Irina

Spiropali: Mirënjohje për heronjtë e kësaj kohe sakrificash

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali shprehu sot mirënjohjen për heronjtë e kësaj kohe sakrificash.

“Mjekët, infermierët, sanitarët, policët, Forcat e Armatosura, shitësit e ushqimoreve, punëtorët e pastrim-gjelbërimit, dhe të gjithë ata që kujdesen për ne në front të luftës ndërkohë që ne duhet vetëm të rrimë në shtëpi”, tha ajo.

“Mos t’ju lëshojë zemra”, vijoi Spiropali, “heronjtë fitojnë gjithmonë”./atsh

Spiropali: Mirënjohje për heronjtë e kësaj kohe sakrificash Read More »

Pipero: Pavijonet e Spitalit Infektiv po hyjnë në betejë njëri pas tjetrit, së bashku do e fitojmë luftën

Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero deklaroi sot se, “aktualisht janë në Spitalin Infektiv 72 pacientë, secili me probleme nga të lehta deri shumë të rënda shëndetësore, por kemi edhe 17 të shëruar, edhe pse ju duhet ende të qëndrojnë në shtëpi”.

“Si në një betejë të vërtetë, por këtë radhë me një armik të padukshëm dhe shumë vrastar, shumë tinzar dhe ende të panjohur mirë nga shkenca mjekësore, pavijonët e Spitalit Infektiv njëri pas tjetrit po hyjnë në betejë”, tha ai.

Duke publikuar një foto nga mjekë dhe infermierët që janë një pjesë e ekipit te talentuar, punëshumë e fjalëpak, të përkushtuar deri në fund për ta fituar betejën me COVID-19.

“Jemi në detyrë, për t’ju shërbyer juve, ju të dashur qytetarë qëndroni në shtëpi për të mos rënë në kontakt me virusin. Së bashku do e fitojmë këtë betejë, se lufta vazhdon. Ne bluzat e bardha e kemi gjithë jetën sfidë, gjithë jetën luftë me agjentet mikrobikë, bakterie apo viruse qofshin ato, sikundër është dhe COVID-19. Së bashku ja dalim, së bashku do fitojmë”, tha Pipero./atsh

Pipero: Pavijonet e Spitalit Infektiv po hyjnë në betejë njëri pas tjetrit, së bashku do e fitojmë luftën Read More »

Manastirliu: 10 qytetarë të prekur nga COVID-19, rezultojnë negativë në dy testet

10 qytetarë që ishin prekur nga COVID-19, tashmë kanë rezultuar negativë në dy testet e njëpasnjëshme.

Lajmin e ka ndarë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila ka thënë se ata ndodhen në shtëpitë e tyre, ku do të vazhdojnë të jenë të vetizoluar për 14 ditë.

‘Lajm i mire. 10 qytetarë që ishin prekur nga COVID-19, tashmë kanë rezultuar negativë në dy testet e njëpasnjëshme. Të gjithë ndodhen në shtëpitë tyre, ku do të vazhdojnë të jenë të vetëizoluar për një periudhë 14 ditore. Faleminderit mjekëve për shërbimin”, -thotë Manastirliu.
Ajo i ka bërë apel qytetarëve që ndërsa jemi ende në fillimet e luftës, duhet të bëjmë durim.

‘ Një lutje për të gjithë qytetarët: Jemi ende në fillimet e kësaj lufte, prandaj durim.
Ju ndihmoni mjekët tanë duke zbatuar rigorozisht masat e higjenës dhe distancimit social.
Dhe ata, mjekët, infermierët, sanitarët, punonjësit e shërbimeve mbështetëse, do t’u shërbejnë me të gjithë forcën dhe profesionalizmin, atyre që do të kenë nevojë.
Kështu fitohet kjo luftë. Me durim dhe bashkëpunim’, -thotë ndër të tjera, Manastirliu. /atsh

Manastirliu: 10 qytetarë të prekur nga COVID-19, rezultojnë negativë në dy testet Read More »

Temperatura të ulëta dhe reshje dëbore/ ARRSH: Në të gjitha akset qarkullimi i mjeteve vijon normalisht

Vendi ynë u përfshi nga temperatura të ulëta në 24 orët e fundit, ndërsa reshje dëbore pati kryesisht në veri dhe juglindje, ku trashësia arriti në 20 cm.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërsa apeloi drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

Në rajonin verior, sipas ARRSH-së, ka pasur reshje dëbore dhe është punuar në akset Kuben Vasije, Qafë Bualli-Krastë, Qafe Mali-Fierzë, Koplik-Bogë-Dedaj-Razëm, Qafë Çelë-Pukë, Qafë Dush-Peshkopi, në akset e Tropojës, në akset e Kukësit.

