Aktualitet

Vizitorë çekë lundrojnë në kanionet e Osumit

Vijnë për herë të parë dhe befasohen nga bukuritë natyrore të Parkut Kombëtar të Tomorrit. Pasi vizitojnë qytetin e Beratit dhe muzet e tij të shumtë, turistë çekë udhëtojnë drejt aventurës në kanionet e Osumit. Të orientuar nga grupet e të rinjve të “Smile Albania” dhe të shoqëruar nga ekploratorët e Administratës së Zonave të Mbrojtura të Beratit, udhëtuan drejt kanioneve me varkat e tyre sportive. Kanionet e Osumit kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e aventurierëve të sporteve të ujit dhe këtë fundjavë ishin vizitorë çekë që u prezantuan me këtë mrekulli natyrore.

Berati ka qenë një nga qendrat më të vizitueshme këtë sezon veror nga turistë të natyrës dhe ata të turizmit kulturor. Nga të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat, vetëm gjatë muajit gusht është vizituar nga 15 mijë turistë. “Në 20 ditët e para të gushtit Kalaja e Beratit ka pritur rreth 14669 vizitorë, mes të cilëve 9612 kanë qenë vizitorë të huaj”, thonë specialistët e kësaj drejtorie.

Brenda sipërfaqes së Kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënoja, Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur “Fusha e madhe”, etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborri të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, bahçesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur Kala. Mbi të gjitha, brenda këtyre mureve ndodhet dhe Muzeu Onufri që është një nga më të vizituarit në kështjellë. Berati, me trashëgiminë e tij kulturore, me historikun, me peizazhin dhe me natyrën befasuese të tij, ishte këtë sezon verorë epiqendra e turizmit të kulturës dhe të natyrës. /atsh

Vizitorë çekë lundrojnë në kanionet e Osumit Read More »

Fati, paratë dhe dashuria/ Ja çfarë kanë parashikuar yjet për ju

Dashi-Orët e para të mëngjesit do ju gjejnë më të gjallë dhe energjik dhe për këtë arsye do të arrini të çoni deri në fund të gjitha ato çështje që i keni lënë pezull gjatë javëve të fundit. Edhe në dashuri mund të riktheheni në lojë, por duhet të jeni të gatshëm që të hapeni pa u druajtur dhe për të treguar anën tuaj më të ëmbël.

Demi-Jini luftarak dhe mos kini frikë që të mbroni mendimet dhe idetë tuaja, pasi vetëm duke u treguar të vendosur dhe autoritar do të arrini të motivoni kolegët tuaj që të ndjekin nismat tuaja. Në dashuri, duhet të tregoheni më të kujdesshëm.

Binjakët-Në këtë moment është e rëndësishme që të bëni më shumë qartësi mendore për të rirregulluar të gjitha angazhimet tuaja, duke i dhënë prioritet çështjeve më urgjente. Në mbrëmje mundohuni të mos lini pas dore dashurinë dhe familjen. Sa i takon investimeve bëni kujdes.

Gaforrja-Mos jini të dekurajuar dhe pesimist, pasi pavarësisht ngadalësimit të një projekti tuaj, i keni të gjitha mundësitë për të arritur rezultate të mëdha. Parashikohen mundësi shumë të mira për të dalë nga rutina juaj e përditshme dhe për të qenë më dinamik.

Luani-Kjo javë do ju gjejë mjaft romantik dhe të gatshëm në dashuri dhe kjo në sajë të konfirmimeve që keni marrë së fundmi nga ana e një personi, të cilin e keni përzemër. Në vendin e punës jini më bashkëpunues, pasi intuita juaj do të rezultojë fituese.

Virgjëresha-Kjo ditë ju fton që të pranoni sugjerimet e miqve dhe kolegëve, pasi në këtë moment do të keni nevojë për ndonjë stimul më shumë për të përmbyllur me sukses një projekt të ri. Vendosmëria që keni do ju lejojë që të forconi të gjitha lidhjet tuaja.

