Irina

9 pacientë të tjerë i shtohen listës së të shëruarve, totali shkon në 431

Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 431.

Aktualisht në vendin tonë, 289 persona janë aktivë me COVID-19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 3 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 32 pacientë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se pavarësisht luhatjeve në numra ditorë situata vazhdon të jetë e kontrolluar.

Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i qytetarëve që kanë pasur nevojë për frymëmarrje të drejtuar.

Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.

Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40″./atsh

9 pacientë të tjerë i shtohen listës së të shëruarve, totali shkon në 431 Read More »

Stadiumi “Air Albania” përzgjidhet për çmimin BigSEE Architecture Award 2020

Air Albania Stadium, investimi më i madh në historinë e sportit shqiptar, vazhdon të prodhojë lajm edhe pas inaugurimit të tij në 17 Nëntor 2019, me ndeshjen kundër Francës, kampione të botës.

Ky investim i Federatës Shqiptare të Futbollit është përzgjedhur për të marrë çmimin BigSEE Architecture Award 2020 dhe për më tepër është nominuar edhe si projekti më i mirë (Grand Prix) në kategorinë publike.

Fituesit e BigSEE Architecture Award do të vlerësohen në festivalin e madh të arkitekturës që do të zhvillohet më datë 16 Tetor 2020 në Qytetin e Dizajnit në Lubjanë të Sllovenisë. Në këtë festival të gjithë projektet do të ekspozohen për të pranishmit nga Shqipëria, Italia, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Qipro, Republika Çeke, Greqia, Kroacia, Italia, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali Zi, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia dhe Turqia.

Qëllimi i BigSEE Architecture është ai për të forcuar suksesin dhe atraktivitetin e Europës Juglindore nëpërmjet kërkimit, vlerësimit dhe promovimit të mrekullisë arkitektonike që është në këto vende./atsh

Stadiumi “Air Albania” përzgjidhet për çmimin BigSEE Architecture Award 2020 Read More »

COVID-19 shkatërrues për sektorin e turizmit

Pasojat e koronavirusit të ri në sektorin e turizmit do të jenë shkatërruese dhe kompanitë e vogla do të vuajnë më shumë, theksoi sot një zëdhënës i Komisionit Europian.

“Bashkimi Europian po punon për një përgjigje të përbashkët”, shtoi ai duke zbuluar dhe propozimet e komisionerit Thierry Breton mbi një takim të ministrave europianë të Turizmit.

Në Kontinentin e Vjetër, disa vende po përgatiten të heqin gradualisht ose kanë lehtësuar kufizimet.

Norvegjia rihapi shkollat. Një javë pas hapjes së çerdheve dhe kopshteve, është radha e fëmijëve të moshës gjashtë deri në dhjetë vjeç për të shkuar në shkollë, në klasa deri në 15 nxënës.

Zvicra sot filloi hapjen e parukerive, luleshitësve, ndër bizneseve e lejuara të funksionojnë.

Edhe në Gjermani dhe Austri, një pjesë e madhe e dyqaneve janë rihapur ditët e fundit, me paralajmërime të rrepta të distancimit shoqëror dhe vënien e detyrueshme të maskave ​​në hapësira publike.

Në Spanjë, pas gjashtë javësh të mbyllur në shtëpi, fëmijët që nga e diela mund të fillojnë përsëri të luajnë në rrugë, me një numër të caktuar kufizimesh. Ndalimi është zgjatur deri më 9 maj dhe qeveria do të paraqesë planin e saj të lehtësimit nesër.

Kryeministri francez Edouard Philippe, gjithashtu, do të zbulojë nesër strategjinë e tij për daljen nga kufizimi, i cili do të fillojë më 11 maj, me një rihapje graduale, por të diskutueshme të shkollave.

Italia pritet të përcaktojë në faza, në fillim të javës, masat që planifikon të marrë duke filluar nga 4 maji.

