Irina

“Honxhobonxhot synojnë të nxisin mllef e përçarje”, Rama: Gjermania dhe Franca vepruan si ne për qiratë

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me aktin normativ të hyrë sot në fuqi për shtyrjen e detyrimeve të qirasë për disa kategori, për dy muaj, duke iu përgjigjur opozitës se edhe Gjermania dhe Franca kanë bërë të njëjtën gjë si Shqipëria në kohën e përhapjes së pandemisë.

“Honxhobonxhoja është dikush që jo vetëm nuk ndryshon mendim përballë faktit, po nuk ndryshon as argument”, thotë një fjalë e mençur. Dhe meqë këta honxhobonxhot opopopozitarë vazhdojnë merren me qeverinë, sepse duan të vrasin me një gur dy zogj, duke synuar nga një anë të nxisin mllef e përçarje mes popullit e qeverisë që po luftojnë së bashku, e nga ana tjetër shkatërrimin e arkës së shtetit për të nxitur rrëmuja më pas si në 97-ën, ja se kush tjetër ka bërë fiks të njëjtën gjë për qiratë”, – nënvizoi Rama.

“Gjermania – mospërmbushja e detyrimit kontraktor të pagimit të qirasë që rrjedh nga një kontratë e qirasë, nuk përbën shkak për qiradhënësin të zgjidhë kontratën. Pamundësia e përmbushjes së detyrimit të pagesës së qirasë për periudhën 1 prill 2020 – 30 qershor 2020 lidhet me gjendjen e shkaktuar nga COVID-19. Ky parashikim nuk mund të interpretohet në dëm të pronarit”, citoi Kryeministri.

“Franca – nuk mund të ndëshkohen me penalitete financiare, kamatëvonesa, dëmshpërblime, zbatimin e klauzolës së përfundimit të kontratës, apo zbatimin e çdo klauzole penale apo që aktivizon garancitë, për shkak të mospagimit të qirasë ose të tarifave të qirasë, lidhur me ambientet profesionale dhe tregtare, pavarësisht nga dispozitat kontraktuale dhe atyre të përcaktuara nga kodi tregtar. Kjo dispozitë zbatohet mbi qiratë, pagesa e të cilave duhej bërë nga 12 marsi 2020 deri në një afat prej 2 muajsh nga data e përfundimit të gjendjes së urgjencës shëndetësore”, ishte rasti i Francës.

“E pra balona tabake që ne quajmë gabimisht opozitë, ta harrojë se i bën dot Shqipërisë atë që as armiku i padukshëm nuk ka për t’ia bërë dot, sepse koha kur ky vend u katandis në balonë tauke nga këta honxhobonxho ka vdekur dhe nuk kthehet më”, – shprehet Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të informojë “për aktet zbatuese të aktit normativ mbi qiratë dhe njerëzit më në hall do të shohin edhe më qartë, se unë dhe kjo qeveri, jemi me ta dhe për ta deri në fund”.//atsh

“Honxhobonxhot synojnë të nxisin mllef e përçarje”, Rama: Gjermania dhe Franca vepruan si ne për qiratë Read More »

Basha: Qeveria të rialokojë buxhetin dhe të shtojë fondet e emergjencës

“Qeveria të anulojë menjëherë koncesionet, të rialokojë buxhetin dhe të shtojë pa vonesë fondet e emergjencës në ndihmë të shëndetit dhe njerëzve dhe bizneseve në nevojë”, deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve, kemi kërkuar që qeveria të subvencionojë qiratë dhe pagesat e qytetarëve dhe bizneseve në nevojë, ashtu si kanë bërë shumë vende duke nisur me Kosovën. Boll me fyerje dhe sulme ordinere: ato nuk i mbushin xhepat dhe tryezat bosh të shqiptarëve”, tha Basha.

“Fyerjet dhe sharjet ndaj opozitës tregojnë se kryeministri nervoz nuk ka as ide dhe as plan masash për emergjencën. Çfarë thotë në drekë, e ndryshon në darkë! Ai sot po tregon se nuk ka hallin e shqiptarëve, por ka vetëm merakun e oligarkëve”, u shpreh Basha.

