Aktualitet

Të kesh fatin e gjyqtarit të ndershëm në Shqipëri!

….Erdha në Tirane ne vitin 2003 per studime dhe fal njohjeve te gjyshit tim me partizanet komuniste (me te cilet kishte luftuar) me pranuan ne Shkollen e Magjistratures ne degen per gjyqtar!
Shkruan Flamur Vezaj

Ne ate kohe rrobat e mia ishin per te ardhur keq, asnje bluze firmato dhe ndonje kemishe te falur meqe kisha ardh ne Tirane! Mesova shume, thuajse permendsh te gjitha lendet! Por mezi arrija fundin e muajit me pagen minimale qe merrja nga shkolla e qe me mjaftonte te ushqehesha ne mensat e Qytet Studentit. Por kjo vuajtje nuk zgjati shume! Me te perfundu shkollen 3 vjecare, djali i nje ish-shokut te luftes se gjyshit me detyren minister me emroi gjyqtar ne Tirane.

Tre muaj mu deshen te mesoja hilet! Pas tre muajve pune, hodha te gjitha rreckat duke i zevendesuar me rroba firmato dhe jo dosido por kostume! Pas 6 muajsh, bleva makinen por e regjistrova ne emer te vellait! Pas nje vitit pune, sigurova nje apartament me rreth 100 m2 ne nje zone periferike te Tiranes te cilen e bleva me 20 mije euro! Tre muaj me pas, si njohes i mire i tregut te apartamenteve, e shita me 50 mije euro shtepine dhe u afrova prane qendres se Tiranes!

Por fati deshi qe me caktuan gjyqtar te penalja dhe trafikantet e hashashit kishin be ndertime ne Tirane dhe mora ja tre hyrje ne emer te boxhenakut e vellezerve! Me pas, nje mik avokat me tha qe njerin qe do e gjykoja per plagosje kishte prona me cmim te lire ne periferi te Tiranes dhe ia bleva por qe pas dy viteve i shita me nje cmim mbi 300 % me te larte! Dhe keshtu u bera edhe njohes i mire i tregut te shit-blerjeve te tokave!

Fal njohjeve qe kisha edhe pse erdha nga Kosova dola qe ne Tirane gjyshi e stergjyshi kishin pas prona te cilat i regjistrova si trashegimtar me ligjin “7501”. Si gjyqtar i mire dhe i ndershem qe isha me bene edhe disa dhurata, makina, apartamente e toka! Duke qene se po beja shume para, mendova ti pastroj duke ju futur biznesit te ndertimit ku hapa nje kompani ndertimi per te cilen kujdesej gruaja! Me letra ndertova shume pallate ne Tirane e rrethe duke deklaruar edhe cdo vit fitime te majme cka fillova te mos konsumoja me pace koke por vetem grudo e peshk! Luksi luks e pushimet pushime…

Çdo vit beja deklaraten e pasurise, fillimishte te A.Llalla me ndonje euro mes letrave e pastaj te Sh.Ganaj me te njejten procedure duke dal cdo vit i pastern!!!! E te shohesh qe ne 2003 erdha me duar ne xhepa ne vitin 2018 kam 5 llogari bankare ne euro me nga 6 zero, 12 apartamente ne Tirane, Vlore, Sarande e Shengjin, toke mbi 3 hektar, 4 lokale, aksioner ne nje kompani ndertimi dhe hidrokarburesh e ne fund mendoj se jam i ndershem ne detyren time si gjyqtar pasi po mendoj t’i dergoj zarfin sekretarit te pergjithshem te kryeministrise qe te urdheroi keta komisioneret e Vetingut qe mos ta kruajn me mua.

