Aktualitet

Miku më i madh i Kosovës, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, sot vjen për vizitë në Kosovë

Miku më i madh i Kosovës, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, sot vjen për vizitë në Kosovë.

Presidenti Clinton pritet nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Gjatë pritjes nga presidenti Thaçi, Clinton edhe do të dekorohet.Kjo është vizita e dytë e ish-presidentit Bill Clinton në Kosovë.

Clinton urdhëroi forcat e NATO-s që të ndërhyjnë ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe gjatë vitit 1999, për të parandaluar gjenocidin e më tejmë ndaj shqiptarëve./KosovaPress/

Miku më i madh i Kosovës, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, sot vjen për vizitë në Kosovë Read More »

PD njofton krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë

Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që t’i propozojë Këshillit Kombëtar të PDSH-së, angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar në 61 bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.

Kjo Aleancë, njofton Partia Demokratike, do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues./atsh

PD njofton krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë Read More »

Paga mesatare rritet me 5,9%

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2019, është 51.531 lekë, duke u rritur me 4,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare mujore bruto rezulton më e lartë për të punësuarit në sektorin e bankar, telekomunikacion, grup-aktivitetin arte, argëtim dhe çlodhje.

Paga mesatare e atyre që punojnë në aktivitetet bankare dhe të sigurimit ishte 101,7 mijë lekë. Sektori i dytë më i paguari është ai i informacionit dhe komunikacionit, me një pagë mesatare prej rreth 76 mijë lekë, me një rënie të lehtë në raport me tremujorin e fundit.

Sipas BSH-së, gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi, ka rritjen më të madhe prej 16,3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. /atsh

Paga mesatare rritet me 5,9% Read More »

Parashikimi i motit, 11 qershor 2019

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet i kthjellët me shtim vranësirash ne zonat malore, në mesdite dhe pasdite.

Parashikohen reshje shiu të dobta dhe lokale përgjatë relieveve malore të vendit.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Veriperëndim 1-5 m/sek e në bregdet 12 m/sek, duke u pasuar nga një valëzim i forcës 2-3 me lartësi vale 0.6-1.0 m.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/32 Diell re
Kukës 16/29 Diell shi
Lezhë 19/32 Diell re
Dibër 15/28 Diell shi
Durrës 20/31 Diell re
Tiranë 20/33 Diell re
Elbasan 19/35 Diell re
Berat 16/34 Diell re
Vlorë 19/33 Diell re
Korcë 16/27 Diell shi
Gjirokastër 16/33 Diell re
Sarandë 18/32 Diell re/atsh

Parashikimi i motit, 11 qershor 2019 Read More »

KQZ për Dekretin e Presidentit, Biba: Akt i pavlefshëm. Zguri braktis mbledhjen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvlerësuar dekretin e Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve, në një mbledhje urgjente pas vendimit të Metës që sot firmosi Dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri e quajti një sfidë mbledhjen e thirrur sot nga nënkryetari Denar Biba dhe anëtari Bledar Skënderi, pas mbërritjes së dekretit të Presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe për të detyruar këtë institucion ta zbatojë dekretin.

“Është një situatë e pazakontë. Momentalisht duket si një lloj sfide. Nga njëra anë kam dekretin e Presidentit që çdekreton datën e zgjedhjeve. Nga ana tjetër kam një axhendë të mbledhjes së thirrur nga dy kolegë të nderuar”, tha Zguri.

“Ka një hierarki ligjore, personalisht në 22 vite që kam, e them dhe një herë nuk më ka rastisur të ndodhem në një situatë të tillë. Të vëmë në diskutim një dekret të presidentit. Ka ndodhur e njëjta gjë edhe më parë, janë tre raste që presidentët kanë çdekretuar dekretet e tyre dhe kanë vendosur një datë tjetër”, tha Zguri.

“Nuk dua të futem janë apo jo në të drejtën e tyre, unë besoj që duhet t’i bindemi një dekreti. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe kur doli dekreti për datën e zgjedhjeve”, tha ai.

“Gjërat nuk shkuan siç ne mendonim, jemi në këtë moment që flasim përballë këtij fakti. Nuk dua të gjykoj kompetencën e presidentit. Nuk jam Gjykatë Kushtetuese të vlerësoj është apo jo i ligjshëm dekreti i Presidentit. Për mua është detyrim dhe duhet të respektoj dekretin e tij”, tha kreu i KQZ.

