rrit statusin e tij prej bulisti pikërisht nëpërmjetë superioritetit që krijon ndaj dikujt tjetër”, tha Dragoti.

Ndërkohë Çepani evidentoi bulizmin si një problem që e kemi prezent gjatë gjithë kohës. Sipas saj, bulizmi në Shqipëri kryhet në një mënyrë krejtësisht normale.

“Në rastet e bulizmik kibernetik ti ke mundësi të kesh një person anonim dhe ti jo vetëm që nuk e di kë ke përballë, por as nuk e ndjek dot si rast. Problemi i bulizmit kibernetik është se ti e ke gjatë gjithë kohës prezent sepse ata të ndjekin gjatë gjithë kohës.

Edhe personat përgjegjës siç janë policia e kanë shumë të vështirë t’i kapin. Në Shqipëri ne e kemi shumë normale të kryerit e bulizmit. Unë kam kontaktuar me njerëz të cilët kanë qenë agresor ndaj gjërave që kam thënë dhe më kanë thënë: “Se kishim seriozisht, kërkojmë falje”. Kam përshtypjen se kjo është edhe çështje mentaliteti”, tha Çepani.

Bulizmi në rrjetet sociale ! Read More »

Mafia politike bllokon ngritjen e Prokurorisë , Gjykatës Speciale dhe Byrosë së Hetimit, pakti Rama-Berisha-Meta-Basha bllokon dosjet e mëdha të krimit

Zbatimi i reformës në drejtësi është një nga sfidat më të mëdha të vitit 2018.

Por zbatimi i kësaj reforme, një sfidë tashmë për organet ligjzbatuese shqiptare dhe partneret tanë ndërkombëtarë, është kthyer dhe në një makth për zyrtarët dhe politikanët e korruptuar.

Dhe pavarësisht se është zgjedhur një kryeprokurore e Përkohshme si Arta Marku, “fjalën” e fundit për luftën pa kompromis ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe abuzimeve të politikës dhe zyrtarëve të lartë, e ka ngritja e Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Prandaj themi që zbatimi i reformës duhet të kalojë përmes disa pikave kulmore, siç është ngritja e SPAK-ut, rezultatet e para të Vetingut, konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe zgjedhja e kryeprokurorit me mandat 7-vjeçar nga KLP dhe Parlamenti.

SPAK-u është një strukturë e veçantë e parashikuar në Kushtetutën e ndryshuar dhe në një ligj të veçantë.

Kjo strukturë ka si objekt gjurmimin, hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta.

Njëherësh SPAK përbëhet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat  Speciale.

Për miratimin e kësaj strukture të frikshme që ka tmerruar politikanët, të cilët janë “sfilitur” duke luftuar për tre vite me radhë amerikanët dhe vendet e BE, duhet me patjetër mbështetja totale e politikës.

Kur ndërkombëtarët thonë se politika dhe gjyqësori kanë frikë nga reforma, i referohen pikërisht SPAK-ut dhe vonesave në ngritjen e kësaj strukture.

Fillimisht, ngritja e SPAK u tentua të sabotohej, duke mos votuar ndryshimet Kushtetuese, por deputetët që bënë rezistencë u kërcënuan se do të futeshin në listën e zezë të SHBA. Madje iu dërguan dhe mesazhe nominale që ta merrnin personalisht “mandatën” nëse nuk votonin reformën në drejtësi. Duke shënuar dhe votimin më të paprecedent në Parlamentin shqiptar, 100 përqind votat pro ndryshimeve Kushtetuese.

Më pas, SPAK u bllokua përmes zvarritjes së Vetingut nga armata e gjyqtarëve dhe një pjesë e politikës, përfshi PD dhe me mbështetjen e LSI, duke ankimuar ligjin në Kushtetuese.

Zbatimi i ligjit të SPAK-ut është bllokuar dhe për shkak të zvarritjes së ngritjes së KLP e KLGJ, po nga politika dhe gjyqësori.

Gjithsesi, procesi ka hyrë në një rrugë pa kthim. Duke iu referuar procedurave dhe afateve, lëvizjet e para për ngritjen e SPAK-ut duhej të nisnin në muajin mars të këtij viti.

Por deri më tani, ka hyrë prilli dhe gjithçka është lënë në heshtje. Por është lënë dhe në dorë të kauzave spontane si të opozitës ashtu dhe të qeverisë. Të cilat interferojnë ndonëse nga kahje të kundërta, vetëm në të njejtën pikë: Bllokimin e SPAK-ut.

