Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot se “vizita e Presidentit të SHBA, George W. Bush, 13 vite më parë, shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, Meta tha se “ne kemi shumë arsye për të qenë krenarë për bashkëpunimin e shkëlqyer, tashmë të një partneriteti strategjik me SHBA, sepse me këtë vizitë të Presidentit amerikan, jo vetëm u vulos anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, por edhe Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj të njohura ndërkombëtarisht”.
Presidenti theksoi se “anëtarësimi në aleancën më të madhe e të suksesshme politiko-ushtarake që ka njohur bota, garantoi lirinë e vendit, dhe përmbushi një aspiratë mbarëpopullore për të cilën janë sakrifikuar mijëra shqiptarë”.
“Pavarësia e Kosovës, jo vetëm korrigjoi gabimet historike të së kaluarës, duke i dhënë të drejtën popullit të saj të jetojë i lirë e i pavarur në vendin e vet, por dhe forcoi në mënyrë thelbësore sigurinë e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Meta tha se “Shqipëria dhe populli shqiptar falënderojnë me këtë rast përzemërsisht Presidentin Bush, dhe do t’i jenë përherë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan për frymëzimin dhe mbështetjen e pazëvendësueshme në rrugëtimin europian, por dhe mësim se sa të shtrenjta janë sot liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia, pluralizmi dhe sovraniteti, përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese antivlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë”./atsh
“Kemi marrë dje një lajm shumë të mirë nga tregjet e kapitaleve dhe fakti është që kemi arritur një rezultat që na inkurajon jashtëzakonisht shumë dhe që garanton planin e ri kombëtar “Shqipëria 2030”, për një transformim të mëtejshëm ekonomik dhe social duke adresuar rindërtimin, rimëkëmbjen, sepse Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera, del nga dy goditje njëra pas tjetrës, si dhe ambicien tonë për një shtysë të fortë përpara të ekonomisë dhe punësimit në vitet e ardhshme”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Kreu i Qeverisë u shpreh se “sapo të jemi gati, në javët në vijim do të paraqitet plani i ri kombëtar, që nuk do të jetë program zhvillimi në letër, aq më pak një strategji në një dokument që duhet përkthyer pastaj në masa, por do të jetë një plan veprimi i kalendarizuar në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë”.
“Ajo që ka ndodhur dje me Shqipërinë në tregjet e kapitaleve është faktikisht ajo që ndodh me çdo vend kur del në tregjet e kapitaleve, që merr vlerësimin për situatën në aspektin e të gjithë parametrave ekonomikë. Po ashtu është shumë e rëndësishme të nënvizohet se merr vlerësimin lidhur me riskun”, – theksoi Rama./atsh
Përkujtohet sot 142 vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. E mbajtur më 10 qershor më 1878, Lidhja ishte e para organizatë politike mbarëshqiptare, me një platformë ideologjike, program politik, strukturë organizative në të gjitha trojet shqiptare, ushtri dhe aksione kulturore.
Presidenti Ilir Meta, thekson se “në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat, ku u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve, dhe u legjitimuan aspiratat për shtet-formim që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”
“Ndaj sot, në 142-vjetorin e krijimit të Lidhjes, ne kujtojmë me respekt e mirënjohje të jashtëzakonshme udhëheqësit vizionarë e legjendarë të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin dhe të gjithë burrat e mençur dhe atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë kombit tonë, nga rreziku shovinist dhe platformat e aneksimit të territoreve”, shprehet Meta.
Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, thekson President, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një mesazh me rastin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, thekson se “lidhja ishte një betejë trevjeçare që luftoi për triadën çlirim, shtetformim mbi bazën e kombit dhe tërësi territoriale të atdheut të shqiptarëve”.