Shkollat ​​do të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator, por bizneset strategjike në ekonominë e tretë europiane janë lejuar të rihapen./atsh

COVID-19 shkatërrues për sektorin e turizmit Read More »

Sazan-Karaburun destinacion turistik, Klosi: 10 Vjet Park Kombëtar Detar

Bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan e kanë kthyer atë në një nga destinacionet më të bukura turistike në vend, ku çdo vit vizitohet mijëra turistë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e cilëson ato një pasuri natyrore që ndihmon vendin tonë në kultivimin e një turizmi të qëndrueshëm.
“Parku Kombëtarë Detar, Sazan-Karaburun është një pasuri natyrore e të gjithëve, na ndihmoni ta ruajmë dhe të zhvillojmë turizëm të qëndrueshëm. Ju keni nevojë për parkun, aq sa edhe ai ka nevojë për ty sot…”, – nënvizoi Klosi.

I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit. Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore. /atsh

Sazan-Karaburun destinacion turistik, Klosi: 10 Vjet Park Kombëtar Detar Read More »

Mjek në çdo biznes me risk, fasoneritë të zbatojnë kushtet e sigurisë

Kryeminsitri Edi Rama deklaroi sot se po punohet për të vendosur mjek në çdo biznes me risk.

Në një intervistë televizive, i pyetur nëse do të përfshihen mjekët e familjes në sistemin e gjurmimit dhe të testimit të rasteve me COVID-19, tani që do të bëhet hapja, Rama tha se, “mjekët e famlijes nuk bëjnë testime, por janë shumë të rëndësishëm si hallka më fundore e sistemit që është më pranë njerëzve. Me mjekët e familjes skuadra që punon për testimet është në kontakt të vazhdueshëm”.

Ndërkohë, shtoi Rama, “po punojmë për të vendosur një bluzë të bardhë tek të gjitha bizneset me risk. Pra fasoneritë, dhe jo vetëm fasoneritë, por të gjitha bizneset më me risk do të kemi një bluzë të bardhë aty që do të kontrollojë të gjitha kushtet e sigurisë”.

“Kam vënë re me keqardhje që fasonët kërkojnë disa liri që nuk do t’i kenë në raport me kushtet e sigurisë. Nuk duan të dezinfektojnë dy herë vendin e punës. Si mund të thonë që ne nuk duam ta dezinfektojmë dy herë vendin e punës, kur aty punohet me turne dhe turnet ndërrohen. Dhe pas ndërrimit të turnit ai që lë tavolinën dhe zëvendësohet nga dikush tjetër patjetër që duhet të lërë pas dhe një proces dezinfektimi. Apo si mund të thonë që duam t’i mbushim autobusët plot e për plot, ndërkohë që ka kritere. Për të gjitha këto do të kemi kontrolle shumë të forta”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “pensionet po i çojmë nëpër shtëpia. Dhe për aplikimet e pensioneve procesi bëhet përmes E-Albania dhe nuk ka problem fare. Për këtë që përdor facebook s’ka asnjë problem”.

I pyetur se çfarë do të bëhet me ata që duan të kthehen në Shqipëri por që kanë fëmijë, të vegjël, Rama tha se, “për ata që janë të sëmurë dhe kanë fëmijë të vegjël e kemi bërë këtë përjashtim. Nuk kemi lënë në karantinë prindër me fëmijë shumë të vegjël. Prindërit që janë me fëmijë shumë të vegjël i kemi parë janë parë me sy tjetër.

I pyetur në lidhje me punonjësit sezonalë që duan të shkojnë në Greqi, Rama tha se, “me kryeministrin e Greqisë kemi diskutuar për këtë temë që është me interes reciprok dhe brenda mesit të majit kur fillon dhe kjo lëvizje do të kemi një konkluzion dhe besoj se do të kemi një marrëveshje specifike sesi do të bëhet lëvizja e këtyre punonjësve, natyrisht që asnjë prej tyre të mos humbasë mundësinë e punësimit sezonal”

I pyetur në lidhje me punonjësit e administratës që nëse do të duhet të punojnë të dy prindërit, me kë do të qëndrojë fëmija, Rama tha se, “kemi pasur mirëkuptim maksimal për këtë dhe ndërkohë kemi filluar të punojmë për një reformë sepse kjo periudha e karantinës i ka mësuar dhe të tjerëve atë që në fakt unë e kam ditur, që me më pak njerëz bëhet më shumë punë. Nga ana tjetër duke përdorur sistemet dixhitale ne mund të krijojmë një regjim tjetër pune në administrate, ku një pjesë e administratës mund të punojnë edhe nga shtëpia dhe kështu të mos enden kafeneve në orar të punës dhe puna të jetë shumë më e monitorueshme”.

