Irina

COVID-19/ 71 të shtruar në 2 spitale, 6 në terapi intensive 3 të intubuar

Në shërbimin Infektiv në Tiranë aktualisht janë 66 të shtruar, të konfirmuar me COVID-19, 6 prej të cilëve janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar.

Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, tha në komunikimin për mediet se “pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”.

“Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar”, – shtoi Dervishi.

Sipas saj, në dy spitalet COVID-19, aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë.

Deri në këto momente në vendin tonë janë testuar 2247 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 333 raste.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social./atsh

COVID-19/ 71 të shtruar në 2 spitale, 6 në terapi intensive 3 të intubuar Read More »

Muzikë nga shtëpia: “Me dashurinë për njerëzit tanë të mirë”

Edhe kjo fundjavë, si edhe ato të shkuarat do të jenë fundjavë izolimi, për të pamundësuar përhapjen e koronavirusit. Qytetarë shqiptarë do të mbyllen përsëri në shtëpitë e tyre, siç e tha edhe dje prof. Silva Bino në mbledhjen online të Komitetit Teknik të Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i ngritur për parandalimin e përhapjes të epidemisë së koronavirusit, jo në “distancim social, por fizik”, pasi humanizmi i shqiptarëve nuk mungon as në këtë situatë.

Janë vëllezërit tanë nga Kosova, edhe ata në të njëjtën luftë me koronavirusin, që përmes një videopërshëndetjeje na japin kurajo e besim, se nuk ka virus që na ndan.

“Sot jemi të detyruar të mbyllemi në shtëpitë tona, – shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti, – jo vetëm për të mbrojtur veten, por dhe për të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët, vendit tonë. Nga vëllezërit e Kosovës na vjen kjo përshëndetje, si një himn për jetën, “me dashurinë për njerëzit tanë të mirë”!”/atsh

https://web.facebook.com/MargaritiElva/videos/3097143680337006/?t=0

Muzikë nga shtëpia: “Me dashurinë për njerëzit tanë të mirë” Read More »

Shërimi i profesor Dhimitër Krajës, Meta: Një lajm i mirë që na gëzon të gjithëve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e cilësoi sot si një lajm të mirë që na gëzon të gjithëve shërimin e Profesor Dhimitër Krajës

Duke i uruar shërim të shpejtë edhe të gjithë të prekurve nga pandemia COVID-19, Meta vuri theksin edhe njëherë në rëndësinë e forcimit të masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke shërbyer me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrifica në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.

“Shërimi i Profesor Dhimitër Krajës është një lajm i mirë që na gëzon të gjithëve! Duke i uruar shërim të shpejtë edhe të gjithë të prekurve nga pandemia COVID-19, theksoj edhe njëherë rëndësinë e forcimit të masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke shërbyer me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrifica në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari. Mjekët janë heronj”, tha Meta./atsh

Shërimi i profesor Dhimitër Krajës, Meta: Një lajm i mirë që na gëzon të gjithëve Read More »

Lajmi i mirë: Edhe 10 të shëruar nga COVID-19, 99 në total

Gjatë 24 orëve të fundit 10 pacientë janë shëruar duke e çuar në 99 numrin e të shëruarve nga COVID-19.

Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, tha në komunikimin për mediet theksoi se ”lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 99”.

Dervishi tha se “vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuar pozitivë”.

Mes të shëruarve sot është edhe profesor Dhimitër Kraja, i cili iu përgjigj i pari thirrjes për t’u rikthyer në shërbim, për të ndihmuar kolegët në kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19. /atsh

Lajmi i mirë: Edhe 10 të shëruar nga COVID-19, 99 në total Read More »

Mosrespektimi i distancimit social në tregje/ Nga e hëna, do të shkohet deri në heqje lirie për këdo që shkel rregullat

“Ushtria dhe policitë bashkiake do të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve, ndërsa Policia e Shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke ndarë foto të tregjeve të tejmbushura nga njerëzit në Tiranë.

Në kushtet kur nuk respektohet asnjë masë e distancimit social në tregje, Rama tha se “përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë”.