“Lidhja ishte pjesë e kontekstit të luftrave çlirimtare në Europë dhe Ballkan. Lidhja u ngrit mbi dallimet klasore, fetare e krahinore dhe u bë promotore e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi politiko-administrative, mbështetur në parimin e kombësisë dhe tërësisë territoriale. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte sipari i luftrave për pavarësi, frymëzoi idenë e lirisë dhe krijoi modelin e organizimit politik e ushtarak për të çliruar vendin”, shprehet kryeparlamentari Ruçi.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nënvizon ai, është një model patriotizmi, shtetformimi dhe kohezioni kombëtar për shqiptarët, jo vetëm gjatë luftrave çlirimtare, por edhe në ditët e sotme”. /atsh
Pas një pune përgatitore prej disa muajsh, Kadastra Shqiptare ka hapur zyrtarisht procesin e regjistrimit fillestar në 8 zonat kadastrale të bregdetit të jugut.
Ligji “Për Kadastrën” në nenin 30 të tij përcakton qartë mënyrën se si kryhet regjistrimi fillestar i pronës.
Sipas ligjit, regjistrimi fillestar bëhet për një zonë kadastrale të identifikuar nga drejtoria vendore.
Regjistrimi fillestar konsiston në pasqyrimin e çdo pasurie të paluajtshme shtetërore, publike dhe private të zonës kadastrale, në kartelën përkatëse të pasurisë dhe në hartën kadastrale të zonës.
Ky produkt i nënshtrohet afishimit publik 45-ditor, ku banorët dhe titullmbajtësit verifikojnë të dhënat e pasurive të tyre, si mbajtja e ankesave përkatëse. Pas përfundimit të afishimit publik trajtohen ankesat përkatëse dhe kthim përgjigje. Më pas vijohet me ngarkimin në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme të produktit përfundimtar.
Drejtuesi i drejtorisë vendore, një person ose çdo grup i ngarkuar nga Drejtori i Përgjithshëm kërkojnë që pronësia, si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen në bazë të akteve të fitimit të pronësisë, sipas nenit 193 të Kodit Civil.
Individët, familjet dhe personat juridikë privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me: dokumentin e pronësisë; dokumentacionin hartografik për pasurinë, i cili miratohet nga ASHK-ja; deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet.
Nëse deklarata noteriale nuk mund të sigurohet, apo ka mosmarrëveshje për kufirin e pasurive, ai përcaktohet nga ASHK-ja. Palët e interesuara kanë të drejtën e ankimit gjyqësor ndaj aktit të ASHK-së që përcakton kufirin. Drejtoria vendore, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit. Kundër vendimit të drejtorisë vendore ose në mungesë të përgjigjes brenda afatit, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë kufitare me njëra-tjetrën e të cilët kanë interes të ligjshëm për gjykim.
Kur sipërfaqja që posedohet dhe ekziston efektivisht në terren, është më e vogël se ajo e përcaktuar në titullin e pronësisë, drejtoria vendore regjistron pronësinë vetëm për sipërfaqen që rezulton efektivisht.
Nëse nga pozicioni i pasurisë rezulton se sipërfaqja që do t’i takonte titullarit është zënë nga prona publike të ndërtuara pas krijimit të titullit të pronësisë private dhe subjekti nuk është shpërblyer sipas legjislacionit për shpronësimin për interes publik, ASHK-ja njofton organin shtetëror përgjegjës për procedurën e shpronësimit, që të kryejë procedurat përkatëse të kompensimit. Në çdo rast, procedura e regjistrimit nuk pezullohet.
Për pasqyrimin e saktë hartografik të pasurive, ASHK-ja shfrytëzon produktin e fotografimit ajror të Republikës së Shqipërisë. Për çdo pasuri të identifikuar nga verifikimi në terren dhe që gjendet në hartën e re kadastrale, krijohet praktika e pronësisë me dokumentacionin që parashikohet në këtë ligj.
Procedura e regjistrimit fillestar fillon me vendim të drejtuesit të zyrës vendore ose me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm.
Mbledhja dhe organizimi i të dhënave, në funksion të procedurave të regjistrimit fillestar dhe të përmirësimit, kryhet nga: vetë ASHK-ja nëpërmjet strukturave dhe personelit të saj; subjekte të treta, të kontraktuara nga ASHK-ja, në përputhje me rregullat e legjislacionit “Për prokurimin publik”; ose njësitë e vetëqeverisjes vendore mbi bazën e marrëveshjeve të miratuara nga këshilli drejtues i ASHK-së.
Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka sqaruar se ky proces do të trajtojë rreth 16.500 pasuri private, kryesisht toka të përfituara me AMTP (përmes ligjit 7501/1991), shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra, objekte të privatizuara, etj.
Gjithashtu, procesi do të trajtojë edhe rreth 5200 pasuri shtetërore, kryesisht prona të institucioneve publike, vepra infrastrukture, kullota, pyje, etj. Prej tij do të përfitojnë rreth 8000 banorë, rezidentë apo të emigruar të këtyre zonave.
Regjistrimi fillestar do të kryhet në 8 zonat kadastrale të bregdetit të Jugut dhe konkretisht:
Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame deklaroi sot se qytetarët në jug do pajisen për herë të parë me tapi të rregullta pronësie, proces ky i cili do t’i japë fund konfliktit për pronat.
Gjatë një interviste në media, Lame u shpreh se brenda pak muajsh do të përfundojnë matjet në terren dhe do të jetë gati edhe harta.
“Procesi në jug është pajisja për herë të parë me tapi të rregullta pronësie për pronat e tyre. Jemi në fazën që po mbledhim informacione nga qytetarët. Askush nuk duhet të dorëzojë dokumente origjinale, por fotokopje. Kemi hapur tri zyra në jug ku të kërkohen të dërgohen fotokopjet dhe jo origjinalet e dokumenteve. Kur të mbarojnë edhe matjet në terren, pas disa muajsh do të kemi një hartë në jug dhe të gjitha këto do të bëhen publike”, sqaroi Lame.
Lame bëri të ditur se “ajo që po bëjmë në jug është regjistrim fillestar, pasi nuk është bërë asnjëherë. Pra, pasi janë harxhuar rreth 120 milionë dollarë për të bërë regjistrimin”.
Sipas tij, mos regjistrimi i banesave është një problem shumë i madh në Shqipëri.
“Regjistrimi fillestar në Shqipëri është bërë me tendera, ne po i bëjmë me forcat tona. Duke qenë se bëheshin me tendera, paratë kalonin dorë më dorë dhe mbeteshin vetëm 40-30% e parave. Rregullimi i hartës bëhet me zona. Janë mbi 2 mijë zona të Kadastrave ku rreth 80 % e tyre duhen ribërë. Kjo merr me vite të tëra”, tha Lame./atsh
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një komunikimi me drejtuesit qendrorë dhe drejtorët vendorë të Policisë dhe ata të Kufirit dhe Migracionit për luftën antikanabis, masat kundër migracionit të paligjshëm, si dhe çështje të rendit e sigurisë publike, theksoi se integriteti i Policisë është formula drejt suksesit.
Ministri Lleshaj e nisi komunikimin me një çështje që, siç tha ai, ka filluar të marrë vëmendje të shtuar, migracionin e paligjshëm dhe trafikimin.
“Ditët e fundit është goditur një rrjet trafikimi emigrantësh të paligjshëm, rrjet që përfshinte dhe punonjës e drejtues të lartë të policisë së shtetit. Lufta e Policisë së Shtetit për të goditur rastet e inkriminuara në radhët e saj në dobi të rritjes së integritetit të saj është prioritet, pasi integriteti është formula e vetme që do na çojë tek suksesi dhe misioni i Policisë së Shtetit”, – tha Lleshaj.
“Migracioni ka pësuar rritje, ashtu si në të gjithë Europën. Flukset migratore shndërrohen edhe në viktima të trafikut dhe duke rritur veprimtarinë kriminale. Kjo veprimtari kërkon një vëmendje të shtuar të policisë dhe Ministrisë së Brendshme”, – vijoi ai.
“Mbetet detyrë e madhe që të gjitha strukturat, por veçanërisht të migracionit dhe kufirit, policia kriminale dhe e rendit të rrisin bashkëpunimin me njëri-tjetrin, të forcojnë kontrollet dhe punën operative për të goditur, aty ku është e nevojshme të goditet. Rasti i para disa ditëve nga SHBÇA është një sinjal që duhet vlerësuar nga të gjithë për të parë nivelin e angazhimit integritetit dhe përgjegjësinë për ushtrimin e detyrë për ata që kanë përgjegjësi të kësaj natyre. Duhet në mënyrë të fortë të merren masa për migracionin e paligjshëm dhe veprimtarisë kriminalë që fshihet pas. Jemi bërë dëshmitarë të pranisë së këtyre emigrantëve që lëvizin lirshëm në rrugët e vendit, të pa kontrolluar, pa adresuar. Ky kontingjent personash, duhet të adresohet dhe të merren masat përkatëse ligjore, që ky fluks të ndalet që në kufi dhe sipas kritereve ligjore, për ata që kanë vërtetë nevojë”, – theksoi ministri Lleshaj.