“Në këtë situatë po mësojmë disa gjëra dhe kemi një reformë shumë të bukur për të bërë tani në arsim. Duke parë që 98% e nxënësve ndoqën dhe po ndjekin mësimet online dhe një pjesë e madhe e zonave ku nuk mendonim paraprakisht, ka ndodhur që fëmijët kanë ndjekur mësimet online përmes telefonave. Kështu me online do të bëjmë një revolucion në arsim duke i dhënë fund klasave kolektive, duke krijuar klasa kombëtare, duke vendosur tek TVSH një stacion të vetëm totalisht në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve, duke vendosur mësuesit më të mirë për të dhënë mësim në nivel kombëtar. Është një proces shumë i bukur që lindi si rezultat i kësaj situate”, tha Rama.

Dhe po ashtu, tha Kryeministri, “do të ndërtojmë dhe një sistem të tërë bluzash të bardha për Maturën Shtetërore që të garantojmë siguri maksimale në procesin e Maturës Shtetërore”./atsh

Mjek në çdo biznes me risk, fasoneritë të zbatojnë kushtet e sigurisë Read More »

Manastriliu: Hapja graduale duke zbatuar protokollet e sigurisë, 14 ditë për secilën fazë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se në fazën aktuale që ndodhet Shqipëria, pra ajo e hapjes duhet të jemi të kujdesshëm pasi virusi nuk është larguar ende.

Në një lidhje direkte në një nga mediet e vendit, Manastirliu u shpreh se “është e vërtetë që ne kemi hyrë në fazën e parë të hapjes së kujdesshme dhe shumë graduale. Nga dita e sotme kemi hapur disa kategori biznesi dhe gjithashtu kemi zgjeruar fashën orare të lëvizjes së qytetarëve, nga 90 minuta në 2 orë. Duhet të themi që kemi filluar një hapje të kujdesshme të masave, pasi Komiteti i Ekspertëve i atashuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë, gjithashtu i ISHP-së ka realizuar një strategji të hapjes me faza, sa i përket rihapjes jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin social dhe ka vlerësuar 4 faza të rihapjes së aktiviteteve dhe në bazë të kritereve të vendosura nga Komiteti Teknik, bazuar në kurbën biologjike, në numrin e të shtruarve në spital dhe në rastet e rënda që trajtohen janë vlerësuar disa faza të hapjes. Ne kemi kriteret e secilës fazë, kemi vlerësuar riskun për secilën. Tre kriteret kyçe për të cilën ua përmenda lidhet me kurbën epidemiologjike. Kjo do të thotë se raste pozitive klasifikohen në disa aspekte, kjo do të thotë se nëse ne do të kemi në fazën e parë ku risku është edhe më i ulët, mbi 15 raste pozitive në ditë për mbi një mesatare të rasteve që është 15 raste të reja në ditë, atëherë ne do të themi që do të vijojmë më fazën e dytë të hapjes. Nëse numri do të rritet mbi një mesatare atëherë nuk do të kalojmë në fazën e dytë të hapjes por do të ngremë frenat e emergjencës, që do të thotë do të kthehemi në masat e mëparshme”.

Më tej, ajo theksoi se “do vijojmë testimet si kemi bërë deri më sot, duke gjurmuar të gjitha rastet kontaktet e tyre të para, të dyta e të treta. Është shumë i rëndësishëm në këtë fazë hetimi “agresiv”, pra hetimi për çdo rast të dyshuar dhe rastet e tjera janë asimpotimatikë por kanë lidhje me rastet që identifikohen në terren. Shumë e nevojshme strategjia e testimit që është duke u kryer e hartuar nga ekspertët të vijojë me të njëjtën intensitet në terren sidomos në këto faza, pra në fazën e hapjes që po ndodh”.

Secila hapje sipas saj, do të ketë një periudhë 14-ditore vlerësimi aq sa është faza e virusit.

