Aktualitet

Pas SHBA, mesazhi bombastik nga Gjermania: Së shpejti do të godasim ‘kokat’ e krimit në Shqipëri, bllokojmë të gjitha pasuritë e tyre

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka zhvilluar një takim me zv/presidentin e Zyrës Federale Kriminale të Gjermanisë, Peter Henzler, me të cilin ka diskutuar për luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Në fjalën e tij, Veliu u shpreh se ky bashkëpunim i frytshëm është vazhdimësi e bashkëpunimeve të sukseshme midis qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane dhe çmoi si shumë të rëndësishme mbështetjen nga ana e Policisë gjermane për Policinë shqiptare dhe për Task – Forcën në veçanti.

Nga ana e tij, Henzler u shpreh se tashmë është ngritur një bazë e shkëlqyer për ta çuar më tej bashkëpunimin mes dy policive duke ndërmarë iniciativa të përbashkëta në varësi të situatës së krimit në Shqipëri, në Gjermani dhe pse jo edhe më gjerë në Europë.

“Duhet të identifikohen qëllimet e përbashkëta edhe në kuadër të projektit “ORKA” që do të nisë së shpejti në Gjermani në bashkëpunim edhe me Task – Forcën “Forca e Ligjit”, që është një mundësi shumë e mirë për të luftuar krimin në Shqipëri duke luftuar dhe bllokuar së pari asetet monetare që burojnë nga krimi”, Peter Henzler.

Në fund të takimit u nënshkrua marrëveshja për dorëzimin e logjistikës në mjete kompiuterike, mjete lëvizëse motoçikleta dhe pajisje të tjera speciale për Task – Forcën “Forca e Ligjit”.

Pas SHBA, mesazhi bombastik nga Gjermania: Së shpejti do të godasim ‘kokat’ e krimit në Shqipëri, bllokojmë të gjitha pasuritë e tyre Read More »

Ky lajm është tronditës: Një organizatë e re gjobëvënëse është aktivizuar në Shqipëri

Burime nga 360grade.al, mësojnë se para disa ditësh ka filluar të aktivizohet një organizatë e re dhe sekrete, që është krijuar nga biznesi i madh shqiptar, ose më saktë nga disa përfaqsues të lartë të tij.
Shqetësimi kryesor i tyre lidhet me gjobëvënien, një dukuri kjo që është rikthyer shumë fuqishëm dhe po prek të gjitha bizneset.

Por jo vetëm kaq, “Gjobat” e sotme, që vendosen nga bandat e mëdha, kanë një ndryshim të madh, nuk bëhet më fjalë për shifra të rendit 100.000 euro apo 1.000.000 euro, por tanimë bëhet fjalë për kalim aksionesh nga bizneset e gjobitura, në favor të “biznesit legal” të bandave. Me saktë të tre prej tyre, që janë edhe më të mëdhatë në Shqipëri dhe të mirëstrukturuara.

Synimi i bandave, sipas modelit të Mafias, është që të hyjnë gjithmonë e më shumë në sferën e bizneseve legale, duke i grabitur ato, pjesë pjesë dhe me anë të forcës dhe kërcënimit të armëve.
Kjo ka sjellë një panik të thellë në rradhët e biznesit, sepse duhet ose të bëhen ortakë me bandat, ose duhet të rrezojnë jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre.

Sipas burimeve të 360grade.al, Sipërmarësit e mëdhenj, krejt mosbesues ndaj politikës dhe shtetit, janë duke aktivizuar edhe ata një Organizatë sekrete, e cila do të ketë edhe ajo, krahun e vet të armatosur…/korrieri

Ky lajm është tronditës: Një organizatë e re gjobëvënëse është aktivizuar në Shqipëri Read More »

Kush janë Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka? Dy hyrjet e reja në listën e 10 më të pasurve në Shqipëri

Instituti Europian Pashko ka publikuar dje listën e 10 personave më të pasur në Shqipëri. Kriteret dhe parametrat e analizuar në këtë studim marrin në konsideratë treguesit e kapitalit aksioner dhe pjesët takuese proporcionalisht; Fitimin (proporcional) të vitit ushtrimor; Kapitalin neto proporcional.

Në listën ku renditen 10 biznesmenët që kanë fituar më shumë për vitin 2017-të, ka dy hyrje të reja, Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka, të cilët nuk janë renditur në studimet e mëparshme as në 15 biznesmenët me më shumë fitime në Shqipëri.

Shapllo dhe Orgocka rezultojnë se janë të dy aksionerë në kompaninë ‘GSA’, e specializuar në sektorin e energjisë. Në këtë kompani Shapllo zotëron 60% të aksioneve, ndërsa Orgocka ka 40%.

GSA është kompania më e madhe shqiptare që blen energjinë nga KESH dhe më pas ia shet atë OSHEE. Ajo shet gjithashtu matësat e energjisë elektrike dhe bën mbikëqyrjen e procesit.

Por kjo kompani nuk është e fokusuar vetëm në sektorin e energjisë elektrike, ajo ka ringritur edhe uzinën e ferro-kromit në Elbasan me një investim prej 20 milionë euro.

Investimet madhore të kësaj kompanie dhe fuqizimi i madh në sektorin e energjisë kanë ardhur kryesisht pas vitit 2015-të.

Sa i përket dy aksionerëve, Agron Shapllo renditej në të njëjtin studim i 16-i në listën e biznesmenëve me më shumë fitime për vitin 2016-të, ndërsa Serafin Orgocka renditej në vendin e 23. Një vit më pas, ata ia kanë dalë që të ngjiten respektivisht në vendin e 5-të dhe të 9-të.

