Aktualitet

“E hoqëm prokurorin që na prishte punë”, përgjimet që fundosën biznesmenët trafikantë

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 131 vite burg në total për 9 të akuzuarit si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që trafikonte drogë nga Turqia. Bëhet fjalë për grupin e famshëm të Jurgen Mollës, i cili u shkatërrua gjatë operacionit “Ballkan” në vitin 2016, i shtrirë në disa vende të rajonit.

Prokurori Eugen Beçi, gjatë seancës së ditës së djeshme, kërkoi 17 vjet burg për Jurgen Mollën, i cili ishte kreu i grupit të strukturuar kriminal; 16 vjet burg për Shyqyri Kotorrin, ndërsa për Anesti Koromanin, prokurori Beçi kërkoi 15 vite burg. Këta të tre, sipas Prokurorisë, janë edhe tri kokat e grupit. Prokurori Beçi kërkoi 15 vjet burg për ndërmjetësin Arif Çiço, shtetas kosovar.

Ndërsa për ty ndërmjetësit turq, Abubekir Tuncdemir dhe Mehmet Kulug, u kërkuan 15 dhe 14 vjet burgim. Ndërsa për Elmi Thaçin, Orges Myftarajn dhe Blerim Ukimerajn u kërkuan 12, 13 dhe 14 vjet burg. Hetimet për këtë grup të strukturuar kanë qenë relativisht të gjata dhe në dosjen hetimore ka shumë përgjime. Interesante është një bisedë e përgjuar mes Jurgen Mollës dhe nënës së njërit prej transportuesve, pasi ky i fundit ishte arrestuar.

Molla i premton nënës së transportuesit se do të paguante para që ta nxirrte atë nga burgu. Ai madje përmend edhe një shembull se si, sipas tij, kishte mundur të transferonte një prokuror nga Tirana në Shkodër, i cili “po i prishte punë”.

“Panorama” sjell të plotë dosjen hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për grupin e Jurgen Mollës. Paratë e fituara nga droga, Molla i pati investuar në fushën e ndërtimit. Tashmë pritet që në seancën e ardhshme të mbahen edhe konkluzionet e mbrojtjes dhe të jepet vendimi për grupin.

DOSJA

Të pandehurit, Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani, nga provat e administruara, rezultoi të jenë në rolin e financuesit dhe të organizatorit të aktivitetit kriminal për sigurimin e trafikimin e lëndëve narkotike nga Turqia në drejtim të Shqipërisë, për llogari të interesave të grupeve kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa të pandehurit Orges Myftaraj e Klaudio Veizaj dyshohet të jenë në role ndihmëse, duke marrë e kryer të gjitha porositë e dhëna nga Jurgen Molla, në funksion të organizimit të trafikimit të lëndëve narkotike. Në funksion të ndërmjetësimit dhe sigurimit të heroinës u provua të jenë shtetasi kosovar Arif Çiço, si dhe shtetasit turq Enver Kurtuluº, Abubekir Tuncdemir, Mehmet Kulug, etj.

Transportues të lëndëve narkotike të këtij grupi kriminal u provua të jenë shtetasit: Arben Prendi (dënuar me vendimin nr. 93 dt. 06.07.2016), Mirislav Perovic, Erol Belir dhe Songul Erek (të arrestuar tashmë). Nga hetimi i këtij procedimi penal janë evidentuar tri raste të trafikimit të lëndës narkotike. Gjatë muajit qershor 2015, të pandehurit Jurgen Molla, Arif Çiço, Abubekir Tuncdemir, kanë realizuar një sërë takimesh në Kosovë dhe në Shqipëri, në funksion të arritjes së marrëveshjes për trafikimin e një sasie heroine, e cila do të sigurohej nga shtetasi Abubekir Tuncdemir, ndërsa i pandehuri Jurgen Molla, së bashku me të pandehurin Anest Koromani, ishte blerësi i heroinës.

Pas arritjes së marrëveshjes, ku pala kosovare kërkonte garancinë e pagesës nga shtetasi Jurgen Molla, ky i fundit, më datë 27.06.2015, dyshohet se ka dërguar në Prizren, Kosovë, lidhjen e tij më të besuar, shtetasin Orges Myftarajn, me një sasi të konsiderueshme rreth 230.000 euro. Njëkohësisht, po më datë 27.06.2015, Jurgeni ka takuar në Patok shtetasin Arben Prendi, ku dyshohet se i ka dhënë dhe shumën prej 8000 euro, si pagesë për transportin e ngarkesës së Heroinës.

Shtetasi i dënuar Arben Prendi po në këtë ditë është nisur për në Kosovë me kamionin tip MAN, me targë AA090IF. Nga data 27- 29.06.2015, nga bisedat midis shtetasve të mësipërme, rezultonte fakti se heroina ndodhej në afërsi të Prishtinës, ku ishte e magazinuar dhe për këtë vend kishin dijeni shtetasit turq dhe kosovarë Abubekir Tuncdemir, Enver Kurtuluº, Arif Çiço.

Gjithashtu, nga kontaktet telefonike u kuptua se Jurgen Molla ka pasur një borxh për të paguar, një transport të mëparshëm kundrejt të pandehurit Enver Kurtuluº, i cili fillimisht nuk ishte dakord për t’i dhënë heroinën, por më pas, më datë 29.06.2015, të pandehurit Abubekir Tuncdemir dhe Enver Kurtuluº, në një valixhe ia dorëzojnë ngarkesën e heroinës transportuesit Arben Prendi në një vend në Kosovë.

Më datë 29.06.2015, ora 17.00, u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Prendi në PKK, Morinë, pasi gjatë kontrollit në mjetin kamion tip “Man”, me targë AA 090 IF, në kabinën e mjetit, iu gjet dhe bllokuan me cilësinë e provës materiale 15 kg e 224 gr. lëndë narkotike e llojit Heroinë. Kjo sasi lënde narkotike dyshohet se ishte për llogari të shtetasit Jurgen Molla dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Më datë 30.06.2015, në kuadër të procedimit penal Nr. 81, të vitit 2015 kanë vazhduar verifikimet dhe veprimet me metoda speciale të hetimit për shtetasit: Jurgen Molla, Orges Myftaraj, Klaudio Veizaj e të tjerë të dyshuar se kanë bashkëpunuar me shtetasin Arben Prendi në lidhje me trafikimin e sasisë prej 15 kg e 224 gr. lëndë narkotike e llojit “heroinë”, kryer me datë 29.06.2015.

