Aktualitet

Tensionet në Kosovë, Vuçiç telefonatë urgjente te Putin

Pas arrestimit në Mitrovicë të drejtorit të së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën e Metohinë” në Qeverinë e Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka vendosur një lidhje të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin, nga i cili pret përkrahje për zgjidhjen e situatës kritike. Të paktën kështu raportojnë mediat në Beograd.
Përveç kësaj, Vuçiq e ka thirrur urgjentisht për sonte në orën 19:30 mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mbledhje të cilën fillimisht e pat thirrur për nesër.

Tensionet në Kosovë, Vuçiç telefonatë urgjente te Putin Read More »

Përmbytjet në Shkodër, qeveria jep 200 mln lekë për gjënë e gjallë

Një fond prej 200 milion lekësh të vjetra është vendosur nga qeveria, të shpenzohen për të blerë bazë ushqimore për gjënë e gjallë në zonat e përmbytura në Shkodër. Vendimi është marrë në mbledhjen e së mërkurës së javës së shkuar, por është publikuar në Faqen e Kryeministrisë këtë të hënë. Në vendim shpjegohet se fondi prej 200 milion lekësh, do të merret nga programi se: ”Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor e blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun”, i Ministrisë së Bujqësisë.

Vendimi

VENDIM PËR RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2018, NDËRMJET MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL DHE MINISTRISË SË MBROJTJES, PËR SIGURIMIN E BAZËS USHQIMORE PËR BLEGTORINË NË ZONAT E PËRMBYTURA NË SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2018 bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

a) Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në programin buxhetor 04250 “Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor e blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun”, artikulli 606, “Transfertë në buxhetet familjare”), zëri “Shpenzime korente”, i pakësohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh.
b) Ministrisë së Mbrojtjes, në programin buxhetor 02150 “Mbështetja e luftimit”, i shtohet fondi i përmendur në shkronjën “a”, të kësaj pike, për t’u përdorur për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë në zonat e përmbytura në Shkodër.

  1. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Përmbytjet në Shkodër, qeveria jep 200 mln lekë për gjënë e gjallë Read More »

Hetimi për Tahirin. PD kërkon dëshminë e Ramës. PS: Duam dhe Berishën

Partia Demokratike ka publikuar sot listën e zyrtarëve që do të thirren për të dëshmuar në komisionin hetimor për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Kreu i këtij komisioni, Edi Paloka tha se për të arritur objektivin e hetimeve të parlamentit, duhet të merret dhe dëshmia e një sërë zyrtarësh aktuale të qeverisë dhe ish-zyrtarë. Hetimi nuk do të përqendrohet vetëm në rastin e ish-ministrit, por te gjithë fenomeni i kultivimit dhe trafikut të drogës në vend.

Zyrtari i parë që demokratët do të thërrasin për të dëshmuar është kryeministri Edi Rama. Lista vazhdon më pas me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ndërkohë që para deputetëve do të dëshmojnë edhe ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi, kreu në detyrë i SHISH, Helidon Bendo, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, drejtues dhe ish-drejtues të Policisë së Shtetit në qarqe, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të sigurisë. Në cilësinë e dëshmitarit do të thirret dhe prokurori i Krimeve të Rënda që ka nën hetim Saimir Tahirin, Besim Hajdarmataj, si dhe zyrtarë të tjerë të organit të akuzës.

Lista me emrat e personave që do të dëshmojnë do të miratohet në seancën e radhës së komisionit. Sipas ligjit, kur një zyrtar nuk pranon të vijë në komision për të dëshmuar, ai mund të merret edhe me forcë nga policia. Nisma e PD synon jo vetëm të sjellë detaje të reja mbi çështjen e ish-ministrit Saimir Tahiri, por edhe zbardhë të vërtetën për kultivimin e drogës gjatë viteve 2013-2016.

