Aktualitet

Byroja Kombëtare e Hetimit dhe “Byroja Kombëtare e Krim-Korrupsionit”

Shqiptarët, duhet të shpëtojnë nga kthetrat e “Unionit mafioz PD-PS-LSI”, që e ka ndarë Shqipërinë, në racione e zona kontrolli dhe shfrytëzimi ekonomik personal.

Quhet lajm i mirë, që shtatorin e 26 të tranzicionit, ndërkombëtarët, kanë deklaruar se do kapin “për veshi” e do të çojnë para drejtësisë së vonuar, “kopenë e ujqërve” të lënë të lirë e fuqiplotë, që shqyen ekonominë e tmerruan shqiptarët.

Ndoshta erdhi “ora”, ta marrin “mandatën” prej drejtësisë së re, kryehajdutët dhe shefat faktik, të bandave politike-shtetërore kriminale në Shqipëri, Rajon e Europë, të vetëmbrojtur nga ndëshkimi, me mandatin dhe drejtësinë që e marrin, emërojnë dhe komandojnë vetë.

Është ndërhyrja vepruese e Byrosë (Ndër)Kombëtare të Hetimit, ajo që krijon besim tek shqiptarët, se më në fund, “Byroja Kombëtare e Krimit dhe Korrupsionit” në Shqipëri, do mbyllet në “dhomat e Reçit” e do të sekuestrohet, deri tek brekët e dashnoreve, që mbajnë në kroskotët e makinave luksoze dhe sirtarët e zyrave, bizneseve, vilave e sarajeve, të vëna e ndërtuar me miliarda krimesh.

Hapi i parë, pavarësisht lënies së disa zaga(r)njorëve në drejtësi, u hodh me shkatërrimin e “folesë” së tyre, në kupolën e drejtësisë e do të vazhdojë, me “lukuninë” që ka gjetur strehë në “shpellat” e tjera të (pa)drejtësisë, me logot gjykata e prokurori. Shqiptarët, nuk gëzojnë për largimin, burgun dhe sekuestron e tyre, por për faktin se pas 27 vitesh diktaturë ekonomike dhe hajdutëri politike-gjyqësore të klikës që sundon ende, do të shpëtojnë veten dhe brezat, nga padrejtësia, nga pafuqia për të qenë të lirë, të barabartë, të qetë, të garantuar në të derjta, të respektuar prej ligjit.

Nëse në ’90-ën, bota rrëzoi “Byronë e Diktaturës”, sot pas 27 vitesh është emergjencë, të çmontoj, rrëzoj e zhduk nga jeta shqiptare “Byronë e Korrupsionit dhe Krimit”, të strukturuar në “Union mafioz PD-PS-LSI”, që ka ndarë Shqipërinë në racione e zona kontrolli dhe shfrytëzimi ekonomik personal.

Vetëm Byroja (Ndër)Kombëtare e Hetimit, mund ta shpërbëjë dhe godasë politikisht, ekonomikisht e financiarisht “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, gjë që nuk e bëri dot populli i tejlodhur prej varfërisë e shkatërrimit psikologjik, që instaloi dhe zbatoi prej 27 vitesh, “Byroja” PS-PD-LSI.

Shqiptarët nuk mundën ta largonin dot “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit” në rrugë paqësore, mbasi kapobandat e PD-PS-LSI, “Tano Karidët” Berisha, Meta, Rama, Basha, për të qenë të bashkuar në sundimin e tyre të përjetshëm e të trashëguar në familje (breza), kanë futur përçarjen në popull, duke krijuar secili “popull-turmën” e tij partiake, blu, rozë, të kuqe, jeshile, të verdhë e ngjyrë “mu….” (PR).

Shqiptarët nuk mundën ta largonin dot “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, as me vota, mbasi në këto 27 vite, ata kanë pasur “magazinën” e votave dhe i numëronin e ndanin vetë, sipas pjesëve, interesave dhe fuqisë së bandave të pushtetit.

