Aktualitet

Nxënësit e klasave të nënta testuan sot njohuritë në gjuhën e huaj

Nxënësit e klasave të nënta kanë testuar sot njohuritë e tyre në gjuhën e huaj.

Testimi ka nisur në orën 10.00 të mëngjesit dhe ka zgjatur 2 orë e 30 minuta. Pas testit të gjuhës së huaj, nxënësit do i nënshtrohen provimit të dytë që do të zhvillohet në datën 18 qershor përkatësisht në lëndën e gjuhës shqipe. Provimet e klasave të nënta do të mbyllen me lëndën e matematikës, e cila do të zhvillohet në datën 21 qershor.

Nxënësit e pakicave kombëtare do të zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në gjuhën amtare. Testimi për këtë lëndë do të zhvillohet në datën 14 qershor. Për shkollat e pakicës greke, teza e për provimin e gjuhës amtare përgatitet nga institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar në Gjirokastër.

Në ditën e provimit institucionet përgjegjëse për arsimin parauniversitar në Delvinë dhe në Sarandë do të paraqiten në drejtorinë e Gjirokastrës për të marrë testet që do të plotësojnë nxënësit në lëndën e gjuhës amtare.

Ndërsa për shkollat e pakicës kombëtare Maqedonase, testet do të tërhiqen në drejtorinë e Korçës. Edhe nxënësit me aftësi të kufizuara do të zhvillojnë testimet në përshtatje me veçoritë e tyre shëndetësor.

Sipas skemës së miratuar, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat më pas konvertohen në notë. Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, ku dy mësues të lëndës do të bëjnë vlerësimin e të njëjtit test në mënyrë të pavarur njeri-tjetri. Testet do të mblidhen dhe do të korrigjohen në qendrat e vlerësimit të njësive arsimore vendore të çdo rrethi. z.tosku/atsh

Nxënësit e klasave të nënta testuan sot njohuritë në gjuhën e huaj Read More »

Akti i Metës, plan politik për të minuar rrugën e negociatave dhe provë e frikës nga drejtësia

“E vërteta e dalë cullak nga ky akt marrëzie befasuese është se veprimi i Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, por një hap spektakolar në vazhdën e një plani politik për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe minuar rrugën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend , po diskutohet për projekt-rezolutën për shfuqizimin e Dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Meta.

“Kush kujton vërtet se në aventurën e tyre mendore, e cila ka patjetër shumë elementë që ngjajnë si ndërthurje e klubit të Selanikut të Çajupit me me pavionin numër 6 të Çehovit, dy frymëzuesit dhe orkestruesit e këtij plani Sali Berisha dhe Ilir Meta kujtojnë vërtet se mund të largojnë mua me moltovët e Lulit dhe mallkimet e Monikës e kanë gabim. Këta të dy, që i kanë hyrë detit në këmbë, janë instrumente në duart e dy të parëve, këta besojnë se mund të marrin pushtetin me kapsolla e me magjira, ndërsa dy ustallarët e rrëmujave e të intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë jam shënjestra që duket, koka që i duhet ofruar turmës për ta frymëzuar dhe sjellë të ndërkryer në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores për të qenë të motivuar e të palodhur në orvatjen e tyre qorre”-, nënvizoi Rama.

Ndërsa, vijoi ai, preja e kërkuar në këtë gjah politik, nuk jam unë është Shqipëria që duhet ndaluar përpara sesa të kapërcejë pragun e negociatave me BE-në dhe të hap sapo kapërcen pragun dy kapitujt e parë të bisedimeve të cilat për dreqin e mallkuar janë kapitujt e drejtësisë.

“Duke hapur kapitujt e drejtësisë Shqipëria duhet ti tregojë BE-së, se reforma në drejtësi nuk është vetëm një maket arkitektonik me letrat e Kushtetutës dhe ligjeve të sistemit të ri të drejtësisë , nuk është vetëm një mekanizëm pastrimi i një sistemi të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar, por është shtet i të drejtës ku gjykatësit e prokurorët e kapur me presh në duar nga vetingu, qoftë politikanët e korruptuar dhe të paprekshëm prej 30 vitesh mund të këputen si pras nga goditjet ndëshkimore të drejtësisë së çliruar nga kthetrat e tyre”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “plani është i qartë nuk është aspak budalla për mbijetesën politike, të atyre që e kanë konceptuar dhe po e zbatojnë duke goditur pa asnjë mëshirë jo mua, jo ne që jemi mbështetësit e palëkundur të reformës në drejtësi, patjetër edhe ne, por vetë Shqipërinë”.