Është  e bllokuar dhe u shkon për shtat shumë krerëve të politikës shqiptare, asnjëherë të interesuar për ngritjen e kësaj strukture. Jo vetëm Berisha, Meta, Basha dhe Monika janë kundër, por me mosveprim është dhe Edi Rama, kryeministër i vendit. Ku me sa duket ka një pakt mes tyre për ta bllokuar ngritjen e SPAK dhe për pasojë bllokimin e dosjeve të rënda të krimit.

Për të shpëtuar secili prej liderëve politikë të vetes dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Por fati është me shqiptarët, pasi për ngritjen e strukturave të SPAK do asistojnë përfaqësues të SHBA e BE të cilët këmbëngulin fort në këtë proces.

Njerëzit që do të bëhen pjesë e këtyre strukturave do kalojnë Vetingun, duhet të plotësojnë kushte e kritere të forta si dhe do të jenë nën monitorim të rreptë nga struktura të tjera të posaçme.

Në kompetencë të Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme do të jenë 40 vepra të ndryshme penale dhe të gjitha dosjet e funksionarëve dhe ish-funksionarëve shtetërorë që nuk janë hetuar apo gjykuar deri më sot.

Disa nga veprat penale që do hetohen nga Byroja dhe do gjykohen nga Gjykatat e Speciale janë korrupsioni pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë si dhe korrupsioni aktiv dhe pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Gjithashtu, në kompetencë të organeve të SPAK-ut do të jenë çdo vepër penale që dyshohet se është kryer apo që është kryer nga funksionarë apo ish-funksionarë shtetërorë që nga 1991 deri në ditët sotme.

Pra, çdo aktivitet i paligjshëm i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që pas rënies së regjimit komunist, mund të hetohet dhe gjykohet. Duke përfshirë dhe krimet e Sali Berishës dhe qeveritarëve të tij, të ish kryeministrit Fatos Nano dhe qeveritarëve të tij, të ish kryeministrit Ilir Meta dhe ministrave të tij e me rradhë.

Jashtë ‘radarit” të SPAK natyrisht që nuk mbetet kryeministri Edi Rama dhe ministrat e ish ministrat e tij. Pasi objekt i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale do të jenë veprat penale të presidentit dhe ish-presidentëve, kreut të kuvendit dhe ish-kryetarëve të Kuvendit, kryeministrit dhe ish-kryeministrave, ministrave dhe ish-ministrave. Por dhe të të gjithë deputetëve dhe ish-deputetëve, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të kryeprokurorit dhe ish-kryeprokurorit, të krerëve të organeve të reja të drejtësisë dhe të drejtuesve të institucioneve qendrore apo të pavarura që nga viti 1991.

Dhe në këtë kontekst, pritet që të rihapen dhe njëherë dosjet e thyerjes nga Shqipëria të embargos së vënë nga OKB për ish Jugosllavinë, dosja e zhdukjes së Remzi Hoxhës nga SHIK i Gazidedes. Por dhe ngritja e skemave piramidale nga Berisha, shkatërrimi i shtetit nga themelet më 1997, grushti i dështuar i shtetit dhe vrasja e Azem Hajdarit më 1998.

Dosje të tjera pritet të startojnë për drogën, për Gërdecin, vrasjen e deputetëve Xhindi e Olldashi, vrasjen e bankierit Santo, vrasjet më 21 janar 2011, vjedhja e rrugës së kombit dhe një sërë çështjesh të tjera. Pa përjashtuar këtu dhe aferën e CEZ e DIA si dhe trafikun e drogës së lëvizur nga politikanët e lartë në Shqipëri.

Gjithë procesi do të ketë një monitorim të rreptë nga SHBA dhe BE. Ku SHBA, me anë të ekspertëve të FBI dhe të drejtësisë penale, do të mundësojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke marrë pjesë edhe në hetime të caktuara.

Në ligjin për SPAK, janë parashikuar edhe ekipe të përbashkëta hetimore mes Shqipërisë-SHBA-BE, për të gjitha veprat penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale.

Ekipet e përbashkëta hetimore do të bazohen në konventat ndërkombëtare, konkretisht, në nenin 13 të Konventës së BE për Ndihmën e Ndërsjelltë Ligjore.Pamfleti.com

Mafia politike bllokon ngritjen e Prokurorisë , Gjykatës Speciale dhe Byrosë së Hetimit, pakti Rama-Berisha-Meta-Basha bllokon dosjet e mëdha të krimit Read More »

Skandali/ Flamur Noka godet me grusht dhe kap prej fyti policin, pastaj ankohen duke bërë viktimën (Video)

Dalin pamje të reja nga përplasja e deputetëve të PD-së dhe policisë në ambientet e Gjykatës së Tiranës janë siguruar nga Balkanweb.

