Irina

Izraeli dërgon mision ndihmës në Shqipëri

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Izrael Katz deklaroi sot se një mision special i ndihmës izraelite u nis sot drejt Shqipërisë.

“Ky mision ndihmës është dëshmi për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe dialogut të ngushtë që ata kanë mbajtur gjatë viteve të fundit, si në nivelin qeveritar, ashtu edhe midis popujve. “, theksoi ai.

Në një komunikuar nga Zëdhënësi i MPJ-së të Izraelit thuhet se “Një mision special i ndihmës izraelite u nis sot për Shqipërinë, pas tërmetit shkatërrues që goditi atë vend. Misioni i ndihmës, i cili u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme me pjesëmarrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Komandës së Brendshme të IDF dhe me ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes, përbëhet nga 10 oficerë dhe inxhinierë të cilët do të studiojnë ndërtesat e dëmtuara për të përcaktuar nëse ato mbesin strukturore të shëndosha pas tërmetit. Artikujt e përfshirë në dërgesën e ndihmës humanitare përfshijnë çadrat që do të përdoren si banesa emergjente dhe mbështetje logjistike për viktima.

Po ashtu bëhet e ditur se “Misioni drejtohet nga komandanti i Brigadës Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit, Kolonel (Res.) Golan Wach.”

“Pas mbërritjes së tyre në Shqipëri, delegacioni izraelit do të lidhet me ekipin e ambasadës së Izraelit në Tiranë të kryesuar nga Ambasadori Noah Gal-Gendler, i cili po koordinon aktivitetet e misionit. Në përputhje me kërkesën e qeverisë shqiptare, anëtarët e misionit do të vizitojnë zonat e prekura të vendit për të studiuar ndërtesat e dëmtuara me qëllim parandalimin e shembjes së tyre. Ky aktivitet do të kryhet në koordinim me autoritetet shqiptare dhe në bashkëpunim me ndihmën humanitare që do t’i ofrohet popullatës së përgjithshme dhe shpërndarjen e tendave që do të përdoren si banesa emergjente”, thuhet në komunikatë, nga Zëdhënësi i MPJ-së të Izraelit. /atsh

Izraeli dërgon mision ndihmës në Shqipëri Read More »

Reshjet e para të dëborës në vend, ARRSH masa për pastrimin e rrugëve

Reshjet e para të dëborës kanë filluar sot në vend, ku përgjatë aksit Qafë Mali-Fierzë, trashësia momentalisht ka arritur në 10 cm.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se “sapo filluan reshjet, u morën menjëherë masat e para të mirëmbajtjes dimërore dhe ka nisur puna për pastrimin e saj dhe hedhjen e kripës”.

“Automjetet që zgjedhin të kalojnë këtë aks të tregojnë kujdesin e duhur, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit”, – thekson ARRSH./atsh

Reshjet e para të dëborës në vend, ARRSH masa për pastrimin e rrugëve Read More »

Situatat e emergjencave civile/ Ministria e Mbrojtjes vë në dispozicion numrin jeshil 116-116

Ministria e Mbrojtjes përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile vë në dispozicion numrin jeshil: 116 – 116 si numër kontakti për të gjitha situatat e emergjencave civile, në raste tërmetesh, përmbytjesh apo zjarresh.

Në këtë numër çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, i prekur nga fatkeqësitë natyrore mund të kërkojë ndihmë, të informojë për dëmet e shkaktuara dhe nevojën për ekspertizë teknike, apo të raportojë për problematika në zonën e prekur nga fatkeqësia natyrore.

Numri jeshil 116 – 116 është i disponueshëm për komunikim 24 orë në 7 ditë të javës në të gjithë Shqipërinë. /atsh

Situatat e emergjencave civile/ Ministria e Mbrojtjes vë në dispozicion numrin jeshil 116-116 Read More »

Veliaj u shërben drekën familjeve të prekura nga tërmeti

Dhjetëra familje që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit në kryeqytet janë strehuar në qendrave sociale të bashkisë së Tiranës, ku veç ushqimit të ngrohtë, u shërbehet edhe për çdo nevojë tjetër, kurse për fëmijët organizohen lojëra e aktivitete të ndryshme, që i ndihmojnë në kalimin sa më lehtë të situatës. Drekën e sotme kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e kaloi me familjet e strehuara në qendrën sociale “Qëndrojmë së bashku” në Kombinat, ku shërbeu ushqim dhe kaloi disa çaste me fëmijët.