Shqiptarët nuk mundën ta largonin dot “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, as me drejtësinë, mbasi kapobanda dhe langaraqë nëpër prokurori e gjykata, emëroheshin prej kësaj “byroje”, duke caktuar pervers e byth-shitur zaga(r)njora, dizdara, gjinra, thanza, brocra, ndrecra, fullanra e lloj-lloj perversësh e mostrash, që shkatërruan dhe degjeneruan drejtësinë.

Shqiptarët nuk mundën ta largonin dot “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, me liri sociale e publike, mbasi kundër zërave që kërkonin drejtësi, përdoreshin bandat kriminale, të cilat ishin “eskorta” shërbyese të ruajtjes së sundimit të Berishës, Nanos, Metës e Ramës.

Ndaj dhe operacioni i ndërrmarrë nga Byroja (Ndër)Kombëtare e Hetimit, konsdierohet si shpresa e fundit këtij tranzicioni 27 vjeçar, për të zhdukur nga jeta shqiptare, “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, këtë kopje më të shëmtuar e me të neveritshme, se “Byroja e Diktaturës”, që na i la peshqesh me skemën “KATOVICA”./Pamfleti

Byroja Kombëtare e Hetimit dhe “Byroja Kombëtare e Krim-Korrupsionit” Read More »

Nuk është euro, kjo monedhë ka pësuar luhatje të mëdha sot, nuk i dihet si do vejë puna

Pas Euros, duket se tani është radha e Dollarit amerikan që humb terren përballë Lekut në tregun vendas. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, një Dollar është këmbyer këtë të mërkurë me 108.39 lekë, me një rënie prej 1.49 Lekë nga një ditë më parë.

Sipas ekspertëve kjo rënie e Dollarit ishte e pritshme pas fuqizimit që monedha amerikane pati pak kohë më parë në bursat ndërkombëtare.

Ndërsa Euro është këmbyer me 125.53 Lekë, rreth 0.15 pikë më shumë se një javë më parë. Monedha e përbashkët europiane po qëndron stabile pavarësisht efekteve sezonale.

Banka e Shqipërisë vijon ndërhyrjen në treg duke mbledhur tepricën që akumulohet në valutë në tregun vendas. Pritet të shihet lëvizja e euros në fund të sezonit turistik ku siç dihet lëvizjet janë më të mëdha. Edhe në bursat ndërkombëtare, euro ka fituar terrenin e humbur ndaj Dollarit.

Nuk është euro, kjo monedhë ka pësuar luhatje të mëdha sot, nuk i dihet si do vejë puna Read More »

Doni të punoni në Gjermani? Ja si mund të merret viza për profesione që i mungojnë tregut të punës

Mijëra vende pune në Gjermani nuk plotësohen dot nga vendasit dhe për këtë arsye, po punohet për hartimin e një ligji të ri që do të thithë emigrantë të kualifikuar. Kështu për profesione që Gjermania do të ketë nevojë, do të pranohen emigrantë edhe jashtë BE-së, mjafton që të kenë kualifikimin e duhur.

Gjermania për këtë arsye duhet të jetë shumë më efektive në tërheqjen e punonjësve të kualifikuar nga vendet e treta, thuhet në dokumentin përkatës – me vende të treta nënkutpohen vendet jashtë BE-së.Dokumenti i formuluar nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe i pasuar për plotësim në Ministrinë e Punës dhe të Ekonomisë në fund të gushtit do t’i dorëzohet kabinetit të kancelares Angela Merkel. Me këmbënguljen e ministrit të Brendshëm kristiansocial (CSU)Horst Seehofer synohet që të evitohet një “migrim në sistemet e sigurimit social”.