“Qeveria të anulojë menjëherë koncesionet, të rialokojë buxhetin dhe të shtojë pa vonesë fondet e emergjencës në ndihmë të shëndetit dhe njerëzve dhe bizneseve në nevojë. Koha nuk pret”, shtoi Basha./atsh

Basha: Qeveria të rialokojë buxhetin dhe të shtojë fondet e emergjencës Read More »

Lajm i mirë: 9 të shëruar sot nga COVID-19

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se edhe 9 persona të tjerë janë shëruar nga COVID-19.

“Lajm i mirë: 9 të shëruar sot”, deklaroi Kryeministri në orët e vona të pas mesnatës.

Deri tani 85 persona kanë fituar betejën me koronavirusin në vendin tonë.

Një ditë më parë u dha lajmi se edhe një çift i moshuar nga Korça që erdhën në spitalin Infektiv në gjendje të rënduar u shëruan nga COVID-19. /atsh

Lajm i mirë: 9 të shëruar sot nga COVID-19 Read More »

Parashikimi i motit, e premte 3 prill 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale me diell të cilat do të jenë më tepër prezente përgjatë orëve të paradites në zonën e ultësirës perëndimore.

Në zonat kodrinore dhe malore në lindje dhe në zonën e jugut vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar në formë shtrëngatash. Në zonën e juglindjes në orët e mesditës do ketë reshje dëbore.

Mjegull/mjegullinë për shkak të reshjeve të shiut. Era do të fryjë me drejtim Verilindje –Juglindje 1-15m/sek duke u shoqëruar me valëzim të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla

Shkodër 1/14 Diell re

Kukës -1/9 Re shi

Lezhë 2/15 Diell re

Dibër -4/8 Re shi

Durrës 3/15 Diell re

Tiranë 3/16 Diell re

Elbasan 1/17 Diell re/shi

Berat -2/17 Diell re

Vlorë 5/16 Diell re

Korcë -2/6 Re shi/bore

Gjirokastër -2/15 Re shi

Sarandë 4/16 Diell re/atsh

Parashikimi i motit, e premte 3 prill 2020 Read More »

Kryebashkiaku i Vlorës, Leli për ATSH-në: 1500 familjeve ndihma me ushqime, vijon puna për mbështetjen e qindra të tjerave

Prej ditësh, Bashkia e Vlorës është e përfshirë në një aksion të gjerë humanitar për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Në vetëm pak ditë, filloi evidentimi i familjeve në vështirësi brenda territorit të Bashkisë Vlorë dhe më pas puna në terren për shpërndarjen e ndihmave ushqimore, e cila ende vijon të jetë në proces. Ndihmat e miratuara nga fondet e bashkisë janë për 1500 familje , të evidentuara në vështirësi, ndërkohë që, në sajë të bashkëpunimit edhe me donator të ndryshëm, kësaj liste ianë duke iu shtuar edhe qindra të tjera.

Punonjës të administratës nga të gjitha hallkat dhe të tjerë të përfshirë në këtë proces si vullnetarë, janë bërë pjesë e këtij aksioni që po vazhdon me intensitet gjatë gjithë orëve të ditës.

“Jemi në terren dhe pranë të gjithë njerëzve që na kërkojnë mbështetje”, thotë për ATSH-në kryetari i Bashkisë, Dritan Leli. Ai thekson se, në këto ditë të vështira shfaqet edhe solidariteti i shoqërisë, i komunitetit, për të përballuar situata të tilla të jashtëzakonshme.

Pas shpërndarjes së pakove me produktet bazë të ushqimit të përditshëm, si vaj, sheqer, miell, oriz, makarona etj, paralelisht po punohet në bashkëpunim edhe me donatorët.

