Aktualitet

Top Channel publikon të dhëna rrënqethëse për disa deputetë të parlamentit shqiptar

Emisioni “Exsclusive” ne Top Channel tregoi sot se sa të pasur janë ata që përfaqësojnë popullin në Parlament.

Në fushata elektorale ata u premtojnë zgjedhësve se do t’i zgjidhin hallet dhe problemet e tyre. Kur hyjnë në Parlament debatojnë dhe kacafyten me njëri-tjetrin për varfërinë dhe mjerimin e shqiptarëve. Një pjesë e të zgjedhurve vijnë nga bota e biznesit. Ka nga ata që zotërojnë pasuri të frikshme, ndërsa nuk mungojnë akuzat për blerje mandatesh.

E të paktën me atë që deklarohet zyrtarisht, ky parlament me 140 deputetë dhe kushton 150 milionë euro.

Agron Shehaj, deputet i Partisë Demokratike thotë se “Shqipëria është vendi më i varfër në Europë sepse politika ka dështuar”.

“Shumë politikanë kanë pasuri shumë të mëdha jo në emrin e tyre. Personalisht, kam fatin që kompanitë e mia punojnë në tregun e huaj, nuk bëjnë asnjë euro xhiro në tregun shqiptar. Nuk kam përfituar gjë me tendera apo koncesione”, deklaron Shehaj.

Kurse analisti Andi Bushati shpjegon arsyet pse biznesmenët i futen politikës: “Njeriu që ka bërë para’, kërkon të jetë edhe personazh i respektuar përmes politikës. Duan edhe një lloj mbrojtjeje më të madhe se një qytetar i thjeshtë për atë milionin e parë që nuk dihet si e kanë bërë”.

Bushati thekson gjithashtu se “një deputet që ka biznes, kur i duhet të miratojë një ligj fiskal, teorikisht është në kushtet e konfliktit të interesit”.

Sakaq Instituti i Studimeve Politike thotë se në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin gjenden 7 deputetë që kanë aktivitete private prodhuese dhe tregtuese, pra në fushën në të cilën ata shqyrtojnë dhe marrin vendime.

Top Channel publikon të dhëna rrënqethëse për disa deputetë të parlamentit shqiptar Read More »

Spartak Ngjela: PD do të destabilizojë Shqipërinë, krerët e saj janë antiamerikan. Ja pse Xhafaj doli i fituar nga protesta

Shkruan Spartak Ngjela

Partia Demokratike nuk ka më mbështetje, sepse krerët e saj, si forcë antiamerikane, janë të korruptuarit që kërkojnë të destabilizojnë Shqipërinë me metoda të vjetra otomane.
Dje e pamë sesi Sali Berisha donte të dëbonte Amerikën nga aleanca me Shqipërinë me gurrët e 200 individëve të paguar.

Fjala ishte se donin të rëzonin ministrin e Brendshëm.
Ministri i Brendshëm Xhafaj doli edhe më i fortë në një betejë me 11 policë të dëmtuar lehtë, përballë një “grusht i shteti” që u rrek të bëhej me gurë.
Po këta injorantë, nuk e kuptojnë se nuk kanë më kohë politike në Shqipëri, se janë antiamerikanë dhe Shqipëria tani është e kurdisur sipas orës amerikane?

l.
Antiamerikanët që hiqen si perëndimorë dhe që duan të destabilizojnë Shqipërinë për të siguruar gjënë e tyre të vjedhur, dështuan dje plotësisht, sepse shqiptarët këtë herë as që i përfillën fare, ngaqë e kuptuan se korrupsioni shqiptar që po drejton Shqipërinë, është një forcë e dështuar.
Ishte dhe çështja e çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, por atë në fakt nuk e trondit dot asgjë.
Shqipëria e ka të sigurt që i çel negociatat në këtë qershor, duan apo nuk duan një grusht njerëzish të korruptuar që, pasi kanë vjedhur shqiptarët, të kapur, nuk duan ta dorëzojnë gjënë e vjedhur, dhe nuk duan që t’i përgjigjen normalisht akuzës kundër tyre.
Por gjithsesi, e gjithë zallamahia e djeshme sigurisht që në thelb nuk ishte një ndërmarrje e kotë dhe nuk mund të thuash se do të ndalojë si përpjekje antiperëndim, nga të gjithë të korruptuarit.

ll.
I gjithë korrupsioni kryeministror i të dy krahëve të politikës shqiptare dje, më 26 maj 2018, ishte i bashkuar. Që të katër bashkë: Berisha, Rama, Meta dhe Basha pritën dje që të rrëzonin ministrin e Brendshëm Xhafaj.

