Aktualitet

Si e ngacmonte 11-vjeçaren mësuesi në Vlorë, denoncimi rrëqethës

E mitura 11-vjeçare denoncon se është ngacmuar nga mësuesi i saj dy muaj më parë, por familja e saj e bën publike për mediat pas dy muajsh për shkak të frikës nga gjykimi i opinionit publik.

Nxënësja e klasës së pestë në një shkollë në Qarkun e Vlorës, ka rrëfyer se mësuesi i bënte shenja, ndërsa një ditë kur po pastronte e ka puthur, por vajza kishte ikur me vrap.

Fillimisht ngjarja është rrëfyer nga nëna e vajzës së mitur, pas një hezitimi të gjatë për shkak të paragjykimeve.

Por historia bëhet edhe më e rëndë për faktin se, sikurse denoncojnë edhe gjyshërit e 11-vjeçares, edhe drejtoria Arsimore Rajonale ishte në dijeni, por nuk ka marrë masa.

Nëna, gjyshërit por edhe vetë 11-vjeçarja rrëfejnë për Report Tv detaje nga kjo ngjarje, e rëndë.

Si e ngacmonte 11-vjeçaren mësuesi në Vlorë, denoncimi rrëqethës Read More »

Gafa e gjyqtarit që divorcon pa dashje kolegen

Ariola Sulejmani, në muajin Shkurt 2018 ju drejtua gjykatës së Korçës, duke kërkuar ndreqjen e gabimeve të bëra në vendim nga gjyqtari Maksim Qirjazi, i cili kishte shqyrtuar tre muaj më parë kërkesën e saj për tu divorcuar nga bashkëshorti.

Në kërkesën e saj, Ariola pretendonte se në vendimin e dhënë, gjyqtari Qirjazi kishte bërë një sërë gabimesh, gjë e cila bënte vendimin të paekzekutueshëm nga zyra përmbarimore. Veç gabimeve, për vendbanimin, vendin e punësimit, ku nga arkëtare në një kazino, gjyqtari në vendim e kishte punësuar në lokal lojëra fati, Qirjazi i kishte ndryshuar dhe mbiemrin nga Sulejmani në Kristo, duke ju referuar në vendim me të dhënat e gabuara si “Ariola Kristo”. Por nga verifikimet e bëra, në rezultoi se të dhënat “Ariola Kristo”, që gjyqtari Maksim Qirjazi ka referuar në vendimin e divorcit të shtetases Ariola Sulejmani, i përkasin gjyqtares së rrethit Korçë, Ariola Kristo. Por ky nuk është i vetmi vendim i shpallur me gabime nga gjyqtari i Korçës, Maksim Qirjazi, i cili ka sjellë probleme në fazën e ekzekutimit, duke u bërë i paekzekutueshëm, për një periudhë kohe.

Nga verifikimet e bëra na rezulton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shqyrtuar gjatë fazës së procedimit disiplinor kundër këtij gjyqtari një numër prej gati 40 vendime gjyqësore, të cilat rezultojnë ti ketë zbardhur në mënyrë të gabuar dhe aspak profesionale. Madje herë pas here në disa vendime të gjykatës së Apelit Korçë që i disponojmë, evidentohet qartë vërejtja dhe tërheqja e vëmendjes që i bëhet këtij gjyqtari dhe gjykatës së shkallës së parë Korçë, për zbardhjen në mënyrë të gabuar të vendimeve.

Gjykata e Apelit Korçë në një prej vendimeve të saj shprehet: “…gjykata në arsyetimin e vendimit, nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të kërkueses, për vërtetimin e faktit juridik të qenies në marrëdhënie pune, por ka arsyetuar në lidhje me një person tjetër të quajtur Ethem Manoku, duke pasqyruar të dhëna që i përkasin këtij personi dhe një arsyetim, i cili mund të jetë pjesë e një gjykimi tjetër, apo vendim tjetër gjyqësor…”. Më tej në vendimin e marrë në muajin shkurt 2016 nga një trupë gjyqësore e Apelit Korçë, argumentohet se:”…se nuk mjafton vetëm që arsyetimi i vendimit të jetë formalisht i pranishëm në kuptim grafik dhe strukturor, pasi kjo do ta bënte vendimin, thjesht fiktiv…”.

Vlerësimi profesional e vërejtja konfidenciale Në fakt vlerësimi profesional i gjyqtarëve është një nga kriteret që ata duhet të përmbushin për të kaluar procesin e vettingut. Aktualisht ndaj gjyqtarit të Korçës Maksim Qirjazi, KLD ka marrë një masë disiplinore “vërjtje” konfidenciale, ndërkohë që emri i tij i ishte çuar KLD së bashku me 9 gjyqtarë të tjerë nga ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, për shkarkim nga detyra. Kjo pasi gjyqtari Maksim Qirjazi për shkak të gabimeve të tij, kishte lënë 25 ditë në burg në mënyrë të padrejtë shtetasin Teo Ramo të akuzuar për vrasje. Në observacionet që Qirjazi ka dhënë para inspektorëve të KLD ai shprehet se: ”…i pandehuri duhej të lirohej në datën 4 maj, ndërkohë ai u lirua më datën 8 maj 2014…”.

