Aktualitet

Bandat shqiptare zotërojnë 60 % të tregut të kokainës

Gangsterët shqiptarë që kontrollojnë tregun e kokainës së pastër kanë rritur praninë e tyre në Britani me rreth 60 përqind në tre vitet e fundit, duke ushqyer një rritje të krimit të dhunshëm.

Dhuna e bandës është përhapur gjithnjë e më shumë në qytetet bregdetare dhe fshatrat rurale në përputhje me një rritje të mprehtë të kokainës të sjellë nga mafia shqiptare nëpërmjet lidhjeve me kartelet e Amerikës Latine, raporton The Times, shkruan Syri.net.

Ritmi në të cilin banda shqiptare ka pohuar kontrollin e kontrabandës me shumicë të kokainës dhe shpërndarjen në Britani është paraqitur në shifra nga Agjencia Kombëtare e Krimit.

/Ariglon Pali/Syri.net/

Bandat shqiptare zotërojnë 60 % të tregut të kokainës Read More »

Përgatitja e oficerëve të rinj, Xhaçka: Ndryshime në kurrikulat e Akademisë së Forcave të Armatosura

Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) festoi 60 – vjetorin e krijimit të saj. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e pranishme në këtë aktivitet, shpjegoi se misioni i kësaj akademie do të vijojë të mbetet përgatitja, arsimimi e kualifikimi i specialistëve të lartë të personelit ushtarak e civil.

“Në kushtet e zhvillimeve të reja të mjedisit të sigurisë në rajon e më gjerë, Akademia e Forcave të Armatosura do të vazhdojë të ketë për mision përgatitjen, arsimimin e kualifikimin e specialistëve të lartë e të aftë të personelit ushtarak e civil, për të gjitha nivelet e drejtimit të Forcave të Armatosura për fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Vëmendja duhet të përqendrohet tek përgatitja e oficerëve të rinj, duke filluar nga modeli që do të zgjedhim, model, i cili të jetë i integruar me arsimin e lartë kombëtar, por edhe me ato të vendeve të NATO”, – tha Xhaçka

Ministrja e Mbrojtjes gjatë fjalës së saj theksoi se, në kuadër të detyrave të reja që qeveria shqiptare i ka ngarkuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, duhet të përshtatë edhe ndryshimet në kurrikula për të qenë sa më efiçent.

“Në kushtet kur qeveria shqiptare i ka ngarkuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura menaxhimin e emergjencave civile edhe të iniciativës së kryeministrit, për të promovuar në detyrat e prefektëve si edhe në institucionet e tjera të sigurisë në vend, oficerët në rezervë, detyra e akademisë është të përgjigjet edhe me ndryshimet përkatëse në kurrikulat e saj me qëllim të arsimojë e kualifikojë në fushën e Sigurisë specialistë të lartë të personelit të institucioneve të tjera të sigurisë në vend.

Për të gjitha këto prioritete, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe Akademia e Forcave të Armatosura do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes, timen personalisht si dhe Shtabit të Përgjithshëm në përpunimin e një vizioni të ri të zhvillimit të institucionit në përputhje me zhvillimet në të ardhmen të Forcave të Armatosura dhe të shoqërisë, në ndryshimet e nevojshme strukturore e programore si dhe në promovimin e një stafi akademik të aftë për të përballuar këto ndryshime.”, – përfundoi fjalën e saj ministrja Xhaçka.

Akademia e Forcave të Armatosura përfaqëson nivelin më të lartë të arsimimit dhe kualifikimit në Forcat e Armatosura. Këtu zhvillohen kurset institucionale si Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit, Kursi i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, Kursi i Lartë i Oficerit, si dhe Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen.

Akademia e Forcave të Armatosura u krijua më 10 maj 1958, në Tiranë, në rajonin e Rrapit të Treshit, fillimisht me emërtimin Shkolla e Lartë Ushtarake. Gjatë historisë së saj 60 – vjeçare, ajo ka ndryshuar disa herë emërtimin, por asnjëherë nuk ka ndryshuar misioni i saj në funksion të edukimit të brezave të tërë ushtarakësh për t’i shërbyer në çdo kohë dhe në çdo situatë atdheut, në përshtatje me sfidat që shtron koha.

Përgatitja e oficerëve të rinj, Xhaçka: Ndryshime në kurrikulat e Akademisë së Forcave të Armatosura Read More »

Vlorë : Kreu i Bashkise Leli bashkë me Ambasadoren Znj. Christina Vasak, zhvilluam një vizitë në bordin e anijes ushtarake franceze “Pluton”, që ndodhet në ujërat e gjirit detar të Vlorës

Ditën kuptimplotë të Evropës, kreu i Bashkise Leli bashkë me Ambasadoren Znj. Christina Vasak, zhvilluam një vizitë në bordin e anijes ushtarake franceze “Pluton”, që ndodhet në ujërat e gjirit detar të Vlorës, në kuadrin e një misioni pjesë e bashkëpunimit shumëpalësh.

Takimi në prani edhe të Konsulles së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, Znj. Luana Micheli, Konsullit të Austrisë në Vlorë, Z.Arben Malaj, dhe Prefektit Z. Flamur Mamaj i dhanë një dimension të veçantë kësaj vizite

Prania e kësaj anijeje në Vlorë, për herë të dytë brenda një periudhe pak mujore.

