Aktualitet

Angela Merkel i vendos kushte Shqipërisë për hapjen e ngociatave, vlerëson reformat e ndërmara deri tani nga qeveria shqiptare

Mazhoranca qeverisëse duket se është e vendosur që çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian të mbështesë në qershor hapjen e negociatave për vendin tonë. Që pas marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave pa kushte, përfaqësues të Partisë Socialiste kanë nisur lobimet në vendet që e shohin me skepticizëm dëshirën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ndërsa dje ishte vetë kryeministri Edi Rama i cili udhëtoi drejt Gjermanisë për tu takuar me zyrtarë të lartë nga Parlamenti gjerman dhe në veçanti me kancelaren Angela Merkel.

Gjermania është treguar si një vend që e sheh me dyshim uljen e Shqipërisë në tryezën e bisedimeve dhe për të ndryshuar këtë qëndrim, kreu ynë i qeverisë zhvilloi një takim kokë më kokë me Merkel. Pak para se të “mbylleshin” në dhomën e takimit, i cili zgjati rreth 90 minuta, Rama dhe Merkel dolën në një konferencë për mediat. Ajo që ra në sy gjatë fjalës së mbajtur nga kancelarja gjermane ishte se kjo e fundit vuri disa parakushte për vendimin pozitiv në qershor.

Merkel u shpreh se janë kryer disa reforma shumë të rëndësishme, por shtoi se deri në qershor duhet të shikohet më shumë progres. “Ne do të këshillohemi sesi do të operojmë më tej në procesin e të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Komisioni më 17 Prill ka propozuar që të mund të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për këtë, ne do duhet të konsultohemi me Këshillin Europian në fund të qershorit. Që të mund të hapen negociatat e anëtarësimit ka një sërë parakushtesh.

Shqipëria disa i ka plotësuar fort. Gjatë javëve të ardhshme, ne do të krijojmë mendimin tonë përfundimtar, nëse ka akoma disa gjëra që duhen realizuar, apo a është bërë përparim i mjaftueshëm. Ne duam të shohim më shumë progres deri në qershor, sidomos në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ajo.

Kancelarja vlerëson reformat

Në vijim të fjalës së mbajtur, Angela Merkel u shpreh e kënaqur nga reformat e ndërmarra deri më tani nga shteti shqiptar. Sipas saj, janë arritur disa rezultate dhe përparime, ndërsa theksoi se mbështetja e Gjermanisë në thellimin e nismave të ndërmarra do të vazhdojë. “Takimi sot, për mua është shumë i rëndësishëm, pasi do të mësoj nga vetë Kryeministri sesi e sheh ai plotësimin e parakushteve të ndryshme dhe sesi ne do të mundim që në këtë rast ta mbështesim Shqipërinë në realizimin e reformave, ashtu sikurse dhe sot. Këtë e kemi bërë e do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej.

Unë dua ta them shprehimisht se Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme dhe se nëpërmjet tyre janë arritur përparime”, deklaroi kancelarja gjermane. Merkel po ashtu e ndali theksin edhe tek reforma në drejtësi dhe procesit i vetingut në radhët e policisë i cili ka nisur së fundmi. Kancelarja nënvizoi se kryeministri duhet të vazhdojë në këtë rrugë, duke thelluar reformat. “Kemi folur edhe në takimin e fundit për këto, si për shembull, këtu e kam fjalën për sistemimin e drejtësisë, sepse nëpërmjet reformës në drejtësi, forcohet tërë integriteti dhe besueshmëria e tij.

E dimë se procesi i vetingut tani po zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm se mund të inkurajoj Kryeministrin dhe të vazhdojë këtë rrugë. Kemi folur edhe për fusha të tjera, siç është shteti i së drejtës në përgjithësi, por dhe lufta për krimin e organizuar dhe kundër korrupsionit. Unë mendoj se të gjitha këto kanë një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe për njerëzit e saj”, tha Angela Merkel./SOT

Angela Merkel i vendos kushte Shqipërisë për hapjen e ngociatave, vlerëson reformat e ndërmara deri tani nga qeveria shqiptare Read More »

Zbulohen të tjera detaje, Irakli Svanidze jo vetëm pronar i ”Gulf”. Nën administrimin e tij edhe një kompani tjetër

Irakli Svanidze, gjeorgjiani i shpallur në kërkim me vendim të prokurorisë së Tiranës, gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri nuk ka pasur në administrim vetëm kompaninë e naftës “Gulf”, por dhe një kompani tjetër të quajtur “Puntocall”.

