Aktualitet

Adriatik Llalla kërkon azil politik në Gjermani, ka frikë nga Berisha dhe Meta. Ka vendosur të pendohet dhe të flasë për dosjet e mëdha që ka mbyllur

Adriatik Llalla është në Gjermani, i fshehur nga frika e një dënimi të mundshëm për të gjitha abuzimet që ka bërë vetë përmes marrjes së parave, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të padeklaruara dhe për kalimin e parave cash jashtë vendit.

Njëherësh Llalla është i frikësuar dhe nga dalja në sipërfaqe e shkeljes së ligjit dhe mbrojtjes së krimit dhe të korrupsionit sikurse ka thënë dhe ambasadori amerikan Donald Lu, për mbylljen e të gjitha dosjeve të mëdha të krimit dhe të korrupsionit.

Shumica e këtyre dosjeve të rënda kanë si protagonistë Sali Berishën dhe familjen e tij politike me në krye Lulzim Bashën dhe atë biologjike të përfaqësuar dhe nga dy fëmijët Argita Berisha Malltezi dhe Shkelzen Berisha.

Por protagonist është dhe Ilir Meta bashkë me bashkëshorten Monika Kryemadhi, të përfshirë në të gjitha aferat e mundshme dhe vjedhjet që janë bërë në Shqipëri.

Duke qënë se Llalla kërcënohet nga burgu i sigurtë për veprat penale që ka kryer, ai ka shkëputur dhe kontaktet me avokatin e tij dhe komunikon vetëm përmes bashkëshortes me të.

Ndërkohë që ka paguar avokat në Gjermani dhe po përgatit procedurat e azilit politik apo strehimit politik, por duke bërë dhe të penduarin e drejtësisë.

Llalla trembet për dosjet e mëdha që ka mbyllur, pasi deklaron lart e poshtë se i ka mbyllur nën presionin e Metës dhe Berishës.

Madje këtë qëndrim ka mbajtur dhe në Gjermani, teksa është shprehur para organeve ligjzbatuese gjermane, se atij i kërcënohet jeta nga njerëzit që i kanë bërë presion për mbylljen e dosjeve të rënda dhe se një ditë do të rrefehet për mbylljen e këtyre dosjeve.

Ndaj kërkon azil politik në Gjermani, një azil politik që nuk e vë shtetin gjerman para shpenzimeve financiare për familjen Llalla pasi ai ka shtëpi në Gjermani të blerë para një viti dhe ka para të cilat i ka nxjerrë dhe në rrugë tokësore por dhe përmes bankave.

Duke plotësuar këto kushte por dhe duke pasur parasysh rolin e të penduarit të drejtësisë, Llalla pritet që së shpejti të përfitojë azil politik në Gjermani.

Argumenti i përdorur është se mbyllja e dosjes së “21 janarit”, “Gërdecit”, “CEZ-DIA”, Rrugës së Kombit apo dosje të tjera që janë në ngarkim të Berishës, Metës, Bashës dhe mbështetësve politikë dhe familjarëve, është bërë nën presion, dhe pendesa ndaj organeve ligjzbatuese nxjerr këto emra që i rrezikojnë jetën atij dhe familjes së tij.

Dosjet që ka mbyllur Adriatik Llalla

Sa ishte Adriatik Llalla në krye të prokurorisë, vetëm ish-ministri Spiro Ksera u dënua për korrupsion, ndërsa të gjithë zyrtarët e akuzuar kanë shpëtuar të gjithë pa asnjë ditë burg

Në zyrën e Adriatik Llallës për pesë vite që ishte në krye të Prrokurorisë shqiptare janë bërë me dhjetra kallëzime penale për krime nga më të rëndat, por që për të gjithë u pushuan hetimet, duke përbërë një rast unikal në drejtësinë botërore.

Nëse i marrim me radhë, kur Erion Veliaj mori postin e kryebashkiakut bëri dy kallëzime ndaj Bashës për abuzime me lejet e ndërtimit.

Po ashtu ish-ministri Saimir Tahiri kallëzoi penalisht Bashën se tentoi të hidhte lëndë helmuese në protestën e 21 janarit.

