Irina

Lufta me koronavirusin nuk fitohet nëse nuk përshkallëzojmë masat deri në ekstrem

“Lufta me koronavirusin nuk fitohet nëse nuk përshkallëzojmë masat deri në ekstrem”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, përmes një mesazhi drejtuar gjithë shqiptarëve.

Kryeministri theksoi se “këto masa janë domosdoshmëri për të ruajtur Shqipërinë nga përshkallëzimi agresiv i koronavirusit”.

Rama tha se “do të ishte akoma më e mira të zbatojmë me symbyllur këshillat praktike në këtë situatë lufte”. “Larjen e duarve, daljen sa më pak nga shtëpia, vetëizolimin për peronat e ardhur nga vendet e prekura dhe moslejimin e më të moshuarve të dalin nga shtëpia”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ky grip i pazakonshëm nuk ndalet të shkoj kudo si çdo grip i zakonshëm, por ndryshe nga çdo grip i zakonshëm që kalon pa trauma kombëtare apo botërore ky grip luftohet me masa që përshkallëzohen deri në forma drastike të ngjashme me reagimin në rast lufte”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi shumëkënd që mendon mendon gabimisht se po të kishim mbyllur kufijtë Shqipëria nuk do të prekej. “Jo, po të ishte kështu murtaja e mesjetës kur nuk kishte transport ajror nuk do të kishte marrë miliona jetë. Mbyllja e kufijve nuk e ndalon prekjen nga virusi por vetëm e ngadalëson dhe duhet bërë as më para, as më vonë veçse kur shfaqet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kushdo duhet të ngulisë mirë në kokë se 80% e atyre që do të preken nuk do ta marrin kurrë vesh që janë prekur, sepse nuk do të kenë asnjë shenjë, do ta ngordhin koronën si çdo trup i shëndetshëm që lufton viruset. “Vetëm 20% të tjerë do të kenë shenja të ndryshme, dhe këtu ka shumë rëndësi të kuptohet se 80% e kalojnë njësoj si një grip, duke ndenjur në shtëpi. Për këta këshillohet mbajtja larg e më të moshuarve, jo shtrim në spital, vetëizolim. Vetëm 20% rezultojnë me shenja shqetësuese që janë të sëmurë kronikë, me zemër, tension, sëmundje mushkërish. Vetëm për ata duhet regjim spitalor përjashtuar rastet që u shfaqën të parat”, tha Rama./atsh

Lufta me koronavirusin nuk fitohet nëse nuk përshkallëzojmë masat deri në ekstrem Read More »

Vlerësimi i riskut të aflatoksinave në ushqim

Autoritetit për Siguri Ushqimore Europiane (EFSA) iu kërkua të jepte një mendim shkencor mbi rreziqet ndaj shëndetit publik në lidhje me praninë e aflatoksinave në ushqim.

Vlerësimi i riskut u kufizua në aflatoksinat e llojeve B1 (AFB1), AFB2, AFG1, AFG2 dhe AFM1. Në vlerësim u përdorën më shumë se 200 mijë rezultate analitike mbi shfaqjen e aflatoksinave.

Drithërat dhe produktet me bazë drithi dhanë kontributin më të madh në ekspozimin mesatar kronik dietik ndaj AFB1 në të gjitha fashat e moshës, ndërsa qumështi i lëngshëm dhe produkte të qumështit të fermentuar ishin kontribuesit kryesorë të ekspozimit mesatar të AFM1.

Aflatoksinat janë gjenotoksikë dhe AFB1 mund të shkaktojë karcinoma hepatocelulare (HCC) te njerëzit. Paneli shkencor i EFSA, CONTAM përzgjodhi një kufi më të ulët të besimit në dozë standarde (BMDL) për një përgjigje krahasimi prej 10% të peshës trupore 0.4lg / kg (bw) në ditë për incidencën e HCC tek minjtë meshkuj pas ekspozimit AFB1, të përdoret qasja në një diferencë të ekspozimit.

