Aktualitet

Nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, për herë të parë sot merr kthesë një problem i madh

Kryeqyteti i vendit, Tirana po nis një erë të re në shfrytëzimin e energjisë së pastër. Pas tarracave të gjelbra në disa prej institucioneve publike, në kryeqytet ka nisur zbatimi i projektit për tarracat me panele fotovoltaike, të cilat jo vetëm që prodhojnë energji të pastër, por njëkohësisht ulin edhe kostot.

Krybashkiaku Erion Veliaj inspektoi impiantin e parë për prodhimin e energjisë elektrike me panele fotovoltaike në godinën e Zyrave Qendrore të Bankës ProCredit, i projektuar dhe zbatuar nga kompania EuroElektra.

“Kjo është diçka e re në Tiranë. A mundet një tarracë të ndryshojë klimën e Tiranës? Absolutisht jo, por ama, ky investim është baraz me 350 pemë të mbjella dhe kursen 15 ton dioksid karboni. Imagjinoni çfarë klime do të kishte Tirana sikur secila nga 5000 tarracat e Tiranës të shtonte 300 e ca pemë dhe të kursente 15 ton dioksid karboni në ajër”, tha Veliaj.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës po konsideron mundësinë e zbatimit të projektit të impianteve të paneleve diellore dhe në shumë prej tarracave apo hapësirat publike për të përfituar energji të pastër. “Sot kemi një dallëndyshe të parë të diçkaje që mund të kthehet në një revolucion për Tiranën. Jemi duke konsideruar se si edhe në zona të tjera të qytetit, edhe Bashkia të përfshihet aktivisht, qoftë me sheshin “Skënderbej”, me disa nga tarracat publike, ashtu siç kemi bërë me tarracën e gjelbër të Bashkisë, qoftë me liqenin e Bovillës, për të zbatuar edhe aty ato që quhen panele lundruese; pra, duke përdorur tarracat, hapësirat ujore, siç janë liqenet, të cilat janë vende ideale ku mund të marrim energji të pastër, pa zënë më shumë hapësirë në territor”, tha Veliaj.

Duke e cilësuar si mënyrën më të mirë për të siguruar energji, kryebashkiaku Veliaj bëri thirrje që ky shembull të ndiqet jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga bizneset dhe familjarët. “Mezi pres që ashtu si shumë qytetarë apo institucione kopjuan bashkinë me tarracat e gjelbra, ashtu të kopjojnë bankën, për të pasur tarracat solare. Sot kostot kanë rënë, ndaj si për institucionet, si për bizneset, edhe për familjarët, është mënyra më e mirë për të siguruar një pjesë të madhe të energjisë nga ajo diellore”, tha Veliaj./korrieri

Nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, për herë të parë sot merr kthesë një problem i madh Read More »

Raporti 10 mujor i “shqiperiaqeduam.al”, Rama: U zgjidhën mbi 13 mijë probleme

Në vetëm 10 muaj që nga nisja e funksionimit të platformës “shqiperiaqeduam.al”, 9.454 qytetarë janë bërë përdorues të portalit të bashkëqeverisjes, ndërsa 13,694 probleme të qytetarëve kanë marrë zgjidhje.

Kryeministri i vendit, Edi Rama përmes një raporti 10 mujor lidhur me ecurinë e kësaj platforme ka ndarë shifra duke e konsideruar platformën, efikase dhe dëshmi e rrugës më të shpejtë, për të marrë zgjidhje problemet e njerëzve.

Rama u ka bërë apel qytetarëve për të mos humbur kohë por të raportojnë çdo problematikë që qytetarët kanë, pasi kjo sipas tij, është mënyra sesi njerëzit e zakonshëm të marrin në kohë e me cilësi, shërbimin që meritojnë.

“Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që Duam. 9.454 qytetarë pa dallim moshe, gjinie, statusi social, bindjeje e përkatësie politike, numërohen sot, 10 muaj nga ndezja e platformës, si përdorues e kontribuues të koalicionit tonë bashkëqeverisës për Shqipërinë që Duam.