Duke mbetur sërish të ‘21 janari’, Llalla bllokoi për të dytën herë dërgimin para drejtësisë të autorëve të vërtetë të ngjarjes së ‘21 Janarit’, ku u vranë 4 persona.

Ashtu siç çështja u zvarrit për vite e vite me radhë, autoritetet shqiptare të drejtësisë nuk pranuan rolin e ndërkombëtarëve.

Pasi në Strasburg kanë shkuar dy padi nga familjarët. Strasburgu përmes një shkrese i kërkonte qeverisë dhe familjarëve që t’u dërgojnë të gjitha provat për ngjarjen në fjalë.

Por pala shqiptare përsëriteti të njëjtin skenar, ku prokuroria nuk u jepte provat familjarëve. Por edhe në kërkesën e dytë të Strasburgut, prokuroria refuzoi pa dhënë asnjë shpjegim.

Sipas familjarëve, sërish pengesë është organi i akuzës, pasi nuk jep asnjë dosje apo dokument për ngjarjen në fjalë. Ndonëse është hera e dytë që kërkohet një gjë e tillë nga Strasburgu, prokuroria sërish ka refuzuar bashkëpunimin.

Gjykata e Strasburgut kërkon që ankimimi të plotësohet me të dhënat dhe dokumentet përkatëse që kanë mbledhur autoritetet shqiptare.

Pra ishte prokuroria ajo që ka dosjet hetimore e veprimet e saj bëjnë që të bllokohet për të dytën herë 21 Janari. Të cilën dhe mund ta vijonte pasi vrasja e Aleks Nikës është pa autor dhe dosja vijon në çdo moment.

Raste të tjera janë paditë ndaj Ridvan Bodes ish ministër i Financave në qeverinë Berisha për rrugën Durrës-Kukës, apo ndaj Arben Imamit për abuzimet kur ishte ministër i Mbrojtjes si dhe Genc Rulit, ishte ministër i METE po për privatizimin e OSSH.

Gjithashtu është mbyllur dosja e shitjes së detit Greqisë nga Berisha dhe Basha, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese në vendin kundër kësaj marrëveshjeje i kishte caktuar elementët e krimit, tradhëtinë kombëtare dhe tjetërsimin e territorit të vendit.

Të gjitha dosjet që janë hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme e janë mbyllur pa i dhënë sqarime askujt se përse u mor një vendim i tillë.

Rasti i fundit i privatizimit të OSSH nga CEZ e tregoi qartë se si ishte mbyllur dosja, pasi gjykata e hodhi poshtë.

Duket se frika më e madhe e demokratëve është pikërisht se kryeprokurorja do të zbulojë abuzimet e Adriatik Llallës mbi mbylljen e këtyre dosjeve.

Dosja e rëndë e abuzimit me privatizimin e OSSH nga CEZ është ajo që Llalla kërkoi të mbyllte. Dhe ku abuzimi dhe gjobat që janë vënë nga Berisha dhe Meta për këtë kompani përmes uljes së çmimit nga ana e ERE e urdhëruar asokohe nga Berisha, Meta dhe ministrat e tyre përkatës të kalonin pa ndëshkim.

Por dhe kompania DIA për mbledhjen e borxheve të CEZ, “patatet” e nxehta në duart e Llallës në atë kohë, pasi implikohen direkt Berisha dhe Meta.

Pikërisht këto dosje deshi shumë Llalla ti mbyllte përmes ndryshimit në ligj të propozuar prej tij që saksiononte mosprekjen mbylljen përfundimtare, por tashmë ato do hetohen nga Prokuroria Speciale.

Por dhe dosje të rëndësishme kanë pasur dhe prokuroritë e rretheve, sidomos sa i takon bandave apo kryebashkiakëve dhe zyrtarëve rajonalë. Edhe për ta gjithçka është mbyllur në heshtje.

Një tjetër zyrtar është kreu i ARRSH, Dashamir Xhika, i kallëzuar nga KLSH për abuzime me tenderët.

Në listë janë dhe dy ish-ministra të Sali Berishës. I pari është Lulzim Basha. Ai është paditur dy herë për abuzime me lejet e ndërtimit kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, si dhe për ngjarjen e 21 Janarit.