Java e kaluar ishte mjaft intensive, kjo në vijim është edhe më e gjerë. Numrat e telefonit të vënë në dispozicion në faqen web të Bashkisë, apo edhe në rrjetet sociale, janë mënyra e ndërsjelltë e komunikimit për të realizuar procesin e identifikimit dhe të asistencës, për të gjithë ata që janë të ekspozuar përballë riskut.

Përveç të moshuarve, pensionistë të vetmuar, të sëmurë, familjeve në asistencë, janë përfshirë në targetin e familjeve në nevojë edhe të tjera me probleme që nuk arrijnë të sigurojnë nevojat ushqimore.

“Po bëjmë gjithçka është e mundur që të amortizojmë pasojat dhe njerëzit të mos ndjejnë mungesat”, citon kryebashkiaku Leli, i cili shton se, po zhvillohet edhe një punë intensive sensibilizimi për të përfshirë në këtë aksion, individë dhe subjekte.

Ka mjaft shembuj në këtë drejtim, që përcjellin mbështetje dhe bashkëpunim konkret tek kryebashkiaku Leli, duke marrë prej tij falenderim dhe mirënjohje.

Ai thotë se,” Vlora e këtyre ditëve është Vlora e solidaritetit, e vlerave të mbështetjes dhe të humanizmit”. Prandaj dhe koordinimin dhe rakordimin e punëve për të realizuar gjithçka në formën më të mirë të mundshme, e cilëson edhe si një detyrim ndaj atyre njerëzve që janë ofruar me mundësi konkrete, duke hequr një pjesë të mundit nga përditshmëria e tyre.

“Ata nuk kanë nevojë për falenderim publik, pavarësisht se unë do të doja ta bëja këtë për secilin prej tyre, ashtu siç kam përcjellë këto ditë mbështetje për të gjitha familjet që kanë nevojë për ne”, shprehet Leli.

Ndërkaq ai shprehet se, do të donte që përmasat e këtij solidariteti të shtohen në vijimësi, prandaj dhe përmes ATSH-së bën thirrje që, kushdo që ka mundësi, të marrë në përkujdesje e patronazh një të moshuar të vetmuar, një familje në nevojë, sepse, pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës, kapacitetet e bashkisë janë të kushtëzuara.

“Ne operojmë mbi bazën e VKM NR.236 dhe i kemi të specifikuara kategoritë e familjeve që mbështesim me ndihma, prandaj dhe për të zgjeruar këtë proces, na duhet edhe mbështetja e të gjithë atyre që kanë mundësi, për t’ju përgjigjur më mirë nevojave reale në këto moment”, shprehet kryebashkiaku vlonjat, faenderues për të gjithë ata që janë ofruar deri në këto momente dhe me dëshirën dhe besimin se ata do të shtohen në ditët në vijim.

Pas procesit të dezifektimit të qytetit, në pikënisje të të cilit, Bashkia e Vlorës ishte ndër të parat në shkallë vendi, kjo njësi vendore është përfshirë në këtë aksion masiv, që po vlerësohet mjaft nga komuniteti./atsh

Kryebashkiaku i Vlorës, Leli për ATSH-në: 1500 familjeve ndihma me ushqime, vijon puna për mbështetjen e qindra të tjerave Read More »

Rama: Nuk ka gjë që peshon më shumë në ditën e Qametit sesa sjellja e mirë

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të tjera fjalë të shenjta për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që gjithë bota po përballet me pandeminë e COVID-19.

“Nuk ka gjë që peshon më shumë në peshoren e besimtarit në ditën e Qametit sesa sjellja e mirë”, citoi Rama përmes rubrikës “Fjalë të Shenjta”.

