Irina

Autoriteti Europian i Ushqimit: Nuk ka prova që ushqimi transmeton COVID-19

Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore, (EFSA) njofton se, nuk ka asnjë provë që koronavirusi i ri mund të transmetohet nga ushqimi.

Në një njoftim të publikuar sot nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që është anëtare e EFSA-s, citohet raporti i Autoritetit Europian për Sigurinë e Ushqimit (EFSA) që përsërit këtë informacion përmes fjalëve të drejtoreshës së saj shkencore Marta Hugas, e cila shprehet se “përvojat me shpërthime të mëparshme të epidemive që i atribuohen koronaviruseve, siç janë ato të SARS dhe MERS, tregojnë se transmetimi përmes konsumit të ushqimit nuk vërtetohet. Aktualisht nuk ka asnjë provë që koronavirusi është i ndryshëm nga viruset e tjerë për sa i përket transmetimit përmes konsumit të ushqimit”.

Edhe sipas ECDC, Qendrës Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, është e pamundur që ushqimi të jetë një burim i transmetimit të virusit. Në fakt, edhe nëse në origjinën e epidemisë në Kinë ka pasur një kalim të koronavirusit të ri nga kafshët tek njerëzit, tani patogjeni po përhapet nga një person në tjetrin, kryesisht përmes teshtitjes dhe kollitjes.

Po kështu edhe Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BfR) ka të njëjtin mendim, “aktualisht nuk ka raste të provuara të infektimit nga ky lloj i ri i koronavirusit përmes rrugëve të tjera të infeksionit, siç është konsumimi i ushqimit të kontaminuar”.

OBSH gjithashtu, pretendon se aktualisht nuk ka prova të transmetimit të koronavirusit përmes ushqimit. Sidoqoftë, pasi njohuritë tona për virusin e ri janë akoma të kufizuara, OBSH ka publikuar një numër rekomandimesh paraprake për përgatitjen dhe konsumimin e ushqimit, siç është: mbajtja e distancës të paktën 1 metër nga njëri-tjetri gjatë blerjes së produkteve ushqimore, larja e duarve gjithmonë para gatimit dhe pasi prek ushqimin e papërpunuar, shmangien e konsumit të produkteve ushqimore me origjinë shtazore të papjekur ose pak të pjekur, larjen e frutave dhe perimeve, respektimin e rregullave normale të higjienës për të shmangur kontaminimin e kryqëzuar.

AKU si pjesë e Task Forcës, për zbatimin me rigorozitet në marrjen e masave për të luftuar COVID-19 ka vënë në zbatim Listën e Verifikimi për OBU-të përmes masave të marra kundër përhapjes së COVID-19.

Disa nga masat janë:

Përdorimi i masave mbrojtëse dhe dorezave, ruajtja e largësisë gjatë shërbimit ndaj konsumatorëve si dhe respektimi në mënyrë rigoroze i futjes së konsumatorëve në subjekt jo më shumë se një individ.

Hartimi dhe afishimi i masave mbrojtëse i një plani masash që duhet të ndiqen nga stafet brenda ambienteve të punës.

Prania e dezinfektantëve në ambientet ku shërbehet produkti ushqimor.

Mirëmbajtja, pastrimi dhe dezinfektimi, kontaminimi nga ajri dhe kushtet e përshtatshme të punës.

Eleminimi i prerjes së bukës dhe largimi nga ambientet e shërbimit të makinës prerëse të bukës për subjektet që tregtojnë bukë dhe prodhime brumi.

Tregtimi i produkteve të sigurta brenda afatit të përdorimit për konsumatorin.

Etiketimi i rregullt i produkteve ushqimore.

Respektimi i kushteve së ruajtjes së produkteve ushqimore./atsh

Autoriteti Europian i Ushqimit: Nuk ka prova që ushqimi transmeton COVID-19 Read More »

Zbatimi i rregullave arma e vetme ndaj COVID-19/ Kjo javë dhe dy të tjera pas saj, vendimtare për të mos lejuar që numrat të shkojnë në stratosferë

“Ne jemi nga ato pak vende që kanë shkuar deri në fund me marrjen e masave, mund të bëjmë edhe ndonjë shtrëngim tjetër, por përgjithësisht nëse e zbatojmë kuadrin e masave që kemi sot ne do t’ia hedhim pa shumë vuajtje dhe pa shumë humbje jete”, tha sot kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “ka një model statistikor të ndërtuar bazuar në trajektoren e vendeve pas 20 infektimeve të para”. “Nëse shohim atë model statistikor ne jemi shumë më mirë se sa shumë vende të tjera sepse i kemi marrë masat më shpejt dhe përgjithësisht dhe po i respektojmë ato”, tha Rama.