Emri tjetër është Sherefedin Shehu, i kallëzuar penalisht për abuzime me rrugën Durrës-Kukës.

Adriatik Llalla mbylli dhe dosjen e ish ministrit socialist të Shëndetësisë Ilir Beqja, për koncensionet në shëndetësi, për arësyen e vetme se në këto afera kishte përfituar edhe  bashkëshortja e tij Ardjana Llalla.

Por Llalla bëri të gjithë përpjekjet dhe ia arriti që të mbyllë përfundimisht dosjen e Gërdecit ku humbën jetën 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Ndaj, Adriatik Llalla, i cili ka mbyllur gjithë këto dosje dhe në rastin e të penduarit të drejtësisë nga Gjermania mund të hapë “Kutinë e Pandorës” që rrezikon Metën, Bashën dhe Berishën, kërkon azil politiuk në Gjermani. Me argumentin se i kërcënohet jeta në Shqipëri./Pamfleti.com

Adriatik Llalla kërkon azil politik në Gjermani, ka frikë nga Berisha dhe Meta. Ka vendosur të pendohet dhe të flasë për dosjet e mëdha që ka mbyllur Read More »

2 standartet e Arta Markut, kur do marrë të pandehur Bashën për lobimin me financim rus e të KGB, 21 janarin e 250 milionë eurot e Rrugës së Kombit?!

Prokuroria shqiptare ka filluar një hetim ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe mirë ka bërë, pasi është një sinjal se po goditet pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë, një ‘sëmundje’ e drejtësisë shqiptare në 28 vite.

Pavarësisht konteksteve dhe përplasjeve për çështjen e provave që ka në dorë prokuroria dhe që sipas saj e implikojnë ish ministrin e Brendshëm në trafikun e drogës dhe e cilësojnë si pjesë të një grupi të ristrukturuar kriminal, hetimi ndaj tij është një sinal pozitiv për qytetarët shqiptarë se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Por hetimi nga Prokuroria ka vlera edhe sepse ish ministri i Brendshëm ka të drejtën e zotit që të vertetojë me prova dhe fakte para gjykatës se nuk është i përfshirë në trafikun e drogës.

Prokuroria ka të drejtë të hetojë, dhe është në të drejtën e saj, mbi bazën e çdo prove që ajo mendon se mund të ngrejë dhe vertetojë akuzën e saj ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Prova që të bindin jo vetëm gjykatën por dhe shqiptarët, se janë fryt i një hetimi të drejtë dhe të pavarur, sikurse e kërkon dhe ligji.

Përfshirja e opozitës në mënyrë emocionale në këtë hetim, mund të shkaktojë dhe prishjen tërë procesit, nëse prokurorët dhe gjykata ndikohen nga këto emocione opozitare.

Dhe në të gjitha çështjet hetimore dhe gjyqësore ku përfshihet politika, është e vështirë të dalë e drejta.

Pra prokuroria ka për detyrë të hetojë dhe ka vepruar duke hetuar për rastin e Saimir Tahirit, gjë e mirë kjo dhe e përshëndetur nga të gjitha palët në Shqipëri, dhe nga ndërkombëtarët.

Prokuroria ka nisur dhe një hetim në lidhje me një video-përgjim të pretenduar se është i Agron Xhafajt, vëllait të ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe i paraqitur në media nga grupi “tresh” i deputetëve e zytarëve të PD, përkatësisht Engelejd Alibeaj, Ervin Salianji e Gazmend Bardhi.

Hetimi i prokurorisë konsiston në faktin e verifikimit të akuzave të zyrtarëve të lartë të PD

ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm për trafik droge, shkelje ligji etj., por dhe për të verifikuar autenticitetin e vidio-përgjimit, rrethanat në të cilat është marrë etj.

Dhe mirë ka bërë, duke marrë përshëndetje për  reagimin e shpejtë të organit të akuzës në Shqipëri. Madje i deklarohet dhe mbështetja si nga mazhoranca ashtu dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, por dhe nga opinioni publik shqiptar.