Fotografia e ONETV VLORA

Fotografia e ONETV VLORA

Fotografia e ONETV VLORA

Fotografia e ONETV VLORA

Fotografia e ONETV VLORA

Fotografia e ONETV VLORA

 

Vlorë : Kreu i Bashkise Leli bashkë me Ambasadoren Znj. Christina Vasak, zhvilluam një vizitë në bordin e anijes ushtarake franceze “Pluton”, që ndodhet në ujërat e gjirit detar të Vlorës Read More »

Spartak Ngjela zbulon pse u shkarkua Besim Hadarmataj. Çfarë po kurdiset në Gjermani?

Treshja e madhe e korrupsionit të lartë shtetëror shqiptar, Berisha, Rama, Meta sot po komploton kundër Reformës në Drejtësi dhe kërkon të gjejë mbështetje politike jashtë Perëndimit.
Shkruan Spartak Ngjela

Por kudo po i mposht Ambasadori amerikan. Në fakt ai është shumë më i mënçur nga të tre këta bashkë, por sigurisht që ai ka edhe forcën e politikës amerikane në zotërim.

Kurse në Gjermani, duket se ka filluar të flasë shqiptari i kapur me një ton kokainë, për lidhjet e tij me politikën e lartë shqiptare.

Këtu është loja, sepse kuptohet që edhe shkarkimi i prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda sigurisht që ka lidhje me hetimin e trafikantit të madh shqiptar në Gjermani, dhe me hetimin ndërkombëtar kundër treshes shqiptare të lidhur me krimin ndërkombëtar.

l.
Dje, ambasador i amerikan në Tiranë, bëri shumë mirë që iu tregoi shqiptarëve se politika amerane e ka shkarkuar prokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Po sot, ende ka skeptikë që nuk po e kuptojnë që këtë reformë antikorrupsion në Shqipëri po e drejtojnë amerikanët?
Por, kur shqiptarët do të njihen me bëmat e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, nuk besoj se këta do të shfaqin ndonjë ndjenjë mëshire për ndëshkimin dhe shpronësimin e tyre.

E gjithë kjo kuptohet se duhet të ketë lidhje me hetimin ndërkombëtar kundër korrupsionit shqiptar, ku sigurisht që është e lidhur edhe prokuroria shqiptare.

Fakti që dje u godit Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila duhet të vazhdojë edhe më tej, kuptohet se ndërkohë jemi afër goditjes së korrupsionit të lartë shtetëror, sepse kjo prokuriri do të jetë në fakt Prokuroria e Posaçme.

ll.
Megjithatë treshja e lartë po komploton. Bëjnë sikur shahen me fjalë të ulta me njëri-tjetrin se duan të kalojnë situatën, por merret vesh që janë bashkë. Kurse ambasador Donald Lu po tallet me forcën e komplotit të tyre.

Rama vërtitet në vakum nëpër Shqipëri se nuk ri dot vetëm. E rëndon shumë pesha e likuidimit të tij të shpejtë, dhe po flet përçart, se askush nuk po kupton çfarë kërkon të thotë.

Por çfarë mendje ka, vërtet mendon ky kryeministër se mund të trembë politikën amerikane me një grusht njerëzish që po i dalin nëpër takime?

Të gjithë këta janë korruptuar për shkak të nivelit të ulët të intelektit që kanë, dhe po ky intelekt po i fut në një rrugë qesharake; sidomos kur është fjala për Edi Ramën.
Ky sot, në delir po mendon se do të gënjejë shqiptarët me fjalitë pa kuptim logjik që po shqipton.

Dhe, shikoni Saliun si ia bën kritikën Ramës: në çdo tre fraza, thotë “Edi Rama është frikacak”.
Por, nëse Saliu vërtet është në politikë kundërshtare me të, sigurisht që frikën e Ramës e ka në favor. Atëherë, pse ia përmend?

Ia përmend rëndom frikën, sepse Saliu nuk është në kundërti me të, por është shumë i mërzitur se mendon që Rama ka shumë frikë nga amerikanët.
Dhe këtu fillon absurdi komik i Saliut. Po pse o Sali, ti vetë trim je kundër amerikanëve?

As që e mendon njëri këtë. Sepse të gjithë e dinë tani se, aq i trembur është Saliu nga amerikanët, sa godet ambasadorin amerikan në Tiranë, por jo politikën e lartë amerikanë.
Po pse, o Sali, shqiptarët nuk e kuptojnë që je një i trembur dhe po mrresh me Ramën që ta trimërosh atë kundër Amerikës, kur vetë je futur skutave dhe shan ambasadorin amerikan, por jo politikën amerikane?

Kjo është në fakt tragjikomedia e korrupsionit shqiptar. Dhe do të vijojë kështu.

lll.
Gjendja, për korrupsionin shqiptar, sot mund të quhet se është një gjëndje nën rrethim. Kudo ka hetim të thellë profesional kundër korrupsionit kryeministror shqiptar; ka përgjime dhe trajtime profesionale ndjekjesh kundër lidhjes së poitikës shqiptare me krimin e organizuar shqiptar në rang ndërkombëtar; dhe ka edhe prova të sakta që ky krim i oraganizuar e ka shpresën te shkëputja e Shqipërisë nga gravitacioni amerikan dhe perëndimor.

Por e kanë të pamundur. Shihni si janë bërë eshkë në fytyrë dhe po kuptohet se të gjithë shpresën e kanë në krijimin e një bashkimi politik të të dy krahëve si komplot kundër reformës. Por nuk po gjejnë dot motivin që të gënjejnë politikën amerikane dhe politikën gjermane.