PËRGJIMET

-Nga studimi i transkripteve të bisedave të datave 27.06.2015, 28.06.2015 dhe 29.06.2015 rezulton që më datë 27.06.2015 shtetasi Jurgen Molla ka dërguar në Kosovë sasinë e nevojshme të lekëve me anë të shtetasit Orges Myftaraj, ka dërguar gjithashtu dhe shtetasin Arben Prendi me kamionin me targa AA090IF dhe me targë karrocerie AB R 200 për të bërë të mundur transportimin e lëndës narkotike heroinë nga Kosova në Shqipëri.

Më datë 28.06.2015 në orën 00:11:27 shtetasi Orges Myftaraj telefonohet nga shtetasi Arben Prendi.

Arben Prendi: A të tha ai ku me ardhë?

Orges Myftaraj: Jo more vlla ktu të rringi jam, te center, e ke parasysh?

Arben Prendi: Po, futu rrugës takohemi në rrugë or urrë.

Orges Myftaraj: E po s’kam pritë të marrë një taksi e të vij se s’kam.

Arben Prendi: Merre një taksi e futu rrugës së Gjakovës e shehe kamionin te parkum krahit të djathtë gjithkonë sa të kalosh.

-Në orën 00:34 shtetasi Orges Myftaraj i ka dërguar shtetasit Jurgen Molla një sms, duke e njoftuar se e kishte takuar Arben Prendin.

Orges Myftaraj: Po iki në dhomë, ok? Mbarova.

Jurgen Molla: E takove at B? (Arben Prendi)

Orges Myftaraj: Po, po iki n’dhomë.

Jurgen Molla: Po thirre tako atë “C” (Arif Çiçon), që ta dinë e më shkruj te tjetri.

Orges Myftaraj: OK, s’kam wireles, sa të iki në dhomë.

Jurgen Molla: Po shkruj me numrin që dhash mo, po lekët i morët.

Orges Myftaraj: OK.

Jurgen Molla: A u rehatove? Shkruaj pra, me numër të Kosovës

Orges Myftaraj: U lidha me ‘C’ (Arif Çiçon). Të marr unë tha. I thashë që jam këtu.

Jurgen Molla: Ok, kur të vijë takoje dhe më shkruaj, po mos gabon me m’i dhanë lek topa më pyt mu dhe mer një numër të Kosovës që të lidheni me Ben. (Arbenin) Ok? I sigurt që lekët i ke ti?

Orges Myftaraj: Po atë po bëjmë. Jo pa merak.

-Më datë 29.06.2015, në orët e para të mëngjesit, shtetasit e sipërpërmendur vazhdojnë negociatat për ngarkesën e drogës. Pasi arrihet marrëveshja, droga ngarkohet në kamion dhe kamioni niset për në Shqipëri. Në orën 13:54:43, shtetasi Jurgen Molla i dërgon mesazh shtetasit Orges Myftaraj në numrin e telefonit.

Jurgen Molla: Hë mo!

Orges Myftaraj: Ala! Më pas në orën 14:00:17 Orgesi i dërgon Jurgenit mesazhin me tekst: “Aty afër është”.

-Më datë 29.06.2015, në orën 14:19:01 shtetasi Jurgen Molla, duke mos e ditur akoma çfarë ka ndodhur me shtetasin Arben Prendi dhe lëndën narkotike të llojit heroinë që po transportonte ( i kapur ne pikën doganore), i dërgon mesazh shtetasit Orges Myftaraj.

Jurgen Molla: Fole më me të ti, ose fol dhe i her prite, zot me u ba gja jan të arift makinat porosite me lezet vlla.

Orges Myftaraj: Të presim dhe pak vlla

Jurgen Molla: Ok mo, po porosite te numri kosovar, a ka.

-Në orën 15:14:31 shtetasi Jurgen Molla i telefonon të vëllait dhe ndër të tjera i thotë të lëvizë, pasi kishin arrestuar shoferin.

Jurgen Molla: Ik iher lëviz, ik der te shpia meri ato lek ça jan në shpi mbaji, meri lekt çoi në bankë, lëviz meri ato lek çoi te banka që jan te shpia.

Vëllai: Po.

Jurgen Molla: E vjen Lola se a problem.

Vëllai: Hajt, ku jeti?

Jurgen Molla: Po lëviz unë.

-Në orën 15:16:59 shtetasi Jurgeni i telefonon shtetasit Orges Myftaraj dhe e njofton për arrestimin.

Jurgen Molla: O lëviz…se e kan kap k**n.

Orges Myftaraj: Ouuu?!

Jurgen Molla: Po.

Orges Myftaraj: Hajt se pres telefonin kteja un, hajt.

Jurgeni Molla: Preja telefonat, ato tjerat priti.

Orges Myftaraj: Po un nga t’shkoj?

Jurgen Molla: Ik diku, ndalu diku i her sa t’mar gja vesht.

– Grupi i strukturuar në çdo moment ka bërë përpjekje të fshehjes së aktivitetit kriminal dhe për këtë arsye një nga organizatorët dhe drejtuesit e grupit, Jurgen Molla, ka tentuar në çdo moment të kontrollojë çdo detaj të aktivitetit dhe të familjarëve të të dënuarit Arben Prendi, me qëllim shmangien e tij nga dënimi.

Nga studimi i procesverbaleve të përgjimit të telekomunikimeve midis shtetasit Jurgen Molla dhe shtetases që thërritet “Katerina”, rezulton se Molla i kërkon ta takojë në mënyrë që të diskutojnë për ta ndihmuar shtetasin Arben Prendi.

