Aktualitet

U merrnin para bizneseve, shkarkohen tre inspektorët e Tatimeve

Pas arrestimit të dy inspektorëve të Tatimeve në Tiranë dhe një tjetri të shpallur në kërkim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të personave, që ushtrojnë funksione publike”, drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka liruar nga detyra 3 punonjësit, Gentian Elezi, 29 vjeç dhe Artan Kroj, 37 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe P.H., 43 vjeç.

Inspektorët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe iu merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lekë për çdo rast.

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, i bën thirrje çdo punonjësi të administratës tatimore të zbatojë me rigorozitet vetëm ligjin, në respekt të punës dhe institucionit , gjithashtu inkurajojmë bizneset dhe qytetarëve, për të denoncuar aktet korruptive, sjelljen jo etike dhe çdo akt të paligjshëm, gjatë ushtrimit të detyrës së punonjësve të Administratës Tatimore”- thuhet në njoftimin e Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

U merrnin para bizneseve, shkarkohen tre inspektorët e Tatimeve Read More »

Vlorë /Habilajve u sekuestrojnë edhe një karburant te spitali rajonal

Një tjetër pasuri të familjes Habilaj.Gjatë ditës së sotme i është vendosur sekuestro një karburanti në afërsi të spitalit rajonal,  në pronësi të Artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilaj i arrestuar në Itali për trafik droge.Me 21 shtator, Prokuroria për Krime të Rënda  njoftoi sekuestrimin e 1 milionë euro pasuri të vëllezërve Habilaj. Sekuestroja u vendos në kuadër të ligjit “Antimafia” dhe të gjitha këto pasuri janë të regjistruara në qytetin e Vlorës.

Urdhri për sekuestrimin e pasurive të Habilajve u firmos nga grupi i prokurorëve që drejtoheshin nga Besim Hajdarmataj, vetëm pak orë para se këtij të fundit t’i komunikohej urdhëri i transferimit për në Prokurorinë e Pogradecit.Ora News siguroi në mënyrë ekskluzive kërkesën e prokurorëve, e cila ka marrë viston e gjykatës për të bllokuar apartamente, troje garazhde dhe automjete të vëllezërve Moisi, Artan dhe Florian Habilaj.Në total bëhet fjalë për 8 apartamente, 5 ndërtesa, rreth 30 garazhde, 10 dyqane dhe 5 automjete.

Në bazë të kontratave të blerjes së këtyre pasurive, shifra e shpenzuar nga Habilajt është mbi 1 miliardë lekë. Por, hetuesit dyshojnë se vlera e tyre është disa herë më e lartë, referuar çmimeve të tregut.Gjithashtu, rezulton se pjesa më e madhe e pasurive janë blerë nga vëllezërit Habilaj gjatë periudhës 2016-2017. Gjatë kësaj periudhe ata kanë qenë nën hetim nga Prokuroria e Katanias, si të dyshuar për trafik narkotikësh nga Shqipëria drejt Italisë.Në nëntor 2017, Prokuroria e Katanias lëshoi urdhër-arreste për anëtarë të grupit kriminal Habilaj. Por, pas hekurave aktualisht është vetëm Moisi Habilaj. Dy vëllezërit e tij, Artan dhe Florian Habilaj, të cilët gjendeshin në Shqipëri, nuk arritën të arrestoheshin.

Vlorë /Habilajve u sekuestrojnë edhe një karburant te spitali rajonal Read More »

Gjermania do punëtorë, por si do të pranohen ata? Ja çfarë po diskutohet

Nga njëra anë azili, nga ana tjetër mungesa e fuqisë punëtore: Ligji i imigrimit ende nuk është zgjidhur si temë nga koalicioni qeverisës në Gjermani. DW shpjegon, se cilat modele diskutohen për ligjin e planifikuar.

Kabineti qeveritar gjerman piketoi ligjin e ri të imigracionit për fuqinë punëtore. Por ka disa çështje që duhen sqaruar – si duhet të formulohet ligji për imigracionin që do të joshë fuqi të nevojshme punëtore për Gjermaninë? Si do të arrihet që azilkërkuesit e refuzuar, por të integruar mirë të kenë perspektivë qëndrimi? Një renditje e modeleve dhe ideve që janë në diskutim.

