Aktualitet

Deputetja zvicerane reagon ndaj golave të Xhakës dhe Shaqirit: Nuk ishin golat për Zvicrën, por për Kosovën

Në shtetin e bukur të Zvicrës vazhdon të jetë aktive tema e golave të Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës.

Shumica e zviceranëve janë gëzuar për fitoren e Kombëtares së tyre 2-1 ndaj Serbisë.

Por ka edhe nga ta që ju ka penguar festimi me shqiponje i dy lojtarëve tanë që mbrojnë ngjyrat e tyre.

Graniti ‘bombardoi’ portën e serbëve me një goditje të fuqishme, ndërsa Xherdani i artë i gjunjëzoi me një gol mjeshtëror në minutën e 90-të.

Festa e lojtarëve shqiptarë duke bërë shqiponjën dy krenare i ka penguar deputetes së Partisë Popullore në Zvicër.

Natalie Rickli ka qenë aktive gjatë ndeshjes në llogarinë e saj në ‘Twitter’.

41-vjeçarja ka thënë se golat nga Xhaka dhe Shaqiri nuk ishin për Zvicrën por për Kosovën.

“Nuk mund të jem e lumtur me të vërtetë. Dy golat nuk janë shënuar për Zvicrën por për Kosovën”, ka shkruar Rickli.

“Nëse Përfaqësuesja e Kosovës fiton një ditë unë do të jem e lumtur për ju, por në Kampionatin Botëror ne jemi me Zvicrën”, tha ndër tjera deputetja zvicerane.

E pas këtyre statuseve, llogaria e Rickli në Twitter është pushtuar nga tifozët e Zvicrës të cilët kanë kërkuar nga ajo që t’i largojë ato pasi kanë dalë në mbrojtje të futbollistëve më të mirë që kanë, Xherdanit dhe Granitit.

 

 

Deputetja zvicerane reagon ndaj golave të Xhakës dhe Shaqirit: Nuk ishin golat për Zvicrën, por për Kosovën Read More »

Rritet numri i turistëve të huaj në jug të vendit

Bregdeti jugor i Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj në këtë fillim sezoni turistik.

Gjatë periudhës maj-qershor 2018 vetëm në portin e Vlorës dhe Himarës kanë mbërritur rreth 651 turistë.

Në të dy këto porte vijojnë të ankorohen anije turistike me turistë të huaj në bord nga vende të ndryshme të botës, si Italia, Belgjika, Finlanda, Danimarka, Hungaria, Polonia, Anglia, etj.

Drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “ditët e fundit, një numër i madh turistësh kanë ardhur në portin e Himarës. Në bordin e dy anijeve turistike ‘Marina’ dhe ‘Ionian Sun’ ndodheshin turistë të rinj nga vende të ndryshme të Europës të ardhur nga porti i Korfuzit”.

“Në portin e Himarës ka mbërritur edhe një anije tjetër turistike, e cila e çon në 651 numrin e turistëve që kanë zgjedhur si destinacion turistik bregdetin jugor të Shqipërisë”, – theksoi Malaj.

Kreu i portit të Vlorës shprehet se vazhdon të rritet edhe numri i turistëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë nga porti i Himarës drejt Korfuzit me katamaranin “Kristi”.

Sipas tij, interes të lartë vijon të ketë edhe për udhëtimet drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.

Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike, monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë/atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1329699757164326/?t=0

Rritet numri i turistëve të huaj në jug të vendit Read More »

Edi Rama ua thotë prerë ministrave: Pas kësaj date ndryshimet në qeveri do të jenë të pashmangshme. Kryebashkiakët rrezikojnë rikandidimin

Brenda pak ditësh Kryeministri Edi Rama do t’i jap fund turit të llogaridhënies me qytetarët dhe për këtë arsye ankthi te ministrat apo zëvendës-ministrat është rritur shumë. Në portalin e bashkëqeverisjes me qytetarët “shqipëria që duam” janë mbi 12 mijë ankesa. Gjatë muajit të ardhshëm pritet të mblidhet edhe Asambleja e Partisë Socialiste ku do të flitet me emra konkretë.

Po ashtu gazeta “SOT” ka mësuar se Kryeministri Rama ua ka bërë të qartë ministrave të kabinetit të tij qeveritar se pas 28 qershorit ndryshimet në qeveri do të jenë të pashmangshme.  Nga ana tjetër ditët e fundit janë dhënë sinajle nga vendet skeptike që nuk do të ketë hapje të negociatave me Shqipërinë.