Duhet ta themi këtë, vijoi kryeministri, duke shtuar se “ka një lloj alarmi që nuk është i pavend por po ashtu është edhe pak i ekzagjeruar, pasi shkeljet që ndodhin dhe parregullsitë në sjellje na acarojnë të gjithëve, por janë minimale me ato që po bëjnë shumica e popullsisë”.

“Një rast në treg apo disa raste ecje në rrugë bashkë mirë është të eliminohen plotësisht por nuk janë një arsye të themi se ne po dështojmë në aplikimin e masave si popull. Ne po bëjmë gjithçka të mirë por duhet të shtrëngohemi çdo orë e më shumë nëse nuk duam të numërojmë qindra të vdekur në mos mijëra. Kjo është e mundur të ndodhë nëse ne nuk jemi të vetëdijshëm që secili të bëjë luftën e vet dhe të kemi humbje sa më minimale”, tha Rama.

Rama tha se “ne bazohemi në modelin e ndërtuar në algoritmet e përdorura nga vendet e tjera”. “E kemi prezantuar disa herë atë kurbën e famshme që është diçka që na bashkon me të gjitha eksperiencat dhje bazohet në një fakt shumë të thjesht: virusi do të përhapet, pra asnjë gjë nuk e ndalon virusin të bëjë të vetën dhe të prekë shumicën prej nesh, por masat shtrënguese ngadalësojnë përhapjen e tij dhe i japin mundësi sistemit shëndetësor që të kurojë ata që preken më rëndë”, tha Rama.

Rama tha se “ne e dimë shumë mirë se 80% që do të preken nuk do të kenë shenjë, por ne duhet t’u japim shansin atyre që do të luftojnë me vdekjen në krevat në spital që të marrin shërbimin e duhur”.

“Duhet të rrimë sa më shumë mbyllur në shtëpi dhe të zbatojmë të gjitha rregullat që janë të thjeshta sepse nuk kemi asnjë armë tjetër. Java që kemi hyrë është e parashikuar. Nuk kemi hedhur fall por është algoritëm bazuar në modelin statistikor të përbotshëm që e përdor çdo vend. Kjo është javë shumë e vështirë, por edhe vendimtare bashkë me 1 apo 2 javët e tjera që e pasojnë për të mos e lejuar që numrat të shkojnë në stratosferë që pastaj të jemi të detyruar të shkojnë në katastrofë”, tha Rama./atsh

Zbatimi i rregullave arma e vetme ndaj COVID-19/ Kjo javë dhe dy të tjera pas saj, vendimtare për të mos lejuar që numrat të shkojnë në stratosferë Read More »

Asnjë nga familjet në nevojë nuk do të mbetet pa u mbështetur nga qeveria

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se asnjë nga familjet në nevojë nuk do të mbetet pa u mbështetur nga qeveria.

“Jemi në luftë dhe në luftë nuk ka çfarë do të ndodhi, po ka si do të shpëtojë familja. Për familjet që nuk janë në punë që për shkak të luftës e kemi thënë dhe do të marrin atë që kemi thënë. Për të tjerët që kanë nevojë për asistencë, sepse janë shumë më në nevojë nga shumica dërrmuese e popullit, po shkojmë dita-ditës, derë në derë dhe askush prej tyre nuk do të mbetet vetem”, u shpreh Kryeministri Rama në një intervistë në media.

Fatkeqësia, tha ai, është që ka jo pak njerëz me iphone në dorë që edhe iphone e ushqejnë dhe ankohen për internet që dinë të shkruajnë vetëm një fjalë: po vdes populli për buk.

Këta, vuri në dukje ai, janë kompet zhurmues të panevojshëm në kohë të gabuar e në vendin e gabuar.