E ashtuquajtura ndërrim „korsie”

Kush shtron kërkesë për azil në Gjermani dhe refuzohet duhet të largohet nga vendi – pa përjashtim. Këtë rregullore, Partia Socialdemokrate, SPD kërkon ta zbusë, dhe propozon përjashtime, për ta mbajtur në Gjermani fuqinë punëtore. Kush e ka përdorur kohën e zgjatur të procedimit të azilit për të mësuar gjuhën, për të kërkuar punë dhe për t’u integruar, ai do duhet të qëndrojë në Gjermani edhe me kërkesë të refuzuar.

Këta njerëz do të ndërrojnë kështu „korsinë e qëndrimit” në rrugëtimin e tyre në Gjermani. Në vend të procedimit të azilit ata do ta arrijnë qëndrimin përmes së drejtës së re të imigrimit. Zëvendëskancelari gjerman dhe ministër i Financave, Olaf Scholz mendon se ky projekt do të gjejë mbështetje në popullin gjerman. „Ne dëbojmë ata që nuk duhet, thonë shumë qytetare dhe qytetarë në vendin tonë, kur shohin që ka persona me vepra penale që e anashkalojnë me sukses dëbimin dhe në të njëjtën kohë në vendin e tyre të punës ka kolegë që bëjnë punë të mirë dhe që ata duan që ta vazhdojnë këtë.”

Unioni konservator, CDU/CSU e refuzon strategjinë e ndërrimit të së drejtës së qëndrimit. „Nuk mund të përzihen azili dhe imigracioni për punë, këto janë situata të ndryshme. Ne nuk duam të dërgojmë sinjalin nëpër botë, se pavarësisht, nëse të njihet apo jo azili, ti do të qëndrosh gjithsesi në Gjermani.” Kritikët e ndërrimit të qëndrimit në Gjermani thonë, se kjo do të motivonte shumë vetë për të ardhur në Gjermani.

Pressekonferenz Zuwanderungsgesetz Deutschland Seehofer Altmaier Heil (picture-alliance/dpa/M. Kappeler)Koalicioni qeverisës kërkon rrugëzgjidhje për ligjin e imigracionit

Rregullorja me caktim date

Një model tjetër që diskutohet është ai i rregullores me datë të caktuar. Ajo do të rregullonte që qëndrimin do ta merrnin ata azilkërkues që kanë ardhur deri në një datë të caktuar dhe që i plotësojnë kriteret e ligjit të imigracionit. Megjithëse kjo rregullore do të përjashtonte mundësinë e keqpërdorimit, disa pjesë të unionit konservator në Gjermani vazhdojnë të refuzojnë edhe këtë model.

Sigurimi i fuqisë punëtore

Në një pikë SPD dhe Unioni konservator janë të një mendimi: Potenciali i refugjatëve si fuqi punëtore duhet shfrytëzuar. Tani bëhet fjalë për formësimin e rregulloreve. Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer mendon që të marrë fuqi punëtore të organizuar nga jashtë, pa ndërrim të lejes së qëndrimit dhe pa rregulloren me datë të caktuar. Në një dokument orientues që Seehofer e ka përpunuar bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës parashikohet që të merren ata persona që kanë një shkollim profesional të përfunduar dhe që njihet në Gjermani. Kësaj i shtohen kërkesa si njohja e gjuhës, por edhe oferta e punës. Që kjo të realizohet në praktikë do të lehtësohet hyrja në Gjermani për kërkim pune.

Sistemi me pikë

Këtë model e praktikon Kanadaja: Në vitin 2017 ky model kanadez ishte i përfolur shumë në Gjermani, kur bëhet fjala për një ligj imigracioni. Kanadaja i zgjedh emigrantët në bazë të një sistemi pikësh. Kjo kërkohet nga disa pjesë të politikës prej kohësh në Gjermani. Në bazë të këtij modeli emigrantët duhet të plotësojnë kriteret që kërkohen duke grumbulluar kështu pikë për të aplikuar për vizë. Përkrahësit e këtij modeli në Gjermani thonë se me këtë kontrollohet sipas nevojës ardhja e fuqisë punëtore. Unioni konservator e refuzon edhe këtë model. Në samitin e fundit të koalicionit qeverisës gjerman ky model nuk u shtrua për diskutim.

Gjermania do punëtorë, por si do të pranohen ata? Ja çfarë po diskutohet Read More »

“Falas dhe pa afat”, Lame tregon si do bëhet regjistrimi i banesave të ndërtuara para vitit 1991

Kreu i ALUIZNI, Artan Lame ka folur për legalizimin e banesave të ndërtuara para vitit 1999. I ftuar në Ora News, Lame tha se qytetarët mund të regjistrojnë banesat e tyre në çdo kohë, pasi nuk ka afat dhe falas.