Fazat e ndryshimeve në qeveri
Ndryshimet në qeveri pritet të shoqërohen me dy faza. E para është faza pas vendimit për negociatat. Më 28 qershor Këshilli i BE do vendosë nëse do ketë hapje negociatash dhe në varësi të vendimit varet dhe e ardhmja e qeverisë. Shqipëria pritet të marrë hapje negociatash me kusht dhe kjo do sjellë ndryshime në kabinet me qëllim përmbushjen e kushteve.

Faza e dytë do jetë ajo e shtatorit, e cila do sjellë rifreskim total në kabinetin qeveritar. Burime të gazetës thanë se ta parat që rrezikojnë të largohen janë ministrit që janë emëruar që prej vitit 2013. Në shtatorin e 2017, pritej që kryeministri të bënte një rifreskim të kabinetit, por shumica ministrave të vjetër mbetën në postet e mëparshme.  Megjithatë, kryeministri ka mbetur i pakënaqur nga shumë prej tyre dhe si duket mund të largohen.

Kryebashkiakët rrezikojnë të mos rikandidohen

“SOT” mësoi se kritikave të kryeministrit Edi Rama, nuk do t’i shpëtojnë as kryebashkiakët e Partisë Socialiste, të cilët kanë denjuar t’ju përgjigjen kërkesave dhe ankesave të qytetarëve. Për këtë arsye, mësohet se shefi i qeverise ka qenë i prerë, teksa ka vendosur që kryebashkiakët që nuk kanë qenë bashkëpunues nuk do të rikandidohen.

Madje, gazeta mësoi se në total janë më shumë se gjysma e kryebashkiakëve aktualë që pritet të mos rikandidohen, për shkak se kanë rezultuar jo produktiv si gjatë turit të llogaridhënies, ashtu edhe sa i takon përgjigjeve dhe mbështetjeve që duhet t’ju jepnin qytetarëve në lidhje me ankesat dhe shqetësimet e tyre.

Po ashtu, mësohet se shefi i qeverisë ka shfaqur pakënaqësi edhe për shumë drejtorë, që nuk kanë qenë produktivë dhe bashkëpunues gjatë turit të llogaridhënies, por edhe për shkak të ankesave të bëra nga qytetarët në portal në adresë të tyre. Madje, mësohet se Rama pritet që të mbaj qëndrim për këta drejtorë, duke i shkarkuar apo transferuar nga detyra gjatë mbledhjes së Asamblesë. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Edi Rama ua thotë prerë ministrave: Pas kësaj date ndryshimet në qeveri do të jenë të pashmangshme. Kryebashkiakët rrezikojnë rikandidimin Read More »

Akuzat e familjes Bodo, zbardhet vendimi i gjyqtares Ukperaj për tokën në Karaburun

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj (Lubonja) u përball të premten me akuzat e një pale ndërgjyqësuese jashtë dyerve të vetingut. Familja Bodo-një ndër denoncuesit e Ukperajt në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit pretendoi se “gjyqtarja kishte marrë një vendim të padrejtë në shkelje të afateve ligjore”, por ankesa e tyre në KPK kishte rënë në vesh të shurdhër.

Familja Bodo është përfshirë prej vitesh në një kalvar gjyqësor për pronësinë e 404 hektarëve tokë në gadishullin e Karaburunit. Në vitin 2016, ajo u bë e njohur me denoncimin e falsifikimeve masive dhe tjetërsimit të 220 hektarëve tokë në këtë zonë të lakmuar turistike, duke nxitur më pas një hetim të gjerë të Prokurorisë për tokat në bregdet.

Në maj 2016, Prokuroria urdhëroi sekuestrimin e 220 ha tokë në Karaburun dhe 89 ha tokë në Zvërnec -të cilat ishin tjetërsuar përmes krijimit të dosjeve të rreme gjyqësore në arkivën e Gjykatës së Vlorës dhe falsifikimeve të tjera.

Prokuroria akuzoi fillimisht një rrjet të gjerë njerëzish për veprat penale, por Gjykata e Vlorës dënoi në mars 2018 vetëm përfituesin “në letra” të tokës, Raimond Mëzin me 18 vjet burg si dhe një ish-punonjëse të hipotekës dhe arkivisten e Gjykatës së Vlorës. Në të njëjtin proces u dënua me 16 vjet burg edhe Lefter Gjergji për përfitimin e 33 hektarëve tokë në Palasë.

Paralelisht me procesin penal, familja Bodo dorëzoi në Gjykatë një padi civile përmes së cilës kërkonte njohjen e falsitetit të dokumenteve për tjetërsimin e sipërfaqes prej 220 hektarësh në Karaburun si dhe kthimin fizik të 404 hektarëve pyll dhe kullotë në të njëjtin vend.

