Aktualitet

Vuçiç ironizon Kryeministrin: Nuk jam si Rama që lyp nëpër Europë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili ndodhet në Paris, i ka dhënë një intervistë të përditshmes franceze “Le Monde”, lidhur me Samitin e vendeve të Ballkanit Perendimor me BE-në në Sofje
Ai ka folurlidhur me zgjerimin e Bashkimit Europian dhe është pyetur për deklaratat e presidentit Macron se “BE fillimisht duhet të reformohet dhe pastaj të zgjerohet”.

Pyetja ka qenë nëse ka ende kuptim të duash të hysh në BE para vitit 2020, pas këtij qëndrimi të Macron.

Por përgjigjja e Vuçiçit ka qenë befasuese:
“Unë kam një qasje të ndryshme nga Edi Rama, unë nuk dua të lyp për çfarëdo lloj arsyeje” ka thënë ai.
Më pas presidenti serb ka thënë se vendi i tij ka bërë progres ekonomik, por ai e di gjithashtu seç duhet të rregullojë.

Vuçiç ironizon Kryeministrin: Nuk jam si Rama që lyp nëpër Europë Read More »

Shifra alarmante/ Ja sa shqiptarë e kanë ‘tradhtuar’ shqipërinë për pasaportën Italiane në vetëm 10 vite!

Ditën e djeshme në mediat ka qarkulluar lajmi për shifrat e aplikimet mbi Lotarinë Amerikane, për të cilën Shqipëria është një ndër vendet që ka pasur aplikimet më të larta në krahasim me numrin e popullsisë.

Sipas faqes zyrtare të aplikime për Lotarinë Amerikane, rezulton së në vitin 2016, kanë qenë 266 mijë njerëz që kanë kërkuar që të shkojnë në Amerikë me këtë mënyrë. Por shqiptarët nuk po kërkojnë të ikin vetëm në Amerikë.

Kjo pasi vetëm gjatë 10 viteve të fundit 189 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë italiane.

Ne radhitemi kështu në vendin e dytë pas marokenëve për të marrë nënshtetësinë italiane.

Sipas republica.it në vitin 2015 dhe 2016 (të dhënat më të fundit në dispozicion) Italia mbetet në vend të parë në Europë sa i përket numrit të blerjeve të nënshtetësisë, ku kryesojnë shqiptarët.

Shifrat janë nxjerrë nga të dhënat e përpunuara nga fondacioni Ismu, në bazë të sondazheve të ISTAT.

Në vitin 2016 shqiptarët ishin në vendin e parë të personave që janë bërë italianë, e kapën shifrën e 37 mijë personave.

Shifra alarmante/ Ja sa shqiptarë e kanë ‘tradhtuar’ shqipërinë për pasaportën Italiane në vetëm 10 vite! Read More »

“Ore shumë mirë se vret veten”, trondit shefi i Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së enjtes veprimet e Policisë së Vaut të Dejës në shoqërimin e një 47-vjeçari, i cili pasi u lirua nga qelia vrau veten. Ardjan Kallmi i dha fund jetës në fillim të javës, ndërsa vajza e tij, Romina, kërkon drejtësi. Ajo thotë se punonjësit e policisë e dhunuan fizikisht dhe psikologjikisht vetëm që të pranonte një vjedhje që se kishte kryer kurrë. Ata i shkruan një letër, kur në fakt, Ardjani, nuk dinte as shkrim e këndim. Madje, veprimet e policisë vijuan me kontrollin e banesës së Kallmit, megjithëse ai nuk ishte arrestuar në flagrancë, nuk ishte ndaluar apo të kishte një vendim gjykate. Përpos këtyre shkeljeve, shefi i komisariatit të Vaut të Dejës Paulin Çuni, në një bisedë me gazetarët e Fiksit, tha se “shumë mirë që vrau veten!”.

Denoncimi i vajzës

Fiks Fare udhëtoi në fshatin Barbullush, në Vaun e Dejës, te familja e 47-vjeçarit Ardjan Kallmi. Familja kishte hapur dyert, ndërsa në banesë ishin të afërmit, mes të cilëve vajza dhe djali i të ndjerit. Romina, 22-vjeçare, që jeton prej disa vitesh në Itali me bashkëshortin dhe dy fëmijët, thotë se ka folur gjatë gjithë kohës me babanë, që nga dita e shtunë, kur u shoqërua për herë të parë, e deri 1 orë para ngjarjes fatale të së hënës.