Në pamjet filmike duket deputeti i PD, Flamur Noka i cili pasi godet i vë dorën në fyt një efektivi policie që përpiqet të ndalojë hyrjen e tyre.

Deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar të futen në sallën e gjyqit ku do jepet masa për të ndaluarit, duke thyer edhe derën.

Ata kanë hasur përballjen me policinë që ka tentuar t’i nxjerrë jashtë duke u konfrontuar edhe fizikisht.

Deputeti i PD, Edmond Spaho, ka thënë për gazetarët se është dhunuar nga policia, duke treguar dhe gjak në këmishën e fytyrën tij.

Deputetët e Partisë Demokratike nuk kanë asnjë të drejtë që të futen brenda ambjenteve të Gjykatës dhe ata kanë shkuar me qëllim që të rrihen me policinë.

Pasi kanë dhunuar policinë, deputetët e Bashës kanë dalë jashtë në kamera dhe janë ankuar se janë goditur nga policia.

Skandali/ Flamur Noka godet me grusht dhe kap prej fyti policin, pastaj ankohen duke bërë viktimën (Video) Read More »

Mustafa Nano ‘degjeneron’ Bashën dhe Monikën: Idiotë! Nuk vihet në pushtet me dhunë

Opozita, normalisht, do duhej të ishte duke debatuar në këto kohë lidhur me ndryshimet ligjore e joligjore që synojnë krijimin e barazisë në garë. Kjo do ishte punë me mend. E vetmja punë me mend. Mendohet se kanë rol “oligarkët” në zgjedhje? Le të bëhet një ndërhyrje në ligjet e vendit që të minimizojë apo përjashtojë për fare rolin e këtyre të fundit.

Shkruan MUSTAFA NANO

Fjalori i njerëzve të opozitës ka qenë i dominuar këto ditë nga shprehje të tipit “Rama duhet rrëzuar”, “ai e ka mbushur kupën”, “ky është një rast i mirë për ta rrëzuar” etj. etj. Ka patur një lloj eksitimi prej dhunës së ushtruar në hyrje të tunelit të Kalimashit, dhe për pasojë, të gjitha qëndrimet e shprehura pas protestës janë ngritur mbi logjikën se “ka vetëm një mënyrë për t’u përballur me Ramën, dhe kjo mënyrë është dhuna”.

Ky lloj poetizimi i dhunës duket edhe te fakti që njëzëri po kërkohet që të lirohen protestuesit e ndaluar. Vini re: Nuk po kërkohet të respektohet ligji, por po kërkohet lirimi i të ndaluarve. Kanë harruar këta se disa vjet më parë vriteshin të pafajshëm në bulevard, dhe tani s’e kanë për gjë të kërkojnë lirimin e ca vandalëve. E meqë jemi këtu, duhet thënë se ka qenë i pashpjegueshëm turfullimi në kor ndaj termit “vandal”. A thua se është term përbuzës. Në fakt, nuk është hiç përbuzës. Është kualifikues. Me këtë kualifikohet një veprim i caktuar.

Ja përkufizimi sipas fjalorit të Oxfordit i fjalës “vandal”: Një person që qëllimisht e me ndërgjegje (deliberately) shkatërron apo dëmton pronën që i përket një tjetri. Apo e doni sipas Cambridge-it? Ok, ja: Vandal është ai person që qëllimisht dëmton pronën që i përket dikujt tjetër. Ka qenë kryeministri Rama që e ka përdorur i pari këtë term, dhe unë kam përshtypjen se Rama në asnjë rast tjetër nuk ka përdorur kaq saktësisht, e me vend, një fjalë të caktuar. Nuk është ky problemi i Ramës.

Ka ca kohë që unë, krahas vetësigurisë e arrogancës së Ramës në qeverisje, po vë re një si trullosje të opozitës si bashkësi. Sa më shumë që Rama bën ç’të dojë (fjala vjen, me teatrin, me taksën e rrugës së kombit etj.), aq më shumë opozita trulloset. Dhe me opozitë po kuptoj ata që kanë përsipër të përfaqësojnë edhe mendimin politik opozitar në Shqipëri, edhe energjitë opozitare në përgjithësi, por edhe të tjerë që, për arsyet e tyre, herë-herë edhe të kuptueshme e të mbështetshme, nuk e duan këtë mazhorancë. Të gjithë këta duan që Rama të mos jetë kryeministër, mirëpo në të njëjtën kohë të gjithë e kuptojnë se për ta larguar Ramën nga zyra, duhet një opozitë e zonja, e duhet të pritet të vijë dita e zgjedhjeve. Dhe këtu gjërat komplikohen disi.

