Irina

Shërohen edhe 2 infermierë në Tiranë, shkon në 30 numri i personelit mjekësor

Betejën me COVID-19 e kanë fituar edhe 2 infermierë në Tiranë, të cilët janë shëruar pas testit konfirmues në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Çdo mjek, infermier dhe punonjës i sistemit shëndetësor që e fiton betejën me COVID-19 është një lajm i mirë për të gjithë. Edhe 2 infermierë në Tiranë janë shëruar pas testit konfirmues në laboratorin e virologjisë në ISHP. Shkon në 30 numri i personelit mjekësor të shëruar nga COVID-19″, shprehet Manastirliu.

Sipas ministres, deri tani janë 183 pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me COVID-19./atsh

Shërohen edhe 2 infermierë në Tiranë, shkon në 30 numri i personelit mjekësor Read More »

Seanca e radhës së Kuvendit mbahet të enjten më 16 prill

Konferenca e Kryetarëve miratoi sot ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars – 17 prill 2020 dhe vendosi thirrjen e seancës plenare në 16 prill.

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, sot u zhvillua Konferenca e Kryetarëve. Konferenca u zhvillua online, me anë të mjetit të komunikimit elektronik (Cisco Webex).

Pasi i njohu anëtarët e Konferencës me rendin e ditës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, informoi Konferencën e Kryetarëve se “Kuvendi i Shqipërisë ka vazhduar të funksionojë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Dy javët e fundit komisionet e përhershme parlamentare janë mbledhur rregullisht online dhe kanë shqyrtuar e projektaktet e depozituara, të cilat janë përcjellë për shqyrtim në seancën plenare. Kjo situatë ka sjellë si domosdoshmëri edhe ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, për të parashikuar dispozitat e nevojshme të funksionimit të Kuvendit në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe kur nuk është e mundur zhvillimi i mbledhjes me prezencën fizike të deputetëve.

Përvojat e parlamenteve të vendeve të BE-së, të përshtatura për kushtet e pandemisë, parashikojnë mbledhjen e seancave plenare me numër të kufizuar deputetësh, pa cenuar të drejtën e secilit deputet për të votuar. Prandaj edhe ndryshimet e propozuara, reduktimi i kuorumit e pjesëmarrjes dhe zhvillimi i mbledhjeve online, nuk cenojnë të drejtën e deputetëve të Kuvendit për te votuar. Ndërkohë, këto forma mbledhjesh nuk duhet të cenojnë etikën parlamentare, kërkesat dhe standardet për të cilën mbeten po aq rigoroze sa në kushtet e zakonshme.”

Konferenca miratoi me konsensus plotësimet në Rregulloren e Kuvendit, për rregullimin e funksionimit te veprimtarisë parlamentare në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të pandemisë.

Konferenca shqyrtoi dhe miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars – 17 prill 2020, të cilët parashikojnë zhvillimin e seancave plenare në datat 16, 23 dhe 30 prill.

Në këto seanca do të kenë prioritet shqyrtimi e miratimi i akteve normative me fuqinë e ligjit dhe i projektligjeve që kanë lidhje me pandeminë COVID-19.

Seancat do të zhvillohen me pjesëmarrjen dhe prezencën në sallë të të gjithë deputetëve, me numër dhe kohë të kufizuar diskutimesh, dhe për të zbatuar standardin e distancimit social, për uljen e deputetëve do të shfrytëzohen edhe mjediset e tjera të sallës së seancave plenare.

Seancat do të jenë të mbyllura për publikun dhe do të sigurojnë akses për RTSH, i cili do të transmetojë live dhe do t’u mundësojë sinjalin edhe medieve të tjera.

Konferenca miratoi edhe rendin e ditës të mbledhjes së seancës plenare të datës 16 prill./atsh

Seanca e radhës së Kuvendit mbahet të enjten më 16 prill Read More »

Gjithçka e mbyllur nga nesër në 13:00 deri të hënën në 05:00/ Rama: Nga e hëna, fasha orare zgjatet deri 17.30

Kryeministri Edi Rama informoi se “nesër është dita e fundit me fashën orare deri në 13:00, ndërsa nga nesër në 13:00 deri të hënën në 05:00 gjithçka do të jetë e mbyllur dhe të gjithë në shtëpi.

Kryeministri tha se “nga e hëna, fasha orare do të zgjatet deri 17:30 dhe autorizimet për lejedalje për pazar do të jenë 90 minuta”.

