Irina

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vrapi shpjegon si do të zhvillohen testimet në kushte pandemie

Pas vendimit të djeshëm të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë lidhur me rikthimin në bankat e shkollave vetëm të maturantëve, përsëritja e temave do të kryhet në klasa me jo më shumë se 15 nxënës.

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi në një nga mediet e vendit sqaroi edhe mënyrën sesi do të zhvillohen provimet e maturës, në kushtet e një situate jo normale.

Do të jenë 3 javë që do t’i dedikohen përsëritjeve që kanë lidhje me Maturën Shtetërore. Pra, nuk do të marrin tema të reja, tha ajo, ndërsa shtoi lidhur me testin e maturës se ky i fundit do të jetë i thjeshtëzuar. “Testi do të jetë më i thjeshtuar. 80% e testit është në nivelin e parë dhe të dytë dhe vetëm 20% e testit është në nivelin më të lartë. Kjo pikë nuk ka ndryshuar. Ne do të vazhdojmë ta kemi në 25% nivelin e kalueshmërisë”, – tha Vrapi.

Sipas saj, mënyra sesi do të zhvillohet testi i Maturës Shtetërore do të ndryshojë nga vitet e tjera, në kushtet e një pandemie.

“Në kushtet e një pandemie që ende nuk është e përfunduar, Ministria po merr të gjitha masat për të ruajtur jetën e maturantëve, sepse kjo është kryesorja. Në Maturën Shtetërore është e fiksuar distanca 1,5 metra, nuk do të jetë e populluar palestra, siç ka qenë më përpara. Është i detyrueshëm dezinfektimi i ambienteve. Kemi grupe për këtë pjesë dhe do të monitorojnë zbatimin rigoroz të kushteve të higjienës, që nga uji i rrjedhshëm në mjediset e tualeteve, dezinfektantët të cilët do të jenë edhe në tualete, edhe në mjediset e provimit dhe patjetër elementët e tjerë që kanë të bëjnë me maskat që do të mbajnë maturantët. Të gjithë mësuesit do të kenë maska që do të zhvillojnë orët e mësimit, orët e përsëritjes. Klasat nuk do të jenë më shumë se 10 deri në 15 nxënës, pra nuk do të jetë një klasë normale”, sqaroi Vrapi. /atsh

Rikthimi i maturantëve në shkolla/ Vrapi shpjegon si do të zhvillohen testimet në kushte pandemie Read More »

Kalo: E pamundur të manipulosh shifrat reale të të prekurve me COVID-19

Mjeku Tritan Kalo ka shpjeguar tendencën e ecurisë së rasteve me koronavirus në vendin tonë, duke e cilësuar kurbën në formën e sharrës e cila nuk është as e sheshtë, por nuk ka asnjë pikë shpërthimi ekstrem.

Në një intervistë për një nga mediet e vendit, Kalo sqaroi se manipulimet me shifrat e të prekurve nga COVID-19 janë të pamundura. I pyetur nëse mund të kalojmë periudhën pandemike në muajin maj, profesor Kalo tha se është e rrezikshme të bëhen parashikime të tilla, kjo pasi nuk dihet fundi i saj por edhe fillimi i këtij virusi nuk është qartë i përcaktuar.

“Parashikime të tilla janë fatale po të bëhen, sepse e gjithë bota është përpara një infeksioni që nuk dihet kur e ka fundin, dihet kur e ka fillimin por edhe atë fillim nuk e ka qartë të përcaktuar, ka shumë abuzime në lidhje me fillimin e pandemisë. Tendenca që thuhet për përfundimin në fillim të majit dhe që bota po fillon të hapet, niset nga fakti se numri i të shtruarve, dhe të infektuarve kanë tendence pozitive në rënie çfarë dikton ekonominë të marrë frymë por mbi të gjitha të marrë frymë mendja njerëzore e cila e mbyllur në një paraburgim virusal e bën njeriun të ketë çrregullime psikologjike. Këto çrregullime tek ne janë të shtuara edhe nga ato që janë trashëguar nga tërmeti i 26 nëntorit”.

Në lidhje më protokollin e trajtimit të pacientëve në spitalin Infektiv, prof. Kalo tha se janë duke u ndjekur protokolle të njëjta me ato që ka përdorur vendet e tjera si Kina, Koreja por sidomos Italia dhe Shtetet e Bashkuara.

“Protokollet janë të depozituara në Ministrinë e Shëndetësisë, në Taskforcë, në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive. Protokolli është hartuar mbi bazën e të dhënave në Kinë, Kore, sidomos mbi atë italiane. Operohet me të sëmurët duke dhënë ato medikamente në përputhje me gjykimin e mjekut dhe situatës klinike, biologjike dhe skenografike, që paraqiten tek pacientë të ndryshëm. Jepen medikamente qe janë provuar si të efektshme edhe në vende të tjera, por duhet të kemi parasysh që nuk kemi një medikament specifik që vepron drejtpërdrejt mbi koronavirusin”, tha Kalo.