Zguri gjithashtu theksoi se, “pika 2 e dekretit më urdhëron që të informoj subjektet zgjedhore për dekretin e Presidentit. As kjo pikë e dekretit nuk respektohet, dhe unë jam ndodhur në vështirësi. Kërkesa ime për t’ia dërguar subjekteve zgjedhore refuzohet. Për mua kjo është fare banale. E thashë si shembull për të kuptuar se ku po shkojmë”.

Duke e cilësuar një situatë të rëndë dhe që mund të ngjallë debat të fortë, kreu i KQZ-së ka braktisur mbledhjen.

“E përsëris. Thirrja e kësaj seancë është një lloj sfide që i bëhet dekretit të Presidentit nga dy kolegë të mitë. Jam i detyruar të çohem ndoshta kolegët mund ta zhvillojnë mbledhjen ose nëse janë në të njëjtën logjikë me mua mund të më bashkohen”, – tha Zguri, i cili braktisi mbledhjen e KQZ.

Ndërsa nënkryetari i KQZ, Denar Biba u shpreh se, “mbledhja ishte parashikuar për orën 12:00, por me të marrë vesh ardhjen e dekretit vendosëm ta shtynim me 2 orë për t’u marrë me brendinë e tij”.

“Presidenti ka nxjerrë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve në nëntor ku thuhet se “zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor 2019”. Kodi zgjedhor detajon se data e zgjedhjeve përcaktohet nga presidenti i Republikës, zgjedhjet zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit. Sot vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve presidenti vendos shfuqizimin e dekretit për anulimin e zgjedhjeve”.

Ky dekret i dytë, theksoi Biba, “është një akt i pavlefshëm. Praktikisht dekreti i sotëm bie ndesh me parimin e ligjshmërisë ku thuhet se organet publike ushtrojnë detyrat brenda kompetencave të tyre”.

“Presidenti nuk mund të anulojë apo të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Pasi duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, Shqipëria është sot pa një datë zgjedhjesh. Duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh, presidenti refuzon të përmbushë detyrimin kushtetues”, tha Biba.

Sipas tij, “shfuqizimi i dekretit është një shkelje e hapur sepse lë vendin pa datë zgjedhjesh. Unë vlerësoj se KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve për 30 qershor”.

Ndërsa anëtarja e KQZ, Rezarta Bitri deklaroi se akti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit është nul dhe jashtë kompetencave të tij

“Detyrat dhe kompetencat e presidentit rrjedhin nga parimet e shtetit të së drejtës. Veprimet e tij duhet t’i përmbahen kushtetutës, ku thuhet se presidenti ka kompetencë vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve, dhe jo t’i shtyjë apo t’i anulojë ato”, tha Bitri.

Sipas saj, “nuk mund të shtyhen zgjedhjet në infinit. Duhet të kishte një datë për zgjedhje të reja”.

“Është e qartë se sistemi ynë nuk ja jep këtë kompetencë presidentit. As kushtetuta dhe as ligji elektoral nuk parashikojnë një kompetencë të tillë të presidentit. Jam tërësisht e bindur që ky është akt nul dhe nuk na pengon për të vijuar më tej organizmin e zgjedhjeve të 30 qershorit”, tha Bitri.

Anëtarja e KQZ, Edlira Jorgaqi, deklaroi se akti për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm sepse është haptazi i paligjshëm. Ajo tha se nuk mund të anulohen zgjedhjet në një kohë kur ka nisur puna për organizimin e tyre.

“Akti për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm sepse është haptazi i paligjshëm. Është cenim i parimit të ligjshmërisë. Akti është absolutisht i pavlefshëm edhe kur organi ushtron një kompetencë që ligji nuk ia lejon. Nga nëntori ligji nuk njeh asnjë kompetencë për shtyrë apo shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Si rrjedhojë e aktit për zgjedhjet në 30 qershor, KQZ është në ushtrim për përgatitjen e tyre. Janë ngritur KZAZ, janë prezantuar kandidatët, janë tenderuar fondet publike, para të taksapaguesve shqiptarë. Ato nuk mund të flaken tutje”, tha Jorgaqi.

Ndërsa anëtari i KQZ, Bledar Skenderi tha se, “Meta duhet të bënte zjarrfikësin e politikës në Shqipëri. Bëri të kundërtën”.