Pas protestës së dështuar të katër ishin pa gjak në fytyrë, kurse Fatmir Xhafaj qeshte.
Në të vërtetë lufta kundër ministrit Xhafaj është një luftë antiamerikane. Në këtë betejë antikorrupsion të drejtuar nga politika amerikane në Shqipëri, amerikanët i kanë marrë Ramës dhe Berishës ministrin e Brendshëm. I morën me forcë edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, dhe ndërkohë i kanë lënë në mëshirë të reformës në drejtësi, e cila sigurisht që penalizon edhe Ramën, edhe Berishën.
Duhet të theksojmë se pa ministrin e Brendshëm, Reforma në Drejtësi nuk mund të kryhet. Por këtë, ashtu siç e di Rama dhe Berisha, e dinë edhe amerikanët.
Kjo është arsyeja që Lufta kundër ministrit të Brendshëm sot në Shqipëri është një lëvizje antiamerikane.

E gjithë kjo lëvizje, para një jave, pasi paraqiti çështjen qesharakë Babalaj, priti nga Rama shkarkimin e ministrit të Brendshëm. Dhe të gjithë ishin të sigurt për këtë shkarkim: të gjithë të korruptuarit e Shqipërisë.

Kurse politika amerikane heshti.
Rama provokoi rëndë politikën amerikane, dhe ajo iu përgjigj ashpër me ambasadorin Lu. Por menjëherë FBI dhe organet e specializuara amerikane konstatuan nga analiza spektrale e zërit se audiopërgjimi Babalaj, ishte një falsitet destabilizues. Amerikanët e vunë në dijeni kryeministrin shqiptar, dhe ky i përpunuar doli dhe dhe me frikë tha që “analiza e zërit tregon që audiopërgjimi është falsitet”. Ministri nuk u shkarkua dot prej tij.

U kundërpërgjigjën injorantët e korruptuar duke thënë se nuk bëhet analiza spektrale e zërit në dy ditë.
Analiza spektrale e zërit të krahasuar nga FBI bëhet në më pak se një orë, por kur ke të bësh me injorantë, është e kotë të merresh me ta. Ku e dinë këta derëzes e punëzes se çfarë është analiza spektrale e zërit!

Treshja Berisha, Meta dhe Basha të rënë shpirtërisht, u hodhën kundër Ramës, kurse ky në fakt ishte me ta, por i detyruar nga politika amerikane, refuzoi pushimin e ministrit të Brendshëm.
Kurse Xhafaj u tregua më i vendosur kur tha se “jepte dorëheqjen si ministër në funksion të analizës së zërit”. Kuptohet se ky sigurisht që e dinte të vërtetën nga FBI. Po Basha, pse nuk iu përgjigj me të kundërtën, domethënë që edhe ky e jepte dorëheqjen po të dilte falsitet audiopërgjimi Babalaj?
Ku shkoni o të korruptuar të mjerë, pse rendni me vrap drejt shkatërrimit!

lll.
Dje, korrupsioni shqiptar, pati rënie drastik dhe, bashkë me të, edhe media e blerë nga korrupsioni. Në fakt rënia e tyre është nga naiviteti i shpresës se me një revoltë popullore do të mund të ndalonin reformën e nisur në Shqipëri.
Kurse media e blerë nga korrupsioni është e mërzitur.
Edhe Rama, i mërzitur, provokoi dje pas protestës përkrahësit e Partisë Demokratike me shpresë që ata të vinë me shumicë herën tjetër.

Të gjithë bashkë: Berisha, Rama, Meta dhe Basha duan destabilizim.
Por ajo që është më poetikja: të katër këta kërkojnë të rrëzojnë Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm, sepse ai drejtohet nga amerikanët.
Po dështuan përfundimisht.

IV.
Koha po ndihmon Shqipërinë. Politika amerikane e kërcënoi ashpër dje si Berishën ashtu edhe Bashën. Dhe do të vijojë kështu, sepse këta nuk heqin dorë nga destabilizimi.
Amerikanët duhet t’i bëjnë publike ato që kanë grumbulluar kundër korrupsionit shqiptar, kurse riemërimi ambasador i ambasadorit Donald Lu, ka mërzitur rëndë gjithë korrupsionin kryeministror shqiptar, sepse nuk kanë alibi për të thënë se kundër nesh nuk është politika amerikane, por vetëm ambasadori.