Gjithmonë sipas observacioneve të tij, gjyqtari pretendon se kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë së të pandehurit, kishte mbërritur në zyrën e tij pa vulën e sekretarisë. Por në dëshminë e saj sekretaria e këtij gjyqtari Zamira Shkëmbi shprehet: “…unë jam sekretare e thjeshtë, kërkesën ma dha gjyqtari në dorë dhe më tha fute në dosje. E mora dhe e futa në dosje. Çdo akt në dosje futet me dijeninë e tij…”. Vetë gjyqtari Qirjazi gjatë një komunikimi telefonik konfirmoi se kishte marrë nga KLD masën “vërejtje” konfidenciale. “… ka qenë një çështje që kishte të bënte me një vrasje në Greqi, për të cilën unë kam bërë një gabim 4 ditor me afatet e paraburgimit, gabim për të cilin unë kam kërkuar falje para anëtarëve të KLD. Njerëz jemi dhe gabojmë, unë kam kërkuar falje…”.

Fitova 1400 euro Greqi duke punuar në gurore Rezulton se Maksim Qirjazi, në deklaratat e pasurisë së tij të depozituara ndër vite pranë institucionit të ILDKPKI thotë se gjatë periudhës së pushimeve, nga 13 korriku 2015 deri në 15 shtator 2015 deklaron se ka qenë me pushime dhe njëkohësisht ka punuar në ishullin IOS në Greqi, duke përfituar 1400 euro.I kontaktuar në telefon, Qirjazi pranon se ka qenë në Greqi gjatë verës së këtij viti duke pohuar se:“…po është e vërtetë kam shkuar gjatë periudhës 1 mujore në lejë vjetore. Kam punuar për 17 ditë…”. I pyetur se çfarë punë konkrete kishte bërë në ishullin Ios të Greqisë gjyqtari thotë: “…dy ditë kam punuar në një gurore, kam nxjerrë gurë, disa ditë kam pastruar një mulli me erë dhe ditët e tjera kam lyer shtëpi më bojë. Kam punuar dhe kam bërë pushime, unë nuk kam turp ta them dhe as ta fsheh që kam punuar… më ka ndihmuar një kunati im, nusen e kam futur pastruese në një hotel ndërsa djalin, roje në një kioskë. Por ka punuar dhe gruaja ime së bashku me çunin, ndaj del ajo shifra prej 1400 euro…”.

Refuzimi i vizës nga SHBA e qëndrimi në Greqi Gjyqtari Maksim Qirjazi relton të jetë një nga gjyqtarët që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i ka refuzuar vizën për të udhëtuan në SHBA. Mësohet se stafi i ambasadës i ka cilësuar si jo të plota dokumentacionin që kishte paraqitur gjyqtari Qirjazi. Gjatë një bashkëbisedim telefonik gjyqtari Maksim Qirjazi tha:”…po më është refuzuar nga Ambasada Amerikane dhe kjo ka ndodhur vitin e kaluar. Unë kam dashur të shkoj në Amerikë tek motra, e cila më kishte lëshuar dhe dokumentacionin e garancisë. Zyrtarët e ambasadës më kanë kthyer përgjigje që nuk plotësoja dokumentacionin e nevojshëm dhe për pasojë ma refuzuan dhënien e vizës…”. Mirëpo gjyqtari Qirjazi jep të dhëna kontradiktore edhe në formularin e vetëdeklarimit për “garantimin e integritetit”, ku pyetjes nëse kishte jetuar ndonjëherë jashtë territorit të Shqipërisë për më shumë se 1 muaj, gjyqtari i është përgjigjur “jo”. Nga ajo që ka deklaruar në formular rezulton se ky gjyqtar ka jetuar në Greqi, për një periudhë 65 ditor, dhe më konkretisht nga 13 korriku 2015 deri në 15 shtator 2015. I kontaktuar në telefon gjyqtari Qirjazi pohoi se nuk ka qëndruar 65 ditë në Greqi. “Jo jo kjo nuk është e vërtetë kam deklaruar se kam qëndruar 1 muaj, dhe nga kjo kohë 17 ditë kam punuar. Nuk është e vërtetë se të kundërtën flasin dokumentet, kam dhënë masa sigurimi në Korçë, në muajin gusht 2015. Lëvizjet e mija janë të verifikueshme dhe në TIMS”-thotë Qirjazi. Pyetjes se ai kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit qëndrimin në Ios, Greqi, nga data 13 korrik 2005 deri në 15 shtator 2005, gjyqtari ju përgjigj:”…nuk jam në gjendje se çfarë kam deklaruar në atë formular, por mund të kem bërë ndonjë lapsus aty…”. /Shqiptarja.com

Gafa e gjyqtarit që divorcon pa dashje kolegen Read More »

Vlorë: Biznesmeni i dënuar për falsifikim dyshohet se tjetërsoi 500 hektarë tokë

Prokuroria e Vlorës ka ankimuar një seri procesesh gjyqësore, ku shtetasi Pëllumb Petritaj është akuzuar për tjetërsimin nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të qindra hektarëve tokë në rivierën shqiptare.