Lidhur me luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, Lleshaj tha se fundi i qershorit është dhe limiti për ta mbyllur këtë betejë.
“Tentativa për ta mbajtur gjallë këtë fenomen nuk ka vdekur. Fenomeni është goditur rëndë. Por, shpresat e ndokujt për të gjetur hapësirë nuk ka vdekur. Informacionet e ndryshme që marrim edhe për këtë vit tregon se ka tentativa të shkurtra, që konsistojnë në zonat të ndryshme të vendit të cilat tregojnë që nevoja për një agresivitet të shtuar në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është e lartë dhe duhet të merren masat e nevojshme për azhornimin e planeve, që ekzistojnë dhe për t’i zbatuar me efektivitet të lartë”, – tha Lleshaj.
“Shtimi i kapaciteteve, dronet, monitorimet ajrore dhe përmes bashkëpunimit me FA, duhet të shërbejnë si motivim për të rritur intensitetin e luftës në këtë sektor që duhet të mbyllet shumë shpejt. Ne duam që brenda muajit qershor të mbyllet përpjekja e Policisë së Shtetit me kanabisin. Pas kësaj s’do merremi më me bimët, por me personat përgjegjës. Lufta ndaj kanabisit nuk është e vetmja përgjegjësi e Policisë së Shtetit, që është organ ligjzbatues. Kjo do të thotë që policia duhet të kujdeset për veprimtarinë kriminale që në thelbin e saj ka shumë aktorë, mes të cilëve kemi edhe zyrtarët që administrojnë territorin. Kërkohet që për çdo rast kultivimi të kanabisit në çdo cep të territorit të nisin procedimet penale jo vetëm për trafikuesit e kultivuesit, por edhe për zyrtarët që janë në atë cep të territorit ku kryhet ajo veprimtari kriminale”, – vijoi Lleshaj.
“Kemi parë gjatë kësaj periudhe që ka patur rezonanca të ndryshme nga autoritete vendore, që shpesh kanë qenë mjaft bashkëpunuese, ku policia është mbështetur në informacion me kërkesa e ndihmë në terren, por ka patur dhe raste kur autoritetet vendore e konsiderojnë këtë si punë të policisë, gjë që nuk pranohet, pasi në çdo rast ku identifikohet një vepër penale e kësaj, duhet të referohen jo vetëm personat e kapur, por dhe përgjegjësit e territorit. Lufta ndaj kanabisit bëhet në kuadër të një plani kombëtar për luftën ndaj kanabisit dhe angazhimi duhet të jetë kombëtar. Detyra juaj duhet të jetë për të identifikuar ata të cilët nuk marrin pjesë në këtë detyrim ligjor dhe ti vini përpara përgjegjësisë ligjore ato që hezitojnë për shkak të paaftësisë, papërgjegjshmërisë, apo bashkëpunimit kriminal apo të papërshtatshëm me elementët kriminal”, – u shpreh ministri i brendshëm.
Lufta ndaj krimit mjedisor duhet të shihet me prioritet, tha ministri Lleshaj.
“Konstatoj për fat të keq se kjo luftë nuk ka gjetur vëmendjen e duhur. Tashmë jemi në situatën që krimi mjedisor është vepër penale që parashikohet qartësisht nga një numër i madh nenesh në kodin penal. Duhet të theksoj që në pikëpamje të politikës penale. Dëmi publik në shumë raste tejkalon ndjeshëm dëmin që sjell nga krime të caktuara. Dëmi që vjen nga krimi mjedisore sjell pasoja ekstreme për jetën e shëndetin e qytetarëve dhe goditja ndaj tij duhet të jetë pa kompromis, e pa ndërprerë. Ndotja e lumenjve, një ndër fenomenet më të rënda në Shqipëri. Çdo gjë që ne hedhim në lumë, ose e gjejmë në det, ose na kthehet në tryezë, ku ushqehemi”, – tha ai.