Kjo kompani është hapur me qëllim ushtrimin e aktivitetit të saj, në fushën e Call-Centër, duke raportuar si adresë biznesi rrugën “Shkelqim Fusha”, në Tiranë. Mësohet se pikërisht kjo kompani ishte regjistruar në Prill të 2016, ndërkohë që vetëm një vit më pas kishte bërë ç’regjistrimin e biznesit.

Kompani është çregjistruar me vendim gjykate, me procedurë likujdim i thjeshtëzuar, në muajin Prill të 2017. Nuk dihet me saktësi nëse Svanidze ka ushtruar aktivitet tregtar në fushën e Call-Centër, por dyshimet e prokurorisë janë se kompania në fjalë ka qënë “guaskë”.

Prej 19 prillit 2018 gjeorgjiani është shpallur në kërkim për mashtrim me pasoja të rënda, pasi në cilësinë e administratorit të kompanisë “Gulf” ka shitur mijëra tollona nafte, në një kohë që depozitat e naftës së kësaj kompanie kanë qënë bosh.

Tetë kallëzime në policinë e Tiranës

Mashtrimi i qindrave personave me tollonat e naftës,ka shtyrë disa prej qytetarëve por edhe biznese të ndryshme, ti drejtohen organeve të drejtësisë për të denoncuar skemën e mashtrimit dhe emrat e personave përgjegjës, që u kanë shitur naftën.

Një burim pranë policisë së kryeqytetit i tha gazetës “Shqiptarja.com” se tetë persona janë paraqitur në Policinë e Tiranës dhe kanë bërë kallëzim për 40 vjecarin Irakli Svanidze dhe menaxherin e kompanisë “Gulf”, Alban Aliko, si dhe disa menaxherë të tjerë, se i kanë mashtruar duke u shitur tollona karburanti, kundrejt një çmimi që varionin nga 125 deri në 130 lekë për litër.

Duke iu referuar sistemit TIMS, burime nga policia bëjnë me dije se Alban Aliko nuk rezulton të jetë larguar jashtë Shqipërisë, por pavarësisht kontrolleve nuk është gjetur. Ndërsa gjeorgjiani Irakli Svanidze rezulton se rreth 3 javë më parë ka qenë në Shqipëri dhe më pas është larguar.

Dorëzohet bilancet në prokurori

Dy ditë më parë një material shtesë ka mbëritur në prokurorinë e Tiranës, e cila prej ditës së premte ka nisur hetimet lidhur me falimentin e menjëhershëm të kompanisë së naftës “Gulf”. Bëhet fjalë për disa deklarime dhe bilance të kësaj kompanie, ku janë referuar pasqyrat financiare të këtij biznesi.

Në materialin e policisë së Tiranës referuar prokurorisë janë dhe disa denoncime të bizneseve dhe qytetarëve të ndryshëm, të cilët kanë rënë preh mashtrimit me tollonat e naftës. Në deklarimet që kanë dhënë menaxherët e kësaj kompanie, ata kanë pretenduar se kanë shitur naftën sipas diretivave të kryemenaxherit të kompanisë Albano Aliko. Gjithashtu menaxherët kanë pohuar se ende nuk kanë marrë pagesat mujore, duke e ndjerë veten të mashtruar.

‘Gulf’ asnjëherë s’doli me fitim, 3 bilance me humbje të mëdha deri në 589 mld lekë të vjetra

Gazeta “Shqiptarja.com” disponon të plota bilancet e kësaj kompanie, madje në një vendim të marrë nga ortaku i vetëm i kësaj shoqërie David Okrotsovidze, mbajtur në 20 qershor 2017 thuhet se:”… miratojmë humbjen ushtrimore të vitit 2016 në shumën 274,199,148.00 lekë të reja.