Ka mbështetje të gjithëanshme hetimi, pavarësisht se ka shumë dilema, pikëpyetje dhe hije dyshimi mbi këtë vidio-përgjim apo mbi “sagën” e sulmeve të opozitës si gjithnjë në këto raste për të bërë politikë, ndaj Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Por ne besojmë në “ftohtësinë” e Prokurorisë në hetimin e këtij rasti dhe vendimin e drejtë të gjykatës.

Por ajo që kemi vënë re gjatë gjithë këtyre ditëve është fakti se Prokuroria Shqiptare, pavarësisht ndryshimeve drastike në kupolën e përbërjen e saj, pavarësisht mbështetjes së fortë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, opinionit publik dhe palëve për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, kur vjen puna tek akuzat ndaj liderëve të opozitës, megjithëse krimet i kanë të freskëta dhe të certifikuara, po stepet dhe nuk vepron.

Rasti më konkret është bllokimi i hetimit ndaj lobimit të Lulzim Bashës me financim rus dhe të ish KGB-së sovjetike.

Bllokim dhe stepje e pajustifikuar nga ana e organit të akuzës, pavarësisht se në tavolinën e Arta Markut ka dokumente autentike që përfshijnë kreun e PD në krim.

Ka dokumentet të nënshkruara me firmë dhe me vulë nga Lulzim Basha, kontrata këto me kompani që vijnë nga parajsat fiskale dhe që nuk justifikon se kush i ka paguar afër 1 milionë dollarët e lobimit në SHBA në favor të liderit demokrat.

Apo më e pakta, prokuroria ta marrë nën hetim Lulzim Bashën që të tregojë se ku i mori 1 milion dollarë se nuk janë një milionë lekë që i gjen shumë shpejt.

Nëse i ka paguar Basha dhe janë para të dhëna nga xhepi i tij, sërish ta verifikojë si i ka fituar këto një milionë dollarë për të “blerë” një foto me Donald Trump dhe të verifikojë nëse e ka zbritur në deklaratën personale të pasurisë.

Arta Marku ka në tavolinën e saj tërë informacionin e kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë për lëvizjen e këtyre parave nga parajsat off-shore përmes financuesve rusë dhe vetëm Basha si i pandehur mungon.

Pse nuk merret i pandehur Basha për financimin rus të lobimit në SHBA, kur dhe Uashingtoni është shumë i shqetësuar për mbështetjen që kërkon të japë Rusdia që të ketë një “kukull” si Basha në krye të qeverisë shqiptare në të ardhmen.

Dosja është e kopsitur dhe nga SHBA.

Pse Basha nuk merret nën hetim nga Arta Marku për Rrugën e Kombit dhe 250 milionë dollarët që Basha bashkë me Berishën kanë vjedhur.

Vjedhja e këtyre parave nga arka e shtetit është e certifikuar nga reaporti zyrtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me vërtetësi absolute dhe “kirurgjikale”, pasi drejtori i asaj kohe i KLSH Robert Çeku ishte një deputet i Berishës që la mandatin për të marrë drejtimin e KLSH.

Do të ishte jo vetëm në nderin e Arta Markut por do t’ia dinin për nder dhe shqiptarët që 250 milionë eurot të ktheheshin në arkën e shtetit shqiptar, dhe të paguheshin së paku këstet e kredisë së biznesit të marrë nga Berisha për Rrugën e Kombit.

Pse Lulzim Basha nuk merret i pandehur për vrasjet e 21 janarit, pasi ishte Ministër i Brendshëm në ato kohë kur në mes të bulevardit dhe përballë Kryeministrisë u vranë katër demonstrues me duar në xhepa nga Garda e Republikës.

Me urdhër të tij, që transmetoi dhe fuqizoi urdhërin e ish kryeministrit Sali Berisha. Dosja është gati, vetëm të çohet në gjykatë nga prokuroria ka mbetur.

Por Arta Marku për habi po heziton për këto rastet e përmendura në ngarkim të përfaqësuesve të opozitës dhe më saktë kreut Lulzim Basha, duke shfaqur në një hark shumë të shkurtër kohor dy standarde në veprimin e saj hetimor gje ligjor.