Kështu qe po mendoj se sa leke te vendosi ne zarf se me duhen edhe ca per pushime…”””babi babi zgjohu se erdhi koha te ikesh ne pune, ishte zeri i vajzave qe kercenin ne krevatin tim duke me hequr mendjen nga kjo enderr e mire e te qenit gjyqtar i ndershëm ne Shqiperi! 😜
#bari_thate_do_te_djeg_edhe_te_njomin#

Të kesh fatin e gjyqtarit të ndershëm në Shqipëri! Read More »

Zbardhet plani i Arta Markut për arrestime të bujshme, ngrihet strukturë e posaçme përgjimi, angazhohen 46 prokurorë për zbulimin e pasurive korruptive

Kryeprokurorja Arta Marku ka gati planin për të goditur korrupsionin në të gjitha nivelet. Në Kuvend, shefja e organit të akuzës ka dorëzuar një raport me prioritetet e punës për vitin 2018, ku në fokus është lufta ndaj korrupsionit, pastrimit të parave dhe goditja e krimit të organizuar.

Në raport theksohet se këtë vit pritet të ngrihet SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, por kjo nuk do e ndalë Prokurorinë e Përgjithshme të bashkëpunojë me to në luftën ndaj të korruptuarve. “Edhe pas krijimit të strukturës së specializuar hetimore, SPAK, bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të zakonshëm dhe SPAK do të jetë i një rëndësie thelbësore për goditjen e kriminalitetit.

Lufta ndaj krimit ekonomik e financiar, pastrimit të parave, terrorizimit, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, janë tejet parësore dhe për këtë kërkohen masa të koordinuara veçanërisht për sa i përket identifikimit të rrjeteve kriminale që qëndrojnë pas tyre.

Për sa më sipër, prokuroria do të synojë: Arritjen e rezultateve konkrete në hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet gjithë masave të kësaj strategjie; Sigurimin e bashkëpunimit maksimal me gjithë institucionet ligjzbatuese dhe Prokurorinë e Posaçme; Zhvillimin e analizave të përbashkëta bazuar në tregues statistikorë e raste konkrete”, thuhet aty.

Hetim financave

Një rëndësi të madhe gjatë vitit 2018 prokuroria do i kushtojë kontrollit financiar për zyrtarë dhe personalitete të botës së krimit. “Pasuria e paligjshme e përfituar nga veprat penale, kryesisht ato të krimit të organizuar, korrupsionit e pastrimit të parave, synon të futet në qarkullimin e ligjshëm ekonomik.

Hetimi pasuror është një mjet i dobishëm në duart tona, për të ndaluar këtë fenomen por nga ana tjetër edhe për të ndihmuar hetimin penal, duke zbuluar motive, lëvizje, dëshmitarë etj. Do të synojmë rezultate më të larta nëpërmjet hetimi pasuror, nëpërmjet zbatimit të ligjit nr. 10192/2009, të përmirësuar nga ndryshimet e vitit 2017”, thuhet në prioritetet e Markut.

Kjo do të arrihet duke zhvilluar hetime financiare paralelisht me çdo hetim për vepra penale të rënda, falsifikimin dhe për vepra penale që lidhen me detyrën. Do të ketë rrije të bashkëpunimit mes prokurorive dhe analiza të vazhdueshme të punës së tyre.

Në raport thuhet se do të shfrytëzohet teknologjia dhe kapacitetet hetimore-financiare të institucioneve si tatime, dogana, banka etj. Po ashtu do ketë hetime proaktive dhe rritje të bashkëpunimit me ndërkombëtarët për të zbardhur pasuritë e fshehura jashtë vendit.

Rritje të përgjimeve

Një tjetër masë që do të ndërmerret gjatë vitit 2018 për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar është përsosja e teknikave të përgjimit. Në prioritetet e kryeprokurores Arta Marku thuhet se do ketë pajisje të reja përgjimi dhe do të ngrihet një strukturë e posaçme survejimi.

“Ka qenë një objektiv i vazhdueshëm i prokurorisë realizimi i veprimeve teknike të përgjimit nga oficerët e policisë gjyqësore nën drejtimin dhe kontrollin e prokurorit që heton, duke vlerësuar si një pikë të fortë në rritjen e eficencës së hetimit, mundësinë e ndjekjes në dinamikë të përgjimit dhe nga ana tjetër ngushtimin e rrethit të subjekteve që marrin informacion.