Renditja sipas Fitimit të Vitit 2017

Samir Mane, Shefqet Kastrati, Grigor Joti, Rrok Gjoka, Agron Shapllo, Renis Tërshana, Agim Zeqo

Tom Doshi, Serafin Orgocka, Lefter Kallo

Kush janë Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka? Dy hyrjet e reja në listën e 10 më të pasurve në Shqipëri Read More »

Shteti shqiptar ndërmerr një hap tjetër ndaj “Babales”

Ndonëse u ndalua në Prishtinë dy ditë më parë, Albert Veliu, i ashtuquajturi dëshmitari X, protagonist i audiopërgjimit të Agron Xhafaj u la i lirë të premten.

Por tani Ministria e Drejtësisë ka nisur ditën e premte drejt Kosovës, dosjen për ekstradimin e Veliut, i njohur si Babalja që përgjoi vëllain e Ministrit të Brendshëm.

Burime konfidenciale pranë Ministrisë së Drejtësisë, kanë pohuar se menjëherë pasi policia e Kosovës e arrestoi Albert Veliun në bazë të urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritet shqiptare, ministria e Drejtësisë përgatiti dosjen që do të shërbejë për ekstradimin e Veliut në vendin tone, shkruan tch.

Aktualisht Veliu, ose Babalja është lënë i lirë nga gjykata e Prishtinës deri sa të zhvillohet gjyqi për ekstradimin e tij. Gjithashtu Babalja ka bërë edhe një kërkesë për azil në Kosovë, kërkesë e cila ende nuk ka një vendim nga autoritetet kosovare.

Shteti shqiptar ndërmerr një hap tjetër ndaj “Babales” Read More »

Si e ‘fshehu’ gjyqtari Artur Malaj vilën 3-katëshe nga Vettingu

Dokumente dhe dëshmi të siguruara nga BIRN tregojnë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit anashkaloi prova të shumta që e lidhin gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj me një vilë 3 katëshe në qytetin e Vlorës-si dhe akuzat për korrupsion dhe transaksionet e familjarëve me të ashtuquajturën “mafia” e pronave në bregdet.

Ervin Çeta, ish kampion kombëtar boksi me klubin sportiv “Flamurtari” u rrit përballë një fushe sportive pas shkollës së mesme “Halim Xhelo” në qytetin e Vlorës, në oborrin e së cilës luante futboll dhe ushtronte muskujt mbi paralele.

Në një cep të oborrit të shkollës- aty ku dikur ndodhej një vendstrehim i nëndheshëm antiajror që banorët e zonës i referohen si ‘tuneli’, ngrihet sot një vilë e madhe tre-katëshe me papafingo, grila persiane, kangjella hekuri dhe porta automatike.“Kam nostalgji pasi në oborrin e shkollës luanim futboll. Këtu ku ndodhet shtëpia më parë ishte vendstrehimi,” kujton Çeta, i cili e ndan jetën mes Vlorës dhe qytetit të Otrantos në Itali, ku punon si bahçevan.

“Shtëpia është e boshatisur prej vitesh dhe e vizitojnë rrallë gjatë beharit, pasi janë zhvendosur të gjithë në Tiranë,” tregon ish boksieri, i cili ka zhvilluar 11 ndeshje ndërkombëtare.

Sipas banorëve të lagjes ‘Kushtrimi’, pas mureve të dekoruara me tulla terakotë jetonte dikur Artur Malaj-për shumë vite kryetar i Gjykatës së Vlorës dhe prej vitit 2013, gjyqtar në Gjykatën e Administrative të Apelit në Tiranë.

Përveç dëshmive të fqinjëve, fije të shumta verbale dhe shkresore, një raport i deklasifikuar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, një denoncim në KLD, si dhe dokumente të ILDKPKI-së dhe institucioneve të tjera e lidhin ngushtësisht gjyqtarin Malaj me këtë vilë, e cila ka një origjinë prone të dyshimtë dhe është regjistruar në hipotekë në emër të ish-sekretares së tij.

Megjithatë, sinjalet e shumëfishta se vila mund të jetë pasuri e fshehur e gjyqtarit u anashkaluan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili më 3 gusht mori vendimin për ta konfirmuar në detyrë Malajn me argumentin se ai “ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel kualifikues të vlerësimit të aftësive profesionale.”

Vila pas shkollës “Halim Xhelo” nuk është e vetmja pronë që ka ngritur dyshime mbi integritetin e gjyqtarit Artur Malaj.

Sipas provave të administruara nga KPK, familjarët e tij dhe personat e lidhur zotërojnë mijëra metra katrorë  tokë, apartamente dhe troje ndërtimi, një pjesë e të cilave janë përfituar nga persona me precedentë të theksuar kriminalë dhe të lidhur më të ashtuquajturën “mafia” e tjetërsimit të pronave në bregdet.

Përveç dyshimeve mbi pasurinë, raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar përmban akuza të përsëritura për përfshirje në korrupsion sistematik të gjyqtarit dhe përfitime të paligjshme, të cilat nuk u morën parasysh nga KPK në procesin e rivlerësimit të Artur Malajt.

I pyetur nga BIRN mbi pronësinë e vilës tre katëshe, pronat e familjarëve dhe informacionet për korrupsion, gjyqtari Malaj i mohoi akuzat dhe i cilësoi raportimet e DSIK-së si të pasakta. Ai shtoi gjithashtu se nuk kishte qenë në dijeni të transaksioneve të kunatit me pronat-të cilat tha se janë bërë me kontrata të rregullta dhe transferta bankare.

