Irina

Makarona me djathë në furrë

Këtë recetë mund ta përgatisim atëherë kur kemi vetëm 1 orë në dispozicion për të ngrënë dhe duam të hamë dicka të shijshme.

Përbërësit që na nevojiten janë:

Makarona

200ml ajkë kosi

200ml ajkë qumështi

200gr djathë kackavall

Kripë

Piper i zi

Vaj ulliri

Mënyra e përgatitjes:

Së pari vëmë tenxheren me ujë dhe kripë të vlojë. Sapo të vlojë hedhim makaronat dhe i ziejmë komplet. Ndërkohë lëshojmë furrën.

Kur makaronat ti kemi gati, i kullojmë dhe i kthejmë përsëri në tenxhere, ku shtojmë vaj ulliri dhe përziejmë. Në tenxhere poashtu shtojmë ajkën e kosit, ajkën e qumështit dhe djathin kackavall si dhe piperin e zi.

Përziejmë mirë dhe masën e hedhim në tavë të lyer me gjalpë. E fusim në furrë derisa shohim që sipër ka marrë ngjyrë ari dhe djathi ka filluar të shkrihet.

Makarona me djathë në furrë Read More »

Mëngjesi me të vërtetë është ushqimi më i rëndësishëm i ditës!

Mëngjesi pothuajse është pjesa/vakti më i/e rëndesishme për të pasur një ditë sa më energjike. Është si një lloj karburanti për trupin dhe mendjen, pas një gjumi të mirë ku trupi ka tretur ushqimin.

Përveç sigurimit me energji, të ushqyerit në mëngjes është burim i mirë i vitaminave të nevojshme si: kalciumi, hekuri, vitamina B, fibrat dhe proteinat. Të gjitha këto lënde ushqyese janë esenciale për shëndetin tonë dhe hulumtime të ndryshme tregojnë se nëse këto vitamina nuk konsumohen gjatë mëngjesit, gjasa që të kompenzohen gjatë ditës është e vogël. Kjo është njëra nga arsyet pse vezët preferohen të konsumohen në mëngjes. Vezët përpos që kanë vitaminat e nevojshme për trupin tonë, janë edhe burim i pastër i proteinave. Studimet tregojnë se njerëzit që hanë vezë për mëngjes, kanë më shumë gjasa të humbin peshë sesa ata që hanë kifle.

Vlen të ceket se ata që hanë mëngjes kanë më pak gjasa të kenë mbipeshë dhe kanë më shumë gjasa t’a mbajnë vijën e trupit, se ata që nuk e hanë, sepse personat që nuk e hanë mëngjesin, kanë tendencë që gjatë ditës të konsumojnë ushqim me yndyrë dhe sheqerna të lartë.

Mëngjesi gjithashtu rikthen nivelet e glukozës që është shpenzuar gjatë natës, një karbohidrat thelbësor që i nevojitet trurit të funksionojë. Studime të ndryshme tregojnë se konsumimi i mëngjesit, ndihmon në zhvillimin e memories dhe rrit nivelet e koncentrimit, gjithashtu ndikon në zvogëlimin e stresit dhe na bën më të lumtur.

Mëngjesi është një rast i shkëlqyer për të ngrënë së bashku si familje kur është e mundur. Vendosja e zakoneve të mira të mëngjesit në fëmijëri dhe mbajtja e tyre gjatë adoleshencës mund të jetë një faktor i rëndësishëm në zvogëlimin e mënjanimit të mëngjesit duke zhvilluar shprehi të mira ushqimore që zgjasin një jetë.

Pra, mëngjesi me të vërtetë është ushqimi më i rëndësishëm i ditës!

Mëngjesi me të vërtetë është ushqimi më i rëndësishëm i ditës! Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 0800 40 40 linjë e dedikuar këshilluese, shmangni numrin unik 127 përveç rasteve që lidhen me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikon linjën e gjelbër falas, 0800 40 40 për të gjithë qytetarët që kërkojnë informacione që nuk lidhen me infeksionin COVID-19.

“Linja 0800 40 40 do të jetë në dispozicion të qytetarëve që duan të dinë se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim, si të lidhen me mjekun e familjes, por edhe për këshilla se si duhet të sillemi gjatë periudhës së qarkullimit të COVID-19”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ministria bën të ditur se 0800 40 40 do të jetë linjë e dedikuar këshilluese, ndërsa numri unik 127 i Urgjencës Kombëtare do të shërbejë për urgjencat, edhe për ato që lidhen me COVID-19. Urgjencat për sëmundjet, përfshi edhe COVID-19 do të vijojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127./atsh

Ministria e Shëndetësisë: 0800 40 40 linjë e dedikuar këshilluese, shmangni numrin unik 127 përveç rasteve që lidhen me COVID-19 Read More »

Vlorë, Leli për ATSH-në: 1800 familje po mbështeten me pako ushqimore e medikamente

Bashkia e Vlorës po vijon pa ndërprerje operacionin humanitar për mbështetjen e pensionistëve të vetmuar dhe familjeve në nevojë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për ATSH-në deklaroi se janë 1800 familje në nevojë në bashkinë që ai drejton, që janë mbështetur me pako ushqimore.