Kjo humbje do të mbulohet nga fitimet e periudhave të ardhshme…”. Por edhe në bilancin e vitit 2015, kompania e sipërcituar nuk ka qënë në gjëndje të jetë me fitim. Kjo pasi sipas dokumentave që zotëron “Shqiptarja.com”, humbjen gjatë ushtrimit të aktivitetit tregtar gjatë 2015 shkojnë në shifrën 289.442.355 lekë të reja.

Por vijimi i humbjeve të kësaj shoqërie shkojnë edhe më thellë në vite, pasi në datën 30 qershor 2014 kompania në fjalë ka miratuar bilancin e saj, ku rendit një humbje financiare prej 26.281.908 lekë të reja.

Edhe këtë herë, përfaqësuesit e kësaj shoqërie e justifikojnë humbjen me premtimin se do e rikuperojnë në fitimin e vitit të ardhshëm. Megjithëse në total kjo kompani ka paraqitur në bilancet e saj të tre viteve një humbje prej 589.923.411 lekë të reja, kjo kompani sërisht ka vijuar qetësisht të punojë, duke mos u ndaluar në asnjë moment nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

E çuditshme është se si një biznes që hyn në kategorinë e taksapaguesve të mëdhenj, është toleruar nga vetë instatncat shtetërore, duke krijuar këtë situatë kolapsi dhe mashtrimi. Pavarësisht kësaj situate dhe neglizhence, pritet që në ditët në vijim prokuroria e Tiranës do i drejtohet gjykatës së kryeqytetit duke kërkuar masë “arrest me burg’ për menaxherin Albano Aliko dhe administratorin e kompanisë gjeorgjianin Irakli Svenidze./Shqiptarja.com

Zbulohen të tjera detaje, Irakli Svanidze jo vetëm pronar i ”Gulf”. Nën administrimin e tij edhe një kompani tjetër Read More »

“Karton të kuq”, pas verifikimit të gjysmë milioni dollarë, KPK zbardh vendimin pse u shkarkua Fatos Lulo

Fatos Lulo, ish-gjyqtari i Kushtetueses, u shkarkua nga Vettingu pasi nuk justifikoi pasurinë e tij prej 480 mijë dollarë dhe një shtëpinë në Kanada. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në 23 mars të largojë Lulon nga sistemi i drejtësisë me argumentin se të ardhurat e tij të ligjshme nga puna si gjyqtar nuk mbulojnë pasuritë e vëna.

Një muaj më pas KPK ka zbardhur vendimin e tre komisionerëve Genta Tafa, Brunilda Bekteshi dhe Etleda Çiftja, ku argumentohen arsyet pse Fatos Lulo përjashtohet nga sistemi i drejtësisë.

Në vendimin prej 23 faqe, KPK thekson se “në përfundim të procesit të rivlerësimit për Lulon, vetëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë, referuar analizës për pasuritë dhe të ardhurat, konkludon që gjyqtarit t’i jepet masë disiplinore e shkarkimit nga detyra”.

Avokati i Fatos Lulos ka paralajmëruar ankimimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Karton të kuq”, pas verifikimit të gjysmë milioni dollarë, KPK zbardh vendimin pse u shkarkua Fatos Lulo Read More »

Akuza e revistës amerikane, reagon LSI: Pas fshihet këshilltari i Ramës dhe paratë e…

LSI ka reaguar pas publikimit të lajmit nga revista amerikane “Mother Jones”, e cila akuzonte partinë e Monika Kryemadhit se ka paguar për të lobuar në SHBA para zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Në reagimin e LSI, akuzat cilësohen shpifje dhe shtohe se revista nuk ka pasqyruar përgjigjet që ka dërguar LSI. Më tej LSI akuzon se pas fshihet këshilltari i Ramës, Endri Fuga.