Po kush vjen tani në Shqipëri.
Ende nuk dihet, por koha sot në Shqipëri, në funksion të aleancës shqiptaro-amerikane, kërkon që politika amerikane të sjellë këtu një personalitet të njohur amerikan.
Ambasadori amerikan në Tiranë sot hyn në pesë ambasadorët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të shohim se kush do të vijë. Por kjo politikë amerikane do të vijojë më me forcë kundër korrupsionit shqiptar.

Shqiptarët treguan dje se po presin sa më shpejt rezultatet e Reformës së nisur nga amerikanët në ndihmë të shrrënjosjes së korrupsionit në Shqipëri.
Ajo që dihet me siguri është fakti se të gjithë të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë, sot janë të humbur dhe të gjithëve iu është identifikuar shuma e parave dhe pronave që kanë përfituar nga korrupsioni.

Spartak Ngjela: PD do të destabilizojë Shqipërinë, krerët e saj janë antiamerikan. Ja pse Xhafaj doli i fituar nga protesta Read More »

Humbi djalin në aksident, deputeti socialist fjalë të ndjera për mikun e tij

Deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu, në një postim në rrjetin social Facebook, me fjalë të ndjera shprehu ngushëllimet për humbjen e djalit të mikut të tij.

Ndër të tjera ai shkruan: “Dhimbje pafund për Klodianin, djalin e vetëm të mikut tim të shtrenjtë Misin Vladi i cili vdiq tragjikisht në aksident”.

Më poshtë është postimi i plotë i deputetit Ndreu.

Postimi:

Dhimbje pafund per Klodianin, djalin e vetem te mikut tim te shtrenjte Misin Vladi i cili vdiq tragjikisht ne aksident.

Zoti ju dhashte force miku im.

Ja dedikova kete status ketij njeriu qe per disa vite pune ne Paskuqan e Kamez ka qene nje nder njerezit me me vlere e me burre qe kam njohe.

Sot ishim keq dhe ne, qindra miq e shoke qe ishim ne percjelljen e birit tend te shtrenjt.

Burrat si ti dine te qendrojne ! Ngushellime pafund miku im i shtrenjt dhe i mire Misin Vladi !

Humbi djalin në aksident, deputeti socialist fjalë të ndjera për mikun e tij Read More »

Garda e vjetër godet Bashën: “Po tani që e “hoqëm” Xhafajn dhe “rrëzuam” qeverinë çfarë do bëjmë? Xhiro nëpër Tiranë!

Ish drejtues të lartë të PD-së, tani pothuajse të pa punë, godasin dhe tallen me opozitarizmin dhe protestën e Lulzim Bashës.

Pas përfundimit të protestës, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Edit’h Harxhi përmes një postimi në profilin e saj në Twitter  ironizoi  dhe kërcënoi  Bashën.

Harxhi teksa e cilësoi protestën dhe fjalimin e Bashës dështim prej karagjozi shkruan:  “Po tani që e “hoqëm” Xhafajn dhe “rrëzuam” qeverinë çfarë do bëjmë? Xhiro nëpër Tiranë!

Si nuk e përmende një herë Edi Ramën me emër në fjalimin tënd epik? Ti përfundimisht nuk zhgënjen me askënd as veten tende. Përfundimisht establishment!

Në kazan je edhe ti, por do rrokulliset shpejt”.

Por nuk ka ndejur as ish deputeti Astrit Patozi pa i’u drejtuar Bashës me këtë status:  “Sot pamë “LIVE”, me zë e me figurë, me dron dhe pa dron, shfaqjen e rreme në kryeqytet të Babaleve, që na udhëheqin.

Të atyre, që janë në qeveri, dhe të tjerëve që janë në opozitë”.

Garda e vjetër godet Bashën: “Po tani që e “hoqëm” Xhafajn dhe “rrëzuam” qeverinë çfarë do bëjmë? Xhiro nëpër Tiranë! Read More »

E vetmja viktimë e 26 Majit, ishte protesta!