1500 familje, tha ai, janë identifikuar se kanë nevojë për tu ndihmuar bazuar në kriteret e vendosura në vendimet e qeverisë të nxjerra përmes Akteve Normative.

Ndërsa 300 familje të tjera që kanë kërkuar ndihmë janë mbështetur me pako ushqimore nga vet kreu i bashkisë si dhe qytetarë të Vlorës, të cilët janë solidarizuar në këtë situatë.

Leli tha se janë 80 punonjës të strukturave të bashkisë si dhe 20 vullnetarë çdo ditë në terren, në mbështetje të kujtdo që ka nevojë.

Po ashtu, ai bëri të ditur se po ndihmohen edhe pensionistët e vetmuar dhe ata që kanë kërkuar ndihmë, duke u dërguar pensionin në banesë, duke kryer pazarin, ose duke u siguruar medikamentet e nevojshme.

“Kushdo ka nevojë të telefonojë në numrin e vënë në dispozicion nga Bashkia dhe do të asistohet menjëherë nga stafi ynë“, bëri të ditur Leli./atsh

Vlorë, Leli për ATSH-në: 1800 familje po mbështeten me pako ushqimore e medikamente Read More »

22 553 qytetarë kanë aplikuar në “e-Albania” për të marrë lejedalje

22 553 qytetarë kanë bërë aplikimin në “e-Albania” për të marrë lejen e daljes për të realizuar pazarin, në kuadër të masave të marra nga qeveria për të minimizuar përhapjen e COVID-19.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karcanaj, ka bërë të ditur të dielën, se aplikantët kanë marrë miratimin e lejes menjëherë. Dalja do të realizohet brenda orarit të lejuar 05:00-13:00, duke nisur nga e hëna dhe leja është e vlefshme vetëm për një orë.

“Deri tani 22 mijë e 553 qytetarë kanë bërë aplikimin në ‘e-Albania’ dhe kanë marrë menjëherë miratimin e lejes për dalje nga dita e hënë. Kjo shifër tregon besimin e qytetarëve te teknologjia dhe tek ‘e-Albania’, që tashmë është familjar për këdo”, – theksoi Karcanaj.

“Përtej mërzisë, acarimeve të momentit, tërësisht të kuptueshme në kushtet e izolimit, qytetarët kanë treguar një maturi dhe sjellje për t’u admiruar. Me durim, minutë pas minute, ata po ndjekin procedurën e thjeshtë të marrjes së lejedaljes, në ‘e-Albania’! Kjo sjellje do na shpërblehet në ditët dhe javët në vazhdim me më pak të dala dhe me më shumë jetë të mbrojtura”, – theksoi drejtoresha e AKSHI-t, Karcanaj.

Qeveria në kuadër të masave të marra për mospërhapjen e pandemisë COVID-19, ka ndaluar daljen nga banesat të pensionistëve dhe përmes aplikimit online ose me SMS, do ketë lejedalje vetëm një person nga familja për nevojat urgjente, si blerja e ushqimeve dhe medikamenteve./atsh

22 553 qytetarë kanë aplikuar në “e-Albania” për të marrë lejedalje Read More »

Brataj përshëndet ekipin mjekësor shqiptar në ndihmë të Italisë: Krenarë për ju që shkoni të shpëtoni jetë

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, duke vlerësuar vendimin e qeverisë për të dërguar në Itali 30 mjekë e infermierë, që do të shërbejnë në luftën kundër COVID-19, theksoi se ata na sjellin emocione, ndjesinë dhe krenarinë e të qenit mjek, bluza të bardha, humanistë, por akoma më shumë, të qenit shqiptar.

“Ju jeni ajo traditë e bukur, që gjithmonë vetëm e kemi thënë me fjalë, ndërsa sot është konkrete, e prekshme reale; tradita e bukur e shqiptarit, ajo e ndihmës së personave në nevojë. Ju betohem se ishte e njëjta skenë, ndjesi, emocion si atë ditë te Këneta në Durrës, kur pashë ekipet e shpëtimit të Italisë në periudhën e tërmetit. Është e njëjta skenë para avionit, kur ekipet mjekësore italiane dhe Protezione Civile Italiana merrnin bashkëkombësit tanë për t’i kuruar në Itali. Sot niseni ju për të kuruar qytetarët italianë”, – theksoi Brataj.

