Irina

Ambasadorja Kim vlerëson Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim gjatë ceremonisë së dhënies së medaljeve për Shefen e Zyrës Rajonale të Sigurisë së Ambasadës Janet Meyer dhe ARSO-I Antonio Zamudio, vlerësoi punë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara vijojnë të gëzojnë një marrëdhënie të ngushtë me qeverinë e Shqipërisë, veçanërisht me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. Dua të vlerësoj Policinë e Shtetit shqiptar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj prioriteteve të përbashkëta të sigurisë amerikano-shqiptare dhe veçanërisht, për punën e tyre me Zyrën Rajonale të Sigurisë në mbajtjen të mbrojtur dhe të sigurt të Ambasadës sonë”, tha Kim.

Ambasadorja theksoi ndër të tjera se mirëpritet një bashkëpunim akoma më të ngushtë mes këtyre dy strukturave të rendit.

“Ne mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe unë ju nxis që të vazhdoni luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri”, tha Kim./atsh

Ambasadorja Kim vlerëson Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit Read More »

Liqeni i Komanit, pjesë e vyer e mozaikut të turizmit natyror shqiptar

Liqeni i Komanit është kthyer tashmë në një destinacion turistik për vizitorë vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot mirëmëngjesi me pamjen e këtij liqeni i cili është njëri ndër vendet më të bukura dhe që më së shumti i’a vlen të vizitohen në Shqipëri, për ujërat dhe natyrën e veçantë.

“Mirëmëngjes me këtë lundrim të freskët në liqenin e Komanit, një pjesë e vyer e mozaikut të turizmit natyror shqiptar, ju uroj një të dielë të paqtë”, shprehet Rama.

I ndërtuar fillimisht si liqen artificial për furnizimin me ujë të hidrocentralit të Komanit, ai në vitin 2000 filloi të përdorej edhe për udhëtime ujore nga njëri vend në tjetrin, për të lidhur qytetin e Bajram Currit, Gjakovën me pjesën tjetër të vendit. Më vonë, liqeni i Komanit ka filluar të nxisë edhe kureshtjen e vizitorëve turistik vendas e të huaj, pikërisht për faktin e bukurive natyrore dhe monumenteve të natyrës e historisë që gjenden në shtrirjen e brigjeve të tij. Përgjatë tërë liqenit, nga Fierza e deri në Koman, në një udhëtim që zgjatë më pak se tre orë, vizitorët mund të mahniten me pamjet që ofrohen. Udhëtimi me traget apo me ndonjë barkë më të vogël ofron kënaqësi të pa përshkruar, ndërsa atraksion në vete janë fshatrat e kësaj zone dhe grykat e disa lumenjve që derdhen në liqen.

Lëvizjet turistike nëpër ujërat e Liqenit të Komanit vazhdojnë përgjatë gjithë vitit, por sezoni i vërtetë turistik fillon nga maji deri në shtator, periudhë kur edhe klima është e përshtatshme. Për eksploratorët e natyrës dhe të historisë së zonës, të kulturës dhe të zakoneve, shfrytëzohen për fjetje e strehim bujtinat e rralla të fshatrave buzë liqenit./atsh

Liqeni i Komanit, pjesë e vyer e mozaikut të turizmit natyror shqiptar Read More »

Klosi: Me ligjin e ri të pyjeve, Bashkitë janë pronarë legalë të tyre

“Me ligjin e ri të pyjeve, Bashkitë janë pronarë legalë të tyre”, deklaroi sot ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi.

Në një takim me krerët e bashkive të Prefekturës, Berat ku u diskutua mbi ligjin e ri të pyjeve, Klosi tha se, “ligji i ri i pyjeve, miratuar së fundmi i ndan pyjet në kombëtar, të cilët janë në Zonat e Mbrojtura dhe administrohen nga AKZM dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ndërsa zonat e tjera pyjore jashtë Zonave të Mbrojtura do të administrohen nga Bashkitë dhe njësitë vendore të saj.