“Aty ka jetuar vëllai im, Afrimi dhe nëna ime. Njerëzit mund ta kenë ngatërruar vëllanë me mua,” tha Malaj, duke shtuar se nuk e dinte kush nga fqinjët ka folur, por vetë ai i kishte çuar deklaratat e tyre në KPK.

“Akuzat për korrupsion janë të pasakta. Një nga raportimet i përket një përdhunuesi që është liruar nga Apeli, tjetra është për një short në kohën kur unë kam qenë gjyqtar në Tepelenë dhe jo në Vlorë dhe e treta i referohet shtëpisë 3-katëshe ku thuhet që është ndërtuar nga babai im në kohën që ai kishte vdekur,” tha Malaj.

Vila 3-katëshe mbi bunker

Artur Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej korrikut 2013 është  gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit. Ai ka drejtuar Gjykatën e Vlorës nga viti 2004 deri në vitin 2013; kur u promovua nga presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Malaj ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.Ai iu nënshtrua procesit të vetingut me përparësi për shkak të kandidimit të tij për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë- institucionit të ardhshëm që do të zëvendësojë inspektoratin aktual të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe që do të ketë për detyrë të hetojë shkeljet e mundshme të gjyqtarëve në të ardhmen.

Analiza e deklaratave të pasurisë të dorëzuara në ILDKPKI tregon se pasuria familjare e tij është rritur me 47 herë nga viti 2003 dhe ka si burim kryesor aktivitetin e bashkëshortes si notere. Vila e ndërtuar prej një dekade pas shkollës “Halim Xhelo” në Vlorë dyshohet se është pjesë e padeklaruar e kësaj pasurie.

Banorët e lagjes “Kushtrimi” i thanë BIRN se familja e gjyqtarit Malaj është vendosur në rrugicën pas shkollës “Halim Xhelo” në fillim të viteve ’90 nga fshati Llakatund, pasi ndërtuan më parë një shtëpi pa leje, në gjurmët e u ngrit më pas vila 3-katëshe.

Të dhënat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive në Vlorë dhe të Gjykatës së Vlorës tregojnë se trualli prej 478 m2 dhe ndërtesa e vjetër prej 90 m2 u regjistruan fillimisht në emër të shtetasit tashmë të ndjerë Sokrat Dautaj – ish avokat dhe ish-gjyqtar në Gjykatën e Vlorës.

Dautaj e përfitoi pronën publike nëpërmjet një gjyqi kundër bashkisë së Vlorës në vitin 2005, duke paraqitur 2 dëshmitarë të cilët pretenduan se babai i tij e kishte ndërtuar shtëpinë në vitin 1984.

Gjyqi është mbajtur në mungesë të përfaqësuesve të bashkisë Vlorë dhe Avokaturës së Shtetit. Sipas vendimit të Gjykatës së Vlorës, avokati Dautaj e ka fituar pronësinë e objektit dhe të truallit nëpërmjet institutit të parashkrimit fitues.

Sokrat Dautaj ndërroi jetë në vitin 2007 dhe prona u trashëgua nga e veja Beatriçe dhe dy vajzat Alma dhe Blerina Dautaj. Në emër të Beatriçes dhe 2 vajzave të saj në vitin 2009 nga bashkia Vlorë është marrë një leje ndërtimi për rikonstruksionin dhe ndërtimin e vilës 3-katëshe me sipërfaqe ndërtimi 204.5 m2.

Vila në emër të familjes Dautaj është deklaruar si adresë nga gjyqtari Artur Malaj në deklaratat periodike të dorëzuara në ILDKPKI. Adresa “ lagja Kushtrimi, rruga Dëshmorët” është deklaruar gjithashtu si adresë banimi prej tij në dosjen e një kredie të marrë në “Raiffeisen Bank” në vitin 2005.

Të njëjtën adresë kanë në regjistrin civil nëna e gjyqtarit, Xhano Malaj dhe vëllai i tij, Afrim Malaj, i cili jeton tashmë në Itali.

Kontrata e sipërmarrjes për ndërtimin e vilës me shoqërinë e ndërtimit Desi sh.p.k është redaktuar në vitin 2009 nga noterja Ledina Malaj – bashkëshortja e gjyqtarit. Kjo adresë familjare deklarohet nga Ledina Malaj edhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në vendimin e regjistrimit të biznesit të noterisë në vitin 2005.

Gjyqtari Artur Malaj pranoi në një bisedë telefonike me BIRN se e kishte deklaruar si adresë vilën në lagjen “Kushtrimi” për shkak të pamundësisë-pa sqaruar se ku kishte jetuar në atë kohë.

“Unë e kam deklaruar në KPK se ku kam jetuar. Unë dhe bashkëshortja ime e kemi deklaruar atë si adresë, pasi nuk kishim adresë,” i tha Malaj BIRN.

Por prezenca e Malajt në këtë banesë konfirmohet nga fqinjët e rrugicës “Dëshmorët”, që banojnë ngjitur me vilën 3-katëshe dhe oborrin në rikonstruksion të shkollës “Halim Xhelo”.