Artan Lame: Në ditët e para pas hapjes së sporteleve, pra para dy javësh dhe aktualisht në disa prej sporteleve, ende ka dyndje qytetarësh që nuk e kuptojnë mirë. Mendojnë se është me afat kjo punë, mendojnë se ju dogj shtëpia. Nuk ka afat! Pra regjistrimi i banesave është pa afat. Edhe pas 10 vjetësh teorikisht një qytetar që do trokasë në derën e shtetit për të kërkuar regjistrimin do ta bëjë regjistrimin.

Ky shërbim tha Lame do të jetë falas deri në një territor prej 300 metrash. Më pas pjesa tjetër që mund të jetë në oborrin e shtëpisë do të blihet me çmim tregu.

Artan Lame:  Kanë vetëm tarifën e shërbimit që është minimale. Prap risi në raport me vendimin e qeverisë ekzistues është fakti që deri në 300 metra terreni është falas. Duket sikur kjo qeveri vazhdon të falë pa fund, por procesi i legalizimeve kishte sensin falas, një premtim që u bë realitet. Në rastin konkret falas bëhet për një arsye tjetër. Kur këta qytetarë e kanë marrë atë 300 metërsh nga shteti në atë kohë, nuk ka sens që shteti pas 50 vjetësh t’i thotë bjerë lekët e tokës. Për këtë arsye deri në 300 metër e kanë falas, mbi 300 metra nëse ka cepa, trekëndësha, rripa toke që nuk mund të përdoren për asnjë qëllim tjetër apo ai e ka brenda oborrit dhe pranon t’i blejë, do t’i blejë me çmim tregu dhe bëhet pronari i të gjithë atij territori.

Por, Lame kishte një thirrje për qyetarët:

Artan Lame: Të paraqiten në sportelet tona këto 2-3 muajt e parë vetëm ata që e kanë të domosdoshme. Që do të thotë në rast se në rang Republike janë dhjetëra -mijë, përllogariten nga 40-60 mijë shtëpi të para 1991 të paregjistruar, ata që e kanë të domosdoshme ta bëjnë regjistrimin janë disa mijëra. Që do të thotë; ai që do t’i japë bankës për kolateral, ai që do ta shesë shtëpinë, ai që do ikë jashtë shtetit, apo dikush që do tja ndajë fëmijëve, ai që do ta shesë sepse do marrë një tjetër, pra që ka arsye të domosdoshme që ta regjistrojë, bujrum hajdeni pranë sporteleve të ALUIZNI-t në gjithë Shqipërinë dhe ne po e presim këtë fluks. Të gjithë të tjerët që nuk i detyron asgjë për momentin le të presion me qetësi që të kalojë kjo valë e parë e qytetarëve të domosdoshme.

“Falas dhe pa afat”, Lame tregon si do bëhet regjistrimi i banesave të ndërtuara para vitit 1991 Read More »

Pse Xhisiela zgjodhi burgun në vend të lirisë?

Duke ikur e nervozuar nga Opinioni, përsëriste me vendosmëri se nuk do të dilte më në publik. Një komunikim i panevojshëm për publikun që po e ridëgjonte për herë të tretë versionin televiziv të ngjarjes, që është krejt i kundërt nga versionet që ajo vetë ka firmosur po tri herë në polici dhe prokurori.

Në fakt nuk ishte për publikun ai komunikim, ishte për ata që i mësuan atë version aq bajat sa gënjeshtrat e nxënësve të fillores kur nuk bëjnë detyrat apo mungojnë në shkollë. Ata që po e shëtisin nëpër studio televizive, duke e detyruar të përsërisë tekstin e shkruar, që mund ta çojë në burg.

Një fat që Xhisiela e ka pranuar, mesa duket si zgjidhjen më të mirë të mundshme. E pohoi disa herë se ka bërë dëshmi të rreme dhe se i dinte pasojat. Ndërsa vajza që tronditi politikën, shoqërinë dhe mediat me historinë e saj është nisur me vendosmëri drejt burgut, është e qartë se mundësitë e tjera janë më të këqija. Edhe pse gazetaret në Top Channel dhe Klan i ofruan ndihmë që të fliste dhe të fitonte lirinë, ajo nuk hoqi dorë nga vendimi vetëmohues që kishte marrë për t’u shërbyer dhunuesve. Një arsye më e madhe, një frikë më e madhe e ka detyruar t’i shohë diskretimin publik dhe burgun si mundësitë më të mira që i kanë mbetur, të jetë peng luksoz është më mirë se të rrezikojë jetën e saj dhe të familjes.