Ndryshimet ligjore të vitit 2017, i hapën rrugën këtij procesi dhe hapat e mëtejshëm synojnë: Krijimi dhe funksionimi i strukturave të posaçme dhe të specializuara për kryerjen e përgjimit të komunikimeve elektronike pranë prokurorive; Pajisja e strukturave të mësipërme me mjetet teknike të nevojshme dhe trajnimi për përdorimin; Zgjerimin e kapaciteteve për përgjimin aktiv”, thekson raporti.

Zbardhet plani i Arta Markut për arrestime të bujshme, ngrihet strukturë e posaçme përgjimi, angazhohen 46 prokurorë për zbulimin e pasurive korruptive Read More »

Urdhri i kryeministrit Rama: Monitorim çdo drejtorie të administratës, shkarkime dhe kallëzime

Qeveria do të ndërmarrë një tjetër reformë në administratë. Një vit më parë filloi furtuna e shkarkimeve në administratë, ku më të ekspozuar për t’u larguar ishin militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë që shumë shpejt do të nisë një tjetër furtunë, të cilës nuk do t’i rezistojë asnjë zyrtar që ka shkelur ligjin, pavarësisht forcës politike që e mbështet, qoftë kjo edhe Partia Socialiste.

Ditët e fundit kryeministri Edi Rama i ka dërguar një udhëzim gjithë krerëve të partisë, deputetëve dhe ministrave që të nisin monitorimin e çdo drejtorie të administratës. Madje, përmes këtij udhëzimi Rama u kërkon deputetëve socialistë që të ushtrojnë ndikimin e tyre ndaj drejtuesve të institucioneve për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj njerëzve.

Ky udhëzimi i kreut të ekzekutivit drejtuar vartësve të vet, vjen në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar rreth një vit më parë mes qeverisë-deputetëve dhe bazës socialiste, me anë të së cilit kërkon që të gjithë të bëhen bashkë për të monitoruar punën e çdo drejtori të administratës publike.

Burimet i thanë gazetës “Sot”se dje dhe gjatë fundjavës deputetët të Partisë Socialiste kanë zbritur në terren, ku kanë bërë një sërë takimesh me bazën socialiste, ku kanë bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të nisë monitorimi dhe vlerësimi i performancës të drejtorëve. Po ashtu mësohet se në “shënjestër” të monitorimit do të jenë edhe drejtues të cilët kanë disa vite në të njëjtin pozicion.

Kjo lëvizje e Ramës, lë të nënkuptosh se pas vlerësimit të performancës do të ketë ndryshime në radhët e drejtuesve të institucioneve. Kështu, ata që rezultojnë me performancë të keqe, janë të parët që do të shkarkohen. Megjithatë, interesant është fakti se pas auditit dhe metodologjisë së vlerësimit të performancës së drejtorëve, pritet që të ketë shkarkime për të gjithë ata titullarë që gjenden me shkelje, duke filluar nga mënyra se si i kanë bërë emërimet deri në menaxhimin e fondeve të dhënë nga qeveria. Ndërkohë që mësohet se do të kallëzohen penalisht të gjithë ata drejtorë që kanë abuzuar gjatë detyrës.

Ristrukturimi i partisë

Nga ana tjetër, mësohet se gjatë mbledhjeve të bazës socialiste deputetët kanë diskutuar për riorganizimin e strukturave, sipas porosisë së Ramës, që të punohet sikur zgjedhjet janë këtë qershor. Mësohet se janë zgjedhur disa sekretar partie në zona të ndryshme si Gjirokastra, Korça, etj. Ndërkohë që në kuadër të udhëzimit të kryeministrit Edi Rama, mësohet se deputetët dhe ministrat kanë kërkuar rritje të performancës në punë të drejtuesve të institucioneve dhe shërbim më të mirë për qytetarët. Madje, gjatë takimeve mësohet se deputetët u kanë bërë thirrje qytetarëve që çdo lloj shqetësimi që hasin gjatë marrjes së shërbimeve të ndryshme në administratë, ta denoncojnë tek platforma e “Bashkëqeverisjes me qytetarët”.