“Mother Jones-Father Soros. LSI: Perse MotherJones ka frike nga pergjigjet e LSI-se? Motherjones nuk ka pasqyruar pergjigjet e LSI. LSI do hedhi Motherjones ne gjyq per shpifje. motherjones tregoi qe paguhet nga parate e droges se Edi Rames. Sa here ka komunikuar Motherjones me Endri Fugen?

Akuza e revistës amerikane, reagon LSI: Pas fshihet këshilltari i Ramës dhe paratë e… Read More »

Lajmi i mirë për emigrantët shqiptarë në Greqi

Janë me dhjetra mijëra emigrantët shqiptarë në Greqi të cilët kanë aplikuar për t’u pajisur me leje për arsye të jashtëzakonshme.

Pjesa më e madhe e tyre, ende nuk kanë marrë një përgjigje për aplikimet që kanë bërë, edhe pse kanë kaluar më shumë se katër vjet që nga koha kur i dorëzuan aplikimet.

Dhe tani, në vend që shteti grek t’u kërkojë një ndjesë që i ka mbajtur varur për gjithë këtë periudhë, vjen një projektligj i ri, dispozitat e të cilit përjashtojnë nga kjo leje qëndrimi një numër mjaft të konsiderueshëm emigrantësh; disa thonë se ky numër arrin në 50.000…

Bëhet fjalë për projektligjin mbi aplikantët për azil dhe mbrojtje ndërkombëtare, që është paraqitur në parlament dhe që i janë bashkangjitur dhe disa dispozita të reja që lidhen me lejet e qëndrimit.

Siç komenton Vasilis Hronopoulos, nga seksioni i të drejtave të njeriut në PASOK, “mundet që projektligji të duket se është në favor të emigrantëve, sepse thjeshtëzon më tej procedurat. Por në fakt, shumë emigrantëve do të dalin të paligjshëm”

Dispozita që “djeg” shumë emigrantë, lidhet me afatin e qëndrimit në Greqi. Me ligjin ekzistues, emigranti duhej të vërtetonte se kishte të paktën tre vjet në Greqi, si dhe të dëshmonte se kishte lidhje të forta me këtë vend.

Tani, dispozita e re, kërkon që emigranti të ketë 7 (shtatë) vjet në Greqi dhe këtë ta vërtetojë vetëm me dokumente shtetërore.

Përcakton dispozita e re:

1.Koordinatori i administratës së decentralizuar ka mundësinë që të akordojë leje qëndrimi me afat tre vjeçar, për qytetarë të vendeve të treta që banojnë në Greqi. Leja e qëndrimit mund të rinovohet për një nga arsyet që përmban Kodi i Emigracionit. Kërkesë për pajisje me leje qëndrimi ka të drejtë të depozitojë qytetari i vendit të tretë, përderisa vërteton me dokumenta shtetërorë faktin e qëndrimit në Greqi për të paktën shtatë vjet para aplikimit apo është prind i një të mituri – qytetari grek dhe që paraqet dokumenta që vërtetojnë lidhjen prind – fëmijë.

Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor dhe drejtorinë e emigracionit Athinë dhe drejtues i organizatës “Arogji-Përkrahja”, na e “shkoqit” më mirë thelbin e problemit që krijon dispozita e re:

“Me dispozitat për leje të jashtëzakonshme, kanë aplikuar më shumë se 100.000 shqiptarë, që nuk kishin pasur kurrë apo e kishin humbur të drejtën për leje qëndrimi. Kur kanë aplikuar, këta mjaftonte të provonin se kishin tre vjet në Greqi dhe kjo provohej me një larmi dokumentesh, madje edhe nga privatët, siç ishin faturat e dërgesës së parave me Western Union apo Moneygram e kompani të tjera që bënin transferta parash. Tani kërkohet që kjo të bëhet vetëm me dokumenta shtetërorë. Po si mund të ketë pasur qasje në shërbimet shtetërore një emigrant që ishte i paligjshëm”.