Zgjidhja e përligjur e një vajze jetime që gjithë jetën ka vuajtur harresën e shoqërisë dhe politikës dhe nuk ka arsye të besojë sot se mbështetja është e sinqertë dhe pa interes. Por, ndërsa ka pranuar këtë fat, ajo nuk mund të durojë më diskretitimin publik. Prandaj duke dalë nga skena, u deklaroi skenaristëve dhe regjisorëve, që janë pengmarrësit- menaxherë të saj, se nuk do të dalë më.

Xhisiela ishte e dhunuar përpara të mërkurës. Që atë ditë, është peng. Përpara syve tanë. Ata nuk u tërhoqën, përkundrazi, tani që të gjithë i kanë sytë tek Xhisiela, ata e kanë rrëmbyer, po e përdorin si kukull, po i ofrojnë burgun si mundësinë më të mirë, turpërimin publik si shpëtim, përdorimin politik si haraç për çdo ditë që e lejojnë të jetojë. Dhe, nëse dhunimi, torturat dhe kërcënimet deri të mërkurën e 26 shtatorit ishin duke ndodhur larg syve të publikut, në një hotel në Fushë Krujë apo në rrugët e Niklës, tani që të gjithë po e shohin: ajo është peng. Në vend që të të shpëtonte, është robinë e dhunuesve, të cilët tani janë edhe të zemëruar.

Përpara syve tanë. Kryeministri po e quan horr oficerin e policisë që denoncoi krimin dhe një baba në dëshpërim deputetin, që më pushtetin që i ka dhënë partia e tij, fshehu krimin. Përpara syve tanë po e akuzojnë dhunuesin dhe torturuesin e vajzës për përndjekje, për dashuri të tepruar. Përpara syve tanë, Edi Rama po i quan të paligjshme dëshmitë e regjistruara në Prokurori, ekspertizën mjeko- ligjore dhe të ligjshëm presionin me të gjitha mjetet që deputeti i tij, me vëllain dhe me fëmijët, u bënë efektivëve të policisë. Përpara syve tanë kanë marrë peng Xhisielën, median, ligjin, institucionet e zbatimit të ligjit, përpara syve tanë i vënë në funksion të kriminelëve që kanë futur në parlament, në bashki, në administratë dhe i ekspozojnë në media.

Përpara syve tanë shteti dhe pushteti po transferohet tek krimi. Prandaj Xhisiela zgjodhi burgun, në vend të kauzës së lirisë që e kemi humbur përpara syve tanë.

Pse Xhisiela zgjodhi burgun në vend të lirisë? Read More »

2 mln lekë për një vend pune shofer ku nuk merr as rrogën

Artur Mejdani denoncoi në emisionin “Stop” sesi u detyrua t’i jepte 2 milionë lekë të vjetra administratores Tatjana Toska, për një vend pune shofer në Shoqatën Kombëtare “Për mirëqënie dhe përkujdesje sociale”. Por pas disa muajsh, veç parave të marra kredi, Arturi nuk merrte as rrogën.

“I jam drejtuar emisionit Stop për të vetmen arsye sepse një zonjë, e quajtur Tatjana Toska, më premtoi një vend punë në shkëmbim të 2 milionë lekëve (të vjetra). Ia kam dorëzuar paratë vetë asaj në dorë, në shtëpinë e saj. Ajo më premtoi një punë në shoqatë. Më futi më punë prej pesë muajsh. Punova 4 muaj dhe dola nga ajo punë sepse nuk më paguante, nuk po më jepte lekët. Aty kishte lloj-lloj punësh, si mirëmbajtja e bahçes, pastrim territori dhe shofer nëpër rrethe e ndërmarrje, ku kërkonim ndihma për këtë shoqatë”, u shpreh denoncuesi.

Ai shtoi se administratorja e shoqatës, që i mori paratë në këmbim të punësimit, punon edhe në Bashkinë e Beratit, në sektorin e gjelbërimit.

Ia dhashë lekët që në muajin Shkurt të vitit 2018. Fillova punë në 1 Mars dhe kam punuar deri në fund të Qershorit. Rroga ka qenë 300 mijë lekë e deklaruar. Në fund të muajit Mars më kanë dhënë vetëm 200 mijë lekë, nja dy herë më ka dhënë nga 50 mijë lekë, një herë më dha i shoqi i saj 100 mijë lekë dhe një herë ajo vetë më dha 50 mijë lekë”, shpjegoi Artur Mejdani, i cili mori kredi për t’i paguar paratë administratores Toska.