Kryeministri zgjodhi këto fjalë të shenjta nga Isaiah (26:20) për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që autoritetet shtetërore kanë marrë masa drastike duke kufizuar lëvizjen, si masë parandaluese për kufizimin e përhapjes së COVID-19.//atsh

Rama: Nuk ka gjë që peshon më shumë në ditën e Qametit sesa sjellja e mirë Read More »

5 respiratorë të tjerë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, forcohen kapacitetet për terapinë intensive

Pesë respiratorët i rinj në spitalin universitare “Shefqet Ndroqi”, financim i qeverisë shqiptare do të forcojnë rezervën e kapaciteteve në përballimin e situatës së COVID-19.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “5 respiratorët e tjerë, të mbërritur në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, pjesë e financimit të qeverisë shqiptare prej 54 respiratorësh të rinj, që do të forcojnë rezervën e kapaciteteve tona për terapinë intensive në përballjen me COVID-19”.

Ndërsa ditën e djeshme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se “në total kemi 54 respiratorë në dërgesën e parë dhe më pas do të kemi edhe 50 të tjerë e kështu me radhë, sipas porosive”./atsh

5 respiratorë të tjerë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, forcohen kapacitetet për terapinë intensive Read More »

Veliu, mesazh kolegëve në terren: Mirënjohje për sakrificat dhe përkushtimin e treguar në këto ditë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu iu drejtua sot me një mesazh kolegëve të tij të Policisë së Shtetit për t’i falënderuar për punën e mrekullueshme.

“Në këtë periudhë mjaft të vështirë dhe krejtësisht të pazakontë në kujtesën e brezave tanë, po ju drejtohem me këtë mesazh për t’ju shprehur publikisht falënderimet e mia për punën e mrekullueshme që po bëni, si në përmbushjen e detyrave tuaja funksionale, ashtu edhe në ndihmesën e dhënë ndaj qytetarëve e shtresave në nevojë”, tha Veliu.

“Zgjodha këtë formë mesazhi, pasi nuk kam mënyrë tjetër t’i drejtohem secilit personalisht për t’i shprehur mirënjohjen time dhe të gjithë organizatës së Policisë, për sakrificat dhe përkushtimin e treguar në këto ditë, sa të trazuara, aq edhe të rrezikshme, për të gjithë ju, për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi”, tha ai.

“Ndihem krenar që ju po tregoni në këto ditë vendimtare, ato vlera që përbëjnë esencën e Policisë së Shtetit, besueshmërinë, përgjegjshmërinë, shpirtin e grupit, kohezionin”, u shpreh ai.

“Më vjen mirë që keni përmbushur e madje tejkaluar jo vetëm pritshmëritë e mia si Drejtor i Përgjithshëm, por ajo që është më e rëndësishme, keni marrë vlerësimin e qytetarëve. Kjo na bën krenar të gjithëve dhe ngre në një vend nderi, emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit”, tha Veliu.

Ne, theksoi ai, “po përballojmë, sot, qoftë si organizatë policie, qoftë si qytetarë, një rrezik të padukshëm, deri edhe fatal, për jetën njerëzore, gjë që tregon shkallën e vështirësisë që duhet të përballoni. Por pavarësisht sfidave dhe rrezikut të përhershëm që keni përballë, ju ia keni dalë të kryeni me përkushtim çdo detyrë të ngarkuar, si për rendin e sigurinë, ashtu edhe në përkrahjen e shtresave apo individëve në nevojë”.

“Si Drejtor i Përgjithshëm, ju kërkoj ta përballoni këtë luftë me atë shpirt grupi që keni treguar, me ndjenjën më të lartë të përgjegjshmërisë dhe me vetëdijen se po i jepni një shërbim tejet të vyer kombit e atdheut. Ndiej detyrimin dhe njëherësh kam nderin t’ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për gjithë sa keni bërë dhe për sa do të bëni, deri në mposhtjen e këtij rreziku që i kanoset të gjithë njerëzimit”, shtoi Veliu.

“Në mbyllje, dua të shpreh një urim për të gjithë ju, për gjithë qytetarët, që kjo pandemi të zhduket sa më parë, në mënyrë që të kemi mundësi të shohim e t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të themi faleminderit për gjithë sa keni bërë e vijoni të bëni!”, theksoi Veliu./atsh

Veliu, mesazh kolegëve në terren: Mirënjohje për sakrificat dhe përkushtimin e treguar në këto ditë Read More »