Më datë 10.12.2015, në orën 18:02:59 shtetasi Jurgen Molla kontaktohet nga “Katerina” dhe gjatë bisedës, Jurgeni i përsërit disa herë se i ka vënë punët në terezi, si dhe e porosit që t’u thotë personave të tretë të mos flasin, pasi prishin punë.

Katerina i ka treguar Jurgenit se e ka telefonuar i biri, Arben Prendi, personi nga burgu, i cili i ka thënë se i ka humbur shpresat dhe e ka porositur, që t’i thotë Jurgenit të mos e lërë në burg për lekë dhe se deri tani nuk është dhënë asnjë lekë.

Jurgeni i thotë se nuk mund t’i tregojë se ku po i jep lekët, pasi i del fjala, por i thotë se lekë janë dhënë dhe po vazhdojnë të jepen përditë. I biri i ka thënë Katerinës se po rri në burg, ngaqë nuk janë dhënë lekë.

Në vijim të kësaj bisede, Jurgeni i thotë se një prokuror që i ka prishur punë e kanë transferuar në Shkodër

Jurgen Molla: Një që ka qenë, që ka pas prish punë aty ku është ai, një X prokuror që ka pas fut atë, e kanë shkarkuar sot. Janë dhënë lekë që është shkarkuar, nuk po të them më gjatë…E kanë heq nga aty e kanë dërguar në Shkodër, prej këtyre punëve…

Katerina: E keni pas kundra atë?

Jurgen Molla: Po, një legen, që e kemi pas kundër. Më gjatë nuk flas dot. Çoja me amanet, thuaji për punë lekësh.

Katerina: Me amanet ia çoj, faleminderit prej teje, nesër do të them çfarë më ka thënë. Jurgen Molla: Thuaji, për lekë nuk rri brenda sa të jem unë gjallë.


-Në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit 2015, të pandehurit Jurgen Molla, Arif Çiço dhe Abubekir Tuncdemir hynë në tratativa për arritjen e marrëveshjes për trafikimin e një sasie heroine, e cila do të sigurohej nga Abubekir Tuncdemir, ndërsa Jurgeni dhe Anesti Koromani ishin blerësit e saj.

Abubekir Tuncdemir mundi të trafikojë nga Turqia për në Greqi sasinë prej 15 kg. heroinë. Ai, duke pasur këtë sasi heroine në Selanik, Greqi, u lidh me Jurgen Mollën nëpërmjet shtetasit Arif Çiço (ky i fundit në atë kohë po qëndronte në Laç dhe kryente rolin e ndërmjetësit midis Abubekirit dhe Jurgenit).

Jurgen Molla, për të realizuar transportin e heroinës nga Selaniku për në Athinë, i kërkoi ndihmë Shyqyri Kotorrit, i cili kishte rrjetin e tij të trafikimit, transportimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Greqi. Jurgen Molla ra dakord për të marrë një sasi prej 5 kg heroinë.

Si rrjedhojë e bashkëpunimit të Policisë Shqiptare me Zyrën e DEA-s në Greqi dhe Policinë Greke, në Greqi u arrestuan dy korrierët turq, shtetasit Erol Belir dhe Songul Erek, të cilëve iu sekuestrua një sasi prej 5 kg. lëndë narkotike e llojit heroinë. Autoritetet policore greke vijuan ndjekjen e grupit të Shyqyri Kotorrit, si rezultat i së cilës, në datë 21.12.2015, forcat e Antidrogës së Drejtorisë së Policisë së Athinës arrestuan shtetasit shqiptarë Edmond Kotorri (vëllai i Shyqyr Kotorrit), Artan Mucelli, Armando Allajbej, Emolina Agalliu, Edmond Balaj, Kreshnik Prendi, Sandër Pemaj e Mentor Pali.

Më datë 12.09.2015 dhe 13.09.2015, shtetasi Jurgen Molla shkëmben mesazhe me shtetasin Shyqyri Kotorri dhe bisedojnë në telefon me njëritjetrin, për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit heroinë për në Greqi.

Bisedat bëhen të koduara, duke përdorur shprehje si “hedhjen e betonit”, me të cilën kuptohet lënda narkotike.

Shyqyri Kotorri: Bëre nanji telefon.

Jurgen Molla: A janë lidh ata, di gja.

Shyqyri Kotorri: Ja të flas çik un dhe të them.

Jurgen Molla: Pyt i her e më kallzo.

Shyqyri Kotorri: Bëji nonji telefon atyre ustallarëve o burr, janë punëtorët atje. Më pas shtetasi Shyqyr Kotorri bisedon me shtetasin Jurgen Molla dhe diskutojnë se si mund te lidhen shtetasit që do të çojnë “betonin” me ustallarët që presin, ku lënë të kuptohet se duhet të takohen shtetasit që kanë çuar lëndën narkotike me ata që do ta marrin.

Nga hetimet rezulton se dërgimin e sasisë prej 5 kg heroinë në Greqi e ka organizuar shtetasi Arif Çiço dhe shtetasi që thërritet “Plaki”, duke përdorur si transportues shtetasit turq Erol Bilir dhe Songul Erkek. Në Greqi, për llogari të shtetasit Jurgen Mollla, po prisnin të merrnin lëndën narkotike lidhjet shoqërore të shtetasit Shyqyri Kotorri./javanews

“E hoqëm prokurorin që na prishte punë”, përgjimet që fundosën biznesmenët trafikantë Read More »

Minierë kromi, apo krimi? Pazaret e “efendilerëve” të politikës me Samirin, po torturojnë dhe vrasin minatorë

As në minierën e arit që kanë Likja e Zeni në Afrikë, nuk ndodh kështu
Në Bulqizë, atje ku njerëzit mbi tokë, nuk po hanë dot as bukë me gjizë prej varfërisë ekstreme, një koncesionar televizorësh e lavatriçesh me emrin Samir, që menazhon biznese “lavatriçesh”, nxjerr miliona euro fitim në vit, duke vënë nën thundrën e rryshfetit qeverinë, opozitën, sindikatat dhe drejtësinë, të cilat heshtin dhe e mbrojnë koncesionar-djallin me fytyrë ëngjëllore, megjithëse në biznes-krimin e tij, vriten e hidhen tutje minatorë!