“E konsideroj një akt nul dekretin e tij”, tha Skënderi./atsh

KQZ për Dekretin e Presidentit, Biba: Akt i pavlefshëm. Zguri braktis mbledhjen Read More »

Shfuqizimi i datës së zgjedhjeve, Ndreca: Akt politik, juridikisht i pavlefshëm

“Kushtetuta i jep afate kufizuese dhe një nga dispozitat e saj parashikon se kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve ushtrohet me patjetër me detyrim 9 muaj përpara kësaj date”.

Juristi Plarent Ndreca tha gjatë një interviste televizive se shfuqizimi i dekretit nga ana e Presidentit është një akt i pavlefshëm juridikisht.

“Neni 92 i kushtetutës përcakton shumë qartë kompetencën e Republikës në të cilën thuhet se cakton datën e zgjedhjeve. Edhe për kompetencë të presidentit të Republikës është një kompetencë e kufizuar. Kushtetuta i jep afate kufizuese dhe një nga dispozitat e saj parashikon se kjo kompetencë e Presidentit të Republikës ushtrohet me patjetër me detyrim 9 muaj përpara datës së zgjedhjeve. Kushtetuta dhe kodi zgjedhor parashikon shprehimisht periudhat zgjedhore që janë deri në 30 korrik, deri në 30 tetor.Data 30 qershor është data ekstreme e periudhës zgjedhore e cila është vendosur po nga Presidenti i Republikës, kështu që edhe në këtë kuptim Presidenti e ka ushtruar kompetencën e tij. Kompetenca e heqjes së datës së zgjedhjeve nuk është parashikuar gjëkundi dhe kjo është një shkelje flagrante e kushtetutës së Shqipërisë”, tha Ndreca.

Juristi sqaroi se vendimi i Presidentit nga pikëpamja juridike nuk sjell asnjë pasojë në këtë situatë.

“Vendimi i Presidentit është një akt i pastër politik. Nga pikëpamja juridike nuk sjell asnjë pasojë në këtë situatë, është një akt nul absolutisht i pavlefshëm sikurse quhet në njohjen juridike” tha ndër të tjera ai.

Ndreca shtoi se “në kushtet ku ne jemi, pra ku jemi në brenda një procesi zgjedhor që do të thotë që është një proces i pandalshëm nga askush sepse tashmë i është menduar administratorëve të procesit zgjedhor dhe qytetarëve ditën e zgjedhjeve. Ky akt mund të konsiderohet vetëm si një tentativë sepse patjetër nuk ka sjellë dhe nuk do të sjellë asnjë pasojë. Është një tentativë nga ana e Presidentit për të ndërhyrë në procesin zgjedhor tashmë të nisur dhe që do të mbahet në data në 30 qershor. Por, sigurisht mbetet një akt tjetër që është një akt politik i presidentit të republikës, fatkeqësisht. Presidenti e ka hequr kostumin e tij prej Presidenti dhe përfaqësues i unitetit të kombit dhe është ulur në një prej bazës politike duke e konsideruar vetëm argumente të një pale politike dhe ka hyrë në mes të debatit politik duke mbajtur krah dhe duke dëmtuar gjithë procesin zgjedhor”.

Më tej, Ndreca theksoi se ” nga pikëpamja juridike, besoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shprehet për deklarimin e këtij akti si absolutisht të pavlefshëm, duke deklaruar që ky akt nuk ndërhyn në procesin zgjedhor dhe procesi zgjedhor të vazhdojë normalisht ashtu sikurse e parashikon Kushtetuta”.

Në lidhje me procedurën e shkarkimit, juristi u shpreh se ky proces është i ndarë nga ai zgjedhor. “Kjo është një çështje tjetër që duhet ndarë nga procesi zgjedhor. Procedura për shkarkimin e Presidentit është një procedurë e cila ka të bëjë edhe me një reagim politik e juridik të mazhorancës për të reaguar ndaj vendimmarrjes së Presidentit të Republikës, për të respektuar Kushtetutën e republikës së Shqipërisë, sepse në momentin që Presidenti shkel rëndë Kushtetutën ka një parashikim kushtetues që i jep mundësi mazhorancës për të zhvilluar procedurën e shkarkimit.