Familja Bodo paditi në këtë proces Raimond Mëzin, Agjencinë e Trajtimit të Pronës Tiranë, Avokaturën e Shtetit, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë si dhe dy kompanitë private “House of Arts” dhe “DigitalNetëorks”, të cilat kishin blerë 90 hektarë për 180 mijë euro nga Mëzi.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se familja Bodo e fitoi çështjen në shkallën e parë, por një vendim i Gjykatës së Apelit me relatore gjyqtaren Brikena Ukperaj (Lubonja) e rrëzoi vendimin për “shkelje të rënda proceduriale” dhe e riktheu çështjen për rigjykim.

Vendimi i shkallës së parë u apelua nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Avokatura e Shtetit dhe dy kompanitë private “House of Arts” dhe “DigitalNetëorks”.

“House of Arts” është një kompani organizimi eventesh e deputetit socialist Fidel Ylli, por që administrohet nga personi i besuar, Elida Heba. Ndërsa “Digitalnetëorks” zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi konsull nderi i El Salvadorit në Shqipëri.

Më 16 nëntor 2017, Gjykata e Apelit me relatore Brikena Ukperaj dhe anëtarë Skënder Damini dhe Gjinovefa Gaba rrëzuan vendimin e shkallës së parë si të marrë “në shkelje të rënda proceduriale” dhe vendosën rikthimin e çështjes në shkallë të parë.

Sipas vendimit të Apelit që BIRN e disponon, shkelja e parë e konstatuar lidhet me mungesën e vlerës së padisë, ç’ka ka sjellë edhe gjykimin e çështjes nga një gjyqtar i vetëm.

Duke iu referuar nenin 35 të Kodit të Procedurës Civile, Gjykata e Apelit argumenton se vlera e padisë në këtë proces ka qenë lehtësisht e përcaktueshme dhe referuar kontratës së shitjes së 90 hektarëve për 180 mijë euro, ka qenë më e madhe se 20 milionë lekë.

“Gjykata e rrethit gjyqësor Vlorë duhej ta fillonte shqyrtimin e çështjes me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë,” argumenton Gjykata e Apelit.

Apeli konstaton gjithashtu se në seancën e fundit gjyqësore në shkallë të parë, avokati i kompanive “House of Arts” dhe “DigitalNetëorks” ka hequr dorë nga përfaqësimi dhe është larguar. Në këto kushte, gjykata ka vazhduar çështjen në mungesë dhe e ka kaluar çështjen në fazën e konkluzioneve përfundimtare në të njëjtën seancë, duke dëgjuar vetëm konkluzionet e palës paditëse.

“…House of Arts dhe DigitalNetëorks u është mohuar e drejta për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur në fazën e konkluzioneve përfundimtare. Për sjelljen e avokatit, ka dispozita të tjera ligjore që e ngarkojnë atë me përgjegjësi,” argumenton Apeli.

“Gjykata në vendim nuk ka arsyetuar asnjë vendim të palës së paditur, pasi asnjë prej të paditurve nuk ka dhënë konkluzionet përfundimtare,” shtohet më tej.

Apeli argumenton gjithashtu se ndërgjyqësia nuk është formuar drejt, duke iu referuar mosthirrjes në cilësinë e personit të tretë të Artur Shehut, që sipas vendimit i është mohuar gjithashtu e drejta për t’u dëgjuar.

Artur Shehu, një biznesmen kontrovers që jeton prej vitesh jashtë Shqipërisë, sipas prokurorisë së Vlorës, përfitoi 130 hektarë nga 220 të tjetërsuara gjithsej në Karaburun përmes një kontrate shkëmbimi me Raimond Mëzin.

Gjykata e Apelit të Vlorës vlerëson gjithashtu se pasuria prej 404 hektarësh për kthim fizik dhe 188 hektarë për fondin e kompensimit që gjykata e Shkallës së Parë ka disponuar t’i kthehet familjes Bodo janë pjesë e fondit pyjor dhe kullosor shtetëror, në pronësi dhe administrim të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Vlorë.

“Qënia e kësaj pasurie në pronësi të kësaj të fundit detyronte gjykatën ta thërriste DSHP/Vlorë si palë ndërgjyqësuese në gjykim,” shton më tej vendimi.

Për konstatimet e mësipërme si “shkelje të rënda proceduriale”, Gjykata e Apelit të Vlorës kërkoi rikthimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë, por me një trupë tjetër gjykuese.