Një zonjë e moshuar dhe fqinje “derë më derë” me vilën kujtoi kohën kur fadromat shembën “tunelin e ushtrisë për të ndërtuar pallatin”. Banore e zonës prej vitit 1962 dhe rrobaqepëse për disa dekada gjatë regjimit komunist, e moshuara 87 vjeçare, e cila njihet prej fqinjëve si nënë Mellania i tha BIRN me hezitim se kishte pasur hyrje-dalje për raste me nënën e Malajt.

Ajo kujtoi se e gjithë familja-me përjashtim të babait që sipas saj kishte vdekur në fshat, u vendosën aty në fillim të viteve ’90.

“Kanë më shumë se 3 vjet që kanë ikur në Tiranë dhe nuk i kam parë më. Ku ata e ku ne tani,” tha e moshuara, duke iu referuar diferencës “klasore”.

E moshuara e përshkroi Malaj si djalë shumë të mirë, por si gjyqtar ajo vetë s’kishte pasur ndonjëherë nevojë për gjyqe. E pyetur për Sokrat Dautajn, ajo tha se nuk e njihte dhe nuk e kishte parë ndonjëherë.

“Unë e kuptoj pse jeni ju këtu, por nuk di më shumë. Ndoshta ai [Sokrati] e ka,” tha 87-vjeçarja me flokë të bardhë të shndritshëm. “Por ne na kanë mësuar që kush gënjen, kush vjedh, kush mashtron ka për të dalë një ditë,” shtoi ajo.

Njësoj si e moshuara, edhe një ish-agronom në pension që kultivon lule dhe pemë dekorative në oborrin e marrë me qira të një shtëpie të vjetër përkrah vilës 3-katëshe e lidhi ndërtesën me gjyqtarin Artur Malaj. Por ndryshe nga 87-vjeçarja, agronomi e kishte njohur Sokrat Dautajn.

“Unë di që Sokrat Dautaj ia ka shitur vilën kryegjyqtarit të Vlorës shumë herët. Unë e njihja Sokratin se më pati lidhur një çështje e imja dhe u habita,” tha ai me lëvdatë për avokatin e ndjerë.

Agronomi në pension, i cili e nisi biznesin e tij të vogël të luleve në ’97-n “kur të tjerët merreshin me armë” përshkruan të njëjtin historik të pronës. Lidhur me gjyqtarin Malaj dhe familjarët e tij, ai tha se kanë jetuar për shumë vite aty-por ai nuk kishte njohje personale se “ishin të ardhur”.

Ish-boksieri Ervin Çeta, i cili në Vlorë e mban gjallë pasionin për sportin përmes stërvitjes së djemve të vegjël kujton se familja Malaj erdhi aty në të njëjtën kohë me familjen Simoni-rreth krushqie, e cila banon vetëm disa metra më tutje. Përballë vilës 3-katëshe ndodhet edhe një tjetër e ngjashme e zotëruar nga të afërmit e tyre të familjes Gërveni.

“Shtëpia është ndërtuar nga i vëllai, por nuk ka qenë kështu siç e shihni ju sot. Vila është bërë më vonë,” thotë Çeta. “Jetonin të gjithë këtu-gjyqtari, vëllai, mamaja,” shtoi ai.

Prona në emër të ish-sekretares

Ndryshe nga familja Malaj, familja Dautaj që rezulton pronare në ZRPP e vilës nuk ka jetuar në lagjen ‘Kushtrimi’, pas shkollës ‘Halim Xhelo”. Edhe pse janë ‘pronarë’ në letra të një vile të madhe, Beatriçe Dautaj dhe vajza e saj, Alma Dautaj jetojnë në një apartament modest në katin e katërt të një pallati të ndërtuar gjatë regjimit komunist në rrugën “Veladin Kollozi”, pjesë e lagjes Lef Sallata në Vlorë.Nga viti 2005 deri në vitin 2013 – kohë kur gjyqtari Artur Malaj ka udhëhequr Gjykatën e Vlorës, Alma Dautaj ka punuar si sekretare e tij dhe kryesekretare e gjykatës. Menjëherë pas largimit të Malajt për në Tiranë, ajo është shkarkuar nga detyra nga kryetari i ri Skënder Haluca.

Për shkarkimin nga detyra, Dautaj ka bërë padi në Gjykatën Administrative Vlorë dhe më vonë në Gjykatën Administrative të Apelit. Një nga tre gjyqtarët që i ka rënë çështja me short ka qenë dhe Artur Malaj, po duket se ky i fundit ka dhënë dorëheqjen. Trupa e udhëhequr nga Alkelina Gazidede i ka dhënë pjesërisht të drejtë znj. Dautaj duke e dëmshpërblyer me 10 paga për shkarkimin nga detyra.

Në një intervistë të shkurtër në pragun e apartamentit të saj në lagjen “Lef Sallata”, Alma Dautaj pretendoi se vila në lagjen “Kushtrimi” ishte pronë e saj.

“Unë kam 4 shtëpi, kam atje, kam në Ujë të Ftohtë. Ajo pronë ka një histori, merrini dokumentet dhe shikojini, tha zonja Dautaj.

E pyetur se pse banonte në apartament kur vila qëndronte bosh, Dautaj u përgjigj: “Dje isha atje, pyesni njerëzit..”.

Por kur iu kërkua të tregonte ngjyrën e kuzhinës së vilës për të mbështetur pretendimin e saj të pronësisë, Dautaj u bllokua dhe mbylli derën duke mërmëritur se kjo ishte një çështje privatësie.