Opozita është në ditën e vet më të zezë. E sikur të mos mjaftojë kjo, dita e zgjedhjeve është tmerrësisht larg. Dhe është pikërisht kjo rrethanë që i ka trullosur. Duan që diçka të ndodhë, në një kohë që dinë se kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Nuk është dramë e vogël, apo jo? E kështu, kanë ca kohë që flasin veç për rrëzimin e Ramës. Nuk diskutojnë më si ta mundin Ramën. Diskutojnë si të sabotojnë e bllokojnë jetën nacionale, në mënyrë që Ramës t’ia bëjnë të pamundur qeverisjen e, me gjasë, ta detyrojnë Ramën të ikë nga zyra. Dhe as që u shkon mendja (janë të trullosur pra) se diskutimi duhet bërë për ta mundur atë. Nuk ka diskutim tjetër. Çdo diskutim tjetër është muhabet banditësh. Çdo muhabet tjetër është vandalizëm.

Këta njerëz duhet të kuptojnë se duhet të bëjnë atë që të lejon sistemi të bësh, e që i jep kuptim vetë sistemit. Në terma konkretë, duhet të presin ditën e zgjedhjeve. Mund të ndodhë ndonjë gjë e madhe dhe e papritur deri atëherë, fjala vjen ndonjë protestë masive me qindra-mijëra vetë në rrugët e Tiranës (vini re: Tiranës, e jo Kukësit), të cilët mund ta shtrëngojnë Ramën ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Por praktikisht kjo nuk është e mundur. Nuk ka asnjë gjasë që shqiptarët ta bëjnë këtë gjë. Për arsye të njohura.

E ndërsa janë duke pritur ditën e zgjedhjeve (një palë zgjedhje janë fare të afërta, pas një viti), duhet të përgatiten me synimin që ta mundin kundërshtarin. E për të administruar pushtetin, nëse do ta marrin. Nëse Rama ndërkohë merr vendime që atyre u duken të gabuara, këto vendime kundërshtohen në parlament e në çdo strukturë e institucion tjetër të mundshëm shtetëror. Mund të kundërshtohen edhe me protesta, sigurisht, si kjo që ndodhi në Kalimash (jo të dhunshme, amá). E nëse Rama nuk do t’ia dijë, nëse ai vazhdon me të vetën, opozita ka në dorë veç të bindë sa më shumë njerëz se ai vendim është i gabuar, dhe të shpresojë që kjo punë e saj, tok me efektet e vendimit të Ramës, të konvertohet në vota për ta në zgjedhjet e radhës.

“Po prit, mor prit, se e dimë që është kështu, por puna është se Rama i ka blerë të gjithë, dhe se ai i fiton zgjedhjet me mënyra jo fort të ndershme”, mund të më thonë. Kjo është një dëshmi tjetër e trullosjes. Nuk ka opozitë të fortë, së cilës mund t’i vidhet fitorja në zgjedhje. Hiqeni nga mendja këtë gjë. Vetëm ngordhalaqët mendojnë kështu. E kanë si një excuse për humbjen që i pret. Edhe në kohën që Rama ka qenë në opozitë, ekzistonte mendimi se me psikopatin delinkuent në krye të qeverisë nuk mund të fitohen zgjedhjet. Mirëpo, doli që nuk ishte e vërtetë. Psikopatit delinkuent iu fut koka në hale në një mënyrë të paimagjinueshme. Ja, kjo gjë mund të ndodhë prapë, këtë herë me Ramën. Nëse do duan shqiptarët. Dhe vetëm kjo duhet të ndodhë. Sepse nuk ka se ç’të ndodhë tjetër.

Opozita, normalisht, do duhej të ishte duke debatuar në këto kohë lidhur me ndryshimet ligjore e joligjore që synojnë krijimin e barazisë në garë. Kjo do ishte punë me mend. E vetmja punë me mend. Mendohet se kanë rol “oligarkët” në zgjedhje? Le të bëhet një ndërhyrje në ligjet e vendit që të minimizojë apo përjashtojë për fare rolin e këtyre të fundit. Le të bëhet një ligj ku të thuhet se bizneset e mëdha apo ato që kanë patur lidhje me qeverinë (në formë tenderash apo në forma të tjera gjatë pesë apo dhjetë viteve të fundit), nuk duhet të përzihen në financimet elektorale.