Veliaj tha se këto çaste është e rëndësishme që çdokush të kuptojë se më e keqja kaloi dhe se qyteti po i kthehet normalitetit. “Kjo është një nga shumë qendrat sociale në Tiranë. Tani që kanë kaluar 7 ditë nga tërmeti, që ishte një nga fatkeqësitë më të mëdha që i kanë ndodhur vendit, mesazhi që duam të japim është se jeta vazhdon. Secili prej nesh mund të ketë pasur vuajtje në familje, mund të ketë pasur humbje, por ama gjithmonë kuptojmë se jeta vazhdon. Kur shohim fëmijë të vegjël si Sibeli, por edhe gjyshe si Limaja, e kuptojmë se filli i jetës nuk duhet ndërprerë kurrë”, tha ai.

Kryebashkiaku ftoi qytetarët, banesat e të cilëve janë bërë të pabanueshme, të përfitojnë nga mundësia që ofron bashkia e Tiranës për të aplikuar sa më parë për qira 1 vjeçare, derisa të zgjidhet përfundimisht çështja e strehimit të tyre. “Duke qenë bashkë dhe duke mbaruar të gjitha detyrimet e para të emergjencave, do të kemi kohë që të përkushtohemi tek rindërtimi. Kemi çuar formularët për bonusin e qirasë në njësitë administrative, edhe tek Njësia 6. Pasi të mbarojmë drekën, secili do të shkojë ta firmosë; pra, kujt i është shpallur shtëpia e pabanueshme, duhet të plotësojë formularin, dhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të kësaj jave, jemi të përgatitur të paguajmë deri në 2 mijë familje. Kemi më pak, por deri në 2 mijë kemi marrë masat në buxhet, që t’i paguajmë një qira, me çmimin e tregut, pa asnjë diferencim”, tha Veliaj.

Duke konfirmuar se qendrat sociale do të qëndrojnë hapur edhe në ditët në vijim, ai nënvizoi se trajtimi me bonus qiraje për këto familje do t’i japë kohë bashkisë për gjetjen e një zgjidhje përfundimtare. “Qendrat sociale do të jenë hapur; pra, nëse keni nevojë për një vakt, për batanije, prapë do jenë hapur, por ama jetesa në qendrat sociale është me masë. Se po ndenjëm tërë kohën sikur jemi në krizë, atëherë nuk do na dalë psikoza e krizës gjithë jetën. Kurse kur kuptojmë se kriza vazhdon një javë dhe javën tjetër fillojmë sistemimin në apartamente me qiratë e e paguara nga Bashkia, na jep kohë 6 muaj, një vit, një vit e gjysmë, deri sa të bëjmë gati një zgjidhje përfundimtare, dhe kjo është mënyra më e mirë”, shtoi Veliaj.

Ai siguroi se edhe kësaj here Tirana do të dijë të ringrihet falë solidaritetit që kanë treguar qytetarët e saj, si dhe angazhimit të të gjitha strukturave bashkiake dhe ato qeveritare. “Jam i bindur se po ndenjëm bashkë, siç kemi qenë këto 7 ditë, nuk ka asnjë tërmet që na vë poshtë. Jam i bindur se Tiranën do ta ngremë edhe më të fortë, më solidare. Jo vetëm më të fortë në ndërtesa të reja, që do të zëvendësojnë karakatinat e vjetra që i prishi tërmeti, por edhe më të fortë si karakter dhe si shpirt të Tiranës”, tha Veliaj. /atsh

Veliaj u shërben drekën familjeve të prekura nga tërmeti Read More »

Fier, marshim sensibilizues për fëmijët me aftësi të kufizuar edhe homazh për viktimat e tërmetit

Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK) është përcjellë sot në Fier më ndryshe se çdo vit tjetër. Marshimit sensibilizues dhe mesazheve të ndjera të fëmijëve me aftësi të kufizuar i është bashkuar edhe një homazh për të gjithë ata persona që humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në këtë organizim ka qenë prezent edhe këngëtari i mirënjohur Rigels Rajku (Noizy), i cili jo vetëm iu bashkua këtij marshimi sensibilizues të qendrës “Horizont”, por edhe është shprehur i gatshëm të kontribuojë në çdo kohë për të ndikuar sadopak në cilësinë e jetës së Personave me AK (referuar fëmiljëve të qendrës “Horizont”).