“Nuk ka vdekur njeri për buk në Republikën e Shqipëris në 30 vite, e as në 50 vitet kur hanin 200-300 kalori në ditë e as në mesjetë. Ata që janë më të varfër se të tjerët, kanë sigurisht mangësi ushqimore, kanë pamundësi për të ushqyer fëmijët normalisht në të tria vaktet, por për bukë nuk ka vdekur dhe nuk ka për të vdekur njeri, as në këtë luftë”, shtoi ai.

Sepse, e vijoi Kryeministri, nuk kemi vdekur ne, as Forcat e Armatosura e Policia e Shtetit, as Shërbimi Social Kombëtar.

“Të gjitha këto, janë një rrjet i tërë i organizuar për operacionin humanitar nën drejtimin e e ministres së Mbrojtjes”, deklaori Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se të gjitha familjet në nevojë i kemi të identifikuar dhe kemi listat që janë shërbyer.

“Ka ca që nuk ju del dot vesi, pa ju dalë shpirti që nga shtëpia shkruajnë se ndihma me paketa ushqimore e medikamente po vidhet dhe po bëhet selektive. Po ku i shikojnë këta këto, me satelit apo dylbi? Asgjë e tillë nuk po ndodh. Po bëhet maksimumi”, siguroi kryeministri./atsh

Asnjë nga familjet në nevojë nuk do të mbetet pa u mbështetur nga qeveria Read More »

Nëse nuk do të kishim marrë këto masa, sot do të kishim shifra që mund të na merrnin frymën

“Nëse nuk do të kishim marrë këto masa, sot do të kishim shifra që mund të na merrnin frymën duke i thënë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “masat synojnë një përpjekje për të përballuar përhapjen e epidemisë, që do të përhapet në të gjitha rastet dhe vendet, pavarësisht se çfarë bëjnë, por themelore është që përhapja të ngadalësohet sa më shumë mbi bazën e kësaj strategjie”.

“Qëllimi është që ne të mos kemi kurbën katastrofike që është prezantuar edhe publikisht dhe që është kurba e Italisë, por të kemi një kurbë graduale ndaj ishim të parët që nisëm të marrim masat më ekstreme dhe u futëm në shtëpi”, tha Rama.

Ai theksoi se “masat shtrënguese janë e vetmja gjë në këtë histori të hatashme, ku të gjithë biem dakord që ndihmojnë dhe mënyra se si merren dhe zbatohen përcaktojnë sa shumë ndihmojnë”.

Rama tha se “ajo që kemi regjistruar në ditët e fundit është ajo që kemi pritur dhe e kam paralajmëruar jo se jam profet apo hodha fall, por sepse ne punomë mbi bazën e një modeli të ndërtuar mbi statistika dhe jemi në fazën ngritëse të kurbës”. “Javën e kaluar shifrat filluan të rriten dhe këtë javë do rriten edhe më shumë. Di që shifra zyrtare e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë është brenda parashikimeve”, tha Rama.

Sa i takon kufizimeve të lëvizjes, Rama tha se “ne nuk i kemi ndryshuar shpesh oraret, i kemi ndryshuar 2 herë”. “Kishim një orar standard. Të gjithë ankoheshin se nuk funksiononte. Vendosëm me 2 fasha, funksionoi më mirë se i pari, por jo aq mirë sa donim dhe të gjithë ankoheshin prapë, dhe tani kemi 8 orë për të blerë që janë më shumë se të mjaftueshme për të qëndruar në radhë dhe jo të grumbullohemi”, tha ai./atsh

Nëse nuk do të kishim marrë këto masa, sot do të kishim shifra që mund të na merrnin frymën Read More »

Mesazh mirënjohjeje drejtuar bluzave të bardha: Po shpëtoni Shqipërinë me përgjegjshmëri, ndjenjë detyre dhe profesionalizëm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bëri bashkë gra shkrimtare, studiuese, botuese, profesore në një mesazh mirënjohjeje drejtuar bluzave të bardha në këtë situateë të vështirë që po kalon mbarë bota.

“Ju po na tregoni çdo ditë e çdo natë se Shqipëria nuk i ka humbur shpresat, se nuk i ka humbur bijat dhe bijtë e saj”, thuhet në letrën që ato iu kanë drejtuar mjekëve, infermierëve e punonjësve të sistemit tonë shëndetësor.