“Por nuk është vetëm ky problemi”, vazhdon zoti Malaj, “Problemi kryesor është se tash e tutje, kërkesat për leje për arsye të jashtëzakonshme do të shqyrtohen në bazë të ligjit të ri, që përcakton shtatëvjeçar. Çka do të thotë që ata, të cilët kishin aplikuar duke pasur tre vjet qëndrim të vërtetuar në Greqi, tani do të marrin përgjigje negative dhe do të duhet të largohen nga Greqia”…

Vasili Hronopulos shton edhe një kategori tjetër:

“Ka një kategori të rinjsh, kryesisht nga Shqipëria, që u rritën në Greqi, por u larguan bashkë me prindërit për shkak të krizës, pak para se të kapnin moshën madhore. Shumë prej tyre duan që të kthehen në Greqi, sepse këtu janë mësuar të jetojnë. Ndoshta dhe nuk deshën kurrë të largoheshin prej këndej. Disa pak prej tyre, mundën në çastin e fundit të përfitonin nga Kodi i Emigracionit dhe morën sërish leje qëndrimi. Me dispozitat e ligjit të ri, “porta” për këta të rinj, mbyllet përfundimisht”.

Leje për tre vjet në vend të asaj njëvjeçare

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se dispozitat kanë një favor të rëndësishëm, po vetëm për ata që do të mundin të vërtetojnë me dokumente shtetërore se kanë shtatë vjet qëndrim të vazhdueshëm në Greqi.

Leja fillestare e qëndrimit do të vlejë për tre vjet dhe jo për një vit që parashikonte ligji i mëparshëm.

Kështu, edhe pagesa ndryshon mjaft pozitivisht: Për lejen trevjeçare do të paguhet paravolo 300 euro, aq sa duhej paguar më parë për lejen një vjeçare (gjithmonë për arsye të jashtëzakonshme).

Pjesë nga projektligji i ri

TV Tribuna disponon projektligjin e ri që është paraqitur në parlament dhe ka gjasë të votohet javën e ardhshme. Shkëputëm disa fragmente që mënojmë se kanë interes të veçantë për bashkatdhetarët tanë.

1.Koordinatori i administratës së decentralizuar ka mundësinë që të akordojë leje qëndrimi me afat tre vjeçar, për qytetarë të vendeve të treta që banojnë në Greqi. Leja e qëndrimit mund të rinovohet për një nga arsyet që përmban Kodi i Emigracionit. Kërkesë për pajisje me leje qëndrimi ka të drejtë të depozitojë qytetari i vendit të tretë, përderisa vërteton me dokumenta shtetërorë faktin e qëndrimit në Greqi për të paktën shtatë vjet para aplikimit apo është prind i një të mituri – qytetari grek dhe që paraqet dokumenta që vërtetojnë lidhjen prind – fëmijë.

2……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

3.Qytetarëve nga vendet e treta, që dëshmojnë se banojnë në Greqi për të paktën shtatë vite të plota, u jepet një vërtetim i marrjes së aplikimit, ku shkruhet se ndalohet marrja e vendimit për largimin nga Greqia për periudhën që do të nevojitet për shqyrtimin e aplikimit.

  1. a)…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

b. Pagesa e një tarife (parovolo) prej 300 (treqind) euro.

5.Lejet e qëndrimit sipas këtij neni, i ofrojnë poseduesit të drejtën për punë të varur dhe në ofrimin e shërbimeve apo të veprës. E drejta për ushtrimin e aktivitetit ekonomik të pavarur jepet vetëm në rastin që poseduesi kishte më përpara leje qëndrimi që ia ofronte këtë të drejtë dhe kur veprimtaria vazhdon të funksionojë.

/Ora News

Lajmi i mirë për emigrantët shqiptarë në Greqi Read More »

Auron Tare zgjidhet kryetar i Këshillit Shkencor në UNESCO

Në Selinë e UNESCO-s në Paris, në sesionin e radhës së vendeve anëtare të Konventës së 2001 mbi Pasurinë Kulturore Nënujore Botërore u mbajt mbledhja e Këshillit Shkencor dhe teknik të kësaj Konvente.