“IKMT çdo javë duhet të realizojë raporte me shkrim për aksionet e kryera në të gjithë vendin, në çdo drejtori vendore, ku duhet të ketë përditë ndërhyrje kundër krimit mjedisore, aq më tepër kur hyjmë në sezonin turistik, ku synohet të kompensohet sado pak dëmi i shkaktuar tek qytetarët nga izolimi për shkak të pandemisë. Për turizmin mbetet detyrë e rëndësishme që policia të mbështesë autoritetet e ndryshme edhe këtë sezon veror”, – tha ministri Lleshaj
Sa i takon OFL, Lleshaj tha se “Operacioni Forca e Ligjit, është maja e shigjetës që duhet të godasë krimin e organizuar aty ku atij i dhemb fort, financat dhe pasurinë e tij. Pati një periudhë të ndryshimit të ritmit për shkak të pandemisë dhe kërkohet që të gjithë strukturat të vijojnë me ritëm të shtuar për të vijuar misionin e ngarkuar nga ligji për këtë mision. Këtu kërkohet që e gjithë puna të realizohet sipas një radhe ku të parët të jenë ato që kanë llogari më të madhe me ligjin”.
“Ne sigurisht këtë vit kemi treguesit më të mirë sa i takon luftës kundër krimit të organizuar. Shtimi intensitetit të lëvizjes, do të shtojë edhe mundësitë e grupeve kriminale për të goditur. Rastet e ditëve të fundit, tregon që krimi tenton të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme për të goditur”, – tha Lleshaj.
“Drejtoria e standardeve profesionale, SHÇBA si dy trupa të specializuara për integritetin, duhet të vendosin të gjitha ingranazhet në punë, që kushdo të kuptojë qartë që hapësirë për punonjës të cilët nuk meritojnë dinjitetin e uniformës nuk do ketë. Çdo drejtues është përgjegjës për të garantuar që strukturat që ka në varësi dhe që mban përgjegjësi ligjore, duhet të jenë të pastra nga korrupsioni, letargjia… etj.”, – vijoi ministri i Brendshëm. /atsh
“Asgjë nuk është më e vlefshme se dita e sotme”, tha sot Kryeministri Edi Rama, duke zgjedhur të tjera fjalë të çmuara për të përcjellë mesazhin e tij.
Ishin këto fjalë të shkrimtarit të shquar gjerman Johann Wolfgang Von Goethe që Kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të çmuara”./atsh
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë publikuar protokollin e sigurisë për sezonin e ri turistik, ku parashikohen në detaje se si do operojnë sipërmarrjet në fushën e turizmit, duke nisur nga largësia e çadrave mes tyre dhe duke vijuar me higjienën në dhoma dhe në çdo ambient tjetër të shërbimeve hoteliere, bare e restorante.
Përmes urdhrit të publikuar sot në Fletoren Zyrtare me nr. 353, datë 29 maj 2020, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë përcaktuar “Protokollin e masave antiCOVID-19 përgjatë sezonit turistik”.
Në urdhrin e publikuar dhe në Fletoren Zyrtare saktësohet se: Protokolli i masave antiCOVID-19” është një dokument që rekomandohet të zbatohet nga sipërmarrjet turistike, turistët/pushuesit dhe vizitorët, për mbarëvajtjen e atyre aktiviteteve të miratuara si të lejuara, përmes akteve normative të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucioneve të tjera kompetente. Ky Protokoll përmban parakushtet, kushtet dhe rregullat për të orientuar dhe për të rekomanduar industrinë turistike për masat e nevojshme që duhet të ndërmerren përgjatë periudhës së pranisë së infeksionit COVID-19.
Në pikën 2 të protokollit sqarohet se, çdo sipërmarrje turistike që lejohet të ushtrojë aktivitetin rekomandohet të adaptojë këtë protokoll dhe të afishojë masat respektive në vende qartësisht të dukshme dhe pranë korridoreve të kalimit të njerëzve, mbështetur me materiale të ndryshme promovuese dhe informuese që informojnë mbi masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e infeksionit COVID-19.
