Aktualitet

Zhvarrimi në SHBA, Mid’hat Frashëri do të prehet në Shqipëri

Eshtrat e një prej personaliteteve më të shquara kombëtare, Mid’hat Frashëri do të prehen brenda pak muajsh në Shqipëri. Në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur që eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqiptare të zhvarrosen në Shtetet e Bashkuara dhe të kthehen në atdhe.

Ai vdiq nga një sulm në zemër në Lexington Hotel në Lexington Avenue në Nju Jork dhe është varrosur në Varrezat Ferncliff në Nju Jork në vitin 1949.

Sipas vendimit, ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, “e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.

Do të jetë Ministria e Jashtme, nëpërmjet misionit të saj diplomatik të Shqipërisë në SHBA, që do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e tij.

“Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 ‘Mbështetje diplomatike jashtë shtetit’, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.

Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”, thuhet në vendim.

Zhvarrimi në SHBA, Mid’hat Frashëri do të prehet në Shqipëri Read More »

Vetingu, konfirmohet në detyrë gjyqtari Dritan Hallunaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj.

Sot Komisionit i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për gjyqtarin Hallunaj, për të cilin gjatë seancës dëgjimore (pak ditë më parë) u vunë në dukje disa problematika në deklarimin e pasurisë, lidhur me veturën e tij.  Komisioni u ndal gjatë në shtyllën e aftësive profesionale pasi ndaj gjykatësit ishte bërë një ankesë në 2015, por gjithsesi në asnjë rast nuk evidentohen shkelje të kryera nga gjykatësi Hallunaj.

Pasi dëgjoi konkluzionet e hetimeve, Hallunaj kërkoi konfirmimin në detyrë, ndërsa sqaroi dhe dyshimet që ngriti trupa e KPK-së.

Të mërkurën në mëngjes, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Hallunaj.

Po sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë vendimin për gjyqtarin pranë Gjykatës Administrative Shkalla e Parë Tiranë, Gentian Medja dhe për prokurorin pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besnik Muçi. /atsh

Vetingu, konfirmohet në detyrë gjyqtari Dritan Hallunaj Read More »

Gjyqtarja Brunilda Kadiu kalon vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Brunilda Kadi, teksa vendosi transferimin e një ndër vendimeve të gjyqtares në KLD për të vlerësuar nëse ka shkelje disiplinore

Trupi gjykuese përbëhej nga Lulzim Hamitaj kryesues,  Roland Ilia relator, Fildes Shuli anëtare

Bazuar në raportimin e ILDKPI, KPK ka komunikuar se gjyqtarja Kadiu nuk ka rezultuar të ketë pasuri të fshehura dhe se burimet e saj financiare janë të ligjshme.

“ILDKPI ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi është i saktë, ka burime financiare të ligjshme, nuk ka kryer fshehje pasurie. Gjyqtarja ka deklaruar këto pasuri: Apartament 124 m2 në Lanabregas, në pronësi me bashkëshortin, i marrë me kredi. Benz i blerë në 2008-ën, po në bashkëpronësi me bashkëshortin, me vlerë 700 mijë lekë. Ka patur të ardhura te mjaftueshme për blerjen e kësaj makine, si dhe një makinë tjetër tip Toyota”, deklaroi KPK rreth pasurisë së gjykatëses Brunilda Kadiu. /atsh

Gjyqtarja Brunilda Kadiu kalon vetingun Read More »

Veliaj: Do transformojmë Piramidën e Tiranës në një qendër alternative arsimi

Tirana mikpriti seminarin mbarëkombëtar “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë”, ku marrin pjesë rreth 165 mësues. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi u uroi mirëseardhjen, i njohu ata me disa nga nismat e marra nga bashkia e Tiranës për të rinjtë dhe për edukimin e tyre.

Veliaj theksoi se është momenti që të lihen pas debatet dhe fokusi të vendoset për të çuar përpara vendin.