Nga Mero Baze

Debati që po përpiqet të mbushë boshllëkun që ka lënë dështimi i protestës së djeshme në Tiranë, po fokusohet tek ato pak minuta përplasjeje me policinë nga disa demonstrues agresivë të PD.

Një palë që duan të mbajnë lart “moralin” e protestës thonë se protestuesit mund ta kishin mundur policinë, dhe siç thotë Berisha të kishin ngritur lart flamurin e 14 Shtatorit, kurse një pjesë tjetër thotë se Basha shmangu përplasjen duke i tërhequr.

Në faktë të dy versionet janë gënjeshtra. Protestuesit bënë atë që mundën të bëjnë.

Ata dolën në pikë të diellit, dëgjuan një fjalim idiot, panë njëri tjetrin në sy sa pak ishin, përsiatën me vete arsyet përse shumë demokratë preferuan të qëndrojnë në shtëpi dhe pastaj të mërzitur u kthyen për në seli duke tentuar t’ia nxjerrin inatin zyrës së Fatmir Xhafajt.

Dhe policia bëri sa mundi. Ajo ruajti gjakftohtësinë, u vendos profesionalisht para tyre, respektoi propocionalitetin e dhunës mbi të, zmbrapsi provokimet, dhe u shpëtoi gurëve nga turma, të cilët goditën dhe një protestues agresivë.

Edhe Lulzim Basha bëri sa mundi atë që di të bëjë. U çua në orën e caktuar, krehu flokët, i ngjeu pak, zbriti nga “Benzi”, shkoi në SHQUP, mori fjalimin që ja kishin bërë gati, shkoi me këmbë deri tek kryeministria dhe e lexoi.

Vetëm Sali Berisha duket që nuk ka bërë dot atë që ka menduar. Sipas asaj që shkruan, ai paska pasur në mendje trazirat e 12 dhe 14 Shtatorit 1998.

Ai po ngazëllehej që demonstruesit mund të kishin ngritur flamurin në zyrat e shtetit. Larg qoftë, mund të kishte caktuar si dëshmor protestuesin agresiv B. Kasmi. Ky do të ishte një telash i ri nëse ndodhte, pasi në të ardhmen mund të kishim kusur të çonim dhe fëmijët në ndonjë shkollë me emrin “B. Kasmi”.

Por e gjitha kjo mund të jetë dhe thjesht një shantazh mbi Lulzim Bashën prej tij, që nuk arriti ta çonte dot punën deri këtu. Jo se nuk deshi, por nuk mundte.

Edhe shtypi i opozitës bëri sa mundi. Paralajmëroi që populli do besonte “Babalen”, paralajmëroi se PD do bënte përmbysjen e madhe, paralajmëroi se Basha do t’ia dilte këtë radhë…

Biles një prej gazetarëve u hodh i pari mbi telat e policisë me trup, ngaqë fjalët nuk i mjaftuan gjithë jetën si gazetar.

Pra të gjithë e bënë detyrën e tyre. Ata nuk janë sot as të humbur, as të fituar, as heronj, as viktima, as vrasës, as të vrarë. Ata të gjithë së bashku prodhuan atë që pamë në Bulevard.

Protestën.

E vërteta e thjeshtë është se e vetmja viktimë e 26 majit është protesta.

Institucioni i saj brenda PD u vra në mënyrë të pakorrigjueshme.

Ajo mbeti si një episod i sforcuar, nervoz dhe dëshpërues. Një kapsllëk opozitar.

Dhe kjo është e vetmja gjë që mund të diskutojë PD për 26 Majin.

Ajo duhet të flasë për të vetmen viktimë të asaj dite, protestën. Të tjerët nuk kanë pse merren me të.

E vetmja viktimë e 26 Majit, ishte protesta! Read More »

Saimir Tahiri kërkon nesër heqjen e masës “arrest shtëpie”, reagon ambasadori Donald Lu

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka reaguar në lidhje me çështjen e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili  ka kërkuar heqjen e masës “arrest shtëpie” dhënë nga  Gjykata e Krimeve të Rënda.

Duke iu përgjigjur interesimit të BW lidhur me seancën që pritet të mbahet nesër në Gjyaktën e Apelit lidhur me kërkesën e Tahirit, ambasadori Lu tha se vendimi për këtë çështje duhet që të bazohet mbi prova e ligje dhe jo mbi kërcënime dhe para.