As tatimet, as doganat, as bashkia e Bulqizës, as vetë minatorët që nxjerrin kromin si skllevër mesjete, duke u përballur me krimin jetësor, nuk e dinë se sa miliona euro fiton pronari de-fakto i minierës pronë shtetërore Samir Mane, ose më saktë “efendikoi” i shtetarëve shqiptarë, të cilët i ka blerë me ryshfete, për licensimin e vjedhjes gjigande që po i bënë pasurisë kombëtare.

Qeveria e licencon, sindikata i lëpihet për ndonjë dorë lekë e pagesa udhëtimesh jashtë shtetit, duke heshtur dhe shuar qëllimisht protestat e minatorëve, kur ata kërkojnë të drejtat minimale.

Deputeti i LSI në Bulqizë, bënë sikur nuk shikon asgjë nga ndyrësitë e koncesionarit Mane, sepse ka një “grykë miniere” kromi për vete dhe familjarët, duke bërë biznes “me qetësi e dashuri”.

Kryetari i bashkisë, joshet me ndonjë një makinë dhuratë dhe nuk ndihet, mbasi do vi dita të prishet ajo makinë dhe do kërkoj përsëri!

Tatimet e doganat, takohen “shoqërisht” në mbëmje pas orarit zyrtar me koncesionarin dhe bien dakort, për “letrat” e taksave, për sasinë e komit të prodhuar, për numrin e punonjësve që duhen siguruar, për dy palë borderotë e pagave të punonjësve, për dy palë letrat e eksportit të sasisë së kromit, për faturat e TVSH që bëhen me letra false e prej 11 vitesh nuk paguhet dhe, për detyrime të tjera, fiskale, që veprohet siç urdhrojnë “efendilerët” e qeverisë.

OSSHEE, dihet që nuk ja mat njeri me metër, me copë e me peshë energjinë elektrike, prandaj ca me dëshirën e vet dhe ca më shumë me urdhrin e qeveritarëve, i faturon minierës 30% më pak harxhim energji elektrike se fatura e kopështit të fëmijëve të Bulqizës!

Qeveria e ka bërë koncesionar-zuzarin e kromit, “mik qejfesh” për pagesa banketesh të partisë, kampingje të rinisë së partisë, për pagesa hotelesh e ushqimi “pikant” gjatë mbledhjeve të qeverisë jashtë Tiarnës, për pushime verore ministrash familjarisht jashtë shtetit, për karta krediti tregu në biznes-pisneset “Mane”, për mobilime shtëpie e dhurata veshjesh dhe, të gjitha këto “frymëzojnë” shtetarët, për të firmosur letrat e koncesionit hajdutëror e vrasës të kromit, siç kanë bërë edhe qeveritë e tjera Meta, Nano, Berisha.

Drejtësia di vetë si vepron kur vriten minatorë, mbasi ka kaluar nja 40 raste të tilla dhe “ia ka marrë dorën” koncesionarit, duke nxjerr të fajshme… viktimat!

Miniera e Bulqizës ka kushte pune mesjetare, madje më shkatëruese se miniera e arit, që kanë në ortakëri Samiri, Zeni, Likja dhe Fazlliç në Afrikë, por askush nuk flet, mbasi këta horra të lidhur në këtë krim, nuk mund të bllokojnë dhe ndëshkojnë krimin e tyre të përbashkët…Pamfleti

Minierë kromi, apo krimi? Pazaret e “efendilerëve” të politikës me Samirin, po torturojnë dhe vrasin minatorë Read More »

Rikthimi i “çështjes Hajdari”, 50 pyetjet e avokatit që gjunjëzojnë Sali Berishën

Drejtësia vonon, por nuk harron

Avokati i Izet Haxhiajt, fut në dosje edhe 50 pyetjet drejtuar Berishës, për vrasjen e Azem Hajdarit

