Irina

Përcillen për në banesën e fundit 8 pjesëtarët e familjes Lala në Durrës, Rama: Çfarë dhimbjeje përballë fotove të vogëlushëve

Në Pallatin e Kulturës në qytetin e Durrësit, ku tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi numrin më të madh të viktimave, po zhvillohen sot homazhet për përcjelljen në banesën e fundit të 8 viktimave të familjes Lala, mes tyre edhe 4 fëmijë.

I pranishëm në këtë ceremoni është edhe Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë sikundër edhe qindra qytetarë të Durrësit që janë bashkuar me dhimbjen e papërshkrueshme.

“Çfarë dhimbjeje përballë fotove të vogëlushëve që humbën jetën nën trupin e nënës që u shemb përtokë nga goditja fatale e peshës së shtëpisë së shembur. Zoti e bëftë të lehtë dheun e 8 viktimave të familjes Lala”, – tha kryeministri Rama.

8 anëtarë të familjes Lala u shuan nën rrënojat e vilës së tyre katër katëshe në zonën e ish-kënetës në Durrës. Familja me origjinë nga Peshkopia ishte një nga familjet që pësuan goditjen më të fortë të tërmetit me jetë të humbura.

Sahadete Lala 79 vjeç ndërroi jetë me djalin e saj të paralizuar Ilir Lala 52 vjeç, me nusen e djalit tjetër Marjeta Lala, 4 fëmijët e saj, dhe mbesën nga djali tjetër. Vila ku jetonin bashkë familjet e tre vëllezërve u kthye në mort, pasi u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.

Bashkëshorti i Marjeta Lalës që humbi të katër fëmijët ishte në Itali, ashtu edhe vëllai tjetër i cili në këtë tragjedi humbi vajzën, Griselda Lalën, 22-vjeç. I vetmi që doli gjallë nga rrënojat ishte Ramë Lala 17 vjeç. Nëna e tij nuk ndodhej në banesë pasi natën e tërmetit ishte tek motra e saj në Tiranë./atsh

Përcillen për në banesën e fundit 8 pjesëtarët e familjes Lala në Durrës, Rama: Çfarë dhimbjeje përballë fotove të vogëlushëve Read More »

Festa e Çlirimit/ Ambasada e SHBA-së uron shqiptarët me vargjet frymëzuese të Çajupit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës zgjodhi sot vargjet frymëzuese të poetit të madh shqiptar, Andon Zako Çajupi, për të uruar shqiptarët për Ditën e Çlirimit.

“Ku i duket balta m’e e ëmbël se mjalta? Në vend të tij. Ku munt të gëzojë dhe me nder të rrojë? Në Shqipëri”, janë vargjet e Çajupit të zgjedhura nga Ambasada e SHBA-së.

Sot është Dita e Çlirimit të Shqipërisë, por nuk u festua në respekt të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit që goditi vendin, ku mbetën të vdekur 49 persona./atsh

Festa e Çlirimit/ Ambasada e SHBA-së uron shqiptarët me vargjet frymëzuese të Çajupit Read More »

“Të ndezim një qiri për viktimat dhe të prekurit nga tërmeti”, qytetarët homazhe në sheshin “Skënderbej”

Qytetarë të shumtë janë bërë bashkë mbrëmjen e sotme në Sheshin “Skënderbej” në një marshim për nderim të jetëve të humbura dhe të të prekurve nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Në shenjë solidariteti, qytetarët kanë ndezur qirinj si homazh për 49 viktimat nga tërmeti i fuqishëm nga ku mbetën të plagosur rreth 731 persona.

Tërmeti i 26 nëntori la pas viktima, të plagosur dhe shumë banesa të rrënuara, por shqiptarët, dhe jo vetëm janë bërë bashkë për t’i dhënë sa më shumë forcë të prekurve./atsh

“Të ndezim një qiri për viktimat dhe të prekurit nga tërmeti”, qytetarët homazhe në sheshin “Skënderbej” Read More »

Xhaçka: Solidariteti për të dëmtuarit nga tërmeti, shtrihet deri në Afganistan

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka se ushtarët tanë në Kabul kanë nisur mbledhje e fondeve të solidaritetit për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Solidariteti i jashtëzakonshëm i këtyre ditëve është shtrirë deri në Afganistan”, shprehet Xhaçka.

