Irina

Kështjella e Tragjasit një nga vlerat historike në fuksion të Turizmit!

Kështjella e Tragjasit, një nga monumentet historike në rrethin e Vlorës, ngrihet në majën e një kodre, mes një mjedisi fushor, në afërsi të bregdetit të Orikumit, e veçantë për nga shtrirja e saj, krahasuar me objekte të tjerë të këtij lloji.

Kështjella, mban emrin e Gjon Boçarit, një personazh historik i njohur në rrethin e Vlorës për kontributin në qëndresën kundër pushtuesve osmanë,vendosja e emrit, pavarësisht origjinës së tij, mbetet disi i errët për historianët dhe muzeologët vlonjat, për shkak të mospërputhjes në kohë të periudhës kur është ndërtuar dhe asaj që ka jetuar personazhi historik.
Gjithsesi, historianët vlonjat, mes të cilëve edhe Novruz Bajrami, mendojnë se kështjella e Tragjasit është ndërtuar në fillim të shekullit XIV. Përmasat e saj të vogla, krahasuar me simotrat e tjera dëshmojnë se ajo ka shërbyer fillimisht si objekt mbrojtës për ndonjë prej fiseve që kanë jetuar në këtë zonë.
Kështjella lidhet me një periudhë mjaft të rëndësishme të historisë së Vlorës, me qëndresën ndaj pushtuesve osmanë. Historiani vlonjat thotë se, ky mjedis i fortifikuar, ndonëse i vogël, shërbeu si vendqëndrimi i fundit për princeshën e Vlorës, Rugjina dhe mbështetësit e saj, përpara se qyteti të pushtohej nga turqit, në vitin 1417.
Kështjella, me një gjatësi afro 50 metra dhe muret e saj me një lartësi 5 metra dhe gjerësi 1.25 metra, ndodhet në hapësirën mes fshatrave Tragjas i Vjetër dhe i Tragjas i Ri.
Ajo ka formë drejtkëndore dhe në dy skajet veriperëndimore dhe juglindore, ndodhen dy kulla mbrojtëse gjashtëkëndore. Në të gjithë gjatësinë e mureve janë ndërtuar frëngji drejtkëndore dhe gjithë pjesa e sipërme është e rrethuar me mure të fortifikuara.
Teksa lëviz në pjesën e brendshme të saj, në gjysmerrësirë, evidentohen fare lehtë shkallët që çonin luftëtarët në vendet e luftimit. Nga lartësia e kullave mbrojtëse shihen si në pëllëmbë të dorës, gjiri i Vlorës, fusha e Dukatit deri në Orikum, si edhe një pjesë e rrugës që të çon në Qafën e Llogarasë. Ndoshta edhe për këtë fakt, kështjella e Tragjasit evidentohet për vlerat e saj të shumëfishta, mes të cilave historike, arkitekturore etj.
Ngrehina e saj soditet me kërshëri nga udhëtarët që përshkojnë rrugën që të çon në Qafën e Llogarasë. Ajo shfaqet disi papritur, teksa ndodhesh në afërsi të vendit që emërtohet Blloku i Pjeshkëve dhe hedh vështrimin në verilindje, në drejtim të fshatit Tragjas.
Ky fshat, që ngrihet në këmbët e malit të Lungarës, pranë burimit të lumit Izvor, është një nga vendbanimet e spikatura në historinë e rrethit të Vlorës. Gjurmë të vendbanimeve antike, janë zbuluar pranë kodrës së emërtuar qyteza e Sofës, ku gjenden edhe varre ilire.

Në këtë mjedis ka mbetje të disa ndërtesave të shekullit IV, para Krishtit.

Fshati që njihet në histori me disa emra si Tregas, Dragjat, etj dhe që bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të gjirit të Vlorës gjendej dikur në një kodër në perëndim të fshatit të sotëm. Ai u shkatërrua nga turqit por u rindërtua në shekullin XVI, atje ku ndodhet edhe sot, rreth 5 km larg nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë.
Kështjella e Gjon Boçarit, si elementi më i spikatur i këtij sfondi të pasur historik, është shpallur monument kulture dhe u restaurua pjesërisht në vitet 1980-të.