Kjo nuk është hera e parë që Alma Dautaj vihet në vështirësi për të bindur se ajo është pronare e vilës në lagjen ‘Kushtrimi’.  Sipas KPK-së, ajo ka bërë deklarime kontradiktore edhe përpara Komisionit, pasi ka deklaruar se “banesa mbi këtë truall është ndërtuar në vitet 1991 – 1992, ndërkohë që babai i saj, në padinë e ngritur, ka pretenduar se kjo banesë është ndërtuar në vitin 1984.”

Në KPK, Dautaj ka deklaruar gjithashtu se nuk ka dijeni të plotë për mënyrën se si është përfituar kjo pasuri nga babai i saj, duke pretenduar se e ka përfituar këtë pasuri nga gjyshi, ndërkohë që nga shqyrtimi i dosjes gjyqësore lidhur me fitimin e kësaj pasurie, konstatohet se ajo është njoftuar dhe e ka marrë njoftimin për të marrë pjesë në seancat gjyqësore në Gjykatën e Apelit, pas vdekjes së babait të saj.

KPK nënvizon gjithashtu se Alma Dautaj dhe familja e saj nuk mund ta dokumentojnë me burime të ligjshme ngritjen e kësaj pasurie-ku vetëm ndërtimi i saj, sipas një preventivi të siguruar nga KPK kapi vlerën e mbi 13.9 milionë lekëve.

Dautaj i ka thënë Komisionit se familja e Z.Malaj ka jetuar me qira në banesën që ekzistonte deri në vitin 2008, përpara ndërtimit të vilës.

Dëshmitë e fqinjëve në lagjen ‘Kushtrimi,’ lidhja profesionale e Z. Malaj me familjen Dautaj dhe të dhënat e ILDKPKI, të QKB-së dhe regjistrit civil nuk janë të vetmet prova që e lidhin gjyqtarin Malaj me vilën 3 katëshe. Një denoncim mbi pronësinë e tij mbi vilën është bërë që prej vitit 2008 në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Në një ankesë të depozituar në KLD, të protokolluar me datë 29 korrik 2008, shtetasi M.Xh shkruan se “kryetari i Gjykatës, z. Artur Malaj, ka ndërtuar shtëpinë e tij, në territorin e gjimnazit ‘Halim Xhelo’ dhe me gjyqe të manipuluara e ka legalizuar”.

Po ashtu, KPK ka administruar dhe një denoncim nga shtetasi me iniciale H.H i cili shprehet se ““…Artur Malaj … në oborrin e shkollës ‘Halim Xhelo’ ka bërë vilë 4-katërshe dhe e ka vënë në emër të sekretares së tij. Po kështu, ka dhe apartament te Uji i Ftohtë në emër të nënës.”

Raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar mbi pastërtinë e figurës së gjyqtarit, të cilin e ka cilësuar si të “papërshtatshëm” për vazhdimin e detyrës, ka veçuar dhe pronësinë e vilës 3-katëshe.

“Gjyqtarja K.Gj. në dhënien e vendimit civil me nr. ***, datë 23.09.2005, në bashkëpunim dhe në interes të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, z. Artur Malaj, jep në pronësi me parashkrim fitues një pronë publike në qytetin e Vlorës,” shkruan DSIK në raportin e saj.

“Sipas informacioneve rezulton se shtëpia, objekt i vendimit civil gjyqësor, është ndërtuar pa leje në vitet 1995-1996 nga babai i Artur Malajt. Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka përdorur pozitën e tij me qëllim përfitimin e një prone (truall, pronë shtetërore) në qytetin e Vlorës,” shton raporti.

Pavarësisht indicieve të shumta, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shfajësoi gjyqtarin Malaj me argumentin se “në asnjë rast kjo pronë nuk lidhet me subjektin e rivlerësimit përmes ndonjë dokumenti shkresor apo prove tjetër”. Lidhur me pamundësinë financiare të familjes Dautaj, Komisioni pranoi shpjegimin se Sokrat Dautaj ka qenë avokat nga viti 1992 deri në vitin 2007, “ç’ka ka krijuar të ardhura të justifikuara për ndërtimin e vilës 3-katëshe”.

Transaksionet e pronave

Pullumb Petritaj u arrestua të martën në Vlorë pas akuzave se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka tjetërsuar me anë të vendimit fals të gjykatës një sipërfaqe prej 100  hektarësh në zonën turistike të Zvërnecit. Petritaj dhe persona të tjerë janë akuzuar si pjesë e “mafies së pronave” në bregdet dhe sipas Prokurorisë, është i lidhur me Artur Shehun, një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, dyshohet se përveç 100 hektarëve në Zvërnec, Petritaj ka tjetërsuar nëpërmjet falsifikimit të vendimeve gjyqësore më shumë se 500 hektarë tokë në zona të ndryshme të bregdetit të jugut, përfshirë Palasën dhe Karaburunin.

Sipas të dhënave të administruara nga KPK, një pjesë e pronave të nipit, motrës dhe kunatit të gjyqtarit Artur Malaj janë përfituar nga personave që janë në bashkëpronësi me shtetasin Artur Shehu.

“Shtetasi A.Sh., i dyshuar si personi kryesor i përfshirë në dosjet e tjetërsimit të pronave në Vlorë dhe sipas informacionit që ne disponojmë është i proceduar edhe jashtë vendit për kryerjen e disa veprave penale,” shkruan KPK.

Sipas KPK-së, në emër të nipit 30-vjeçar të gjyqtarit Malaj janë regjistruar 4 troje me sipërfaqe totale 4444,3 m2 në qytetin e Vlorës dhe një auto veturë Mercedez Benz ML.

