Irina

Kërcënimet nga Irani, Rama: Jo posaçërisht të rrezikuar, çdo sulm mbi vendin tonë është sulm mbi NATO-n

“Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe çdo sulm mbi vendin tonë është një sulm mbi NATO-n”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në Vjenë, në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, duke iu përgjigjur pyetjes nga media nëse “është e rrezikuar Shqipëria dhe nëse është gati të përballet në rast të një sulmi kibernetik nga Irani”.

“Ne nuk jemi posaçërisht të rrezikuar pas ngjarjes. Ne e dimë shumë mirë që duke ndërmarrë hapin e përfshirjes në operacionin humanitar të mbrojtjes së jetëve të kërcënuara me vdekje nga regjimi diktatorial i Teheranit kemi marrë përsipër një risk”, – tha Rama.

Rama tha se “jam shumë krenar që ky risk është marrë përsipër në mënyrë bipartizane”. “Në këtë drejtim, politika shqiptare ka një qëndrim dhe e ka bërë këtë hap me një bindje të unifikuar, në funksion të detyrimeve të një aleance strategjike të padiskutueshme dhe të pazëvendësueshme me SHBA-në”, – tha Rama.

Natyrisht, vijoi Rama, “për kë mund ta ketë imagjinuar përfshirjen tonë në NATO, si një moment thjesht celebrimi për një status të ri të vendit, dhe jo si një moment angazhimesh në një aleancë që përballet edhe me risqe, duhet të rikonceptojë atë që ka menduar”.

“Jetojmë në një botë ku përballemi me rreziqe, armiq të lirisë, të demokracisë. Jemi shumë krenarë që jemi të dobishëm në mbështetje të një aleance që lufton për një botë më të mirë”, – tha Rama. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/478486443074039/?t=0

Kërcënimet nga Irani, Rama: Jo posaçërisht të rrezikuar, çdo sulm mbi vendin tonë është sulm mbi NATO-n Read More »

“Vizita ime e parë pas marrjes së Kryesisë së OSBE-së, në Ukrainë”, Rama: Fuqimisht i angazhuar që kriza mos të përshkallëzohet më tutje

“Nuk jam këtu të krijoj probleme, por që të zgjidh probleme”, – deklaroi sot nga Vjena Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger.

I pyetur mbi krizën në Ukrainë, Kryeministri Rama deklaroi se si kryesues i OSBE-së, do të punojë që kjo krizë mes dy vendeve të mos thellohet.

“Dua të theksoj atë që thashë në hyrje të kësaj konference shtypi, që si kryesues i OSBE-së unë nuk dua të shpreh qëndrime, pikëpamje e mendime të cilat mund të jenë të natyrshme kur flas si kryeministër i Shqipërisë dhe në emër të qeverisë shqiptare, por në këtë pozitë që jam, si kryesues i OSBE-së, kjo nuk është e mundur”, – tha Rama.

Ai shtoi se “si kryetar i OSBE-së, bashkë me Sekretarin dhe gjithë të tjerët, detyra ime është të nxis sa më shumë të jem e mundur që të kemi dialog dhe mënyrën si do ecim para që të garantojmë paqe”.

“Është e qartë që kriza në Ukrainë dhe rreth saj është një sfidë mjaft e madhe sigurie në Europë. Prioriteti ynë bazë është të mbështesim punën e Misionit, të punojmë me Përfaqësuesin Special që sapo u caktua, dhe në të njëjtën kohë të jemi sa më të dobishëm që të jetë e mundur që të dyja palët të afrohen drejt një konkluzioni pozitiv. Të gjithë e dimë që kështu duhet të jetë. Nuk është pa arsye që kam vendosur të bëjë vizitën time të parë në Ukrainë. Jam fuqimisht i angazhuar për të bërë më të mirën time që kjo krizë që ka vazhduar për më shumë se 6 vjet mos të përshkallëzohet më tutje dhe nga tjetër të vazhdojë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Minskut, atë kemi si bazë dhe është njohur gjithashtu si e tillë nga të dyja palët”, – tha Rama.

I pyetur se përse nuk përmendi Krimenë, Rama tha se “e kam thënë dhe e përsëris edhe një herë, që ne duhet të shikojmë të gjitha mënyrat e mundshme që të sjellim të gjitha palët afër njëra-tjetrës”.