Peshorja-Mundohuni që ta keni mbrëmjen të lirë për tu relaksuar dhe për të kaluar më shumë kohë cilësore bashkë me familjen ose partnerin/en, në mënyrë që të sheshoni largësinë e krijuar. Në vendin e punës nuk do të mungojnë momentet e tensionit, ndaj jini të kujdesshëm ndaj debateve tejet të ndezura të cilat mund të ndikojnë negativisht në humorin tuaj.

Akrepi-Kjo e martë do të jetë mjaft intensive nga pikëpamja emotive, ku do të riktheheni të jeni mjaft tërheqës dhe karizmatik dhe kjo gjë do ju lejojë që të bëni për vete disa persona. Në vendin e punës do të jeni të rrethuar nga aleatë të vlefshëm.

Shigjetari-Shmangni debatet e kota në vendin e punës, sidomos nëse jeni në kërkim të marrëveshjeve të reja, të cilat do ju lejojnë të shprehni më mirë krijimtarinë dhe talentin tuaj. Për të rigjetur ekuilibrin në raportin tuaj, duhet të jeni të gatshëm që të pranoni disa kompromise.

Bricjapi-Parashikohet një ditë e cila do ju lejojë që të vini në vijë disa projekte të cilat i keni zvarritur prej kohësh. Këshillohet që të ndiqni disa këshilla të vlefshme nga disa persona që i keni afër, sidomos nëse jeni konfuz në dashuri.

Ujori-Po kaloni një fazë të rëndësishme transformimi, megjithatë duhet të jeni të gatshëm të vini në pah gjithë bagazhin tuaj. Sjellja juaj do të bëjë që të merrni më shumë përgjegjësi në vendin e punës.

Peshqit-Mos lejoni që ankthi dhe nervozizmi juaj në dashuri të përcillet edhe në raporte të tjera delikate, pasi mund të ushqejë tensione shumë të mëdha. Kjo e martë nxjerr në pah guximin në vendin tuaj të punës.

Fati, paratë dhe dashuria/ Ja çfarë kanë parashikuar yjet për ju Read More »

Qeveria u heq benevrekët komandove, pilotëve, policëve ushtarakë dhe zbuluesve, të tjerëve u lë nga 1 palë “laj-thaj” për 2-3 vjet, ja vendimi

Janë hequr për 60% të ushtarakëve, shteti kursen 42 mijë palë benevrekë në vit, por eskpertët garantojnë, se mungesa e tyre nuk e ul gatishmërinë luftarake
Qysh prej muajit janar 2015 e deri sot, me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, disa efektivëve të strukturës “speciale” të ushtrisë shqiptare, u është hequr e reduktuar, norma e disa pjesëve të veshmbathjes, në kuadër të “rilindjes” së ushtrisë dhe rishikimit të shpenzimeve të larta, që “hanë” këta sektorë në ushtri.

Referuar kërkesës së bërë nga Ministria e Financave, për uljen e kostove të veshmbathjes në ushtri, ish-ministrja e Kodheli, caktoi ekspertët “tekniko-ekonomik” për të bërë studimin përkatës, të cilët hartuan raportin përfundimtar për uljen e shpenzimeve, duke përcaktuar sektorët, se ku mund të hiqeshin disa veshje nga kompleti ushtarakëve, pa dëmtuar ecurinë e punëve.

Eksperët propozuan, të hiqen benevrekët në disa struktura dhe të reduktohet norma vjetore e tyre (sasi palësh) në disa struktura të tjera, mbasi sipas vlerësimit të tyre, benevrekët janë të vetmet pjesë të kompletit të veshmbathjes së ushtarakëve, të cilat nuk cënojnë imazhin e jashtëm të uniformës dhe më kryesorja, nuk ulin performancën, energjinë e ushtarakëve në stërvitje, në misione ushtarake, raste emergjencash zjarri, tërmetesh, përmbytjesh pastrim plazhesh e plehrash, ku ata përdoren shpesh nga qeveria.

Referuar raportit të ekspertëve, nga heqja dhe reduktimi i normës vjetore të benevrekëve, për ushtarakët e disa strukturave, shteti kursen 42 mijë e 311 palë benevrekë në vit, në kuadër të “reformimit” të veshjeve të (zh)veshjeve të brendëshme të ushtarakëve dhe ndikimit, në uljen e borxhit të brendshëm të qeverisë, vendim që po jep efekt pozitiv.