“Të shtunën, në orën 8 të darkës, më mori babai dhe më tha se ka ardhur policia të kontrollojë banesën se është grabitur një banesë. Ishin futur në shtëpi dy punonjës dhe kërkonin disa plaçka të vjedhura. Nuk gjetën asnjë gjë. Në dijeninë time nuk ka pasur asnjë urdhër për kontroll. I thanë ‘Ardjan, je akuzuar se ke thyer banesën dhe do vish me ne’. Shkoi në komisariat dhe qëndroi deri në orën 02.30 të së dielës” thotë Romina. Pasi doli nga komisariati, Romina është telefonuar nga babai.

“Policia e kishte akuzuar për vjedhje, por ai më tha ‘jam i pafajshëm. I thashë babi qetësohu, ka shtet dhe do e zgjidhim me ligj nëse je i pafajshëm. Ai ishte tip i ndrojtur dhe vetëm me mua hapej. Atë natë në polici i kishin bërë presion psikologjik dhe më tha se i kishin ushtruar dhunë. Më tha se e kishin goditur me grushte dy persona të policisë, njëkohësisht. Në komisariat dha shenjat e gishtave dhe më pas e kanë liruar, pasi nuk i kanë gjetur plaçka në shtëpi” vijon Romina.

Më tej shton se, të hënën në mëngjes, në orën 09.30, është shoqëruar sërish në polici.

“I thash do të incizosh të gjithë bisedën me policët. Ai ka incizuar me video dhe fjalët që ka thënë janë; pse do më bëni të pranoj një faj që se kam bërë. Mos më rëndoni me këtë akuzë. Jam

i pafajshëm, pse më dhunoni të pranoj këtë gjë. Videon e plotë e ka prokuroria, të bëjë ekspertizën” pohon ajo, ndërsa shton se babai i saj nuk dinte të shkruante dhe lexonte, pasi ka bërë vetëm 3 vjet shkollë.

“Të hënën, pasi doli nga komisariati, më telefonoi babai. Kishte një fytyrë që shfaqte presion, mu duk tepër i shqetësuar. E kam parasysh krejt figurën e tij. Fola me Ëatsupp. Më tha që më kanë bërë të pranoj akuzën, por jam i pafajshëm. Biseda e fundit ishte se ‘s’ka drejtësi për mua. Më dhunuan, policia duhet të jetë kundër dhunës’. Kjo ishte telefonata e fundit me të. Ngjarjen e mora vesh pas rreth një ore, apo dy orë, se mbaj mënd shumë mirë…” përfundon Romina.

Shkeljet e policisë

Natën e 26 majit, shtetasi Ardjan kallmi, është shoqëruar në komisariatin e policisë së Vaut të Dejës. Ai ka qëndruar nga ora 20.00 deri në orën 02.00 të datës 27 maj. Ndërkohë që, në datën 28 maj, një patrullë policie, e ka shoqëruar sërish dhe e ka futur në këtë komisariat. Ka qëndruar disa orë dhe në fund ka nënshkruar një deklaratë. Ne disponojmë këtë deklaratë, ku thuhet se; Unë Ardjan Ndeli Kallmi ju garantoj se brenda dy ditëve do shkojnë materialet tek banesa e Lind Mandit. Deklaroj nën përgjegjësinë time se çfarë deklarova më sipër ishin me vullnetin tim dhe se moskryerja e kësaj pune që premtova jam dakord që të mbaj përgjegjësi ligjore.

“Fiks Fare” pyeti në prokurori dhe në polici dhe në asnjë rast, shërbimet e policisë nuk kanë një procedurë të tillë, pra që t’i marrin një deklaratë të tillë personit që shoqërohet. Në asnjë Kod, ligj apo rregullore, nuk është një procedurë e tillë. Ndërkohë, familjarët pretendojnë se policia ushtroi kontroll banese pa një mandat. Në Kodin e Procedurës Penale përcaktohet se, kontrolli i banesës bëhet vetëm në tre kushte; arrestimi në flagrancë, pas një urdhër ndalimi dhe me vendim gjykatë. Siç na shpjegoi shefi i komisariatit, shtetasi Ardjan Kallmi nuk është arrestuar apo ndaluar. Ai vetëm është shoqëruar dhe policia nuk duhet t’i kontrollonte banesën.