Gazetari i emisionit “Stop” komunikoi me Tatjana Toskën, e cila mohoi kategorikisht çdo lloj akuze.

Gazetari – Si kalove? Genci Angjellari nga Tv Klan, emisioni “Stop”. Si jeni, mirë? Kemi disa pyetje për shoqatën dhe disa ankesa. Mundet të flasim?

Administratorja Tatjana Toska – Po!

Gazetari – Ju jeni administratorja?

Administratorja Tatjana Toska – Po!

Gazetari – Kemi një ankesë nga zoti… Artur Mejdani. Ai pretendon se ju ka dhënë disa lekë për një vend pune. Por… si është e vërteta?

Administratorja Tatjana Toska – S… ëëë po çuditem me thënë të drejtën.

Gazetari – Sapo e takova, i kam marrë dhe një intervistë, madje kishte dhe disa mesazhe që i kishit shkëmbyer. Bëhet fjalë për 2 milionë lekë, një gjë e tillë.

Administratorja Tatjana Toska – Po çuditem…

Gazetari – Nuk i ke marrë lekë domethënë zotërisë?

Administratorja Tatjana Toska – Tani, miqësisht e diskutojmë, e zgjidhim bashkë këtë gjë sepse unë jam grua që kam një jetë të tërë në këtë qytet, kam djalin…

Gazetari – Në qoftë se s’të ka dhënë lekë, ne nuk kemi çfarë të sqarojmë. Në qoftë se të ka dhënë, ne do të negociojmë që t’ia kthesh, kjo është e gjitha.

Administratorja Tatjana Toska – Gjithsesi, Tatjana po ta thotë një gjë sinqerisht, kam një jetë, për pak javë bëj 50 vjeç…

Gazetari – Edhe 100!

Administratorja Tatjana Toska – Faleminderit dhe mezi pres që të bëj një gjë shumë të rëndësishme në këtë qytet, me një karrierë shumë të gjatë në këtë qytet.

Gazetari – Nejse, ato nuk, nga…

Administratorja Tatjana Toska – Dhe jam aktualisht punonjëse e stafit të Bashkisë Berat, por tani që po flasim bashkë, sot unë jam larguar për t’u emëruar në një detyrë tjetër. Nuk bëj pjesë në ato lloj grash dhe ato lloj organizatash, se më njeh i madh e i vogël në këtë qytet, prandaj jam nga mëngjesi në darkë në shërbim të njerëzve në nevojë.

Pas mohimit të saj, emisioni “Stop” e përballi me denoncuesin për të kuptuar se kush po gënjente.

Administratorja Tatjana Toska – Ke Gëzimin dëshmitar ëëë?

Artur Mejdani – Po! Kam Gëzimin dëshmitar.

Administratorja Tatjana Toska – Më ka dhënë mua…?

Artur Mejdani – Po kam ardhur në shtëpi, t’i kam dhënë paratë.

Administratorja Tatjana Toska – Mua ëëë?

Artur Mejdani – Po!

Administratorja Tatjana Toska – Turi, po bën shumë gabim…

Artur Mejdani –Ti! Ti po bën! Mos e moho këtë, mos bëj këtë gabim se ti i ke të tëra të filmuara, i kam unë të filmuara, i kanë dhe këta të filmuara.

Administratorja Tatjana Toska – Edhe të filmuara, edhe ti edhe këta… unë nuk të kam marrë asnjë lekë.
Artur Mejdani – 2 milionë mua dhe 3 milionë Gëzimit.

Administratorja Tatjana Toska – Si është kjo…?

Artur Mejdani – 3 milionë Gëzimit, unë nuk po i hyj Gëzimit fare, kjo nuk ka rëndësi.

Administratorja Tatjana Toska – Çfarë është kjo?

Artur Mejdani – Unë mbaj përgjegjësi për veten time. Të kam dhënë 2 milionë lekë. Mua më jep lekët e punës dhe lekët që të kam dhënë!

Administratorja Tatjana Toska – Më ke dhënë mua ti lekë?

Artur Mejdani – Po! 2 milionë lekë në dorë. Mu në shtëpinë tënde.

Administratorja Tatjana Toska – Ku m’i ke dhënë 2 milionë lekë?

Artur Mejdani – Ty t’i kam dhënë mu në shtëpi.

Administratorja Tatjana Toska – Me gjithë mend e ke?

Artur Mejdani –Po! Të kam ardhur në darkë në shtëpi.

Administratorja Tatjana Toska – Po pse e bën këtë ti? Nga kush je nxitur?

