Irina

Ministria e Shëndetësisë: Nga fillimi i COVID-19 deri tani 8 efektivë policie të infektuar

Nga fillimi i epidemisë së COVID-19 deri tani numri i efektivëve të infektuar është tetë punonjës.

Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi në komunikimin me mediet.

Ndërkohë sipas saj, dy mjekë janë të shtruar në spitalin Infektiv.

“Tirana ka numrin më të lartë të të shëruarve, kjo për faktin se ka numrin më të lartë të të prekurve, për t’u ndjekur nga Fieri, Korça, Durrësi dhe Lezha”, – tha Dervishi.

Në 24 orët e fundit janë testuar 162 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 7 raste të reja me COVID-19./atsh

Ministria e Shëndetësisë: Nga fillimi i COVID-19 deri tani 8 efektivë policie të infektuar Read More »

Ambasadorja Kim mesazh kryebashkiakëve: Të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19

“Le të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19”, deklaroi sot ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.

Ambasadorja Kim zhvilloi sot një takim virtual me kryetarët e bashkive të Tiranës, Korçës dhe Fierit dhe prefektin e Durrësit.

Ambasadorja Kim i falënderoi ata që i mbajnë qytetarët të sigurt dhe të shëndetshëm duke zbatuar rigorozisht masat e distancimit social.

“Shpresoj të takohemi nga afër së shpejti, por për momentin, pata kënaqësinë të takoja virtualisht kryetarët e bashkive të Tiranës, Korçës dhe Fierit dhe prefektin e Durrësit. Faleminderit që i mbani qytetarët të sigurt dhe të shëndetshëm duke zbatuar rigorozisht masat e distancimit social. Le të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19”, u shpreh ambasadorja Yuri Kim./atsh

Ambasadorja Kim mesazh kryebashkiakëve: Të vazhdojmë me bashkim dhe disiplinë për të mposhtur COVID-19 Read More »

Anëtarët e KQZ-së japin një pjesë të pagës së tyre për përballimin e COVID-19

Anëtarët e KQZ-së, do të japin një pjesë të pagës së tyre, si kontribut për lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot se i përgjigjet pozitivisht thirrjes së Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për kontributin financiar për lehtësimin e përballimin e situatës së pandemisë COVID-19.

Anëtarët e KQZ-së, kanë vendosur të japin një pjesë të pagës së tyre, si kontribut për lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes se këtij virusi të rrezikshëm, thekson KQZ në njoftim.

Ditën e djeshme drejtuesit e institucioneve të pavarura njoftuan se kanë pranuar përgjysmimin e pages së tyre për tre muaj, duke iu përgjigjur thirrjes së kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ruçi, iu drejtua me një thirrje drejtuesve institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19./atsh

Anëtarët e KQZ-së japin një pjesë të pagës së tyre për përballimin e COVID-19 Read More »

Shërohen edhe 2 infermierë në Tiranë, shkon në 30 numri i personelit mjekësor

Betejën me COVID-19 e kanë fituar edhe 2 infermierë në Tiranë, të cilët janë shëruar pas testit konfirmues në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Çdo mjek, infermier dhe punonjës i sistemit shëndetësor që e fiton betejën me COVID-19 është një lajm i mirë për të gjithë. Edhe 2 infermierë në Tiranë janë shëruar pas testit konfirmues në laboratorin e virologjisë në ISHP. Shkon në 30 numri i personelit mjekësor të shëruar nga COVID-19″, shprehet Manastirliu.

Sipas ministres, deri tani janë 183 pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me COVID-19./atsh

Shërohen edhe 2 infermierë në Tiranë, shkon në 30 numri i personelit mjekësor Read More »

Seanca e radhës së Kuvendit mbahet të enjten më 16 prill

Konferenca e Kryetarëve miratoi sot ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars – 17 prill 2020 dhe vendosi thirrjen e seancës plenare në 16 prill.

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, sot u zhvillua Konferenca e Kryetarëve. Konferenca u zhvillua online, me anë të mjetit të komunikimit elektronik (Cisco Webex).

Pasi i njohu anëtarët e Konferencës me rendin e ditës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, informoi Konferencën e Kryetarëve se “Kuvendi i Shqipërisë ka vazhduar të funksionojë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Dy javët e fundit komisionet e përhershme parlamentare janë mbledhur rregullisht online dhe kanë shqyrtuar e projektaktet e depozituara, të cilat janë përcjellë për shqyrtim në seancën plenare. Kjo situatë ka sjellë si domosdoshmëri edhe ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, për të parashikuar dispozitat e nevojshme të funksionimit të Kuvendit në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe kur nuk është e mundur zhvillimi i mbledhjes me prezencën fizike të deputetëve.

Përvojat e parlamenteve të vendeve të BE-së, të përshtatura për kushtet e pandemisë, parashikojnë mbledhjen e seancave plenare me numër të kufizuar deputetësh, pa cenuar të drejtën e secilit deputet për të votuar. Prandaj edhe ndryshimet e propozuara, reduktimi i kuorumit e pjesëmarrjes dhe zhvillimi i mbledhjeve online, nuk cenojnë të drejtën e deputetëve të Kuvendit për te votuar. Ndërkohë, këto forma mbledhjesh nuk duhet të cenojnë etikën parlamentare, kërkesat dhe standardet për të cilën mbeten po aq rigoroze sa në kushtet e zakonshme.”

Konferenca miratoi me konsensus plotësimet në Rregulloren e Kuvendit, për rregullimin e funksionimit te veprimtarisë parlamentare në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të pandemisë.

Konferenca shqyrtoi dhe miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars – 17 prill 2020, të cilët parashikojnë zhvillimin e seancave plenare në datat 16, 23 dhe 30 prill.