“Plani është i qartë, nuk është aspak budalla, për mbijetesën politike, por jo vetëm të mbijetesës politike, të atyre që e kanë konceptuar dhe po e zbatojnë duke goditur pa asnjë mëshirë jo mua, jo ne që jemi mbështetësit e palëkundur të reformës në drejtësi, patjetër edhe ne, por vetë Shqipërinë dhe shpresat e shqiptarëve përfshirë edhe ata që iu shkojnë pas këtyre të paudhëve, duke kujtuar komplet gabimisht se do rrëzojnë qeverinë dhe Luli e Mona do të ndëshkojnë krimin, do të shfarosin korrupsionin do të shpartallojnë padrejtësinë, ndaj të cilave deklarojnë se janë ngritur në një luftë pa kthim”-, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se “pjesë e këtij plani ishte dhe publikimi i përgjimeve në tabloidin gjerman, të cilat mbaheshin nga një shërbëtor famëkeq i mirënjohur i Saliut në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Luli dhe Mona kanë marrë përsipër shpëtimin e vendit me doçkat e tyre të pastra dëborë. Meta dhe Berisha duan ta nxjerrin vendin jashtë procesit demokratik. Janë në të drejtën e tyre të kërkojnë një Shqipëri të qeverisur ndryshe, por ata duan që në vend që Shqipëria të luftojë për të kapur trenin e 2025, të rrijë të sfilitet dhe të mendojë për makthin e ’97”. /atsh

Akti i Metës, plan politik për të minuar rrugën e negociatave dhe provë e frikës nga drejtësia Read More »

Meta tejkaloi kompetencat kushtetuese, akti i tij i pavlefshëm

“Akti i Presidentit konsiderohet si tejkalim i kompetencave të tij dhe për rrjedhojë një akt administrative absolutisht i pavlefshëm që nuk prodhon efekte mbi procesin zgjedhor tashmë në fazën e tij vendimtare”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj gjatë seancës parlamentare për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga Presidenti i Republikës.

“Në vlerësimin tim Presidenti ka gabuar në rrugën e zgjedhur jo vetëm se mekanizmi i zbatuar prej tij është në tejkalim kushtetues por dhe sepse nuk i shërben realisht zgjidhjes së krizës por acarimit të saj duke i dhënë një alibi më shumë krijuesve të kësaj krize”, tha Xhafaj.

Ai vijoi se, “Presidenti imponoj mekanizma juridik në një krizë politike, në një kohë që duhej të përdorte autoritetin e tij kushtetues për të ndërtuar ura dialogu dhe për të mundësuar kompromise politike gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit. Kur kemi vepruar kështu kemi patur kompromise të shëndetshme edhe zgjidhje të mençura”.

“Ka një krizë politike të sajuar e cila ka në thelb të saj një përplasje midis standardeve demokratike dhe anarkisë politike. Problemi i vërtetë nuk është data e zgjedhjeve në vetvete por mënyra e sjelljes së lidershipit politik”, u shpreh Xhafaj.

“Prej muajsh opozita jashtë parlamentare e frymëzuar dhe e dhunuar nga Sali Berisha dhe e veshur me autoritetin fals të Lulzim Bashës po sillet si një forcë antikushtetuese. Kjo sepse ka dal së funksionuari jashtë sistemit demokratik parlamentar dhe me presionin e rrugës po i shërben destabilitetit dhe cenimit të rendit kushtetues. Opozita ka një krizë të brendshme që kërkon imponoj si një krizë të shoqërisë shqiptare. Kriza e opozitës është kriza e lidershipit të saj politik”, përfundoi deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj.//atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2807743779241418/?t=0

Meta tejkaloi kompetencat kushtetuese, akti i tij i pavlefshëm Read More »

Për ne shteti është para pushtetit, 30 qershori ndan të shkuarën nga e ardhmja

“Për ne shteti është para pushtetit dhe beteja për të bërë shtet vjen para betejës për të mbajtur pushtetin me çdo kusht”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një takim elektoral nga Lushnja, Rama solli në vëmendje situatën e para dy viteve kur opozita ngriti çadrën në bulevard.