“Pyetja është sot, jemi ne akoma personazhe të Konicës dhe Eqerem bej Vlorës apo raca jonë evolon në 100 vjet? Po sot, me kë po zihemi sot, me kë po hamë inat sot, me kë kemi konflikt sot? Pse po rrisim ne një brez me helm, me toksina, shaj këtë, shaj atë, duke harruar që mbi të gjitha jemi shqiptarë, kemi një vend. Kjo është diferenca. Ndaj edhe besoj që në këtë mision për ta çuar përpara vendin tonë, ne pamë në Tiranë në këto tre vite me dashuri janë bërë punë që nuk i imagjinonim dot kurrë. Ne shqiptarët jemi po të njëjtët që zihemi 10 vjet për një shesh dhe jemi po të njëjtët që e bëmë për 10 muaj kur vendosim të punojmë. Ne jemi po të njëjtët që mund të bëjmë debate e lagu, s’e lagu, ama kur e ndajmë mendjen të punojmë, ne mund të bëjmë mrekulli. Ndaj edhe unë besoj shumë që këtë frymë dhe këtë definicion të ri, të çfarë domethënë me qenë shqiptar në vitin 2018 të kemi mundësi ta përkthejmë”, – deklaroi Veliaj.

Teksa renditi disa nga investimet e bashkisë së Tiranës si rehabilitimi dhe ndërtimi i shkollave, krijimi i shkollave komunitare etj., Veliaj prezantoi edhe nismën më të re, atë të transformimit të Piramidës së Tiranës në një qendër alternative arsimi me fokus teknologjinë.

“Një nga gjërat që do të bëjmë dhe nuk e di nëse një nga kolegët e bashkisë do të ketë kohë që ta shpjegojë më vonë në një nga workshop-et, është transformimi i Piramidës së Tiranës në një qendër alternative arsimi. Në thelb Piramida do të jetë një pallat i madh pionierësh, por për këto gjuhë të reja që shqiptaria duhet t’i mësojë sot, inteligjenca artificiale, robotika, informatika, kodimi, design, animacioni. Gjuhë që sot fëmijët e botës po i mësojnë njëkohësisht me gjuhën e nënës. Unë besoj se nëse ne i targetojmë këto hendeqe si kulturore, po si edhe të aftësimit, ne mund të bëjmë realisht mrekulli si në Shqipëri dhe në Kosovë”, – tha Veliaj. /atsh

Veliaj: Do transformojmë Piramidën e Tiranës në një qendër alternative arsimi Read More »

Hapja e negociatave, Rama: Rekomandim pozitiv nga KE, punë intensive këto 12 muaj

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për emisionin “Përballë” në Televizionin Publik Shqiptar theksoi se hapja e procesit të skanimit është një arritje e madhe, pasi sipas tij edhe nëse negociatat do të ishin hapur, procesi i “Screening” do të bëhej.

“Së pari, besoj që njerëzit e kanë kuptuar sepse nuk ka qenë e vështirë për t’u kuptuar që procesi ka dy nivele. Ka një nivel të objektivitetit teknik, që është procesi që shkon në komision dhe që përfundon me raportin e komisionit dhe ka edhe një nivel tjetër të subjektivitetit politik, që është procesi që shkon nga Komisioni në Këshill, ku janë vendet anëtare që vijnë aty me gjithë bagazhin e problematikave të veta të brendshme. Dhe e vërteta është që vendet anëtare u ndanë në 25 vende që ishin për hapje të menjëhershme të negociatave dhe pastaj në vendet që ishin për një shtyrje. Por ajo që është e rëndësishme është që pavarësisht se negociatat nuk u hapën menjëherë formalisht, u hap procesi i skanimit, që ishte një kompromis i artë sa na takon, sepse faktikisht edhe nëse negociatat do të ishin hapur formalisht, ne do të bënim skanimin”, – theksoi Kryeministri.

Kryeministri u shpreh i bindur se pas 12 muajsh pune intensive në përmbushjen e objektivave të vendosura nga Brukseli, Komisioni Europian do të japë rekomandim pozitiv për Shqipërinë.