Paralajmërimi i kryeministrit

Kryeministri Edi Rama paralajmëron pak ditë më parë një fushatë kombëtare llogaridhënieje publike. Duke folur gjatë një takim me drejtuesit vendorë dhe qendror, i pari i qeverisë deklaroi se e gjithë qeveria do zbres në fushatë kombëtare të llogaridhënies publike. “Ne do të përfshihemi shumë shpejt në një fushatë kombëtare të llogaridhënies publike të të gjithë kabinetit qeveritar, sipas ministrive dhe të të gjitha agjencive dhe zyrave qendrore që operojnë në territoret e vendit, për të garantuar transparencë dhe për të garantuar nxjerrjen në pah të të gjitha dobësive aktuale dhe marrjen e përgjegjësive nga gjithsekush që është përgjegjës për mos çuarjen më shpejt përpara të projektit të modernizimit, të transparencës dhe eficencës së shërbimeve”, deklaroi ai.

Urdhri i kryeministrit Rama: Monitorim çdo drejtorie të administratës, shkarkime dhe kallëzime Read More »

Bes Kondi, shqiptari që ndihmoi viktimat e tragjedisë në “Champs-Élysée”, emri i të cilit u raportua nga ‘Toronto Star’

Metropol ikanadez ishte dje në gjendje shoku total pas një akti çmendurie të një 25- vjeçari me emrin Alek Minassian. Tragjedia ndodhi pikërisht në “Champs-Élysée”-në e Torontos, Yong Street. Rruga më e famshme, që ndan pjesën Lindore nga ajo Perëndimore e qytetit.
Me dhjetra e qindra kanë qenë ata që kanë përjetuar një tmerr të vërtetë. Plot 26 minuta kanë rrjedhur nga moment i dhënies së alarmit deri tek arrestimi i të dyshuarit i cili në momentin kur ju afrua agjenti i policisw thërriste “më qëllo”.

Mediat nuk kanë rreshtur së dhëni informacion për ngjarjen minutë pas minute, duke ju referuar dëshmitarëve të drejtpërdrejtë. Një ndër më të njohurat prej tyre, Toronto Star, ka raportuar edhe emrin e një shqiptari i cili punon pikërisht në kryqëzimin Yong dhe Finch ku nisi tragjedia.

Bes Kondi, Property Manager i godinës 55 Yong Street, ka rendur menjëherë jashtë zyrës për të dhënë ndihmën e tij rreth orës 13:30, shkruante dje Toronto Star. Ai është gjendur së bashku më një agjent policie pranë njërit prej të aksidentuarve që dergjej përtokë në Yong Street, në kryqëzimin me Kempford Boulevard.

Kondi ka ndenjur pranë 60-vjeçarit të goditur nga furgoni dhe ka komunikuar me të deri në momentin kur mbërriti ambulanca. Kronika përshkruan dhe fjalët që kanë këmbyer Besi dhe i aksidentuari i cili në gjendje shoku rënkonte dhe pyeste vazhdimisht “ç’ka ndodhur,ç’ka ndodhur”. Pas largimit të ambulances në rrugë shihej ende mbi tokë xhaketa dhe këpucët e të lënduarit, raportontee përditshmja prestigjioze kanadeze.

Pas leximit të shkrimitnë Toronto Star, Flas Shqip pati një komunikim telefonik mbrëmë vonë me Bes Kondin, shqiptarin që u bë dëshmitar I drejpërdrejtë I tragjedisësë Yong Street e që asistoi jo vetëm të dëmtuarit por edhe shumë persona të moshuar që banojnën gjitur me godinën që ai manaxhon. Rrugët u mbyllën dhe të moshuarit duheshin drejtuar perms një itinerary tjetër deri në destinacion.