“Ikën nga parlamenti dhe ngritën çadrën në bulevard se nuk donin të votonin Vetingun, me të njëjtën muzikë që thonë sot nuk duam zgjedhje dhe këtë kryeministër. Dy vjet më parë, në momentin e fundit u arrit një marrëveshje që tregoi qartësisht se për ne shteti është para pushtetit. Ata u mësuan keq dhe frika erdhi duke u rritur, sepse tani Vetingu po pastron pallatin e Drejtësisë“, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se Reforma në Drejtësi po ecën dhe dera e negociatave është gati të hapet, por ata duan ta mbyllin me çdo kusht atë derë.

“Me këto veprime dhe falë atij që është në zyrën e Presidentit sot, mund ta arrijnë përkohësisht, por kurrë nuk do të arrijnë ta zmbrapsin Drejtësinë për një kohë të gjatë”, – tha Kryeministri.

Rama tha se insiston që zgjedhjet të zhvillohen në 30 qershor, pasi 30 qershori është vija ku ndahet rruga e së shkuarës me rrugën e së ardhmes.

Nëse lëmë 30 qershorin kemi lënë të ardhmen, tha Rama duke shtuar se “nëse ndodh kjo, kemi pranuar se zgjedhjet nuk janë më çështje e popullit, por janë lojë e politikanëve”.

“Ne kemi një shumicë qeverisëse shumë solide, me pushtetin vendor kemi sot drejtimin e 75% të territorit të vendit, pothuaj të gjitha bashkitë kryesore të vendit. Po të ishte për mua, thjesht për një zgjidhje politike mund të thosha: zgjedhjet kur të doni ju. Dy vjet më parë ne mund të hynim në zgjedhje e të merrnim gjithë parlamentin, po të ishte se do të doja një pushtet me një ngjyrë dhe një parlament me një ngjyrë, kishim hyrë në zgjedhje atëherë“, – tha Rama. /atsh

Për ne shteti është para pushtetit, 30 qershori ndan të shkuarën nga e ardhmja Read More »

Riatdhesohen nga Franca 60 shqiptarë, Voda: Kërkimi i azilit ju penalizon

60 shtetas shqiptarë që kishin kërkuar azil në Francë, janë riatdhesuar sot në aeroportin e Rinasit.

Avioni me shtetasit shqiptarë zbriti në pistën e Aeroportit të Rinasit në orën 13:45. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda dhe Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit ishin prezent gjatë riatdhesimit të 60 shtetasve shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil në Francë

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda u bëri thirrje qytetarëve të mos kërkojnë azil, pasi kjo mund t’i penalizojë në të ardhmen. Sipas saj, qytetarët që kapen jashtë rregullave të lëvizjes Shengen, nuk do lejohen të lëvizin të lirë në hapësirën Shengen.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, të respektojnë rregullat e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Kjo për disa arsye. Në fillim për ata vetë, për faktin se është një kosto e madhe për ta të udhëtojnë drejt këtyre vendeve, duke lënë gjithçka pas dhe më pas të rikthehen e të rinisin nga e para dhe këtu në vendin e tonë. Po ashtu, kjo është një rrugë jo e drejtë dhe nuk i çon asgjëkundi, penalizohen dhe nuk lejohen të udhëtojnë më në shtetet e zonës Shengen”, bëri të ditur Voda.

“Më duhet t’ju njoftoj se në kuadër të vizitës së ministrit të Brendshëm shqiptar në Francë para disa kohësh, me ministrin e Brendshëm francez u dakordësua që procedurat e riatdhesimit do ishin më të shpeshta. Ndaj ju lutem qytetarëve shqiptarë, është e drejta e tyre të migrojnë, por të zgjedhin rrugën e migrimit të sigurt”, theksoi Voda. /atsh

Riatdhesohen nga Franca 60 shqiptarë, Voda: Kërkimi i azilit ju penalizon Read More »

Sezoni turistik/ Investime në ujësjellës kanalizime për 316 km vijë bregdetare

Investimet në sistemin e ujësjellës kanalizime për 316 km vijë bregdetare, synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë gjatë sezonit turistik.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve bën të ditur se, strategjia e investimeve 2019- 2021, parashikon mbulimi 24 orë me ujë dhe rehabilitimin e plotë të infrastrukturës të ujërave të zeza, për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, sektor strategjik për ekonominë e vendit.