Nipi F. B. dhe prindërit e tij nuk janë të vetmet persona të lidhur me gjyqtarin Malaj, në emër të të cilët janë regjistruar një numër i madh pronash të paluajtshme.

Në emër të motrës tjetër, E. dhe kunatit A. G. ka një listë të gjatë pasurish të paluajtshme dhe likuiditete bankare.  Ata kanë qenë garantorë të një kredie të marrë nga gjyqtari Malaj në “Raiffeisen Bank”-çka i bën ata sipas KPK-së persona të lidhur.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në emër të motrës dhe kunatit janë të regjistruar një apartament me vlerë 110 mijë euro në Tiranë dhe sipërfaqe 86 m2, dy apartamente në Vlorë me sipërfaqe 78.6 m2 dhe134,4 m2, 26 mijë m2 pyll në Vlorë, dhe 10 mijë metra katrorë tokë në Zvërnec. Gjithashtu ato zotërojnë 2 apartamente të tjera në Vlorë me sipërfaqe 94.4 m2 dhe 97 m2 , investime në Fondin Prestigj në Raiffeisen Invest në vlerën prej 2.8 milionë lekë, obligacione në vlerë 50 mijë euro, 2.95 milionë lekë bono thesari, 51,324 USD depozitë në bankën BKT dhe 25 % të aksioneve të kompanisë ‘Fish Planet’ me vlerë 25 mijë euro.

I pyetur nga BIRN, gjyqtari Artur Malaj i cilësoi akuzat e ngritura për transaksionet e pronave me persona me precedentë penalë si të rënda, ndërsa e përjashtoi veten nga çdo lidhje me to.

Ai sqaroi se pronat nga njerëzit e lidhur me Artur Shehun i ka blerë kunati dhe jo nipi i tij ndërsa shtoi se ai vetë nuk kishte pasur dijeni.

“Tokat i ka blerë kunati dhe jo nipi im. Kontratat kanë qenë veprime të rregullta dhe nëpërmjet bankës. Gjithçka shpjegohet në vendimet e KPK-së,” tha Malaj.

“Në hetimet e prokurorisë nuk përcaktohet që falsifikimet me tokat janë bërë në kohën që unë kam qenë gjyqtar,” shtoi Malaj për BIRN.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti fillimisht dyshime mbi pasuritë e familjarëve të Malajt, por i ka justifikuar ato duke iu referuar të ardhurave nga bizneset familjare dhe emigracioni.

Ndryshe nga praktika e konsoliduar e Komisionit, pjesa e analizës financiare e personave të lidhur jep shumë pak detaje mbi vlerën e pronave, koston e transaksioneve për përftimin e tyre, kohën kur ato janë blerë dhe të ardhurat e ligjshme që personat e lidhur me subjektin kanë pasur në dispozicion për transaksionin.

Për shembull, për të justifikuar pasurinë e kunatit, KPK shprehet se i ati ka pasur një biznes në rritjen e molusqeve nga viti 1991 deri në vitin 1999, por nuk shpjegon se sa të ardhura ka gjeneruar ky biznes, sa dividend ka shpërndarë apo nëse ka paguar taksat. Gjithashtu, KPK shprehet se pas vitit 1999, prindërit e kunatit të gjyqtarit janë transferuar në SHBA, ku gjatë dy viteve të fundit kanë pasur të ardhura në vlerë 138,758 USD, por nuk shpjegon nëse këto të ardhura janë transferuar ndonjëherë në Shqipëri apo jo, dhe nëse familja ka dokumentacion të ligjshëm që këto të ardhura janë përdorur për krijimin e pasurive.

Edhe në rastin e pronave të regjistruara në emrin e nipit F. B., KPK ka vendosur t’i trajtojë si pasuri familjare. KPK nuk ka dhënë një vlerë për 4 sipërfaqet truall që familjarët e gjyqtarit  zotërojnë në Vlorë, por është mjaftuar të justifikohet se ato janë marrë me biznes, si për shembull një dyqan për materialet hidraulike.

“Referuar këtyre provave, Komisioni vlerëson se familja B. ka pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar një të tretën pjesë të pasurive,” shkruan KPK në vendimin e saj, përpara se të shtojë se Komisionit “nuk i rezultoi asnjë provë apo e dhënë se në vënien e këtyre pasurive të ketë pasur ndonjë kontribut nga subjekti i rivlerësimit”.

Në deklaratat e tij për Komisionin, gjyqtari Malaj pretendon se nuk ka pasur dijeni mbi lidhjet dhe pronat e familjarëve të tij dhe nuk ka pasur përfitime nga këto pasuri, arsyetim i cili është pranuar nga trupa gjykuese e udhëhequr nga Genta Tafa Bungo, e cila ka votuar unanimisht për konfirmimin e tij në detyrë./BIRN

Si e ‘fshehu’ gjyqtari Artur Malaj vilën 3-katëshe nga Vettingu Read More »

“Të ruajmë me çdo mjet ekosistemin nga projektet e nxituar”, mesazhi i Presidentit për HEC-et në Valbonë

Kreu i Shtetit nuk ka mundur të anashkalojë debatin e madh rreth ndërtimit të HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës, gatë vizitës në Tropojë.

Meta nënvizoi se ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar dhe si i tillë duhet të ruhet me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore por edhe interesat e çastit.

“Këto Bjeshkë, dikur të quajtura të ‘Nëmura’ duhet të punojmë që të quhen ‘Të bekuara’. Të ruajmë si sytë natyrën e Bjeshkëve, pyjet, kullotat, florën dhe faunën, ujrat, përrejtë dhe lumejtë. Ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar.