Në fakt po lodhen kot, dhe ndërkaq të kujtojnë shprehjen e famshme të Mararit në Revolucionin Francez, kur thosh shpesh: “komplotet janë kudo rreth nesh”.
Kështu janë edhe sot në Shqipëri komplotet e të korruptuarve kundër reformës, kudo rreth nesh, por janë të dështuar se tani reforma shqiptare antikorrupsion nuk mund të mposhtet dot më në Shqipëri.

Vërtet mendojnë se do të mundin politikën amerikane këta mendjengushtë në Shqipëri?!

Spartak Ngjela zbulon pse u shkarkua Besim Hadarmataj. Çfarë po kurdiset në Gjermani? Read More »

Rrethi vicioz i të drejtave dhe lirive

“Të drejtat janë karburanti i demokracisë, duke sfiduar fillimisht ancien régime në format e ndryshme të tij, më pas totalitarizmat e shekullit të kaluar. Rrugëtimi i afirmimit të të drejtave themelore shpesh ka qenë konfliktual dhe, për pasojë, dialektik. Ndërkohë, shoqëritë perëndimore kanë përjetuar një evolucion më të gjerë, me reduktimin e parimit të autoritetit dhe të parimit të së vërtetës.

Por shoqëritë e shekullarizuara bashkëkohore kanë një raport thellësisht të ndryshëm me të drejtat: në mungesë autoritetesh të forta për t’u sfiduar, të drejtat kanë pushuar së qëni një karburant, për t’u bërë në fakt elementë të një patologjie dhe bile pushkë të drejtuara kundër sistemit demokratik”.

Po diskutojmë për demokraci, të drejta dhe rastin italian me autorin e librit “Shumë të drejta. Italia e tradhëtuar nga liria” (shtëpia botuese Mondadori). Libri analizon dhe përshkruan një lloj iluzioni kolektiv, që është bërë, si të thuash, një tradhëti. Prek edhe tema sigurisht të pranuara nga vende të tjera kudo në botë, megjithëse në shkallë dhe modalitete të ndryshme.

Por problemi themelor ndaj të cilit drejton gishtin është një “hipertrofi malinje e të drejtave” që përshkon shoqërinë civile në të gjitha nivelet. Mund të thuhet – në Itali ndoshta më shumë se tjetërkund – është zhvilluar një asimetri e fortë midis të drejtave dhe detyrimeve. Sikur rivendikimi i të drejtave pa një pranim korrespondues të detyrimeve (të tyre dhe të anëtarëve të lartë të shoqërisë, në një lloj ndarjeje të detyrave në të cilën të gjithë nxjerrin përgjithësisht përfitime) të kishte prodhuar një “borxh social”: në kuptimin ekonomik, kjo është e matshme si borxh publik, por në kuptimin kulturor dëmi është po aq i rëndë dhe manifestohet si humbje besimi reciprok.

Kjo ka ndodhur jo edhe aq prej një teprie, sesa prej një humbjeje të funksionit fillestar: funksioni thuajse kurrë etik i të drejtave civile e sociale zhduket dhe këto rrezikojnë të transformohen në pretendime, të cilave nuk u korrespondon më një funksion konstruktiv.

Mënyra më natyrale e kundërbalancimit të të drejtave është natyrisht njohja e detyrimeve dhe një balancim i tillë është i sanksionuar me saktësi në Kushtetutën tonë me Nenin e 2-të; por aspekti i detyrimeve dhe i përgjegjësive ka përfunduar saktësisht në plan të dytë. Ka kontribuar në këtë çekuilibrim shfaqja e dhunshme e teknologjive dixhitale: teknologjitë kanë zgjeruar (dhe vazhdojnë të zgjerojnë gjithnjë e më shumë) sferën e së mundshmes, që ka qenë e zënë menjëherë nga të drejtat.

Ka ndodhur kështu një rrëshqitje “estetike”, sipas të cilës nëse diçka është e mundur, ajo bëhet në vetvete e drejtë. Le të marrim për shembull prokrijimin e asistuar: sapo është bërë teknikisht i mundur, është marrë – sidomos nga një pjesë e mirë e mendimit feminist – si një e drejtë e re. Në thelb, uterusi me qira, domethënë një dëshirë, bëhet nevojë. Ama injorohet në këtë pasazh ana e errët e fenomenit, përmbajtja potenciale e shfrytëzimit.

Në terma më të përgjithshëm, i gjithë terreni i të drejtave ka pësuar një rrëshqitje etike, duke u transformuar në çështje estetike, ndërsa sfera e detyrimeve ka mbetur e kufizuar në një terren etik dhe utilitarist: nuk ka asnjë model detyrimi të propozuar si stil jetesë në të cilin të gjesh veten.

Në dritën e këtyre proceseve, praktikisht mund të pohohet se po prodhojmë një “borxh social”, por dëmet janë edhe më të mëdha se debitim kolektiv, pasi të drejtat pa detyrime janë të shkëputura nga realiteti dhe humbasin konkretësi.

Edhe këtu një shembull ndihmon për të kuptuar: normat që ruajnë të drejtën e punëtorit për të asistuar një familjar të sëmurë, me logjikë, duhet të jetë parasëgjithash një ruajtje për të sëmurin – të drejtën e tij për të qenë i asistuar – por faktikisht janë rriinterpretuar si një e drejtë e pakontestueshme e punëtorit edhe në prani shkeljesh sistematike.