Kështjella e Tragjasit një nga vlerat historike në fuksion të Turizmit! Read More »

Rregullat e përdorimit të xhamave të errët në makina

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit informoi mbi rregullat e përdorimit të xhamave të errët në makina.

Xhamat e errët bllokojnë rrezet UV dhe IR të rrezikshme për shëndetin, sigurojnë në raste thyerje xhami, janë më të freskët në ditë të nxehta dhe sigurojnë një shikim më të mirë kundërvezullues.

Në udhëzuesin për qytetarët që kërkojnë të pajisen me certifikatë miratimi për xhamat e errësuar në autoveturë sqarohet se një xham konsiderohet që është i errësuar nëse tejçueshmëria e dritës është më pak se 70%. Me errësim të xhamit kuptojmë përdorimin e materialeve errësuese, por që vlera/niveli i errësimit në përqindje (%) përfshin totalin e xhamit origjinal dhe materialit errësues së bashku.

Nuk lejohet errësimi i xhamit të përparmë ballor të mjetit. Përjashtimisht, lejohet ulja e tejçueshmërisë së dritës (TD) në xhamin e përparmë ballor vetëm në pjesën e sipërme, në një shirit gjatësor, gjerësia e të cilit është deri në 125 mm.

Për xhamat e përparmë anësorë, të drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit, parashikohet nivel tejçueshmërie drite (TD) jo më pak se 50%. Duhet patur parasysh që errësimi që ka xhami origjinal së bashku me materialin errësues të mos e kalojnë nivelin e 50% errësim. Errësimi i xhamave të përparmë anësor tarifohet me vlerën 20 mijë lekë për të dy xhamat, përveç tarifës prej 1500 lekë të certifikatës së miratimit për këtë shërbim.

Për xhamat e pasmë anësorë dhe xhamin fundor, tejçueshmëria e dritës (TD) mund të jetë nga 10% deri në 70%, me kushtin që të mos cenohet sistemi i shikimit prapa sipas parashikimit në Kodin Rrugor.

Nuk lejohet që për errësimin e xhamave të përdoren materiale me ngjyra monokromatike si: e kuqe, jeshile, blu, e verdhë, portokalli, etj., materiale që krijojnë efekt reflektues ose pasqyrues, materiale që bllokojnë plotësisht shikueshmërinë, materiale që krijojnë efekte turbulluese për shikimin e drejtuesit të mjetit, apo materiale që bëjnë errësimin e xhamave përmes përdorimit të lëndëve spërkatëse./atsh

Rregullat e përdorimit të xhamave të errët në makina Read More »

Rama: Secili ka detyrat e veta në këtë botë, ca të shkatërrojnë e ca të ndërtojnë

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot banorët e sistemuar në Manëz, ku janë vendosur edhe 15 njësitë e parë të lëvizshme për banim.

I shoqëruar nga zv.ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, kryeministri Rama pa nga afër gjendjen e banorëve të sistemuar në Manëz, ku përveç strehimit sigurohet edhe asistencë psikologjike dhe aktivitete të ndryshme sociale për fëmijët.

Çuçi informoi se në Manëz janë montuar 15 njësitë e para të lëvizshme të banimit, ku janë akomoduar deri tani 81 persona, ose afërsisht 27 familje, që ishin më parë në çadra.

Njësitë e banimit, sipas Çuçit, janë të kompletuara me kanalizime të ujërave të zeza, të ujërave të bardha, me elektricitet dhe kondicionerë në çdo shtëpi.

Ndërkohë sipas saj, pritet edhe montimi i 10 njësive të tjera lëvizëse të banimit pranë qendrës shëndetësore.

Çuçi informoi po ashtu se janë shpërndarë mbi 40 çadra dimërore për familjet në zonat e largëta rurale. Sipas saj, çadrat kanë ardhur nga Izraeli.