Artur Mejdani – Nga asnjë. Unë dua lekët e bukës time, lekët e bankës se po më kërkon banka!

Nuk ma mohon dot, se unë të bie Gëzimin këtu. Ndryshe t’i paguajë Gëzimi se unë me Gëzimin të kam sjellë lekët në shtëpi.

Administratorja Tatjana Toska – Po flet shumë gabim!

Gazetari – Pa merre një herë Gëzimin në telefon, ta dëgjojmë një herë Gëzimin?

Artur Mejdani – Po!

Gëzimi – Alo!

Artur Mejdani – Ku je?

Gëzimi – Në shtëpi. Tani erdha.

Artur Mejdani – Ore Gëzo, ishim bashkë ne që i çuam lekët Tatjanës atje tek shtëpia ne?

Gëzimi – Po!

Artur Mejdani – Sa lekë i çova? I çova 2 milionë lekë?

Gëzimi – Po, i çove.

Artur Mejdani – Dhe ti 3 milionë lekë pas një jave?

Gëzimi – Po!

Artur Mejdani – Kaq kisha!

Administratorja Tatjana Toska – Kush më ka dhënë mua 3 milionë lekë?

Artur Mejdani – S’kam punë me këtë tjetrin. Unë dua të zgjidh këtë timin.

Administratorja Tatjana Toska – Kush më ka dhënë mua, edhe një herë? Ti më ke dhënë mua me Gëzimin?

Artur Mejdani – 2 milionë.

Administratorja Tatjana Toska – Tani do ta gjej unë se kush ju ka futur për të marrë lekët.
Artur Mejdani – Asnjë.

Administratorja Tatjana Toska – E ke shumë gabim!

Artur Mejdani – Kjo është e vërteta!

Administratorja Tatjana Toska – Unë jam grua këtu, ditë edhe natë.

Gazetari – Zonjë, i ke marrë apo jo?
Administratorja Tatjana Toska – Asnjë lekë!

Gazetari – E sigurtë?

Administratorja Tatjana Toska – Fare! Zero!

Gazetari – Ok! Mirupafshim!

Por para se të shkonte me gazetarin e emisionit “Stop”, Artur Mejdani shkoi vetëm me kamerën e fshehtë te administratorja Tatjana Toska për t’i kërkuar paratë. Ajo mori përsipër paratë e bankës dhe i dha një shumë të vogël atij, duke i kërkuar ta mbyllë çështjen.

Dita 1
Administratorja Tatjana Toska – Merre këtë 50-tëshe tani, që mos të të nxjerr duarbosh!
Artur Mejdani – Të lutem! Mua nuk më bën punë ajo! Nuk zgjidh dot asnjë gjë me atë! Të lutem! Nuk zgjidh dot asnjë gjë me atë 50-tëshe. Më vjen keq tani dhe me atë 50-tëshe, vajta lava bukën, vajin çfarë kishte marrë ajo, makaronat. Po të vish në shtëpi të shikosh, supë me makarona kemi bërë ne.

Administratorja Tatjana Toska– Deri të hënën në darkë, sot e shtunë, e dielë dhe s’kam ku të gjej. Po mirë, ti kujton se kam dhe s’të jap?

Artur Mejdani – Bëj një çikë sakrificë!

Administratorja Tatjana Toska – Po ku, ja…!

Artur Mejdani – Unë vajta, mora në bankë për ty, më vjen keq tani! T’i solla 2 milionë lekë.

Administratorja Tatjana Toska – Tani dëgjo! Bankën ta kam marrë përsipër ty, do të të jap… edhe diçka, të të them një gjë! Në qoftë se unë do të të laj bankën një mal me lekë, i bie pastaj që të më vejë dhe mua dyfish.
Artur Mejdani – Me atë dhe me punën, mua më ke 2 milionë e 850 mijë lekë se 50 mijë lekë m’i dhe pardje.

Dita 2.
Artur Mejdani – Ti s’e hap telefonin! Ato lekët?
Administratorja Tatjana Toska – S’të kam marrë se unë aplikova, e fitova aplikimin dhe kam qenë tek shoqata këto 2-3 ditë. Atje kam qënë dhe vetë jam larguar nga puna se do të merrem me shoqatën.

Artur Mejdani – Po të paktën na gjej ndonjë punë, ku, qysh, tek…?

Administratorja Tatjana Toska – Edhe ato do t’i jap unë, edhe ato do t’i jap…

Artur Mejdani – Po m’i kërkon edhe banka, o ti…!
Administratorja Tatjana Toska – Jo! S’ke punë me bankën ti, ta kam marrë unë përsipër bankën!