Në praktikë, është harruar se kësaj të drejte të veçantë duhet t’i korrespondojë një përgjegjësi e saktë sociale; përndryshe shkelet një parim elementar drejtësie. Në terma akoma më komplesivë, e drejta e punës është interpretuar si një e drejtë permanente, jo si raport kontraktor i kushtëzuar nga sjellje të caktuara reciproke, të punëdhënësit dhe të punëtorit.

Teknologji, iluzione dhe difekte

Po përshkruajmë kështu një rreth vicioz të vërtetë: të drejtat e zgjeruara në mënyrë të çfrenuar nuk janë mbështetur akoma nga resurse dhe instrumenta konkretë realizimi dhe bëhen jo vetëm abstraktë, por deri mashtrues: krijojnë shpresë që do të zhgënjehen keqazi, duke gjeneruar apo duke përkeqësuat atë ndjenjë të përhapur frustrimi – ndaj institucioneve, por edhe midis sektorëve të ndryshëm të shoqërisë – që kemi parë në veprim në mënyrë kaq të qartë gjatë viteve të fundit.

Nga këtu rivendikime të tjera dhe fenomeni vetëushqehet… Dhe për t’i fryrë zjarrit kanë ardhur pastaj disa ndryshime teknologjike, duke influencuar si tregjet, ashtu edhe politikën.

Përhapja e vrullshme e teknologjive të reja nuk është qeverisur siç duhet – në nivel ndërkombëtar dhe sigurisht në Itali – duke u bërë një faktor deformues për opinionin publik.

Përshpejtimi teknologjik akoma sot në veprim është keqqeverisur dhe ka një shpejtësi të jashtëzzakonshme; megjithatë, nuk është krejtësisht pa precedent. Në disa aspekte të kujton revolucionin kulturor e fetar që i shkaktua nga shfaqja e teknologjisë së shtypit, të cilën Martin Puteri e shfrytëzoi për të vënë në dyshim autoritetin e pakontestuar të hierarkive ekleziaste të kohës; por edhe Revolucionin Industrial me urbanizimin pasues, që çoi në qytetet e mëdha masa fshatarësh analfabetë.

Sot masat internetiane kanë diçka të përbashkët me ata fshatarët e urbanizuar: kanë fituar aftësi të mëdha, por e gjejnë të vështirë të përshtaten në një konteks social shumë të ndryshëm nga ai prej nga vijnë.

Mungojnë edhe isntrumentat e vlerësimit kritik që mund të mundësojnë një funksionim më të mirë të makinës demokratike. Atëhere njëlloj si sot, ndryshimet janë aq të shpejta sa nuk mund të përthithen menjëherë nga institucionet ekzistuese.

Pastaj, gjatë viteve të fundit, mahnitja për botën dixhitale ka ushqyer një utopi të vërtetë: atë të demokracisë “pa ndërmjetës”, që është një iluzion i rrezikshëm. Në mënyrë të veçantë, aksesi falas është një mashtrim, për përfundon për të rënduar një vizion të proceseve demokratike si totalisht horizontal. Instrumenti horizontal pa ndërmjetësime është perceptuar dhe artikuluar si një e drejtë e re.

Por i gjithë sektori dixhital ka treguar shumë shpejt limitet e tij, duke filluar nga dobësimi i punës në tregun virtual, me garanci shumë të pakta të kontratave. Në çdo rast, një treg horizontal tenton me shpejtësi të strukturohet si monopol faktik. Problemi lind nga një gabim i rëndë në qeverisjen e instrumentave dixhitale, që janë zhvilluar tashmë përgjatë linjash tashmë mbikombëtare me asnjë autoritet që arrin t’i rregullojë.

Nuk bëhet fjalë për të demonizuar teknologjitë, por duhet një mendim i fortë për të në çuar në rolin e tyre si instrument: mjet dhe jo qëllim në vetvete. Nuk janë aspak “kalimist”, por mendoj se duhet marrë seriozisht kritika ndaj një mënyrë të caktuar përdorimit të teknologjive të reja. Nuk arrij të shikoj në to një lloj “Luciferi”, siç bën për shembull Emanuele Severino, por ai dhe të tjerë kanë kapur një problem kryesor: nënshtrimin e mendimit civil ndaj teknologjive.

Siç shpjegon me qartësi libri i fundit i Massimo Gaggi, “Homo premium”, revolucioni internetian ka pasur një efekt shpesh negativ edhe ndaj punës, duke krijuar relativisht pa mundësi krahasuar me fitimet e mëdha që gjeneron dhe që përqëndrohet në shumë pak duar. Manipulimi flukseve dichitale lehtëson pastaj vjedhjen e përmbajtjeve dhe, së fundi, mundësoj forma të sofistikuara kushtëzimi elektoral.

Mungon një kontroll i rrjetit që t’i jetë përshtatur edhe për së largu sasisë së të dhënave dhe të aktiviteteve që qarkullojnë në mënyrë të vazhdueshme, një autoritet me tagra sanksionuese dhe resurse të mjaftueshme për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë. Një situatë që nuk do ta pranonim kurrë në sektorë të tjerë të jetës civile.

Njëkohësisht, mediat e gjeneratës së fundit i kanë shtyrë për poshtë standardet e informacionit, drejt thjeshtëzimit ekstrem të debateve dhe zbehjen e proceseve demokratike.