Por si e ka përjetuar ai ngjarjen e djeshme. Me zërin e qetë nga ana tjetër e linjës telefonike ai përshkroi kaosin e momentevetë para dhe shokun total të njerëzve të tronditur e me sytëpërlotur.
Mbresa të jashtëzakonshme i kishin mbetur nga aksioni i menjehershëm i policisë, zjarrfikëseve dhe ambulancave qe e morën në kohë record situatën nën kontroll si dhe asistuan gjithkënd në përpjekjet për të dhënë ndihmën e pare dhe evakuar sa më shpejt të plagosurit me synimin për të shpëtuar sa më shumë jetë.

“Kisha pare përmes TV ngjarje të tilla në Francë apo Gjermani, por kurre nuk e kasha menduar që një situatë të ngjashme do ta përjetoja drejpërdrejt këtu” – u shpreh Besi, me një zë plot dhimbje dhe emocion.

Bes Kondi, i lindur në Tiranë, ka emigruar në Kanada së bashku me prinderit dhe vwllain, Gazmendin, kur ishte vetëm 14 vjeç, pikërisht 18 vjet më parë. Prej dy vitesh ai punon si Property Manager pranë Kompanisë DEL Property Management.

PërBesin, si për cilindo banor të Torontos, 23 prilli 2018 nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa. Ishte dita e një tragjedie që na bëri edhe njëherë të kuptojmë se sa e kërcënuar është paqja dhe siguria e qytetarëve edhe në vendet të konsideruara më të sigurtat. Po jetojmë në një epokë paradoks eshtë e paimagjinuara më parë.Liria po kërcënohet gjithnjë e më tepër nga … vetvetja …
U prehshin në paqe shpirtrat e atyre viktimave fatkeqe që u ndodhën në vëndin e gabuar në momentin e gabuar …Amen!

Bes Kondi, shqiptari që ndihmoi viktimat e tragjedisë në “Champs-Élysée”, emri i të cilit u raportua nga ‘Toronto Star’ Read More »

Dibra një perlë e turizmit, traditës dhe diversitetit kulturor

TIRANË, 15 Prill /ATSH- I. Vata

Diversiteti natyror, zhvillimi ekonomik bujqësor, potenciali turistik në hapësirat rurale, agro-turizmi dhe trashëgimia kulturore e kanë bërë Dibrën të jetë pjesë e projektit të “100 fshatrave” ku përfaqësohet me Radomirën, Rabdishtin dhe Kërçishtin e Epërm.

Kryetari i Bashkisë Dibër, Muharrem Rama tha për ATSH-në se, ka nisur puna për sistemimin e rrugëve në thellësi të fshatrave dhe presim që të bëhen pjesë e përfitimit të projektit dhe ekonomitë bujqësore, pse jo të jenë qendra të vizitueshme nga turistë vendas dhe të huaj.

Më tej, Kryetari i Bashkisë Dibër, Muharrem Rama tha se, Dibra ka resurse të jashtëzakonshme natyrore, pasi është një nga trevat më të bukura të vendit, kufizohet me Maqedoninë dhe shtrihet në një territor të gjerë, nga lartësia e malit të Korabit dhe deri në kufijtë e Matit me malin e Dejës, ku shtrihet në veri Lura, një nga perlat e Shqipërisë.

“Qyteti i Peshkopisë vazhdon të konturohet çdo ditë e më shumë me ndërhyrjet që kemi bërë, duke përfunduar pedonalen e qytetit, unazën e vogël që është drejt përfundimit dhe vazhdon puna për unazën e madhe. Së shpejti përfundojmë edhe urën, që është një investim i konsiderueshëm”, tha Rama.