Heqja e benevrekëve, për afro 60% të ushtarakëve është bërë 3 vite më parë, me VKM Nr. 14, datë 14.01.2015, me objekt: “Për disa ndryshime, në vendimin nr. 614, datë 7.9.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kritereve dhe të normave të trajtimit me uniformë të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Kujtojmë, që me VKM Nr. 614, datë 07.09.2011, ushtarakët i kishin benevrekët deri më 31 dhjetor 2013 por 3 vitesh ua kanë hequr, ndërsa ushtarakëve ët disa sektorëve të tjera, u kanë lënë vetëm nga 1 palë benevrekë, “lajë-thajë”, për 1, 2 e 3 vite.

Ja 5 strukturat, ku ushtarakëve u janë hequr fare benevrekët, nga kompleti veshmbathjes
Ushtarakët e gjithë strukturës së Forcës Tokëore-Ajrore, që stërviten me unifroma dhe veshëmbathje kamuflazh “Woodland”
Ushtarakët e gjithë strukturës së Batolioneve Komando, që stërviten dhe veprojnë me operacione në shkretëtira
Ushtarakët e gjithë strukturës së Batalionve të Forcave tokësore dhe operacioneve special
Ushtarakët e gjithë strukturës së Policisë ushtarake
Ushtarakët e strukturës së pilotimit “Pilotët”/Pamfleti

Qeveria u heq benevrekët komandove, pilotëve, policëve ushtarakë dhe zbuluesve, të tjerëve u lë nga 1 palë “laj-thaj” për 2-3 vjet, ja vendimi Read More »

Arta Marku hap dosjen e koncensioneve në shëndetësi, Ilir Beqja nën “shënjestrën” e SHBA që kërkojnë hetim të thelluar. Edhe Manastirliu do të pyetet

Konflikti i interesit që kishte Adriatik Llalla me hetimin e këtyre koncensioneve për shkak të bashkëshortes solli mbylljen në maj të vitit të kaluar.

Kryeprokurorja, nën presionin e organeve ligjzbatuese amerikane dhe mbështetur dhe në këtë fakt do të rikthejë për hetim dosjen “Beqja”.

Kur ka kaluar vetëm një vit nga pushimi i hetimeve nga ana e prokurorisë së Tiranës për koncesionet në shëndetësi, pritet të rihapet sërish dosja e këtij abuzimi që i kalon 500 milionë eurot.

Presioni i organeve ligjzbatuese amerikane ndaj kryeministrit Edi Rama që të lëshojë mikun e tij, ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, por dhe ndaj Arta Markut që të hetojë pa asnjë dallim abuzuesit me paratë e shtetit, ka bërë që hetimi i koncensioneve në shëndetësi të rihapet.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se hetimi do të startojë brenda vitit dhe se do të merren në pytje jo vetëm ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, ish zëvendësministri Klodian Rrjepaj e Ardjana Llallaj, bashkëshortja e ish kryeprokurorit Adriatik Lalla, por dhe ministrja aktuale Ogerta Manastirliu dhe drejtuesit aktualë.

Burimi brenda organit të akuzës bën me dije se shkak për rihapjen e dosjes së koncesioneve në shëndetësi, të pushuar në maj të vitit të kaluar, ka qënë dhe gjykimi se konflikti i interesit që ka përfshirë këtë hetim, ka ndihmuar në pushimin e saj.

Fjala është për përfshirjen e bashkëshortes së Adriatik Llallës, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm në këtë aferë të rëndë të abuzimit me paratë e qytetarëve, ku shtetit i është shkaktuar një dëm prej 500 milionë eurosh.

Në maj 2017, Prokuroria e Tiranës i ka pushuar hetimet për dosjen “Beqja”, në të cilën u verifikuan tre koncesione në fushën e shëndetësisë.