Ndreca shpjegoi po ashtu se “hapi i parë i mazhorancës është mbledhja e firmave për shkarkimin e Metës, komision i pavarur për të hetuar administrativisht mbi veprimtarinë e kryer nga presidenti i Republikës dhe më tej me seancën plenare që kërkon 3/5 e votave të parlamentit për të dalë në vendimmarrjen për shkarkimin e presidentit. Ky është një proces kushtetues që legjitimon mazhorancën për ta bërë por nuk ka lidhje me procesin zgjedhor dhe aktin e ndërmarrë nga Presidenti i Republikës”. /atsh

Shfuqizimi i datës së zgjedhjeve, Ndreca: Akt politik, juridikisht i pavlefshëm Read More »

Meta: Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari

“Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari”, deklaroi sot presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Presidenti Meta zhvilloi një takim me me një grup studentësh e profesorësh nga të gjitha trevat shqiptare, të Kolegjit Universitar AAB në Prishtinë.

“Lidhur me shqetësimin e tyre për zhvillimet në Shqipëri i garantova se Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari”, u shpreh presidenti.

“Në këtë ditë të veçantë për kombin tonë, në 141-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në prag të kremtimit të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, pata kënaqësinë e veçantë të zhvilloja një takim të ngrohtë e vëllazëror”, theksoi Meta.

“I lumtur të ndanim qëndrimin se rinia duhet të jetë promotore e proceseve demokratike dhe integruese në të dy vendet tona dhe se është shumë e rëndësishme që Shqipëria e Kosova të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Të bëjmë të gjitha përpjekjet për të rritur shpresat dhe për t’i hapur perspektivat rinisë, për të ndërtuar të ardhmen në vendet tona”, nënvizoi Presidenti Meta.

Meta: Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari Read More »

Konstitucionalistja: Kushtetuta nuk parashikon kompetencën e Presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve

Konstitucionalistja Aurela Anastasi, në intervistë për Deutsche Wellen deklaron se Kushtetuta nuk parashikon kompetencën e Presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve.

Anastasi thotë se “data e zgjedhjeve ka rëndësi thelbësore për mbarëvajtjen e vetë zgjedhjeve dhe në mënyrë të veҫantë, për respektimin e parimit kushtetues të zgjedhjeve periodike, si dhe të mandatit kushtetues të organeve të zgjedhura nga populli”.

“Presidenti i Republikës është garant i datës së zgjedhjeve, në mënyrë që ajo të caktohet në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit”, nënvizon ajo.

“ Në këtë rast, duke parë edhe jurisprudencën e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht nuk është funksionale, mendoj se dekreti i Presidentit të Republikës mund të ankimohet në Gjykatën Administrative, si gjykatë kompetente për të shqyrtuar pajtueshmërinë e aktit të Presidentit të Republikës me Kodin Zgjedhor”, sqaron Anastasi.

Intervista e plotë për Deutsche Welle:

DW: Prof. Anastasi a është në përputhje me Kushtetutën shfuqizimi nga Presidenti Meta, i datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të radhës, pra i dekretit të mëparshëm të firmosur nga vetë Presidenti?

Prof. Aurela Anastasi: Në këto kushte mund të them paraprakisht, që Kushtetuta, në nenin 92/gj ka parashikuar kompetencën e Presidentit të Republikës për të caktuar datën e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor. Kushtetuta nuk parashikon kompetencën e Presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Mendoj se jo pa qëllim Kushtetuta i jep kësaj kompetence një karakter pozitiv ose konstruktiv.

Data e zgjedhjeve ka rëndësi thelbësore për mbarëvajtjen e vetë zgjedhjeve dhe në mënyrë të veҫantë, për respektimin e parimit kushtetues të zgjedhjeve periodike, si dhe të mandatit kushtetues të organeve të zgjedhura nga populli. Nga kjo pikëpamje mendoj se caktimi i datës së zgjedhjeve është një mjet i domosdoshëm kushtetues për të garantuar zgjedhje periodike dhe për të garantuar respektimin e afatit 4-vjeçar të mandatit të organeve vendore. Presidenti i Republikës është garant i datës së zgjedhjeve, në mënyrë që ajo të caktohet në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit.

Kur është fjala për zgjedhjet e përgjithshme, për Kuvendin, Kushtetuta e Shqipërisë, në neni 65 t ka parashikuar qartë rregullat për caktimin e periudhave zgjedhore dhe thirrjen e zgjedhjeve. Për zgjedhjet vendore Kushtetuta nuk shprehet. Por është Kodi Zgjedhor, si një burim i të drejtës kushtetuese, që i referohet këtij neni të Kushtetutës edhe për zgjedhjet vendore. Pra, afatet kohore për zgjedhjet vendore rregullohen bazuar në Kushtetutë, sipas rregullit që zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt, e cila i paraprin datës së përfundimit të mandatit. Në kushtet kur mandati i organeve vendore përfundon në datën 10 Korrik, periudha zgjedhore e parashikuar në Kodin Zgjedhor, përfundon në datën 30 Qershor 2019. Një datë tjetër, do të na shpinte në një situatë që nuk është parashikuar as nga Kushtetuta, as nga Kodi Zgjedhor, pra në një situatë të pabazuar në akt ligjor.