“Kjo do të thotë që nga pyjet, të cilat janë në proces regjistrimi kadastral, pasi t’i kalojnë si pasuri pushtetit vendor dhe komunitetit të vilen dhe të ardhura dytësore prej tyre”, tha ai.

“Tashmë me ligjin e ri Bashkitë jo vetëm janë pronarë legalë të pyjeve, por janë dhe përfitues të drejtëpërdrejtë të të ardhurave që mblidhen nga ky aktivitetet, por fatkeqësisht vazhdojmë ti pranojmë pyjet shqiptare si I vetmi burim dhe e vetmja e mirë që na vjen prej tyre janë drutë e zjarrit”, shtoi Klosi.

“Ndërkohë, që në shekullin që jetojmë në 10 vjeçarin 2020/2030, ne duam ta shpallim si një 10 vjeçar që shkon shumë më shumë drejt një ekonomie të gjelbër në vendin tonë. Pyjet nuk duhet të jenë një hambar i madh i druve të zjarrit, drutë duhet të jenë një pasuri kombëtare”, tha ministri Klosi.

“Ne po zhvillojmë një turizëm i cili bazën e ka tek turizmi i natyrës. Kjo do të thotë që kjo pasuri e madhe kombëtare duhet të shfrytëzohet nga komuniteti, apo bizneset në përputhje me ligjet e natyrës, duke e mbrojtur atë”, theksoi ai.

“Pylli është një pasuri e madhe për të prodhuar para, për të prodhuar punësim, për të prodhuar ekonomi”, theksoi Klosi duke rreshtuar disa arsye në favor të pushtetit vendor që do të marrë në administrim këto pyje, si fushata “Clean and Green 2020”, që arriti të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemë.

“Vënia para përgjegjësisë të bizneseve, për të zhdëmtuar dëmin mjedisor, duke bërë pyllëzime, moratoriumi i pyjeve ka dhënë efektet e veta pozitive, pasi nuk ka më prerje të pyjeve masive siç ka ndodhur vite më parë në pyje, duke i lënë kohë rigjenerimit të tij, si dhe krijimi i një tregu të mirë të bimëve medicinale, mbrojtja dhe studimi i bimëve endemike, të rralla në vendin tonë, etj”, tha Klosi./atsh

Klosi: Me ligjin e ri të pyjeve, Bashkitë janë pronarë legalë të tyre Read More »

Rikualifikim i fshatrave të jugut/ Impakt i menjëhershëm në turizëm

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video ku tregohet transformimi rrënjësor që kanë pësuar fshatrat turistikë të jugut.

“Mirëmëngjes dhe me fshatin e nonës dhe të nënës time ju uroj një fundjavë plot dritë si dashuria e gjysheve e mëmave tona”, është shprehur kryeministri Rama.

“Rikualifikim i fshatrave të jugut. Impakt i menjëhershëm në turizëm. Mirësevini në Vuno aty ku urtësia e të parëve, kalldrëmi qindra vjeçar dhe shtëpitë dhe shtëpitë kurorë rrëfejnë historikun e zonës”, thekson Kryeministri.

“Në mbrojtje të identitetit rinovuam qendrën historike Vuno, fasadat shtëpive, çatitë, rrjetin inxhinierik nëntokësor, kalldrëmin. Në bashkëpunim me bankën e Këshilli të Europës dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës i dhamë jetë modelit të ri të fshatrave turistikë bregdetarë. Përmirësuam infrastrukturën e integruar publike. Sollëm uniformitet estetik. Ruajtëm trashëgiminë kulturore dhe historike, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik, ofertën turistike dhe ndërmarrjen e sipërmarrjeve të reja. Përmirësuam ambientet që ofrojnë shërbimin bazë. Punuam për rigjenerimin e sheshit dhe mobilimin urban. Për promovimin e denjë të objekteve turistike”, shprehet Rama për investimet e realizuara në Vuno.