Në përfundim të hetimeve që nisën në dhjetor të vitit 2015 për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, prokuroria e Llallës në atë kohë është shprehur se nuk ka gjetur elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Pas pyetjes për dhjetra zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe dokumenteve të sekuestruara për këtë qellim nga ky dikaster, prokurori u përgjigj se nuk janë kryer veprime të dyshimta përgjatë dhënies me koncesion të:

Kontrollit mjekësor me vlerë 120 milionë euro, as në koncesionin e hemodializës me vlerë 86 milionë dollarë, si dhe në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe 145 milionë lekë ishte fondi limit për ilaçin e kancerit.

Dhe për hir të së vërtetës nuk kishte si të hetonte Llalla për abuzim bashkëshorten e tij Ardjana, e cila ka përfituar pjesën e saj sidomos tek “check-up”-i apo kontrolli mjekësor, duke kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në këtë abuzim të përmasave marramendëse.

Ndaj Arta Marku do të rihapë hetimin për këtë dosje dhe tashmë është në fazën e ngritjes së grupit të prokurorëve për ta marrë në shqyrtim atë.

Mësohet se kryeprokurorja e re e Tiranës Elizabeta Imeraj, do të jetë njeriu që do të përcaktojë prokurorët dhe afatet e hetimit të koncensioneve në shëndetësi./Pamfleti

Arta Marku hap dosjen e koncensioneve në shëndetësi, Ilir Beqja nën “shënjestrën” e SHBA që kërkojnë hetim të thelluar. Edhe Manastirliu do të pyetet Read More »

Rrëfimi i veçantë i dukatases Edlira Gjonit – Si më ndryshoi jetën senatori John McCain!

Lideri ndikues e pa kompromis, deshi vendin më shumë se veten. Faleminderit senatori John McCain!

Nga Edlira Gjoni

Korrikun e vitit të kaluar mora një telefonatë që hapi një kapitull të ri në jetën time: U pranova në prestigjiozin McCain Institute, pjesë e Arizona State University. Isha kualifikuar për t’iu bashkuar programit për Liderët e Brezit të Ri, në Uashington DC. Një mundësi që të ndryshon jetën!

U trondita kur po vjet në Korrik mësova se njeriu që më frymëzoi për të aplikuar dhe për të vijuar në politikë mbi parimet e karakterit, senatori John McCain, u diagnostikua me kancer në tru. E urrej kancerin! Atë në tru! Më ka marrë atë që më ka dhënë jetën, nënën time. Tani po merrte edhe njeriun me ndikim botëror, që për bekimin tim, po me hapte një dritare të pamenduar.

Trishtim dhe privilegj. Nuk e besoja thirrjen. Kurs i ri në timonin tim! U nisa për në Washington, për vitin e plotë akademik në Institutin që mban emrin e tij.

McCain i diagnostikuar me kancer! Ndërhyrjen e parë e kreu po atë verë. E prapë se prapë, kur e takuam në shtator, nuk kishim para syve një pacient me kancer në tru. Jo! Para nesh qëndronte aktiv, kryelartë dhe gjigand politikani më mbresëlënës dhe më me ndikim që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ishte atje, në zyrën e tij në Senat, i gjatë, i drejtë, në këmbë, aktiv dhe plotësisht në kontroll të takimit. Fliste me zërin e tij tipik, të butë, por bindës, me rrjedhshmërinë që nuk e kam ndeshur në politikanë të tjerë. Nuk i hidhte sytë tek shënimet e përgatitura, nuk vonohej në asnjërën nga deklaratat, nuk mendohej dy herë për ç’donte të thoshte, nuk kërkonte konfirmim. Fliste me lehtësinë më të madhe për çështjet më të komplikuara, vendet më të panjohura dhe problemet më të nxehta globale, duke përmendur detaje e analiza që të bëjnë të ndjehesh i vogël para tij.

Gjithë bota ndjehet e vogël para dijes, jetës, karakterit dhe trashëgimisë politike të John McCain.

Nuk do të kishte mënyrë më të mirë për të njohur jetën dhe trashëgiminë e Senatorit, sesa të isha pjesë e Institutit dhe Universitetit për të cilin luftoi gjithë jetën, duke lënë pas pikëpamjet dhe ndikimin e tij tek shumë njerëz. Fatmirësisht, edhe tek unë!

Gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që senatori luftonte një nga format më agresive të kancerit, pata privilegjin të njoh dhe përjetoj nga afër ndikimin e tij si politikani me mendje më të pavarur në SHBA. Që prej muajit Dhjetor, nuk udhëtonte dot më për në senat, por kjo nuk e pengoi të ishte edhe më aktiv dhe i drejtpërdrejtë se më parë. Deri në frymën e fundit, shkroi e kërkoi me ngulm mbrojtjen e parimeve për një rend më liberal demokratik, duke i shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara, siç bëri për 60 vite me radhë. Vuri vendin të parin, jo veten e tij! Ishte lloji i politikanit që ëndërroj të ketë edhe Shqipëria! Ku t’i gjejmë këta vend-dashës vetëmohues, si senatori i mbajtur 5 vjet në burg në Vietnam?

Eksperienca si pilot i rrëzuar dhe i burgosur për 5 vite në Hanoi ka skalitur në mendjen e amerikanëve imazhin e McCain si hero lufte. Nuk pranoi të dilte nga burgu pa dalë më parë edhe i fundit ndër shokët e ekipit. Ky guxim i çartur e besnikëri ndaj të tjerëve, i dhanë McCainit reputacionin e njeriut që nuk e shet veten me asnjë çmim. Fitoi nderi dhe karakteri i tij, dhe këto cilësi, e shoqëruan në karrierën politike e në ndikimin që pati në brezat e rinj.

Me futjen në politikë në fillim të viteve ’80, McCain fitoi menjëherë reputacionin e të qenit njeri i mprehtë, i drejtpërdrejtë, sfidues, i pa-tërheqshëm për çështjet tek të cilat besonte fort. Pa iu dridhur kurrë qerpiku, luante rol vendimtar në shumë nisma në Senat apo edhe brenda partisë Republikane, pa pasur frikë të dalë kundër saj, nëse ndjente se cenoheshin interesat e vendit.

Gjatë qëndrimit në Institut dhe njohjes më nga afër të punës dhe ndikimit të Senatorit McCain, pashë qartë se si e kaluara e tij ushtarake dhe stili unik me mendimet e pavarura e të drejtpërdrejta, e bënë atë të fitojë mbështetje nga të dy kahet politike në Amerike e të ketë respekt e ndikim në mbarë botën.

Përqasja politike e McCain nuk ishte e zakonshme. Në mënyrë të përsëritur i jam rikthyer fjalimit të tij të përkryer ditën që uroi Obamën për fitoren në garën presidenciale. Nuk ka fjalim më frymëzues të bërë nga një humbës me dinjitet. Nuk i fitoi zgjedhjet presidenciale, por fitoi besimin dhe respektin e miliona amerikanëve me mënyrën si e mbrojti dhe si e lartësoi kundërshtarin Obama në publik. Duhet ta verë në ballë çdo politikan shqiptar përqasjen e tij. Çdo humbës që nuk di as të pranojë rezultat, e as të zbrazë nga kolltuku.

Ka shumë momente të pakrahasueshme në karrierën politike të Senatorit McCain që duhen lexuar nga çdokush që kërkon të jetë lider. P.shs. deklaratat e tij të shpeshta në senat duke mbrojtur reformën në shëndetësi (edhe pse jo nisme ë partisë së tij), apo guximi për të folur hapur që në momentin që Trump u zgjodh si kandidati i republikanëve për president. Trashëgimi të pakrahasueshme politike!

Ishte pothuajse e pabesueshme të shihje se si në muajt e fundit, në vend që të tërhiqej prej sëmundjes, McCain u bë akoma më aktiv më qëndrimet e tij të ashpra, duke mbajtur në shina principet e djathta, rrugën e Partisë Republikane dhe parimet që duhet të ndjekë ajo.

McCain nuk ishte ushtar i askujt, përveçse i vendit të tij. I qëndroi besnik Amerikës, e jo partisë ku bënte pjesë e që përfaqësoi në senat për 30 vjet.