Gjermania nuk preferon sistemin e pikëve

Ndryshe nga vendet si Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia, qeveria gjermane nuk do të aplikojë sistemin e pikëve. Në një sistem të tillë migrantët i nënshtrohen një verifikimi prej disa etapash, në të cilin vlerësohen kryesisht arsimimi, gjendja financiare, njohuritë e gjuhës dhe aftësitë për në tregun e punës. Sipas kushteve që plotësojnë migrantët klasifikohen me një numër të caktuar pikësh. Nëse numri i pikëve është i lartë atyre u jepet një vizë. Nëse numri i pikëve është i ulët, ata nuk pranohen.

Një sistem i tillë me pikë u propozua në vitin 2016 nga partia socialdemokrate. Asokohe propozimi u mirëprit edhe nga partitë e tjera të qendrës së majtë. Në draftin aktual rekomandohet, që njerëzit të përzgjidhen mbi bazën e kritereve të sipërpërmendura, por jo me sistem pikësh.Se si mund të bëhet vlerësimi në rrethana të tilla, për këtë ekspertët aktualisht nuk janë të qartë. “Shtroj pyetjen, se si mund të zbatohet kjo”, thotë Thomas Liebig, studiues i migracionit pranë OECD-së (Organiazat për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin). “Unë nuk e di, se si mund të vlerësohen kritere të tilla. Në këtë rast është i nevojshëm një sistem pikësh.”

Rregullore e thjeshtë për kandidatët e kualifikuar

Për njerëzit me nivel të lartë arsimimi Gjermania ka ndërkohë një ndër ligjet më të thjeshta të migracionit në mbarë botën. “Në kushtet aktuale është më e thjeshtë të vish në Gjermani se sa p.sh. të shkosh në Kanada”, thotë Liebig. “Sistemi gjerman përqendrohet ndërkohë tek kualifikime mjaft formale. Nëse keni kualifikimin dhe një punë, mund të vini në Gjermani. Madje nuk është e detyrueshme të flisni gjermanisht.”Njerëzve me kualifikim të nivelit të lartë Gjermania u jep një vizë. Ju mund të vini edhe pa një vend konkret pune në Gjermani dhe të kërkoni punë.

Por ajo që mungon në Gjermani, janë njerëzit me kualifikim të ashtuquajtur të nivelit të mesëm: infermiere, kujdestarë, ndihmës në kopështet e fëmijëve dhe profesionistë si elektriçistë apo marangozë. Për të gjitha këto zanate duhet të ketë një kualifikim të zyrtarizuar. Sipas Liebig punë të tilla mbulojnë 60 përqind të tregut gjerman të punës.Deri tani ka pasur pengesa për njohjen e kualifikimeve të tilla. Shmangia e kësaj pengese, parashikohet në draft si “kyçi për një integrim të sukseshëm në tregun e punës” .

Shembull Danimarka

Eshtë e paqartë në draft, se çfarë kërkesash të mëtejshme janë të nevojshme: çfarë niveli të njohurive të gjuhës gjermane duhet të vërtetojë migranti i mundshëm? Duhet që aplikantët të kenë një ofertë konkrete pune nga një ndërmarrje gjermane?Ndërkohë duket, sikur qeveria gjermane po tenton të japë viza për ata që kërkojnë punë dhe kanë një nivel mesatar kualifikimi. Një model i tillë është provuar si mjaft i preferuar në Danimarkë. Por në Gjermani me këtë nuk ka asnjë përvojë.

Shumë gjëra varen nëse punëdhënësit gjerman janë të gatshëm ta marrin parasysh një risk të tillë, pra të punësojnë njerëz me vizën përkatëse. “Kjo është një pikëpyetje e madhe”, thotë Liebig. Ai tërheq vëmendjen, se shumë sipërmarrje gjermane nuk preferojnë të punësojnë njerëz nga jashtë. “Ne i kemi pyetur punëdhënësit gjerman, nëse kanë interes të marrin punonjës nga tregje të huaja pune. Përgjigja dominuese ka qenë: jo, në asnjë mënyrë.”“Për momentin duket sikur po aplikohet një sistem prej dy etapash: vijnë njerëz që kërkojnë punë. Nëse gjejnë një vend pune, atëherë ata marrin një vizë”, shpjegon Liebig.