Bisedë me shefin e komisariatit, Paulin Çupi;

Shefi komisariatit – Problem me atë është, person i shoqëruar pas një ngjarje që ka ndodhur në momentin e flagrancës. I është marrë deklarim, është pyetur dhe është lënë i lirë. Pasnesër, pas dy ditësh, ka ardhur vetë. Ka kërkuar takim me mua, e kam prit në takim. Ka qëndruar rreth 25 minuta dhe ka dalë i lirë, ka ikur në shtëpi.

Gazetari – Ai ka firmosur një deklaratë, shkrimi i vetë është ky këtu?

Shefi komisariatit – Jo, jo. Ka shprehur dëshirën, ku ka kërkuar…

Gazetari – Kush e ka shkruar.

Shefi komisariatit – Ku ka kërkuar për dy ditë…

Gazetari – E ke shkruar ti?

Shefi komisariatit – Jo more, s’e kam shkruar unë.

Gazetari – E ka shkruar një punonjës policie?

Shefi komisariatit – E kanë shkruar këtu, s’e e kanë kërkuar t’a shkruar. Shkrimi është i një punonjësi të policisë.

Gazetari – Ai (viktima) dinte të shkruante?

Shefi komisariatit – Jo. Na ka kërkuar, nuk di me shkru, është ky kusht që ju jap. Më jepni aq kohë që t’ju bie materialet, e mbarojnë këtë punë. Shkrimin e kemi deklaruar, punonjësi i policisë e ka deklaruar që unë e kam bërë shkrimin

Gazetari – Ka dhe një filmim, kishte bërë dhe një filmim.

Shefi komisariatit – Jo, nuk ka filmim fare.

Gazetari – Ka 17 minuta. Ka filmuar, të gjithë ngjarjen.

Shefi komisariatit – Jo, s’ka filmuar. Ka tentuar. Ka ardhur dhe ka kërkuar takim me mua. Dhe ka ardh, kjo tregon se është diçka e inskenuar, e përgatitur nga ata. Dhe ka hyrë në territorin tonë, këtu, në ambientet e komisariatit me telefonin gati për inçizim.

Gazetari – Është kontrolluar banesa?

Shefi komisariatit – Po, normal.

Gazetari – Me çfarë urdhri?

Shefi komisariatit – S’ka urdhër në kushte flagrance.

Gazetari – Po ça flagrance ishte?

Shefi komisariatit – Po a ishte vjedhja e banesës?!

Gazetari – Po ishte, po duhet një urdhër gjykate, prokuroria për të kontrolluar banesën. Policia është futur…

Shefi komisariatit – Jo zotëri.

Gazetari – Duhet një urdhër…

Shefi komisariatit – Në kushte flagrance nuk ka urdhër.

Gazetari – Po s’ishte flagrancë, ai s’ishte flagrancë. Aty ishte informacioni operativ. Personi që iu vodh shtëpia nuk akuzoi Ardjanin. Kush u fut?

Shefi komisariatit – Kemi zbatuar…

Gazetari – Kush u fut në shtëpi?

Shefi komisariatit – Policia, forcat e policisë.

Gazetari – Me urdhër?

Shefi komisariatit – Me urdhër të Kodit të Procedurës Penale.

Gazetari – Në këtë rast, ju i jeni futur në shtëpi, i keni kontrolluar banesën. Nuk i keni gjetur asnjë gjë brenda në banesë.

Shefi komisariatit – Brenda 10 orëve kam të drejtën ligjore të shoqëroj çdo person për dyshime të mundshme.

Gazetari – Shoqërim po, po jo t’i futesh brenda në shtëpi.

Shefi komisariatit – Po shoqërim është pra.

Gazetari – Po jo t’i futesh brenda në shtëpi.

Shefi komisariatit – Edhe në shtëpi mo. Rri një ditë, rri sot këtu ti. Të më kërcasë një telefonatë që më ka ndodhur një ngjarje dhe hajde pas meje dhe shif çfarë do të bëj unë. Do i futem kujt në banesë apo jo.

Gazetari – Do i futesh në banesë?

Shefi komisariatit – Po, hajde më shif mua ti. Dhe a jam brenda kushteve ligjore apo s’jam.

Shefi komisariatit – U njoftua që u vodh banesa.

Gazetari – Po. E denoncoi personi që ma ka vjedhur Ardjani?

Shefi komisariatit – Ore denoncoi personi që më është vjedh banesa.

Gazetari – Po pra, jo për Ardjanin.

Shefi komisariatit – Jo për Ardjanin, po për Paulinin…

Gazetari – Pse kontrolluat atë pikërisht?