Nuk besojmë që presioni i Ramës ndaj prokurorisë për të mbrojtur aleatin e tij Basha është kaq i madh, sa Arta Marku që cilësohet dhe si “produkt” i SHBA të stepet dhe të veprojë me dy standarde ndaj politikanëve shqiptarë që kanë abuzuar, kanë kryer krime ose akuzohen pa prova për vepra penale që janë në dyshim që janë bërë. Duke “ledhatuar” njërën palë, e goditur tjetrën./Pamfleti.com

2 standartet e Arta Markut, kur do marrë të pandehur Bashën për lobimin me financim rus e të KGB, 21 janarin e 250 milionë eurot e Rrugës së Kombit?! Read More »

Kulmi, na e thonë pikërisht tani! Ja çfarë pritet të ndodhë këtë verë në të gjithë Shqipërinë

‘AccuWeather’ ka njoftuar se vera e këtij viti nuk do të jetë edhe aq e nxehtë siç parashikohej.

Gjatë muajve të verës, pjesët e Evropës Perëndimore dhe Qendrore pritet të përjetojnë një periudhë të gjatë të nxehtësisë e shoqëruar me stuhi. Temperaturat e larta në 32 gradë do ta përfshijnë Lionin, Milanon, Firencen, Frankfurtin dhe Berlinin.

Mot i ngjashëm, megjithëse më i butë pritet edhe në zonën e Istrës. Ngrohja më ekstreme do të arrijë në 38 gradë në jug të Francës dhe Italisë Veriore.

Ndërsa pjesët e Evropës Qendrore dhe Perëndimore do të goditen nga disa stuhi të furishme. Po ashtu, kombinimi i temperaturave dhe lagështia që vjen nga Mesdheu do të shkaktojnë stuhi në Poloninë lindore drejt Republikës Çeke e në Bjellorusi.

Nga stuhitë rrezikohen edhe Praga, Varshava dhe Minsku. Stuhitë do të shoqërohen nga shiu dhe erëra të forta.

Po ashtu, AccuWeather paralajmëron se pjesë të Romës, Napolit, Tiranës dhe Sofjes do të goditen nga një stuhi e madhe që mund të shkaktojë përmbytje dhe rrezik për jetën.

Mot i nxehtë do të mbretërojë në Britani të Madhe, veriperëndim të Francës, Belgjikë dhe Holandë.

Kulmi, na e thonë pikërisht tani! Ja çfarë pritet të ndodhë këtë verë në të gjithë Shqipërinë Read More »

Dikur nën një çadër sot Kreshniku Spahiu ironizon Bashën: Lul mblodhe shumë më pak protestues se sa Sazan Guri

Deshtimin e protestes se opozites para Ministrise se Brendshme tashme po e perdorin te gjithe jo vetem per te tallur kreun e PD Lulzim Basha, por per te treguar dhe mjerimin e opozites per mbeshtetjen e vobekte qe ka.

Ish- aleati i Lulzim Bashës, Kreshnik Spahiu, ka ironizuar protestën e sotme të opozitës për dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm.
Spahiu thotë se “Luli mblodhi sot më pak protestues se deputetët” që ka. Sipas Spahiut Basha nuk kërkoi zgjedhje të parakohëshme se e di që nuk i fiton kurrë.

Postimi i plotë:
FATKEQËSI apo..? Populli braktisi sot Opozitën!
Sot Luli mblodhi shumë më pak protestestues se Sazan Guri.
Sot Luli kishte në shesh më pak demostrues se depuetet.

Sot Luli nxori 1000 herë më pak se Rama në 21 Janar për bllokun Top Channel.
Sot Luli tregoj që s’ka parti po shoqatē.
Sot Luli kish të drejtë që s’kērkoj zgjedhje të parakoheshme se nuk i fiton dot kurrë ato….

Dikur nën një çadër sot Kreshniku Spahiu ironizon Bashën: Lul mblodhe shumë më pak protestues se sa Sazan Guri Read More »

Befason gazetarja: Policët kanë frikë të kërkojnë emrin e Agron Xhafës në sistemin TIMS

Gazetarja e ‘News24’ Klodiana Lala tregoi detaje nga çështja që lidhet me vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj.