“Si qeveri dhe si Shqipëri ne kemi qenë të hapur për çështjen e pyetjes, por si kryesues i OSBE-së nuk dua të jem kaq i hapur, sepse nuk do të kisha rezultatet e duhura, se si kjo organizatë me 57 anëtarë, me ide të ndryshme të arrijë një konkluzion më të shpejtë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Nuk jam këtu të krijoj probleme, por që të zgjidh probleme”, – tha Rama.

Duke folur për prioritetet, Rama tha se “sfida jonë është të fokusohemi tek parimet elementare, bazike”.

“Nuk kemi marrë drejtimin e OSBE-së për të rishpikur botën, as për të rishpikur OSBE-në, por duke studiuar dhe duke analizuar me shumë përkushtim të shkuarën në funksion të marrjes së drejtimit të OSBE-së kemi konkluduar që mbase jemi të vlefshëm si një vlerë e shtuar, duke iu referuar parimeve elementare që janë në themelet e OSBE-së. Kjo do të thotë që jo thjesht të mjaftohemi me këto parime si fjalë kyçe që i përdorin të gjitha vendet anëtare, as si pika të përbashkëta referimi parimore, por si objektiva që çdo anëtar duhet nxitur t’i implementojë në jetën e përditshme”, – tha Rama.

Nga ana tjetër, ai tha se “është sfida jonë në këtë rast, jo e OSBE-së, por e jona, që t’i japim drejtimit tonë një profil sa më respektues për të gjithë”.

“Sapo dola nga një seancë me ndjenjë inkurajimi nga fjalët që u thanë. Sepse është legjitime të them që disa anëtarë dhe mund të kenë qenë pak skeptikë, kanë shprehur skepticizëm për faktin se sa të gatshëm jemi ne për të përballuar këto detyra me përgjegjësi”, tha Rama.

Ai shtoi se “kjo është një ditë historike për Shqipërinë, pasi është dita e parë në historinë e saj që ka një rol në skenën ndërkombëtare”. “Për çdo shqiptar që e di rrugën e gjatë që na duhej të arrinim deri këtu kjo është një arsye që ne të jemi krenar. Sot përcaktuam prioritetet tona për vitin në vazhdim. Theksuam vendosmërinë për t’u përqendruar në parimet themelore. Ne nuk do të shikojmë që të rishpikim botën, apo ndonjë gjë të re në lidhje me këtë organizatë, por të sigurohemi që gjatë këtij viti parimet themelore, baza do të ngelen ashtu siç janë dhe nuk do të prishen nga disa erëra që janë mjaft rrezikuese në botën ku jetojmë”, shtoi ai.

“Moszbatimi i parimeve kryesore bazë të Helsinkit dëmton integritetin e vetë OSBE-së, sepse mund të dobësojë demokracitë dhe mund të sjellë rreziqe të papranueshme për qytetarët. Pika e tretë është të ndërtojmë stabilitet përmes dialogut”, tha Rama. /atsh

“Vizita ime e parë pas marrjes së Kryesisë së OSBE-së, në Ukrainë”, Rama: Fuqimisht i angazhuar që kriza mos të përshkallëzohet më tutje Read More »

Trupat elitë të kursit XV komando, stërvitje në Alpe

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha sot se efektivët komando po stërviten në terrene alpine para se të bëhen pjesë e elitës së Forcave të Armatosura.

Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka ka përzgjedhur si foto të ditës një nga komandot elitë të FA.

“Foto e ditës. Efektivët e Kursit XV Komando po stërviten për terrene alpine përpara se të bëhen pjesë e njësisë elitë të FA”, shprehet ajo.

Kursi Komando XV janë trupat elitare të Forcave të Armatosura që stërviten çdo ditë.
Në këtë kurs marrin pjesë të gjitha forcat e FA dhe jo vetëm nga ato tokësore, duke rritur cilësinë dhe sfidën për të qenë pjesë e njësisë elitë.

Misioni i kursit komando është të transformojë ushtarakët që përzgjidhen të jenë pjesë e kursit komando, nga një ushtarak konvencional, në një ushtarak të përgatitur dhe të aftë për të vepruar në çdo situatë, në kushte të vështira moti dhe terreni në interes të misionit të batalionit.