Thjeshtimi i burokracisë

Për t’u bërë më atraktive për njerëzit me aftësi të veçanta apo arsimim të caktuar, Franca para pak kohësh ka precizuar një ligj migracioni. Ashtu si në Gjermani synohet që të thjeshtohet burokracia. Në rastin e Francës kjo prek kryesisht punonjës me funksione drejtuese për sipërmarrje ndërkombëtare, të cilët fitojnë mbi 5.000 Euro në muaj – normalisht këta janë shkencëtarë, punonjës në industrinë e argëtimit, punonjës sezonalë dhe profesione të regjistruara. Ndërsa Suedia ndjek një politikë shumë më liberale – “parimisht atje mund të shkosh për çdo lloj pune”, thotë Liebig. Franca në të kundërt është e mbyllur. Gjermania do të pozicionohet diku në mes.”/DW

Doni të punoni në Gjermani? Ja si mund të merret viza për profesione që i mungojnë tregut të punës Read More »

Faturat dhe pagesat e ujit, tashmë përmes celularit

Faturat dhe pagesat e ujit tashmë mund të jenë online në telefonin tuaj celular falë një aplikacioni.

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë bëri të ditur se, “online.ukt.al mund të përdoret edhe nga telefoni celular”.

“Mjafton të shkoni në faqen e internetit online.ukt.al! Duke përzgjedhur “Apliko” ju do të kaloni në faqen tjetër të regjistrimit të të dhënave. Është e rëndësishme që të plotësoni saktë të gjitha fushat. Automatikisht nga sistemi gjenerohet një fjalëkalim. Vetëm me të dhe numrin e kontratës tuaj ju mund të aksesoni në faqen tuaj personale të të dhënave”, thuhet në njoftimin e UKT-së.

Në këtë mënyrë, qytetarët mund të kenë akses në gjithë historikun e faturave dhe pagesave të kryera.

Gjithashtu, përmes këtij aplikacioni mund të plotësohet dhe formulari i ankesës apo kërkesës./atsh

Faturat dhe pagesat e ujit, tashmë përmes celularit Read More »

Vazhdojnë modelet primitive të prodhimit të energjisë

Nga: SEEP, Vlorë

Ndërkohë kur në Vlorë do të nis ndërtimi i parkut fotovoltaik, që do të prodhojë energjinë elektrike direkt nga dielli dhe ky është trendi mbarë botëror, të tjerë vazhdojnë akoma me modelet tashmë të vjetëruara dhe primitive të prodhimit të energjisë me diga, betone, shkatërrimit të natyrës, dëmtimit të lumenjve, shtratit të tyre deri me përmbytjet që shkaktohen si pasojë por edhe thatësirën për tokat dhe bagëtitë e tyre, aq më tepër kur ngrohja globale po bëhet gjithmonë edhe më kërcënuese.

New Picture (4)

Shoqata Kulturore Atdhetare e fshatit Brataj shfrytëzoi rastin e festës së përvitshme që organizojnë me dt. 20 gusht dhe krahas festës banorët protestuan përpara mediave kundër ndërtimit të HEC -eve në lumin e tyre të trashëguar me shekuj, për shkatërrimin e natyrës dhe bujqësisë, klimës dhe shëndetit të popullatës. Por jo vetëm, ata janë të irrituar edhe për kulturën shumë shekullore të tyre që simbolizohet nga një urë e lashtë 800 vjeçare që zotron edhe statusin Monument Kulture që ruhet nga shteti.

Sipas projektit, kompania koncesionare Shushica Hidropower, do të ndërtojë disa diga mbi lumin Shushica dhe ujin do ta ¨burgosin¨ nëpër tuba për ti marë energjinë hidrike.

Ndërsa për bujqësinë, blegtorinë, vlerat natyrore, historike kulturore ose në fund të fundit  “të zotët e vatanit” siç i thonë ata, nuk i kanë marë në konsideratë. Kjo i revolton së tepërmi banorët dhe ata thonë se do ta ndalojnë me çdo kusht.