Shefi komisariatit – Unë futem aty ku kam dyshimet e mia. Të gjitha veprimet proceduriale që janë kryer me këtë person, me këtë shtetas, mbaj përgjegjësi të plotë ligjore.

Gazetari – Ka kamera komisariati?

Shefi komisariatit – Jo nuk ka. Ngjarja, i dëmtuari, ose kush merr dijeni për një ngjarje, në moment njofton sallën operative.

Gazetari – Po.

Shefi komisariatit – Më është vjedhur banesa.

Gazetari – Po, e ka vjedhur Ardjani, apo Sokoli?

Shefi komisariatit – Më është vjedhur banesa, thotë qytetari.

Gazetari – Kaq, si vajtët ju te Ardjani?

Shefi komisariatit – Grupi hetimor shkon në vendngjarje, konstaton vjedhjen.

Gazetari – S’i shkuat te Ardjani?

Shefi komisariatit – Grupi hetimor, me urdhrin tim, dhe me urdhër të tyne, ngre grupin hetimor, çon shërbimet e policisë dhe verifikon problemin. Ka vjedhje, s’ka vjedhje. U konstatua se ka vjedhje . Thirr ekspert për të kryer veprimet proceduriale. Atëherë vazhdon pjesa tjetër, kush mund ta ketë vjedh këtë banesë?!

Gazetari – Po, kush pyetet.

Shefi komisariatit – Policia, pyes veten time, shërbimet e mia. Pyes të dëmtuarin në radhë të parë, a ke dyshime, si, qysh tek.

Gazetari – I dëmtuari tha emrin?

Shefi komisariatit – O zotëri, i pyes thash unë, se çfarë më tha ai s’je ta merr vesh ti. Kush e dinte se ai do vari veten, se është gjynah tani.

Gazetari – Po është një ngjarje e rëndë, që ka vrarë veten.

Shefi komisariatit – Ta mbaroj, po ngjarje e rëndë, shumë mirë…

Gazetari – Normale se do japësh shpjegime

Shefi komisariatit – Normale do i përgjigjem unë. Ore shumë mirë se vret veten.

Gazetari – Normale s’e do japësh shpjegime.

Shefi komisariatit – Po shumë mirë.

Gazetari – Si shumë mirë që vret veten?!

Shefi komisariatit – Po do jap versionin zyrtarisht.

Gazetari – Po si shumë mirë që vret veten!

Shefi komisariatit – Shumë mirë ëë.

Gazetari – Shumë mirë??

Shefi komisariatit – Po.

“Ore shumë mirë se vret veten”, trondit shefi i Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës Read More »

Policia e Shtetit jep shifrat: Sa kanabis është kultivuar këtë vit

Në një konferencë shtypi të policisë së shtetit drejtori i Departamentit për sigurinë publike, Gjovalin Loka tha se janë ushtruar kontrolle intensive nga toka dhe ajri dhe nga janari deri më tani janë konstatuar 23 parcela. Janë arrestuar 13 autorë dhe janë proceduar disa persona.

Deklarata:
Policia e Shtetit, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2018, po zbaton me përgjegjshmëri të gjitha masat organizuese dhe operacionale në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët e huaj.

Në zbatim të këtyre masave në të gjithë vendin, që prej muajit Janar deri në fund të Majit, janë ushtruar kontrolle intensive për të parandaluar, evidentuar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike, si dhe për të çuar para drejtësisë autorët e kësaj veprimtarie antiligjore.

Që në krye të herës dua të theksoj, se rastet e konstatuara të kultivimit në këto 5 muaj të vitit 2018, janë 23 parcela me 2,579 bimë dhe 878 bimë të asgjësuara në kubikë.

Dhe për krahasim me vitin 2017, kur Shqipëria doli përfundimisht nga harta e vendeve problematike që kultivonin kanabis, janë 53 parcela më pak, ose rreth 21,500 bimë më pak të kultivuara.

Që nga ditët e para të vitit, Policia e Shtetit ka zhvilluar rreth 70 mijë kontrolle dhe ri-kontrolle masive të territorit, në ambiente të hapura, ish-objekte ushtarake, sera, magazina e shtëpi të braktisura.

Të gjitha grupet e kontrollit janë monitoruar nga drejtues të lartë policorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).

Këtë vit, për një kontroll më të plotë të territorit kanë nisur më herët në kohë monitorimet ajrore nga Guarda di Finanza. Nga fillimi i Prillit deri sot janë kryer 29 misione fluturimi. Misioni ka hartuar 17 raporte monitorimi ajror, por nuk është konstatuar asnjë bimë narkotike e kultivuar.