Sot Këshilli Teknik i AKUM miratoi studimprojektimet për vijën bregdetare të Shqipërisë, me synimin mbulimin me investime në sektorin e ujësjellës kanalizimeve.
Vija bregdetare e Shqipërisë, me një botë të pasur nënujore, duhet ruajtur dhe do të mbështetet me investime, për ruajtjen dhe garantimin e cilësisë, si dhe shmangien e ndotjes së ujërave detare, ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit./atsh

Sezoni turistik/ Investime në ujësjellës kanalizime për 316 km vijë bregdetare Read More »

28-vjetori i PS-së/ Balla: Na gjen në një moment të rëndësishëm, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE

Sot jemi në një nga momentet më të rëndësishme, brenda 5 vite e gjysmë të qeverisjes sonë jo vetëm morëm statusin e vendit kandidat, por Partia Socialiste sot teksa qeveris e vetme është në momentin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në aktivitetin e organizuar me rastin e 28-vjetorit të krijimit së Partisë Socialiste të Shqipërisë.

“Kjo është festa më e bukur qe kemi organizuar për ditëlindjen e PS-së. Kjo ditëlindje e 28 e ka gjetur PS në një moment shumë të rëndësishëm, që do të jetë pikë reference për mënyrën se si do të jetë Shqipëria në 30 vitet e ardhshme”, – theksoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, u shpreh se “në gjithë 28 vitet e ekzistencës së partisë më të madhe jo vetëm brenda Shqipërisë, por në të gjitha trojet shqiptare festimi dhe udhëheqësia, qeverisja dhe kontributi i PS-së ka qenë pikësëpari përpjekja jonë për ta bërë vendin tonë me një shtet të fortë, me institucione të forta dhe demokraci institucionale”.

“Sa herë që PS ka marrë detyrën për të qeverisur vendin e ka nisur nga një pikë e vështirë, e ka marrë Shqipërinë nga një humnerë e lënë gjithmonë nga Saliu dhe e ka ngritur atë”, – tha Balla.

Ky 28-vjetor, vijoi Balla, e gjen Shqipërinë në një moment të rëndësishëm që lidhet me zgjedhjet. Këto nuk janë si të tjerat, këto janë më të rëndësishmet. Kush thotë se në këto zgjedhje nuk kemi kundërshtarë e ka gabim, kundërshtari jonë në këto zgjedhje ndoshta është edhe më i vështirë, sepse janë ata kundërshtarë që nuk duan që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje.

“Ne do ta kalojmë këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe shumë deciziv për mënyrën si do duket Shqipëria pas 30 qershorit”, – përfundoi Balla./atsh

28-vjetori i PS-së/ Balla: Na gjen në një moment të rëndësishëm, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE Read More »

“Kala Festival”, mbërrijnë 250 turistët e parë anglezë në portin e Himarës

Porti i Himarës mirëpriti sot turistët e parë anglezë, që kanë ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në “Kala Festival”, që do të zhvillohet në dy faza, në datat 12-19 qershor dhe 20-25 qershor.

Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “gjatë ditës së sotme kanë ardhur 250 turistë anglezë, të cilët kanë udhëtuar me Katamaranin e linjës Himarë-Korfuz”.

Sipas tij, pritet që të vijnë rreth 4000 turistë në Portin e Himarës për të marrë pjesë në këtë festë që tashmë është bërë traditë.

“Nga porti i Himarës këto ditë do të vijnë 3000 turistë, ndërsa nga porti i Sarandës do të vijnë 1000 të tjerë”, tha Malaj.

Për herë të dytë, bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, do të presë Festivalin e dytë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri. Ky festival, përveç atmosferës që do të krijojë për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë. Përgjatë ditëve në festival do të jenë të pranishëm DJ të famshëm ndërkombëtarë.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës Shqiptare.

Këtë vit në festival do të jenë 5 mijë të rinj, jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga Zelanda e Re, Australia, Amerika. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukurinë e vendit./atsh

“Kala Festival”, mbërrijnë 250 turistët e parë anglezë në portin e Himarës Read More »