“Kjo është një mënyrë që përdoret për herë të parë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, nuk është përdorur për të tjerët. Mos të harrojmë që Mali i Zi e ka marrë hapjen formale të negociatave dhe më pas i janë dashur 6 muaj për t’i hapur ato de facto. Serbia e ka marrë hapjen formale dhe i janë dashur më shumë se një vit për t’i hapur ato de facto, sepse procesi i skanimit është një proces goxha kompleks. Ne kemi 12 muaj që i kemi fituar dhe nuk i kemi humbur dhe çka do të ndodhë në qershor do të jetë përsëri një rezultat i asaj që ne do të kemi bërë dhe patjetër, nuk e diskutoj fare, që do të jetë me rekomandim pozitiv nga Komisioni dhe asaj që do të jetë situata brenda vendeve anëtare. Megjithatë duke patur parasysh që do të jemi në momentin, kur do të kemi të njëjtin Komision dhe vendet anëtare do të kenë kaluar zgjedhjet për në Parlamentin Europian, që ishin arsyeja kryesore e rezervës së Francës, në radhë të parë, nuk kemi arsye pse të dyshojmë seriozisht në një rezultat pozitiv”, – u shpreh Rama.

I pyetur për vendet skeptike si Danimarka, Franca dhe Holanda, nëse nuk do të jenë më të tilla pas 12 muajsh, Kryeministri theksoi se nga kompromisi i arritur mbeti i kënaqur, pasi sipas tij procesi nuk është një provim për të marrë një certifikatë se kalove klasën në Bruksel apo Europë, por një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar Shqipërinë europiane.

“Qoftë Franca, qoftë Holanda, sepse Danimarka ishte si të thuash një vend që u shfaq në krah të tyre vetëm në momentet e fundit, nuk është se e kishin me Shqipërinë. Ishin në një pozicion që ishte vijimësi e natyrshme e pozicionit të tyre në raport me Europën dhe në kontekstin e brendshëm si pozicion më i përshtatshëm. Procesi nuk është një provim për të marrë një certifikatë se kalove klasën në Bruksel apo në Europë, procesi është një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar këtu Shqipërinë europiane dhe në këtë aspekt, procesi nuk ka ndalim, procesi ka vazhduar me skanimin që, siç e thashë, është faza që pason çeljen formale të negociatave dhe kjo më ka bërë, na ka bërë, që të jemi të kënaqur me rezultatin”, – theksoi Kryeministri.

Duke u ndalur te plotësimi i prioriteteve të vendosura nga BE si, lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike, reforma zgjedhore si dhe reforma në drejtësi Kryeministri Rama theksoi se përmbushja e këtyre objektivave janë prioritet i qeverisë shqiptare.

“E para, të kemi të qartë se këto fraza do të na shoqërojnë deri kur të bëhemi anëtarë, madje këto fraza janë fraza që po shoqërojnë jetën politike të Rumanisë apo të Bullgarisë edhe sot që janë anëtarë, të jemi të qartë.

E dyta, nga pikëpamja e objektivave konkretë që ka brenda në ato fraza, ne sigurisht që do t’i bëjmë, sepse janë gjëra që do t’i bënim si me negociata, si pa negociata. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë është detyrim i një procesi që ka filluar dhe që po ecën sipas parashikimeve. Thellimi i luftës ndaj korrupsionit është një proces që ka filluar dhe po ecën sipas parashikimeve, se këtu flasim për luftë ndaj korrupsionit dhe flasim për peshq të mëdhenj, po a ka diskutim që gjithë këto gjykatës dhe prokurorë që po shfaqen si “peshkaqenë” në të gjithë dimensionet e veta duke u përzënë nga pallati i drejtësisë janë pjesë e një lufte të përshkallëzuar kundër korrupsionit? Nuk mund të ketë diskutim. Sigurisht që këta kanë qenë figura në një pushtet në hije, edhe pse hija ka qenë shumë e rëndë në shpatullat e gjithkujt që ka patur punë me gjykatat, por nga pikëpamja e influencës së këtij pushteti, nga pikëpamja e korrupsionit të këtij pushteti, ky është pushteti më i korruptuar në Shqipëri. Nuk diskutohet fare. Kështu që është një proces që është kompleks”, përfundoi Kryeministri Rama.//atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156000692216523/?t=0

Hapja e negociatave, Rama: Rekomandim pozitiv nga KE, punë intensive këto 12 muaj Read More »

Vetingu, opozita merr në mbrojtje njerëz të pambrojtshëm

Duke u ndalur tek akuzat e opozitës kundër këtij procesi, Kryeministri theksoi se këta të fundit kanë marrë në mbrojtje njerëz të cilët janë pastruar nga “sita” e Vetingut, duke sulmuar ata të cilët e kanë kaluar atë.

