Aktualitet

Vetting/ Prokurori belg bën për “ujë të ftohtë” kolegun shqiptar”, vihet në pikëpyetje integriteti i tij

Prokurori i Apelit të Tiranës, Gentian Trenova pritet t’i bashkohet listës së personave që kanë ngelur në procesin e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar ditën e djeshme seancën dëgjimore me subjekt prokurorin Trenova, i cili është njëkohësisht anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Vetë Trenova ishte i pranishëm në seancë, ndërsa shoqërohej edhe nga avokati Saimir Lami.

Por ndryshe nga herët e tjera, seanca dëgjimore e djeshme solli edhe një risi, ku për herë të parë aftësitë profesionale kanë vënë në pikëpyetje integritetin e një gjyqtari apo prokuroi. Thënë më drejtë, sa i takon aftësive profesionale të prokurorit të Apelit të Tiranës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka sjellë një rast, kur Gentian Trenova ka pushuar hetimet për pasurinë për një person të arrestuar nga policia greke me kanabis dhe një pistoletë.

Sipas KPK, prokurori ka kryer hetim të paplotë, duke mos hetuar për verifikimin e këtij personi. Mirëpo, të njëjtin fat ka pasur edhe hetimi ndaj një prokurori të kapur në korrupsion. Në këtë procedim, sipas KPK kishte përgjime për përfshirjen e një prokurori me inicialet A. K. Kjo çështje u ndoq nga Trenova, i cili e mbylli hetimin, ndërsa më pas gjykata e pranoi këtë kërkesë dhe u asgjësua ky përgjim.

Interesant është fakti se në seancën e djeshme u bë protagonist edhe përfaqësuesi i ONM, Teo Jacobs, karriera e të cilit shënon 23 vite në akuzë. Prokurori belg foli gjatë duke kërkuar shpjegime nga prokurori Trenova, ndërkohë që nuk kurseu edhe kritikat ndaj këtij të fundit, sa i takon deklaratës veting dhe aftësive profesionale. I bazuar ne folklorin belg me shprehjen: “duhet zgjedhur mes dy të këqijave”, Teo i kërkoi prokurorit të pranonte nëse kishte bërë deklaratë të rreme, apo kishte krijuar rrethana fiktive për blerjen e apartamentit.

“Përgjegjshmëria juaj si prokuror deri ku shkon”, citon “Sot” Jacobs. Po ashtu, ai i kujtoi Trenovës se duhet të hetojë ata që shkelin ligjin dhe jo të bëjë të kundërtën. Pika tjetër që vështirësoi pozitën e prokurorit ishte pushimi i hetimeve për dy dosje, njëra për korrupsion ndaj prokurorit me inicialet A. K. dhe tjetra për hetimin pasuror ndaj një të arrestuari për droge.

Për këto, Teo Jacobs tha se e gjitha kjo nuk është profesionale, sepse sipas tij prokurori kishte mundësi ta hetonte kolegun dhe personin e lidhur me krimin e organizuar. Madje, Jacobs theksoi se ai së bashku me kolegët e tij ndërkombëtar janë në Shqipëri për të ndihmuar organet e vetingut, kështu që çdo hetim i KPK mban edhe vulën e ONM.

Vetting/ Prokurori belg bën për “ujë të ftohtë” kolegun shqiptar”, vihet në pikëpyetje integriteti i tij Read More »

Frika e një rreziku, SHISH vendos agjentë në ambasadat shqiptare

Shërbimi Informativ i Shtetit do të vendosë në monitorim të gjitha ambasadat shqiptare nëpër botë. SHISH dhe Ministria për Evropën dhe Punët me Jashtë kanë rënë dakord që në të gjitha selitë diplomatike të ketë agjentë, të cilët do të angazhohen në forcimin e sigurisë kombëtare si dhe atë të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.

Në kuadër të kësaj marrëveshje të arritur mes ministrit Ditmir Bushati dhe kreut të SHISH, Helidon Bendos, përfaqësues të Shërbimit Informativ Shtetëror zhvilluan dje dhe një takim informues me të gjithë diplomatët e rinj të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Sipas informacioneve të gazetës “Sot”, gjatë këtij takimi diplomatët e rinj të MEPJ u njohën nga afër me detajet dhe misionet që do të ketë agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror në të gjitha ambasadat. Madje ata u njohën edhe me rolin dhe detyrat specifike të agjentëve.