“U habita nga bukuria, karakteri dhe pastërtia”, është shprehur Edward Lear për bukurinë e fshatrave të jugut./atsh

Rikualifikim i fshatrave të jugut/ Impakt i menjëhershëm në turizëm Read More »

“Një bukuri që se ke parë kurrë”/Braçe ftesë për të vizituar Belshin

Zëvendëskryeministri Erion Braçe fton qytetarët të vizitojnë Belshin në fundjavë, pasi ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore, liqene, pyje, ajër të pastër, bujtina dhe ushqim tradicionale, e një ditë më pas Divjakën perlën e turizmit në Shqipëri.

“Sot shkoni në Belsh. Nuk e dini ç’është. Akoma më mirë. U bezdise tani se je nisur rrugës për në Palasë ku çantat e vogla nën sqetull apo varur djagonalisht kanë nisur paradën. Kthehu! Ke qenë në Palasë e ke parë e ke paguar thjesht për të qenë. Diell ka kudo. Belshi është vetëm 56 minuta larg nga Tirana, kaq pak. Është një bukuri që se ke parë kurrë, s’ke ditur, s’ke mundur, s’ke dashur. Po e ke humbur ama”, shprehet Braçe.

Nëpërmjet një video, Braçe sjellë bukuritë e Belshit, nga më të bukurat në vend.

“Nuk ndodh kund në këtë vend që të gjesh bashkë kaq shume liqene natyrore, pyje rreth e rrotull tyre, ajër të pastër e gjelbërim natyral apo edhe të kultivuar prej njerëzish punëtore në çdo centimetër. Histori e kulturë, qytetërim të lashte do gjesh gjithashtu; Sport uji e tokë, plazh në ujëra të pastra natyrale, patjetër; Bujtina të vogla mikpritëse, ushqim biologjik që prodhohet nga tokat me të kultivuara natyralisht në mes te Shqipërisë. Bej Belshin sot dhe nesër patjetër Divjakën”, shprehet ai.

Po ashtu Braçe shton se “jemi bashkë në dhe shumë afër njeri-tjetrit, plotësojmë bukuritë, katalog mirësish”./atsh

“Një bukuri që se ke parë kurrë”/Braçe ftesë për të vizituar Belshin Read More »

Ambasadorja e Greqisë në Korçë: Zgjerimi bashkëpunimit ndërkufitar për nxitjen e turizmit

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Sofia Philippidou vizitoi të premten qytetin e Korçës, ku u prit nga kryetari i bashkisë Sotiraq Filo.
Bashkëpunimi ndërkufitar, ekonomik, kulturor dhe turistik me shtetin fqinj, ishin në qendër të bashkëbisedimit.
Kryetari i Bashkisë së Korçës Filo, bëri një panoramë mbi investimet që janë rritur ndjeshëm vitet e fundit në këtë qytet, veçanërisht në sektorin e turizmit, bujqësisë, përpunimit të produkteve bujqësore etj.
Ai vlerësoi zhvillimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë duke shprehur përkrahjen e tij për zhvillimin e bashkëpunimit midis ndërmarrjeve vendëse e palës greke.
Ambasadorja nga ana e saj, vlerësoi Korçën si një qytet të pasur me trashëgimi kulturore dhe atraksione turistike, të cilat e bëjnë një nga qytetet më të dashura për tu vizituar në Shqipëri. /atsh

Ambasadorja e Greqisë në Korçë: Zgjerimi bashkëpunimit ndërkufitar për nxitjen e turizmit Read More »

“Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore do ta votojmë në parlament”/ Balla: Listat e hapura nuk janë tabu

Duke respektuar një për një masat mbrojtëse antiCOVID, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla vijoi në qarkun e Tiranës me Këshillin Koordinativ të Partisë Socialiste me fokus në planin organizativ, në thellimin e barazisë gjinore, përfshirjen e të rinjve për zgjedhjet e prill-majit 2021.