Pas publikimi të listës së dëshmitarëve që kërkon PD, Partia Socialiste do të përgjigjet me një listë tjetër. Deputeti Bashkim Fino tha se lista që do të sjellë PS në mbledhjen e ardhshme do të jetë shumë herë më e gjatë se lista e PD. Fino la të kuptohet se në cilësinë e dëshmitarit do të jenë dhe disa anëtarë të PD në komision, siç është rasti i ish-ministrit të Brendshëm në qeverisjen e PD, Flamur Noka. Gjithashtu në komision do të thirret nga PS dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe disa drejtues të Policisë së Shtetit gjatë qeverisjes së PD. Sipas socialistëve këta dëshmitarë do të përgjigjen për çështjen e kultivimit të kanabisit në Lazarat, para vitit 2013.
Nisur nga kërkesat për thirrje në komision të dyja palët premtojnë spektakël. Synimi i PD është që të sjellë Edi Ramën në komision duke e trajtuar atë në cilësinë e “të pandehurit”. Në të njëjtën mënyrë do të sillet dhe Partia Socialiste duke nxjerrë inatin për Edi Ramën te Sali Berisha, gjatë seancave të komisionit.

ZYRTARËT QE DO THIRREN DESHMITARË NË KOMISION

Edi Rama

Fatmir Xhafaj

Etilda Gjonaj

Sajmir Tahiri

Visho Ajazi Lika

Haki Çako

Ardi Veliu

Helidon Bendo

Drejtorët dhe ish-drejtorët e Policisë në 12 qarqet e vendit

Besim Hajdarmataj

Arqile Koca

Rovena Gashi

Odeta Thengjilli

Drejtori i Burgut 313

Drejtorët e Policisë në pikat e kalimit kufitar

Drejtorët e Portit të Durrësit dhe Vlorës

Dritan Zagani

Hetimi për Tahirin. PD kërkon dëshminë e Ramës. PS: Duam dhe Berishën Read More »

Rama mbledh grupin e PS, deputeti Alket Hyseni “i shpjegon” se si e bëri pasurinë

Porositë e kryesocialistit Edi Rama kanë qenë të shumta këtë fillimjave në mbledhjen e grupit parlamentar të selisë rozë, që u parapri me mbledhjen e Kryesisë së grupit. Burimet i thanë “News24” se në ditët në vijim, Rama ka paralajmëruar analizat 6-mujore të çdo ministrie, për të pare se ku është puna e qeverisë deri më tani.

Po të njëjtat burime, pohojnë se socialistët janë nxitur që të ndjekin me vëmendje çështjen e financimit rus për Partinë Demokratike, në këmbim të lobimit në favor të saj.

Nga ana tjetër, në mbledhjen e grupit, deputeti Taulant Balla mësohet të ketë prekur edhe çështjen e akuzave të Partisë Demokratike në adresë të deputetit Alket Hyseni, për çështjen e pronave në Dhërmi.

Ai mësohet të ketë thënë se deputeti Hyseni duhet të sqarojë situatën e tij. Ky i fundit, mësohet se ka rrëfyer që pronat e tij vijnë si pasojë e shkëmbimit në natyrë.

“pronën e shkëmbeva në natyrë”- mësohet se është shprehur Hyseni.

Porosi u është dhënë edhe deputetëve të tjerë socialistë për t’u shpërndarë nëpër zona, dhe që të jenë aktivë, dhe pse zgjedhjet lokale janë pothuajse një vit larg.

Rama mbledh grupin e PS, deputeti Alket Hyseni “i shpjegon” se si e bëri pasurinë Read More »

I akuzuar se vodhi tokën në Dhërmi, zbardhet pasuria marramendëse e deputetit socialist

Zbardhet pasuria e një prej deputetëve që është vënë së fundmi nën akuzë nga Partia Demokratike, Alket Hyseni. I angazhuar në disa detyra shtetërore të rëndësishme, pjesë e profesionistëve që i bashkohen pushtetit, deputet i ri në legjislaturën e fundit, Hyseni ka një pasuri të konsiderueshme, sipas vetëdeklarimit të depozituar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurisë dhe të publikuar nga “Open Data”.