Këto monitorime ajrore do të vijojnë deri në vjeshtë, duke zgjatur periudhën kohore të kontrollit të territorit.
Ditën e djeshme, në mbarë vendin, 220 grupe kontrolli të Policisë së Shtetit kanë ushtruar 3,590 kontrolle.

Policia ka evidentuar 2 raste të kultivimit të narkotikëve, konkretisht 1 rast në pyllin e fshatit Nikël, Krujë me 23 bimë dhe 1 rast në fshatin Frashër, Përmet në një zonë të pyllëzuar ku u asgjësuan 1,800 bimë narkotike.

Në Përmet është arrestuar në flagrancë autori i dyshuar Sofokli Naqellari, 59 vjeç, banues në Frashër. Që nga fillimi i vitit, janë arrestuar 13 autorë të dyshuar për kultivim, 6 shtetas janë në kërkim dhe 5 ndiqen në gjendje të lirë.

Gjithashtu, Policia ka proceduar penalisht 4 persona, administratorë të Njësive Administrative dhe inspektorë të shërbimit pyjor, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.

Në 15 raste, Policia ka zbuluar dhe sekuestruar rreth 21 mijë fara kanabis duke vënë para ligjit personat përgjegjës.

Policia e Shtetit, në zbatim të Planit Kombëtar Antikanabis ka bashkëpunim konstant me agjencitë e zbatimit të ligjit në vend si dhe vijon shkëmbimin e informacionit me partnerët, për goditjen e tentativave të implikimit të grupeve kriminale që operojnë jashtë Shqipërisë në këtë aktivitet kriminal.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është funksional sistemi dixhital GIS-Narkotik, për monitorimin e territorit.

Duke përfituar nga kjo dalje publike, dua të shpreh një vlerësim për punën e gjithë grave dhe burrave të Policisë së Shtetit që janë angazhuar në këtë luftë kundër kultivimit të narkotikëve megjithë vështirësitë dhe lodhjen. Një vlerësim edhe për punën në tërësi të pushtetit vendor dhe strukturave të tjera shtetërore, bashkëpunuese në këtë luftë.

Kontributi i partnerëve tanë është i çmuar, e këtu veçoj misionin e Guardia di Finanzas.
Gjithashtu vlerësojmë mbështetjen e opinionit të gjerë publik ndaj punës së Policisë së Shtetit për goditjen e këtij fenomeni. Këtë betejë do ta fitojmë të gjithë bashkë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe Shqipëri më të sigurt.
Faleminderit!

Policia e Shtetit jep shifrat: Sa kanabis është kultivuar këtë vit Read More »

Sytë dhe veshët këtu! Hyn në fuqi ligji më i ri: Tani u zgjidh problemi më i madh i çdo shqiptari

Hyn në fuqi ligji i ri i strehimit, nga i cili pritet të përfitojnë rreth 31 mijë të pastrehë në të gjithë territorin e vendit. Traget grupet që përfitojnë janë familjet në nevojë, komunitetet rome dhe egjiptiane, gratë e dhunuara, jetimët, personat me aftësi të kufizuara, familjet që përjashtohen nga procesi i legalizimeve, familjet njëprindërore, familjet që dalin të pastreha nga zbatimi i vendimeve gjyqësore.

Ndër risitë përfshihen aplikimi përmes sistemit elektronik online, një numër i dyfishuar programesh sociale dhe një sërë dokumentacioni që duhet plotësuar nga aplikuesit.

Strehimi social

Përparësi në përfitimin nga programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimin kanë familjet/individët e pastrehë, të cilët, në zonën përkatëse, e kanë siguruar strehimin në: a) ndërtime të palegalizuara, që nuk mund të legalizohen; b) zonat e vjetra industriale, jofunksionale, të zëna nga individë të pastrehë, pa autorizime përkatëse për strehim. Kriteret për përfituesit nga programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimin, mënyra e sigurimit të strehimit të tyre gjatë periudhës së ndërtimit, forma e kalimit të pronësisë për kuota të përcaktuara për banesa sociale nga ndërtuesit ose pronarët, me qëllim strehimin e përfituesve që janë zhvendosur prej tyre, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ligji i ri për strehim social iu është dërguar për mendim 125 subjekteve: ministrive, 61 bashkive të vendit, shoqatave/organizatave që operojnë në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të grupeve të ndryshme në pozita të pa favorizuara, institucioneve të pavarura, aktiviteti i të cilave ndërthuret ngushtësisht me politikat e strehimit dhe të institucioneve që zbatojnë këto politika, si dhe ekspertëve të fushave të ndryshme. Në përfundim të afatit të pritjes së mendimeve, u përgjigjën bashkitë Durrës, Fier, Pogradec, Berat, Gjirokastër, Pustec, Mallakastër, Finiq, Tepelenë, Shijak, Vau i Dejës. Një pjesë e tyre u shprehën dakord, ndërsa bashkia Berat, bashkia Vau i Dejës, bashkia Durrës, Bashkia Fier bënë disa propozime që do të zbatohet në vijim.