DW: A është në përputhje me Kushtetutën reagimi i Kryeministrit Rama, se pavarësisht shfuqizimit të datës 30 qershor nga Presidenti Meta, zgjedhjet lokale do të zhvillohen pikerisht në këtë datë?

Prof. Aurela Anastasi: Në krye të herës, duhet thënë që Z. Rama në këtë rast, nuk legjitimohet të flasë si Kryeministër i vendit, por si kryetar i njërit prej subjekteve zgjedhore, Partisë Socialiste, ose koalicionit përkatës zgjedhor. Në këto kushte, ai nuk mund të marrë vetë vendime si Kryeministër ose Qeveri. Kjo është pavarësia zgjedhore që ka krijuar Kushtetuta. Por, ҫdo subjekt zgjedhor ka të drejtën e aksesit në institucionet e ankimimit. Në këtë rast, duke parë edhe jurisprudencën e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht nuk është funksionale, mendoj se dekreti i Presidentit të Republikës mund të ankimohet në Gjykatën Administrative, si gjykatë kompetente për të shqyrtuar pajtueshmërinë e aktit të Presidentit të Republikës me Kodin Zgjedhor.

DW: Prof. Anastasi, sapo përmendët mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Në situatën e re politike, të krijuar nga anulimi i datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe kundërshtia e kryeministrit Rama, cili është ngërҫi që sjell mungesa e kësaj Gjykate?

Prof. Aurela Anastasi: Gjykata Kushtetuese mund të ishte një mjet ankimi më tej, për një proces të rregullt ligjor. E rëndësishme është që në Shqipëri ka një mjet ligjor ankimimi funksional, siç është Gjykata Administrative.

DW: A mund të ngrihet dhe të funksionojë Gjykata Kushtetuese, le të them psh, brenda një jave?

Prof. Aurela Anastasi: Mendoj se nuk mund të ngrihet. Procesi i zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të ikur nga vettingu, ka ecur me ritme shumë të ngadalshme. Kur nuk kemi ende kandidatura që vijnë nga gjyqësori, nuk mund të themi se përbërja e plotë e kësaj Gjykate do të jetë një gjë e shpejtë. Sidoqoftë, ezaurimi i mjeteve që ekzistojnë jep mundësinë për një vendim të formës së prerë të Gjykatës Administrative.

DW: A është e ligjshme që maxhoranca socialiste por edhe parti parlamentare të spektrit të djathtë ta konsiderojnë nul shfuqizimin e 30 qershorit dhe të vazhdojnë fushatën elektorale për të zhvilluar zgjedhjet lokale në këtë datë?

Prof. Aurela Anastasi: Pavlefshmëria e dekretit të Presidentit mund të vendoset vetëm me vendim gjykate.

DW: Cilat janë hapat e mëtejshme, që mendoni se palët duhet të hedhin, në respekt të Kushtetutës?

Prof. Aurela Anastasi: Nga pikëpamja e prognozës kushtetuese, pa hyrë në analizën se si erdhëm deri këtu, në radhë të parë duhet të them se operatorët politikë kanë detyrë t’i rikthehen rendit kushtetues. Presidenti i Republikës ka detyrë ta garantojë këtë rend, si një organ kushtetues i paanshëm.

Natyrisht, mbështetur në aktet kushtetuese dhe ligjore, palët mund të kërkojnë edhe zgjidhje me karakter politik si dialogu, marrëveshjet politike, të cilat për hir të së vërtetës, në raste të ngjashme, të mëparshme, i kanë shërbyer kompromisit politik, duke cënuar respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Mendoj se arritja e një Konvente Kushtetuese midis subjekteve zgjedhore do të ndihmonte në parandalimin e situatave të tilla në të ardhmen. Reforma Zgjedhore është gjithashtu, e nevojshme. /atsh

Konstitucionalistja: Kushtetuta nuk parashikon kompetencën e Presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve Read More »