Frika e një rreziku rus duket se vijon të jetë një çështje prioritare për qeverinë shqiptare. Lëvizja e SHISH për të përforcuar akoma më shumë sigurinë në ambasadat shqiptare në botë duket se ka qenë një sinjal i pastër që qeveria shqiptare akoma i druhet një rreziku të tillë. Kjo për faktin se pas largimit të zyrtarëve shqiptarë nga Moska dhe atyre rus nga Shqipëria, qeveria shqiptare mori një tjetër hap Rusisë.

Vetëm pak ditë më parë qeveria shqiptare, ashtu si dhe shumë vende të tjera europiane, vendosi sanksione ndaj Rusisë. Por pikërisht kjo gjë duket se ka ndikuar që qeveria shqiptare t’i trembet një rreziku të tillë dhe për këtë fakt ka shtuar akoma më shumë masat e sigurisë në ambasadat e saj.

Madje, në kuadër të prishjes së marrëdhënieve, qeveria shqiptare ka vënë nën monitorim të gjithë zyrtarët rus në vendin tonë si dhe të gjithë personat që kanë studiuar në Rusi. Kujtojmë këtu se vetë kryeministri Edi Rama si dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati kanë deklaruar se rreziku rus është real dhe se po tenton të destabilizojë vendin.

Frika e një rreziku, SHISH vendos agjentë në ambasadat shqiptare Read More »

Më pak para, më shumë vetmi! Ja ku renditen shqiptarët

Shenjat e vetmisë shfaqen fizikisht dhe mendërisht, rënie të energjisë, ulje të produktivitetit në punë, izolim nga shoqëria dhe kufizimi të jetës sociale. Vetmia duket se prek më së shumti gratë, më të moshuarit dhe ata që kanë më pak të ardhura.

Sipas sondazhit të Cilësisë së Jetës së kryer nga Komisioni Europian për vendet e Bashkimit Europian dhe të shteteve kandidate, rreth 12% e shqiptarëve dhe 16% e turqve kanë pohuar se ndihen të vetmuar, më të lartat në Europë.

Në të gjithë BE-në, ky tregues është 6%. Për çdo europian që ndihet vetëm, ka dy shqiptarë që kanë pohuar që ndihen vetëm gjatë gjithë kohës, ose pjesën më të madhe të kohës.

Për sa i përket ndarjes gjinore, në Shqipëri gratë janë shprehur se ndihen të vetmuara në përqindje më shumë se sa burrat. Përqindja e grave ishte 12%, përkundrejt të burrave 11%.

Të vetmuar, të moshuarit

Vetmia është më e theksuar tek individët në moshë dhe kjo është e kuptueshme, duke qenë se shkëputen nga marrëdhëniet e punës, fëmijët janë të angazhuar dhe jeta e përditshme ka një ritëm tjetër. Rreth 14% e të pyeturve shqiptarë mbi moshën 65 vjeç janë shprehur se ndihen të vetmuar. Krahasuar me Bashkimin Europian, të moshuarit e Rumanisë janë më të vetmuarit, me rreth 18% të të pyeturve të asaj moshe. Vendet e prekura nga emigracioni reflektojnë një përqindje më të lartë të personave të moshës mbi 65 që janë shprehur se ndihen vetëm. Këtu përfshihet Ballkani Perëndimor, Rumania dhe Bullgaria.

Të dytët më të vetmuar renditen grupmoshat 50-64 vjeç, ku rreth 13% e tyre pohuan se janë të vetmuar, mbi mesataren totale të të anketuarve. Përqindja më e lartë e të vetmuarve të kësaj grupmoshe është në Greqi me 14%, e ndjekur nga Shqipëria dhe Maqedonia me përkatësisht 13%.

Për grupmoshën 35-49, rekordin për sa i përket ndjesisë të të qenët vetëm e mban Turqia me 20%, e ndjekur nga Shqipëria me 12%.

Por, vetmia ka prekur edhe moshat më të reja, të cilët kanë edhe një jetë më të angazhuar. Për grupmoshën 25-34 vjeç, përqindja e të pyeturve që kanë thënë se ndihen vetëm në Shqipëri është 13%, duke u renditur sërish të dytët pas Turqisë me 21%.

Grupmosha 18-24 ka përqindjen më të ulët. Vetëm 6% e të pyeturve në vend të kësaj moshe thanë se ndihen vetëm. Rekord për sa i përket kësaj moshe e mban Belgjika, ku 13% e të rinjve thanë se ndihen vetëm.