Në pikën 3 të protokollit sqarohet se stafi i shërbimit, që ka kontaktet me pushuesit/vizitorët duhet të përdorë doreza dhe maska mbrojtëse. Mbajtja e dorezave dhe e maskave janë elemente të domosdoshme në parandalimin e transmetimit të COVID-19, e kombinuar me higjienën të duarve.
Sipas protokollit, punonjësit e recepsionit duhet të jenë të mirinformuar në lidhje me masat antiCOVID-19, në mënyrë që ata të mund të kryejnë detyrat e tyre të caktuara dhe të parandalojnë përhapjen e mundshme të infeksionit në strukturën akomoduese. Recepsioni duhet të ketë në dispozicion numrat e telefonit të autoriteteve shëndetësore (Urgjencën Kombëtare dhe Epidemiolgjinë e NJVKSH-së përkatëse), si dhe të afishojë masat antiCOVID-19 në vend të dukshëm dhe lehtësisht të aksesueshëm për të gjithë.
Stafi i recepsionit duhet të mbajë pastër ambientin e tyre të punës dhe në fund të çdo ndërrimi turni të pastrojë me kujdes tryezën dhe pajisjet (për shembull: telefon, tastierë, ekran me prekje, stilolapsa, lapsa etj.). Për të lehtësuar performancën dhe efektivitetin e këtij operacioni, është e përshtatshme të hiqen të gjitha sendet jothelbësore nga sipërfaqja e punës. Nëse mjetet e punës përdoren nga shumë njerëz gjatë të njëjtit turn, rekomandohet që stafi të lajë duart më shpesh dhe t’i dezinfektojë me xhel, me përbërje alkooli 70–85%. Shkëmbimi i telefonave dhe i celularit duhet të shmanget, nëse nuk dezinfektohet siç duhet para se të kalojë nga një operator, tek tjetri.
Rekomandohet që nga sipërmarrja turistike të merren masa për të shmangur mbledhjet e shumë njerëzve në të njëjtin vend, si dhe për të zvogëluar në maksimum kohën e pritjes përgjatë procesit të regjistrimit. Kur është e mundur, të përdoret sistem elektronik për regjistrimin. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancomi fizik i rekomanduar nga MSHMS-ja.
Në protokollin e publikuar rekomandohet pastrim i përsëritur i ambienteve. Pavarësisht përdorimit të maskave dhe të dorezave me një përdorim, higjienizimi dhe larja e shpeshtë e duarve konsiderohet e domosdoshme. Pasi t’i keni larë duart me sapun dhe ujë, ju duhet t’i thani ato plotësisht. Xheli me përbërje alkoolike për higjienën e duarve duhet të përdoret në mënyrë periodike, madje edhe kur mbahen doreza.
Maska, doreza të disponueshme dhe dezinfektues sipërfaqësor, mund të jenë në dispozicion për vizitorët kundrejt një marrëveshje paraprake mes sipërmarrjes dhe pushuesve/vizitorëve.
Struktura akomoduese duhet të vendosë në holle, korridore dhe ambiente të jashtme kosha të pajisur me qese plastike, për të hedhur mbetjet e mjeteve mbrojtëse higjienike. Rekomandohet të fillohet me ajrosjen natyrale të dhomës, duke hapur dritaret nëse ka.
Pastrimi duhet të përfshijë të gjitha sipërfaqet, siç janë: tavolinat, krevatet, karriget, telefoni, telekomanda, dorezat e dyerve dhe panelet, si dhe çdo pajisje tjetër që konsiderohet se mund të jetë e prekur nga vizitori.