Këtë ekosistem duhet ta ruajmë me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore po edhe interesat e çastit. Tropoja është një trevë e jashtëzakonshme thesari kulturor kombëtar. Zoti e bekoftë këtë vend të mrekullueshëm dhe popullin e mrekullueshëm të Tropojës”, tha Meta.

Me 24 shtator të këtij viti, Gjykata e Apelit në Shkodër e refuzoi pranimin e kërkesës për ndalimin e punimeve për ndërtimin e tre hidrocentraleve në lumin Valbona në Tropojë.

Pretendimi i trupës gjykuese me relatore Vojsava Osmanaj dhe anëtarë Astrit Kalanë dhe Hajrie Muçmatajn, ishte se përmbaruesi Eduart Mrishaj ka sjellë me vonesë ankimimin.

Gjyqi u ndoq nga afër prej aktivistëve të shoqërisë civile dhe banorëve të zonës që kishin ardhur nga Tropoja.

Në përfundim të seancës ata konfirmuan qëndrimin e tyre për të mbrojtur deri në fund Valbonën nga ndërtimi i Hidrocentraleve.

Madje për të arritur qëllimin e tyre, janë gati të përdorin edhe dhunën.

Më herët Gjykata Administrative kishte vendosur ndalimin e punimeve për ndërtimin e Hidrocentraleve, por Gjykata e Shkallës së Parë në Tropojë, nëpërmjet një vendimi të çuditshëm, i hapi rruge vijimit të punimeve.

Hapi i radhës që do të duhet të ndjekë përmbaruesi Mrishaj, është rekursi në Gjykatën e Lartë.

Deri atëherë firma që nuk i ka ndalur punimet në Valbonë, do të vijojë ta bëjë këtë gjë, përtej dëmtimeve të shumta që i ka shkaktuar kësaj pasurie natyrore.

“Të ruajmë me çdo mjet ekosistemin nga projektet e nxituar”, mesazhi i Presidentit për HEC-et në Valbonë Read More »

‘Fundoset’ gruaja e avokatit të Berishës, KPA i ha ‘kokën’ për pasurinë milionëshe, Vettingu e nxori të pastër

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka ndryshuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Apelimit, organit bazë të Vetingut, për ndërprerjen e Vetingut për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana. Kolegji i Posaçëm ka korrigjuar vendimin e KPK, duke vendosur përjashtimin për 15 vite nga sistemi i drejtësisë të Mirela Fanës, bashkëshortes së Neshat Fanës, i njohur si avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Mirela Fana është emëruar në Gjykatën e Lartë nga Parlamenti, me mbështetjen Partisë Demokratike, me vendim nr. 248, datë 23.4.2009. Më vonë, përmes Këshillit të Lartë të Drejtësisë, po nën ndikimin e PD, u emëruar bashkëshorti i saj, Neshat Fana, në krye të Shkollës së Magjistraturës. Emërimi i tij prodhoi një debate dhe polemike, ndërsa u shkarkua pas largimit të Berishës nga pushteti, por me debate dhe polemika.

Dorëheqja
Anëtarja e Gjykatës së Lartë Mirela Fana paraqiti dorëheqjen pranë Presidentit më datë 30.01.2017, për t’i shpëtuar Vetingut. Më datë 23.03.2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi të pranojë dorëheqjen dhe të ndërpresë Vetingun për Mirela Fanën. Por, vendimi i KPK i jepte mundësi Mirela Fanës që të bëhej sërish pjesë e drejtësisë.

Në këto kushte, më datë 13.04.2018, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK, me argumentin se për zonjën Fana nuk ishte zhvilluar seancë dëgjimore si dhe nuk ishte marrë masa e përjashtimit me 15 vite nga drejtësia. Ndërkaq, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore si dhe anëtarët Sokol Çomo, Ardian Hajdari dhe Albana Shtylla vendosën më 10 shtator të 2018, ndryshoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur që Mirela Fana të mos ketë të drejtë për t’u bërë pjesë e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në bazë të nenit G të Aneksit të Kushtetutës dhe të nenit 56, nenit 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 5, datë 23.03.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në këtë mënyrë: Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Mirela Fana, gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, është pushuar. Ndalimin e subjektit të rivlerësimit Mirela Fana të emërohet gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshme për një periudhë 15-vjeçare”, thuhet në vendim.

Hileja e KPK
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në vendimin e tij, nuk parashikonte masën e ndalimit për zonjën Fana për t’u bërë pjesë e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme. “Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mbështetur në nenin 56 dhe 57 të ligjit nr. 84/2016 ‘për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, vendosi të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar të znj. Mirela Fana, gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, është pushuar. Ky vendim u njoftohet znj. Mirela Fana, Komisionerëve Publikë dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ankimimi kundër këtij vendimi bëhet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe / ose Komisioneri Publik, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të tij dhe duhet të depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në vendimin e KPK.

Një pjesë e pasurisë së deklaruar nga Mirela Fana
Apartament me sipërfaqe 143 m2 në Tiranë. Apartament me sipërfaqe 127 m2 blerë 170 000 euro.

Bashkëshorti Neshat Fana ka blerë një livadh në Himarë me 2000m2 me çmim 600 000 lekë.

Kredi bankare në një bankë të nivelit të dytë, mbyllur për shkak të shitjes së kredisë në këmbim të vilës në ndërtim, detyrimi financiar i shlyer 335 500 euro.