Një politikan i sprovuar, luftëtar i ashpër, njeri me integritet e dinjitet të pacenuar, që ofroi pa reshtur nxitjen e tij për një Amerikë aktive në politikën e jashtme, një Amerikë të angazhuar dukshëm në botë. Dhe bota ka kaq shumë nevojë për këtë përqasje aktive! Në mënyrë të veçantë, ne shqiptarët kemi nevojë për pikëpamjen e John McCain dhe për rolin e Amerikës në botë!

Në Amerikë, senatori McCain njihet dhe respektohet thellësisht si një hero lufte. Për mua, ai ishte një hero në mënyrën e udhëheqjes dhe në të bërit politikë. McCain nuk pajtohej lehtë me demokratët apo republikanët për shumë çështje, por mbetet i admiruar nga palët për vendosmërinë e tij. Nuk mendohej dy herë, sepse ishte aq i pavarur dhe me integritet, saqë dilte vullnetar të paguante çdo çmim politik, mjaft që Amerika të ishte e fituara e veprimeve e vendimeve të tij.

Kurrë nuk bëri pazar me integritetin. Në asnjë rast nuk e flijoi karakterin e tij apo interesat e vendit për përfitime personale apo politike. Luftoi ashpër kundër pandershmërive politike, me guximin e tij tipik për të mbrojtur faktet dhe të vërtetën.

Ëndërroj që të lindin e të bëhen politikanë të tillë në botë edhe tani e më pas. Të ndjekin shembullin e liderit pa kompromise, John McCain. Unë vetë dua të jem një politikane e tillë. Dua ta shoh llojin e shërbimit dhe përkushtimit të tij ndaj vendit edhe te politikanët dhe drejtuesit e vendit tim.

Jeta e senatorit McCain përfaqësonte disa të vërteta e parime që gjenden rrallë mes politikanëve: integriteti, guximi, karakteri, vetëmohues, udhëheqësi shërbyes që e vendos veten në funksion të vendit të tij. Njeriu e politikani që lufton për vendin, jo për karrierën apo pasardhësit e familjes.

Në Shqipëri terma si “Atdheu” e “Nderi” apo “Detyrat” e “Përgjegjësitë”, kanë marrë konotacione negative e trajtohen në nivelin e patetizmit. Po ku ka detyrë më fisnike sesa t’i shërbesh vendit tënd? Pa dallime politike. Senatori McCain nuk rreshti së bëri thirrje për bashkëpunim politik. A ka veshë të dëgjojnë?

Humbja e tij nuk është e çfarëdoshme. Nuk ka shumë politikanë të tjerë që jetojnë apo vdesin duke u kujdesur për të ardhmen e vendit, ashtu siç bëri McCain.

Ndjehem e privilegjuar që isha pjesë e Institutit me emrin e tij, që e njoha, që u frymëzova, që mësova nga madhështia e tij njerëzore dhe trashëgimia politike, përmes njerëzve dhe ndikimit që la pas, për të qenë shërbyes i vendit tënd ose me nder, ose hiç fare.

Amerika humbi një hero. Bota një model të guximit, integritetit dhe udhëheqjes së palëkundshme. Kurse unë humba njeriun frymëzues, jeta dhe fjalët e të cilit më bënë të besoj se bota mund të jetë vërtet një vend më i mirë, sikur në të, të ketë më shumë drejtues e politikanë me karakter si John McCain.

Sot, miliona njerëz në botë shkruan për të nderuar jetën, trashëgiminë e ndikimin e tij. Mes tyre, rilexoj dedikimet e bëra nga ish-presidenti Obama, kundërshtari i tij politik në zgjedhjet e vitit 2008.

Kur doli lajmi i diagnostikimit, u shpreh: “Oh, nuk e di kanceri se me cilin ka hyrë në luftë”. E çmonte mendjen dhe përqasjet e McCain!

Teksa sëmundja progresonte, senatori vijoi të vërtetonte se nuk është politikan si të tjerët. Një i djathtë i thekur, McCain ftoi të majtin Obama që të mbante fjalimin përcjellës në funeralin e tij.

Ashtu do të ndodhë! Përcjelljen e McCain, do ta bëjë jo presidenti i vendit, por kundërshtari i tij politik, Barak Obama. Mes tyre, u çmuan shumë.