Nga një sondazh i hapur, që realizoi nëpërmjet rrjeteve sociale shoqata e fshatit Brataj, rezultoi se 83% u shprehën kundër ndërtimit të HEC-eve madje pjesa 27%  që votuan pro rezultuan se nuk ishin banorë të fshatit.

Në protestë mori fjalën edhe një rapsod popullor, që sipas traditës së zonës thuri bejte:

PO ÇE DUAM DJEPIN
KUR S’ KEMI EVLATIN
PO ASHTU DHE URËN
KUR I THAJMË SHTRATIN ?!

KUSH ËSHTË AJO DORË,
QË NA SHKRUAN FATIN,
TË LEMË SHKRETË TROJET
TË SHPËRNGUL BRATIN ?!

BURRA,                                                                                                                                                      MOS BINI NË GJUMË
PO BËNI KUVEND
E I IPNI DUM ….!

KUSH NGA TË DYJA
U PESHON MË SHUMË
TË BËNI NJË RRUGË,
A TË THANI NJË LUMË …?!

Banorët adresojnë shqetësimin dhe zërin e tyre tek vendimarrësit që të bëjnë kujdes dhe të dëgjojnë sovranin dhe të zotin e vatanit.

Organizatorët e protestës u asistuan edhe nga ekspertët e Rjetit Vizioni i Gjelbër dhe Rrjetit ECIM për problematikën mjedisore të HEC -eve.

Vazhdojnë modelet primitive të prodhimit të energjisë Read More »

Tradita, bukuritë dhe gjuha e Gollobordës, në një monografi prej 300 faqesh

Golloborda, një zonë kodrinore-malore në lartësi prej 1000-1200 metrash e mbushur me kullota alpine në përbërje të saj ka edhe dy fusha pjellore Klenjë dhe Steblevë-Studën.

Ajo ndodhet në qarqet e Dibrës dhe Elbasanit dhe emri i saj do të thotë vend kodrinor i zhveshur. Ky toponim gjendet i pranishëm pjesërisht në emërtime lokale vendesh, si në Trebisht, Steblevë, Rekë (Velebërdë) dhe Vollnisht (Ternino Nebërdo).

Këto veçori e kanë shtyrë albanologun rus, Aleksandër Novik  dhe kolegë të tij që të studiojnë dhe të njohin nga afër traditat, bukuritë dhe gjuhën që banorët e asaj zone flasin, për t’i hedhur më pas në një libër prej mbi 300 faqesh, duke krahasuar kulturën shqiptare me atë sllave, pasi në Gollobordë flitet gjuha shqipe dhe bullgare.

Novik, në një intervistë për KosovaPress, ka bërë të ditur se nesër do të promovojë librin “Golloborda (Golo Bordo) në Shqipëri”, në ambientet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë.

Sipas tij, ky është një libër i tillë i domosdoshëm, pasi për këtë zonë nuk ishte shkruar për dekada të tëra, gjë që tregon se kjo monografi i kishte marrë tre vjet kohë për t’u kompletuar në një botim të vetëm.

“Tre vjet kemi shkuar për studime shkencore në teren në këtë zonë, në Gollobordë, në fshatin Trebisht e kështu me radhë dhe kemi botuar në Rusi, para 5 vitesh monografinë tonë kolektive kushtuar gjuhës dhe kulturës tradicionale të kësaj zone. Vitin e kaluar në nëntor në Tiranë, kjo monografi është botuar në gjuhën shqipe. Është përkthyer nga kolegu ynë Ligor Cullufe. Kjo zonë ishte përshkruar para 70 vjetësh. Në Serbi ka dalë një monografi para 70 vjetësh dhe ne mendonim që duhet të shkonim patjetër në këtë zonë dhe të shkruanim një libër të ri, me të dhëna më të reja”, theksoi Novik.