Sipas deklarimit të tij, ai zotëron disa apartamente dhe mijëra metra katrorë sipërfaqe toke. Ndër vite, ai ka mbajtur një sërë funksionesh. Kështu, nga viti 2003 deri 2005 ka qenë në doganën e Kakavijës, në 2016 drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Në 2017 ndihmës në Kryeministri dhe nga qershori 2017 deputet. Ai është pronar me 100% i dy apartamenteve banimi me sipërfaqe 120 m2 secili, porositur më dt. 10.09.2008, blerë me të ardhura nga emigracioni, puna, biznesi e kursime familjare, vlera 93 600 euro (46 800 euro secili).

Po ashtu, ka një tjetër banesë me sipërfaqe 120.3 m2, porositur më dt. 31.05.2010, burimi me të ardhura nga puna, biznesi dhe sipas akt-marrëveshjes së shkëmbimit, vlera 4 691 700 lekë. Një tjetër apartament 120.3 m2, me vlerë 4 691 700 lekë si dhe tre garazhe me 30 m2 secili dhe i një garazhi me sipërfaqe 50 m2.

Ai zotëron disa metra katrorë troje dhe tokë arë, të cilat ia ka blerë sipas atyre që deklaron nga puna në emigracion dhe burimet e familjes. Pak ditë më parë, ai reagoi pas akuzave të bëra nga opozita se i ka vjedhur 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi familjes Bua.

Në një postim të gjatë në ‘FB’, ai tha: “Toka bujqësore është fituar nga një AMTP (tapi) në emër të kunatit të zonjës që akuzon, e marrë para dhjetëra vitesh dhe e regjistruar me vendim gjykate. Është transferuar me kontratë noteriale para disa viteve tek një person i tretë, përpara se të kalonte në pronësinë time të përkohshme. Nuk e njoh fare përfituesin fillestar të kësaj prone (kunati i zonjës Bua). Ndërkohë, zonja nuk ka përfituar sipërfaqe toke, pasi nuk ka qenë banore e fshatit Dhërmi në vitin 1991 dhe nuk i takon sipas ligjit“.

Hyseni shton më tej se zonja Irini Bua dhe bashkëshorti i saj i kanë humbur disa beteja gjyqësore dhe kanë bërë disa kallëzime penale në vite ndaj shumë personave dhe institucioneve, madje edhe ndaj tij, por që janë pushuar si të pabazuara sipas tij.

I akuzuar se vodhi tokën në Dhërmi, zbardhet pasuria marramendëse e deputetit socialist Read More »

Siguria Kombëtare – Pastrimi i parave, në 2017 u sekuestruan 9 mln euro, janë referuar 401 raste

Vetëm gjatë vitit 2017 janë sekuestruar 9 mln euro dhe janë nxjerrë 52 urdhëra bllokimi kryesisht llogari bankare. Shifrat u bënë të ditura nga drejtori i Përgjithshëm i Pastrimit të Parave Arlind Gjokuta gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë.

Arlind Gjokuta:Gjatë vitit 2017 kemi referuar gjithësej 401 raste të dyshuar për pastrim parash, nga të cilat 270 janë dërguar në policinë e shtetit dhe 131 raste në Prokurori. Numër ky në total i qëndrueshëm krahasuar me vitet pararendëse.

Burimi kryesor i referimeve mbeten raportet e aktivitetit të dyshimtë kuy 85% e referimeve e kanë indicjen nga këto raporte, çka është një tregues i efikasitetit të lartë të sistemit parandalues në vend.

Gjithashtu po gjatë vitit 2017 janë nxjerrë 52 urdhëra bllokimi të përkohshëm kryesisht për llogari bankare për një vlerë totale 11.2 mln euro nga të cilat janë sekuestruar rreth 9 mln euro

Drejtoria e Pastrimit të Parave ka vijuar të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Shtetit ku vetëm në përgjigje të kërkesave të policisë gjatë 2017 kemi verifikuar 2497 persona, ose dy herë me shumë se mesatarja e 4 viteve të fundit.