Llogaritja e një BMDL nga të dhënat njerëzore nuk ishte e përshtatshme, në vend të kësaj, u përdorën potencialet e kancerit të vlerësuara nga Komiteti i Përbashkët i FAO / OBSH për Agjentët e Ushqimit në vitin 2016.

MOE-të e llogaritura janë nën 10 mijë për AFB1 dhe gjithashtu për AFM1 ku disa anketime, veçanërisht për grupmoshat më të reja, kanë një MOE nën 10 mijë.

Kjo ngre një shqetësim shëndetësor. Rreziqet e vlerësuara të kancerit te njerëzit pas ekspozimit ndaj AFB1 dhe AFM1 janë në përputhje me përfundimin e nxjerrë. Përfundimet vlejnë gjithashtu për ekspozimin e kombinuar ndaj të pesë aflatoksinave./atsh

Vlerësimi i riskut të aflatoksinave në ushqim Read More »

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve ndalon veprimtaritë fetare

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve me anë të një deklarate për mediet shprehet se, duke marrë parasysh situatën nga koronavirusi, janë marrë masa të menjëhershme për të ndaluar veprimtaritë fetare.

Me anë të një njoftimi për shtyp, Kryegjyshata thotë se do të ndalohen në teqe dhe objekte të tjera kulti të kësaj feje, ritet e fesë, që bien në kundërshtim me rregullat e vënë në fuqi nga qeveria shqiptare.

“Ndalohen kategorikisht të gjitha festat, darkat e ndryshme, llokmat për myhibanë, apo dashamirës bektashinj, suni dhe çdo lloj tubimi tjetër që është traditë e tarikatit dhe nënkupton grumbullimin e besimtarëve”, thuhet të tjera në njoftim.

Urdhërat e lëshuara janë firmosur nga ana e kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dedë Edmond Brahimaj./atsh

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve ndalon veprimtaritë fetare Read More »

Koronavirusi/ Apeli i mjekut Beqiri: Sigurisht që do ia dalim! Qëndroni në shtëpi, do t’i bënit një shërbim gjigant familjes tuaj

A do ja dalim? Sigurisht që Po! Me një kusht, askush të mos takojë askënd për disa ditë, më e mira 2 javë. Qëndroni në shtëpitë tuaja duke evituar çdo kontakt me persona të tjerë dhe do t’i bënit një shërbim gjigant familjes dhe atdheut tuaj, vetizolohuni”.

Ky është apeli i mjekut të njohur Arben Beqiri, i cili ndan këshillat e tij për tejkalimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.

“A do ja dalim? Këtë pyetje ma bëjnë këto ditë shumë miq, të afërm, pacientë të shqetësuar nga lajmet e përditshme mbi pandeminë nga COVID-19. Me keqardhje konstatoj që rrugët e Tiranës janë të mbushura dhe vetëm ndonjë maskë tek-tuk të kujton që nuk është ditë e zakonshme pushimi”, thekson ai.

Beqiri thekson se “nuk ka të ngjarë që ne ta kalojmë këtë situatë më lehte se vendet e tjera, por duke qenë pak më të vonuar në prekjen nga kjo pandemi kemi mundësi të mësojmë shumë nga eksperienca e të tjerëve”.

“Nuk ekzistojnë as veprime, masa apo buxhete magjike që të mund të zgjidhin situatën. Por ekzistojnë të gjitha premisat që përhapja e këtij infeksioni tepër ngjitës të kufizohet në maksimum! Nuk duhet të lejojmë që për çdo dy pacientë që dalin nga terapia intensive 5 të rinj të shtrohen në terapinë intensive. Kjo do të bllokonte plotësisht sistemin shëndetësor”, u shpreh ai.

Beqiri vlerësoi se “mjekët dhe infermierët po punojnë dhe do të vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve. Me kënaqësi konstatoj që vlerësimi për ta sot është në maksimum. Shpresoj që të mos harroni, dhe që kjo të vazhdojë edhe pas kësaj pandemie”./atsh

Koronavirusi/ Apeli i mjekut Beqiri: Sigurisht që do ia dalim! Qëndroni në shtëpi, do t’i bënit një shërbim gjigant familjes tuaj Read More »

Bashkëpunim gjermano-francezo-shqiptar në hulumtimin e qytetit antik të Apolonisë

Qendra e gërmimeve në Apoloni, në afërsi të Fierit, është një vend ku sot takohen arkeologe dhe arkeologë nga shtete të ndryshme.