“Të dashur e të nderuar mjekë, infermierë e punonjës të sistemit tonë shëndetësor, Ju shprehim respekt e mirënjohjeje të thellë! Jemi krenarë për ju, që punoni sot në këtë front të vështirë, në vijë të parë të luftës kundër koronavirusit! Janë ditë të vështira, me shumë të panjohura e në garë me kohën, por ju, me profesionalizëm të jashtëzakonshëm, keni vënë gjithë energjitë dhe shpirtin tuaj të madh për të shpëtuar vendin nga ky rrezik. Me përkushtim të rrallë, duke mjekuar të sëmurët e duke qenë pranë tyre pa pushim, ju po shpëtoni Shqipërinë, në këtë betejë, e cila si asnjëherë më parë, nuk kërkon armë për të mposhtur armikun, por dashuri, përgjegjshmëri, ndjenjë detyre, përkushtim, vetë-sakrifikim për tjetrin dhe komunitetin”, thuhet në mesazh.

Shpesh, përpara se të na binte kjo fatkeqësi, vijon mesazhi drejtuar bluzave të bardha, kushdo prej nesh, i kënaqej jetës sonë të “vogël”, duke ndjerë ndërkohë, se në emër të lirisë së individit, po humbte solidariteti për njëri- tjetrin, po humbte altruizmi, po humbte përfshirja në shqetësimet e komunitetit, por, me gjithë këtë që po ndodh prej ditësh, ju po na provoni të kundërtën.

“Ju na dëshmuat se jo të gjitha ato që kemi thënë janë të vërteta. Jeni profesionistë të shkëlqyer e po kaq solidarë e altruistë. Një tjetër krenari që ndjejmë këto ditë të vështira, është pikërisht ky profesionizëm i lartë mes jush, që e vini në shërbim të shoqërisë, si e kini vënë gjithnjë, në heshtje, me devotshmëri, pa bujë. Gjatë kësaj periudhe të pazakontë, përveç tjerash, ju keni qenë në çdo familje shqiptare, ju jeni modeli i njeriut dhe qytetarit për fëmijët tanë përtej çdo leksioni e ore mësimore; ju krijuat modele sjelljesh pozitive, që lidhen me vlerat humane, siç është forcimi i solidaritetit, po edhe respekti për mendimin shkencor e për punën profesionale; dhe ne si shoqëri kemi shumë nevojë edhe për këto. Ju po na tregoni çdo ditë e çdo natë se Shqipëria nuk i ka humbur shpresat, se nuk i ka humbur bijat dhe bijtë e saj.Në shenjë mirënjohjeje e përunjësie!”, thuhet më tej.

Ato shprehen se janë krenare për ta, që punojnë sot në këtë front të vështirë, në vijë të parë të luftës kundër koronavirusit!
-Mynever Shuteriqi
-Fatmira Aliaj
-Floresha Dado
-Helena Kadare
-Flutura Acka
-Diana Çuli
-Lili Sula
-Vera Bekteshi
-Pranvera Bogdani
-Arlinda Dudaj
-Mimoza Ahmeti
-Natasha Lako
-Monika Stafa
-Diana Kastrati
-Mira Meksi
-Meri Lalaj
-Alda Bardhyli
-Mimoza Kore
-Rita Petro/atsh

Mesazh mirënjohjeje drejtuar bluzave të bardha: Po shpëtoni Shqipërinë me përgjegjshmëri, ndjenjë detyre dhe profesionalizëm Read More »

Vlorë/ Familja me 4 anëtarë infektohet me koronavirus

Një familje në Vlorë është konfirmuar me koronavirus, 77 vjeçare gjyshja( nga nëna), 69 vjeç babai, 50 mamaja dhe 24 djali.

Bëhet e ditur se nipi 24-vjeçar ka qenë në levizje dhe dyshohet se ai mund t’i këtë infektuar.

Nipi ka ardhur para disa ditësh nga Bergamo dhe më pas ka ikur në Gjermani. Nipi ka ardhur që në datën 8 në Shqipëri dhe ka ikur në datën 20 në Gjermani.