“Nëse ky është niveli i kuptimit të detyrës qytetare në frontin e kësaj lufte për jetë a vdekje dhe meqë mesa duket ecurinë pozitive të luftës deri tani, shumëkush po e kupton gabimisht si arsye për t’u lëshuar me idenë se s’na gjen gjë, atëherë përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë”, tha Rama.

Sipas tij, “masat e reja ndëshkimore do të jenë ligj ditën e hënë dhe për kokëshkretët do të shkohet deri në heqje lirie”.

Rama tha se “Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës”. “Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar”, tha Kryeministri.//atsh

Mosrespektimi i distancimit social në tregje/ Nga e hëna, do të shkohet deri në heqje lirie për këdo që shkel rregullat Read More »

Profesor Xhaxho i prekur nga COVID-19/ Shehu: Dhe nga shtrati i spitalit do të vazhdojë të japë kontribut

Profesor Roland Xhaxho është një tjetër mjek i prekur nga COVID-19, i cili është shtruar sot në repartin infektiv.

Ish-deputeti i PD dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, i ka uruar shërim të shpejtë profesor Xhaxhos.

“I dashur Landi të urojmë shërim të shpejtë! Kolegu, miku i ngushtë, reanimatori i talentuar, novator i veccantë e pedagogu njerëzor Prof. Roland Xhaxho, është shtruar sot në repartin infektiv i prekur nga ky virus”, ka shprehur Xhaxho.

“Mbasi ka qenë gjatë gjithë kësaj periudhe person kryesor në përshtatjen e shërbimeve të reanimacionit për përballjen me këtë epidemi, siç duket do t’i duhet të “pushojë” disa ditë, tashmë si pacient i përkohshëm”, ka thënë Shehu.

“Megjithëse jam i bindur se dhe nga dhoma apo shtrati i spitalit do të vazhdojë të japë kontributin e tij të çmuar me dijet, energjitë e optimizmin e përhershëm. Shërim të shpejtë aty midis kolegësh”, ka theksuar Shehu./atsh

Profesor Xhaxho i prekur nga COVID-19/ Shehu: Dhe nga shtrati i spitalit do të vazhdojë të japë kontribut Read More »

27 raste të reja me COVID-19/ Kemi hyrë në zonën e zjarrit, sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “sot kemi 27 pozitivë. Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku po synon të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën e bluzave të bardha”.

“Sot ju bëj një thirrje të fortë të motivojmë të gjitha forcat shpirtërore dhe mendore brenda nesh, për të ushqyer rezistencën, duke mos harxhuar energji për asgjë tjetër”, – tha Rama, i cili publikoi edhe një video rrëqethëse në Iran.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sot ju lutem me të gjithë forcën ta vendosni si kryefjalë të çdo dite në vijim moton jetike të luftës sonë: ekonomia bie dhe ngrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen më”.

“Sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta dhe mbrojtja e jetës është qëllimi, ne jemi mjeti për realizimin e këtij qëllimi njerëzor, qytetar, kombëtar. Sot jam i detyruar t’ju jap këtë video rrëqethëse që ta shikoni si do kishim përfunduar, po të mos ishim futur më shpejt se të tjerët në mbrojtje, por edhe si, mos e dhëntë zoti, mund të përfundojmë nëse për ‘mustaqet e Çelos’ hapim vrima në barrikadat tona”, – tha Rama./atsh

https://web.facebook.com/edirama.al/videos/2578101465840638/?t=0

27 raste të reja me COVID-19/ Kemi hyrë në zonën e zjarrit, sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta Read More »

Shërohen edhe 2 infermierë të prekur nga COVID-19, 15 personel mjekësor në total

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndarë lajmin e mirë se janë shëruar 2 infermierë të prekur nga COVID-19, pas testit konfirmues.

Në total deri tani janë shëruar 15 personel shëndetësor.

‘Edhe 2 infermierë janë shëruar pas testit konfirmues nga laboratori i virologjisë në ISHP .
Shkon në 15 numri i mjekëve dhe infermierëve të shëruarve nga COVID-19. FORCA’, -thote Manastirliu. /atsh

Shërohen edhe 2 infermierë të prekur nga COVID-19, 15 personel mjekësor në total Read More »