PROGRAMI I BANESAVE SOCIALE ME QIRA

  1. Programi i banesave sociale me qira është programi me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike, nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë dhe mbeten në pronësi të subjekteve private, por që vihen në dispozicion të programit të banesave sociale me qira, me pëlqimin e pronarit privat.

  2. Banesat sociale me qira përfshijnë:

a) banesat sociale që ndërtohen ose blihen nga tregu i lirë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore apo persona juridikë privatë, me qëllim që të jepen me kontratë qiraje sociale;

b) banesat ekzistuese në treg, në pronësi të personave fizikë ose juridikë, të cilat ofrohen si banesa sociale që jepen me qira, që subvencionohen dhe të vlerësuara nga organet e njësisë së vetëqeverisjes vendore ose nga persona juridikë privatë, si banesa që përmbushin të gjitha kushtet teknike dhe normat e strehimit;

c) objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe, në përputhje me planin e përgjithshëm vendor, janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira, që subvencionohen.

Përcaktimi i kufijve të të ardhurave të individëve/familjeve që përfitojnë nga banesat sociale me qira

  1. Nga fondi i banesave sociale me qira, jo më pak se 80 për qind e familjeve që përzgjidhen të trajtohen në banesa sociale me qira duhet të kenë të ardhura nga 0 deri 100 për qind të të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.

  2. Pjesa tjetër, jo më shumë se 20 për qind e familjeve, mund të përzgjidhet brenda intervalit 100-120 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare.

Pronësia e banesave sociale me qira

  1. Banesat sociale me qira regjistrohen në pronësi të subjektit që e ka financuar.

  2. Kur banesat sociale me qira financohen pjesërisht ose tërësisht nga buxheti i shtetit, ato regjistrohen në zyrën vendore të regjistrimit të pronave, në emër të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe me barrë hipotekore.

LLOGARIJA E TË ARDHURAVE

“Të ardhura mesatare”, niveli mesatar i konsumit familjar, sipas nivelit më të ulët territorial të disagregimit të të dhënave nga INSTAT-i, dhe që publikohet në mënyrë periodike.
Për efekt të llogaritjes së nivelit të të ardhurave mesatare, familjet grupohen, si më poshtë:

a) Familje me të ardhura mesatare, që janë familjet me të ardhura mujore midis 100 dhe 120 % e të ardhurave mesatare;

b) Familje me të ardhura të ulëta, që janë familjet me të ardhura mujore midis 70 dhe 100 % e të ardhurave mesatare;

c) Familje me të ardhura shumë të ulëta, që janë familjet me të ardhura mujore më të ulëta se 70 % e të ardhurave mesatare;
Rregulla për aplikimin në programet sociale të strehimit

  1. Përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit.

  2. Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore, për këta aplikantë.

  3. Dokumentacioni për të përfituar strehim sipas çdo programi, afatet dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kategoritë përfituese

  1. Përzgjedhja e subjekteve dhe familjeve përfituese bëhet nëpërmjet një sistemi pikëzimi.

  2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore hartojnë, miratojnë dhe publikojnë sistemin e pikëzimit.

  3. Në përzgjedhjen e subjekteve përfituese, me anë të sistemit të pikëzimit, përfshihen individë/familje, të cilët përmbushin nivelin e të ardhurave të parashikuara sipas çdo programi.

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përzgjedhjen e individëve/familjeve përfituese, bazohen në kriteret e mëposhtme:

a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:

I. nuk disponojnë banesë në pronësi;

II. banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje;

III. banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi;

IV. kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore;

v. familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.

b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

I. familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat-nëna;

II. të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore;

III. familjet me më shumë se katër fëmijë;

IV. bashkëshortët, mosha e përgjithshme e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.
c) Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

I. personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;

II. individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç;

III. familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve;

IV. emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit;

v. familjet e policëve të rënë në detyrë;

VI. punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH);

VII. punonjësit e repartit RENEA;

VIII. viktimat e dhunës në familje;

IX. viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;

X. anëtarët e komunitetit rom;

XI. anëtarë të komunitetit egjiptian;

XII. të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit;

XIII. vajzat nëna;

XIV. individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT), sipas rezolutës nr.6, datë 7.5.2015, “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”.