A e blen paraja lumturinë?! Më pak para, më shumë vetmi

Bazuar mbi të ardhurat, individët me më pak të ardhura ndihen më shumë vetëm.

Në sondazhin e zhvilluar nga Bashkimi Europian për Cilësinë e Jetës, përpos gjinisë dhe moshën, përgjigjet janë kategorizuar edhe sipas të ardhurave.

Sipas grupit të të ardhurave ato janë ndarë nga 1 në 4 (nga të ardhurat më të ulëta tek më të larta). Individët që i përkasin grupit 1 dhe 2 të të ardhurave janë shprehur në % më të lartë se ndihen të vetmuar, përkatësisht me 13 dhe 16%, ndërkohë që mesatarja e BE-së është 11 dhe 8%.

Individët që i përkasin nivelit të katërt të të ardhurave (që kanë më shumë) ndihen më pak të vetmuar. Rreth 6% të të pyeturve të kësaj kategorie u përgjigjën se ndihen të vetmuar. Greqia mban rekordin në Europë për përqindjen e të pasurve që ndihen të vetmuar, me 14%. Mesatarja europiane është 5%./Monitor

Më pak para, më shumë vetmi! Ja ku renditen shqiptarët Read More »

“Pse janë shqetësuese qëndrimet e Ramës për Erdogan?”

Analisti Fatos Lubonja thotë se deklaratat e kryeministrit Rama për Erdogan janë problematike. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” te gazetares Eni Vasili, Lubonja komentoi qëndrimet e Ramës për Turqinë, në një interviste per “Anadolu Agency”.

“Intervista ka trajtuar çështje që i ka trajtuar me shqiptarët, këtu duket sikur ka bërë një politikë për ti bërë qejfin Erdoganit. Nje teori konspiracioni mund të jenë lidhur me faktin se ne aspirojmë Evropën, sikurse dhe Erdogani ka aspiruar Evropën.

Ne tani duam të hapim negociata dhe për shkaqet tona jo të Evropës nuk na hapet kjo portë si dhe Turqia, sepse kishte ide të kundërta për hyrjen e saj, ekonomikisht mund të hynte por kishte probleme për të drejtat e njeriut, të fesë myslimane, tani problemi i bëhet një shantazh Evropës që shiko se ne po kthemi këte.

Rama tregon që është i gatshëm të përdorë të gjitha ujërat, unë s’them të mos kesh diplomaci por ama një vizion për të ardhmen për një shtet demokratik duhet të kesh në këtë aspekt e konsideroj problematike këtë deklaratë.

Ajo që më shqetëson është personalizimi i institucioneve. Duket sikur fatet e marrëdhënieve tona, me Turqinë apo një vend tjetër mund te vendosen nga miqësitë apo jo miqësitë e dy liderëve kryesore.
Ne kemi Parlament, opozite, kemi institucione, dhe kjo PO qe thotë ky tingëllon si autoritare. Pse duhet dialogu atëherë, diplomacia… Ju e pate Trumpin? Një here tha do takohemi, pastaj jo, pra tha PO dhe JO. Dialogu gjen rrugët e mesme” – thotë Lubonja në analizën e tij.

Për “Anadolu Agency” Rama tha e kishte admiruar Erdogan pa e njohur atë.

“Marrëdhënia ime me presidentin (Erdoğan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën.

Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni. Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që ‘po’ është ‘po’ dhe ‘jo’ është ‘jo” – tha Rama.

“Pse janë shqetësuese qëndrimet e Ramës për Erdogan?” Read More »

Dosja e “Peshkut Madh” që erdhi nga Greqia po trondit kupolën e shtetit: do të vidhet si dokumentet e Durrësit?

Një dosje shpuzë ka mbërritur nga Athina dhe vetëm pak ditë më parë është përkthyer zyrtarisht nga personi i autorizuar nga qeveria shqiptare dhe ajo greke për të certefikuar dokumentin.

Sipas burimeve të Pamfleti, bëhet fjalë për një material super i bujshëm që ka të bëjë me Escobarin e Ballkanit, Klemend Balilit. Është një material i drejtësisë greke, i cili ka të bëjë me një provë shumë të fortë tregon transferimin e parave të Balilit për llogari të njerëzve të fuqishëm.

Ndërkaq, vetëm dje Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur edhe me tre muaj hetimet ndaj Klement Balilit. Dosja e re greke sapo ka mbërritur dhe ndodhet në duart e përkthyesit, i cili shumë shpejt do ta dorëzojë matrialin në Ministrinë e Drejtësisë.