E ftuar në emisionin “Opinion” gazetarja Lala tha se punonjësit e Policisë së Shtetit e kanë të vështirë të kontrollojnë emrin e Agron Xhafës në sistemin TIMS, pasi kanë frikë se mos pushohen nga puna.

“Unë nuk kam bërë dot një verifikim në sistemin TIMS, sepse ju e kuptoni se punonjësit e policisë e kanë të vështirë të kontrollojnë në sistem emrin e të vëllait të ministrit të Brendshëm.

Kujtoj këtu se kur ish-ministri Saimir Tahiri udhëtoi jashtë vendit drejt Gjermanisë që ishte diçka krejt familjare dhe personale.

Njëri nga punonjësit që kërkoi emrin e tij në sistemin TIMS, u penalizua”,- tha Lala.

Po ashtu ajo nxori detaje të reja nga procedurat që ka ndjekur vëllai i ministrit, kur shkoi në prokurori.

Kujtojmë se sot Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane, pasi është dënuar me 7 vite e 2 muaj burg për trafik droge.

Gazetarja Lala tha se Argon Xhafaj ka regjistruar dhe zërin në prokurori, për të vërtetuar kështu edhe zërin që dëgjohet në audiopërgjimin që publikoi dy ditë më parë PD, ku pretendohet nga demokratët se vëllai i ministrit flet me trafikantë droge.

“Agron Xhafaj ka dhënë deklarime si një person në hetim. Dhe ka regjistruar zërin e tij. Ai ka informuar se nuk do të ishte disponibël pasi ka marrë vendim, por nuk thënë vendimin e tij. Ai është larguar menjëherë pas procedurës që ka bërë në prokurori.

Xhafaj është shoqëruar nga dikush apo ka ikur vetëm? Nga oficer të policisë shqiptare është shoqëruar, por nuk dihen detaje të reja.

Unë nuk e kuptoj ku e marrë kryeministri audion pasi nuk dihet se si e ka marrë origjinalin.

Ai ka thënë se nuk është zëri im, por as zhargoni që unë përdorë”, tha Lala.

Befason gazetarja: Policët kanë frikë të kërkojnë emrin e Agron Xhafës në sistemin TIMS Read More »

Kjo shifër është e frikshme, kot shpresojmë! Nuk krahasohemi as me Serbinë dhe Malazezët, më keq akoma

Shqipëria është vendi ku qytetarët e saj perceptojnë që kanë cilësinë më të ulët të jetesës në Europë janë gjithashtu më të palumturit, kanë një opinion shumë të dobët për cilësinë e edukimit dhe standardet e jetesës, ndonëse optimizmi për të ardhmen nuk u mungon dhe familjet i kanë të forta.

Sondazhi për “Cilësinë e Jetës në Europë” u publikua nga Komisioni Europian fillimisht në mars, vetëm me të dhënat e shteteve anëtare, ndërsa së fundmi janë përditësuar edhe të dhënat për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Për pyetjen “Sa të kënaqur jeni ju me cilësinë e jetës ditët e sotme”, për të gjitha moshat dhe gjinitë, Shqipëria ka një mesatare prej 4.9 pikë, që është më e ulëta në Europë. Pas Shqipërisë renditen Maqedonia me 5.1 pikë, Greqia me 5.3 pikë dhe Bullgaria me 5.6 pikë (shih grafikun).

Nga rajoni, më të kënaqur me jetën janë serbët dhe malazezët, me nga 6.3 pikë secili. Të dhënat për Kosovën mungojnë.

Shtetet që marrin pikët më të larta janë Danimarka, Finlanda dhe Suedia.

Sondazhi i “Cilësisë së Jetës në Europë” jep një këndvështrim unik mbi cilësinë e jetës së europianëve në ditët e sotme. Të dhënat e analizuara mbulojnë cilësinë e jetës, cilësinë e shoqërisë dhe shërbimet publike, thuhet në raport.

Edhe për pyetjen tjetër, “Duke i marrë të gjitha në konsideratë, sa të lumtur do të thoni që jeni?”, Shqipëria ka një pikëzim prej 5.2, që është sërish më i ulëti në Europë dhe shumë më i ulët sesa i dyti më i palumtur pas nesh, që është Maqedonia me 6.1 pikë (shih grafikun në fund) .