Sytë dhe veshët këtu! Hyn në fuqi ligji më i ri: Tani u zgjidh problemi më i madh i çdo shqiptari Read More »

Kush e “kërcënoi” Artan Lamen? Tërhiqet nga “lista e zezë” e ndërtuesve

Ditën e mërkurë, kreu i ALUIZNI-t Artan Lame ka dalë në konferencë për mediat dhe ka bërë të qartë “listën e zezë” të ndërtuesve për të ndihmuar procesin e legalizimeve të pallateve me shkelje në lejet e ndërtimit apo që janë braktisur nga ana e ndërtuesve.

Mirëpo, sot Drejtoria e Përgjithshme e këtij institucioni bën me dije në një njoftim të shpërndarë në rrjetin social “Facebook” se e kanë tërhequr këtë listë për ta riparë ku ndodhen 328 subjekte. Sipas njoftimit, fshirja ka ndodhur, pasi janë përballur me ankesa dhe vërejtje nga subjektet të cilat kanë pretendime rreth përfshirjes në listë.

NJOFTIM PER SUBJEKTET NDERTUES

Të nderuar ndërtues dhe qytetarë,
Siç jeni në dijeni, pas disa paralajmërimesh, dje ALUIZNI publikoi nismën e rradhës për të ndihmuar procesin e legalizimit të pallateve me shkelje në lejen e ndërtimit apo të braktisur nga ndërtuesit.
Lista paraprake e subjekteve ndërtuese me probleme, përmante 328 subjekte.
Gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, Aluizni është përballur me dy efekte. Nga njëra anë me përgëzimin e një shumice qytetarësh për këtë masë që ndihmon në zgjidhjen e problemit të tyre dhe, nga ana tjetër, jemi përballur me ankesa dhe vëretjtje nga subjekte të cilat kanë pretendime rreth përfshirjes në listë.

Lista paraprake e publikuar dje, rezulton të ketë disa pasaktësi për shkak të disa subjekteve të cilave nuk ju ka mbërritur njoftimi ynë për të vijuar procedurat e legalizimit, të tjerë që në vite kanë ndërruar emrat e subjekteve, të rasteve kur kanë bërë vetëdeklarimin pranë nesh banorët pa njoftuar subjektin ndërtues, të subjekteve të ndryshme por me emra të njëjtë apo të përafërt, të mungesës së adresave të sakta apo të ndryshimit të tyre, të komplikacioneve midis ndërtuesit – investitorit – subjektit etj, subjekte nënkontraktues që kanë paraqitur emra të subjekteve ndërtues, apo edhe për shkaqe subjektive të llojit që “s’janë paraqitur deri më sot se nuk i kanë marrë seriozisht thirrjet tona të deritanishme”.
Në këto kushte, ALUIZNI përpara se të përcjellë zyrtarisht listën përfundimtare, po ndërmer një kërkim të detajuar në bashkëpunim me të gjitha ato subjekte që po paraqesin vërejtjet e tyre.
Në fund të këtij procesi do të kemi një listë përfundimtare të kolauduar, në të cilën do jenë reflektuar të gjitha ankesat që do të rezultojnë të drejta, si edhe do të shtohen ato subjekte që do të dalin të reja si problematike.

Bashkëlidhur do të listojmë edhe ato subjekte që do të rezultojnë të pastra, duke e shoqëruar këtë me ndjesën tonë për shqetësimin e krijuar.
Ftojmë të gjithë ato subjekte që kanë vërejtje apo sugjerime, të paraqesin përfaqësues të tyre pranë drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t në ditët në vijim.

Drejtoria e Përgjithshme

Kush e “kërcënoi” Artan Lamen? Tërhiqet nga “lista e zezë” e ndërtuesve Read More »

Bukë, kripë e zemër të bardhë! Shqiptarët, ndër vendet më mikpritëse në botë !

Pas viteve ’90 shqiptarët e panë emigracionin si një rrugëdalje për të siguruar më shumë të ardhura dhe për një jetë më të mirë.