Risi për kursin XV komando është pjesëmarrja e efektivëve nga repartet e tjera të FA, gjë që rrit interesin për t’u bërë pjesëtar i këtij batalioni elitë. /atsh

Trupat elitë të kursit XV komando, stërvitje në Alpe Read More »

Programi IPARD II nuk ka si kriter kufizimin e moshës

Programi IPARD II, që mbështet me grante fermerët apo sipërmarrësit që investojnë në sektorin rural, nuk ka si kriter kufizimin e moshës.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) shpjegon se në programin IPARD II, mund të aplikojnë të rinj e të reja, mbi 18 vjeç e deri tek personat në moshë pensioni.

Ajo që kërkohet me domosdoshmëri, citon AZHBR-ja, është fakti që “çdo projekt duhet të analizohet në lidhje me standardet kombëtare dhe ato europiane, që duhet të plotësojë sipas rastit, në përfundim të investimit”.

Nëse investimi/legjislacioni kërkon, ose jo plotësimin e standardeve, janë Trupat Teknike, të cilët do ta konfirmojnë. Para dorëzimit të aplikimit në Agjencinë IPARD, çdo projekt duhet të analizohet në lidhje me standardet minimale kombëtare, që do të arrihen
nga ndërmarrja në fund të investimit, thekson AZHBR.

Norma bazë e përfitimit të grantit nga Masa 1 është 60%, për Fermerët e Rinj është 65% dhe për Zonat malore 70%. /atsh

Programi IPARD II nuk ka si kriter kufizimin e moshës Read More »

Prodhuesit shqiptarë të fruta-perimeve në Panairin e Selanikut

Fermerët shqiptarë i shohin panairet ndërkombëtare si mundësi për gjetjen e tregjeve të reja për eksport të produkteve tona.

Prodhuesit shqiptarë të fruta-perimeve, kanë rritur interesin në promovimin e prodhimeve bujqësore “Made in Albania” në Panairi Ndërkombëtar “FRESKON Trade Show”, që zhvillohet nga data 2 deri 4 prill 2020, në Selanik, Greqi.

Ky është edicioni i 6-të i panairit “FRESKON Trade Show”, event që ka si fokus parësor promovimin e produkteve të frutave dhe perimeve të freskëta, ku kompanitë pjesëmarrëse do të ekspozojnë produktet e tyre në panair. Në të njëjtën kohë, panairi do të presë ekspozues ndërkombëtarë që paraqesin teknologjinë më të fundit të frutave, perimeve, logjistikës, makinerive dhe materialeve të paketimit.

FRESKON është një mjet kryesor për rritjen e tregtisë së ndërmarrjeve të frutave dhe perimeve të freskëta, në rajon e më gjerë, drejt tregut global.

Gjatë ngjarjes, ekspozuesit do të takohen me përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtarë, bizneset tregtare dhe rrjetet e kompanive shpërndarëse. Pjesëmarrësit në panair do të kenë mundësi jo vetëm të promovojnë produktet e tyre, por dhe të zgjerojnë kontaktet, vendosin partneritete të reja, diversifikojnë tregjet dhe shkëmbejnë përvojat./atsh

Prodhuesit shqiptarë të fruta-perimeve në Panairin e Selanikut Read More »

Përfundon takimi Mustafa-Kurti, bien dakord për t’u takuar sërish

Ka përfunduar takimi rreth dy orësh në mes të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku mësohet se kanë rënë dakord për të vazhduar takimet.

Kurti dhe Mustafa kanë dal nga ndërtesa e Kuvendit ku është zhvilluar takimi dhe asnjëri nuk kanë folur për media.

Para takimit, Mustafa ka thënë se po mundohen ta bëjnë marrëveshjen.

Bashkë me Mustafën, ishte edhe Vjosa Osmani e Agim Veliu, ndërsa, më pas në ndërtesën e Kuvendit ka hyrë edhe Lutfi Haziri.

Kurse, nga VV ka hyrë Albin Kurti dhe Besnik Bislimi. Megjithatë, nuk dihet nëse në takim kanë qenë vetëm Kurti e Mustafa, apo edhe përfaqësuesit e tjetër të dy subjekteve politike.

Gjatë ditës Kurti ka thënë se ende nuk ka marrëveshje dhe se ajo nuk varet vetëm nga ai./KosovaPress/

Përfundon takimi Mustafa-Kurti, bien dakord për t’u takuar sërish Read More »

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit/ 733 inspektime në rang vendi gjatë festave të fundvitit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të festave të fundvitit, për garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorin, bazuar në Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm intensifikoi inspektimet duke kryer 733 inspektime në rang vendi, jashtë inspektimeve të planifikuara.