Vendimi i mësipërm, por edhe pretendimi për moszbatim të afateve gjyqësore e kanë shtyrë familjen Bodo t’i drejtohet me denoncim për gjyqtaren Brikena Ukperaj (Lubonja) në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

“Zonja Ukperaj nuk ka analizuar provat dhe nuk ka shpallur vendimin e arsyetuar brenda 20 ditëve,” tha të premten pas përfundimit të seancës dëgjimore në KPK Vjosa Bodo.

Duke iu referuar denoncimeve nga publiku për Ukperajn, relatorja e çështjes në KPK, Etleda Çiftja tha se “ato ishin verifikuar me kujdes nga komisioni”.

Megjithatë, ajo konstatoi se denoncimet ishin të tilla që “mund të zgjidhen në rrugë gjyqësore”./reporter.al

Akuzat e familjes Bodo, zbardhet vendimi i gjyqtares Ukperaj për tokën në Karaburun Read More »

“Kala Festival” ndez atmosferën në plazhet shqiptare

Jugu i vendit është duke përjetuar ditë dhe netë elektrizuese falë “Kala Festival”.

Për herë të parë, bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, është duke pritur Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri i quajtur “Kala”, i cili zhvillohet nga 20-27 qershor.

Ky festival, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë. Përgjatë tetë ditëve, në festival do të jenë të pranishëm “DJ” të famshëm anglezë, si Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann dhe shumë të tjerë.

Organizatorët e këtij festivali, paralajmëruan shumë surpriza, duke e përshkruar bregdetin e Shqipërisë në faqen zyrtare të festivalit, si një zonë të mahnitshme që duhet vizituar patjetër.

“Plazhe me rërë, ujëra kristal të qartë, mikpritje e madhe, ushqim i shkëlqyer dhe disa nga plazhet më të mira të Mesdheut”, thuhet në faqen zyrtare të festivalit.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të “Rivierës Shqiptare”.

Në ditët e fundit të festivalit do të ketë ekskursione të tilla si, rafting në Kanionet e Osumit. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukurinë e vendit.

Në këtë festival marrin pjesë të rinj nga të gjitha vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, si vend mikpritës, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Po ashtu në festival ka të rinj edhe nga Italia apo vende të tjera të europës./atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1328892900578345/?t=0

“Kala Festival” ndez atmosferën në plazhet shqiptare Read More »

Tuneli i Llogarasë, projekti që kthen në destinacion Parkun Kombëtar

Tuneli i Llogarasë do të krijojë një lidhje shumë të shpejtë dhe do ta kthejë Parkun Kombëtar të Llogarasë në një destinacion më vete, jo thjesht në një rrugë kalimi të gjithë trafikut të sezonit turistik.

Në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Vlorës, Kryeministri Edi Rama informoi se ka filluar projekti për tunelin e Llogarasë.

Po ashtu, sipas Ramës do të bëhet rindërtimi i plotë dhe me standarde komplet të tjera i rrugës Orikum-Llogara, nga Porti i Jahteve deri në hyrjen e Llogarasë.

Kryeministri u ndal edhe te puna që po bëhet në një tjetër aks të rëndësishëm për zhvillimin e kësaj zone, siç është rruga e Lumit të Vlorës.

“Vijon ndërtimi i rrugës së Lumit të Vlorës. Jemi gati për të mbyllur kontratat për 3 lotet e tjera dhe besojmë se në fillim të vjeshtës fillon puna, për të mos u ndalur më deri në fund”, – tha ai.

Tuneli i Llogarasë, projekti që kthen në destinacion Parkun Kombëtar Read More »

Ambasadori Donald Lu ka një përgjigjie për të gjithë zërat që thonë se po dështon reforma në drejtësi

Në një kohë, ku duket sikur çdo gjë është pezulluar dhe skepticizmi po rritet, ambasadori Donald Lu rikthehet me një tjetër deklaratë për reformën në drejtësi.

Disa njerëz kane thënë se reforma në drejtësi po bllokon sistemin e drejtësisë dhe po dështon. Cili është komenti i Ambasadorit Lu mbi këto pretendime?

Ambasadori Lu: Vetingu po funksionon. Shumë gjykatës dhe prokurorë janë shkarkuar sepse nuk mundeshin të justifikonin pasurinë e tyre të madhe apo të tregonin se kishin integritetin e duhur për t’i shërbyer drejtësisë në Shqipëri. Disa njerëz e kanë kritikuar procesin sepse ka penguar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Unë nuk mendoj kështu. Ishte korrupsioni që pengoi funksionimin e këtyre gjykatave për vite me radhë. Vettingu po e ndreq këtë. Së shpejti Shqipëria do të ketë një sistem me gjykatës dhe prokurorë të pastër, që e kanë kaluar vettingun. Ai sistem është e ardhmja e Shqipërisë.