Balili ka qenë një zyrtar i rëndësishëm i LSI-së dhe u emërua Drejtor Transportesh në Sarandë. Nipi i tij u zgjodh kryetar i Bashkisë së Delvinës nga LSI-ja në zgjedhjet vendore të vitit 2015. Hoteli i Escobarit, Santa Quaranta në Sarandë u inagurua me anë të një ceremonie të bujshme nga Ilir Meta, në atë kohë kryetar Kuvendi.

Dosja e ardhur nga Athina mendohet se është shumë e bujshme dhe organet e agjencive ligjzbatuese kanë frikë se do të vidhet siç ndodhi me materialet e Prokurorisë së Durrësit, që u vodhën dy herë. Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur më 9 dhjetor të vitit 2016 masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Klement Balilin.

Mbi të rëndojnë disa akuza si “trafikim narkotikësh në bashkëpunim”, krijimi dhe pjesëmarrja në grup kriminal” dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”. Sipas Prokurorisë, kanë qenë shërbimet greke dhe DEA amerikane që hetuan organizatën kriminale ku bënte pjesë Balili dhe që merrej me trafik ndërkombëtar droge. Në përbërje të kësaj organizate ka pasur shtetas grekë, shqiptarë dhe bullgarë. Gjithashtu, dyshohet se organizata kriminale trafikonte me kamionë kanabis, heroinë dhe kokainë. Këta kamionë ishin në pronësi të disa kompanive me shtetas grekë.

Droga vinte kryesisht nga Turqia dhe kishte si synim tregjet e zeza të BE-së. Po kështu, gjatë këtij viti Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë për sekuestro preventive të pasurisë së Klement Balilit. Krimet e Rënda kanë sekuestruar hotelin gjigant “Santa Quaranta” në Sarandë, i cili rezulton të jetë nën pronësi të vëllait të Klement Balilit.Pamfleti

Dosja e “Peshkut Madh” që erdhi nga Greqia po trondit kupolën e shtetit: do të vidhet si dokumentet e Durrësit? Read More »

”Babales” i zbulohet gënjeshtra e re, tabulatet telefonike rrëzojnë versionin e Albert Veliut për policin mik të Agron Xhafajt

Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si Babalja i është zbuluar një tjetër gënjeshtër e madhe. Ai ka gënjyer duke thënë se ka takuar një efektiv policie në Vlorë me emrin ‘’Ermal’’. ‘’Dëshmitari X’’ i PD-së për arsye monetare jo vetëm që ka inskenuar audio-përgjimin, por ka gënjyer edhe për sa i përket emrit të Ermalit duek thënë se është punonjës policie dhe mik i Agron apo Geron Xhafaj.

“Nuk bisedoi me asnjë “Ermal”

Gjatë këtyre dy muajve hetime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë evidentuar dhe marrë në pyetje katër efektivët e policisë së qarkut Vlorë,që mbajnë emrin “Ermal”. Bëhet fjalë për policë që janë në organikën e komisariatit të Vlorës, Sarandës dhe një tjetër është në Drejtorinë Qëndrore.

Të katër këta efektivë janë marë në pyetje nga anëtarët e grupit hetimor, duke pohuar se nuk kanë njohje dhe miqësi me Albert Veliun por edhe me Agron Xhafaj, vllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Por pavarësisht dëshmive të katër policëve me emrin “Ermal”, prokuroria ka verifikuar me imtësi të gjitha tabulatet mujore të këtyre efektivëve, për të mësuar nëse ndonjëri prej tyre ka pasur biseduar ndonjëherë nga muaji Tetor 2017 e në vijim me Albert Veliun (Babalen) apo me Agron Xhafaj. Nga kjo procedurë nuk ka dalë asnjë element i dobishëm. Madje tabulatet telefonike,i janë verifikuar dhe Babales, për të mësuar nëse kishte folur me ndonjërin prej këtyre policëve, por nuk ka rezultur që ai të ketë biseduar në telefon.

Dëshmitari i vetëofruar

Një dëshmitar i vetëofruar në prokurori ka treguar një version krejt të kundërt nga Albert Veliu (Babalja), duke pretenduar se e vërteta absolute e këtij audio-përgjimi, është fund e krye një trillim i orkestruar mes tij dhe vëtë Babales.