Kalo sqaroi se “shifrat nuk mund të manipulohen kurrë, dhe kjo është e palogjikshme. Për sa i përket testimeve, numri në përqindje i testimeve varion nga 9-12 %. Gjermania ka përqindjen më të lartë në botë për testimet. Testimi nuk është ai që zgjidh problemin. Kryesore është që së pari, të mos neglizhosh ata që kanë simptoma, së dyti, të gjithë personat e kontaktit dhe të atyre të kontaktit të dytë, që janë ata rrethorë-periferikë, por që hipotetikisht mund të kenë patur kontakte me kontaktin e personit të sëmurë. Po ta bësh si duhet këtë lloj shtrirje testimi, pozitiviteti do të kalojë në vlera më të larta. Kryesore është të testohet cilësisht dhe të mos neglizhohet asnjë vatër që shfaq këto shqetësime”.

Në lidhje me shtimin e testimeve në vend mjeku Tritan Kalo deklaroi se do të ketë rritje të testimeve në vend por që zgjerimi i tyre varet nga 3 elementë siç janë : niveli i infektimit në vend, kapacitetet laboratorike dhe mundësia e sigurimit të kiteve.

“Jam në dijeni që do të ketë zgjerim të testimeve, të paktën me sa jam në dijeni. Grupet përcaktohen pak nga pak dhe zgjerimi i tyre bazohet në nivel infektimi, në kapacitete laboratorike, dhe në mundësitë e sigurimit të kiteve. Thelbësore në këtë situatë është ndërgjegjësimi i njerëzve. Kyçi i artë është tek përgjegjësia e qytetarëve”. /atsh

Kalo: E pamundur të manipulosh shifrat reale të të prekurve me COVID-19 Read More »

Kthim në shkollë vetëm për maturantët/ Gjini: Do të kenë teste vetëm me alternativa

Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave të Arsimit, Zamira Gjini, deklaroi sot se “kishim përgatitur disa skenarë, ndërsa vendimmarrja ishte në akordim edhe me taskforcën dhe dolëm në përfundimin që në shkollë të shkojnë vetëm maturantët”.

Në një intervistë televizive, Gjini theksoi se “do të përdoren edhe shkollat 9-vjeçare për të zhvilluar mësim maturantët që të krijohen distancat. Duke pasur parasysh që shkollat 9-vjeçare nuk do të jenë do të ketë një rindarje të re të nxënësve në klasa”.

Sipas saj, janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e mësimit për maturantët.

“Kemi njoftuar që më parë, kemi nxjerrë edhe programe të reja për maturantët, ku nxënësit do të shikojnë programin orientues, ku janë hequr ato tema që janë zhvilluar në kushtet e shtëpisë. Do të kenë teste vetëm me alternativa. Do të shikohet që mënyra e testeve të bëhet dixhitale, por janë procedura për më pas”, – nënvizoi Gjini.

Ndërsa duke folur për nxënësit e klasave të pesta, Gjini u shpreh se “ provimi i klasës së 5-të nuk është provim me notë por një vlerësim si arritjeve të nxënësit të klasës së pestë , që Ministria e Arsimit e realizon çdo vit, më këtë grup nxënësish për të parë se cilat janë arritjet, problematikat, pikat dhe sfidat e këtij niveli të arsimit parauniversitar. Për këtë vit ky provim nuk do të zhvillohet ,nuk ka qenë me notë dhe nuk ka lidhje me nxjerrjen e notave përfundimtare të nxënësve të klasës së pestë”, – tha Gjini.

Për sa i përket nxënësve të klasave të 9-ta Gjini u shpreh se “tre provimet kombëtarë, gjuha angleze, gjuha shqipe dhe matematika për klasat e 9-ta nuk do të zhvillohen, por në dëftesat e tyre do të jenë notat e provimeve. Për këtë kemi parë shumë modele të vendeve të ndryshme edhe të Europës edhe të rajonit sesi po veprojnë me provimet kombëtare, sepse ka qenë një çështje për Ministrinë e Arsimit sesi do të veprojmë”.

Sipas saj, notat e provimit do të nxirren duke konsideruar notat e lëndës nga klasa e 6-të deri në klasën e 9-të.