Me propozimin e përfaqësuesit të Argjentinës mbështetur nga Franca dhe Meksika, Këshilli Shkencor dhe Teknik i Pasurive Botërore Nënujore të UNESCO-s,  votoi Auron Taren  si Kryetar të këtij organizmi të rëndësishëm.

Votimi ishte unanim pa asnjë votë kundër, në prani edhe të Sekretariatit të UNESCO si dhe të dhe Drejtores se Përgjithshme të Pasurive Botërore të Unesco-s.

Ky pozicion i lartë 4 vjeçar, mbahet për herë të parë nga një shqiptar dhe vjen si angazhim i gjatë i z.Tare në kërkimet dhe zbulimet e anijeve të mbytura historike.

Auron Tare zgjidhet kryetar i Këshillit Shkencor në UNESCO Read More »

LSI i plas skandali në SHBA, Meta pagoi për të lobuar pranë Trump

Një tjetër artikull tronditës për politikën shqiptare vjen nga revista amerikane Mother Jones. Pas raportit të detajuar për lobimin e Partisë Demokratike në SHBA, një tjetër investigim ka nxjerrë emrin e një politikani dhe zyrtari të lartë.

Në artikullin e titulluar “Kush e paguan Bcuk McKeon-in në favor të një partie shqiptare? Si përdori kompania misterioze një kongresmen republikan për të lobuar me Trumpin dhe Kongresin?”, Mother Jones përmend veprimet misterioze të kompanive “offshore” në favor të Lëvizjes Socialist për Integrim.

Vitin e shkuar, Hoëard “Buck” McKeon, një ish kongresmen republikan që kryesonte Komisionin e Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, u pagua për të lobuar në favor të një partie politike shqiptare që donte të lidhej me administratën e presidentit Trump dhe republikanët e kongresit. Por shumica e shërbimeve të firmës mbulohej financiarisht nga një kompani “guaskë” qipriote, Dorelita Limited. Mbulimi nëpërmjet firmës ishte krijuar nga një avokat qipriot, i specializuar në krijimin e korporatave “offshore” dhe që kishte bashkëpunuar me kompani të lidhura me oligarkë rusë. Megjithatë, kompania “shell” tani kontrollohet (të paktën në letër) nga një avokat me bazë në Athinë, i cili ka qenë këshilltar i një miliarderi grek shumë të debatueshëm. Burimi i parave që kalonin nga Dorelita te grupi McKeon, firma lobuese e krijuar nga McKeon në vitin 2015, pasi la Kongresin, mbetet e mjegullt. Në fakt, ky mund të jetë gjithë qëllimi.

Këto manovrime ngrenë pyetje se kush ka paguar për lobimin në Amerikë në favor të një partie të vogël shqiptare, fuqi e tretë, LSI, para zgjedhjeve të vitit të shkuar. Marrëveshja misterioze ofron një tjetër shembull të interesave të dyshimta që shfrytëzojnë kompani “offshore” të cilat përdorin sistemin politik të SHBA-ve për të ndikuar politikën në Ballkan. Muajin e shkuar, Mother Jones raportoi se Nicolas Muzin, një ish ndihmës i Senatorit Ted Cruz, i cili kishte punuar edhe për fushatën e Donald Trumpit, ishte paguar nga një kompani “guaskë” skoceze që kishte lidhje me shtetas rusë, të cilët lobonin për opozitën në Shqipëri.

Puna e McKeon për Dorelitën vë në dukje se si ligjet amerikane për lobim ua lehtësojnë punën enteve me interesa të huaja që të përdorin kompani “guaskë” dhe grupe të ndryshme, duke shtyrë axhendat e tyre në Uashington edhe pa zbuluar identitetin apo qëllimin e vërtetë të këtyre lëvizjeve. Kjo tregon se si aktorë të ndryshëm nëpër botë përdorin kompani “guaskë” (të cilat mund të krijohen shumë shpejt në vende që kanë shumë pak kërkesa për hapjen e tyre), për të fituar ndikim politik në mënyrë anonime në SHBA dhe në vende të tjera.