Më ai tej ai thotë se për këtë çështje ka dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe rryshfete që u janë ofruar gjykatësve.

“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe rryshfete që u janë ofruar gjykatësve.

Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para.

Askush nuk është mbi ligjin”, ka thënë Donald Lu.

Saimir Tahiri kërkon nesër heqjen e masës “arrest shtëpie”, reagon ambasadori Donald Lu Read More »

Ditmir Bushati: Asnjë forcë politike nuk kundërshton integrimin në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në një intervistë për radion “Monocle 24 Radio”, emisioni ‘The Foreign Desk”, deklaron se Shqipëria ka bërë përparim të madh dhe pret që të hapë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Duke u ndalur tek rëndësia e këtij procesi për Ballkanin Perëndimor, kreu i diplomacisë shqiptare u shpreh se “procesi i pranimit në BE shihet si një instrument, si një nxitje për të transformuar veten, për të përmirësuar standardet e jetesës, për të përmirësuar funksionimin e institucioneve shtetërore, si dhe mënyrën si zhvillohet jeta publike”.

Ministri Bushati ka pohuar se në Shqipëri nuk ka asnjë forcë politike që e kundërshton trajektoren e vendit drejt BE-së, por ka rezistencë politike dhe sociale në zbatimin e reformave shtetkonsoliduese që vendi ka ndërmarrë.

Duke u ndalur tek ky prioritet kombëtar, Ministri Bushati u kujdes të nënvizojë se procesi “nuk po ecën aq shpejt sa kemi dëshiruar”, dhe në disa raste njerëzit humbin durimin dhe është shumë e vështirë për të ushqyer pritshmërinë e tyre me programe dhe ide që do të zbatohen për 10 vjet ose 15 vjet.

Më poshtë intervista e plotë:
Gazetari: Dua të pyes para së gjithash pasi ju keni qenë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë që nga viti 2013, gjatë kësaj kohe, ku ka qenë në listën tuaj të prioriteteve anëtarësimi i Shqipërisë në BE, sa e rëndësishme është?

Ministri Bushati: Ka qenë gjithmonë prioritet numër një sepse në rastin tonë është një prioritet kombëtar i përbashkët për të gjithë spektrin politik shqiptar.

Në vitin 2014 kemi bërë një hap përpara duke u bërë kandidat për në BE dhe në vitin 2016 kemi marrë rekomandimin e parë për fillimin e negociatave për anëtarësim, i cili u shoqërua gjithashtu me një kushtëzim për zbatimin e ligjit për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Më 17 prill, Komisioni Evropian dha një rekomandim të qartë për fillimin e negociatave me Shqipërinë.

Pra, gjatë këtyre viteve kemi bërë përparim të madh dhe ne presim të fillojmë negociatat për anëtarësim dhe të vazhdojmë rrugën e transformimit të vendit tonë dhe shoqërisë sonë.

Gazetari: Ju thoni se është prioriteti juaj numër një, por çfarë do të thotë kjo, sa e rëndësishme është për Shqipërinë?

A është pikërisht ajo që ju e shihni si përparim kombëtar apo standardet e kërkuara për t’u bashkuar me BE-në janë si një lloj modeli për zhvillim për Shqipërinë?

Ministri Bushati: Është e vërtetë. Është një lloj modeli për zhvillimin e Shqipërisë, për modernizimin dhe transformimin e shoqërisë sonë, por edhe për zhvillimin social dhe ekonomik.

Në rastin tonë dhe në Ballkanin Perëndimor në tërësi, jo vetëm në Shqipëri, procesi i pranimit në BE shihet si një instrument, si një nxitje për të transformuar veten, për të përmirësuar standardet e jetesës, për të përmirësuar funksionimin e institucioneve shtetërore, si dhe mënyrën si zhvillohet jeta publike.

Nuk duhet të harrojmë faktin se këtu në këtë pjesë të Evropës nuk kemi një përvojë të fortë në ndërtimin e institucioneve shtetërore demokratike.

Prandaj, procesi i anëtarësimit në BE ofron një mundësi të mjaftueshme për ne që të transformohemi dhe të ndërtojmë institucione të qëndrueshme, demokratike dhe të me përgjegjshmëri ndaj qytetarëve.