E pyetur nëse do të ketë ndryshim programesh për nxënësit nga klasa e 1-11-të, Gjini tha se “këto klasa deri në 29 maj do ta zhvillojnë mësimin online siç po i zhvillojnë, dhe natyrisht kur të hartojmë planet shkollore për vitin tjetër shkollor shtator 2020-2021 do të kemi parasysh që në periudhën e fillimit të vitit shkollor do të bëjmë një përsëritje dhe do të kalojmë të gjitha temat që nuk janë realizuar apo kanë pasur problematikë”./atsh

Kthim në shkollë vetëm për maturantët/ Gjini: Do të kenë teste vetëm me alternativa Read More »

35 pacientë të shtruar në spitale, asnjë në respirator

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në këtë moment që flasim nuk kemi asnjë pacient në respirator, që është edhe sfida më e vështirë në përballjen me COVID-19”.

Në një komunikim direkt me qytetarët, Kryeministri Rama foli për situatën aktuale të të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri.

“Me shumë rëndësi është që gjithmonë të kujtohemi se e gjithë kjo përpjekje, sakrificë, stres që na ka krijuar një situatë krejt e befasishme në fund të ditës vlerësohet me rezultatin që na jep në vijën e zjarrit, aty ku bëhet edhe përballja e madhe për të mbrojtur jetë të kërcënuara. Në spitalet që janë të përgatitura për të luftuar me këtë armik të padukshëm”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “aktualisht janë 35 pacientë gjithsej në spitale, një numër goxha i ulët krahasuar me kërcënimin potencial”. “Kemi vetëm 7 pacientë në reanimacion dhe asnjë në respirator”, tha Rama. /atsh

35 pacientë të shtruar në spitale, asnjë në respirator Read More »

Nuk do të ketë ulje të pagave dhe pensioneve për asnjë arsye në botë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk do të ketë ulje të pensioneve dhe të pagave.

Në komunikimin live me qytetarët, Rama sqaroi qëndrimi zyrtar, sipas se cilit, nuk do të ketë prekje të pensioneve dhe pagave, përveçse për t’i rritur ato.

“Për sa i përket qëndrimit zyrtar të qeverisë dhe timit, kurrë asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë për arsyet e stërthëna prekje të pensioneve apo të pagave. Përkundrazi, nëse do të preken, do të preken vetëm për t’u rritur. Nuk do të preken për t’u ulur, për asnjë arsye në botë. Shkurt, thjeshtë, copë. Është vërtetë një situatë disi e vështirë kur duhet të përballesh me transformimin e një fjale të thënë diku, në një akuzë që kthehet drejtpërdrejtë kundër qeverisë kundër meje, që paskam një plan të rrezikshëm kriminal për të goditur pensionet dhe rrogat dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër, të paktën unë nuk kam gjetur rrugë tjetër, që të mos i marrin seriozisht dhe të qeshim pak me këta”, – tha Rama. /atsh

Nuk do të ketë ulje të pagave dhe pensioneve për asnjë arsye në botë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 16 raste të reja, shkon në 766 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se nga rezultatet e testimeve në 24 orët e fundit janë konfirmuar 16 raste pozitive me COVID-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në 766.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Eugena Tomini, tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë me mediet se “gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 270 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 16 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë, 1 raste në Shkodër dhe 1 rast në Berat”.

Sipas saj, deri në këto momente janë testuar 8028 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 766 raste.

“Nga 281 pacientët aktivë me COVID19 në vendin tonë vetëm 10 % po trajtohen në dy spitalet COVID ndërsa rreth 90% e tyre janë në vetëizolim me simptoma të lehta ose janë pa simptoma dhe monitorohen në mënyrën sistematike nga mjeku i familjes”, – tha Tomini.

Tomini u shpreh se “deri tani 30 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor”.

“Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Krujë Shkodër dhe Berat”, – shtoi ajo.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive dhe e shërimeve, është si vijon:

Bashkia Të prekur Të shëruar
Tiranë 318 202
Shkodër 108 71
Krujë 102 9
Durrës 42 38
Fier 37 32
Kurbin 31
Korçë 19 18
Elbasan 18 15
Kukës 18 10
Lezhë 14 14
Has 14 12
Kavajë 9 8
Lushnje 7 4
Vlorë 5 4
Pukë 5 4
Mirditë 5 3
Rrogozhinë 4 4
Tropojë 4 4
Berat 4 2
Mallakastër 1 1
Mat 1 /atsh

Ministria e Shëndetësisë: 16 raste të reja, shkon në 766 numri i të prekurve Read More »

24 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit, 455 në total fituan betejën

Gjatë 24 orëve të fundit, 24 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 455.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Eugena Tomini, në komunikimin e drejtpërdrejtë me mediet tha sot se “24 orët e fundit, 24 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve duke e çuar totalin e tyre në 455”.

Sipas saj, pavarësisht luhatjeve të të dhënave ditore situata vazhdon të jetë e kontrolluar.

“Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i pacientëve që kanë pasur nevojë për frymarrje të drejtuar. Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale”, – tha Tomini.

Tomini u shpreh se “këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye”.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./atsh

24 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit, 455 në total fituan betejën Read More »

” 4 faza me periudha 2 javore”/ Manastirliu: Premisë pozitive nga masat e marra, hapje e ngadaltë dhe e kujdesshme

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi sot se “kemi premisa pozitive falë masave që u morën nga qeveria dhe falë përgjigjes dhe reagimit të qytetarëve”.

Në një intervistë televizive, ministrja Manastirliu tha se “ende nuk ka mbaruar jemi në mesin e kësaj lufte, në hapat që po ndërmarrim në mënyrë shumë të kujdesshme , komiteti teknik i ekspertëve është duke i vlerësuar hap pas hapi ka ndërtuar strategjinë e rihapjes që përcakton të gjithë elementët e rëndësishëm në raport me fazat e hapjes”.

“Janë katër faza që parashikon komiteti i ekspertëve, faza të cilat shkojnë në drejtimin e një hapje të ngadaltë e të kujdesshshëm, duke vlerësuar kritere specifike, duke u bazuar në kritere të cilat janë sot kritere universale, pasi e gjithë bota ecën me këto kritere, kurba epidemiologjike, rastet e infektuarve , të fataliteteve dhe në këtë mënyrë ne jemi të sigurt drejt rrugës që ne ndërmarrim, por nga ana tjetër kemi të gjithë ato elementë që na duhen që janë shumë të rëndësishme për të ditur si është situata dhe çfarë vendimesh të marrim, qoftë edhe për t’u kthyer mbrapa sepse në këtë situatë ne duhet të ecim me hapa të sigurt”, – tha Manastirliu.

Sipas saj, hapat e sigurt bazohen vetëm në treguesit, shifrat edhe me të gjithë pjesën që ka të bëjë me situatën epidemiologjike në terren.

“Kjo pastaj na orienton ne drejt fazave të hapjes apo rikthimit mbrapa. 4 fazat e hapjes janë faza që përcaktojnë linjat e një rihapje të kujdesshëm dhe shumë të ngadaltë, por nuk përcaktojnë datat specifike. Ata përcaktojnë një hark kohor të vlerësimit periodik të masave të marra nga hapja e parë dhe se çfarë impakti kanë ato në një periudhë 2 javore. E tillë është edhe hapja që ndodhi këtë javë me hapjen e disa biznese apo krijimin e zonave të gjelbra. Nuk është se po jetojmë pa rregulla, madje dhe në zonat e gjelbra ka rregulla që duhen të respektohen. Që nga dita e hënë qytetarët janë treguar të kujdesshëm, ruajnë distancat kur kalojnë në rrugë, por duhet të jemi të kujdesshëm se asgjë nuk ka kaluar jemi në mes luftës dhe duhet të jetojmë çdo ditë me rregullat që ne i kemi vendosur që ky virus të mos shpërndahet”.

“Nëse do të kemi shpërndarje të virusit do të përballemi me valë të tjera që nuk mund t’i përballojmë dot. Është shumë e rëndësishme të ruajmë distancën sociale dhe higjienën në këtë fazë që ndodhemi në mënyrë që të kemi një panoramë të qartë dhe të plotë të masave por dhe kthimit në normalitetin e ri. Vetëm vaksina është ajo që do të garantojë uljen e transmetimit deri në shuarjen e kësaj epidemia”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “qytetarët në shumicën dërrmuese i kanë respketuar masat dhe është falë faktit që qytetarët kanë treguar rezistencën e nevojshme për të përballuar këtë situatë që ne jemi sot në këtë moment dhe flasim për numra fatalitetesh që në krahasim me vendet e rajonit jemi më mirë përsa i përket numrit të fataliteteve për 1 milion banorë apo nëse flasim për kurbën epidemike , rastet e të prekurve”.

E pyetur në lidhje me vatrat e virusit në fasoneri, Manastirliu tha “është ngritur një task-forcë që monitoron punën në të gjitha fasoneritë e vendit dhe janë marrë edhe masa administrative, disa dhe janë mbyllur aty ku kushtet nuk rezultojnë të duhura për sigurinë e punonjësve. Task-forca po bën një punë në teren dhe një punë të imtësishëm në lidhje me këto vlerësime. Vatrat në një fasoneri është vatër e izoluar duke mos lejuar shpërthimin e epidemisë dhe të mbajmë një kurbë të qëndrueshme”/atsh

” 4 faza me periudha 2 javore”/ Manastirliu: Premisë pozitive nga masat e marra, hapje e ngadaltë dhe e kujdesshme Read More »