Në të gjitha këto segmente qarkullimi kryhet pa problem. Në Fushë-Bulqizë bora është shoqëruar edhe me erë të fortë.

Lëvizet me zinxhirë në Ura e Cerenecit-Stebleve dhe Trebisht-Doganë, ku trashësia e borës ka arritur në 20 cm.

Në rajonin jugor, vetëm në qarkun e Korçës ka pasur reshje bore, ku është punuar për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës, qarkullimi, njoftoi ARRSH-ja, kryhet pa problem.

“Mjetet edhe punëtorët e mirëmbajtjes janë në gatishmëri dhe kanë marrë masat e duhura edhe për ditët në vijim në rast përkeqësimi të motit”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së. /atsh

Temperatura të ulëta dhe reshje dëbore/ ARRSH: Në të gjitha akset qarkullimi i mjeteve vijon normalisht Read More »

Konfirmohen 12 raste të reja me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, njoftoi se në vend janë regjistruar 12 raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i të prekurve me COVID-19 të arrijë në 148.

Në njoftimin e publikuar nga ministria thuhet se rastet e reja janë konfirmuar gjatë 24 orëve të fundit.

Ato janë regjistruar, në Shkup dhe Kumanovë.

Më parë raste me COVID-19 u regjistruan edhe në qytetet Dibër, Shtip, Kavadar, Ohër dhe Gostivar. /atsh

Konfirmohen 12 raste të reja me COVID-19 Read More »

Kryemadhi: Çelja e negociatave, lajm shprese për Shqipërinë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha sot se çelja e negociatave të Shqipërisë me BE është një lajm shprese.

Ajo tha se “çelja e negociatave në parim është një lajm shprese për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

“Tashmë puna duhet të vazhdojë me plotësimin e kushteve, paralelisht me punën për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë në këto kohë të vështira”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi: Çelja e negociatave, lajm shprese për Shqipërinë Read More »

“Shqipëria është Europë”/ Lleshaj: Sot një ditë e madhe, e cila ngrihet mbi çdo virus dhe na mbush me krenari

“Sot është një ditë e madhe, e cila ngrihet mbi çdo virus dhe na mbush me krenari”, tha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj lidhur me vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Ministri Lleshaj, në një njoftim të publikuar prej tij, thekson se ka zhvilluar një videokonferencë me disa nga ambasadorët e BE, duke folur për luftën ndaj krimit të organizuar.

“Gjatë një videokonference me ambasadorët e BE, SHBA, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Holandës, ku diskutuam për çështje të luftës kundër krimit të organizuar dhe për ecurinë e deritanishme të Operacionit Forca e Ligjit, pata kënaqësinë e madhe të pres edhe urimet e tyre për vendimin historik të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, njofton Lleshaj.

“Sot është një ditë e madhe, e cila ngrihet mbi çdo virus dhe na mbush me krenari, shpresë, por më së shumti me përgjegjësi të reja. Shqipëria është Europë!” – nënvizon ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj./atsh

“Shqipëria është Europë”/ Lleshaj: Sot një ditë e madhe, e cila ngrihet mbi çdo virus dhe na mbush me krenari Read More »

Me kontributin e secilit, Shqipëria do të dalë kryelartë nga lufta me COVID-19

Kryeministri Edi Rama shprehu sot besimin se “se me kontributin e secilit Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë me COVID-19”.

Në një mesazh drejtuar shqiptarëve pas çeljes së negociatave, Rama tha se “nuk do të bënim festë, edhe sikur kjo ‘PO’ e shumëpritur dhe e plotësisht e merituar të na gjente në kohë paqeje”.

Rama tha se “sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga armiku i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht”.