Kryeministri pa nga afër kushtet e banimit në këto njësi të lëvizshme, ku janë akomoduar familje me foshnja të vogla e fëmijë, si dhe me të moshuar.

Në bashkëbisedim me një të moshuar, Rama tha se “secili ka detyrat e veta në këtë botë, ca të shkatërrojnë ca të ndërtojnë, ca të prishin ca të rregullojnë, ca t’ia fusin kot, ca ta bëjnë tamam, por siç thotë ajo shprehja ‘bylmezi e gjen vetë rrugën e humbjes”.

Kryeministri vizitoi po ashtu edhe ambientet e shkollës së Manzës, e cila është kthyer në një qendër për fëmijët, që përveç aktiviteteve marrin edhe 3 vaktet e ushqimit.

Përveç stafit arsimor, aty janë angazhuar edhe dhjetra vullnetarë nga “Save the Children”, UNICEF etj për të bërë të mundur tejkalimin e kësaj situate. /atsh

Rama: Secili ka detyrat e veta në këtë botë, ca të shkatërrojnë e ca të ndërtojnë Read More »

Kryeprokurori Çela në Durrës: Përgjegjësia të shkojë atje ku është, qofshin zyrtarë apo ndërtues

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ishte sot në Durrës ku ka kërkuar rezultate pas hetimeve për tërmetin e 26 nëntorit.

Një ditë pas marrjes së detyrës, Çela e ka nisur nga Prokuroria e Durrësit, qytet që është dëmtuar më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeprokurori Çela ka folur jashtë ambienteve të Prokurorisë së Durrësit për hetimet mbi ndërtesat e shembura në Durrës pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Çela tha se përgjegjësia për këtë duhet të shkojë atje ku është, qofshin zyrtarë apo ndërtues, ndërsa shtoi se nga hetimi do të dalin edhe probleme me legjislacionin.

“Qëllimi i vizitës lidhet me situatën e krijuar pas tërmeteve. Prokuroria është duke kryer hetime në bazë të ngjarjeve të ndodhura. Është krijuar një grup hetimor për çështjen në fjalë. Ideja ishte ofrimi i mbështetjes maksimale që ne si Prokuroria e Përgjithshme mund t’i ofrojmë Prokurorisë së Durrësit për rastin në fjalë me qëllim rritjen e koordinimit për të siguruar një hetim të shpejt, efiçent dhe për t’i dhënë një përgjigje sa më të shpejtë rasteve për të cilat të gjithë jemi të njohur. Mendoj se situate është pak a shumë e qartë. Puna që është bërë ka qenë mjaft e mirë. jam shumë i kënaqur me atë që dëgjova. Prokurorët janë të motivuar dhe mendoj se shumë shpejt rezultatet do të jenë të prekshme”.

“Ajo që vlerësoj dhe besoj se është e rëndësishme, për të cilën të gjithë jemi koshientë se çfarë ka ndodhur është se individë të papërgjegjshme kanë kryer veprime të caktuara me koshiencë të plotë. Kanë shkelur ligjin dhe pasoja është vdekja e shumë personave. Në këtë kuadër besoj se dhe reagimi i Prokurorisë, zbatimi i ligjit do të jetë korrekt, do të jetë I prerë dhe në fund do të kemi rezultate të qarta për hetimin”, theksoi ai.

I pyetur për akuzat që po manipulohen vendet e hetimit, Çela tha se “Hetimi është përqendruar në objektin e hetimit. Ne nuk kemi të dhëna të tilla. Të paktën dhe nga drejtuesja e prokurorisë dhe nga prokurorët nuk kemi pasur shqetësime të tilla. Duhet të jemi të qetë dhe të besojmë të heqim dorë nga lajmet e pavërteta”.

Çela evidentoi se “nga hetimi po dalin probleme edhe me legjislacionin në fuqi. Hetimi do shërbejë edhe për të propozuar ndryshime të rëndësishme në ligj në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më duke rritur sigurinë e qytetarëve në mënyrë”.