  1. A është e vërtetë, që 6 orë para vrasjes së Azemit, keni sajuar një mbledhje “urgjente” të kryesisë së PD (të pa planifikuar)?
  2. A i kërkuat Azemit, të ishte patjetër në atë mbledhje, a ju ka thënë se do të ishte jashtë Tirane?
  3. A keni këmbëngulur, që Azemi të ishte në atë mbledhje, duke i thënë: “Më duhesh, sepse ashtu janë punët në kryesi”?
  4. Cila është përgjigja që ju ka dhënë Azemi dhe pse nuk ka filluar mbledhja, pa ardhur ai?
  5. Cilët e kanë telefonuar Azemin, 1 orë para fillimit të mbledhjes dhe a i keni porositur, a ju ka ardhur prej tyre mesazhi në telefon që biseda u krye?
  6. A ju ka kërkuar leje Azemi, për të dalë “5 minuta” pasi e kishte njoftuar një anëtar kryesie që ishte jashtë mbledhjes dhe a ia keni bërë me shenjë, të dalë?
  7. Cili drejtues i PD, ua ka bërë me kokë, kur ka dëgjuar krismat e armëve?
  8. Cili ka qënë reagimi juaj dhe pas krisamve, a ju kanë telefonuar një femër tropojane me burrë tropojan, me inicalet e emrit Sh B…?
  9. A keni dhënë urdhër, që të mos jepej lajmi në “Radio Kontakt”, pa komunikuar me ju?
  10. A keni biseduar ndonjëherë për vrasjen e Azemit, me ata që akuzuat për vrasjen e tij?
  11. Cili ka qënë anëtari i kryesisë së PDSH në mbledhje, që ka dalë “pesë minuta jashtë” përpara Azemit dhe kur është kthyer, ka njoftuar Azemin, se “të kërkojnë jashtë”?
  12. A keni kërkuar të dini nga erdhën krismat dhe cili pyetët, jashtë zyrës ku bëhej mbledhja?
  13. Cili politikan i majtë, ju ka pyetur në telefon pas krismave: “Ç’bëhet nga ju dhe si jeni përgjigjur?
  14. A i keni biseduar me Fatos Nanon për largimin e tij jashtë vendit, fill pas vrasjes së Azemit, duke e paralajmëruar për rrezik jete?
  15. Me cilin keni kontaktuar për herë të parë, për të pyetur se kush është vrarë dhe a punon aktualisht ky person, pranë kabinetit tuaj?
  16. A keni dhënë urdhër, që 1 muaj pas vrasjes, të hiqej posteri i i përditshëm i Azemit, nga faqja e parë e “RD” dhe kush ua kërkoi?
  17. Kush e bëri kontrollin e parë në makinën e Azemit, natën e vrasjes, a kishte lidhje ky kontroll, me ndonjë “siklet” tuajin?
  18. Përse nuk është lejuar prokuroria, të bëjë hetime në makinën e Azemit dhe a ka pasur pakt “mirëkuptimi” mes jush dhe asaj?
  19. Çfarë keni biseduar me Gazideden në “mërgim”, 50 minuta para dhe pas vrasjes së Azemit?
  20. Pas vrasjes, cilët anëtarë të kryesisë, ke urdhëruar të mos qëndrojnë në selinë e PDSH?
  21. Për vrasjen e Azemit, akuzuat publikisht Nanon dhe Gjinushin, ai i qëndroni kësaj akuze?
  22. Ku fshihet buodigardi i plagosur Neza, kush e “arratisi”, a keni bërë biseda telefonike me të, ose takime jashtë Shqipërisë?
  23. Familja e Besim Çerës të vrarë me Azemin, ju ka dhënë disa dëshmi dhe ju i keni premtuar se do t’i coni në prokurori, a i keni cuar?
  24. A ju ka dorëzuar dikush, një kasetë, që Azemi e ka pasur në xhep ditën e vrasjes dhe ku gjendet?
  25. A keni dorë në incidentet policore të Azemit në Tropojë, Ura-Vajgurore, Laç, Milot, Shkodër?
  26. Me cilin politikan të majtë, keni biseduar pas plagosjes së Azem Hajdarit në parlament dhe për çfarë?
  27. A keni debatuar me Azemin, për aktivitetin e vërtetë të firmës “Shqiponja” që trafikonte karburante në Serbi?
  28. Cili ishte “miku juaj shkodran” në parti, që kërkonte spostimin e Azemit nga kryesia e PD, a e inskenuat këtë lojë?
  29. Deklaruat, se kur të kthehet PD në pushtet, do dëshmonit për vrasësit dhe do hapit dosjen, përse nuk vepruat?
  30. Pas ardhjes në pushtet, familja Hajdari ju ka kërkuar hapjen e dosjes, si jeni përgjigjur?
  31. Për vrasjen e Azemit, keni biseduar “shtruar” me Arben Imamin, a lidhet ajo bisedë, me futjen e tij në qeverinë e PD?
  32. Pesë orë pas vrasjes, keni ndëruar bravën e zyrës së Azemit dhe prej 1 viti e mbajtët të bllokuar, me motivin: “Do bëhet zyrë muze”, a ka lidhje me ju?
  33. Cili ka pasur detyrë të vjedh dhe dorëzojë tek ju, celularin e Azemit pas vrasjes, ku u “verifikua” dhe ku gjendet?
  34. A ju kanë telefonuar nga Athina apo nga Beogradi, 30 minuta pas vrasjes së Azemit?
  35. A keni pasur dijeni, për nisjen e helikopterit të shërbimit qeveritar drejt veriut, 2 orë pas vrasjes së Azemit?
  36. Pak minuta pas vrasjes së Azemit, a ju ka thënë dikush në telefon: “Iku”!
  37. A ju ka kërcënuar ndonjëherë përballë Azemi, në zyrën tuaj dhe përse?
  38. A ka pasur kërcënimi i Azemit ndaj jush, lidhje me një biznes të Ramiz Alisë, në Itali?
  39. A keni urdhëruar SHIK në vitet 1992-1997, për përgjimin e Azemit, ku gjendet dosja e këtij përgjimi me 1800 faqe?
  40. A kanë lidhje me vrasjen, 25 pyetjet drejtuar Azemit nga SHIK, në gazetën “Albania”?
  41. A keni marrë nga familja e Azemit, “letrat” që ai mbante në shtëpi dhe ku gjenden?
  42. Çfarë biseduat natën e vrasjes së Azemit, me Perikli Tetën dhe ku jeni takuar të nesërmen në orën 10 e 30?
  43. CIA ju ka kërkuar një informacion me opsionet tuaja, për vrasjen e Azemit, a mund të publikoni raportin e dërguar?
  44. Cila ka qënë Ambasada e parë e huaj në Shqipëri, që ju ka telefonuar pas vrasjes së Azemit dhe çfarë “këshillash” ju ka dhënë,, për të vepruar publikisht?
  45. Ku ndodhet kaseta që publikoi Azem Hajdari në parlament, pas ngjarjeve të vitit 1997, a e keni marë ju kopjen origjinale në zyrën e tij?
  46. A keni biseduar Gazideden në telefon, 2 muaj pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe cilat janë dy porositë që i keni lënë atij?
  47. A i keni dhënë “1 porosi të veçantë” miqësore Arben Rakipit, për “Dosjen Hajdari” dhe përse nuk e pranoi?
  48. A ju ka kërkuar dëshmi Theollori Sollaku, lidhur me dosjen “Hajdari” dhe si keni vepruar bashkë?
  49. A keni porositur ish-prokurorin e Gramshit Violent Çoniku, që të jepte gjithë “Dosjen Nr. 106”, për gjyqin ndaj Isamedin Haxhiat dhe Halil Haklajt, ku flitej për Azemin?
  50. A e keni thirrur ish-prokurorin Violent Çoniku, kur ai ishtë në Pukë, që të vinte në takim urgjent me ty dhe çfarë porosie i keni dhënë në zyrën tënde, lidhur me dosjen “Hajdari”?

Rikthimi i “çështjes Hajdari”, 50 pyetjet e avokatit që gjunjëzojnë Sali Berishën Read More »

Nxjerrja e sekretit fut në telashe Lulzim Bashën, Krimet e Rënda nisin hetimet

Pas padisë së ngritur dy ditë më parë nga kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla, Prokuroria e Krimeve të Rënda është vënë në lëvizje dhe ka nisur hetimet për Lulzim Bashën për dekonspirimin e 3.4 milionë eurove të kapura në portin e Durrësit.