Artur Mejdani – Pse më marrin në telefon mua, ata?

Administratorja Tatjana Toska – Jo…, çfarë lexon këtu? Fondacioni Besa, drejtori i Fondacionit Besa. Do Zoti i rregullojmë, i mbyllim sot dhe nesër dhe do flasim pastaj! Unë nuk tradhëtoj as ty, as atë tjetrin!

Artur Mejdani – Ti e di…!
Administratorja Tatjana Toska – Mirë!
Artur Mejdani – Mirupafshim!

Administratorja Tatjana Toska – Do të marr unë mbasdite në telefon! Të jap fjalën!

Moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj bënë apel për kontroll në këto pseudo shoqata që mashtrojnë njerëzit./tvklan.al

2 mln lekë për një vend pune shofer ku nuk merr as rrogën Read More »

E keni parë këtë burrë? Lajmëroni menjëherë Policinë

Një burrë 37 vjeç është zhdukur prej dy ditës në Durrës ndërsa familjarët kanë vënë alarmin. Mbrëmjen e sotme Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve në gjetjen e tij.

Shtetasi Mariglen Gjoroveni 37 vjeç, banues në Durrës është larguar nga banesa më datë 01.10.2018 dhe nuk është kthyer më.

Sipas të dhënave ai është rreth 1.70 cm i gjatë, ka të veshur një bluzë ngjyrë blu sportive, pantallona sportive dhe atlete ngjyrë të bardhë.

Nga deklarimet e familjarëve është evidentuar se shtetasi i mësipërm vuan nga shëndeti mendor. Në rast identifikimi të tij, policia apelon të telefononi në numrin 0694110217.

E keni parë këtë burrë? Lajmëroni menjëherë Policinë Read More »

Si ndryshuan jetët e tyre pas misioneve, këta janë ushtarakët shqiptarë që kryen krime

Ata janë stërvitur për të qenë të fortë, për t’i shërbyer shtetit apo dhe qytetarëve. Por ka nga ata që për shkaqe të ndryshme i janë dorëzuar dobësisë duke i dhënë fund jetës apo duke kryer krime të tjera. Pjesa më e madhe e tyre kanë një emërues të përbashkët, misionet jashtë vendit.

Këta janë disa prej emrave të ish-ushtarakëve dhe ushtarakëve që u bënë lajm i kronikës së zezë, si duke vrarë, duke grabitur apo dhe duke i dhënë fund jetës.

1 janar 2013
Nënoficeri i Forcave Komando të Ushtrisë Aldo Morina ekzekuton me armë zjarri 53-vjeçarin Mehmet Beqiri i cili punonte si taksist. Aldo Morina e ekzekutoi taksistin në mjetin e tij. Pas vrasjes u dorëzua në polici.

Nga hetimet e prokurorisë doli se shkak për vrasjen ishte një lidhje midis nënës së nënoficerit dhe Mehmet Beqirit. Para prokurorëve Morina tha se shkaku që vrau 53-vjeçarin ishte se ai dhunonte dhe kërcënonte vazhdimisht nënën e tij për të vijuar lidhjen.
Në përfundim, Morina u dënua me 12 vite burg, por për shkak të Gjykimit të Shkurtuar dënimi i zbriti në 8 vite.

28 tetor 2013
Nënoficeri i forcave komando, Mariglen Bramati vret veten me armë zjarri. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 28 tetorit të 2013, në orën 20:20 minuta në zonën e Shkozës. Bramati humbi jetën në spital.

Babai i tij tha për mediat, se djali i tij kishte kaluar në depresion pas 5 misioneve një herë në Irak, dy herë në Çad dhe dy herë të tjera në Afganistan.

9 shtator 2013
Në zonën e ish-bllokut, nënoficer Ndriçim Balla vret me armë zjarri një person dhe plagos një tjetër. Viktima ishte shtetasja Majlinda Hoxha ndërsa i plagosur mbeti Elton Fusha. Hetimet përcaktuan se Elton Fusha ishte objektivi i vërtetë i Ndriçim Ballës. Shkak, ishte një borxh që Elton Fusha i kishte vëllait të autorit të krimit Ndriçim Ballës.

Megjithëse Ndriçim Balla, nuk e pranoi në asnjë moment krimin ai u dënua me 35 vite burg nga gjykata.