Siguria Kombëtare – Pastrimi i parave, në 2017 u sekuestruan 9 mln euro, janë referuar 401 raste Read More »

30 dosje ”të rënda”, Krimet e Rënda shpallin moskompetencë

Për vrasjen e trefishtë në Bulevardin ”Zogu i Parë”, gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë, duke e çuar në 30 numrin e 30 dosjeve që kjo Gjykatë shpall moskompetencë.

Çështja ndaj dy vëllezërve Doçi dhe Salvatore Letizias do t’i kalojë Gjykatës së Tiranës. Edhe çështja e Sadedin Sulës, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes u dërgua në Gjykatën e Shkodrës. Gjykata e Krimeve të Rënda do të shqyrtojë dosjet që janë kompetencë e SPAK-ut.

Gjykata e Krimeve të Rënda do të vazhdojë së funksionuari deri në ngritjen e SPAK, pas formimit të kësaj të fundit gjyqtarët e Krimeve të Rënda pasi të kalojnë vettingun mund të kandidojnë për të qenë pjesë e SPAK. Ndërsa prokurorët e krimeve të rënda duhet të kandidojnë për vendet vakante në sistem. Gjykata e Lartë i jep Krimeve të Rënda kopetencat e SPAK.

30 dosje ”të rënda”, Krimet e Rënda shpallin moskompetencë Read More »

“Reforma e pronës”, Gjonaj: Pezullimi për bregdetin, masë e përkohshme

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, bëri me dije se ka nisur ”Reforma e pronës”, teksa pohon se pezullimi i regjistrimit të titujve të pronësisë në bregdet është një masë e përkohshme.

“Kemi filluar punën dhe për reformën e pronës, që do të jetë e plotë e gjithëpërfshirëse me qëllimin për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pronës dhe për zhvillimin turistik të vendit. Kaosi i pronës do të mbetet në historinë e shtetit modern shqiptar si pengesa më e madhe në procesin e ngritjes së ekonomisë së qëndrueshme”, tha Gjonaj.

Gjatë konferencës për shtyp, Gjonaj shtoi se skanimi i pronave në vijën bregdetare, nuk do të prekë pronarët e ligjshëm.

“Skemat kriminale të zbuluara së fundmi gjatë vijës bregdetare Lezhë e Kavajë janë shembulli i qartë i modelit të ndjekur nga abuzuesit. Ky vendim synon pikërisht të pastrojë rrugën e shtetit dhe pronarëve të ligjshëm nga abuzimet dhe korrupsioni. Për qartësinë e të gjithëve se kjo VKM nuk pengon kthimin e pronës tek pronarët, sikurse po përdoret në mënyrë të shëmtuar nga opozita prej disa ditësh, përkundrazi, synon të garantojë që prona t’i kthehet pronarit dhe jo shkelësve të ligjit apo mafies së tokave në bregdet. Pezullimi është vetmë një masë e përkohshme që do i lejojë institucioneve shtetërore të verifikojë titujt e lëshuar përgjatë bregdetit dhe të ndajë njëherë e mirë pronarët e ligjshëm nga hajdutët e pronave”, tha ministrja e Drejtësisë.

Ajo shtoi më tej se puna nuk do të ndalet këtu: “Po nuk do të ndalemi këtu, jemi të vendosur për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë dhënë apo kanë përfituar tituj të pronësisë në mënyrë të paligjshme. Task force e ngritur nga qeveria do të hedhë dritë mbi abuzimet e bëra dhe do të ndihmojë në ndëshkimin e abuzuesve të çdo niveli”.

“Reforma e pronës”, Gjonaj: Pezullimi për bregdetin, masë e përkohshme Read More »