Më tej, kreu i Bashkisë Dibër, Rama tha se, me firmosjen e kontratës nga qeveria për Rrugën e Arbrit, Dibra bëhet një qendër më e afërt me Tiranën dhe vendet fqinje, duke e bërë atë një destinacion të preferuar turistik.

“Përmirësimi i infrastrukturës publike, mbështetja për infrastrukturën rrugore, rivitalizimi i hapësirave publike-urbane, infrastrukturë komunitare, shërbime publike, infrastrukturë mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kulturore, qendra multifunksionale komunitare, peizazhi mjedisor janë ato që e bëjnë Dibrën një perlë të turizmit dhe vlerave”, tha ai.

Projekti “100 fshatrat” ka në fokus zhvillimin ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike, përmirësimin e potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, mbështetje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për promovimin e traditave dhe të jetesës në fshat.

“Dibra është një nga trevat me ekonomi bujqësore, traditë të shkëlqyer kulturore, dhe vlera tradicionale dhe një nga perlat e Shqipërisë për turizmin, që tashmë është në projektin e “100 fshatrave”, tha në fund Rama./m.m/

     

Dibra një perlë e turizmit, traditës dhe diversitetit kulturor Read More »

Historia e Boçarëve, pronarë të bregdetit në Vlorë: 30 vite në gjyq për pronat

Familja Boçari është pronare e 142 hektarëve në Vlorë. Në komunizëm u shpronësuan për t’u ngritur ndërmarrje bujqësore. Në vitin 1996, Komisioni i Kthimit të Pronave i ktheu Gëzim Boçarit 2 hektarë toke.

Por dokumenti ju dorëzua me mangësi materiale pa firmë të kryetarit të komisionit, raporton në një kronikë Top Channel.

Gjykata e Lartë vendosi në 2003 plotësimin e mangësisë dhe dorëzimin siç e kërkon paditësi”, shprehet Gëzim Boçari për TCH.

Për vite me radhë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës së Lartë, atëherë Gëzim Boçari ju drejtua Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Gjykata vendosi që të ekzekutojë pa vonesë vendimin e Gjykatës së Lartë si dhe e dënoi shtetin shqiptar me një gjobë prej 49 mijë eurosh për dëmin moral. Në atë kohë ka qenë kryeministër Berisha, paratë i kemi marrë, pronën jo”, thotë Boçari.

Ju drejtohet për vite me radhë institucioneve të shtetit.

“Të gjithë ose s’janë përgjigjur ose janë përgjigjur tjetër për tjetër. I jam drejtuar sërish Strasburgut që të evidentojnë që vendimi i tyre nuk po zbatohet”, shprehet Gëzimi.

Deri në 2017, Avokati i Shtetit ka reaguar që vendimi i Strasburgut është ekzekutuar.

“Ekzekutimi konsiston në dhënien e një firme nga kryetari i ATP pro ose kundër kjo nuk është ë bërë, pra shteti ka mashtruar përsëri Strasburgun”.

Në zonën e Jonufrës, ndërkohë lulëzojnë përditë ndërtime në prag të sezonit të ri veror.

“Në këtë pronë kryetarët e bashkisë, të mëparshmit, në mënyrë të veçantë Shpëtim Gjika, kanë bërë biznes ose pis-nez”, thotë Boçari.

Ka qenë 40 vjeç kur e nisi këtë betejë, tani është 70 vjeç.

“E gjithë shtëpia është plot me dokumente. Me pyet ku nuk kam qenë jo ku kam qenë”.

Profesor Boçari thotë se gjithë dosja e tij duhet t’i nënshtrohet vettingut.

“Të gjithë këta që janë këtu, asnjë nuk është pronari, pra po zhvillohet strategjia e Katovicës që t’i qarkullojnë pronarët nëpër gjyqe derisa të lodhen. Unë kam vendosur të mos lodhem”, shprehet Gëzim Boçari.