Për edukimin, Shqipëria ka gjithashtu vlerësimin më të ulët, me 5.8 pikë dhe pas saj vjen Turqia, me 6 pikë dhe Maqedonia me 6.1 pikë.

Kënaqësia me standardet e jetesës është gjithashtu më e ulëta në Europë, me 5.1 pikë, shumë afër nesh është Maqedonia, me 5.2 pikë. Më të kënaqurit me standardet e jetesës në Europë janë danezët dhe suedezët, me përkatësisht 8.3 dhe 8.2 pikë.

Më i ulëti në Europë është dhe perceptimi për cilësinë e akomodimit, me 6.5 pikë dhe i dyti pas nesh është Turqia me 6.6 pikë. Më të kënaqurit me akomodimin janë austriakët, danezët dhe irlandezët, me 8.4 pikë secili.

Shqiptarët mbajnë rekord për vështirësitë që hasin për të zgjidhur problemet e tyre. 57% e tyre kanë pohuar se “kanë vështirësi për të zgjidhur probleme të rëndësishme që u dalin gjatë jetës”. Përqindja e dytë më e lartë është ajo e maqedonaseve dhe grekëve, me 38%.

Një tjetër pyetje, ku nuk ngurrojmë ta shfaqim pakënaqësinë me jetën është “Në jetën time të përditshme, unë rrallë kam kohë që të bëj gjëra që realisht më pëlqejnë”, ku Shqipëria ka përqindjen më të lartë të atyre që bien dakord me këtë shprehje (52%). Të dytët janë turqit me 49%, të ndjekur nga maqedonasit dhe rumunët.

67% e shqiptarëve bien dakord se “bëjnë diçka të vlefshme në jetë “, ndër më të ulëtat në Europë, pas grekëve (53%) dhe turqve (59%). Më të vlefshëm në Europë ndihen irlandezët (90%).

Ndryshe nga ambienti i jashtëm, perceptimi për kënaqësinë e jetës familjare është ndër më të lartët në Europë, me 8.6 pikë, në të njëjtat nivele me Danimarkën, Austrinë, Maltën etj., ndërsa me vlerësimin më të ulët në këtë pyetje janë Turqia, Bullgaria, Italia.

Pavarësisht se janë të pakënaqur me jetën, shqiptarët janë përgjithësisht optimistë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. 67% e tyre janë optimistë se do të kenë një të ardhme pozitive

Kjo shifër është e frikshme, kot shpresojmë! Nuk krahasohemi as me Serbinë dhe Malazezët, më keq akoma Read More »

Ç’po kurdiset?! Ministri Xhafaj paralajmëron konferencë urgjente

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj do të dalë në konferencë për mediat në orën 18:30. Konferenca vjen dy ditë pas përgjimit ambiental të vëllait të tij Agron Xhafaj.

Më herët ministri Xhafaj zhvilloi një takim “kokë me kokë” prej 45 minutash me kreu e qeverisë Edi Rama.

Nuk dihet ende zyrtarisht tema e bisedës.

Në mbledhjen e grupit Rama tha se Xhafaj do të qëndrojë në detyrë, teksa e quajti çështjen e vëllait të tij si një mashtrim me synim destabilizimin.

Ç’po kurdiset?! Ministri Xhafaj paralajmëron konferencë urgjente Read More »

Rama-Xhafaj ia befin tek Meta, mblidhet Këshilli Kombëtar i Sigurisë

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin Xhafaj po zhvillojnë një takim me Ilir Metën në Presidencë. Takimi vjen pas konsultës 45 minutëshe të Ramës dhe Xhafajt në kryeministri.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka njoftuar se do të dalë në konferencë për mediat në orën 18:30.

Mësohet se në të njëjtën mbledhje janë prezentë edhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Zhvillimet vijnë dy ditë pas përgjimit ambiental të vëllait të tij Agron Xhafaj. Në mbledhjen e grupit të PS, Rama tha se Xhafaj do të qëndrojë në detyrë, teksa e quajti çështjen e vëllait të tij si një mashtrim me synim destabilizimin.

Rama-Xhafaj ia befin tek Meta, mblidhet Këshilli Kombëtar i Sigurisë Read More »