Devolucioni i Pushtetit të Katërt

Vijmë kështu tek roli i mediave dhe tek gazetaria profesionale, i nënkuptuar në deontologjinë “klasike”të tij, që për nga natyra e tij është një lloj ndërmjetësimi dhe filtri. Ka një rol vendimtar edhe për funksionimin korrekt të demokracisë moderne.

Sigurisht, një prej efekteve të këtij revolucioni internetial ka qenë dobësimi i punës gazetareske dhe reduktimi i hapësirave të rezervuara gazetarisë mbështetur mbi kompetencën dhe mbi profesionalizmin. Fake neës janë fruti i helmuar i kësaj tendence: edhe kur qëndrohet brenda pragut të mundësië, çdo lajm është një lloj imazhi i tejekspozuar.

Është e qartë se ky lloj komunikimi prodhon një radikalizëm sistematik, pasi narrativa e realitetit shkon në një drejtim të caktuar, duke privilegjuar gjithmonë versionin që i flet palcës së opinionit publik.

Në këtë klimë, thellimi gazetaresk bëhet thuajse i pamundur dhe humbës karsi spektakolarizimit. Demokracia është e përbërë nga të hirtë, jo nga të bardhë dhe të zinj. Por kultura e audience si e dhënë vetëm sasiore çon fatalisht në kërkimin e teprisë.

Nuk mund të mbështetet vetëm mbi aftësinë e përdoruesit (edhe ku është vetë ky në një farë mase prodhues lajmesh e të dhënash) për t’u filtruar dhe për t’u vlerësuar me vëmendje, në rast se i gjithë mjedisi përreth është e orientuar ndaj pozicioneve ekstreme.

Argëtimi nuk mund ta menaxhojë kompleksitetin e ta rrëfejë atë dhe kështu që përfunduon për ta thjeshtëzuar, për ta banalizuar: nuk ofron një shërbim që ndihmon të formohet një “opinion publik” në kuptimin e vërtetë të fjalës, por, nëse ndodh, inkurajon pulsionet më elementare.

Këti deformimi duhet t’i kundërvihet ai që unë e quaj një “moderim radikal”, për të filtrurar përmbajtjen dhe për ta vënë në një kontekst më të gjerë e më racional të drejtash të lidhura me detyrime, por sidomos me vlera të pranuara. Për ta bërë kompromisin mbi përmbajtjen jo vetëm të mundur, por edhe normal e të zakonshëm.

Kontrata sociale dhe kurajoja e përzgjedhjes

Një pikë kyçe e arësyetimit tuaj duket se është ndërthurja midis punëtorëve, përdoruesve, qytetarëve. Dhe receta për të dalë nga patologjitë e “diritizmit” duhet të kombinojë në mënyrë inteligjente konkurrencën (qe pastaj nënkupton konkurrencë e produktivitet) dhe solidarietetin (domethënë garanci për më të dobëtit dhe përgjegjësi sociale).

Konkurrenca duhet lidhur me përgjegjësinë sociale për gjetjen e një ekuilibri të pranueshëm. Nëqoftëse shikohet në fushën e kulturës universitare, tradita baronale e kooptimit na influencon akoma sot me efektet negative të saj, por të paktën kooptimi ishte një marrje përgjegjësie (megjithëse me kontrolle të pamjaftueshme).

Tani kemi kaluar në një sistem akoma më të keq, domethënë proceduralizimin e demokracisë, duke kërkuar thuajse të neutralizohen proceset e përzgjedhjes, pa diskrecionalitet. Këto procedura teknokratike, për më tepër shpesh të papërshtatshme edhe në ndjekjen e objektivave të vlerësimit teknik, gjithsesi infiltrohen nga nepotizmi dhe nga klientelizmi. Ndërkohë kanë bllokuar mekanizmat që vlerësojnë meritën dhe, për pasojë, ashensorin social mbi të cilin bazohet novatorizmi dhe progresi.

Për të tejkaluar këtë impas duhet rikuperuar parimi i autoritetit dhe hierarkia e dijes, jo autoritare, por e shtresëzuar në një komunitet dhe e pranuar. Ajo është fryt i një përzgjedhjeje, që presupozon pikërisht një marrje përgjegjësie. Nevojitet të promovohet pavarësia e vlerësuesit, sigurisht jo me kontrolle dhe garanci, por me pavarësinë e përzgjedhjes. Më të mirët duhet të përzgjedhin më të mirët.

Veç të tjerash, jo vetëm universitet, por shkolla në tërësinë e saj shpesh është dëmtuar nga refuzimi i përzgjedhjes. Tashmë prioriteti është që të pengohen abuzimet e mundshme dhe premiot për meritën shpërndahen atëhere si shi – duke mohuar vetë parimin e meritës. Dhe një efekt pervers i kësaj dinamike është që më të mirët, më kompententët dhe më krijuesit mbahen larg nga hapësira publike, duke e varfëriar demokracinë.

Masa për një demokraci të besueshme

Demokracitë liberale të tregut kanë ndoshta një vlerë të madhe të shtuar në aftësinë e vazhdueshme të përshtatjes, në eksperimentimin e zgjidhjeve pragmatiste. Sigurisht, është një sfidë më e gjerë respektivisht Italisë: një sfidë europiane dhe realisht për të gjitha dmeokracitë. Mbi këtë bazë dhe duke shikuar nga e ardhmja, mund të jemi ende optimistë përballë panoramës vërtet preokupuese që na keni paraqitur?