Sipas njoftimit të AKU thuhet se, “trupat inspektuese të AKU-së, kishin në fokus të kontrollit të tyre të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, të cilët prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore si restorante, fast-food-e, pastiçeri, njësi tregtimi të produkteve të mishit dhe nënprodukteve të tij, në tregje të hapura të fruta-perimeve, magazina frigoriferike të produkteve të importuara si dhe stabilimente prodhimi, me qëllim verifikimin e përmbushjes së kritereve të legjislacionit në fuqi”.

“Gjatë këtyre 733 inspektimeve të kryera nga trupat inspektuese ndaj 322 Operatorëve të Biznesit Ushqimor, të cilët kishin shkelje të lehta që nuk cenonin sigurinë ushqimore të konsumatorit, janë marrë masa administrative me ‘Paralajmërim’”, vijon njoftimi.

“Janë marrë masa administrative “Gjobë” në 6 OBU, të cilëve iu konstatuan produkte me afat të tejkaluar konsumi në sasinë 0,08 ton që u asgjësuan, kryesisht lëngje frutash. Janë marrë 56 mostra për analizim veçanërisht në produktet e lëndëve të para. Siguria Ushqimore, sfida jonë e përbashkët”, nënvizon AKU. /atsh

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit/ 733 inspektime në rang vendi gjatë festave të fundvitit Read More »

Shqipëria merr kryesimin e OSBE/ Zv.ministri Tare: Historike, në fokus dialogu dhe gjithëpërfshirja

Marrja e Presidencës së OSBE nga vendi ynë është një ngjarje historike që konfirmon se Shqipëria i ka kapacitetet për ta realizuar një mision të tillë.

Agron Tare, zv.ministër për Europën dhe Punët e Jashtme tha se në fokus të Shqipërisë si drejtuese e OSBE do të jetë dialogu. “Shqipëria si kryetare e radhës e OSBE do të synojë dialogun dhe gjithëpërfshirjen e 56 vendeve pjesëtare të OSBE. Siç e tha dhe Kryeministri, fokusi ynë do të jetë për zbatimin e angazhimeve të gjithë bashkë”, – tha Tare.

“Në fokus do të jetë dhe axhenda e OSBE, së pari, dimensioni politiko-ushtarak, ku siç tha dhe vetë Kryeministri, vizita e parë do të jetë në Ukrainë, pasi atje është dhe konflikti më i nxehtë sot në Europë”, – vijoi ai.

Sipas Tares, vendi ynë do ketë një rol të rëndësishëm për të drejtat e grave. “Duke qenë se edhe vetë Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë bërë hapa para dhe do forcojmë rolin e gruas në këtë dimension. Këtë vit zgjidhen dhe katër figurat kryesore të Sekretariatit dhe 8 nga 16 misionet për Europën në këtë organizatë, dhe Shqipëria do gjejë konsensusin për këto emërime dhe sot Kryeministri ka bërë thirrje për të paraqitur kandidatura femra”, – tha Tare.

“Marrja e Presidencës është historike dhe i jep Kryeministrit në funksionin e Ministrit të Jashtëm dhe funksionin e drejtuesit të OSBE, duke i dhënë një karakter dydimensional. Besimi që iu dha vendit tonë konfirmon se Shqipëria i ka kapacitetet për të drejtuar këtë organizatë. Paralelizmit mes politikës së brendshme dhe presidencës së Shqipërisë janë dy çështje të ndara, pasi Kryeministri në rolin e kryetarit të radhës së OSBE do ketë deklarata sipas axhendës politike që ndjek OSBE dhe që është në vijimësi”, – tha Tare.

“Takimi me Presidentin Putin? Edhe këtu ribiem në kuadrin dydimensional të aktivitetit të Kryeministrit Rama si kryetar i OSBE, dhe vizita në Rusi do të jetë në këtë prizëm dhe kjo normalisht forcon edhe marrëdhëniet bilaterale mes të tjerash”, – tha Tare.

“Shqipëria si kryetare e radhës së OSBE do të përfitojë një përvojë të madhe për dialogun, bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen. Këtë përvojë do ta ketë dhe në aspektin e Shengenit Rajonal, por këto janë dy axhenda që nuk kanë pika të përbashkëta”, – përfundoi zv.ministri i Jashtëm, Agron Tare. /atsh

Shqipëria merr kryesimin e OSBE/ Zv.ministri Tare: Historike, në fokus dialogu dhe gjithëpërfshirja Read More »