Sot rreth 40% e popullsisë (1.2 milionë persona) jeton jashtë vendit, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një nga përqindjet më të larta në botë.

Kjo duket se na ka bërë më mikpritës me ata që tentojnë të ikin nga shteti mëmë dhe të zhvendosen në një vend tjetër.

Një indeks global i Gallup, i publikuar në kuadër të Indeksit të Lumturisë 2018, e rendit Shqipërinë në vendin e 21 në botë përsa i përket shteteve më mikpritëse për emigrantët.

Vendi më mikpritës në botë është Islanda, i ndjekur nga Zelanda e Re, më pas janë Ruanda, Kanadaja, Sierra Leone, Mali, Australia.

Në Europë shteti më mikpritës është Suedia, e ndjekur nga Norvegjia, Luksemburgu, Holanda, Spanja, Zvicra.

Në krye të shteteve që nuk i duan emigrantët është Egjipti, i ndjekur nga Iraku, Bjellorusia, Greqia (që mban vendin e parë përsa i përket emigrantëve shqiptarë).

Ndryshe nga Shqipëria, pothuajse gjithë shtetet e rajonit janë në listën e shteteve që kanë një nivel mikpritjeje për emigrantët më të ulët sesa mesatarja globale. Në krye është Rumania, e ndjekur nga Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Serbia, mali i Zi, Maqedonia.

Nëse migrimi rural-urban brenda vendeve është një fenomen i vjetër, migrimi ndërkombëtar në shkallë të gjerë është rritur ndjeshëm vitet e fundit për shkak të globalizimit, thekson raporti.

Në vitin 1990, në botë kishte 153 milionë njerëz që jetonin jashtë vendit ku ata kishin lindur. Deri në vitin 2015 ky numër ishte rritur në 244 milionë, nga të cilët rreth 10% ishin refugjatë. Kështu gjatë 25 viteve të fundit emigrantët ndërkombëtarë u rritën me 90 milionë.

Përveç kësaj, sipas një vlerësimi ka edhe 700 milionë njerëz të tjerë, të cilët dëshirojnë të lëvizin mes vendeve por nuk e kanë bërë ende këtë.

Nga numri në rritje i migrantëve të kohëve të fundit, mbi gjysma vjen nga migrimi midis kontinenteve. Ka pasur migrime të mëdha në Amerikën e Veriut dhe në Evropë, të nxitur nga emigrimi nga Amerika Jugore / Qendrore, Azia dhe Afrika.

Ka pasur gjithashtu flukse të rëndësishme të migrantëve ndërkombëtarë brenda kontinentit. Në Azi, për shembull, kishte emigracion të lartë nga India në në shtetet e Gjirit; dhe në Evropë kishte fluks të fortë emigracioni drejt Perëndimit pas rënies së komunizmit.

Në vendet e pasura, përqindja e emigrantëve është shumë e lartë. Në Evropën Perëndimore, shumica e vendeve kanë emigrantë në mes 10 dhe 15 për qind të popullsisë. E njëjta gjë vlen edhe për SHBA-të; ndërsa Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re kanë ndërmjet 20 dhe 30%. Rastet më ekstreme janë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti, të dyja mbi 70%. /Monitor/

Bukë, kripë e zemër të bardhë! Shqiptarët, ndër vendet më mikpritëse në botë ! Read More »

Llalla në rrjetë, s’shpëton nga Vettingu, dy provat që do merren në shqyrtim

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi pak minuta më parë që seanca e rradhës ndaj ish-Prokurorit Adriatik Lllalla do të mbahet më 6 qershor.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Apelimit ka vendosur të marrë dy prova lidhur me ankimimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e Vettingut ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Bëhet fjalë për dorëheqjen e tij si prokuror në vitin 2008 dhe prova e dytë urdhër largimi nga detyra i Prokurorit të Përgjithshëm në dhjetor të vitit 2017.

Seanca e sotme u shty pasi avokati i tij, Sokol Hazizaj duhej të rifreskonte prokurën. Avokati ka kërkuar 10 ditë kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare dhe kjo kërkesë është pranuar nga trupi gjykues.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të përfaqësohet nga avokati i tij Sokol Hazizaj në shqyrtimin e ankimimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kundër vendimit për pushimin e Vetting-ut ndaj tij. Ai ka dërguar një prokurë nga Turqia ku i jep të gjitha të drejtat avokatit të tij Sokol Harizaj për ta mbrojtur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit

Llalla në rrjetë, s’shpëton nga Vettingu, dy provat që do merren në shqyrtim Read More »