Bëhet fjalë për prona në Zvërnec, Ujin e Ftohtë, Karaburun dhe Palasë – ku sipërfaqja e tjetërsuar përllogaritet në rreth 500 hektarë.

Sipas prokurorisë, prodhimi i dokumenteve të falsifikuara, certifikimi i tyre nga institucionet shtetërore dhe më tej shitja tek palë të treta është skema e përdorur nga Petritaj në tjetërsimin e pronave që sot zotërohen nga politikanë, biznesmenë apo edhe kompani që kanë përfituar nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama statusin e investitorëve strategjikë në turizëm.

Vendimet gjyqësore të dosjeve të tjetërsimit të këtyre pronave janë ankimuar nga Prokuroria e Vlorës në Gjykatën e Apelit. Deri në fillim të këtij muaji, 54 vjeçari nga Vlora, edhe pse i proceduar disa herë, kishte rezultuar i suksseshëm në përballjet e tij me drejtësinë.

Megjithatë, fitoreve të tij juridike u erdhi fundi me datë 3 prill, kur Gjykata e Vlorës e shpalli fajtor për falsifikimin e dokumenteve për përfitimin e paligjshëm të 181.12 hektarëve tokë në fshatin Zvërnec, duke e dënuar me tre vjet heqje lire.

Në një komunikim me BIRN pas shpalljes së vendimit, i pandehuri Petritaj i mohoi akuzat, ndërkohë që e akuzoi gjykatën si të korruptuar.

“Gjykata vendosi mbi atë që kërkoi prokuroria dhe është e kuptueshme se këtu ka interesa të tjera. Kështu është kur nuk u jep para”, akuzoi Petritaj.

Avokati i Petritajt, Enkes Hysendhima i tha BIRN në një bisedë telefonike se fakti që emri i klientit të tij dilte në disa çështje, vinte sepse ai ishte përfaqësues i një familje të madhe pronare e shumë tokave.

“Duke qenë përfaqësues i familjes pronare më të madhe në Vlorë, normalisht sipërfaqet janë të mëdha dhe krijohen konfliktet civile. Civile (padi) nuk bën asnjëri dhe i kanë mësuar bëjnë penale”, tha Hysendhima.

“Prokuroria ka qenë e njëanshme, shumë e njëanshme. Pala që ka bërë kallëzimin penal, i ka dokumentet e falsifikuara dhe kundër saj është bërë kallëzim penal këto ditë,” shtoi ai.

Tjetërsimi i 182.12 ha tokë në Zvërnec

Falsifikimi i një dokumenti të vjetër në gjuhën osmane i ka shërbyer Pëllumb Petritajt që në emër të familjes Shehu të njohë të drejtën e pronësisë mbi 182.12 ha tokë në Zvërnec. Pjesë e këtij dokumenti është dhe pretendimi për zotërimin e një sipërfaqeje prej 59 800 m2 në zonën e quajtur Uji i Ftohtë në Vlorë.

Në gusht të vitit 2007, i pajisur me një prokurë përfaqësimi nga familja Shehu, Petritaj dorëzoi në zyrën rajonale të Kthimit dhe Kompensimin të Pronave në Vlorë, dokumentet me objekt njohjen, kthimin dhe kompensimin e kësaj prone.

Në dokumentet e dorëzuara, Petritaj ngre pretendimin se sipërfaqja e tokës prej 182 ha i është sekuestruar shtetasit Seit Shehut në vitin 1944.

Prona është njohur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë në qershor 2008. Një muaj më vonë, Petritaj i drejtohet Gjykatës së Rrethit Vlorë për njohjen e faktit juridik të pronës së familjes Shehu.

Dokumentet që BIRN disponon tregojnë se gjyqtarit Erarbër Madhi i është dashur vetëm një seancë të njohë të drejtën e pronësisë, pasi dosja në Gjykatën e Rrethit Vlorës është dorëzuar më 30 qershor dhe vendimi që i njeh të drejtën mbi pronën është marrë më 30 korrik të vitit 2008.

“Të njihet e drejta e pronësisë për një sipërfaqe të përgjithshme prej 187.12 ha; të kthehet sipërfaqja e përgjithshme prej 52.1 ha dhe të njihet e drejta e kompensimit për diferencën e tokës bujqësore prej 49.6 ha dhe 340 m² truall në kuptim të ligjit,” shkruhet në vendimin e formës së prerë të gjyqtarit Madhi.

Në vitin 2010, kjo pronë regjistrohet në emër të Ramiz dhe Kudri Shehut, duke u mbivendosur në një sipërfaqe prej 24 ha mbi pronat e njohura dhe të kthyera më herët pasardhësve të Arshi Dajlanit, familja e të cilit u persekutua gjatë regjimit komunist për shkak të pronave që zotëronte.

Në këtë moment, të gjitha veprimet juridike për familjen Dajlani pezullohen.