Këngëtari ka zhvilluar një takim miqësor me kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi, ku dhe është vlerësuar me Çertifikatë Mirënjohjeje për: “Humanizmin, sensibilitetin, kontributin dhe mbështetjen e dhënë për fëmijët me aftësi të kufizuara të qendrës Horizont”.

Ky takim u pasua me një marshim masiv përgjatë shëtitores “Muharrem Agolli”, ku morën pjesë dhe qytetarë të shumtë, për t’u finalizuar me një homazh për jetët e humbura nga tërmeti i pak ditëve më parë.

Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e shoqërisë dhe aspektet e zhvillimit të jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore. /atsh

Fier, marshim sensibilizues për fëmijët me aftësi të kufizuar edhe homazh për viktimat e tërmetit Read More »

Tirana përgatitet për festat e fundvitit

Tirana po bëhet gati për festat e fundvitit.

Kryeqyteti i është kthyer normalitetit, duke iu përshtatur edhe muajit të fundit të 2019-ës, ku atmosfera e Krishtlindjes dhe ndërrimit të viteve i sjell më pranë njerëzit me njëri-tjetrin.

Kështu, bashkia e Tiranës ka nisur të zbukurojë qytetin në periudhën më të veçantë të vitit, atë të festave të dhjetorit. Qytetarë të shumtë kanë nisur blerjet për dekorimin e bredhit të Krishtlindjes. Ndërkaq, në sheshin “Skënderbej” shihen turistë të shumtë të cilët vizitojnë pikat më tërheqëse të qytetit të Tiranës.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ju sjell një galeri me foto nga Tirana në këto ditë të para dhjetori./atsh

Tirana përgatitet për festat e fundvitit Read More »

Turqia sjell të tjera ndihma për Shqipërinë

Turqia vijon të sjellë ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Pas ekipeve turke të kërkim shpëtimit që iu bashkëngjitën specialistëve nga shumë vende të botës për nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja, tashmë shteti turk ka dërguar edhe ndihma materiale për të gjithë ata që kanë mbetur pa strehë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka falenderuar vendin mik, Turqinë për ndihmën e pakursyer në drejtim të Shqipërisë, e cila sikurse është bërë e ditur tashmë do të pasohet nga një ndihmë akoma më e madhe, ajo e ndërtimit të 500 banesave të familjeve që nuk kanë më një çati të sigurtë.

“Faleminderit qeverisë dhe popullit turk për ndihmën e vazhdueshme për banorët e zonave të prekura nga tërmeti që në momentet e para. Ndihmat e sotme materiale vijnë pas ekipeve të kërkim – shpëtimit dhe do pasohen nga bujaria e pazëvendësueshme për ndërtimin e 500 banesave,” shprehet Xhaçka.

Ndihmat e qeverisë dhe Gjysmëhënës së Kuqe turke kanë mbërritur tashmë në vendin tonë dhe do të shpërndahen në zonat e prekura nga tërmeti. /atsh

Turqia sjell të tjera ndihma për Shqipërinë Read More »

Bekimi dhe Armandi, binjakët e ardhur në jetë pak minuta pas tërmetit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar binjakët e ardhur në jetë pak minuta pas tërmetit të datës 26 nëntor në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

“Bekimi dhe Armandi kanë ardhur vërtet si një bekim për familjen Metushi në Tiranë, vetëm pak minuta pas tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit. I vizitova me kënaqësi në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku çdo ditë po bëhen më mirë dhe tashmë janë gati për t’u kthyer në shtëpi”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Binjakët Bekim dhe Armand Metushi janë pritur nga doktoreshë Anika Dokle dhe stafi i maternitetit “Koço Gliozheni”. Aktualisht të dy bebet gëzojnë shëndet të plotë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Ministrja Manastirliu falenderoi ekipin shëndetësore të maternitetit për punën dhe sakrificën e bërë për nënat dhe të porsalindurit, në ato momente të vështira.

“Shumë faleminderit dr. Anika Dokle, dr. Florjan Llabani, dr. Ervis Vata, dr. Evelina Kreka, dr. Nordjan Xhindi dhe të gjithë stafit mjekë, infermierë, mami, që i kanë qëndruar pranë bebeve dhe nënave në ato momente të vështira”, tha ministrja./atsh

Bekimi dhe Armandi, binjakët e ardhur në jetë pak minuta pas tërmetit Read More »