Gazetari: Dua të përcjell përgjigjen tuaj ndaj pyetjes së fundit, sepse është e rëndësishme për dëgjuesit tanë që të rikujtojmë rrugën e jashtëzakonshme që Shqipëria ka bërë në 20 vitet e fundit, kur krahasojmë gjendjen e tmerrshme të Shqipërisë në fund të viteve ’90, pothuajse në kolaps dhe ku ndodhet Shqipëria tani.

A mendoni se procesi do të kishte qenë më i vështirë nëse nuk do të kishte pasur si qëllim ato standarde të BE-së?

Ministri Bushati: Është e vetëkuptueshme. Për ne, nuk ka alternativë veçse procesi i anëtarësimit në BE dhe anëtarësimi në BE, sepse ai siguron një model për procesin e reformave në vend.

Ai siguron gjithashtu një model që përfshihet në të ashtuquajturën acquis communautaire.

Gazetari: A ka ndonjë ndjenjë anti-BE në Shqipëri? Natyrisht, ka ndjenja të dyzuara mes shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Gjithmonë kam vënë re se anëtarësimi në BE tenton të vlerësohet shumë më tepër nga vendet që janë jashtë tij.

Ministri Bushati: Në rajonin tonë, ka më shumë optimizëm për familjen e BE-së sesa brenda Bashkimit Evropian dhe Projekti Evropian gëzon më shumë mbështetje se sa brenda Bashkimit Evropian.

Në Shqipëri, nuk ka asnjë parti politike që e kundërshton këtë trajektore të vendit për t’u bërë anëtare e BE-së, por kur është fjala për zbatimin e procesit të reformave, ne po përballemi me shumë rezistencë politike dhe sociale sepse këtu ky proces ka të bëjë me ndërtimin e institucione të reja, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme.

Ky proces ka të bëjë me prishjen e një interesi të caktuar ekonomik. Ky proces ka të bëjë me transparencën dhe ka edhe humbës në këtë proces të cilët po përpiqen ta kundërshtojnë atë.
Gazetari: Nga mendoni se vjen optimizmi për BE-në? Siç thatë edhe ju, kjo ndjenjë gëzon mbështetje nga i gjithë spektri politik shqiptar.

Çfarë mendoni se shohin tek BE-ja vendet jashtë BE-së, atë që shpesh nuk e shohin qytetarët e vendeve brenda BE-së?

Ministri Bushati: Në rastin tonë, ne e shohim këtë proces si një nxitje për të modernizuar mënyrën e jetesës, mënyrën se si punojnë institucionet, për të integruar ekonominë tonë në një treg më të madh.

Për të lidhur rajonin tonë, por edhe për të lidhur rajonin tonë me rrjetin e vendeve kryesore evropiane, për të konsoliduar programet e mobilitetit brenda rajonit tonë, por edhe me vendet anëtare të BE-së.

Pra, ka shumë përparësi për qytetarët në këtë proces. Por ne gjithashtu duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se ky proces po vjen me detyrime të caktuara për ne gjithashtu sepse ne duhet të kryejmë procesin e reformave, ne duhet të përshtatemi me standardet evropiane, të cilat kanë qenë mjaft të panjohura për vendet në lindje dhe jug të Evropës dhe po përpiqemi të bëjmë më të mirën në këtë drejtim.

Gazetari: Sa e vështirë është të menaxhoni pritshmërinë dhe padurimin e popullit shqiptar, sepse natyrisht njerëzit duan që kjo të ndodhë sa më parë, dhe mendoj se ata mund të kenë ide të ekzagjeruara rreth asaj se cilat mund të jetë rezultatet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

A është ky një ekuilibër i vështirë për tu mbajtur në aspektin e komunikimit politik?

Ministri Bushati: Po, sepse procesi nuk po ecën aq shpejt sa kemi dëshiruar. Imagjinoni, u deshën 9 vjet që nga paraqitja e kërkesës për anëtarësim në BE për të marrë rekomandimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit.

Dhe në disa raste njerëzit humbin durimin dhe është shumë e vështirë për të ushqyer pritshmërinë e tyre me programe dhe ide që do të zbatohen për 10 vjet ose 15 vjet.

Nga ana tjetër, ne e dimë se mjedisi brenda BE-së nuk është nga ato më të mirat sa i përket procesit të zgjerimit.

Kemi Brexit dhe tani është mjaft e vështirë të flitet për një martesë kur një divorc është në proces.