Në këto seanca do të kenë prioritet shqyrtimi e miratimi i akteve normative me fuqinë e ligjit dhe i projektligjeve që kanë lidhje me pandeminë COVID-19.

Seancat do të zhvillohen me pjesëmarrjen dhe prezencën në sallë të të gjithë deputetëve, me numër dhe kohë të kufizuar diskutimesh, dhe për të zbatuar standardin e distancimit social, për uljen e deputetëve do të shfrytëzohen edhe mjediset e tjera të sallës së seancave plenare.

Seancat do të jenë të mbyllura për publikun dhe do të sigurojnë akses për RTSH, i cili do të transmetojë live dhe do t’u mundësojë sinjalin edhe medieve të tjera.

Konferenca miratoi edhe rendin e ditës të mbledhjes së seancës plenare të datës 16 prill./atsh

Seanca e radhës së Kuvendit mbahet të enjten më 16 prill Read More »

Gjithçka e mbyllur nga nesër në 13:00 deri të hënën në 05:00/ Rama: Nga e hëna, fasha orare zgjatet deri 17.30

Kryeministri Edi Rama informoi se “nesër është dita e fundit me fashën orare deri në 13:00, ndërsa nga nesër në 13:00 deri të hënën në 05:00 gjithçka do të jetë e mbyllur dhe të gjithë në shtëpi.

Kryeministri tha se “nga e hëna, fasha orare do të zgjatet deri 17:30 dhe autorizimet për lejedalje për pazar do të jenë 90 minuta”.

“Pak nga pak dhe me durim, do të dalim me kokën lart nga kjo luftë”, shtoi Rama./atsh

Gjithçka e mbyllur nga nesër në 13:00 deri të hënën në 05:00/ Rama: Nga e hëna, fasha orare zgjatet deri 17.30 Read More »

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve

Mazhoranca përveç ndryshimeve në Kodin Penal dhe atë Rrugor është duke vlerësuar dhe aktualizimin me situatën të rregullores së Kuvendit.

“Së pari duhet të sqarojmë se këtu bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve dhe dua të sqarojë se 99.9% e shqiptarëve i kanë zbatuar masat shtrënguese të deritanishme në mënyrën më të shkëlqyer dhe përfitoj nga rasti t’i falënderoj. Por kemi dhe një 0.01% të personave që jetojnë në Shqipëri të cilët ende nuk e kanë kuptuar që kjo është një luftë. Një luftë me një armik të padukshëm, që edhe pse jemi në një moment të mirë sa i takon shifrave dhe kurbës së ecurisë së kësaj pandemie në vendin tonë, na duhet që për këta 0.01%, ashtu sikurse dhe vendet e tjera, dhe në disa parlamente të tjera, janë depozituar dhe po diskutohen masa të tilla të aktualizimit të Kodit Penal”,- tha Balla.

“Një situatë e tillë nuk është parë kurrë. Kujtoj këtu, ashtu sikurse tha Kancelarja Angela Merkel, një situatë e tillë për Gjermaninë nuk ishte parë që nga lufta e dytë botërore. E pra, Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë sikurse dhe në vendet e tjera ka pasur deficite që duhen rregulluar, sepse moszbatimi i urdhrit të karantinës, apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, ngjitëse përbën vepër penale dhe duhet të dënohet penalisht. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për COVID-19”, – tha Balla.

“Po bëjmë disa ndryshime penale jo vetëm për këtë pandemi, por duhet të jemi parashikues dhe për raste të tjera. Por betejën dhe luftën e kemi me COVID-19 momentalisht. Në këtë kontekst veç masave administrative, është e domosdoshme të aktualizojmë kodin tonë penal edhe me këtë rast”, – tha Balla.

“Unë ju ndoqa teksa ju transmetuat 9 raste të reja të identifikuara me COVID-19 në Shqipëri. Tre prej tyre janë në Elbasan dhe këta në Elbasan janë për fajin e disa personave të tjerë që kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm. Këta janë kontaminuar me virusin për shkak të moszbatimit të masave të sigurisë që kemi vendosur”, – tha Balla.

Duke folur për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, Balla tha se do shqyrtohet dhe ndryshimi i rregullores së Kuvendit. “Në fund të fundit kuvendi duhet të japë një shembull të mirë të distancimit social. Kuvendi i Shqipërisë ka ushtruar aktivitetin e tij të domosdoshëm legjislativ duke përdorur teknologjinë. Situata të tilla të shkaktuara nga COVID 19 nuk i kemi parashikuar në rregulloren e Kuvendit, prandaj duhet që dhe në rregullore të ndërhyjmë. Kuvendi do mblidhet në datë 16 dhe do të diskutojë edhe për këto ndryshime”,- tha Balla, gjatë intervistës së dhënë pasditen e të enjtes për një media vizive. /atsh

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve Read More »

Lajm i mirë: 17 të shëruar sot

Një lajm i mirë vjen mëngjesin e kësaj të premteje: janë 17 të shëruar të tjerë që kanë fituar betejën me koronavirusin.

Lajmi bëhet i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili shprehet: “Lajm i mirë: 17 të shëruar sot”.

Më herët ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, falënderoi me mirënjohje ekipin e shkëlqyer të epidemiologëve nga veriu në jug, të cilët “gjurmojnë rastet derë më derë, rrugicë më rrugicë, ditën dhe natën, pa u lodhur e pa u ankuar, duke bërë të pamundurën për të kapur në kohë rastet dhe për të frenuar përhapjen e epidemisë”.

Ministrja Manastirliu vlerësoi punën e bluzave të bardha të cilët “po bëjnë një punë shembullore për gjurmimin e rasteve me COVID-19 dhe izolimin e vatrave në territor”./atsh

Lajm i mirë: 17 të shëruar sot Read More »