Jam optimist në mënyrë të moderuar. Nën presionin e ndryshimeve, sistemi demokratik përshtatet dhe riprodhon elita edhe në situata pak të favorshme, përfshi të ashtuquajturit opinion leader, që nuk janë gjë tjetër veçse ndërmjetës. Kështu që ekziston mundësia e gjetjes së një ekuilibri të ndryshëm dhe më të mirë. Është një sfidë e mendimit, përpara se ndaj qeverive apo institucioneve.

Në një libër me titullin “Liri imagjinare”, që më ka frymëzuar shumë, Mauro Magatti ka shpjeguar sesi ka mbizotëruar një mendim nihilist, që duke u kapur pas tendencave teknologjike ka zëvendësuar në masë të madhe si matricën kristiane, ashtu edhe atë iluministe të kulturës tonë.

Të dyja janë dobësuar dhe nuk kanë arritur të menaxhojnë ndryshimet teknologjike dhe sociale. Në këtë kuptim, heqja dorë në nivel europian nga rrënjët e përbashkëta historike dhe intelektualë në preambulën e Kushtëtutës Europiane ka qenë një humbje e rëndë për të gjithë. Gjithsesi, mendimin e bëjnë dhe e përhapin elitat, por problemet për të cilat flasim nuk zgjidhen vetëm me aksione institucionale.

Nëqoftëse përqëndrohemi mbi objektin e sfidës, duhet të pranojmë se ajo për të cilën flasim është një sfidë politike. Përkundrazi, më përpara akoma se politike, civile. Që nuk i apelon edhe aq shumë përgjegjësive të institucioneve. Por përfshin më shumë mendimin, politik dhe intelektual, i vetmi në gjendje që të udhëheqë ndryshimin e shoqërisë dhe përkufizimin e kornizës institucionane në të cilën ta kanalizojë.

Duhet të bëjë rrugë ideja se sëmundja e demokracisë përfaqësuese shërohet duke i forcuar delegimin më shumë se duke e shembur. Se asimetritë e tregut janë të identifikueshme në primatin e politikës. Se rrëshqitja estetike, që shënon raportin midis kulturës dhe shoqërisë nga njëra anë, novatorizmit nga ana tjetër, nuk është një gjendje e pashmangshme, por një gabim akoma i shërueshëm.

Se ndryshimet e mëdha sociale çojnë në ndryshime të vogla të mekanizmave rregullues. Pasi është masa – dhe jo jomasa – përmbajtja më origjinale e një oferte politike të besueshme.

Me këto premisa, moderimi integral përkufizohet si një besim kokëfortë, bile të paepur, tek demokracia. Nga një këndvështrim ideologjik, kjo qasje mban bashkë dy matricat, iluministe dhe kristiane, të kulturës europiane, duke kërkuar një sintezë në vend të konfliktit.

Synon mbi të ashtuquajturat “relativë absolutë”, vlera të përbashkëta që përfitojnë nga mirëmbajtja e vazhdueshme civile, por janë pjesërisht të ngurta, pasi shoqërojnë të gjithë zhvillimin e qytetërimit.

Sinteza është kusht i nevojshëm për të kundërshtar radikalizmin mbiztërues dhe për të kapur e qeverisur, me vetëdijë të plotë dhe me një mendim të fortë e fleksibël sa e kërkon koha, mundësitë që teknologjitë i hapin njerëzimit./Bota.al

Rrethi vicioz i të drejtave dhe lirive Read More »

Tensione në Kuvend/ Basha: Xhafa ‘peshku i madh’ bashkë me vëllanë mafioz, opozita bllokon foltoren, Ruçi mbyll seancën

Pas fjalimit të Lulzim Bashës, ku vijoi me akuzat ndaj ministrit Xhafa, opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit. Edhe pse kryetari i Kuvendit kërkoi disa herë që opozita të zinte vendet e saj kjo e fundit ka kundërshtuar. Pas kësaj tentative Ruçi urdhëroi mbylljen e seancës dhe nxjerrjen jashtë të medieve.

Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se ka fakte të reja për shkelje ligjore, politike e penale të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, që sipas Bashës ka të bëjë me ndryshim të kodit të procedurës penale, kur ministri ishte në kreun e komisionit të reformës në drejtësi.

“Dje deklaroi se në raport me çështjen e dënimit të vëllait nuk ka pasur asnjë lloj pushteti për të ndikuar në asnjë lloj forme mbi të, ky është mashtrimi i dytë i tij për të mbrojtur veten e tij nga vepra penale e korrupsionit të zyrtarit të lartë, siç do provohet sot me dokumente zyrtare, Fatmir Xhafaj në detyrën e tij si kryetar i komisionit të reformës në drejtësi ka ndryshuar përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare Kodin e Procedurës Penale për të shpëtuar vëllain e tij, konkretisht nenin 491”, tha Basha.

Sipas tij Xhafa është peshku i madh, krimineli i pandëshkuar dhe të dy bashkë me të vëllanë “janë një prej kokave mafioze që kanë ndryshuar Vlorën në kryeqytetin e kokainës”.

Por ndërprerja e fjalës së Bashës, ka ngritur në këmbë deputetët e opozitës që janë mbledhur para foltores, teksa kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi thotë se koha e tij mbaroi. Ruçi mbylli seancën.