“Jo, opozita këtë po thotë çdo ditë, po bëhet keq pastrimi. Opozita ka marrë në mbrojtje njerëz të pambrojtshëm, pse janë pastruar nga fshesa e Vetingut dhe ka sulmuar të tjerë pse e kanë kaluar filtrin e Vetingut. Unë besoj që njerëzit në përgjithësi, dhe partitë politike në veçanti, nuk maten thjesht me atë që thonë, por maten me atë që bëjnë. Opozita i thotë këto, por bën tjetër gjë pastaj. Pasi i thotë këto: bën fletërrufetë kundër atyre që kalojnë filtrin dhe merr në mbrojtje ata që janë të pambrojtshëm. Besoj që asnjë nga temat që kemi sot nuk është më e rëndësishme se tema e pastrimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ristartimit të saj me duar të pastra. Kjo është kryesorja dhe për asnjë nga ato temat e tjera unë nuk do dilja kundër Vetingut dhe për asnjë nga ato temat e tjera unë nuk do të çoja shtatë pika për të kthyer mbrapsht reformën në drejtësi”, – u shpreh kreu i ekzekutivit./atsh

Vetingu, opozita merr në mbrojtje njerëz të pambrojtshëm Read More »

Vetting-u po pastron rrënjësisht Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë

“Po pastrohen rrënjësisht Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, dy gjykatat e sipërme të Shqipërisë dhe nuk mund të kishte në të njëjtën kohë edhe pastrim, edhe ndërtim. Ndërtimi është në proces”.

Kështu u shpreh Kryeministri Rama në intervistën e tij në emisionin “Përballë”, duke theksuar se këto dy gjykata pas reformimit të tyre, në kontingjent do të kenë njerëz të pastër dhe të pa inkriminuar.

“Unë kam folur lidhur me faktin që ka një kuje të përgjithshme që kemi mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, sepse jemi në operacion. Po zhvillohet një operacion. Po pastrohen rrënjësisht Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, dy gjykatat e sipërme të Shqipërisë dhe nuk mund të kishte në të njëjtën kohë edhe pastrim, edhe ndërtim. Ndërtimi është në proces. Meqë folëm për ndërtimin e Teatrit, po pastrohet sheshi i ndërtimit dhe do të ndërtohet Gjykata e re Kushtetuese dhe Gjykata e re e Lartë e pastër, me njerëz të pa inkriminuar dhe të pa zhytur në llumin e korrupsionit, si ata që tanimë janë përzënë nga pallati i Drejtësisë. Për çfarë dileme flasim? Më mirë një Gjykatë Kushtetuese dhe një Gjykatë e Lartë mbushur me llum, apo një periudhë tranzicioni për pastrimin dhe një ristart i këtyre dy gjykatave të sipërme me njerëz që e kanë kaluar skanerin e imët të Vetingut?” – theksoi Kryeministri./atsh

Vetting-u po pastron rrënjësisht Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë Read More »

Platforma e bashkëqeverisjes, rriti vëmendjen dhe shërbimet e administratës ndaj qytetarëve

Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë një interviste televizive se platforma “shqiperiaqeduam.al”, është një novacion që ka rritur vëmendjen dhe shërbimet e administratës ndaj qytetarëve.

I pyetur nëse “shqiperiaqeduam.al” është ilaçi, është fluidi që nxjerr dobësinë e institucioneve, apo është mekanizmi që zgjidh të gjitha shqetësimet?

Kryeministri Rama tha se, “shqiperiaqeduam.al” është as më shumë e as më pak, por shfrytëzimi i teknologjisë, është një novacion për t’i transformuar zyrat e marrëdhënieve me publikun që kanë ekzistuar historikisht nga paradhoma zvarritjesh dhe lodhjesh të kota në një instrument real në xhepin e çdo qytetari, që ka një smartphone apo për çdo qytetar që shkon te njësia administrative, apo tek posta, apo ku e di unë dhe në kompjuter akseson në mënyrë të drejtpërdrejtë ministrin përkatës.