Po ashtu Ministrja shton se “miqtë dhe aleatët tanë po kontribuojnë simbolikisht për të prekurit nga tërmeti, edhe në mbledhjen e fondeve që kanë nisur ushtarakët tanë me mision në Kabul”./atsh

Xhaçka: Solidariteti për të dëmtuarit nga tërmeti, shtrihet deri në Afganistan Read More »

Rama: Do t’ia dalim bashkë o hajër nuk bëjmë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nga dita e nesërme edhe Lezha do ta përfshihet në perimetrin e statusit të veçantë të gjendjes së jashtëzakonshme nga Emergjenca Natyrore.

“Përsëris lutjen për durim. Kjo që na ka rënë në kurriz nuk është as shaka, as film, as sfidë e zakonshme e këtij shteti me trup ende të paformuar sa duhet. Kjo është sprovë që tundi tokën shqiptare dhe na këputi në shpirt e në trup. Prandaj gishtin kokës të gjithë së bashku dhe do t’ia dalim bashkë o hajër nuk bëjmë më kurrë”, – shprehet Rama.

Gjatë inspektimeve të dëmeve nga tërmeti në Lezhë, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Erion Braçe dhe kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “vetëm ekspertët e vlerësojnë, puna është tek struktura dhe këtë e vlerësojnë ekspertët. Nuk mund ta vlerësojnë njerëzit duke parë është çarë atje apo atje. Sidomos tek pallatet e reja, tek ato s’ka asnjë problem janë me strukturë”.

“Është jetike për të gjithë njerëzit që jetojnë në katet e larta, sa është ai pallati 17 kate, ai nuk ka pësuar asgjë. Po të shikosh kolonat dhe strukturën e tij ai është bërë për 10 ballë. Ndonjë tërmet apokaliptik e prek atë. Nuk është çështje as kafesh as çfarë shikon, është çështje e strukturës”, – nënvizoi Rama.

Duke takuar disa qytetare lezhianë, Kryeministri Rama tha se “çfarë e ka dhënë i madhi Zot kemi me marrë , çfarë nuk e ka dhënë nuk ia merr dot”.

Një qytetare tha kemi frikë të hyjmë nëpër shtëpia, ka plasaritje.

Rama u shpreh se “mos shikoni plasaritjet e murit nëse pallati ka një strukturë që qëndron nëse është një mur mbajtës që mban ai dhe ai është plasaritur ai është më i rrezikshmi.
nëse ju keni frikë mos shkoni në shtëpi. Tërmeti e ka këtë ka ca ditë që vazhdon frika , deri sa të stabilizohen pllakat, pas ca ditësh do të dalë frika. Problemi është që kur të hyni brenda mos të ketë rrezik”.

“Këtë duam të dimë, asgjë më tepër”, tha qytetarja./atsh

Rama: Do t’ia dalim bashkë o hajër nuk bëjmë Read More »

Haradinaj: “Ndihma e Kosovës dhe popullit të saj për Shqipërinë është njerëzore”

“Ajo që po e bën Kosova, populli i saj për Shqipërinë, është njerëzore, sepse ne ndajmë gëzimin, sikurse edhe tash të keqen bashkë. Kujdesi ynë nuk do të mungojë. Ndjenjë e veçantë se sa shumë jemi për njëri-tjetrin, në çdo kohë”, – kështu tha Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj pas vizitës që zhvilloi në Thumanë, bashkë me kabinetin qeveritar për të parë nga afër pasojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeministri në detyrë Haradinaj u tha banorëve të Thumanës se ndante me ta këto momente të vështira.

“Është situatë jo e lehtë këtu tani. Ka familjarë që kanë humbur shumë anëtarë. Shihet se është zgjidhur pasoja e strehimit e kujdesit tjetër. Kryesorja është dhimbja për të vdekurit pastaj edhe ajo që duhet gjetur zgjidhje për atë që kanë mbetur pa strehë. Më vjen mirë që sadopak edhe Kosova iu është gjetur afër bashkëkombësve të vet, vëllezërve dhe motrave të tyre këtu në Thumanë, por edhe në Durrës e kudo”, – tha Kryeministri në detyrë Haradinaj.

Më tej ai tha se nuk është diçka e jashtëzakonshme, por është njerëzore, normale që ne të jemi për njëri-tjetrin. “Kishim pas dëshirë që të jemi bashkë vetëm në gëzime, kësaj here është për dhimbje”, – tha Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Haradinaj ka vizituar banorët që po qëndrojnë në tenda, ndërsa familjeve që u kanë humbur familjarët e tyre u ka shprehur ngushëllime për humbjen e të dashurve në këtë tragjedi.