Tensione në Kuvend/ Basha: Xhafa ‘peshku i madh’ bashkë me vëllanë mafioz, opozita bllokon foltoren, Ruçi mbyll seancën Read More »

Zbardhet rruga që do ndiqet për të rihapur dosjen “Hajdari”

Dosja për vrasjen e ish-deputetit të PD, Azem Hajdari, shumë shpejt pritet të rihapet. Mbrëmjen e së martës u ekstradua në Tiranë, Izet Haxhia, i dënuar si bashkëpunëtor në vrasje, mirëpo rikthimi i tij në vendin tonë do të trazojë dhe një herë politikën dhe drejtësinë. Prej ditësh ishte deklaruar se ai do të kërkojë rihapjen e çështjes dhe dje kanë nisur zyrtarisht procedurat. Avokati i tij, zoti Fran Dashi, ka pasur një takim me të në ambientet e burgut 302 dhe më pas nisi procedurat për të rihapur çështjen ndaj tij.

Avokati do të kërkojë rishqyrtim duke qenë se Haxhia u dënua me 25 vite burg në mungesë, por kjo do të thotë se dosja Hajdari do të rihapet dhe Haxhia ka treguar gatishmëri të tregojë me emër dhe mbiemër të gjithë personat e përfshirë në ngjarje.

“Izeti është shumë i lumtur që pas 20 vitesh kthehet në atdhe. Në gjendje të mirë, me memorie të pastër. Ju siguroj që shëndeti i tij është i plotë. Ne jemi duke studiuar aktet e para dhe pikësynimi dhe pretendimi jonë është për rihapur dosjen e nga para e pasi gjykimi dhe hetimi ndaj tij për 12 shtatorin, është bërë në mungesë. Gjykata e Shkallës së Parë në vitin 2001 ka deklaruar ikjen e të pandehurit duke caktuar avokat kryesisht. Ne kemi besim të plotë se çështja do shkojë drejt rihapjes. Unë jam përfaqësues ligjor i Izet Haxhisë dhe jo përfaqësues politik”, tha ai.

Rruga që do ndiqet

Sa i takon rrugës që do të ndiqet për rihapjen e çështjes, gazeta “Sot” ka mësuar detaje. Avokati dje nisi procedurat për të hartuar gjithë dokumentacionin dhe pas 48 orësh nga ekstradimi i Haxhisë, atij i lind e drejta që të kërkojë rihapjen e çështjes. Dosja do të dorëzohet në gjykatë dhe më pas Haxhia do të paraqitet para trupit gjykues.

Por sipas burimeve, avokati i tij do të përdorë dy elemente: ndryshimet që janë bërë në Kodin e Procedurës Penale dhe një vendim që ka dhënë Gjykata e Strasburgut. Me ndryshimet që u bënë në kod në kuadër të reformës në drejtësi procesi i rishqyrtimit të çështjes është shumë më i lehtë. Fillimisht është nenin 450 i Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton në pikat “dh” dhe “e” se një person i dënuar në mungesë mund të kërkojë rihapjen e çështjes.

“Rishikimi mund të kërkohet: kur ekstradimi i të dënuarit të gjykuar në mungesë jepet me kushtin e shprehur të rigjykimit të çështjes. Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data kur personi është ekstraduar. Kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet; kur personi është gjykuar në mungesë sipas nenit 452 të këtij Kodi dhe kërkon rigjykimin e çështjes. Kërkesa paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data e marrjes dijeni. Kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet”, thuhet në ligj.

Një tjetër nen që do përdoret në gjykatë është neni 449, i cili deklaron se rigjykimi mund të kërkohet në çdo kohë. Një tjetër nen është neni 453, i cili detyron gjykatën të shqyrtojë kërkesën.

“Kërkesa e rishikimit shqyrtohet nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin. Kur kërkesa është bërë jashtë rasteve të përcaktuara në nenin 450 ose kur është bërë nga ata që nuk e kanë këtë të drejtë ose kur rezulton haptazi e pambështetur, gjykata vendos mospranimin e saj. Kur kërkesa pranohet, gjykata vendos dërgimin e çështjes për rigjykim nga një tjetër trup gjykues i së njëjtës gjykatë. Kundër vendimit nuk lejohet ankim”, thuhet në nen.

Po ashtu janë dhe nenet 451 dhe 454 ku i dënuari ka të drejtë të kërkojë rigjykim përmes avokatit dhe po ashtu i lind e drejta të kërkojë pezullim të dënimit. Pritet që kërkesa e vaktit të Haxhisë të depozitohet në Gjykatën e Tiranës dhe i takon kësaj të fundit të vendosë nëse do ketë apo jo rishqyrtim të çështjes.

Zbardhet rruga që do ndiqet për të rihapur dosjen “Hajdari” Read More »

”Ata që protestonin me posterat e Enver Hoxhës janë ‘matufë dhe provokatorë”. Çfarë thotë analisti shqiptar për të rinjtë e PD që dhunuan veteranët në Varrezat e Dëshmorëve

Analisti Mustafa Nano ka reaguar gjatë emisionit të tij “Provokacija” për aktet e dhunës të ushtruara gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve më datë 5 maj. Nano i ka quajtur veteranët që protestonin me posterat e Enver Hoxhës si “matufë” dhe “provokatorë”, por nuk është kursyer dhe për të rinjtë e Partisë Demokratike, të cilët ushtruan dhunë. Mustafa Nano i ka quajtur të rinjtë e PD-së si rrugaçë që përdoren politikisht dhe se nuk e kanë idenë se ç’ka qenë komunizmi i Enver Hoxhës.