Konflikti mes familjes Dajlani dhe familjes Shehu është hetuar në vitin 2009 nga prokuroria e rrethit të Vlorës. Përveç familjes Dajlani, ankesa për sipërfaqen e madhe të tokës së kthyer në favor të familjes Shehu kanë parashtruar në prokurorinë e Vlorës edhe banorët e zonës së Nartës.

Por hetimet janë pushur me argumentin se nuk ekzistojnë provat që mund të ngarkonin me përgjegjësi penale shtetasin Pëllumb Petritaj, pasi nuk vërtetohej falsifikimi i dokumenteve arkivore.

Në tetor të vitit 2011, një grup punëtorësh filluan punimet për rrethimin e tokës prej 52.1 ha që gjykata ia rikthehu familjes Shehu në Zvërnec. Prona, nëpërmjet një kontrate shitje me kusht, i kishte kaluar ish- deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami – i cili në Dhjetor 2016 humbi mandatin për shkak se nuk kishte deklaruar problemet me ligjin në të kaluarën.

Dokumentat tregojnë se Pëllumb Petritaj, në emër të Ramiz dhe Kudri Shehut i shet sipërfaqen prej 54 138 m2 ish deputeti Selami me çmimin e 9.7 milionë lekëve.

“Kur kam parë që po kryheshin punimet kam mësuar që prona ime i kishte kaluar ish deputetit, i cili kishte filluar të ndërtonte aty,” kujton 72 vjeçarja Dhurata Dajlani, trashgimtare e familjes.

“E kam paditur për kryerjen e ndërtimeve pa leje, pasi çështja ishte ende në gjykim por dhe për këtë rast hetimet mbylleshin, pasi prokuroria arsyetonte që muri rrethues mbi lartësinë e 50 centimetrave nuk konsiderohej ndërtim pa leje,” shtoi ajo.

Ish deputeti Selami i tha BIRN se e kishte blerë tokën nga Petritaj me dëshirën për të ndërtuar një stallë kuajsh – një nga pasionet e tij të mëdha në jetë, por shpejtë kishte zbuluar se prona ishte e kontestuar nga dy familje.

“Para vitit 2011 unë kam shkuar tek kryetari i komunës Nartë dhe i kam shprehur dëshirën time për të investuara në atë zonë. Doja të bëja një stallë kuajsh pasi unë jam i pasionuar, kam kuajt e mi. I kam kërkuar të më jap me qira një pronë jo produktive,” kujtoi Selami.

Sipas Selamit, pasi ishte dakordësuar me kryetarin e komunës dhe filloj punimet, vjen shtetasi Pëllumb Petritaj i cili i thotë se në këtë zonë ishte pronar familja Shehu të cilën ai e përfaqësonte, por kjo e fundit ende nuk i kishte nxjerrë certifikatat e pronësisë.

Selami thotë se ka rënë dakord të bëjë kontratë me kusht me Petritajn, deri në mometin zgjidhjes së plotë të problemeve juridike të pronës . Më pas ai ka mësuar se për pronën kishte pretendime edhe një familje tjetër.

“Që nga ai moment unë jam tërhequr dhe nuk kam bërë asnjë investim. Pres që shteti të saktësoj një herë e mirë këtë çështje dhe unë më pas të kontaktoj pronarin e vërtetë të tokës pasi jam shumë i interesuar të zhvilloj projektin tim,” tha Selami.

“Unë mbas kuajve jam i pasionuar dhe ajo që doja të bëja është një ambient të mirë për to,” përfundoi ish deputeti.

Tjetërsimi i sipërfaqes së konsiderueshme të tokës në Zvërnec është denoncuar edhe në Task Forcën e e ngritur nga Kryeministri Edi Rama për tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.

Në letrën drejtuar Tak Forcës në vitin 2014, Dhurata Djalani shpjegon të gjitha peripecitë e pronës së familjes së saj, të cilat nisin pas kërkesës së bërë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të qarkut të Vlorës nga shtetasi Pëllumb Petritaj.

“Të gjitha ankesat e mia apo dhe kallëzimet në prokurori mbylleshin. Unë vazhdoj të jem ende në procese gjyqësore për shkak të mbivendosjes së kryer, pas regjistrimit të pronave të familjes Shehu,” tha Dhurata Dajlani në një intervistë për BIRN.

Çështja e tjetërsimit të pronave në Zvërnec rihapet nga Prokuroria e Vlorës vetëm në nëntor të vitit 2015.

Pas tre vitesh hetime për tjetërsimin e pronave, Prokuroria ngarkoi me përgjegjësi penale Pëllumb Petritajn. Bashkë me të u akuzua dhe ish drejtor i zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë, Petro Puleri, ish përgjegjës i sektorit juridik në zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe aktualisht nëndrejtor i Hipotekës së Vlorës, Klodian Jahaj, si dhe specialistja në zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Mirjam Isufaj.

Organi i akuzës argumenton se nga të gjitha aktet shkresore të depozituara, nuk rezulton që shtetasi Seit Shehu të jetë shpronësuar apo t’i jetë sekuestruar apo konfiskuar ndonjë pasuri nga autoritetet e shtetit nga data 29 nëntor 1944 e në vazhdim.