Por burime për ‘’Report TV’’ thonë se prokurorët kanë të qartë një pistë sesi ka ardhur informacioni te Basha dhe se pritet që kryedemokrati të merret në pyetje. Po ashtu hetim për Lulzim Bashën ka nisur edhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).

DEKONSPIRIMI/ Pasi foli Basha në Kuvend, shoferi mori urdhër: Ikni nga Bari

Deklarata e Lulzim Bashës në Parlament në 21 qershor, se një automjet “Toyota Yaris” ishte kapur në Gjermani me 1.5 milion euro brenda dhe që po planifikohej të futej në Shqipëri, ka bërë që grupi kriminal, i cili tranportonte 3.4 milionë euro, të ndryshonte drejtim.

Kjo, me sa duket, ka qenë një lëvizje e grupit për t’u shpëtuar kontrolleve të repta të policisë italiane, por edhe për të hutuar policinë shqiptare, e cila tashmë kishte marrë dijeni dhe e priste automjetin bizark në kufirin tokësor.

Agim Çeka tha se makinat i ka ngarkuar në Belgjikë Elvis Vladi dhe se janë nisur për në Ankona, por pronari Edi Lika i ka thënë që të shkojë në portin e Barit. Shoferi i trajlerit ka theksuar se në Durrës i priste Fredi, djali i xhaxhait të Elvis Vladit. Por Alfred dhe Elvis Vladi shumë shpejt kuptuan që as ndryshimi itinerarit nuk mjaftonte për të shpëtuar nga arrestimi.

Balla nxori dje foton: Basha me vëllanë e Alfred Vladit, në kërkim për 3.4 mln euro

Kreu i PD, Lulzim Basha, nga akuzues i Taulant Ballës për ngarkesën e 3.4 milionë eurove është akuzuar nga kreu grupit parlamentar socialist se ka njohje me vëllanë e Alfred Vladit, njërin prej dy personave të shpallur në kërkim. Taulant Balla publikoi dje një foto, ku kryedemokrati ka pozuar brenda ambienteve të zyrës në PD me disa persona, ku në të djathtë të tij, sipas Taulant Ballës, qëndron vëllai i Alfred Vladit.

Nxjerrja e sekretit fut në telashe Lulzim Bashën, Krimet e Rënda nisin hetimet Read More »

FBI zbarkon në Tiranë për financimet ruse, paratë e pista të politikanëve dhe terrorizmin. Takim me Xhafajn, Veliun e Markun, hetime të përbashkëta

Vizita në Shqipëri e zyrtarit më të lartë të FBI që mbulon rajonin e Ballkanit ka kaluar gati në heshtje, duke mos qënë pjesë e kronikave televizive.

Në dukje një vizitë rutinë kjo e atasheut të FBI-së Jack Liao në Tiranë, pavarësisht se ka pasur takim fillimisht me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Atasheu i FBI-së Jack Liao, i cili mbulon Shqipërinë, Maqedoninë e Bullgarinë ka vlerësuar në takimin me Veliun bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet policisë shqiptare dhe FBI.

Njëherësh është vlerësuar nga palët dhe ndihma që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë ky shërbim amerikan, Policisë së Shtetit shqiptar.

Liao ka marrë garancinë e drejtorit Veliu se Policia e Shtetit është e vendosur dhe e angazhuar në luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Njëkohësisht Veliu njohu atasheun e FBI-së me reformën në Policinë e Shtetit dhe ndryshimet strukturore të bëra në funksion të përmbushjes së prioriteteve të luftës kundër krimit.

Kreu i policisë shqiptare i ka kërkuar atasheut të FBI-së që të shihet mundësia e trajnimit të oficerëve të Departamentit të Policisë Kriminale, nga ekspertë të FBI-së.

Qëllimi i këtij trajnimi sipas Veliut është marrja e eksperiencave më të mira në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe çështjeve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, hetimin e transfertave të vlerave monetare, etj.

Atasheu i FBI-së, vlerësoi punën e Policisë së Shtetit si dhe rezultatet e arritura në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” dhe garantoi vijimin e ndihmës për këtë organ ligjzbatues.

Liao shprehu gatishmërinë për të ofruar asistencë në trajnime për Policinë e Shtetit, si dhe të sjellë ekspertë për të asistuar punën e Departamentit të Policisë Kriminale.

Palët u dakordësuan që të forcohet më tej ky bashkëpunim, duke avancuar deri në krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore, kur është e nevojshme, me qëllim rritjen e efikasitetit të luftës ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Kjo është pjesa që i referohet burimit zyrtar nga takimi mes atasheut të FBI për rajonin, Liao dhe kreut të policisë shqiptare Veliu.

Burime brenda takimit saktësojnë se nga ana e palës shqiptare është kërkuar materializimi i shpejtë i këtij bashkëpunmimi dhe ardhja sa më parë e ekspertëve trajnues dhe zbulues të FBI.

Parë nga presioni i SHBA dhe BE për një efikasitet dhe shpejtësi më të madhe në procesin e arrestimit të “peshqve të mëdhenj” të krimit, trafiqeve dhe korrupsionit në Shqipëri, fillimi i punës deri në vjeshtë nga grupet e përbashkëta hetimore, do të ishte zgjidhja ideale.

Njëherësh mësohet se atasheu i FBI ka premtuar se, përpos trajnuesve do të vijnë dhe ekspertë të mirëfilltë të FBI, të shquar për gjurmimin e parave të pista, transfertave të dyshimta brenda dhe jashtë vendit

Mësohet se atasheu i FBI amerikane Liao ka kërkuar që këto grupe ekspertësh të koordinohen dhe me grupin tjetër që ka ardhur në Shqipëri para 6 muajsh, për të krijuar një grup ekspertësh miks amerikanë, shqiptarë dhe britanikë, të stërvitur në punën në grup.

Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i FBI amerikane është shprehur i pakënaqur në lidhje me stopimin e hetimit dhe mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm që përbëjnë prova për transfertat e parave të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në parajsat fiskale.

Mësohet se Liao ka kërkuar me insistim një hetim të thelluar për paratë që politikanët shqiptarë kanë hedhur për lobim në SHBA, duke përmendur në mënyrë rë qartë dhe lobimin e Bashës dhe të Metës me para ruse.

Po gjatë ditës së enjte, atasheu i FBI amerikane Jack Liao, u prit në një takim të veçantë edhe nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në fokus të takimit ishte thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve.

Takimi mes atashehut të FBI Liao dhe ministrit të Brendshëm Xhafaj u bë dhe në vijim të çështjeve të trajtuara në takimin që Xhafaj zhvilloi me drejtues të FBI-se gjatë vizitës së tij në Uashington, në shkurt të këtij viti.

Mësohet se atasheu i FBI amerikane për Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë, Liao pritet të zhvillojë një takim me Prokuroren e Përgjithshme të përkohëshme Arta Marku.

Nuk është bërë publike se çfarë do të diskutohet në këtë takim, por hetimi i dosjeve të mëdha të krimit dhe korrupsionit dhe sidomos ndikimi rus në Shqipëri, lobimi i Bashës me para ruse në SHBA dhe lufta kundër elementëve terroristë do jetë në fokus të takimit./Pamfleti

FBI zbarkon në Tiranë për financimet ruse, paratë e pista të politikanëve dhe terrorizmin. Takim me Xhafajn, Veliun e Markun, hetime të përbashkëta Read More »

“Eliminimi ose burgosja e të korruptuarve”, Spartak Ngjela flet për “furtunën” që nis këtë muaj dhe tregon pse BE e shpëtoi Shqipërinë

Avokati Spartak Ngjela paralajmëroi ditën e djeshme se brenda vitit vendi ynë do të prekë arrestimet në nivele të larta. Sipas tij, me vendimin e marrë nga BE për negociatat, korrupsioni shqiptar do të shfaroset shumë shpejt, ku nuk do të mungojnë edhe prangosjet “VIP”.

Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokati deklaroi se në korrik Bashkimi Evropian do të sjellë ekspertët e tij për të asistuar në procesin e vetingut dhe për të ndihmuar në ngritjen e organeve të reja antikorrupsion, SPAK dhe BKH.

“Në korrik vijnë vetë ata, vjen komisioni i tyre direkt për zbatimin e reformës në drejtësi, krijimin e SPAK, krijimin e BKH, Gjykatën e Posaçme dhe Prokurorinë e Posaçme. Tani këta kanë marrë fund. Evropa anoi nga Shqipëria. Evropa i dha dorë të madhe sidomos politikës amerikane që të ketë aftësi të plota politike për të dominuar problemin e korrupsionit në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por aspekti i dytë i kërkesave është që menjëherë pas këtyre të ndodhë eliminimi ose burgosja e të korruptuarave të mëdhenj”, theksoi kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet që të ngrihen në shtator dhe do të jenë dy organet e reja të drejtësisë që do të jenë kompetentë për të emëruar gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Dy muaj pas ngritjes dhe konstituimit të KLGJ dhe KLP, në vend do të ngrihen edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).

Pikërisht këto dy institucione do të kenë në dorë luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe arrestimet “VIP”. Parashikimet janë që SPAK dhe BKH të ngrihen brenda vjeshtës dhe për këtë arsye edhe avokati Ngjela shprehet se arrestimet e të korruptuarve janë më pranë se kurrë.

Tentativat e kota të opozitës

Spartak Ngjela komentoi edhe tentativat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të hedhur në erë reformën në drejtësi dhe për të bërë jofunksionale KLP dhe KLGJ. Ditët e fundit, opozitarët, si Luan Rama kanë kërkuar që të largohet kryeprokurorja Arta Marku, të shkrihen komisionet e vetingut dhe të rishihen edhe një herë ligjet e paketës së reformës në drejtësi, duke tentuar kështu që çdo gjë që është bërë deri tani ta hedhin poshtë dhe të nisë nga e para. Mirëpo për avokatin Ngjela, një gjë e tillë është e pamundur. Ai renditi dy arsye: e para, opozitës i mungojnë votat për ta bërë një gjë të tillë dhe e dyta, BE kërkon vijimin e reformës në drejtësi.

“Reformën në drejtësi nuk e hedh dot në erë sepse e para nuk ka mazhorancën. E dyta, nuk mund të bëjë dot gjë sepse është në kërkesat ekspicide të hapjes së negociatave. Evropa dje dhe sot iu kërkoi si gjë kryesore vetingun, SPAK dhe Byronë e Hetimit. Kjo tani këta i ka shqetësuar dhe duan të bëjnë mbi udhën nën udhë. Por e kanë kot. Nuk çan njeri kokë për ta sepse nuk kanë mazhorancë në Parlament. Atëherë pyetja bëhet: po Rama a i do këta? Mos bashkohet Rama me ta? I do, nuk i do, ai duhet të ndjekë rrugën që të shpëtojë gjithçka për vete. Është shumë e rreptë kjo që ka ndodhur me BE. Është përkrahja më e madhe që i dha Perëndimi Shqipërisë”, u shpreh avokati.

Ngjela theksoi më tej se me vendimin e BE për negociatat, Shqipëria ka shpëtuar. “Që nga momentet e aneksimit të territoreve shqiptare drejt sllavëve dhe grekëve, është qëndrimi më i madh shqiptar dhe shumë mirë që e thyen edhe politikën franceze, e cila pranoi konsensusin e zgjerimit dhe të pranoheshin këto si kushte. Shqipëria ka shpëtuar”, tha Spartak Ngjela.