“Qëllimi kryesor i kompanive ‘guaskë’ në vende si Qiproja është që të fshehin veprimtaritë për çështje delikate”, thotë Jeffrey Ëinters, shkencëtar politik në Universitetin Northëestern, i cili studion rrjetet financiare dhe se si të pasurit shfrytëzojnë kompanitë “guaskë”. “Kjo marrëveshje është mbulur plot me sinjale alarmuese”, shton ai.

LSI i plas skandali në SHBA, Meta pagoi për të lobuar pranë Trump Read More »

Mesazhi është i qartë: Negociatat hapen vetëm nëse deri në fund të qershorit “peshqit e mëdhenj” do të jenë në burg. Të tjerat janë përralla!

Ambasadori i SHBA Donald Lu e ka thënë qartë dhe shkoqur që vitin e kaluar që “peshqit e mëdhenj” duhet të jenë në burg që në janar 2018.

Duke qënë se organet ligjzbatuese dhe institucionet e zbatimit të reformës në drejtësi po konstituohen ngadalë, ambasadori amerikan në Tiranë ka shprehur bindjen se deri në fund të qershorit, zyrtarët e lartë që kanë abuzuar me paratë e qytetarëve do të jenë para drejtësisë.

Për Donald Lu dhënia fund e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve, është një emergjëncë për Shqipërinë.

Ambasadori amerikan e ka parë një emergjencë të tillë në kuadër të hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE, ku fundi i qershorit është momenti kur vendet anëtare të BE japin “viston” për vendin tonë.

Aq më tepër që Donald është njeriu që bëri që reforma në drejtësi dhe vettingu të miratoheshin nga politika shqiptare dhe të fillonte, ndonëse ngadalë, zbatimi i tyre në Shqipëri.

Madje ka dhënë dhe kontribut konkret teksa janë shpallur person të padëshirueshëm për SHBA ish kryeprokurori Adriatik Llalla bashkë me familjen dhe dashnoren, dhe pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

Njëherësh është bërë dhe përgatitja e listës që në një rast të dytë të shpallen të padëshirueshëm për SHBA-në dhe politikanët më të rëndësishëm shqiptarë.

Në të njejtën linjë ka qënë sot dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian Romana Vlahutin, e cila në mënyrë publike ka kërkuar që deri në fund të qershorit “peshqit e mëdhenj” të jenë në burg.

Duke e cilësuar një nga kushtet kryesore të BE për integrimnin e Shqipërisë dërgimin para drejtësisë të të gjithë zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me pushtetin, Vlahutin ka kërkuar me insistim dhënien fund të pandëshkueshmërtisë së zyrtarëve të lartë si kusht për integrimin në BE.

Ndërkohë që zbatimi i reformës në drejtësi dhe arrestimi i “peshqve të mëdhenj” merr kuptim vetëm nëse fillon me Ilir Metën aktualisht president i vendit dhe Sali Berishën ish kryeministër të Shqipërisë.

Ku me sa duket mesazhet e Donald Lu dhe të Romano Vlahutin pikërisht për ish kryeministrin dhe Presidentin aktual kanë qënë. Këtë e thoshte dhe Freedom House një javë më parë. Pasi Meta dhe Berisha nuk kanë lënë asnjë cep të pushtetit pa abuzuar, duke vjedhur miliona euro dhe dollarë nga arka e shtetit shqiptar, kanë kryer krime, që nga Gërdeci, 21 janari, rruga e Kombit, afera e CEZ/DIA dhe krime të tjera.

Por dhe vrasjen e një ambasadori dhe një zyrtari të lartë në Ministri e deri tek vjedhja e arit në Kërrabë, ryshfetet që kanë dalë dhe përmes videove.

Pa përmendur këtu pasuritë e pallogaritshme të Metës dhe Berishës, çka do t’i jepte garanci dhe ndërkombëtarëve se reforma në drejtësi me këta dy njerëz në burg do të kishte kuptim.Pamfleti.com

Mesazhi është i qartë: Negociatat hapen vetëm nëse deri në fund të qershorit “peshqit e mëdhenj” do të jenë në burg. Të tjerat janë përralla! Read More »