“Del qartë se i pandehuri Pëllumb Petritaj, duke u paraqitur si përfaqësues me prokurë i shtetasit Ramiz Shehu, ka pasur si qëllim finalizimin e një veprimtarie për marrjen dhe kthimin me anë të dokumenteve të falsifikuara të pasurisë shtetërore në favor të trashëgimtarëve të shtetasit Seit Shehu,” thuhet në kërkesën për gjykim të prokurorisë së Vlorës, e cila e akuzon Pëllumb Petritajn se ka konsumuar veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”.

Më 3 prill 2018, Gjykata e Vlorës e dënoi biznesmenin Petritaj me 3 vjet burg. Gjykata gjithashtu dënoi me burg dhe tre punonjësit e agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Rigjykim dosjeve të pronave në Jug

Dosja e falsifikimit të pronave në Zvërnec nuk është përballja e parë e Pëllumb Petritajt me drejtësinë. Nga qershori 2016 deri në korrik 2017, ai ishte një person i shpallur në kërkim nga prokuroria e Vlorës.

Prokuroria fillimisht dyshonte se Petritaj kishte një rol kryesor në një grup të strukturuar kriminal i përfshirë në falsifikimin e pronësisë të 220 hektarëve tokë në Karaburun, 89 hektarëve tokë në Zvërnec dhe 33 hektar tokë në Palasë.

Tjetërsimi i secilës prej këtyre pronave, sipas hetimit të Prokurorisë, u ngrit mbi krijimin dhe futjen në arkivën e Gjykatës së Rrethit Vlorë të dosjeve gjyqësore të sajuara dhe vendimeve fiktive të tre gjyqtarëve – firmat e së cilëve rezultuan gjithashtu të falsifikuara.

Ndër dosjet e falsifikuara rezulton një vendim i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi – i vrarë në vitin 2011 në Vlorë me një sulm me eksploziv i tipit mafioz, dhe të një gjyqtari tjetër Qatip Bylykbashi, i cili rezulton të jetë larguar nga Shqipëria që në fillim të vitit 1990.

Vendimet e falsifikuara gjyqësore u përdorën më pas në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku u certifikua tjetërsimi i pronësisë së tre sipërfaqeve të mëdha të tokës.

Pas regjistrimit në hipotekë, pronat iu nënshtruan ndarjes në parcela më të vogla dhe u shitën përmes kontratave multimilionëshe apo u shkëmbyen me prona të tjera përgjatë viteve 2012-2016, ku në pjesën më të madhe të transaksioneve rezulton emri Pëllumb Petritaj.

Megjithatë, pas një viti hetimesh Prokuroria e rrudhi numrin e personave të implikuar dhe akuzat në kërkesën për gjykim, duke përjashtuar biznesmenin Pëllumb Petritaj, njëherazi ish-kryetar i Partisë Republikane të Vlorës dhe noteren Belona Seraj.

Pas një viti, Gjykata e Vlorës shpalli përgjegjës kryesor të kësaj dosje Rajmond Mëzin – një 56 vjeçar me profesion varrmihës, dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg për falsifikimin e pronësisë së 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në Zvërnec. Një tjetër i pandehur, Lefter Gjergji, i cili akuzohej për tjetërsimin e 33 hektarëve tokë në Palasë u dënua me 16 vjet burg.

Avokati i biznesmenit Petritaj, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të dokumenteve u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.

Këtë dosje, Prokuroria e Vlorës e ka apeluar në gjykatën e Apelit ndërkohë që i është rikthyer hetimeve për të gjitha pronat që rezultojnë të lidhura me aktivitetin e Petritajt.

Në një material prej më shumë se 70 faqesh, Prokuroria e Vlorës kundërshton vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së këtij rrethi. Prokuroria insiston në dënimin e avokatit Enkes Hysendhima, duke e cilësuar atë si njeriun kyç në krijimin e skemës kriminale të tjetërsimit të pronave. Sipas akuzës, gjykata ka dhënë vendime të pabazuara në ligj në shpalljen e avokatit të pafajshëm, dhe si i tillë është i pavlefshëm.

Në një investigim i BIRN zbuloi se përfituesi kryesor i pronës në gadishullin e Karaburunit ishte shtetasi Artur Shehu- një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikë.

Nëpërmjet transaksioneve të kryera nga Pëllumb Petritaj dhe avokati Enkes Hysendhima, prona i janë shitur gjithashtu në shuma të konsiderueshme biznesmenëve, politikanëve apo dhe njerëzve me rekorde kriminale./reporter.al

Vlorë: Biznesmeni i dënuar për falsifikim dyshohet se tjetërsoi 500 hektarë tokë Read More »

Vlorë – Pastrimi i monumenteve të kulturës në funksion të sezonit të ri turistik

Monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike të Shqipërisë çdo ditë e më shumë po vizitohen nga turistë të huaj të cilët kanë interes të mësojnë për historinë dhe kulturën e vendit tonë.