Familja banon pranë Postës Qendrore të qytetit dhe përbëhet nga 5 anëtare, njëri prej tyre ka rezultuar negativ.

Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka shkuar në 89 numri i personave të infektuar me koronavirus në vendin tonë ndërsa mosha mesatare e tyre është 54-vjeç.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, informon mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri ku ndër të tjera tha se në Spitalin Infektiv ndodhen 43 pacientë të shtruar, 4 prej tyre nën trajtim intensive. Mosha mesatare e pacientëve të hospetalizuar sipas saj është 54 vjeç.

Vlorë/ Familja me 4 anëtarë infektohet me koronavirus Read More »

Pipero: Një mesazh që qarkullon për qytetarët jo imi, nesër para përgjegjësisë ata që luajnë me jetën e njerëzve

Mjeku Pëllumb Pipero u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesa, ndërsa ka thënë se një mesazh që i atribuohet nuk është i tij dhe është i dënueshëm, pasi po luhet me jetën e njerëzve.

Pipero ndërsa ka shpjeguar se ai sms i publikuar nuk është i tij, ka theksuar se një mesazh i tillë është i dëmshëm për situatën që po kalon jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota.

“Sapo lexova një mesazh të tillë i cili jo vetëm nuk është dhe nuk mund të jetë i imi, dhe si i tillë është i dënueshëm, por mbi të gjitha është shumë i dëmshëm për situatën që kalon jo vetëm vendi ynë por gjithë bota nën peshën e një pandemie shumë serioze që deri tani ka shënuar mijëra viktima, dhe për të cilën ende nuk kemi një armë në dorë për ta luftuar, as medikamente të certifikuara dhe as vaksinë. E vetmja armë që kemi është në duart tuaja, të qëndroni në shtëpi, të bëni durim dhe të respektoni këshillat tona. Mesazhe si ky që po lexoni janë shumë të dëmshme, madje dhe të dënueshme! Këshilloj këdo që guxon e shkruan në emrin tim sot, ose të kolegëve të mi nesër, të mos luajë kësisoj. Sot ne kemi përballë koronavirusin dhe duhet të mjekojmë të sëmurët e të gjurmojmë e identifikojmë rastet e kontaktit, nesër ligji do gjurmojë e vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që guxojnë të luajnë me jetën e qytetarëve! Faleminderit! PS. Emrin e marrësit të mesazhit e kam fshirë”, -sqaroi Pipero.

Në mesazh thuhet se “duke filluar që sonte ju dhe familja juaj do të duhet të vetëkarantinoheni sepse një i afërm i juaj ka dalë pozitiv në testet e COVID-19. Në ditët në vazhdim do ju merren edhe ju tamponat. Me respekt Pëllumb Pipero”. /atsh

Pipero: Një mesazh që qarkullon për qytetarët jo imi, nesër para përgjegjësisë ata që luajnë me jetën e njerëzve Read More »

Pa kosto dhe radhë/ Në 7 ditë, 10 299 aplikime për pasaporta dhe karta identiteti përmes e-Albania

Portali qeveritar e-Albania në vetëm 7 ditë u shtua me 8614 përdorues të rinj të regjistruar në portal, ndërkohë që si domosdoshmëri jetike për t’iu përgjigjur në kohë çdo qytetari dhe biznesi që kërkon të lidhet me shtetin dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, e-Albania ka pranuar 10 299 aplikime për pasaporta dhe karta identiteti.

Nga data 12 mars qeveria vendosi karantinim në kushte shtëpie të çdo qytetari, si një nga masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Sportelet u paralizuan, por jo shërbimet online të administratës publike.

Portali e-Albania ka pranuar 2989 aplikime për vërtetim pensioni dhe 2106 aplikime për vërtetim për pagimin e kontributeve për individin.

Përmes e-Albania janë bërë po ashtu dhe 111 aplikime për riskedulim të takimit të planifikuar për konsulta mjekësore.

Në portalin e-Albania ka 35 976 përdorues të portalit në total dhe 184 042 përdorime të shërbimeve online./atsh

https://www.facebook.com/ealbania/videos/499186317426756/?t=0

Pa kosto dhe radhë/ Në 7 ditë, 10 299 aplikime për pasaporta dhe karta identiteti përmes e-Albania Read More »