I pyetur nëse do ketë arrestime, për këto ngjarje, Cela tha se, “këto janë vendime të cilat i marrin prokurorët, të cilët janë të pavarur në vendimmarrjen e tyre. Por ka njerëz të cilët kanë shkelur ligjin, ka njerëz që kanë humbur jetë, ka njerëz që janë plagosur dhe patjetër përgjegjësia që do mbahet do të jetë maksimale”.

“Përgjegjësia do shkojë atje ku është qoftë tek ndërtuesit, qoftë tek zyrtarët. Kudo ku prokurorët do verifikojnë, do mbledhin prova se ka elemente të përgjegjësisë penale nuk do të ketë hezitim për asnjë rast’, tha ai.

“Ajo që unë si prokuror i përgjithshëm mund t’ju them është se nga ana jonë i është garantuar prokurorëve, mbështetja e plotë. Ata duhet të jenë plotësisht të bindur se ata janë në harmoni me me atë që ne si Prokurori e Përgjithshme presim nga ata, pra në kuptim me zbatimin e ligjit. Ata janë të pavarur. Ne do të garantojmë pavarësinë e tyre dhe besojmë se në këtë klimë do të kemi rezultatet që të gjithë presim “, tha Çela.

Prokuroria ka nisur hetimet pas tërmetit, në Durrës, Tiranë dhe Thumanë. Sipas njoftimeve zyrtare, pjesë e hetimeve të cilat kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”, janë lejet e ndërtimit të lëshuara nga autoritetet vendore, zbatimi i tyre nga ndërtuesit, si dhe rastet e ndërtimeve abuzive dhe mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse. /atsh

Kryeprokurori Çela në Durrës: Përgjegjësia të shkojë atje ku është, qofshin zyrtarë apo ndërtues Read More »

Rama përcjell fjalët e shenjta: Kush nuk u dhuron të tjerëve nuk është veçse një kusar

Kryeministri Edi Rama solli sërish sot përmes fjalëve të shenjta, një mesazh solidariteti për përballimin e situatës së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Zotat do t’iu dhurojnë çka dëshironi. Por kush ngjitet nga dhuratat e tyre dhe nuk u dhuron të tjerëve nuk është veçse një kusar”.

Kryeministri Rama zgjodhi fjalët e Bhagavad -Gita, III:12 për të dhënë një mesazh solidariteti për të ndihmuar njerëzit në kapërcimin e situatës së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit./atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta: Kush nuk u dhuron të tjerëve nuk është veçse një kusar Read More »

Më 1 qershor 2021, Porto Romano gati për të mikpritur fëmijët në festën e tyre

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot Porto Romanon, nga ku deklaroi se në 1 qershor të vitit 2021, Porto Romano do të jetë gati për të mikpritur fëmijët në festën e tyre.

Rama tha se do ta transformojmë të gjithë këtë zonë, ku mblidheshin plehrat e zonës së Durrësit, në një park model për qytetin bregdetar brenda 18 muajsh nga 3 vite që ishte parashikuar në fillim ky projekt..

“Do t’i heqim plehrat dhe do të vendosim inertet për të sistemuar bazamentin e infrastrukturës së re për t’a kthyer nga një zonë kanceroze që ka 50 vite që prodhon helm, në një park model”, – deklaroi Rama.

Po ashtu, kryeministri kërkoi që materialet që do të dalin nga prishja e objekteve të ndërtuara të shitet për skrap dhe fondet të shkojnë për programin e rindërtimit.