Këto monumente po rijetëzohen dhe janë gati të mirë presin turistët, pasi specialistët dhe institucionet përkatëse për to jo vetëm që po kryejnë çdo punë të nevojshme për t’i mirëmbajtur ato, por gjithashtu kanë marrë nismën dhe për pastrimin e tyre.

Në prag të sezonit turistik 2018, stafi i D.R.K.K-Vlorë, vazhdon fushatën e pastrimit, e cila po shtrihet më së shumti në monumentet që kanë shfaqur probleme më të mëdha. Këtë javë fokusi i këtyre punimeve ishte në monumentet e zonës së Himarës, më saktësisht në kalanë e Porto-Palermos, në Shpellën e Spilesë dhe kalanë e Himarës.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare – Vlorë, ka hartuar një grafik për pastrimin e monumenteve dhe fton të gjithë institucionet, grupet e interesit dhe qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme.

Fotot janë përmbledhje javore e punëve mirëmbajtëse.

Vlorë – Pastrimi i monumenteve të kulturës në funksion të sezonit të ri turistik Read More »

Culturetrip: Riviera shqiptare, pamje që mund të shihen vetëm në ëndërr

Riviera shqiptare, me shtrirje nga Qafa e Llogarasë deri në Ksamil, është një nga vendet më të bukura në Europë për t’u vizituar. Me plazhet e kristalta, fshatra antike dhe panorama të mahnitshme, ky rajon i Shqipërisë është një destinacion që duhet parë patjetër në Ballkan.

Më poshtë kemi renditur arsyet se përse çdokush duhet të vizitojë bregdetin jugor të Vendit të Shqiponjave.

Panorama që të lenë pa frymë

Bregdeti shqiptar, me male të thepisura, fshatra tradicionalë, plazhe të arta dhe ujëra të kristalta, u ofron vizitorëve pamje që ata mund t’i kenë parë vetëm në ëndërr. Rruga më e mirë për të admiruar këto pamje përrallore është të shkoni në majat e fshatrave kodrinorë në kohën e perëndimit të diellit. Një nga pamjet më të mira që mund të shihni në Rivierë është nga Kisha e Manastirit të Shën Mërisë, një kishëzë ortodokse në majë të Dhërmiut, ndoshta fshati më i këndshëm i Rivierës. Mos harroni të merrni aparatet fotografike!

Plazhe të kristalta

Nëse doni të kaloni pushimet tuaja në relaks të plotë, të rrethuar nga ullinjtë dhe ujërat e kristalta, ok, pasi Riviera shqiptare është vendi i duhur. Ajo u ofron turistëve plazhet më të mira në vend dhe disa nga më të mirët në Ballkan, me gjysmën e çmimit krahasuar me vendet fqinje si Italia, Greqia, Mali i Zi dhe Kroacia.

Ushqim i shkëlqyer

Arsye tjetër madhore për të vizituar Rivierën shqiptare është ushqimi. Ushqimi është plot me shije dhe i shumëllojshëm. Në restorantet në jug të vendit, do të gjeni peshk të shijshëm dhe menu deti, plus pjata vegjetariane dhe kuzhinë tipike shqiptare si tavë kosi dhe pjata të tjera me shije. Gjëja më e mirë e kësaj është se do të paguani vetëm pak euro.

Fshatra të këndshëm

Fshatrat e bregut të Rivierës shqiptare ndoshta nuk mund të jenë të famshëm si disa fshatra italiane apo qytete greke, por ata kanë padyshim sharmin e tyre. Nga Qafa e Llogarasë deri në Ksamil, do të gjeni disa fshatra për të zbuluar si Dhërmiu, Vunoi dhe Qeparoi. Ecni përgjatë rrugëve me kalldrëm, merruni erë buganvileve, vizitoni kishat ortodokse dhe bëni foto te portat që zbukurojnë shtëpitë dhe ndërtesat.

Festivale zbavitëse

Nëse po planifikoni të vizitoni këtë pjesë të Europës, duhet të dini se çdo pranverë dhe verë këtu organizohen evente të mëdha si South Outdoor Festival, që bëhet çdo prill në Vuno dhe Kala Festival, që bëhet në Dhërmi në fund të qershorit. Kujtoni se Saranda është një destinacion veror me shumë kafene dhe klube. Nuk duhet t’u shmangeni gjërave që duhen bërë.

Plazhe të fshehura

Pavarësisht se banorët lokalë dhe turistët frekuentojnë zonat më të famshme të plazheve si Dhërmiun, Borshin dhe Ksamilin, Riviera shqiptare është e mbushur edhe me plazhe të fshehura. Përderisa janë të fshehur, ata nuk janë të populluar, madje as në pikun e sezonit. Mos humbni rastin të relaksoheni në Drimadhes, Gjipe apo Jalë, tre nga plazhet më të bukur të Mesdheut.

Hotele luksoze me çmime të mira

Shqipëria ofron shansin për të patur pushime të mrekullueshme pa shumë shpenzime. Krahasuar me vendet fqinje, ju mund të kaloni netët tuaja këtu pa shumë kosto. Zona ka akomodime të shkëlqyera për të zgjedhur si Hotel Orange në Dhërmi apo Blue Days Hotel në Borsh.