Sipërfaqet që mund të ndoten me sekrecione të frymëmarrjes ose lëngje të tjera të trupit të personit, p.sh: tualeti, basenet e larjes së duarve dhe banjat, duhet të pastrohen me solucion të rregullt dezinfektues që përmban 0.1% hipoklorit të natriumit dhe të lihen pa u shpëlarë me ujë për 10 minuta. Sipërfaqet duhen shpëlarë me ujë të pastër pas 10 minutash kontakti me klorin. Kur përdorimi i klorit nuk është i përshtatshëm, p.sh.: pajisje telefonike, telekomandë, doreza derë, butona në ashensor etj., atëherë mund të përdoret alkooli 70%. Kur është e mundur, të përdoren vetëm materiale pastrimi me një përdorim. Të gjithë artikujt e përdorur me një përdorim (peshqir dore, doreza, maska) duhet të vendosen në një enë me kapak dhe të hidhen sipas menaxhimit të mbeturinave të rrezikshme. Nëse minibari është i pranishëm dhe aktiv, në secilin ndryshim të vizitorit rekomandohet të pastrohen të gjitha sipërfaqet e minibarit në mënyrë sistematike. Dyshemetë pastrohen dhe sanitarizohen me produkte të përshtatshme. Këshillohet të shmangni pajisjen e dhomave ose të dhomave të tjera të strukturës me elementë arredimi, që nuk janë objekte të pastrimit të përditshëm.
Në protokollin e sigurisë sqarohet edhe mënyra e administrimit të ushqimeve dhe pijeve, ku theksohet ndër të tjera se, duhet kryer larja e duarve shpesh dhe sipas kërkesës. Personeli duhet të jetë me maskë dhe doreza kur përgatisni ose përdorni ushqimin. Ndalohet përgatitja ose prekja e ushqimeve, prekja e sipërfaqeve në kontakt me ushqimin pa pasur doreza, si dhe ndalohet shijimi i ushqimit me gishta.
Në protokoll thuhet se ndalohet prekja e flokëve ose e pjesëve të tjera të trupit pa doreza, kur ndodheni brenda zonave të përgatitjes apo të servirjes së ushqimit, pasi mund të rezultojnë në ndotje të ushqimit.
Gjithashtu në protokoll bëhet me dije edhe organizimi i punës në plazhe dhe restorante. Në protokoll theksohet se tavolinat duhet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrigeje në pjesën e pasme të një karrigeje tjetër të jetë më shumë se 1 m larg dhe që klientët të përballen me njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 1 m.
Personeli që shërben ushqimin duhet të jetë i pajisur përgjatë gjithë periudhës së shërbimit me maska dhe dorashka të higjienizuara. Në rastin e ofrimit të shërbimit bufe, administratori/menaxheri i strukturave akomoduese të kapaciteteve të mëdha (hotel/resort) rekomandohet të përcaktojë dhe të shënojë dukshëm korridorin e lëvizjes së klientëve. Klientët rekomandohet të respektojnë distancën e rekomanduar nga Ministria Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në rast se përdoren makinat automatike, pijet të shërbehen vetëm në gota kartoni njëpërdorimëshe.
Deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19, të gjitha stacionet e plazhit, si dhe plazhet publike duhet të kenë të afishuara këshillat dhe rregullat në kuadër të mbrojtjes nga COVID-19. Këto rregulla konsistojnë, në: Mbani parasysh rregullat bazë për parandalimin e COVID-19: a) lani dhe dezinfektoni duart, vazhdimisht dhe në mënyrën e duhur; b) përdorni maskat sipas udhëzimeve; c) shmangni grumbullimet në njerëz dhe çdo lloj kontakti; d) mos prekni fytyrën dhe hundët me duar të palara e të padezinfektuara; e) kur kolliteni ose teshtini, mbulojeni gojën/hundën me parakrah ose me facoleta njëpërdorimëshe; f) nëse vini re simptomat e COVID-19, telefononi nr. 127.
Në marrjen e shërbimeve në ambientet e stacionit të plazhit, respektoni gjithmonë, sipas masave të miratuara të MSHMS-së (1,5 m). Ruani gjithmonë distancën edhe gjatë shëtitjeve në plazhe, bregun e detit, liqenit, lumit apo përgjatë shëtitoreve.
Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese. Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit dhe të gjitha ambienteve të tjera të jetë ditore. Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike; gjatë orarit të hapjes së stacionit të plazhit duhet të sigurohet vazhdimësia e pastërtisë dhe boshatisja e koshave të mbeturinave. Të gjitha aktivitetet (si bare, beach-bare) duhet të jenë në përputhje me direktivat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19, brenda brezit të shërbimeve në stacionet e plazhit, mund të realizohen këto struktura: kioskë menaxhimi për plazhin, kabina, shërbime higjienike, depo, pika vrojtimi/kulla e vrojtimit, hapësirë për rojën e plazhit (në rastin e plazhit publik), beach-bar, hapësirë për vendosjen e biçikletave. Tavolinat në beach-bar duhet të kenë distancë, sipas udhëzimeve të MSHMS-së.
Deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19, kushtet minimale që duhet të përmbushë një stacion plazhi, në plazhet e tipit A, janë si më poshtë vijojnë: a) për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 7 m nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit; b) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 m në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 3.5 m në linjë vertikale me vijën e ujit; c) të ketë në dispozicion të pushuesve 1 dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues; d) të gjitha kushtet e tjera, përveç sa më sipër, të përcaktuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 171, datë 27.3.2019, “Për miratimin e rregullores ‘Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit’”.
Kushtet minimale, që duhet të plotësojë një stacion plazhi, në plazhet e tipit B, janë si më poshtë vijon: hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) duhet të jetë të paktën 3,5 m; të ketë në dispozicion të pushuesve 1 (një) dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues.
Sa i takon pishinave, mbështetur në urdhrin nr. 351, datë 29.5.2020, të gjitha pishinat janë të mbyllura deri në një urdhër të dytë. Uji i pishinës duhet të pastrohet nga qarkullimi përmes një sistemi filtrimi të detyrueshëm. Duhet të largohen rregullisht papastërtitë e dukshme në sipërfaqe të ujit. E gjithë zona dhe të gjitha objektet e pishinës dhe të banjave duhet të pastrohen dhe të dezinfektohen të paktën një herë në ditë, por dhe më shpesh, nëse fluksi i klientëve është i lartë. Klorinimi i ujit të bëhet rregullisht sipas standardeve. Shezlonget e pishinës duhet të jenë me distancë të paktën 2 metra larg nga njëri grup tek tjetri. Hoteli duhet të sigurojë materiale dezinfektuese në zonën e pishinës për të lejuar punonjësit e pishinave dhe klientët të pastrojnë shezlongët. Pishina të ketë kosha dhe peshqirë letre. Punonjësi i pishinës duhet të dezinfektojë shtresat e shezlongëve dhe krahët mbështetëse.
Në protokoll janë parashikuar dhe zonat SPA, Sauna dhe masazhet, ku në fokus do të jetë pastrimi i ambineteve, mureve, dyshemeve. Sipërfaqja e shtratit të masazhit duhet të jetë prej plastike të qëndrueshme për larje ose material tjetër i papërshkueshëm nga uji, i cili është i lehtë për pastrim, dezinfektim dhe mirëmbajtje. Sipërfaqja e shtratit të masazhit duhet të dezinfektohet dhe më pas të shpëlahet me ujë dhe të thahet pas çdo përdorimi. Mbulesa letre me një përdorim duhet të hidhen në një kosh pas përdorimit. Nëse për klientët sigurohen veshje, ato duhet të vendosen në qese plastike të sigurta dhe t’i nënshtrohen procesit të duhur të pastrimit pas çdo përdorimi. Bazuar në madhësinë e ambientit, hoteli/ resorti mund të lejojë një numër maksimal të klientëve në të njëjtën kohë në zonën SPA, duke respektuar distancën 1,5 metra midis tyre.
Për klientët që dëshirojnë të shijojnë një masazh apo të përdorin sauna apo jakuzi, çdonjëri prej tyre duhet të bëjë një rezervim, në mënyrë që të kontrollohet numri i tyre në respekt të distancës 1,5 metra. Materialet e dezinfektimit duhet të jenë të disponueshme përreth zonës SPA.
Po ashtu në protokoll parashikohet dhe mbajtja e konferencave në hotele. sipas këssaj pike, në rast të përmbushjes së kritereve për hapësirat rekomandohet të zhvillohen: zhvillimi i konferencave/eventeve, aty ku është e mundur, në sallat që mund të lejojnë distancimin fizik; rekomandohet që ulja e pjesëmarrësve të jetë e tillë që të respektojë protokollet e aprovuara nga MSHMS-ja. /atsh