Ai kërkoi po ashtu të përshpejtohet procesi i prishjes së godinave që rezultojnë të pabanueshme për të cilat Prokuroria dhe Policia ka gati dosjet./atsh

Më 1 qershor 2021, Porto Romano gati për të mikpritur fëmijët në festën e tyre Read More »

Qira nga shteti për 1 mijë familje, Rama: Kontrata për 1 vit të garantohet nga bashkia

922 nga 1 mijë familje me banesa të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë, kanë përfituar deri tani bonusin e qirasë për një periudhë deri në 1 vit.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi sot një familje në Sauk, e cila është sistemuar në një banesë me qira që paguhet nga shteti.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj u shpreh se “këto familje ishin në çadra fillimisht, por pas vendimit të qeverisë janë sistemuar në shtëpi me qira, duke mbyllur kështu pjesën e emergjencës”. “Kryesisht kemi rreth 180 familje nga konviktet e Qytetit Studenti dhe shtëpitë e vjetra të Saukut që janë dëmtuar”, – tha ai.

Veliaj tha se “janë 922 familje nga 1 mijë të tilla që janë paraqitur, ose 92,2%. Pjesa tjetër rreth 8%, sipas tij, “ndoshta mund të jenë jashtë Tirane meqë edhe shkolla nuk ka nisur, pasi është një pakicë e vogël që e kemi identifikuar te rastet e dëmtuara dhe nuk janë paraqitur”.

Kryeministri Rama tha se “shteti mbulon 100% qiranë deri në 1 vit dhe njerëzit të zgjedhin vetë se ku do të rrinë”. “Është bërë përcaktimi i familjeve që të mos ketë spekulime e mashtrime. Kështu në zonat urbane kjo çështje mbyllet komplet, ndërsa në zonën rurale është pak më e ngatërruar, pasi njerëzit duan të rrinë pranë banesave të tyre sepse e kanë jetën të lidhur e tokën dhe gjënë e gjallë”, – tha Rama.

Banorët që përfitojnë nga pagesa e qerasë e marrin atë përmes postës, por Kryeministri kërkoi që bashkia të dalë garant, dhe për këta banorë të lidhet kontratë qiraje. “Duhet garantuar që të bëhet kontrata e qirasë. Mos të vijnë nesër e të thonë është rritur qiraja. Bashkia duhet të jetë garanti i kontratës që këta të mos fillojnë dhe të thonë nesër që ka shumë kërkesa dhe dil jashtë. Kontrata është 1-vjeçare, ose 6 muaj me të drejtë rinovimi deri në 1 vit”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk ka qeveri në botë që të jetë e pakritikueshme, por situata ishte kaq e rëndë në raport me popullsinë dhe territorin sa që me një gjë të tillë tundet Amerika, jo Shqipëria”.

Por, Kryeministri Rama vlerësoi se “në pjesën më të madhe gjërat janë bërë mirë”. “Ka pasur edhe probleme, por nuk është kollaj, është gjithë kjo ndërhyrje. Të gjithë kanë qenë ditë-natë dhe janë akoma në terren. I kanë harruar fëmijët e tyre, por kuptohet që televizionet nuk e kanë mendjen tek ana pozitive, por duan vetëm të kapin një gjë dhe ta bëjnë qimen tra”, – tha Rama. /atsh

Qira nga shteti për 1 mijë familje, Rama: Kontrata për 1 vit të garantohet nga bashkia Read More »

Vjen së shpejti numri më i ri i estradës profesioniste të Vlorës “Laj…Thaj”

Së shpejti për publikun :
“Laj – Thaj…” numri më i ri i estradës profesioniste të Vlorës…
Është kënaqësi por edhe fat, të punosh dhe ti bësh bashkë fizikisht dhe virtualisht ata te “katert”, mjeshtrat e medhenje…Afrim Agalliun, Agron Hamon, Mane Lumanin dhe…Muhamet Likon…por edhe te mrekullueshmit Lavdie Bishen, Ludin, Torin, Matilden dhe te tjere…
Një shfaqje plot humor dhe të papritura, që trajton me finesë problemet sociale të jetës sonë të përditëshme…korrupsionin, mashtrimin, burokracinë, marredheniet familjare etj…E ideuar dhe me nje strukture moderne ku zhanret e humorit…skeçi, parodia, monologu, pantomima jane gershetuar bukur me kengen dhe materialet audio – vizive.

Vjen së shpejti numri më i ri i estradës profesioniste të Vlorës “Laj…Thaj” Read More »