Ndërsa shprehu besimin se zgjedhjet e ardhshme do t’u japin socialistëve një mandat të tretë qeverisës, Balla tha se “marrëveshja me opozitën joparlamentare mbi Kodin Zgjedhor, është një marrëveshje që ka krijuar kushtet pozitive në raport me klimën politike dhe ne do ta votojmë atë në Kuvend.

Marrëveshja është marrëveshje dhe ne do ta respektojmë, duke vlerësuar edhe angazhimin, plus mundimin e partnerëve tanë. Partia Socialiste gjithmonë i ka respektuar marrëveshjet, edhe pse kjo ishte një marrëveshje për të mos ndryshuar asgjë nga mënyra e administrimit të zgjedhjeve. Opozita jashtëparlamentare ndërkohë duhet të heqë dorë nga fyerjet ndaj deputetëve të listave të tyre të mbyllura në Kuvend dhe gjithashtu ta harrojnë se mund t’i imponojnë Kuvendit se çfarë do diskutohet në seancë, apo në komisione”.

Lidhur me propozimet e opozitës parlamentare për sistemin zgjedhor, Balla u shpreh se “si kusht për të arritur me ta një mirëkuptim, për të votuar, kjo është temë tjetër. Është fakt që shumica dërrmuese e shqiptarëve as nuk e pëlqejnë marrëveshjen për Kodin dhe, as nuk i duan listat e mbyllura. Hapja e listave për ne nuk është aspak tabu. Prandaj ne do të ulemi me opozitën parlamentare për të diskutuar mbi këtë çështje”./atsh

“Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore do ta votojmë në parlament”/ Balla: Listat e hapura nuk janë tabu Read More »

Aktakuzat ndaj Thaçit e Veselit/ Meta: Strategji e gabuar dhe tepër provokative që kërkon të mbajë peng rajonin

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish- kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Në një konferencë për mediet në selinë e Presidencës, Meta shprehu solidaritetin edhe si President i Republikës por dhe si mik, shok me presidentin e Kosovës dhe por dhe kryetarin e PDK-së Vesili. “Jam i sigurt që do ta përballojnë me dinjitet dhe përgjegjësi këtë moment duke bërë dhe një shërbim tjetër për të konfirmuar drejtësinë e luftës së UÇK-së, por dhe për të rrëzuar këtë strategji të gabuar dhe tepër provokative që kërkon të mbajë peng rajonin tonë dhe të ngadalësojë proceset e integrimit evropian dhe mundësisht të minojë ato të integrimit euroatlantik”, u shpreh Meta.

Meta tha se natyrisht ky është një zhvillim sfidues i cili absolutisht do të përballet me shumë urtësi, dinjitet dhe largpamësi nga jo vetëm këto dy personalitete. “Kjo nuk është një sfidë në planin e tyre individual apo institucional por kjo do të përballohet me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri jashtë kalkulimeve afatshkurtra nga e gjithë klasa politike në Kosovës”, u shpreh Meta.

“Nuk është hera e parë që ndaj udhëheqësve të UÇK-së kemi aktakuza. Të gjithë kemi eksperiencën e 20 viteve ku pala e humbur, pala që shkaktoi luftën, genocidin ishte dhe përgjegjëse për vetë krijimin e UÇK-së, si e vetmja rrugë për të fituar lirinë dhe dinjitetin njerëzor dhe për t’i shpëtuar ekstreminimit nga populli i Kosovës, e ka kthyer në një strategjinë të sajën njollosjen e UÇK-së, por jo thjesht dhe vetëm kaq por dhe dëmtimin e funksionimit të shteti të Kosovës, pavarësia e së cilës është jo vetëm e njohur e konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë prej shumë kohësh por edhe njëkohësisht ka treguar se është një faktor stabiliteti në rajonin në të cilin jetojmë”, tha Meta. /atsh

Aktakuzat ndaj Thaçit e Veselit/ Meta: Strategji e gabuar dhe tepër provokative që kërkon të mbajë peng rajonin Read More »