Me vetëm një mesazh, në adresën “shqiperiaqeduam.al” qytetari ka në dispozicion të drejtpërdrejtë qeverinë, përmes ministrit përkatës që adreson menjëherë rrugën e trajtimit të përmbajtjes së mesazhit të qytetarit. Zgjidhja përmes kësaj platforme, në vetëm 10 muaj, e 13,694 halleve e problemeve konkrete të njerëzve konkretë të këtij vendi, është një afirmim kuptimplotë i këtij mekanizmi inovativ që fuqizon qytetarin. Vendos qeverinë gjithnjë e menjëherë në krah të tij. Garanton ndërveprimin e suksesshëm mes tyre në të mirë të çdo qytetari dhe identifikimin e punonjësve që duhet të mbajnë përgjegjësi për mosdhënien e shërbimeve të duhura për qytetarët”, theksoi Kryeministri.

Në statusin e tij kreu i ekzekutivit, Rama theksoi se platforma “shqiperiaqeduam.al” është rruga më e shpejtë për të zgjidhur hallet dhe problemet që has qytetari me administratën.

“Nuk ka më asnjë dyshim!

Platforma “shqiperiaqeduam.al” është rruga jonë e re, e shkurtër dhe e shpejtë, për të zgjidhur së bashku hallet e problemet tuaja me administratën. Po ashtu, “shqiperiaqeduam.al” është edhe fuqia jonë e përbashkët kundër parazitizmit e korrupsionit në zyrat e shërbimeve të shtetit për qytetarin. Mos ngurroni dhe as mos humbni kohë! Zgjidhni “shqiperiaqeduam.al” për të zgjidhur hallin a problematikën Tuaj, duke e përcjellë fjalën Tuaj drejt e në qeveri dhe kësisoj ndikoni edhe që, hap pas hapi, në çdo zyrë të shtetit tonë njerëzit e zakonshëm të marrin në kohë e me cilësi, shërbimin që meritojnë”, -shkruan Rama.//atsh

Raporti 10 mujor i “shqiperiaqeduam.al”, Rama: U zgjidhën mbi 13 mijë probleme Read More »

Ministria e Drejtësisë zgjidhi 4681 ankesa të qytetarëve në 10 muaj

Drejtësia është sektori ku qytetarët shqiptarë kanë drejtuar më tepër ankesa në këto 10 muaj jetë të platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Ministria e Drejtësisë i ka dhënë zgjidhje 4681 ankesave, më tepër ankesa se çdo institucion tjetër në këto 10 muaj.

Kryeministri Rama ka publikuar raportin 10 mujor të rezultateve të platformës së bashkëqeverisjes, ku pas Ministrisë së Drejtësisë, vjen Kryeministria me 2701 raste ankesash të zgjidhura.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonominë janë dy dikasteret e tjera, të cilat kanë zgjidhur përkatësisht 1368 dhe 1317 raste ankesash.

Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës janë zgjidhur 1202 ankesa, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zgjidhur 836 ankesa, Ministria e Brendshme ka zgjidhur 605 ankesa, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka zgjidhur 322 ankesa, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka zgjidhur 187 ankesa, Ministria e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sipërmarrjen ka zgjidhur 176 ankesa, Ministria e Mbrojtjes ka zgjidhur 159 ankesa, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka zgjidhur 106 raste ankesash, Ministria e Kulturës ka zgjidhur 54 ankesa dhe Ministria e Shtetit për Diasporën ka zgjidhur 18 raste./atsh

Ministria e Drejtësisë zgjidhi 4681 ankesa të qytetarëve në 10 muaj Read More »

Zyrë informacioni për turistët që dëshirojnë të vizitojnë fshatrat turistikë në jug/Foto

Të gjithë turistët që kanë zgjedhur jugun e Shqipërisë për pushime dhe dëshirojnë të eksplorojnë fshatrat turistikë tashmë kanë një zyrë informacioni ku mund të informohen.

Turistët që dëshirojnë të vizitojnë fshatrat turistikë të Pilurit, Kallaratin, Lukovën, Kucin, Fterrën, Vranishtin, Iliasin, Dhërmiun, Corrajn, Kudhësin, Qeparonë, Himarën, Borshin apo Vunonë mund të gjejnë informacion pranë Zyrës së Informacionit Turistik të ngritur me mbështetjen e GIZ në Himarë.

Atje turistët mund të gjejnë informacione mbi atraksionet turistike, historinë, kulturën, traditën, kulinarinë, monumentet e natyrës, arkitekturën karakteristike etj./atsh

Zyrë informacioni për turistët që dëshirojnë të vizitojnë fshatrat turistikë në jug/Foto Read More »

420 masa ndëshkimore ndaj zyrtarëve që nuk ju përgjigjën qytetarëve

420 masa ndëshkimore janë dhënë këto 10 muaj për zyrtarët e identifikuar nga hetimi administrativ si përgjegjës për mospërgjigjen në kohë ndaj qytetarëve.