Pra, theksoi Rama, ky portal është thjesht dhe vetëm vendosja e një ure komunikimi të drejtpërdrejtë, pa vonesa, pa filtra, pa ngatërresa, pa kushurinj, pa sekserë, pa parti mes teje si qytetar dhe mes meje si ministër, apo kryeministër dhe çfarë bën kjo për administratën.

“Kjo bën atë që duhet të bënte çdo letër që historikisht qindra-mijëra njerëz kanë çuar në një institucion, çdo trokitje që qindra-mijëra njerëz kanë bërë në një institucion, duhet të vinte në lëvizje, vë në lëvizje ministrin dhe fillon menjëherë një procedurë që është procedurë zyrtare institucionale për të verifikuar ankesën. Dhe në momentin kur ankesa verifikohet e drejtë, qytetari merr drejtësi dhe nga ana tjetër krijohet mundësia që kalbëzimi i administratës, i trashëguar, të luftohet konkretisht me emra konkretë”, – tha Kryeministri.

Ndërsa shtoi se, kështu rrisim shumë dhe kemi rritur shumë vëmendjen e administratës ndaj qytetarëve, shërbimeve ndaj qytetarëve, sepse gjithmonë e më shumë nëpunësit po e kuptojnë që nëse më vjen kushdo qoftë dhe unë nuk i jap atë që i takon, mund të më marrë në qafë, pavarësisht se është një zonjë e moshuar, që duket si njeri pa njeri.

“I thotë nipit ‘ço ankesën’ dhe ngrihet ministri apo ministrja në këmbë dhe merret me mua dhe nga ana tjetër bën të mundur, që edhe aty të ndahet si tek Vetingu ai që duhet të rrijë dhe ai që duhet të ikë. Pra, është një proces shumë pozitiv dhe është real dhe është fatkeqësi e madhe të shikosh çdo javë që unë i shoh rezultatet, ajo që thoni ju, e marrin për 10 ditë atë që nuk kanë marrë për 10 vjet. Tani nëse e merr për 10 ditë atë që nuk ke marrë për 10 vjet, dikush ka një përgjegjësi dhe këtë bën platforma, nxjerr përgjegjësit. Kush e ka dosjen, kush është përgjegjës për atë dosje dhe ai përgjegjës merr masën sipas rastit”, – tha Kryeministri.

Rama deklaroi se, asnjëherë nuk do të mbyllet platforma, sepse platforma është edhe një herë aq sa mbyllen zyrat e shtetit. Ke dëgjuar ndonjëherë të mbyllen zyrat e shtetit, zyrat e marrëdhënieve me publikun?

Kryeministri nënvizoi se gjithmonë do të ketë nevojë për një komunikim, se çfarë natyre do të kenë problemet, sigurisht që do të kenë natyrë tjetër, do të kenë proporcione të tjera, por gjithmonë do të ketë nevojë, sepse është zyra e marrëdhënieve me publikun në xhepin e qytetarit.

“Ne kemi patur deri më tani tri vizita nga qeveri të tjera për këtë platformë. Një qeveri është qeveri e një vendi anëtar të BE-së, sepse janë të interesuar për të parë si funksionon. Merr gjithë zyrat që ka Shqipëria, futi në një zyrë dhe jepi qytetarëve një adresë për çdo problem që kanë me shërbimet dhe një rrjet i tërë njerëzish prapa ekranit merret drejtpërdrejt, siç do të duhet të merreshin. Kryeministria ka patur historikisht zyrën e marrëdhënieve me publikun. Vinin letra këtu me mijëra, me mijëra, me qindra-mijëra letra. Njëzet e ca vjet e merrte letrën e çonte te ministria, ministria kthente përgjigjen shabllon, qytetari për çfarë erdhe në kryeministri. Ndërkohë që platforma krijon akses të drejtpërdrejtë, sepse për çdo ankesë”, – deklaroi Rama.

Platforma është miku që ti e ke në xhep për të shkuar te ministri, qofsh në qytet, qofsh në fshat, qofsh njeri me emër, qofsh bari me lopë ose me dele”, – u shpreh Kryeministri Rama.atsh

Platforma e bashkëqeverisjes, rriti vëmendjen dhe shërbimet e administratës ndaj qytetarëve Read More »