Histori e lashtë

Përveç plazheve të mrekullueshme dhe një jete nate vibruese, kjo zonë ka edhe një histori të lashtë dhe tërheqëse. Nëpër të gjithë Rivierën, ju do të gjeni plot kisha të vjetra ortodokse, manastire dhe rrënoja kështjellash antike si ajo e Ali Pashë Tepelenës, e fshehur mes pyjeve. Pas plazhit të Ksamilit, është një nga zonat më të mëdha dhe më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, parku arkeologjik i Butrintit. Ky është një park që nuk duhet humbur për ata që janë të interesuar të mësojnë me shumë për historinë e këtij vendi të mrekullueshëm.

ATSH

Culturetrip: Riviera shqiptare, pamje që mund të shihen vetëm në ëndërr Read More »

Vrasja e gjyqtarit Konomi në Vlorë, Dervishi: Në xhep i gjetën një letër, ja çfarë shkruhej

Në vitin 2011, gjyqtari Skerdilajt Konomi u vra në Vlorë, ndërsa ende nuk ka një autor për krimin. Gazetari Ferdinand Dervishi i ftuar në emisionin Repolitix në Report Tv zbuloi detaje të reja.

Ai tha se gjyqtarit i kanë gjetur në xhep një copë letër ku kishte porositur një pajisje për ta mbajtur në makinë për të bllokuar valët e celularit.

Gjyqtarit KonomiT i kanë gjetur në xhep një copë letër kur kishte porositur një pajisje për ta mbajtur në makinë për të bërë nul valët e celularit dhe aty kishte shënim ku thoshte ‘bën kaq leke në varësi të metrave katrore’. Pra është historia e një vrasje të paralajmëruar, tha Dervishi.

Ndërsa gazetari Plator Nesturi tha se ndaj gjyqtarit ka pasur presione nga KLD.

“Unë e kam njohur, i kanë ushtruar shumë kontrolle atë kohë nga KLD”, u shpreh Nesturi./lajmifundit

Vrasja e gjyqtarit Konomi në Vlorë, Dervishi: Në xhep i gjetën një letër, ja çfarë shkruhej Read More »

Operatorët: Këtë vit Vlora pritet të ketë fluks turistësh

Dy javë nga çelja e sezonit turistik në qytetin e Vlorës, operatorët turistik ngrenë shqetësimin për infrastrukturën rrugore dhe transportin urban, që shpesh turistët e huaj e përdorin për të vizituar pikat uristike dhe muzeale. Kreu i operatorëve turistik, Vasil Bendaj, pohon se nga prenotimet e deritanishme Vlora pritet të ketë një bum turistësh këtë sezon, ndaj Bashkia duhet të ofrojë kushte që ata të rikthehen sërish vitin e ardhshëm.

Bendaj shprehet se e njëjta situatë me përgatitjet e sezonit turistik është edhe në Orikum dhe Radhimë, të cilat edhe pse janë dy destinacione të preferuara nuk janë ende gati për të pritur pushuesit./shqiptarja.com

Operatorët: Këtë vit Vlora pritet të ketë fluks turistësh Read More »

Një firmë fantazmë në Qipro, një avokat grek dhe një pyetje: Nga i mori paratë Ilir Meta për të lobuar në SHBA për partinë e tij?

Një firmë fantazmë në Qipro, një avokat grek dhe një pyetje: Nga i mori paratë Ilir Meta për të lobuar në SHBA për partinë e tij?

Revista amerikane «Mother Jones» hedh dyshime mbi burimin e parave të përdorura nga LSI për lobim në SHBA. LSI dyshohet se paguante deri në 50 mijë dollarë në muaj për lobim. Një nga ëndrrat e Ilir Metës ishte t’i sigurohej qasje te presidenti Trump në formën e një takimi ose fotografie me të, përpjekje që nuk u realizua.

Revista amerikane «Mother Jones» ka botuar një shkrim tjetër hulumtues, mbi përpjekjet për lobim të partive shqiptare në Washington. Shkrimi, sipas Zërit të Amerikës, hedh dyshime mbi burimin e parave të përdorura për këtë qëllim nga Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI. Autorë të artikullit janë Dan Friedman dhe Hannah Levintova.

Vitin e kaluar, thuhet në këtë shkrim, ish-kongresmeni republikan Howard «Buck» McKeon u kontraktua nga LSI-ja për t’i dhënë asaj qasje tek administrata e Donald Trumpit dhe republikanët e Kongresit amerikan. Por pjesa më e madhe e punës së firmës së tij u financua nga një kompani fantazmë qipriote me emrin Dorelita. Sipas artikullit, burimi i parave që rrodhën nga Dorelita për tek firma lobuese e zotit McKeon mbetet i errët.