“Sot unë jetoj çdo ditë për atë ditë, si një ditë e madhe çlirimi kur do t’ia kemi dalë t’i mbijetojmë kësaj lufte, duke i ulur me gjithçka kemi mundur humbjet e jetëve dhe lehtësuar vuajtjet e saj të mëdha, falë rezistencës sonë popullore! E dua atë ditë, si një ditë lotësh dhimbjeje për ata që nuk u mbijetuan dot plagëve të sulmit armik dhe lotësh gëzimi për shpëtimin e mijëra e mijëra jetëve, falë solidaritetit të madh kombëtar e njerëzor të familjes së bashkuar shqiptare! E dua atë ditë, si një ditë të madhe vetëdijeje kombëtare e qytetare për forcën e për mirësinë e shpirtit shqiptar, që po sprovohet rëndë në këtë luftë, e cila jam përditë e më i bindur, do të na forcojë e bëjë më të mirë si njerëz e si vend”, tha Rama.

Kryeministri u kërkoi shqiptarëve që të binden e të kenë besim e bëjnë durim. “Motra e vëllezër dhe le të shohim bashkërisht jo vetëm errësirën e kohës së mallkuar që po kalojmë, po edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë; dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj, pa dallim feje, krahine, ideje e statusi shoqëror; jemi të pandashëm nga njëri-tjetri në këtë atdhe, për sa kohë do të kemi frymë e nuk kemi se si jemi tjetër, përveçse anëtarë të së njëjtës familje shqiptare, që sot, kur jemi të ndaluar të jetojmë siç jemi mësuar përditë, na jepet mundësia të kuptojmë se sa shumë e se sa kot qahemi në të përditshmen tonë”, tha ai.

Rama kërkoi që “ta shohim në këtë errësirë dritën që na kujton se sa e shkurtër dhe e çmuar është jeta dhe se sa jetike është të kuptojmë vlerën e njëri-tjetrit, e se sa shumë kohë dhe energji na marrin kotësitë në jetën tonë të përditshme”.

Le ta shohim në këtë errësirë, vijoi ai, “se sa e çmuar është drita e familjes dhe jeta e përbashkët në shtëpitë tona, që aq pak e vlerësojmë si dhuratë te paçmueshme në të përditshmen tonë dhe aq shumë e marrim të mirëqenë duke harruar t’i gëzohemi e të kujdesemi pa pushim për ushqimin e saj me energji”.

“Le ta shohim në këtë errësirë dritën që na ndihmon të shohim fare qartë se sa i madh mund të jetë durimi ynë, i shqiptarëve të paduruar, për të përballuar vështirësi të jashtëzakonshme; se sa i madh mund të jetë vullneti ynë, i shqiptarëve që nuk bëhen dot bashkë, për t’ia dalë në një qëllim të përbashkët; se sa e madhe është rezerva e energjive dhe solidaritetit tonë si njerëz e si popull i Shqipërisë, që medemek, nuk bëhet”, tha ai.

Kryeministri tha se ka marrë shumë përgëzime nga kolegë e miq të huaj për masat shtrënguese që kemi marrë, për shpejtësinë me të cilën kemi vepruar dhe për mënyrën se si po e zhvillojmë këtë luftë.

Kam shumë besim, tha Rama, “se me kontributin e secilit prej jush, Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë dhe respekti për këtë vend e për shtetin tonë do të rritet më tej”.

“Por kjo do të jetë thjesht rrjedhojë e qëllimit të luftës që ne po bëjmë e do të bëjmë përditë, jo për botën, po për veten, jo për BE-në po për Shqipërinë, jo për të fituar respektin e të huajve, po për të merituar në radhë të parë respektin e fëmijëve tanë për mënyrën se si e zhvilluam edhe këtë luftë”, tha Rama.

“M’i bëni hallall përsëritjet e vazhdueshme të apeleve të mia; m’i bëni hallall mesazhet e mia ku shpesh fjalët e mia kanë tone të forta; m’i bëni hallall kujtesat e mia të përsëritura pa pushim, për të këqijat e mëdha që na rrezikojnë nëse nuk jemi të kujdesshëm! Nuk dua t’ju mërzis, nuk dua t’ju lodh, nuk dua aspak t’ju frikësoj, por jam i detyruar të këmbëngul deri në bezdi me komunikime të shpeshta me ju, sepse dua t’jua përcjell sa më shumë shqetësimin e madh që kam për secilin prej jush, e për ju të gjithë! Më shumë se asnjëherë ju jeni familja ime dhe asgjë që do të bëja për familjen time në një hall të madh, nuk do ta lë kurrsesi pa bërë për ju”, tha Rama./atsh

Me kontributin e secilit, Shqipëria do të dalë kryelartë nga lufta me COVID-19 Read More »