“Eliminimi ose burgosja e të korruptuarve”, Spartak Ngjela flet për “furtunën” që nis këtë muaj dhe tregon pse BE e shpëtoi Shqipërinë Read More »

Ultimatumi i BE për hapjen e negociatave, gati ngritja e KLGJ dhe KLP. Përshpejtohen seancat dëgjimore me gjyqtarët dhe Prokurorët

Ministrat e Jashtëm të BE-së morën vendim që vitin e ardhshëm Shqipërisë t’i happen negociatat me qëllim që të bëhet progress në reformën kyçe; Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vettingut. Kjo ka bërë që komisioni të zhvillojë 4-5 seanca dëgjimore në javë. Gjatë gjithë kësaj jave do të zhvillohen 4 seanca; kun ë fillim do të dal gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj, më pas do të jetë Prokurorja Arta Marku, Luan Kaloçi dhe senaca dëgjimore do të mbyllet me gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Alma Brati.

Sipas ”SOT” nëse vijohet me këto ritme seancat dëgjimore përfundojnë nga mesi i korrikut dhe në shtator pritet të ngrihen edhe 2 organet më të rëndësishme, KLGJ dhe KLP për t’i hapur më pas rrugën SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat mund të ngrihen 2 muaj, pasi këto 2 të parat të jenë gati.

Nga ana e saj opozita është shprehur se do të bëhet pengesë për funksionimin e KLGJ dhe KLP, por kjo nuk e pengon ngritjen e SPAK dhe BKH, pasi kërkohet vetëm përmbushja e aftatit ligjor.

Seanca për Artan Lazajn

Seanca më e fundit dëgjimore ishte dje, ku përballë trupës gjykuese doli gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj. Por ndryshe nga herët e tjera, trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici nuk mori dot një vendim për gjyqtarin Lazaj nëse ky i fundit do të shkarkohej nga sistemi i drejtësisë apo do të rikonfirmohej në detyrë.

“Pengesë” për vendimin u bë avokati mbrojtës i Artan Lazajt, Sokol Hazizaj i cili kundërshtoi verifikimin e bërë nga komisioni i vetingut duke u bazuar vetëm tek kriteri i pasurisë. Sipas tij, një gjë e tillë është e paligjshme sepse janë 3 kritere të cilat duhet të rivlerësohen. “Vlerësimi në ligj është tredimensional, ndërsa në këtë rast vjen vetëm në një dimension.

Por kjo vjen në kundërshtim flagrant me të drejtën për tu vlerësuar në 3 kritere dhe është në kundërshtim me detyrimin që ka KPK që ta bëjë vlerësimin tredimensional”, tha Hazizaj. Trupa gjykuese u tërhoq për të vendosur nëse do ta pranonte kërkesën e avokatit për të bërë hetim tredimensional. Në fund ajo vendosi që ta rrëzonte, por një gjë e tillë u kundërshtua sërish nga Hazizaj.

“Konstatoj që vendimi juaj është totalisht i njëanshëm dhe për këtë arsye kërkoj përjashtimin e trupës gjykuese nga shqyrtimi i kësaj çështjeje”. Në fund, trupa gjykuese vendosi të tërhiqej nga shqyrtimi i kësaj çështjeje, ashtu siç avokati kërkoi, duke e shtyrë kështu seancën dëgjimore për ditën e hënë në orën 14:00./Mimoza IBRA

Ultimatumi i BE për hapjen e negociatave, gati ngritja e KLGJ dhe KLP. Përshpejtohen seancat dëgjimore me gjyqtarët dhe Prokurorët Read More »

Rama ka gati emrat e ministrave “kurbanë” pas dështimit të negociatave. Ja kur pritet t’i zyrtarizojë

Duket se ndryshimet në qeveri për Edi Ramën do të jenë të pashmangshme. Një gjë të tillë, Kryeministri e lajmëroi në muajin prill ku tha se shtatori do të sjell ndryshime në qeveri. Para se të mblidhej seanca plenare e ditës së djeshme, Edi Rama mblodhi të gjithë deputetët ku i dha atyre edhe disa porosi.

Siaps gazetës ‘’SOT’’, Kryeministri ka qenë i prerë, ku u ka thënë atyre se qeveria të ndez motored për të përmbushur detyrimet. Po ashtu thuhet se Rama nuk ka patur asnjë dilemë duke thënë se disa emra do të duhet të ikin dhe të emërohen persona të tjerë që mund të japin një kontribut akoma dhe më të madh.

Ashtu si një ditë më parë, kryeministri ka bërë të ditur se emrat që do kinin dhe ata që do të vijnë do i prezantojë në mbledhjen e Asamblesë, e cila do mbahet së shpejti. Po në mbledhjen e djeshme, shefi i qeverisë ka informuar deputetët se turi i bashkëqeverisjes është mbyllur dhe tani puna është drejt hartimit të raporteve përfundimtare.

Reformat e qeverisë

Bashkimi Europian vuri një sërë detyrash shtëpie për Shqipërinë me qëllim që në qershor 2019 të hapen negociatat. Në takimin e Ramës dje me deputetët, janë dhënë sinjale se qeveria tashmë do ndërmarrë një aksion për të përmbushur të gjitha këto detyra. Reformat do nisin nga qeveria, ku disa emra do të duhet të largohen. Gazeta e paralajmëroi që kohë më parë se vendimi për negociatat do sillte furtunë në qeveri. Sinjalet janë se më të rrezikuar janë ata ministra që janë emëruar prej vitit 2013, apo ata që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me reformat e kërkuara nga BE.

Po ashtu, mazhoranca do nisë një proces të fortë monitorimi dhe nxitjeje që të ecë vetingu dhe të ngrihen organet e reja të drejtësisë. Kuvendi shumë shpejt do ngrejë një komision të posaçëm, që do të merret pikërisht me mbikëqyrjen e reformës në drejtësi. Nga ana tjetër qeveria pak javë më parë ka miratuar një strategji antikorrupsion dy-vjeçare dhe ajo tashmë do nisë zbatimin.

Të gjitha institucionet do bashkëpunojnë për të nisur luftën frontale ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj e paralajmëroi dje nga Parlamenti diçka të tillë. Ai tha se SPAK dhe Byroja e Hetimit shumë shpejt do jenë gati dhe kjo ka trembur shumë politikanë.

Rama ka gati emrat e ministrave “kurbanë” pas dështimit të negociatave. Ja kur pritet t’i zyrtarizojë Read More »