Gjatë një vizite me studiuese dhe studiues të ndryshëm ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak dhe ajo greke Sophia Philippidou vizituan qendrën e gërmimeve në Apoloni.

“Ambasadori Gjerman Zingraf dhe kolegia franceze Christina Vasak si dhe ajo greke Sophia Philippidou mundën të bindeshin lidhur me fraktin, se sa mirë funksionon bashkëpunimi gjermano-francezo-shqiptar në hulumtimin e këtij qyteti antik”, thekson ambasada gjermane në një njoftim.

“Në kuadrin e një takimi ndërkombëtar në kontekstin e muajit të frankofonisë, ekipe të ndryshme kishin patur mundësi të prezantonin paraprakisht në Tiranë rezultatet e punës së tyre”, shton Ambasada e Gjermanisë në Tiranë./atsh

Bashkëpunim gjermano-francezo-shqiptar në hulumtimin e qytetit antik të Apolonisë Read More »

Çdo qytetar të bëjë detyrën e vet, masa drastike në terren

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot çdo qytetari që të bëjë detyrën e vet, ndërsa theksoi se masa drastike janë marrë në terren për personat e kthyera nga vendet e prekura.

“Mënyra se si ne reagojmë dhe masat që ne do të marrim ndryshojnë edhe formën që merr epidemia dhe aftësinë për ta vënë në kontroll pasi nëse shpërthen kolapson sistemin. Kolapsoi në Itali, ka ardhur puna që Italia trajnon mjekë të profileve të tjera për të bërë reanimatorin, të mos ketë pajisje, sepse masat u morën në një ritëm që rezulton të mos jetë i duhuri”, tha Rama.

Ai kërkoi që të mos bëhen karshillëqe, pasi koronavirusi është kërcënim jo vetëm personal, por edhe për të afërmit e miqtë. “Në Itali u bënë shumë karshillëqe nga të rinj e të reja duke thënë se nuk ‘pyesim për koronën’, ‘këto nuk ndihmojnë’”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi se tani që flasim do të fillojnë të dalin forcat e Policisë dhe ato ushtarake për të kontrolluar ata që duhet të jenë në shtëpi, sepse ata duhen mbrojtur, dhe familjet e tyre, se nesër mund të jetë vonë./atsh

Çdo qytetar të bëjë detyrën e vet, masa drastike në terren Read More »

Manastirliu: Në rast se nuk zbatohen rregullat, mund të kemi disa qindra të prekur me koronavirus

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se në rast se qytetarët nuk respektojnë rregullat dhe masat drastike të ndërmarra nga qeveria, sipas planit parashikohen qindra të prekur me koronavirus.

“Plani ynë i bazuar në planin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në tre drejtime kryesore, kufizo përhapjen e virusit, vono përhapjen e tij, lehtëso pasojat e tij ka rëndësi edhe në atë që po bëjmë sot si qeveri dhe ministri e Shëndetësisë duke zbatuar një plan masash agresiv, një plan masash i cili ndryshon çdo ditë në bazë të dinamikës dhe të gjithë ngjarjeve që ndodhin në territor në raport me epidemiologjinë, në raport me zbulimin e rasteve dhe kontakteve të tyre. Është e rëndësishme për të theksuar dhe për t’iu dhënë një informacion sesi qëndron e vërteta kur flasim për zbatimin e rregullave dhe prandaj e kemi vënë theksin në zbatimin e rregullave. Sa më shumë masa marrim në këtë moment duke forcuar ditë pas dite masat, aq më shumë, aq në kurbën normale që është kurba lejla, ne do të vijojmë normalitetin e pandemisë sa i përket asaj që do të ndodhë në Shqipëri. Ne kemi realizuar disa skenarë. Sigurisht që këto janë skenarë që rifreskohen çdo ditë, janë fleksibël. Në skenarët tanë ne parashikojmë disa qindra të prekur në Shqipëri, të cilëve padyshim duhet t’u ofrojmë mundësinë që të marrin shërbimin adekuat në sistemin tonë shëndetësor”, -u shpreh Manastirliu.