29 janar 2015
Një helikopter që po transportonte 1 ton hashash qëllohet nga Garda Civile e Spanjës në zonën e Malagës. Helikopteri u rrëzua dhe humbi jetën piloti që e drejtonte. Ai ishte Sokol Feka, instruktor në bazën Ajrore të Farkës. Feka ishte pjesë e Forcave Ajrore prej 18 vitesh dhe kishte gradën Major.

Pas ngjarjes komshinjtë e Sokol Fekës, për mediat u shprehën se familja e majorit ishte në vështirësi financiare. Një pronar i një dyqani, tha se Majori Sokol Feka merrte ushqime me listë në dyqanin e tij. Sipas fqinjëve, Feka jetonte me qira dhe kishte probleme të thella ekonomike.

8 nëntor 16
Medit Hasani ish-anëtar i Forcave Komando, që kishte shërbyer dhe në një mision paqeruajtës në Irak arrestohet. Ai synonte të bënte një sulm terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izraeli e cila do të luhej në stadiumin ‘Loro Boriçi’. Plani i Medit Hasanit dhe shokëve të tij u ndërpre nga Zbulimi Ushtarak i Izraelit. Ata përgjuan bisedat e grupit në Skype kur bënin planet për sulmin.

Pas largimit nga Forcat e Armatosura Medit Hasani u lidh me grupet ekstremiste islamike. Madje mendohet se ai ka qenë dhe pjesë e luftimeve në Siri. Rikthimi në Shqipëri u bë nëpërmjet rrugëve tokësore, për të vijuar planin e sulmit në Shkodër.

Hasani besohet se kishte marrë përsipër të ndërtonte apo të siguronte minat me telekomandë, që do përdoreshin gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael në stadiumin e Shkodrës. Plani ka qenë i njëjtë me atë në Paris, ku fillimisht terroristët kanë sulmuar me mina të telekomanduara, duke ngjallur panik dhe terror dhe më pas, anëtarët e tjerë kanë sulmuar civilë të pafajshëm më kallashnikovë.

9 shkurt 17
Në rrugën Tiranë-Rinas, mesditën e 9 shkurtit ndodh një grabitje nga disa persona të maskuar dhe të armatosur. Në total vlera e vjedhur në valutë ishte 3.2 milionë dollarë.

Pas një hetimi të policisë, u identifikua grupi që kishte në përbërje 6 persona. Në këtë grup bënin pjesë edhe dy ish-anëtarë të Forcave Komando Ditjon Memlikaj dhe Naim Avdulaj. Ditjon Memlikaj ka qenë edhe pjesë e misioneve paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak. Memlikaj u larguar nga Forcat e Armatosura për shkak të përmbushjes së afateve të gradës, ndërsa Naim Avdulaj u largua për mungesa të shumta në punë.

5 mars 2017
Një ngjarje makabre është regjistruar paraditen e së dielës në fshatin Uji i Mirë në bashkinë e Këlcyrës. Ish-efektivi i Forcave të Armatosura, Alban Voda i ka prerë kokën bashkëfshatarit të tij Nesim Hoxha, 66 vjeç.

Konflikti misi Alban Vodës dhe Nesim Hoxhës kishte nisur që para një viti.
Banorët e fshatit deklaruan për mediat se Alban Voda kishte probleme mendore. Në sallën e gjyqit ai nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese por është shprehur që ‘Mirë ja bëra, se mos është ende gjallë’.

Alban Voda ishte bërë pjesë e forca të armatosura në prill të 2009 dhe u largua në tetor të 2012 me kërkesë të tij. Ai kishte shërbyer në dy misione në Kabul dhe në Herat të Afganistanit.

9 gusht 2018
Enea Xhaja, 29 vjecc, pjesëtar i forcave të NATO-s me detyrë oficer në Bunavi të Vlorës i dha fund jetës duke pirë fostoksinë.

Ndonëse ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Fierit, nuk mundi të mbijetonte. I riu ndërmori këtë akt vetëflijmi, në rrethana që mbeten të paqarta por dyshohet se Xhaja kishte probleme depresioni.

1 tetor 2018
Arjol Mancce, 30 vjeç gardist vret veten më armën e shërbimit brenda Gardës së Republikës. Dyshohet se Mançe e ka kryer këtë akt pas ndarjes nga e dashura. Mançe kishte tri vite që shërbente në Gardë, ndërsa ishte një ushtarak i kualifikuar. Po ashtu mësohet se i riu kishte qenë pjesë e misioneve paqeruajtëse jashtë vendit, si në Irak.

Si ndryshuan jetët e tyre pas misioneve, këta janë ushtarakët shqiptarë që kryen krime Read More »