“Bizneset që nuk respektojnë masat do kenë nga gjoba deri në mbyllje të veprimtarisë dhe edhe ndjekje penale nëse do ketë përsëritje, nuk është asnjëra nga këto qëllim në vetvete, por vendosja e masave për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Të gjithë qytetarët dhe bizneset duhet të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe çdo lehtësim tjetër do të vijë nga veprimet e tyre’. –tha ajo.

Më tej, ministrja shtoi se “situata është dinamike. Nuk ka vend për të mos qenë të shqetësuar se virusi iku dhe hajde tani të bëjmë plazh. Unë po e them sepse jo sepse nuk mendoj apo nuk jemi duke planifikuar por duke parë se çfarë po bën rajoni dhe çfarë do të kemi si alternativë këtë vit. Secili shtet ka specifikën e vet. Mal i Zi nuk ka qenë aq i prekur në numra në raport me Shqipërinë, që ka patur një efekt shumë të madh nga Italia, nga të gjitha rastet e importuara që na kanë ardhur. Por duhet të kuptojmë diçka, rreziku nuk ka kaluar prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm qoftë përsa i përket hapjes, qoftë sa i përket plazhet dhe turizmit, nuk do të kemi turizmin klasik por do të vlerësojmë hap pas hapi në dinamikë se çfarë opsionesh do të krijohen. Nuk jemi dhe nuk po jetojmë në normalitet, po jetojmë në një situatë të jashtëzakonshme”./atsh

“Fakti që sot në spitale në nuk kemi mbingarkesë apo kemi një relaksim në situatën e spitaleve krahasuar me ngarkesën që do të kishim, i dedikohet masave që ndërmorri qeveria. Nëse ne nuk do të kishim marrë ato masa në ditën 1 dhe ky është faktori kyç, ne sot jo vetëm do të kishim spitale të përmbytura nga qytetarët që ishin në nevojë për trajtim mjekësor dhe kjo ishte eksperienca që kanë kaluar edhe vendet e zhvilluara me sisteme shëndetësor shumë të zhvilluar”, përfundoi ministrja

Manastriliu: Hapja graduale duke zbatuar protokollet e sigurisë, 14 ditë për secilën fazë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 10 raste të reja me COVID-19, shkon në 736 numri i të infektuarve

Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 10 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë. Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, tha sot në përditësimin e të dhënave se 9 prej rasteve të reja janë shënuar në Tiranë, ndërsa 1 rast i ri është shënuar në Shkodër.

Zv.ministrja Mira Rakacolli, gjatë deklaratës për mediet, bëri me dije se numri total i të infektuarve shkon në 734.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 212 persona të dyshuar me COVID-19.
Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 10 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, shumica kontakte familjare, dhe 1 rast i ri është në Shkodër.
Deri në këto momente janë testuar 7491 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 736 raste”, – tha Rakacolli./Atsh

Ministria e Shëndetësisë: 10 raste të reja me COVID-19, shkon në 736 numri i të infektuarve Read More »

12 pacientë të shëruar gjatë 24 orëve të fundit, 422 në total

Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 422 ose 57,3 % e totalit të të prekurve.

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, tha se në vendin tonë 42,7 % e të prekurve janë aktualisht aktivë me COVID-19.

“Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 422 ose 57,3 % e totalit të të prekurve”, – theksoi Rakacolli.

“Aktualisht në vendin tonë, 286 ose 42,7 % e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Deri sot, 28 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor”, – bëri të ditur Rakacolli.

Bashkia Të prekur Të shëruar
Tiranë 302 187
Shkodër 105 61
Krujë 92 8
Durrës 42 37
Fier 37 27
Kurbin 31
Korçë 19 18
Elbasan 18 15
Kukës 18 10
Lezhë 14 14
Has 14 12
Kavajë 9 8
Lushnjë 7 4
Vlorë 5 4
Pukë 5 4
Mirditë 5 3
Rrogozhinë 4 4
Tropojë 4 4
Berat 3 2
Mallakastër 1
Mat 1 /atsh

12 pacientë të shëruar gjatë 24 orëve të fundit, 422 në total Read More »