“Pak nga pak dhe me durim, do të dalim me kokën lart nga kjo luftë”, shtoi Rama./atsh

Gjithçka e mbyllur nga nesër në 13:00 deri të hënën në 05:00/ Rama: Nga e hëna, fasha orare zgjatet deri 17.30 Read More »

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve

Mazhoranca përveç ndryshimeve në Kodin Penal dhe atë Rrugor është duke vlerësuar dhe aktualizimin me situatën të rregullores së Kuvendit.

“Së pari duhet të sqarojmë se këtu bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve dhe dua të sqarojë se 99.9% e shqiptarëve i kanë zbatuar masat shtrënguese të deritanishme në mënyrën më të shkëlqyer dhe përfitoj nga rasti t’i falënderoj. Por kemi dhe një 0.01% të personave që jetojnë në Shqipëri të cilët ende nuk e kanë kuptuar që kjo është një luftë. Një luftë me një armik të padukshëm, që edhe pse jemi në një moment të mirë sa i takon shifrave dhe kurbës së ecurisë së kësaj pandemie në vendin tonë, na duhet që për këta 0.01%, ashtu sikurse dhe vendet e tjera, dhe në disa parlamente të tjera, janë depozituar dhe po diskutohen masa të tilla të aktualizimit të Kodit Penal”,- tha Balla.

“Një situatë e tillë nuk është parë kurrë. Kujtoj këtu, ashtu sikurse tha Kancelarja Angela Merkel, një situatë e tillë për Gjermaninë nuk ishte parë që nga lufta e dytë botërore. E pra, Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë sikurse dhe në vendet e tjera ka pasur deficite që duhen rregulluar, sepse moszbatimi i urdhrit të karantinës, apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, ngjitëse përbën vepër penale dhe duhet të dënohet penalisht. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për COVID-19”, – tha Balla.

“Po bëjmë disa ndryshime penale jo vetëm për këtë pandemi, por duhet të jemi parashikues dhe për raste të tjera. Por betejën dhe luftën e kemi me COVID-19 momentalisht. Në këtë kontekst veç masave administrative, është e domosdoshme të aktualizojmë kodin tonë penal edhe me këtë rast”, – tha Balla.

“Unë ju ndoqa teksa ju transmetuat 9 raste të reja të identifikuara me COVID-19 në Shqipëri. Tre prej tyre janë në Elbasan dhe këta në Elbasan janë për fajin e disa personave të tjerë që kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm. Këta janë kontaminuar me virusin për shkak të moszbatimit të masave të sigurisë që kemi vendosur”, – tha Balla.

Duke folur për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, Balla tha se do shqyrtohet dhe ndryshimi i rregullores së Kuvendit. “Në fund të fundit kuvendi duhet të japë një shembull të mirë të distancimit social. Kuvendi i Shqipërisë ka ushtruar aktivitetin e tij të domosdoshëm legjislativ duke përdorur teknologjinë. Situata të tilla të shkaktuara nga COVID 19 nuk i kemi parashikuar në rregulloren e Kuvendit, prandaj duhet që dhe në rregullore të ndërhyjmë. Kuvendi do mblidhet në datë 16 dhe do të diskutojë edhe për këto ndryshime”,- tha Balla, gjatë intervistës së dhënë pasditen e të enjtes për një media vizive. /atsh

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve Read More »

Lajm i mirë: 17 të shëruar sot

Një lajm i mirë vjen mëngjesin e kësaj të premteje: janë 17 të shëruar të tjerë që kanë fituar betejën me koronavirusin.

Lajmi bëhet i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili shprehet: “Lajm i mirë: 17 të shëruar sot”.

Më herët ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, falënderoi me mirënjohje ekipin e shkëlqyer të epidemiologëve nga veriu në jug, të cilët “gjurmojnë rastet derë më derë, rrugicë më rrugicë, ditën dhe natën, pa u lodhur e pa u ankuar, duke bërë të pamundurën për të kapur në kohë rastet dhe për të frenuar përhapjen e epidemisë”.

Ministrja Manastirliu vlerësoi punën e bluzave të bardha të cilët “po bëjnë një punë shembullore për gjurmimin e rasteve me COVID-19 dhe izolimin e vatrave në territor”./atsh

Lajm i mirë: 17 të shëruar sot Read More »

Shqipëria do ta fitojë këtë luftë dhe LBPD do t’i mbetet vetëm turpi e dështimi i radhës

Kryeministri Rama reagoi sot ndaj deklaratave të opozitës për zgjerim të paketës financiare.

Rama shprehet se kreu i PD-së, Basha nuk mendon sesi të ndihmojë, por vazhdon avazin e vjetër 7×7=42.

Kryeministri Rama theksoi se Basha ëndërron protesta të mëdha nesër, duke i thënë popullit sot se Covidi është Sudja me thasë me para.