Qëllimi i vetëm sipas tij ka qënë fitimi i një shume parash, dhe asnjë gjë tjetër, pa e menduar mirë dhe gjatë se çfarë impakti do sillte ky audio-përgjim me aktorë, në jetën politike të vendit. Shuma e këtij shpërblimi dhe emri i këtij personi të vetëofruar në prokurorinë e Krimeve të Rënda, tashmë dihet nga prokurorët, të cilët pritet që brenda pak ditësh të japin një rezyme të qartë, mbi këtë audio-përgjim, personanzhet e tij, aktorët që e kanë financuar dhe ata që kanë qëndruar në distancë.

Personazhi i vetëofruar ka shmangur totalisht vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, duke pohuar se ai është kthyer viktimë e hakmarrjes personale e Albert Veliut dhe dëshirës për të fituar para nga kjo histori përgjimi, që u denoncua nga PD si një rast flagrant i implikimit të Geron Xhafaj në trafikun e drogës nga Vlora në drejtim të brigjeve Italiane.

Dëshmitari nga Novosela që aktroi Agron Xhafaj

“Shqiptarja.com” mëson se ky person i vetëofruar, është i papunë, rreth 45-vjeç dhe jeton në Novoselë, fshat që ndodhet buzë lumit të Vjosës, ku ndahet vija administrative mes Fierit dhe Vlorës. Me probleme të theksuara ekonomike dhe familjare, ky njeri ka rënë dakord të luajë rolin e Agron allias Geron Xhafaj në audio-përgjimin, tashmë të shumë përfolur dhe që trazoi jetën politike të vendit.

Me Albert Veliun, që PD e etiketoi si dëshmitari “X”, ky person ka njohje, për më tepër ka dyshime se ka lidhje farefisnie. Banori i Novoselës u ka pohuar prokurorëve të krimeve të rënda se është njeriu që ka aktruar në atë audio-përgjim, duke bërë rolin e Agron Xhafaj.

Sigurisht që marrja përsipër e këtij roli, do të sillte një shumë financiare në xhepat e banorit të Novoselës, para këto që nuk kanë mbëritur ende tek ai. Në dëshminë e dhënë para anëtarëve të grupit hetimor dëshmitari i vetëofruar ka theksuar se babalja i ka premtuar një sasi të konsiderueshme lekësh, nëse e bënte këtë shërbim.

Ai mësohet se u ka treguar prokurorëve dhe emrat e personave se nga do vinin këto para dhe me cilin person ishte lidhur i njohuri i tij Albert Veliu (Babalja), por ka sqaruar se sapo të bënin këtë audio-përgjim dhe ta dorëzonin tek personi që e kishte kërkuar, do vinte dhe shpërblimi i parave.

Në fakt kjo bisedë e improvizuar është rregjistruar dhe më pas Babalja e ka dorëzuar, ku disa muaj më vonë ajo është shfaqur nga selia e PD, në të gjitha mediat e vendit. Por ajo që priste dëshmitari i vetëofruar, ishin paratë që babalja i kishte premtuar dhe që sipas tij, nuk kishin mbëritur ende tek xhepat e tij.

Ky person u ka treguar prokurorëve se sasinë e parave dyshonte se e kishte marrë të gjithën Babalja, i cili tashmë është larguar nga Shqipëria dhe ka kërkuar azil politik në Kosovë së bashku me djalin e tij.Me dyshimet se sasinë e parave e kishte marrë të gjithë për vete Babalja, ai ka vendosur të paraqitet në ambjentet e prokurorisë duke treguar të vërtetën. “…më premtoi para, por nuk më dha asgjë…”-mësohet tu ketë treguar prokurorëve.

”Babales” i zbulohet gënjeshtra e re, tabulatet telefonike rrëzojnë versionin e Albert Veliut për policin mik të Agron Xhafajt Read More »

Papritur jepet lajmi se po dalin nga funksioni universitetet private, çfare thuhet se do të ndodhë

Universitetet private duket sikur po përjetojnë periudhën e tyre më të keqe, pasi universitetet publike po qëndrojnë në krye të listës tashmë për studentët.

Ajo që pritet të ndodhë është që këto universitete, do të ‘shuhen’ të gjitha, pritet të dalin jashtë kontrollit pasi studentët mesa duket nuk e preferojnë më një universitet privat.

Universiteti publik po i sfidon haptazi dhe me gjithë propagandën që bëjnë privatët, në vitin universitar 2017-2018, universitetet publike kanë regjistruar 18 364 studentë, ndërsa privatët 4054, pra 4.5 herë më pak.