Të ardhura nga depozitave bankare 78 568 lekë. Të ardhura nga qiraja 941 800 lekë. Të ardhura nga pagesa e qirasë studio ligjore 297 500 lekë.

Të ardhura nga paga 1 576 316 lekë. Të ardhura mësimdhënie në Universitetin Luarasi 139 046 Lekë.

Të ardhura në Shkollën e Magjistraturës 11 900 lekë. Neshat Fana të ardhura nga puna zyra e avokatisë 7 893 500 lekë. Bashkëshorti tërheqje nga një shoqëri tregtare 10 115 000 lekë.

Vajza Krisilda Fana të ardhura nga punësimi pranë Presidencës 807 560 lekë. Vajza Krisilda Fana të ardhura nga puna si pedagoge, 40 000 lekë. Djali Frenki Fana të ardhura nga puna 501 380 lekë.

Gjendje në llogari të bashkëshortit si person fizik 1 731 euro. Gjendje në llogari të bashkëshortit si person fizik 864 938 lekë. Bashkëshorti gjendje në llogari bankare 938 831 lekë. Bashkëshorti gjendje në llogari bankare si individ 831 euro.

Vajza gjendje në llogari bankare 30 134 lekë. Vajza gjendje depozitë bankare 400 000 lekë. Vajza llogari kursimi 21 513 lekë. Djali gjendje llogari rrjedhëse 82 774 lekë.

Arsyetimi i Kolegjit të Apelimit për pasojat e dorëheqjes
-Komisioneri Publik në ankim kërkon që Kolegji të analizojë e të shprehet, në rastet e paraqitjes së dorëheqjes nga subjekti i rivlerësimit, mbi zbatimin e pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës që ndalon emërimin për 15 vite në sistemin e drejtësisë për subjektin në fjalë pasi ky ndalim nuk ka gjetur pasqyrim as në bazën ligjore e as në pjesën arsyetuese të vendimit nr. 5, datë 23.03.2018 të Komisionit. Sipas arsyetimit të Komisionerit Publik, Kushtetuta dhe ligji nr. 84/2016, në nenin 56 dhe në nenin 58, pika 1, nuk i njohin Komisionit të drejtën për të vendosur si pjesë të dispozitivit të vendimit të tij parashikimin e pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës.

Konkretisht:“[…] Kompetencën e emërimit dhe rrjedhimisht edhe atë të ndalimit të emërimit për magjistratët, Kushtetuta ua njeh dy organeve të ngritura për këtë qëllim: Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. […] pjesë e vendimmarrjes së këtyre dy organeve kushtetuese, që deklarojnë mbarimin e mandatit të magjistratit për efekt të nenit G të Kushtetutës, do të duhej të ishte dhe ndalimi i parashikuar në paragrafin e dytë të këtij neni. Komisioni do të duhej të kishte hetuar dhe arsyetuar mbi aktin që materializon ndalimin e parashikuar nga neni G, pika 2 e Kushtetutës duke e bërë atë edhe pjesë të bazës ligjore të vendimit përkatës […]”.

-Së pari, trupi gjykues vëren që ndalimi i shprehur në nenin G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës, nuk përbën kompetencë për vendimmarrje, por është pasojë që ligji krijon për dorëheqjet nga subjekte që zgjedhin të ushtrojnë këtë mjet procedural që garanton ndërprerjen e rivlerësimit, i cili në mungesë të dorëheqjes do t’i nënshtrohej ex officio procesit të rivlerësimit. Komisioni, në këtë aspekt nuk ushtron asnjë aktivitet diskrecional, por ka për detyrë të pasqyrojë pasojën që parashikon pika 2 e nenit G të Aneksit të Kushtetutës. Trupi gjykues çmon se në konkluzion të sa më sipër, ndalimi i emërimit në sistemin e drejtësisë për 15 vjet duhet të ishte pjesë integrale e vendimit të Komisionit. Bazuar në nenin 66, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, Kolegji orienton Komisionin se në çështje të ngjashme ndalimi i parashikuar në pikën 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës duhet të jetë pjesë përbërëse e vendimit të tij, si në pjesën arsyetuese edhe në pjesën urdhëruese të tij.

‘Fundoset’ gruaja e avokatit të Berishës, KPA i ha ‘kokën’ për pasurinë milionëshe, Vettingu e nxori të pastër Read More »

Paralajmërimi jep efekt, ja çfarë po ndodh me pikat e basteve në vend

Pas ultimatumit dhënë nga Kryeministri Edi Rama për mbylljen e pikave të basteve sportive dhe kazinove brenda 31 dhjetorit 2018 duket se po ndjehen efektet e para. Një pjesë pikave të basteve kanë nisur të heqin tabelat e vendosura sipër bizneseve duke i paraprirë situatës.

Tashmë në rrugët e Tiranës nuk është vështirë të gjesh nga ato biznese që operojnë në këtë sektor të cilët edhe pse kanë lënë funksionale pikat e basteve kanë vendosur të heqin shenjat dalluese si logo, tabela apo xhama të loguar.

Të martën e kësaj jave në një dalje para mediave Kryeministri Edi Rama tha se ligji për lojërat e fatit do të ndryshojë duke shtuar edhe pikat e basteve sportive tek aktivitetet që nuk do të funksionojnë më pas 31 dhjetorit 2018 ndërkohë që e njëjta gjë vlen edhe për kazinotë elektronike.

Paralajmërimi jep efekt, ja çfarë po ndodh me pikat e basteve në vend Read More »