Të mendohen edhe penalitete të forta për ata që do duan të shkelin një ligj të tillë. Mendohet se mazhoranca ka avantazhin e financimeve? Le të kërkohet një ligj, me anë të të cilit të synohet një fushatë fare e lehtë në terma financiarë, pa spote televizive, pa postera në mjedisin publik etj.

Të kërkojnë pra një fushatë ku nevoja e lekëve të jetë sa më e vogël. Dyshojnë se mazhoranca, megjithatë, do të blejë vota në terren? Le të bëjnë një ligj që i dënon me burg, me burg pa një pa dy, të gjithë ata që kapen duke blerë vota. Kanë frikë se mazhoranca do t’u blejë komisionerët në qendrat e votimit? Le të fillojnë qysh tani me ndërtimin e sistemit elektronik. Por tani, jo dy muaj para zgjedhjeve. Janë me idenë se mazhoranca mund t’u thotë “jo” propozimeve për ndryshime të tilla? Le ta provojnë t’i bëjnë! Dhe do shohin se do kenë mbështetjen e të gjithëve. Kur vjen puna te pretendimet që synojnë barazi në garën elektorale, kanë për të patur mbështetjen e të gjithëve.

Mirëpo, e keni vënë re ju që opozita vetëm kësaj ane nuk ecën. Veç për gjëra të tilla nuk flet. Është duke pritur që të vijë momenti i fushatës elektorale, dhe atëherë, in extremis, do të kujtohet të ngrejë pretendime, në mënyrë që te përgjigjja “tani nuk ka kohë; tani është shumë vonë”, të gjejë alibinë për të kontestuar humbjen. Sepse nëse merren qysh tani me krijimin e kushteve për një garë të barabartë elektorale, kanë frikë se u plotësohen.

Dhe kështu, atyre nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të pranojnë kokulur rezultatin e zgjedhjeve. i cili mund të jetë edhe humbja. Mirëpo, kush humbet pa kontestuar, duhet të ikë, e t’u hapë rrugën të tjerëve. Dhe është pikërisht kjo që nuk duan udhëheqësit tanë politikë, në rastin konkret Lulzim Basha. Dhe ky, Basha pra, është më gjynahqari ndër udhëheqësit tanë politikë. Sepse ky e ka të sigurt humbjen.

Këtë të fundit e dinë të gjithë. Dhe kjo shkakton nervozizëm në radhët e opozitës. Dhe trullosje. E prandaj mendojnë veç për dhunë. U ka mbirë në gojë dhuna. Por e kanë kot. Më e shumta që mund të bëjnë me dhunë, është të njollosin imazhin e këtij vendi, të na bëjnë gazin e botës e të shtojnë arsyet për të menduar braktisjen e këtij vendi. Nëse mendojnë seriozisht se me dhunë mund të vihet në pushtet, atëherë i bie që nuk janë thjeshtë të trullosur. i bie që janë idiotë.

Mapo.al

Mustafa Nano ‘degjeneron’ Bashën dhe Monikën: Idiotë! Nuk vihet në pushtet me dhunë Read More »

Gjyqtarja miliardere del e pafajshme nga Vettingu, rimerret në pyetje për aftësitë

Pas verifikimit të pasurisë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Vitore Tusha doli një figurë e pastër e gjyqësorit me pasuri të justifikuara por, KPK dhe ONM nuk janë mjaftuar me kaq.

Asaj iu kërkua t’i përgjigjej disa pyetjeve teorike dhe juridike për aftësitë, për të cilat gjyqtarja Tusha kërkoi kohë. Ajo u pyet mbi Konventën Evropiane, barazinë para ligjit apo kufizimin e lirisë.

Janë hetuar të gjitha pasuritë e gjyqtares, si një apartament në Tiranë, tokë arë 500 metra në Farkë, ndërsa nga një apartament në gjirin e Lalzit, i ka mbetur pa likujduar dhe 15 mijë euro.

Relatorja bëri të ditur se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë thotë se deklarata e pasurisë së Tushës është e saktë, nuk ka deklarim të rremë dhe është i justifikuar.

Më tej ajo u shpreh se të gjitha janë të justifikuara sepse u vlerësuan të gjithë dokumentet. Edhe DSIK thotë se konstatohet përshtatshmëri e figurës së Vitore Tushës.

Gjyqtarja miliardere del e pafajshme nga Vettingu, rimerret në pyetje për aftësitë Read More »