Shifra në rënie për të gjithë universitetet private në katër vitet e fundit. Albanian University, nga 2540 studentë që regjistronte në vitin akademik 2014-2015, në vitin e fundit ka regjistruar vetëm 460 studentë, pra 5 herë më pak studentë se katër vite më parë.

Universiteti Europian i Tiranës në vitin 2013 regjistronte 1382 studentë. Në vitin 2014, 1066, pra 30% më pak. Në vitin 2017-2018, ka regjistruar 624 studentë, pra gjysmën e atyre të pesë viteve më parë.

Papritur jepet lajmi se po dalin nga funksioni universitetet private, çfare thuhet se do të ndodhë Read More »

Përveç Ilir Metës dhe Sali Berishës ekspertët britanikë dhe FBI kanë zbuluar para të dy ministrave të Ramës. Gati provat nga Londra dhe parajsat fiskale

“Pamfleti” ka lajmëruar kohë më parë se ekspertët britanikë dhe ata të FBI-së kanë rënë në gjurmët e parave të Ilir Metës, familjes Berisha por dhe ministrave dhe ish ministrave të PS, PD dhe të LSI në Britani.

Madje është nënvizuar fakti se deri më tani dihet se ku janë investuar paratë e Ilir Metës në Londër por dhe për arin e vjedhur të Kërrabës dhe pritet vetëm e vetëm që të gjenden provat shkresore, faturat dhe elementë të tjerë që provojnë zyrtarisht praninë e këtyre pasurive të emër të Ilir Metës dhe familjes së tij.

Por nëse deri më tani është rënë në gjurmët e pasurive të Ilir Metës, por dhe të familjes Berisha, përfshirë edhe disa ministra, ish ministra dhe zyrtarë të lartë të të gjithë krahëve politikë, mësohet se janë gjetur prova dhe fakte që vertetojnë këto pasuri për Metën, Berishën me gjithë familje dhe dy ministra aktualë të kabinetit qeveritar të drejtuar nga Edi Rama.

Burimet diplomatike saktësojnë se ekspertët britanikë që janë në funksion të organeve ligjzbatuese shqiptare për zbatimin e vettingut dhe të reformës në drejtësi dhe ndjekjes së pasurive të zyrtarëve të lartë jashtë vendit, bashkë dhe me ekspertët e FBI kanë arritur të depërtojnë në bankat britanike dhe vendet anëtare të Komonuellthit deri në ishujt e Paqesorit për të zbardhur këto pasuri të vëna përmes abuzimit, krimit dhe trafiqeve.

Mësohet se dhe vendimet e qeverisë britanike të Thereza May kundër oligarkëve që kanë investuar paratë e tyre në Britani, tashmë që ky vend është jashtë BE, e kanë ndihmuar shumë punën për zbulimin e pasurive të politikanëve të lartë shqiptarë në këtë vend.

Pritet që nga dita në ditë këto prova dhe fakte të vijnë zyrtarisht dhe të jenë tavolinën  e Prokurores së Përgjithshme të Përkohëshme Arta Marku.

Do të jenë organet ligjzbatuese shqiptare ato që do të vendosin në lidhje me këto prova dhe fakte si dhe për të urdhëruar përmes vendimit ligjor që të sekuestrohen dhe të kthehen në arkën e shtetit shqiptar, pasi janë djersa dhe mundi i qytetarëve shqiptrarë i vjedhur ndër vite nga kasta politike që ka qeverisur vendin.

Mësohet se dhe ambasada amerikane pritet të vendosë në dizpozicion numrat e llogarisë së pasurive jashtë vendit në bankat e huaja të politikanëve shqiptarë, sipas nivelit dhe rëndësisë, duke e kopsitur dosjet e tyre dhe duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në Shqipëri.

Ndërkohë që zvarritja e sjelljes së provave dhe fakteve të pasurisë së zyrtarëve të lartë jashtë vendit, është argumentuar dhe me faktin se deri më tani nuk janë krijuar ende institucionet e drejtësisë, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit që do të hetojë e vendosë për të dërguar në burg “peshqit e mëdhenj”./Pamfleti

Përveç Ilir Metës dhe Sali Berishës ekspertët britanikë dhe FBI kanë zbuluar para të dy ministrave të Ramës. Gati provat nga Londra dhe parajsat fiskale Read More »