Drejtësia është sektori ku ka pasur më shumë masa ndëshkimore, plot 239 të tilla, e ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës me 49 masa ndëshkimore.

Më pas vijnë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit me 39 zyrtarë me masa ndëshkimore secila.

30 masa ndëshkimore janë dhënë edhe për zyrtarë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e ndjekur nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë me 18 masa ndëshkimore.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka pasur 8 zyrtarë me masa ndëshkimore, Ministria e Mbrojtjes 3 zyrtarë me masa ndëshkimore dhe Ministria e Brendshme vetëm 1 zyrtar./atsh

420 masa ndëshkimore ndaj zyrtarëve që nuk ju përgjigjën qytetarëve Read More »

Mbi 300 mijë turistë në Tiranë, shtohen vizitorët disa ditorë

Nga janari në Shqipëri kanë ardhur më shumë se 1.4 milionë të huaj, nga këta 300 mijë kanë vizituar Tiranën si turistë.

Këtë vit është shtuar numri i atyre që qëndrojnë disa ditë në kryeqytet, jo vetëm në hotele, por edhe apartamente. Ky lajm është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në Tiranë, 300 mijë turistë. Shtohen vizitorët që qëndrojnë disa ditë. Ky po është një superlajm. Për Tiranën, që ndoshta nuk ka det, por ka një mikpritje, jetë artistike e ushqime për t’u pasur zili”, -shkruan Veliaj në faqen zyrtare, në rrjetin social “Facebook”./atsh

Mbi 300 mijë turistë në Tiranë, shtohen vizitorët disa ditorë Read More »

Çfarë mendojnë vizitorët për turizmin në jug të vendit?

Këtë javë ka nisur në terren puna për intervistimin e turistëve që vizitojnë zonat turistike në jug të vendit.

Ky anketim është pjesë e studimit të vlerësimit të impaktit dhe zhvillohet në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin që financohet nga Banka Botërore dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Studimi parashikon kryerjen e rreth 1,300 intervistave me turistë çdo verë, në qendrat urbane të Sarandës, Gjirokastrës, Beratit, Përmetit dhe përgjatë korridorit turistik që kalon në këtë rajon. Ai ka nisur që në vitin 2017 dhe do të zgjasë 5 vjet deri në vitin 2022.

Qëllimi i këtij anketimi është marrja e opinioneve të turistëve lidhur me një sërë çështjesh të lidhura me nivelin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen sot në tregun turistik shqiptar, destinacionet turistike, objektet e trashëgimisë historike dhe kulturore, cilësinë e informacionit të lidhur me turizmin, gastronominë, aksesin drejt zonave turistike, infrastrukturën dhe kushtet e transportit, trendin dhe modelin e shpenzimeve të turisteve gjatë qëndrimit të tyre, kohëzgjatjen e qëndrimit, etj. Anketimi i turistëve do të shoqërohet dhe me anketimin e familjeve dhe bizneseve në zonën e ndërhyrjes. Studimi do të japë një panoramë të qartë mbi efektet që po sjellin investimet në zhvillimin socioekonomik në përgjithësi dhe atij të turizmit në veçanti. /atsh

Çfarë mendojnë vizitorët për turizmin në jug të vendit? Read More »

Vlora me parkun më të madh fotovoltaik, MIE hap tenderin

Vlora do të ketë parkun më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka hapur procedurën konkurruese për përzgjedhjen e ofertuesit për zhvillimin e projektit për ndërtimin e impiantit fotovoltaik, me kapacitet prodhues 50 megavat, në Zonën e Akërnisë (Vlorë, që njihet si një nga zonat me rrezatimin më të lartë diellor).

Investimi parashikohet në vlerën prej 70 milionë euro. Ky është projekti i parë me këtë kapacitet në fushën e energjisë së rinovueshme në vendin tonë dhe synon të jetë një nga investimet më të mëdha në rajon në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë.

Ndërkohë që ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ka bërë thirrje kompanive të interesuara për ndërtimin e impiantit që të paraqesin ofertat brenda datës 17 shtator kur do të zhvillohet tenderi.

Kohëzgjatja e marrëveshjes së projektit është 30 vjeçare dhe çmimi i blerjes së energjisë është i garantuar 100 euro për megavat për 15 vitet e para të investimit. /atsh

Vlora me parkun më të madh fotovoltaik, MIE hap tenderin Read More »