Historia e Boçarëve, pronarë të bregdetit në Vlorë: 30 vite në gjyq për pronat Read More »

Horoskopi për ditën e sotme, 24 prill 2018

Dashi

Me Uranin që grindet me Hënën, do të ishte mirë të mos dilni në konkluzione të menjëhershme për ato që do t’ju thonë. Dëgjojini argumentet e të tjerëve, edhe pse brenda jush keni një ndjenjë të fortë rebelimi, që ju shtyn t’ju kundërviheni.

Demi

Me Plutonin që ndikon, sjellja jo e duhur mund të konsolidohet në vend që të jetë diçka e rastit. Pyesni veten nëse e dini si do të reagonte partneri. Mos u përzieni me gjëra që nuk ju takojnë dhe në lidhje me këtë bëni një sqarim.

Binjakët

Me favorizimin e Jupiterit, nëse jeni në kërkim të një pune, dijeni se fati mund t’ju trokasë në derë. Mos rrini duarkryq. Me Venusin mike, mund të hapni një kapitull të ri në lidhjet e juaja dashurore me personin e zemrës.

Gaforrja

Sot do të tregoheni shumë kokëfortë, por partneri do t’ju kuptojë dhe do t’ju falë. Me pak fjalë do të jeni edhe më të bashkuar se më parë. Mos jini koprrac kur vjen puna për të treguar dashurinë. Njerëzit që ju rrinë në krah e meritojnë plotësisht.

Luani

Hëna pozicionohet me Venusin dhe Marsin. Do të keni fërkime me një familjar që këmbëngul që gjithçka shkon mirë, ndërsa në realitet ka tensione të fshehura. Kush jeton në çift, duhet të bëjë kujdes që të mos ndërlikojë atë që është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë.

Virgjëresha

Me Venusin, Marsin dhe Uranin kundra paralajmërojnë një ngritje të menjëhershme tensionesh, si edhe ndonjë vendim që mund të merret në mënyrë të pakontrolluar. Nguliteni mirë në mendje se gjaknxehtësia dhe paragjykimet mund të ndikojnë që të bëni më shumë sesa një gabim.

Peshorja

Me ndikimin e Hënës, priten ulje dhe ngritje të humorit në lidhje me sqarime familjare, por jo përballje zënkash. Çlirohuni nga të tjerët. Veproni sipas mendjes suaj, pa u dashur fare t’u përshtateni ritmeve të të tjerëve.

Akrepi

Në këtë ditë bukur do të jeni nismëtar, i iniciativave të këndshme në grup. Do të argëtoheni jashtë mase, duke harruar çdo shqetësim. Aftësia juaj për të dëgjuar kërkesat e partnerit dhe t’i plotësoni dëshirat do ta forcojë lidhjen.

Shigjetari

Hëna nuk ka shumë gjëra për t’ju thënë. Nga ana tjetër, Merkuri dhe Venusi ju mbikëqyrin dhe jua bëjnë gjërat më të thjeshta. Me mbështetjen e vyer të planetit të dashurisë, do të tejkaloni keqkuptime të rastit me partnerin.

Bricjapi

Të jeni më të dashur nuk ju bën veçse mirë. Padyshim do të lehtësonte ndjeshëm raportet me personin që keni në krah. Mos e harroni, ndërhyrja e një familjari në punët tuaja do t’ju nervozojë disi, por nuk keni çfarë bëni.

Ujori

Me Jupiterin që ju mbështet, nëse keni ndonjë ide të bukur që ju shkon ndërmend, vëreni në veprim. Do t’ia dilni të gjeni edhe aleatë. Nëse do të ketë fërkime brenda familjes, largojuni duke e kaluar me sportivitet.

Peshqit

Një person ju tërheq së tepërmi e për rrjedhojë do të bini në kurthin e dashurisë, duke u ushqyer me iluzione dhe ëndrra. Por ndërkaq, e keni vetë në dorë nëse kjo dashuri do të materializohet. E rëndësime është të tregoheni në çdo çast vetja

Horoskopi për ditën e sotme, 24 prill 2018 Read More »