Libri kushtuar krahinës së Gollobordës në Shqipëri, sipas Novik, është një përmbledhje e pasur me shumë informacione mbi kulturën tradicionale të kësaj zone, ndërsa thekson se është një libër prej 8 autorësh.

“Libri përmban të dhënat për gjuhën shqipe në këtë zonë dhe për gjuhën sllave të popullsisë së Gollobordës. Ka edhe kapituj kushtuar veshjeve popullore, arkitekturës tradicionale të kësaj zone”, shton ai.

Kjo monografi përmban më shumë se 300 faqe dhe mbi 60 fotografi me ngjyra, të cilat pasqyrojnë vizualisht gjetjet e autorëve.

Për autorin Aleksandër Novik, zbulimet ishin mjaft interesante, pasi thotë se kanë gjetur ngjashmëri mes veshjeve shqiptare me ato sllave.

“Veshjet popullore kanë shumë ngjashmëri me veshjet e shqiptarëve të Shqipërisë së mesme, sepse këto veshje kanë ndikime shumë të mëdha nga veshjet osmane, nga veshjet orientale”, sqaron Novik.

Aleksandër Novik, i cili vjen në Kosovë dhe Shqipëri që nga viti 1990, është pjesë e Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, në kuadër të së cilit edhe do të promovohet monografia në fjalë.

Albanologu edhe kësaj radhe, tregon se ka sjellë për pjesëmarrësit një referim të pasur shkencor kushtuar miteve mortore dhe përkujtimore ndër banorët e  fshatrave në rajonin e Rostovit.

Novik bën të ditur se “ka mësuar gjuhën shqipe në Rusi, në Universitetin Shtetëror të San Peterburgut. Në Fakultetin Filologjik ekziston dega e shqipes, dhe kam mbaruar në 92-ën degën e shqipes. Por, vij çdo vit këtu, në Kosovë dhe në Shqipëri për studimet e mia”.

Ndryshe, libri “Gollobordë (Golo Bordo) në Shqipëri” promovohet nesër në orën 11.00, në hapësirën e Fakultetit Filologjik në Prishtinë./KosovaPress

Tradita, bukuritë dhe gjuha e Gollobordës, në një monografi prej 300 faqesh Read More »

Gjykata e Lartë rishpall thirrjen për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor

Gjykata e Lartë ka rishpallur sot thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët e gjykatave të Apelit jashtë Tiranës për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor

Në thirrjen e saj Gjykata thekson se, në procesin e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Gjykata e Lartë vepron në zbatim të urdhërimeve kushtetuese e ligjore, e në mënyrë të vecantë të pikës 2 të nenit 147 të Kushtetutës, të pikës 1 të nenit 7 si dhe të pikave 4 dhe 5 të nenit 11 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në të cilët parashikohet se:

Neni 147/2 i Kushtetutës

Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë.

Neni 7/1 i Ligjit nr. 115/2016

Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas raportit të mëposhtëm:

a) tre prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të shkallës së parë jashtë Tiranës;

b) dy prej të zgjedhurve janë gjyqtarë të apelit. Së paku 1 prej tyre është gjyqtar në një gjykatë të apelit jashtë Tiranës;

c) një prej të zgjedhurve është gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Neni 11/4 i Ligjit nr. 115/2016

Në qoftë se nuk ka kandidatë për një ose më shumë nga nivelet e gjyqësorit që duhet të përfaqësohen në Këshillin e Lartë Gjyqësor, sipas përcaktimeve të nenit 147, të Kushtetutës dhe të këtij ligji, Kryetari i Gjykatës së Lartë bën një thirrje të dytë jo më vonë se 3 ditë nga dita kur shpallen kandidaturat në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Në këtë rast afati për paraqitjen e shprehjeve të interesit është 15 ditë nga dita e shpalljes së thirrjes së dytë.