Kemi gjithashtu shumë kriza dhe sfida që po përballet Bashkimi Evropian. Në të njëjtën kohë, po përpiqemi të trokasim në derën e BE-së për t’u bashkuar me këtë familje.

Gazetari: A jeni i vetëdijshëm se çdo rezistencë ndaj idesë, veçanërisht të pranimit të Shqipërisë, duke pasur parasysh rrethanat që përmendet, mund të imagjinoj se fakti që nuk duhet të merreni me gazetat tabloid të Mbretërisë së Bashkuar, mund ta bënte procesin paksa më të lehtë për ju?

Ministri Bushati: E ripërsëris, ne e shohim këtë proces përmes lenteve që u përpoqa të shpjegoj. Është pak më ndryshe nga ajo që po ndodh në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga debati që dëshmojmë në kryeqytetet e BE-së për të ardhmen e Evropës, sepse për ne është një çështje aspirimi, është një çështje e përmirësimit të standardeve, është çështje për tu integruar në një treg më të madh, sa i përket ekonomisë sonë.

Dhe të mos harrojmë se ne kemi jetuar të izoluar në komunizëm për 5 dekada dhe e dimë se çfarë do të thotë të jesh vetëm.

Gazetar: Shumë mirë. Faleminderit shumë.

Ditmir Bushati: Asnjë forcë politike nuk kundërshton integrimin në BE Read More »

Prekëse/ I ulur në gjunjë e me lot në sy: Nënë të lutem më fal

Nuk i ka ndalur lotët thuajse gjatë gjithë rrëfimit të tij 54 vjeçari nga Dibra, Uran Sejdini. Ai kishte ardhur tek rubrika “Ka një mesazh për ty” në TV Klan për të ftuar Beglien, të ëmën e moshuar pasi një brengë e madhe e ka trazuar shpirtin shpirtin e tij dhe nuk e le të qetë prej dy vitesh.

E gjithë kjo ka filluar në dhjetor të vitit 2016, kur papritur ndahet nga jeta babai i Uranit megjithse kishte 16 vite që nuk ngrihej nga krevati. Për shkak se e ëma ishte po ashtu e shtruar në spital dhe në gjendje të rëndë, lajmin për humbjen e bashkëshortit nuk i’a dhanë në kohë.

Ajo nuk i’a fali kurrë Uranit që nuk i mundësoi që të ishte afër bashkëshortit për t’i mbyllur sytë. Gjithë këtë mërzitje ajo ia ka shkarkuar djalit të saj duke i folur ashpër e duke e bërë fajtor. Por Urani ka shpjeguar se ia ka mbajtur të fshehtë që të mos rrezikonte ndonjë fatkeqësi nga ky lajm i hidhur që do merrte Beglija.

“Për 50 vite e mbajta burrin tim dhe për 16 vite në shtrat dhe ti nuk më solle që t’ja mbyll sytë për herë të fundit” i ishte shprehur e ëma pak para se të përcillte të shoqin për në banesën e fundit. Që atëherë ajo ka ndryshuar shumë duke u bërë më nevrike e të mos ketë më atë dobësi që ka patur për djalin e saj të vetëm Uranin. Megjithëse është përpjekur shumë herë për t’ja shpjeguar se kjo që ka ndodhur është fati i paracaktuar, ajo e ka përmendur vazhdimisht si një faj të djalit të saj.

Beglija nuk e ka fshehur nostalgjinë e saj për bashkëshortin e ndarë nga jeta por as i ka ndalur lotët nga mesazhi i djalit. “Nëse ti e ndien që unë nuk jam fajtor, të lutem më premto që nuk do ma përmendësh më derisa të jesh gjallë”, i është drejtuar Urani të ëmës. Ajo nuk është menduar shumë por pasi ka fshirë lotët i ka thënë e vendosur “të kam falur dhe nuk ta kujtoj më asnjëherë”.

Urani është ndier i çliruar nga kjo barrë e cila aq shumë po e mundonte sa kishte menduar edhe t’i jepte fund jetës. Si shenjë mirënjohje për këtë “falje” nga ana e nënës, Urani i ka puthur dorën i ulur në gjunjë. Nga sot gjërat do jenë më ndryshe për nënë e bir sepse në fund të fundit të gjithë e dimë se jeta dhe vdekja nuk është në dorën tonë.

Prekëse/ I ulur në gjunjë e me lot në sy: Nënë të lutem më fal Read More »