Artikulli i «Mother Jones» shtron pyetjen se kush pagoi për LSI-në, që ajo të lobonte pranë zyrtarëve amerikanë në prag të zgjedhjeve të vitit 2017 në Shqipëri. Shkrimi e vë gishtin gjithashtu te ligjet amerikane të lobimit, që sipas autorëve, ua bëjnë të lehtë interesave të huaja të përdorin kompani fantazmë për të realizuar agjendat e tyre në Washington pa zbuluar identitetet apo qëllimet e tyre.

Në janar 2017, shkruan «Mother Jones», në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Shqipërisë, Grupi McKeon nënshkroi me LSI-në një kontratë lobimi prej 15 mijë dollarësh në muaj. Kontrata nuk u nënshkrua nga zyrtarët e LSI-së, por nga një avokat grek me emrin Iraklis Fidetzis, me të cilin kishte njohje njëri prej njerëzve të LSI-së, Vangjel Tavo. Në shkurt 2017, Grupi McKeon njoftoi se po i jepte fund kontratës me LSI-në. Por një muaj më vonë, më 24 mars, ky grup nënshkroi një tjetër kontratë, të firmosur po nga avokati Fidetzis, kësaj here për të lobuar për kompaninë Dorelita.

Sipas «Mother Jones», një burim që kishte dijeni për kontratën, tha se Fidetzis kishte sugjeruar ta paguante Grupin McKeon që ky të vazhdonte lobimin për LSI-në përmes firmës Dorelita. Me kontratën e re të lobimit, që mbulonte një vit punë, shkruajnë autorët, pagesa për Grupin McKeon do të ishte 50 mijë dollarë në muaj, plus shpenzimet, pra më se tri herë më e lartë sesa kontrata e mëparshme me LSI-në.

Sipas burimit, që autorët nuk e citojnë me emër, synimi kryesor i kontratës me firmën Dorelita ishte që kryetarit të atëhershëm të LSI-së, Ilir Meta, t’i sigurohej qasje te presidenti Trump në formën e një takimi ose fotografie me të, përpjekje që nuk u realizua. Kontrata e 24 marsit dhe dokumentet e Grupit McKeon nuk e përmendin me emër LSI-në, shkruajnë autorët, të cilët thonë se Dorelita, si kompani fantazmë, kishte një qëllim të vetëm: të realizonte pagesat për Grupin McKeon në emër të LSI-së.

Autorët përmendin gjithashtu se në prill 2017, Grupi McKeon kontaktoi një numër republikanësh për të organizuar takime për llogari të firmës Dorelita, siç ka deklaruar vetë Grupi në dokumentet e paraqitura Departamentit të Drejtësisë. Por sipas «Mother Jones», burime të shumta i kanë thënë revistës se disa nga këto takime lidhen me LSI-në.

Autorët hedhin gjithashtu dyshime se një vizitë e Vangjel Tavo në Washington në fund të prillit 2017 lidhet me takimet që Grupi McKeon po organizonte me republikanë të Kongresit për llogari të firmës Dorelita. Autorët e shkrimit venë në dukje se ligji amerikan kërkon që firmat lobuese të deklarojnë qeveritë e huaja ose partitë politike për të cilat lobojnë, por Grupi McKeon nuk e identifikoi LSI-në apo Shqipërinë si përfitues të punës së tij për kompaninë Dorelita.

Autorët shkruajnë se nuk ka gjasa që Fidetzis ta ketë financuar vetë fushatën e shtrenjtë të lobimit të firmës Dorelita, por ka vepruar në emër të një pale tjetër. Pyetja që mbetet pa përgjigje, shkruajnë ata, është se kush e financoi lobimin e LSI-së dhe cili ishte objektivi prapa kësaj fushate ndikimi.

Lëvizja Socialiste për Integrim hodhi poshtë të gjitha pretendimet e ngritura në shkrimin e revistës «Mother Jones», duke e quajtur artikullin e botuar prej saj një manipulim, mashtrim, pa fakte dhe të shtrembëruar. LSI-ja publikoi të plotë këmbimin e emaileve me gazetarët e «Mother Jones», dhe përgjigjet e dhëna prej saj, ku ajo thekson në mënyrë të përsëritur se nuk ka asnjë njohje apo lidhje me shoqërinë Dorelita Limited, për të cilën revista ngre dyshime se është përdorur si mbulesë për lobimin në favor të LSI-së.

Zëri Amerikës u përpoq të kontaktonte deputetin e LSI-së Vangjel Tavo, për t’u interesuar për lidhjet e tij me avokatin grek Iraklis Fidetzis, i cili firmosi në emër të LSI-së kontratën e lobimit mes kësaj partie dhe grupit McKeon, apo dhe për faktin që sipas revistës «Mother Jones», ai dyshohet se kishte realizuar një vizitë në Washington në muajin prill, si pjesë e lobimit përmes shoqërisë «Dorelita Limited». Tavo nuk ju përgjigj telefonatave dhe as mesazheve të korrespondentit të Zërit të Amerikës në Tiranë./Tema

Një firmë fantazmë në Qipro, një avokat grek dhe një pyetje: Nga i mori paratë Ilir Meta për të lobuar në SHBA për partinë e tij? Read More »