Neni 11/5 i Ligjit nr. 115/2016

Në qoftë se edhe pas thirrjes së dytë nuk paraqiten kandidatë nga shkallët e papërfaqësuara të gjyqësorit, zgjedhja e tyre bëhet me short nga radhët e gjyqtarëve që kanë kandiduar për vendin vakant. Çdo kandidat që përmbush kriteret për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit dhe kriteret për t’u ngritur në detyrë ose për t’u transferuar në shkallët e papërfaqësuara të gjyqësorit, ka të drejtë të kandidojë për vendin vakant përkatës.

Për këtë qëllim, Gjykata e Lartë, në referim të këtyre dispozitave ligjore. rishpall thirrjen e dytë për paraqitjen e shprehjes së interesit për gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për tu zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ.

Kushtet ligjore që duhet të plotësojnë gjyqtarët e interesuar janë të parashikuara në nenin 7 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Sipas përcaktimeve të mësipërme afati i shprehjes së interesit është 15 ditë nga dita e rishpalljes së thirrjes së dytë dhe përfundon me datë 6 Shtator 2018.

Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin sipas parashikimeve të nenit 10 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” në Gjykatën e Lartë.

Dorëzimi i tyre duhet të bëhet në njërën prej mënyrave të mëposhtme: dorazi, pranë zyrës së protokollit të institucionit të Gjykatës së Lartë (nga ora 08:00-16:00); ose me postë, në adresën postare zyrtare të Gjykatës së Lartë: [gjykata e lartë, rruga “ibrahim rrugova”, tiranë]; ose me postë elektronike, në adresën zyrtare elektronike të Gjykatës së Lartë: [email protected] ( kërkesa dhe dokumentacioni duhet te jenë në format ËORD ose PDF).

Kryetarët e gjykatave duhet të marrin masa që ky njoftim t’i bëhet i ditur gjyqtarëve të gjykatës që drejtojnë./atsh

Gjykata e Lartë rishpall thirrjen për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor Read More »

Reforma e ujit, përmirësohet shërbimi ndaj qytetarëve në Vlorë

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në qytetin e Vlorës po vijon me ritme të larta zbatimin e reformës së ujit, duke patur si prioritet të saj shërbimin sa më të mirë ndaj qytetarëve.

Në një konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme, drejtori i Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Dorian Xhelili, duke folur për ecurinë e reformës së ujit, theksoi se “deri tani jemi të kënaqur me rezultatet, por ka ende shumë punë për të bërë”.

Sipas tij, përveç bankave, qytetarët mund të bëjnë tashmë pagesën e ujit edhe në sportelet e Postës.

Drejtori Xhelili, deklaroi se po përballohet më së miri fluksi në sportele në këtë sezon vere, ndërsa emigrantëve dhe qytetarëve të tjerë po u shërbehet me përkushtim dhe korrektësi.
“Për qytetarët që jetojnë jashtë territorit të vendit, kemi bërë të mundur formalizimin dhe rregullimin e marrëdhënies me shoqërinë tonë”, tha Xhelili.

Kreu i Ujësjellësit i bëri thirrje qytetarëve të mos shpërdorojnë ujin e pijshëm

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të qytetit tonë që të të jenë më bashkëpunues sepse uji është pasuri kombëtare. Me mos shpërdorimin e e ujit bëjmë të mundur furnizimin e banorëve që janë pikat fundore të qytetit”, theksoi Xhelili.

Sipas tij, janë vendosur edhe penalizime për ata banorë që kanë shpërdoruar ujin e pijshëm.

“Kemi vendosur gjoba gjatë gjithë kësaj periudhe që kemi kryer kontrolle dhe kemi arritur t’i arkëtojmë 100%”, nënvizoi Xhelili.

Drejtori i Ujësjellës Kanlizimeve , Vlorë Xhelili sqaroi çështjen e rritjes së taksës së banesës, e cila deri në Janar do të paguhet në faturën e ujit./atsh

Reforma e ujit, përmirësohet shërbimi ndaj qytetarëve në Vlorë Read More »