Duke iu referuar grafikut të Qendres së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, ajo tha se “në këtë grafik të thjeshtë dhe shumë të kuptueshëm të Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve i cili thotë se nëse ne nuk i zbatojmë rregullat e nëse nuk merren masat e duhura, atëherë vendos në rrezik sistemin shëndetësor sepse nuk arrin dot sistemi shëndetësor të përballojë fluksin që do të shkojë në spitale për raste të cilat duhet të trajtohen. Dhe duhet të kuptojmë diçka që sistemi duhet të jetë i përgatitur jo vetëm për raste që janë dhe duhet të trajtohen me koronavirusin e ri por ndërkohë duhet të trajtojë të gjitha rastet të cilat vuajnë nga sëmundje të tjera, të cilat kanë nevojë të marrin shërbim shëndetësor”.

Ministrja u bëri apel edhe mjekëve e infermierëve të jenë të kujdesshëm.

“Thirrja edhe njëherë: sa më shumë ne të zbatojmë masat që qeveria ndërmerr aq më pak kosto do të kemi. Ndaj është momenti i duhur që të reflektojmë për sjelljen individuale. Pikërisht, kjo kurbë apo këto kurba na mësojnë si të sillemi, çfarë të masash të marrin dhe të vlerësojmë kapacitetet tona. Sigurisht që, kapacitete tona varen nga shumë elementë që është numri i mjekëve, infermiereve, mundësia për t’u ruajtur për mjekët dhe infermierët është shumë e rëndësishme nëpërmjet materialeve të mbrojtjes personale, pajisjeve të mbrojtjes personale, sepse ka shumë rëndësi që mjekët dhe infermierët të mos preken nga virusi. Kam një thirrje për mjeket dhe infermierë: ju lutem të jeni të kujdesshëm dhe mos neglizhoni në përdorimin e mjeteve mbrojtëse sipas OBSH”, -tha ndër të tjera Manastirliu./atsh

Manastirliu: Në rast se nuk zbatohen rregullat, mund të kemi disa qindra të prekur me koronavirus Read More »

COVID 19/ Ushtria në mbështetje të Policisë për kontrollet, postblloqe në Tiranë dhe në rrethe

Në kuadër të masave të ndërmarra nga qeveria për të minimizuar mundësinë për përhapjen e koronavirusin, Covid 19, Shefi i Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku ka nisur inspektimet në të gjitha postoblloqet e ngritura në Tiranë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të FA, Kollçaku dhe komandanti i Policisë Ushtarake, Altin Kurti, nisën inspektimet nga piramida, për të kaluar në të gjitha postoblloqet e ngritura nga FA-të dhe Policia në Tiranë.

Kollçaku deklaroi se detyrat e FA-ve janë në mbështetje të Policisë së Shtetit për të kontrolluar apo sensibilizuar qytetarët, kryesisht ata që kanë udhëtuar në Itali e Greqi. Sipas tij, nuk ka një afat se sa do të zgjasë ky plan por deklaroi se do të jenë edhe në qytete të tjera jo vetëm në Tiranë.

“Detyrat e FA-ve në këto moment janë që të jenë në mbështetje të policisë së shtetit për të kontrolluar, sensibilizuar qytetarët, kryesisht ata që kanë udhëtuar në Itali e Greqi për t’i detyruar të vetëkarantinohen. Do të vazhdojnë për aq kohë sa është e nevojshme. Planet tona janë fleksibël. Aktualisht shtrihen dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ka një plan të detajuar”,- deklaroi Kollçaku.atsh

COVID 19/ Ushtria në mbështetje të Policisë për kontrollet, postblloqe në Tiranë dhe në rrethe Read More »