Dhe menjëherë pas ndarjes nga jeta, Obama shkroi:

“Pavarësisht nga dallimet, të dyve na bashkonte një qëllim më i lartë, dëshirat dhe synimet e brezave të tërë për ta parë Amerikën vend ideal….Vetëm pak prej nesh kanë kaluar në provat e vështira të jetës e të luftës si John McCain. Guximin dhe kurajën e tij nuk e gjen tek kushdo. Por, secili prej nesh duhet të bëjë maksimumin për interesa që e kapërcejnë nivelin personal. Të përpiqemi për të mirat e mëdha të vendit e të të gjithëve! John McCain na tregoi me shembullin personal se çdo të thotë ky zotim! Ta ndjekim”

Kini guximin të veproni jashtë interesave personale e të bëni më të mirën për vendin! Ne, për Shqipërinë!

Faleminderit, senator McCain!

Nuk na ngelet veçse të veprojmë, të përpiqemi e të jetojmë sipas modelit që krijove ti!

Rrëfimi i veçantë i dukatases Edlira Gjonit – Si më ndryshoi jetën senatori John McCain! Read More »

Përkundër ankesave për çmimet e kripura, Vlora plot me turistë e pushues

Vlora edhe këtë vit nuk mundi t`i shpëtojë kritikave për çmimet e kripura të sezonit veror.

Por kjo nuk i ka penguar aspak pushuesit ta zgjedhin si destinacion për muajt e nxehtë të verës.

Teksa dita kalohet anës detit, mbrëmja i gjen pushuesit në restorante e lokale, ku zgjedhin të shijojnë produktet tradicionale shqiptare.

Ashtu si edhe në qytetet e tjera bregdetare, numri më i lartë i turistëve ka qenë nga Italia dhe Polonia.
Drejtuesit e bizneseve shprehen se sezoni i ka përmbushur pritshmëritë.
Por ka edhe nga ata operatorë turistikë që thonë se shërbimet duhen përmirësuar.

Lungomarja është zona më e frekuentuar nga turistët në Vlorë, ku operojnë rreth 160 biznese, për tu ulur në tavolinat e të cilëve shpesh gjatë mbërmjeve duhet të presësh./oranews

Përkundër ankesave për çmimet e kripura, Vlora plot me turistë e pushues Read More »

Vlorë: Ndryshon pamjen bulevardi “Ismail Qemali”

Në qytetin e Vlorës vazhdon puna për rikualifikimin e bulevardit “Ismail Qemali”, i cili do të ketë një pamje moderne, ku do të dominojë gjelbërimi dhe mjediset shlodhëse dhe argëtuese.
Punimet janë përqendruar në pjesën e parë, nga rrethrrotullimi pranë Lungomares deri në kryqëzimin me rrugën “Petrit Bisha”, ndërsa javën e ardhshme do të fillojë puna në segmentin nga kryqëzimi i “Cipajve” deri te shkolla industriale, transmeton atsh.

Segmenti ku do të punohet është rreth 300 metra. Gjatë punimeve kryqëzimi i “Cipajve” do të qëndrojë i hapur për të penguar sa më pak qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve.

Projekti për rikualifikimin urban të bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë filloi në pranverë të këtij viti.

Ai financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”.

Vlorë: Ndryshon pamjen bulevardi “Ismail Qemali” Read More »

NATO, stërvitje të përbashkët me anijet shqiptare në Vlorë

SNMCMG2 (Grupi 2 i Gatshëm i Kundërzbulimit të NATO-s), Forca e NATO-s për Veprim të Shpejtë në Kundërpërgjigje ndaj Minave, zhvilloi këtë javë stërvitje me Flotën Ushtarake shqiptare në Vlorë.

Në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë janë publikuar foto nga stërvitja e përbashkët.

Ndërsa komandanti i SNMCMG2 është shprehur: “Shumë faleminderit për pritjen e ngrohtë në Vlorë. Ishte një vizitë e shkëlqyer dhe e suksesshme në det me flotën ushtarake shqiptare. Faleminderit për kohën e bukur që kaluam me miqtë tanë të ALS Butrinti dhe ALS Orikum”.

NATO, stërvitje të përbashkët me anijet shqiptare në Vlorë Read More »