Më pas Kryeministri Haradinaj është njohur edhe me tragjedinë e familjes Cara në Thumanë, e cila humbi 23 persona. Banorët e Thumanës i kanë shprehur atij falënderimet për njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët ishin të parët që kishin arritur për t’iu ofruar ndihmë, duke shpëtuar edhe jetë njerëzish dhe duke krijuar siguri për të mbijetuarit e këtij tërmeti.

Kryeministri në detyrë Haradinaj sot fillimisht e ka nisur vizitën e tij në Durrës, i pritur nga Presidenti Ilir Meta, ku shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për t’u qëndruar pranë të prekurve nga tragjedia e 26 nëntorit. /KosovaPress/

Haradinaj: “Ndihma e Kosovës dhe popullit të saj për Shqipërinë është njerëzore” Read More »

Nxënësit e Tetovës solidarizohen me Shqipërinë

Nxënësit e shkollës së mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtejn”, në Tetovë u solidarizuan me Shqipërinë në këto ditë të vështira.

“Dita e Flamurit të gjeti të lëkundur mirëpo jo të mposhtur, e jona Shqipëri! Na bashkoi të gjithë shqiptarëve anë e mbanë ngaqë dhimbja jote është edhe dhimbja jonë. Në këtë ditë të errët nëntori, mes dhimbjesh e lutjesh, ne nxënësit e shkollës së mesme Mjekësore bashkëndjejmë dhimbjen me ty!”, thuhet në videon sensibilizuese të nxënësve.

Mbahu Shqipëri, mbahu, se nuk thyhesh dot Ti!” shkruajnë ata në statusin me të cilin kanë shoqëruar videon. /atsh

Nxënësit e Tetovës solidarizohen me Shqipërinë Read More »

Inxhinierja Bozo: Parava viteve ’90 ishte e ndaluar ndërtimi në plazhin e Durrësit

Inxhinierja e ndërtimit dhe profesoresha Luljeta Bozo, ishte e ftuar në një studio televizive për të folur rreth ndërtimeve në vendin tonë dhe tërmetit të fundit që shkaktoi një bilanc të frikshëm dëmesh dhe humbje jetësh njerëzore.

Inxhinierja e cilëson këtë tërmet si një ngjarje të rëndë edhe pse sipas saj kanë rënë tërmete të tjera të tillë më përpara por jo me të tilla bilance kaq tragjik. “Fuqia nuk ka qenë më e madhe se ajo e 1979, ai ishte me magnitudë 6.9 kështu që nuk mund t’ia vëmë fajin që çlirimi i energjisë ka qenë më i madh se 40 vite më parë”, – u shpreh Bozo.

“Është një cikël që e kanë sizmologët tanë, që kanë bërë punë të shkëlqyer, më parapara dhe tani por kanë bërë studime që kanë parashikuar një periudhë të përafërt 35-40 vjet të një eventi si ai i ’79. Por nuk qëndron problemi aty. Nëse para ’90 kishim rregulla shumë strikte në ndërtim, se të tëra na kanë ndodhur për shkak të ndërtimeve. Të shikosh ndërtime që kolapsohen në këtë formë është tragjike kur janë dhe të reja”, tha ajo.

Duke folur për zonën e ish-kënetës në Durrës, Bozo thotë se në atë zonë nuk duhet ndërtuar. “E para sepse ajo është nën nivelin e detit, e dyta sepse përbëhet nga dhera problematik që prishin strukturën e ndërtimeve në rast të lëkundjeve sizmike. Ajo është evidentuar nga gjeologët tanë dhe sizmologët si një terren i papërshtatshëm për ndërtim. Ajo një dhe plazhi i Durrësit, dy”.

“Pas 1990”, – thotë Bozo, “në ndërtim ka pasur një kaos të plotë. Me projektim u morën të gjithë, edhe ata që ishin të aftë dhe ata që ishin të paaftë. Të gjithë u bënë inxhinierë. Edhe në ato objekte që ishin të ndërtuara sipas rregullave, njerëzit kanë ndërhyrë në mënyrë katastrofike mbi godina duke prishur strukturën e mureve në katet e para që mbajnë gjithë ngarkesën. I kanë hequr për të bërë lokale, për të liruar hapësira. Nuk mund të heqësh asnjë centimetër mur pa pyetur atë që ka bërë llogaritjen që të jesh i sigurt për atë që po bën”. /atsh

Inxhinierja Bozo: Parava viteve ’90 ishte e ndaluar ndërtimi në plazhin e Durrësit Read More »