“Ata veteranë janë matufë. Por hidhni sytë edhe në krahun tjetër. Kush ishte në krahun tjetër? Mos bëni sikur në krahun tjetër ishte Sami Repishti e Co., që më në fund shpërthyen në akte të dhunshme kundër persekutorëve. Jo, në krahun tjetër ishin një tufë rrugaçësh, që përdoren politikisht e që plaça unë nëse ata e kanë idenë se çfarë ka qenë komunizmi i Enver Hoxhës”, ka thënë Nano.

Shkruan Mustafa Nano

Më 5 maj, që në Shqipëri festohet prej dekadash si dita e dëshmorëve të Atdheut, ndodhi një përplasje fizike në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit mes ca veteranëve të Luftës II Botërore dhe ca djemve të rinj antikomunistë. Të parët kishin dalë të manifestonin me portretet e diktatorit Enver Hoxha në duar. Të dytët u ndjenë të provokuar e të fyer prej kësaj situate dhe i dhanë dum punës të bënin veprime të dhunshme ndaj të parëve.

Tani, këto paradat me portretet e Enver Hoxhës në duar janë një gjë që t’i sjellin zorrët te goja. Të gjithë biem dakord me këtë gjë, me përjashtim të ca veteranëve apo ca pinjollëve të tyre, të cilët merren për provokatorë, por që në thelb janë një grup i vogël njerëzish pa rëndësi e pa ndikim në shoqëri. Rëndom janë njerëz, të cilëve u ka mbetur ora në vitin 1989 e të cilët e kanë të vështirë të pajtohen me faktin se koha e Enver Hoxhës ka vdekur njëherë e mirë.

Por kjo nuk do të thotë megjithatë që dikush duhet t’u tregojë vendin atyre me forma të dhunshme. Dikush edhe mund t’ua tregojë vendin, por kjo duhet të jetë Policia, mbi bazën e një ligji. Dhe sot për sot nuk ka një ligj që ndalon ekspozimin e portreteve të diktatorit shqiptar në mjediset publike. Askush nuk është kujtuar ta bëjë një ligj të tillë. Dhe prandaj, kushdo mund të dalë me portretin e Enver Hoxhës në publik. Ne të tjerët mund ta denoncojmë ekspozimin e portretit të diktatorit nëse mendojmë se duhet denoncuar, por kaq.

Më tepër nuk mund të bëjmë. Nuk mund t’i japim vetes tagrin të marrim në dorë zbatimin e një ligji që nuk është miratuar akoma; e që ndoshta nuk ka nevojë të miratohet. Aq më pak mund t’i japim vetes tagrin të ushtrojmë dhunë. Në demokraci dhuna është e papranueshme dhe ky pohim, pohimi pra që dhuna është e papranueshme, nuk mund të kushtëzohet me asnjë “por” e me asnjë “në qoftë se”. Mirëpo, jo të gjithë janë dakord me këtë.

Astrit Patozi thoshte ditën e 5 Majit se “Nëse më duhet të zgjedh mes atyre që dalin të manifestojnë me portretet e Enver Hoxhës dhe mes të tjerëve që u qëllojnë atyre me shkopinj, unë zgjedh këta të dytët”. Ou? Po në rastin që Policia i arreston dhe Gjykata i dënon këta të fundit, cilën palë zgjedh Patozi? Sepse Policia mund t’i arrestojë e Gjykata mund t’i dënojë. Dhe merret vesh pse: “Heronjtë” e Astritit kanë shkelur ligjin.. Ergys Mërtiri e ka një përgjigje edhe për këtë pyetje që sapo bëra.

“Nuk mund të fajësohen këta qytetarë që reagojnë në mënyrë spontane ndaj kësaj shëmtie”, shkroi ai në një shënim, në të cilin thoshte gjithashtu “Se kishte ndierë një lloj ngazëllimi” prej faktit që disa djem të rinj u kishin treguar vendin veteranëve matufë. Dhe në gjithë këtë shpërthim ka vetëm një të vërtetë. Ata veteranë janë matufë. Por hidhni sytë edhe në krahun tjetër. Kush ishte në krahun tjetër? Mos bëni sikur në krahun tjetër ishte Sami Repishti e Co., që më në fund shpërthyen në akte të dhunshme kundër persekutorëve.

Jo, në krahun tjetër ishin një tufë rrugaçësh që përdoren politikisht e që plaça unë nëse ata e kanë idenë se çfarë ka qenë komunizmi i Enver Hoxhës. Të kuptohemi, në marrëdhënien me ligjin nuk është se do ndryshonte ndonjë gjë, edhe sikur në krahun tjetër të ishte vetëm Sami Repishti. Gjesti do të ish po njësoj i paligjshëm dhe i pambështetshëm, s’ka gjë se do ishte i kuptueshëm.

Sepse ne duhet t’i dalim në mbrojtje ligjit. Është ligji që ka rëndësi. Kur antikomunistët të vijnë në pushtet, le ta bëjnë një ligj kundër paradave me portrete të Enver Hoxhës. Deri atëherë, nuk mund të tolerohet asnjë lloj dhune ndaj njerëzve që nuk kanë shkelur asnjë ligj.

”Ata që protestonin me posterat e Enver Hoxhës janë ‘matufë dhe provokatorë”. Çfarë thotë analisti shqiptar për të rinjtë e PD që dhunuan veteranët në Varrezat e Dëshmorëve Read More »