Por, shtoi Rama, Shqipëria do ta fitojë këtë luftë dhe LBPD do t’i mbetet vetëm turpi e dështimi i radhës

“LBPD nuk mendon si të ndihmojë, se as nuk do as nuk di, po vazhdon avazin e vjetër 7×7=42 dhe ëndërron protesta të mëdha nesër, duke i thënë popullit sot se Covidi është Sudja me thasë me para! Shqipëria do ta fitojë këtë luftë dhe LBPD do t’i mbetet vetëm turpi e dështimi i radhës”, u shpreh Kryeministri Rama në reagimin e tij.

Basha deklaroi sot se qeveria duhet të shpërblejë financiarisht punonjësit e Policisë së Shtetit. “Punonjësit e policisë janë në vijën e parë dhe ndër më të ekspozuarit ndaj rrezikut. Ata janë në shërbim me dhe pa orar në të gjithë vendin”, tha Basha.

Po sot, nënkryetari i PD-së, Spaho i cili tha se “qeveria duhet të rishikojë skemën e garancisë sovrane për të lehtësuar realisht biznesin me kërkesa të thjeshtuara dhe norma interesi që përballohen nga buxheti”./atsh

Shqipëria do ta fitojë këtë luftë dhe LBPD do t’i mbetet vetëm turpi e dështimi i radhës Read More »

Rama: Nëse sot jemi në këtë pikë, kjo falë nesh e mënyrës se si e kemi bërë luftën, shtet e popull bashkë

“Mbi të gjitha sot është mbrojtja e jetës së çdo shqiptari”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama publikoi sot grafikun që tregon përhapjen e COVID-19 në të gjitha vendet.

Rama theksoi se “të gjitha kanë rëndësinë e tyre, po mbi të gjitha sot është mbrojtja e jetës së çdo shqiptari dhe ecja çdo ditë të bashkuar, popull dhe shtet, drejt fitores së kësaj lufte që nuk e zgjodhëm, por kemi detyrën ta fitojmë!”.

Rama u shpreh se, “nëse sot jemi në këtë pikë, e jo mbi ndonjë mal me të vdekur, kjo është falë nesh e mënyrës se si e kemi bërë luftën deri këtu, shtet e popull bashkë si një trup i vetëm dhe vetëm prej nesh varet tanimë ta çojmë deri në fund kështu këtë luftë”.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se deri të enjten e 9 prillit, numri i të prekurve me COVID-19 ka shkuar në 409 raste, ku në 24 orët e fundit janë identifikuar 9 raste të reja./atsh

Rama: Nëse sot jemi në këtë pikë, kjo falë nesh e mënyrës se si e kemi bërë luftën, shtet e popull bashkë Read More »

Ibrahimaj: Aplikuan për “pagën e luftës” 21 mijë biznese, procesi i rivlerësimit mbyllet më 10 maj

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se kanë aplikuar për të përfituar pagën e luftës 21 mijë biznese, nga të cilat për 12 mijë e 640 është miratuar kërkesa.

Pjesa tjetër, bëri të ditur Ibrahimaj në një prononcim në media, nuk përfshihet në kategorinë e personave që përfitojnë, ose strukturat e administratës tatimore po verifikojnë në terren situatën.

Ibrahimaj u shpreh se procesi i verifikimit të të gjitha rasteve do të përfundojë më datë 10 maj.

Ibrahimaj apeloi qytetarët dhe përfaqësuesit e biznesit që të dërgojnë në adresat e e-mail të vëna në dispozicion nga DPT-ja çdo ankesë të tyre.

“Ne kemi vendosur enkas adresat e e-mail-it, ku tatimpaguesit të ankohen. Kërkesat e tyre do të rivlerësohen nga DPT”, theksoi Ibrahimaj.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se në mjaft raste kanë aplikuar për të përfituar pagën e luftës edhe biznese që nuk janë të mbyllura, por po vijojnë aktivitetin.

Gjithashtu Ibrahimaj tha se as qytetarët dhe as biznesi nuk është penalizuar për shkak se ka vendosur të dhënat gabim.

E pyetur lidhur me deklaratën e ish-deputetes Tabaku se ka seleksionim në përzgjedhjen e bizneseve, Ibrahimaj e mohoi një fakt të tillë duke theksuar se: “Kjo është e pavërtetë. Diskriminim dhe seleksionim nuk mund të ketë. Jemi të hapur që të bëjmë transparente procedurat”./atsh

Ibrahimaj: Aplikuan për “pagën e luftës” 21 mijë biznese, procesi i rivlerësimit mbyllet më 10 maj Read More »