Ambasadori Donald Lu ka një përgjigjie për të gjithë zërat që thonë se po dështon reforma në drejtësi Read More »

Rihapja e dosjes “Hajdari”, furtuna pritet të përfshijë SHQUP-in. Zbulohen emrat e politikanëve që do të thirren për të dëshmuar

Dy ditë më parë Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e Izet Haxhisë për të rihapur dosjen “Hajdari”. Kjo gjë ka filluar të alarmojë politikën dhe ta fus atë në panik. Tashmë furtuna pritet të përfshijë edhe SHQUP-in. Gazeta “SOT” ka mësuar disa prej emrave që pritet të dëshmojnë për  çështjen në fjalë.

Më konkretisht, pjesë e listës janë: Sali Berisha, Genc Pollo, Jozefina Topalli, Jemin Gjana, Spartak Koço, Maksim Cikuli, Flamur Shehu, Shaban Memia dhe Pjetër Arbnori. Për të gjithë emrat që janë gjallë, avokati i Izet Haxhisë do kërkojë që të thirren sërish për të dëshmuar.

Roli i anëtarëve të PD

Por çfarë funksionesh kanë apo kanë pasur këta emra në Partinë Demokratike? Nëse fillojmë nga Sali Berisha, ai momentalisht është deputet i PD, ndërsa më parë ka qenë kryeministër si edhe President i Republikës së Shqipërisë në kohën kur ndodhi atentati ndaj Azem Hajdarit. Genc Pollo në vitet 1997 ka mbajtur detyrën e këshilltarit të Berishës, ndërsa ka provuar edhe postin e ministrit, si ministër i Arsimit apo ministër i Inovacionit, Teknologjisë e Komunikacionit.

Për të vijuar me emrin tjetër, Jozefina Topalli ka qenë kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si edhe deputete e PD. Sakaq, Jemin Gjana ka qenë ministër i Bujqësisë, kurse tani mban postin e kreut të Departamentit për Kthimin e Figurave Historike në PD.

Të dhënat për emrat e tjerë që pritet të dëshmojnë për dosjen “Hajdari” janë: Maksim Cikuli (ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, deputet i PD në dy legjislatura si edhe ministër i Shëndetësisë në vitet 1994-1997); Flamur Shehu (ka qenë dixhej nëpër organizimet e PD, ka marrë pension të veçantë nga Sali Berisha në 2015); Shaban Memia (ish-deputet i PD, për të Izet Haxhia është shprehur se PD ka tentuar ta vrasë nëse Berisha arrestohej pas grushtit të shtetit në 1998); Pjetër Arbnori (bashkëthemelues i PD, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, u nda nga jeta në vitin 2006).

Të gjithë do dëshmojnë

Duke qenë se emrat e lartpërmendur janë pjesë e Partisë Demokratike, kjo tregon qartë që pikërisht kjo parti është edhe më e rrezikuara apo e alarmuara nga hapja e dosjes “Hajdari”. Ata persona që vijojnë të jenë në jetë pritet që të rithirren për të dëshmuar për detajet që mund të dinë rreth vrasjes së Azem Hajdarit, duke rritur kështu ankthin.

Gazeta “SOT” ka mësuar se avokati i Haxhisë do kërkojë në gjykatë që të pyeten të gjithë. Mund të ndodhë që i pari që mund të merret në pyetje të jetë vetë Sali Berisha, duke qenë se ai është edhe më i akuzuari nga Izet Haxhia. Ndërkohë, duke qenë se tani Izet Haxhia e fitoi të drejtën për tu rigjykuar, pritet që çështja të shkojë në Gjykatën e Apelit, ku ish-truprojën e pret një tjetër betejë e gjatë gjyqësore me akuza dhe kundërakuza.

Tashmë detyra e Izet Haxhisë është që të përmbushë “misionin” e ekstradimit të tij: zbardhjen e të vërtetës të vrasjes së shekullit. Tanimë pritshmëritë janë që ai së bashku me avokatin e tij mbrojtës, Bashkim Nikolla të bëjnë publike prova të padala deri tani që faktojnë se Izet Haxhia është i pafajshëm, se në dosjen “Hajdari” ka futur duart edhe politika dhe se i implikuar në atentat është edhe vetë Sali Berisha.

Rihapja e dosjes “Hajdari”, furtuna pritet të përfshijë SHQUP-in. Zbulohen emrat e politikanëve që do të thirren për të dëshmuar Read More »