Kreu i Urgjencës Kombëtare u shpreh se “kam punuar 22 vjet mjek për ata njerëz të mrekullueshëm dhe sot e ndjej veten në çdo njërin prej jush. Atje ka me qindra mjekë dhe infermierë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë. Në këtë moment po japin maksimumin e tyre, por JU sot na sillni emocione, na sillni ndjesinë dhe krenarinë e të qenit mjek, bluza të bardha, humanist, por akoma më shumë të qenit shqiptar. Ju po shkoni në luftë me vetëdije, kundër një armiku sa të njohur, aq të panjohur, por me vendosmërinë e patundur, objektivin për të cilin keni studiuar. Pra, ju shkoni të shpëtoni jetë. Këtë mision fisnik ju e keni të skalitur në zemrat tuaja dhe tonat”.

“Me këtë solidaritet dhe vendosmëri që shohim në sytë tuaj, nuk ka virus të na ndalë. Jeta është shumë më e bukur dhe gjithmonë fiton”, – tha Brataj, i cili po qëndron edhe vetë në vetizolim për shkak se është i infektuar me koronavirus. /atsh

Brataj përshëndet ekipin mjekësor shqiptar në ndihmë të Italisë: Krenarë për ju që shkoni të shpëtoni jetë Read More »

E gjithë Shqipëria, solidaritet me Italinë mike në luftë me COVID-19

Të gjithë shqiptarët janë solidarizuar këto ditë të vështira me shtetin fqinj Italinë në luftën e saj kundër COVID-19.

Qytetet e ndryshme të vendit kanë ndriçuar sheshet qendrore apo godinat publike me tri ngjyrat e flamurit italian: të bardhë, të kuqe dhe jeshile.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot videon e realizuar nga Ambasada italiane në Tiranë, ku shprehet solidariteti i të gjithë qyteteve në Shqipëri.

“Faleminderit, Shqipëri! Një vend që nuk i braktis miqtë”, thuhen në mesazhin e përcjellë përmes kësaj videoje.

Italia mike, është shteti që ka mirëpritur me mijëra shqiptarë gjatë eksodit të vitit 1990-1991.

Aktualisht, Italia është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve në Europë prej koronavirusit. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/625812958258529/?t=0

E gjithë Shqipëria, solidaritet me Italinë mike në luftë me COVID-19 Read More »

Meta: Ndihmë dhe solidaritet me Italinë, pandemia rrezik i përbashkët

Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi është një rrezik i përbashkët që kërcënon vendet dhe qytetarët tanë”. Kjo u nënvizua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, në një intervistë për And Kronos, pasi 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë u dërguan në Itali, për të ndihmuar në përballimin e pasojave të infeksionit.

“Fatkeqësisht Italia – vazhdon Meta – po paguan një çmim shumë të lartë”. Prandaj, për Shqipërinë “të qenit në ndihmë të popullit italian sot nuk është vetëm një gjest ndihme dhe solidariteti, por edhe një mundësi për të shkëmbyer përvojë për mjekët tanë të rinj dhe stafin shëndetësore, për të ndihmuar zonat më të prekura”.

“Historia e ndihmës reciproke ndërmjet popujve tanë, vazhdon Meta – daton shekuj më parë, kur shqiptarët u bënë diga që ndaloi pushtimin otoman, së pari të Italisë dhe më pas të Europës, periudhë që zgjati për shumë vite e shumë shekuj. Këtë lidhje të fortë e dëshmojnë gjithashtu Komuniteti i vjetër arbëresh në Itali që jetojnë në Siçili, Kalabri, Basilicata, Puglia, Campania, Molise, Lazio dhe Abruzzo”, por gjithashtu edhe komuniteti i ri i shqiptarëve që mbërriti në Itali pas vitit 1990, një pjesë sot qytetarë italianë, dhe rezidenteë pikërisht në zonat më të prekura nga pandemia.

“Si mund ta harrojmë – shton Meta – Italinë dhe ndihmën e saj në të gjitha krizat shqiptare nga viti 1991 deri në 1997, gjatë luftës së Kosovës së vitit 1999 dhe tërmeti i fundit i 2019. Ne jemi dy vende fqinje dhe dy popuj fqinj. Unë e them shpesh, gjithçka mund të ndryshojë, por gjeografia nuk mundet ”.

Për Metën, vendet tona janë në të njëjtën varkë: “Një sukses për Italinë kundër koronavirusit do të ishte gjithashtu një avantazh i madh për Shqipërinë në luftën e saj kundër virusit”. Gjithashtu Presidenti i Republikës shqiptare shpreh “ngushëllimet e tij për të gjithë familjarët e viktimave të Covid-19 dhe autoritetet italiane”./atsh

Meta: Ndihmë dhe solidaritet me Italinë, pandemia rrezik i përbashkët Read More »